E Premte, 12.06.2019, 07:58am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
'ÇLIRIMTARËT', PUSHTETI, DHE GJAKU NË MES
Nga SULEJMAN GJANA, kryetar i PLL

E Mërkurë, 11.19.2014, 05:50pm (GMT+1)



Festat e fundme lokale kushtuar “çlirimit” të qyteteve pa luftë dhe bilanc lufte, me “çlirimtarë” që hynin në qytete e krahina pas largimit të gjermanëve me shpejtësi - nëpërmjet mjeteve të motorrizuara, janë një tallje me bujën e “çlirimit” dhe heroikën që duhet të mbartë akti i çlirimit të atdheut nga çizmja e huaj.

Por “çlirimtarët” harrojnë se për “trimëritë”, si dhe për të gjitha bëmat e tyre të pretenduara gjatë LDB, ka patur asokohe dhe gjenden ende dëshmitarë okularë, të cilëve u kujtohet kënga e famshme satirike tepelenase, e pamohuar asokohe dhe e përcjellë brez pas brezi, strofa e parë e së cilës thoshte: “O lele erdhi gjermani, me makina të mëdha / Ne u fshehëm prapa ferrës, shyqyr Zotit që s’na pa / Se po të na kish parë, do të kishim bërë hata / Do ia kishim grirë mishin, do ia bënim pastërma…”.

Sa here që populli i pyeste “trimat” shallkuqë e yllkuqë se përse nuk i kishin rënë ndonjëherë dushmanit, merrnin përgjigje se “nuk kishim dyfekë e fishekë, ndaj e lamë të kalonte…, ja sa të sigurojmë dyfekët e fishekët, pastaj do të na shohë dushmani se kush jemi”.

I bindur se komunistët “çlirim” quajnë boshatisjen e territorit të Shqipërisë londineze pas tërheqjes strategjike të gjermanëve drejt Berlinit, nuk mund të jem aspak dakord me një poet-“patriark”, që pretendon se e ashtuquajtura Luftë Nac-çlirimtare “është faqja më e lavdishme në të gjithë historinë e popullit shqiptar”.

Bilanci tragjikomik i të ashtuquajturës “LuftëNac-çlirimtare”, me pjesën e tij komike nuk justifikon as 1 % të shifrave të trumbetuara nga historiografia komuniste për gjoja okupatorët e vrarë gjatë LDB. Ndërsa me pjesën e tij tragjike të masakrimit të shqiptarëve jokomunistë në Luftën Civile gjatë periudhës 1943-1944 dhe më pas, gjatë shtypjes së rezistencës spontane apo të organizuar, është dhe mbetet thjesht bilanc rrëqethës. Mbetet bilanc tragjik dhe rrëqethës për numrin 10 herë më të lartë të shqiptarëve-viktima të një lufte absurde vëllavrasëse, në krahasim me okupatorët e vrarë. Dhe për këtë, meritën e vetme e të padiskutueshme e kanë komunistët shqiptarë me në krye themeluesit serbë të PKSH-së, që ishte thjesht një shtab i ri agjenturor i serbëve në kushtet e reja.

Pasi u mundën menjëherë dhe tepër shpejt në betejat e rezistencës së Prillit 1939, nga një prej fuqive më të mëdha të kohës e me pretendime të kahershme territoriale ndaj Shqipërisë londineze, por sidomos pas tradhtisë së pashoqe nga Fuqitë e Mëdha dhe Lidhja e Kombeve, shqiptarët e paarmatosur ranë shpejt në grackën e premtimeve për bashkimin e trojeve të tyre etnike nën Perandorinë e Italisë.

Pas aktit të pushtimit, natyrshëm filloi procesi i administrimit të trojeve shqiptare, tashmë nën “Perandorinë e Romës së Tretë”. Proces ky në të cilin u përfshinë si administratorë shumë irredentistë, që e menduan kolaboracionizmin si zgjidhja më oportune në kushtet e krijuara, me argumentin: të shpëtohej me çdo kusht ç’kish mbetur, sepse Shqipëria duhej doemos të mbijetonte atëkohë e të jetonte përjetësisht. Ajo ishte sipas tyre kryekauza dhe kryearsyeja; ndërsa atdhetarët duhet të ishin veçse kurbanë në altarin e saj. Përveç pakicës së arrivistëve të paskrupuj dhe inatçorëve të pandreqshëm me Mbretin Zog, fatkeqësisht shumica e pranoi kolaboracionizmin vetëpërbaltës “për të garantuar mbijetesën e atdheut dhe kombit”.

Mbretërorët shqiptarë e kundërshtuan me armë pushtimin dhe politikisht e diplomatikisht kolaboracionizmin, por në kushtet e krijuara kjo rrymë duhej pranuar si realitet dhe me të duhej negociuar si faktor me peshë reale në politikën dhe qeverisjen e atëkohshme të vendit. Dhe ky proces politik duhej kryer gjithmonë në interes të çështjes kombëtare, që kish dalë në plan të parë, e që kërkonte lëvizje dhe zgjidhje inteligjente, gjatë luftës dhe më pas, në konferencën e ardhshme të Paqes.

Të joshur nga vetëqeverisja e lejuar prej shqiptarësh, por me një mëkëmbës-kujdestar të Fronit italian mbi krye, e sidomos të joshur nga investimet fillestare italiane dhe nga ideja e vetëvendosjes finale të popujve pas nënshkrimit dhe publikimit të Kartës së Atlantikut në fundvitin 1941 nga Ruzvelti dhe Çurçilli, irredentistët shqiptarë në qeverisjen e kohës arritën ta bindin në shumicë popullin shqiptar se ajo situatë e përkohshme duhej shfrytëzuar për bashkimin e trojeve etnike dhe kapërcimin e saj me kosto sa më minimale njerëzore e materiale. Por këtë ide dhe situatë nuk mund ta pranonin kurrsesi komunistët serbë e grekë dhe monarkofashistët serbë e grekë, të cilët, bashkë dhe veç e veç, u joshën dhe u mbështetën edhe nga Aleatët e Mëdhenj, gjithmonë në këmbim të kontributeve të tyre ushtarake kundër Boshtit, sidomos pas hyrjes në luftë të BS më 22 qershor 1941. Ndaj të alarmuar, serbët dhe grekët futën menjëherë në veprim veglat dhe aleatët-kolaboracionistë të cungimit të mëtejshëm apo zhbërjes përfundimtare të Shqipërisë – komunistët internacionalistë shqiptarë, të vetmit në të gjithë botën, që jo vetëm nuk ngritën kurrë rishikimin e problemeve të pazgjidhura territoriale, por asgjësuan kundërshtarët e tyre nacionalistë pikërisht për shkak të shpalljes së kësaj kauze.

Është dhe mbetet proverbial për nga saktësia, konkluzioni se zhvillimet shqiptare pas themelimit të PKSH, dhe sidomos pas ardhjes në pushtet të komunistëve, janë thjesht zhvillime logjike, të programuara nga jashtë e të zbatuara me përpikmëri nga seti më i përbindshëm agjenturor e antishqiptar që ka njohur ky komb gjatë gjithë historisë së tij.

Bilanci tragjik në jetë njerëzore dhe dëme materiale e shkatërrim të zhvillimit perspektiv bazuar në projektet dhe trendin e para LDB, realizuar nëpërmjet zbatimit barbar të Luftës Civile dhe më pas të Luftës së Klasave, nuk mundej dhe nuk do të ish i përmasave të arritura, nëse nuk do të zbatoheshin nga strukturat më të zeza agjenturore e antishqiptare: PKSH dhe Sigurimi i Shtetit. Dhe kur i bashkëngjit këtij bilanci edhe bilancin tragjik të gjenocidit dhe spastrimit etnik të shqiptarëve, prej armiqve historikë, në trojet e mbetura jashtë kufijve shtetërorë, bëhet e qartë se Golgota shqiptare ka qenë e programuar më së miri dhe me qëllime afatgjata.

Thënë shkurt, farën e Luftës Civile në Shqipëri e futën komunistët serbë, të cilët shfrytëzuan kolaboracionizmin komunist për të shfarosur kundërshtarët politikë dhe për të terrorizuar mbështetësit e tyre dhe mbarë popullin, në synimin për të marrë dhe siguruar pushtetin kolaboracionist të shqiptarëve filoserbë e filogrekë të Shqipërisë londineze. Dhe për të ilustruar këtë të vërtetë do të mjaftonte fjalia lapidare e shkëputur nga raporti që Miladin Popoviç i shkruante Titos pas zhbërjes me urdhër të tij të Marrëveshjes së Mukjes: “Druzhe Tito… Nacionalistët shqiptarë në Mukje, me vendimin për krijimin e Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë Etnike dolën hapur për luftë kundër popullit serb dhe atij grek, prandaj urdhërova denoncimin e Marrëveshjes së Mukjes dhe shpalljen hapur të luftës kundër tyre, me të gjitha armët, deri në asgjësim të plotë...”.

Historiografia komuniste shqiptare nuk mund ta mohojë faktin se inkursionin komunist në Vlorë pas Aktivit të Partisë të majit 1942, e kryesoi Dushan Mugosha me agjutant Enverin, për eleminimin e Xhepit, Qorrit, Xhindit, Çakërrit dhe të gjithë krerëve të çetës “Plakë” të Vlorës. Dhe kjo jo “për shkak të devijacionit trockist”, por sepse këta krerë kishin shprehur hapur pikëpamje nacionaliste, pakënaqësi për drejtimin e PKSH nga serbët dhe sidomos pakënaqësi për angazhimin në drejtimin e Lëvizjes komuniste në këtë zonë të mbarë klientelës proserbe të diskredituar publikisht të ish konsullatës jugosllave në Vlorë të fillimviteve‘20-të. Bërthamë agjenturore kjo që ish goditur nga shteti zogist pas zbulimit dhe dështimit të kryengritjes proserbe të Vlorës në vitin 1932, dekonspiruar asokohe bashkë me financimin serb dhe platformën agjenturore, në gjyqin special, nga rebeli i penduar Myqerem Hamzaraj.

Pas eleminimit me gjak të “fraksionit” të Vlorës, drejtimin e Lëvizjes komuniste atje e mori personalisht Dushan Mugosha, që qëndroi afro 18 muaj në Vlorë, ku rekrutoi edhe agjentët që u emëruan si drejtues të lartë në Tiranë dhe si atashehët e ambasadorët e parë të Shqipërisë komuniste në Beograd. Më pas, që të gjithë, u hierarkuan në majat më të larta të shtetit komunist shqiptar, por kryesisht në aparatin politik të PKSH, si dhe në drejtimin e ministrisë së Brendshme dhe asaj të Mbrojtjes.

Dushan Mugosha në Vlorë, pasi rekrutoi si agjentë gjithë drejtuesit e lartë lokalë të PKSH dhe të njësive partizane, ngriti kursin për përgatitjen e xhelatëve dhe atentatorëve, që kryen tortura monstruoze dhe vrasje pas shpine e të hapura të elementëve kundërshtarë dhe familjarëve të tyre, duke mos kursyer as gratë, pleqtë dhe fëmijët e porsalindur. Do të mjaftonte për këtë dëshmia e Xhelal Staraveckës, që ka pohuar se, në prani të drejtuesve të lartë komunistë si Shahin Kadare etj. (afro 15 vetë), Dushan Mugosha ka mbytur të rinj të pafajshëm me tortura, si demonstrim konkret për xhelatët, gjatë të cilave u ka nxjerrë viktimave sytë, u ka thyer të gjitha kockat dhe u ka prerë organet gjenitale dhe kokën, sipas të famshmit “Zakonik i Stefan Dushanit”, që përshkruante dhe normonte ligjërisht torturat mbi kundërshtarët e serbëve, qysh në mesjetën e hershme.

Ndër të rekrutuarit e parë si agjent serb dhe i listuar i pari prej Mugoshës ndër 5 themeluesit e Sigurimit të Shtetit, ka qenë drejtuesi komunist në krahinën e Kuçit, Xheladin Beqiraj (Karadaku). Me urdhër të tij e të Tasim Alikos me shokë, komunistët kanë vrarë me akuza të pavërtetuara për “tradhti” kundërshtarët ballistë dhe kanë masakruar e kanë shuar familjarisht të akuzuar të tjerë, ndër të cilët edhe pleq, teksa “armiqve” dhe foshnjeve u kanë prerë kokat dhe ua kanë treguar ato fshatarëve, për t’i terrorizuar.

Historianët komunistë e kanë fshehur të vërtetën për masakrën që Mehmet Shehu kreu mbi 74 ballistë të zënë robër në fshatin Matjan të Lushnjës, e të cilën Fiqiretja e pohon me letrën dërguar Dushan Mugoshës, ku shkruan: “I dashur shoku Duq! Po të bëj me dije lajmin e gëzueshëm të ekzekutimit të 74 ballistëve në fshatin Matjan të Lushnjës. Mehmeti të ekzekutuarit i përzgjodhi paraprakisht në shumicë të besimit mysliman, ndërsa dhjetëra të tjerë të besimit ortodoks i fali dhe i dërgoi në shtëpi. E si mund t’i ekzekutonte ata fshatarë të gënjyer, që ishin të besimit ortodoks, pra të të njëjtit besim me atë të popullit të shtrenjtë e të lavdishëm serb?...” (Gjaku i tradhtuar – Vladimir Dedijer, Zagreb, 1949).

Të tilla krime monstruoze komunistët kanë bërë në të gjithë Jugun e Shqipërisë, para dhe pas kapitullimit të Italisë, madje deri edhe në prag, e pas “çlirimit” të vendit.

Historianët komunistë për 50 vjet ua fshehën shqiptarëve faktin se salla e Kongresit të Përmetit ishte mbushur, brenda dhe jashtë, me foto të Titos, dhe se Hoxha në këtë kongres lexoi raportin e shkruar nga Miladini. Fakt të cilin Popoviçi ia raportoi Titos, krahas emrave të koduar dhe karakteristikave të udhëheqjes së re komuniste.

Gjithashtu u fsheh për 50 vjet fakti i sulmit të koordinuar me 3 brigada partizane shqiptare dhe 2 brigada partizane maqedonase kundër fortifikatave të Halil Alisë dhe nacionalistëve dibranë në Fushë Aliaj dhe Maqellarë, dhe më pas kundër atyre të Xhemë Gostivarit në Gostivar, fundi i të cilëve ishte parashkruar nga propozimet dhe korrespondenca midis Titos, Tempos dhe Miladinit.

Me këtë rast komunistët, të cilët i kanë përjetësuar heroizmat e tyre kundër shqiptarëve në këngë, improvizuan këngën e famshme me vargjet e njohura: “Ngrije këmbën hidhe këmbën, Dibrës o t’i bëjmë t’ëmën”. Këngë të cilën e përshtatën dhe kënduan edhe në Lumë, Kosovë e kudogjetkë, ku bënë masakra mbi shqiptarët.

Ishte Miladin Popoviçi ai që urdhëroi goditjen me artileri të rëndë dhe topçinj italianë, nga kodrat e fshatit Priskë, të Pallatit Mbretëror ku u mbajt kuvendi i Asamblesë Kushtetuese në Shtator 1943, që shpalli Këshillin e Naltë të Regjencës, emërimin e qeverisë dhe krijimin e shtetit shqiptar me sovranitet edhe mbi territoret e Shqipërisë Etnike, konform Kartës së Atlantikut. Të nesërmen komunistët shpërndanë me trakte e myzhde lajmin me titull: “Ja si i përgjigjet populli Asamblesë tradhëtare, me top” !!!

Për të bërë terror mbi popullsinë civile dhe për të çuar në vend urrejtjen për Matin zogist, të cilin serbët kurrë nuk e shkelën dot, e jo më ta pushtonin, në gusht të vitit 1944, Mehmet Shehu shfrytëzoi pretekstin e vrasjes së dyshimtë të një partizani të Brigadës I gjatë marshimit pranë fshatit Val të Martaneshit, për të masakruar 22 burra e gra të pafajshëm.

Disa ditë më vonë, Shefqet Peçi, në krye të Brigadës V, duke shfrytëzuar vdekjen e një partizaneje të plagosur prej shumë ditësh diku tjetër e me plagë të infektuar, të cilën gratë e fshatit Kurdari e mjekuan si vajzën e tyre, masakroi 24 burra e gra të pafajshëm të Kurdarisë zogiste të Dyle bej Allamanit, që ishte mik i Mbretit Zog, i major Abaz Kupit dhe oficerëve të Misionit britanik Bill Maklin, Dejvid Smajli dhe Xhulian Emeri, atashuar pranë Shtabit zogist të A. Kupit. Partizanja e gjorë, në prag të vdekjes, duke e njohur zellin vrastar të komunistëve, pasi la amanetet, u kërkoi nënave dhe motrave kurdarase që “t’i fshihnin burrat dhe djemtë”, pasi do t’ua pushkatonin, por ata nuk e besuan, pasi kujtuan se po flet përçart në grahmat e fundit, por gabuan...

Një muaj më vonë, sërish një partizane e Brigadës V të Shefqet Peçit, e plagosur dhe e mjekuar nga nënat dhe motrat lumjane të fshatit Buzëmadhe, u tha atyre që të mos i lejonin burrat dhe djemtë të shkonin në takimin ku i kish thirrur Peçi, por përsëri gabuan. E përse të dyshonin, kur u kishin shtruar partizanëve bukë e jatakë, me zemër të bardhë e me të gjitha gostitë e festës së Bajramit?! Gabuan që besuan të vetëshpallurit “vëllezër të serbëve” dhe e paguan me jetët e 22 djemve e burrave të pafajshëm, të cilët u akuzuan se kishin vrarë nipin partizan të Peçit, Hysen Cinon. Natyrisht që po i akuzonin padrejtësisht, për një vrasje që ishte kryer larg fshatit të tyre dhe në rrethana të dyshimta. Dhe përsëri, mbi kufomat e tyre u këndua kënga: “Ngrije këmbën, hidhe këmbën, Lumës o t’i bëjmë t’ëmën”. Tamam si kënga me sharjen fyese për nënat dhe gratë shqiptare, kënduar nga neoçetnikët dhe paramilitarët e Arkanit në Stadiumin “Partizani” të Beogradit më 14 tetor 2014. Ngashmëri e frikshme kjo në stilistikën e krimeve dhe të fyerjeve e përdhosjeve, midis komunistëve shqiptarë të LDB e të kohës së pushtetit, me vëllezërit e tyre të idealeve, serbët.

Thuhet se masakrat në Buzëmadhe e në fshatrat e tjera të Lumës, Peçi i bëri me urdhër dhe në përmbushje të porosisë së serbëve, të cilët po realizonin me dorën e shqiptarëve amanetin e të parëve për hakmarrje ndaj Lumës dhe lumjanëve, që në betejat e qëndresës kundër pushtuesve serbë në vitin 1912 i kishin shkaktuar armikut shekullor mijëra të vrarë.

Në shtator 1944, zv/komandanti i forcave partizane të Kosmetit, Mehmet Hoxha, urdhëroi arrestimin e nënkryetarit të Organizatës Kombëtare Lëvizja e Legalitetit – OKLL, të zgjedhur në Kongresin e Zall Herrit, Patër Lekë Luli, brenda territorit shqiptar, në Iballë të Pukës. Mehmet Hoxha e masakroi personalisht Patër Lulin, sipas traditës dhe Zakonikut serb të Stefan Dushanit dhe metodave të mësuara nga instruktori Stefan Dushan Mugosha, me prerje gjymtyrësh dhe nxjerrje të syve, duke ia kujtuar në shpirtdhënie Mbretin e Shqiptarëve, Shqipërinë Etnike dhe Mukjen, për çka njoftoi me ngazëllim Titon, që ia shpërbleu duke ia vulosur karrierën në Jugosllavinë komuniste.

Historiografët komunistë nuk mund ta fshehin faktin e mbytjes në tortura dhe më pas zhdukjes së qindra intelektualëve antikomunistë të Tiranës, në bodrumet e Hotel Internacional nga 16-20 nëntor 1944.  Gjithashtu, nuk mund të mohojnë burgosjen dhe internimin e qindra familjeve pronare të 804 vilave të sekuestruara në Tiranë nga ata që e mbuluan me flori LANÇ-në.

Po kështu vepruan “çlirimtarët” në të gjitha fshatrat e qytetet e veriut të Shqipërisë për të krijuar terror dhe nënshtruar gegët nacionalistë, antikomunistë dhe antiserbë.

Pas “çlirimit” të Shkodrës mbeti pa u “çliruar” Malësia, që rezistonte me Prekë Calin në krye. Tirana mori urdhër nga Beogradi dhe e ngarkoi Mehmet Shehun që të nënshtronte Malësinë dhe Prekë Calin. Shehu i kërkoi kreshnikut të dorëzohej. Prekë Cali refuzoi. U shpall alarmi dhe në ndihmë të Mehmet Shehut u dërgua edhe Brigada 23, teksa anën veriore të kufirit e zunë dy brigada komuniste malazeze. Kur Shehu i kërkoi Prekë Calit të dorëzohej dhe i premtoi “gjykim të drejtë”, kreshniku i Malësisë iu përgjigj: “Ma trego se je shqiptar sikur thue, tuj hjekë prej ushtrije trobojnicën, nryshi nuk dorëzohem”. Por Shehu nuk mund ta hiqte trobojnicën sllave, ndaj sulmoi duke djegur mbarë Malësinë dhe duke dhunuar gratë e fëmijët e pambrojtur. Për të shpëtuar nderin e grave dhe jetën e fëmijëve, kreshniku u dorëzua bashkë me 15 bij e nipër, shumica nën 17 vjeç. Asnjë gjyq nuk u bë, të gjithë u masakruan, dhe amaneti i shkijeve për “varjen e Prekë Calit me konop” u çua në vend.

Ish xhelati sigurims Pjerin Kçira, vartës i Zoi Themelit, u tregonte me mburrje shkodranëve se shefi i tij njëherë ishte vonuar në një zijafet, pasi kish mbytur në tortura një “armik”. Kur kish shkuar tek shokët i rraskapitur e me duar të përgjakura, u kish thënë se e kish lodhur për vdekje njëri që, në vend të rënkimeve, thoshte “Rroftë Shqipëria Etnike”. Të gjithë shokët i kishin thënë njëzëri “Sa mirë ia bëre tradhëtarit, tani shef hajde t’i pijmë dollinë”.

Gjatë viteve ’90-të, ish shifranti personal i Enver Hoxhës, Dyl Kadesha, deklaroi publikisht në media se e kishte njoftuar personalisht Enver Hoxhën për të gjitha radiogramet e dërguara nga Hysni Kapo, Ramiz Alia e Shefqet Peçi, lidhur me masakrat serbe në Kosovë, pas çarmatosjes në mirëbesim nga partizanët shqiptarë..., përfshirë edhe Masakrën e Tivarit. Sipas Kadeshës, Hoxha ngazëllehej vazhdimisht nga njoftimet dhe në një rast kishte përqafuar Xoxen, duke u shprehur se “ky është fundi i tradhtarëve”.

Ata kurrë nuk u penduan se vranë e prenë bashkatdhetarët me bindje të ndryshme politike në luftën për pushtet, ndonëse në shumicë ishin të paarmatosur. Ata kurrë nuk u penduan dhe nuk kërkuan ndjesë që mbytën me uri mbi 400 foshnja dhe qindra fëmijë e të rritur në “Aushvicin” e Tepelenës si dhe masakruan e zhdukën mijëra Shqiptarë në të gjithë vendin, gjatë dhe pas “çlirimit”. Madje Shefqet Peçi, para 20 vjetësh, deklaroi se jo vetëm që nuk ishte penduar, porse përsëri do të bënte të njëjtat masakra në Lumë e Kurdari kundër “armiqve reaksionarë”.

Ndaj dhe në këtë prag jubileu të 70 vjetorit të “çlirimit”, nëpërmjet Iliriana Spiro Kolekës, bash tek ministria e Kulturës dhe me financimet e saj, enveristët e papenduar u përgjigjen me vargje: “Ku shkove o Enver…/ ata që bashkë me ty luftuan, po të thërrasin…/ ata lëshojnë rënkime, ku je, kur do të kthehesh…”. Dhe këto ditë rënkimet e tyre kalojnë murët e çdo ministrie e çdo institucioni të shtetit duke i kujtuar popullit, anembanë vendit me ceremoni dhe portrete, se misioni akoma nuk ka mbaruar.

SULEJMAN GJANA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
KUJTESË LDK-SË - NËSE LDK IKËN NGA BLLOKU DHE DEL NË OPOZITË KJO BEHET PËR LLOGARI TË  HASHIM THAÇIT Nga ELIDA BUÇPAPAJ (11.19.2014)
TË DREJTAT E NJERIUT DHE POLITIKA E JASHTMENga FRANK SHKRELI (11.19.2014)
KUJDES LDK, JE MES VLAN-IT DHE HASHIMIT! Nga ELIDA BUÇPAPAJ (11.18.2014)
A ËSHTË E GATSHME GJERMANIA TË MARRË PËRSIPËR NJË ROL GLOBAL?Nga ANNE APPLEBAUM, Washington Post (11.16.2014)
KOMBI SHQIPTAR, APO PARCELA EKSPERIMENTALE E EVROPËSNga Prof. dr. ESHREF YMERI (11.15.2014)
Shkrim i pabotuarSERBIA E KA MENDJEN TE KOSOVA, PASTAJ TEK FQINJËSIA ME SHQIPËRINËNga SKËNDER BUÇPAPAJ (11.14.2014)
BRENGA E BALLKANIT DHE BALLKANASIT E BRENGOSUR...!Nga PËRPARIM KABO (11.14.2014)
UDHËHEQËSI I RI I SENATIT AMERIKAN DHE SHQIPTARËTNga FRANK SHKRELI (11.13.2014)
METAFORA E LIRISË OSE DIALOG I PËRFYTYRUAR ME VETENEsé nga REXHEP SHAHU (11.13.2014)
MEDITIM NË KAMPIN E SHFAROSJES TË TEPELENËSNga RESHAT KRIPA (11.13.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Dhjetor 2019  
D H M M E P S
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30 31        
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart]