E Premte, 11.22.2019, 08:34am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
ADHURIM PËR TY PETRO ZHEJI...
Nga PËRPARIM KABO

E Hënë, 02.23.2015, 08:09am (GMT+1)


Ishte vjeshta e vitit 1975 kur i ngjita ato pak shkallë në katin e parë të pallatit në rrugën Muhamet Gjollesha dhe u hap një portë. Një burrë i gjatë me syze, me një shikim të çuditshëm që dukej se ishte më shumë se një i tillë, i fokusuar tek ty dhe diku tjetër, me një zë të veçantë pakëz të ngjirur; na tha –urdhëroni mirëmbrëma. Ishim një grup të rinjsh që kishim vendosur të mësonim me një kurs privat gjuhën frënge. Kishim trokitur në derën e Petro Zhejit që do të rezultonte një hapje e portave të jetës për atë kohë dhe në gjithëkohësi.


Shtëpia modeste ku një pjesë e murit ishte e lyer me bojë të zezë dhe shërbente si “dërasa e zezë” ku me shkumës e nisëm rrugëtimin duke shkruajtur,”Je suis, tu es, il est…" dhe për dy vjet dy herë në javë në atë shtëpi një tjetër botë takuam, një tjetër mentalitet krijuam. Petro Zheji nuk do të ishte për ne thjesht mësuesi i një gjuhe të huaj aq me vlerë si frëngjishtja, as edhe vetëm përcjellësi i kulturës dhe civilizimit francez; porse së paku për mua personalisht, ai do bëhej bariu i mendjes në një moment kthese për jetën time si një i ri 21 vjeçar.

Pyetja e parë që më tronditi ishte: ”Ç’kuptoni ju nga polemika e Bershtejnit me Leninin?!" Unë së një shkollar i zellshëm i rreshtova argumentet e mësuara brenda klishesë universitare. Petro as buzëqeshi e as nënqeshi. Më mbajti një fjalim filozofik krejt ndryshe, të denatyruar nga dogma dhe raportet klasore marksiste apo nga narodnizmi Leninist. Ishte një spjegim kulturor bazuar në një filozofi krejt tjetër, aq sa në fund të tij kuptova se isha ende jo në rrugën e duhur. Të nesërmen kur vajta në fakultet gjithçka nisa ta shihja ndryshe, të mosbesoja më në ato që dëgjoja, të ecja në drejtimin e nisur nga ajo bisedë. Kishte filluar digresioni paralel i mendimit i ushqyer sa nga antikonformizmi im genuine, po aq edhe nga një lexim ndryshe i filozofisë. Më ishte dhënë nga Petro Zheji edhe një besim. Ai kurrë nuk më tha,- mos fol me njeri për këto gjëra se janë me rrezik-, por as edhe dyshoi kurrë se unë mund të denoncoja diku. Ky mirëbesim dhe besë kishte pasur si garanci kiminë tonë të kuptimit të botës, njeriut, krijimit dhe lirisë.Unë si nxënës dhe ai si profesorë.

Jeta e tij po krijonte për mua modelin. Në moshën 12 vjeçare ai kishte lexuar Decartin dhe ishte mallëngjyer shumë nga filozofia e tij, nga teza e ekzistencës përfshirë edhe atë të providencës duke pasur të drejtën se mund të dyshohet, deri se të provohej e kundërta apo dyshimi. Gjendja e së drejtës së dyshimit, së paku vë në qendër mendimin si ateljeja që realizonte gjithçka, dhe në këtë kuptim të menduarit e krijonte njeriun ndryshe, qoftë edhe në raport me funksionin cognitive ndriçues. Ai model po rritej brenda meje kur e mendoja që pasi kishte kryer studimet për matematikë fizikë në nivel dy vjeçarë, kishte shkuar edhe dy vjetë ushtarë. Dhe atje në transhe kur jepej komanda, “armë mbush” Petro kishte rastin që të nxirrte nga xhepi copën e letrës me fjalët e reja në gjuhën gjermane për t’i përsëritur e për ti mësuar. Ky poliglot që njeh me themel shqipen dhe filozofinë e saj, njeh e zotron deri në rrënjë edhe gjuhën italiane, frënge, angleze, spanjolle, gjermane, ruse, sërbo-kroate, judaishten e krishtere, hebraishten, sankritishten e vjetër, greqishten e vjetër dhe atë të re, latinishten dhe gjuhën mandarinishte, etj. Nuk është fjala vetem për zotërimin leksikor e gramatikor, por edhe njohjen e thellë në historinë e tyre, në kulturën e atyre popujve dhe vendeve me të cilat lidhen ato gjuhë në rrugëtimin e tyre historik, në mitologjinë dhe mitikën e tyre, në historinë etimologjike dhe në raportet me kozmogoninë, mesjetën dhe modernitetin.
*                  *                      *
Kur Petro Zheji punonte në shtëpinë botuese “8 Nëntori” para viteve 90-të, dikush apo disave, nuk u pëlqente sfidimi që Ai u bënte me heshtjen e tij. Ky lloj anashkalimi është dërmonjës, ka brenda injorimin që të zvoglon sepse qoftë edhe me një fjali ndjehesh i çarmatosur, e të bie mbi vete pesha e paditurisë dhe të shqitet maska e mburjes hipokrite. Petro Zheji kishte përkthyer Tolstoin, “Rringjalljen” por ja që në korridore apo në zyrën e partisë u përpunua “argumenti” se ai nuk ishte me shkollë të lartë për gjuhë letërsi, ndaj ai duhej të largohej nga institucioni. Petro Zheji nuk u dha, nuk u dorëzua dhe as u zbraps. Përktheu në atë kohë vëllimin e dytë të kryeveprës botërore “Don Kishoti” të Servantesit dhe habiti. Injorantët u zbythën, u shtangën u mekën, u rëzuan në honin e poshtërsisë, atje ku edhe e kishin vendin. Petro Zheji tejkaloi përkthimin e Fan Nolit të vëllimit të pare, duke krijuar përmes neologjizmave një shqipe aq të pasur dhe shprehëse në funksion të gjuhës së romanit, dhe njëherësh duke provuar se shqipja me pasurinë e leksikut dhe begatinë e shprehjes, mund të modulohej si një gjuhë Servantiane pa sforcim, pa firo, përkundrazi me një pjellori në mendim dhe me një begati të tillë që tregon se dimesionet e saja lidhen me fondin e leksikut, por edhe me sintaksën e pasur shprehëse, si edhe me një muzikalitet shpotitës; ku grotesku gjen kaq normalisht strehën literare dhe filologjike. Përkthimi i Petro Zhejit duket si krijim origjinal, dhe jo si sjellje e materies romaneske në një tjetër gjuhë që del nga përkthimi i origjinalit. Donkishotizmi fliste shqip si të ishte në gjuhë amtare. 

Në parathënien e librit, shkrimtari Andrea Varfi guxon, dhe është i pari që e bën këtë gjë, të shkruaj se; përkthimi i vëllimit të dytë e tejkalon përkthimin e Fan Nolit në vëllimin e parë. E citoj: “Krahas shqipërimit të pjesës së parë, të bërë prej një mjeshtri të madh, si Fan Noli, sot mund të qëndrojë ballëlart edhe shqipërimi i përkthyesit të njohur Petro Zheji. Duke ruajtur vazhdimësinë stilistike në mes dy pjesëve, duke ruajtur origjinalitetin e tij si përkthyes artisti, me përdorimin mjeshtëror të një frazeleologjie të pasur të tabanit popullor, përkthyesi ka arritur të na japë në shqip gjithë atë larmi tabllosh e stilesh të Servantesit, pa shkelur individualizmin gjuhësor të domosdoshëm të personazheve, në mënyrë të veçantë, atë të simpatikur Sanço Pança.”

Është rasti që të lexojmë së bashku një pasazh nga përkthimi: ” – Hall i madh më ka gjetur mua me ty, o Sanço!...Po a është punë kjo që bëhet; një gubernator që s’di as shkrim as këndim! Duhet të ndish o Sanço, se , kur një njeri nuk di shkrim e këndim a është mëngjarash, një nga të dyja; ose ai rrjedh nga një familje tepër e thjeshtë në mos dhe krejt e ulët, ose ai vetë ka qëlluar nga një brumë kaq i mbrapshtë dhe i paujdisur, sa nuk kanë pasur dot fuqi mbi të as shëmbullat e urta dhe as vet urtësia. Kjo është për ty një e metë e madhe, dhe unë do të desha që ishe i kënduar të paktën gjer sa të ishe i zoti të hidhje firmën.”

Pas këtij suksesi në përkthim ishte koha që intrigantët dhe spiunët të heshtnin. Petro Zheji ishte dhe mbeti po ai, njeriu fjalë pak dhe punë shumë, dinjitoz, i qetë dhe i vetmjaftueshëm në lumturinë që i dhuronte diskrecioni i tij, zhytja në oqeanet e dijes. Çdo pasdite ai ulej në sallën shkencore të Bibliotekës Kombëtare me një kallamar me bojë dhe me një penë dhe punonte mbi letrën e bardhë. Misioni kishte zënë rrënjë që në barkun e nënës si thot vet Petro. Do të argumentonte se cila është gjuha shqipe? Sa e vjetër? Ku i ka rrënjët? Sa paradoksale është ajo në shprehitë e saja idiomatike? Dhe për pasojë sa moderne dhe e pashtershme është shqipja?! Ca e shihnin me habi, ca me mëshirë, ca e quanin misionhumbur, dhe ca pseudo e quanin “të marrë” që merrej me një punë kotë, sepse sipas tyre, këto gjëra për shqipen i kishin thënë të tjerë dhe se çështja e shqipes ishte e zgjidhur. Ajo ishte një gjuhë indoeuropiane, dihej se në cilin grup identifikohej dhe se sa e vjetër ishte, dhe sa e si ngjasonte dhe ku dallonte nga gjuhët e tjera.

Ishte koha kur profesor Çabej në universitetin e Prishtinës po mbante ciklin e gjatë të leksioneve për “Hyrjen në historinë e gjuhës shqipe” dhe “Hyrjen në Indoeuropianistikë”. Ishte pranuar edhe prej tij si gjuhë primordiale ajo sanskrite, sepse gjuha indiane e vedave ishte e vetmja e dokumentuar si gjuhë e shkruajtur më e vjetër. Si e tillë ajo merrej si fillesë e gjuhëve të tjera të konsideruara si indoeuropiane, por që kishin rrjedhur prej saj. Po a e mori dikush kurajon shkencore të studjonte gjuhën sanskrite? Ta lexonte dhe interpretonte atë, fjalët e saj, murin e leksikut dhe të bënte krahasime me shqipen e vjetër, duke parë ngjasimet dhe dallimet? Askush veç Petro Zhejit në studimin e tij me dy vëllime “Shqipja dhe Sanskritishtja". Vepra është një monument mendimi shkencor dhe akademik, mes dialogimeve të historisë dhe filologjisë, filozofisë dhe matematikës, kaligrafisë logografike dhe simbolikës, kozmogonisë dhe kozmologjisë, religjionit dhe intereptimeve transhedentale, të simbolikës matematikore dhe shkencës moderne edhe atyre natyrore. Si e tillë, ajo tejkalon të gjitha studimet e mëparëshme që e trajtojnë gjuhën si një materie gramatikore e disiplinuar dhe si etimologji historike e krahasuar, ku argumenti mbetet vetëm ai që lidhet me ndërtimin e fjalës dhe fjalisë, dhe jo ndërtimi i mendimit që është shpirti, themeli, dhe rrënja jomateriale e fjalës.

Ky është dallimi që bën Petro Zheji. Ai studjon thelbin ideor të fjalës dhe gjuhës, e pastaj guackën materiale shprehëse. Gjen si arkiologu motivin kuptimor të fjalëve dhe jo thjesht strukturën e formës me parashtesë temë dhe prapashtesë, si edhe është vepruar nga shumë gjuhëtarë të nderuar. Profesor Çabeji është shprehur se gjuhëvve indoeuropiane iu njihet fundi në derivatet por jo fillimet. E citoj profesorin: ”Te gjuhët indoeuropiane duhet të kemi të qartë që kemi vetëm pikat e mbarimit, gjuhët e veçanta indoeuropiane, qofshin këto të dokumentuara me shkrim edhe që me shekujt para erës së re, ato janë gjithmonë rezultat, nuk janë pikënisje. Pikënisja aty gjithmonë është në pikëpyetje.”(Eqerem Çabej,”Hyrje në Indopeuropianistikë” faqe 54; shtëpia botuese Çabej)  Me logjikën formale kjo do të thotë se nuk dihet, apo se unë nuk guxoj të them se ç’ka para tyre, por as edhe them se skemi pse kërkojmë më gjë tjetër, sepse atje është fillimi, është tabani dhe gjithçka rrjedh prej tyre.

Petro Zheji, përkundrazi hulumton atje, tek ajo që konsiderohet e para e njohura, tek sanskritishtja dhe kërcen përtej saja, duke sjellur studim të thellë dhe fundamental kur arsyeton në ekuacionin shqipja dhe sanskritishtja. Askush as para tij, as në bashkëkohësi me të, dhe as aktualisht, nuk ka guxuar apo guxon të zhytet në këtë punë kaq të thellë, kaq sfidonjëse dhe kaq shkencore. Jashtë Shqipërisë ka pasur dhe ka studjues të tillë. Profesor Çabeji përmend një numur studjuesish që pas zbulimeve gjeografike dhe udhëtimeve në Indi, vunë re ngjasime të indishtes me gjuhët e tyre në shumë fjalë. Ai përmend që nga Filipo Sassetti në vitin 1500, jezuitët Bonaventura, Paolino de Bartolomeo, Bethelemy, Coeurdoux, filozofin gjerman Leibniz i cili vuri re se midis gjermanishtes, persishtes, latinishtes, greqishtes ka disa analogji, afëri. “Po sidomos anglezi Colebrooke, në pjesën e fundit të shekullit XVIII, mund të themi se është themeluesi i filologjisë sanskrite”, kështu e përmbyll parashtrimin profesor Çabej. Edhe krahasimet e shqipes si një gjuhë indoeuropiane gjuhëtari i shquar, i realizoi duke bërë krahasime me latinishten me greqishten, me gjuhën trake, me keltishten, me sllavishten me gjuhët balltike me armenishten, herë herë edhe me gjuhën sanskrite,etj. Porse Ai nuk e mori kurajon të udhëtonte drejt burimit, sanskritishtes.

Atë që nuk e bëri shkencëtari Eqerem Çabej, e bëri gjeniu Petro Zheji. Gjuhëtarët, flas për gjeneratat serioze të tyre, janë marrë gjatë dhe thellë me aspektin gjuhësor të mendimit të materializuar tek fjala, duke analizuar ndërtimin e saj, dhe këtu fokusi kryesor është identifikimi, përkatësia dhe veçoritë bazuar tek krahasimet gjuhësore, duke vën në pah ngjashmëritë, dallimet dhe veçoritë unikale. Gjithashtu janë marrë gjatë me etimoligjinë historike ku zë vend zhvillimi thelbësor i leksikut nga fjalët e vjetra dhe shumë të vjetra, tek leksiku më i ri. Kanë nënvizuar me zell zhvillimet e fjalëve që në një farë mënyre edhe pse kanë evoluar, ato e kanë ruajtur në thelbin e tyre atë pjesëz motivuese qysh nga gjeneza. Në leksionet e tij mbajtur në vitet 70-të të shekullit të kaluar, profesor Eqerem Çabeji e shtroi nevojën se duhet studjuar edhe aspekti filozofik i gjuhës si mendim, por se kjo mbeti thjesht një parashtresë. Duhet të jetë e qartë, nuk është fjala për të analizuar mendimin filozofik që shprehet nga gjuha, por duhet të futemi në gjuhën si mendim dhe se cilat janë parimet epistemologjike të krijimit të mendimit, që nga gjeneza kozmognike mitologjike si shprehja e parë e botëkuptimit. Më thjeshtë, nëse është e drejtë dhe shkencore të realizohet kqyrja e etmilogjisë historike, përse nuk është po aq e nevojshme dhe me detyrime shkencore, të ndiqet hap pas hapi se si ka evoluar historikisht mendimi si përmbajtje e gjuhës dhe se si në këtë zhvillim ky thelb kuptimor ka motivuar dhe formën materiale të ekzistencës dhe shprehjes, si edhe është gjuha e folur dhe e shkruajtur.

Pikërisht këtë studim fundamental në trevat e pellazgëve-ilirëve-arbërorëve dhe shqiptarëve, e ka realizuar punëtori i mendimit dhe shkencëtari guximtar, novatori sfidues Petro Zheji. Me punimin e tij “Shqipja dhe Sanskritishtja” Petro Zheji ia ka dalë, pa çka se qarqet e gjuhëtarëve ose se kanë studjuar veprën e tij, ose se kanë kuptuar, ose nuk guxojnë të rëzojnë tabutë e tyre, ose më keq akoma janë të ngarkuar me nje xhelozi, që vetëm se prish punë në “magjen e madhe” të shkencës. Petro Zheji merr mbi 1000 fjalë të gjuhës Sanskrite dhe i krahason ato me Shqipen dhe me gjuhën Frënge, por dhe më gjuhë të tjera. Ai gjen përputhëshmëritë mes dy të parave, porse dhe një dallim apsolut me gjuhën frënge, sepse fjalët janë krejt të ndryshme. Kjo ngjashmëri shqip-sanskritisht (konkordanca) nuk është në formë, porse në njësitë themelore formonjëse, tek glosat. Pra tek njësitë më të vogla kuptimore, përtej të cilave çdo ndarje e mëtejshme nuk do të kishte më vlerë sepse do të kalohej kufiri kuptimor dhe mund të përfundohej tek gërma si tingull primordial, pra do ishim jo më tek fjala.Dhe Petro Zheji zbuloi vetmjaftueshmërinë e shqipes si kuptim fjale dhe si sistem edhe tek fjalë njërokshe të cilat motivojnë një leksik të bollshëm edhe tek gjuhë të tjera. Ky njihet ndryshe si fenomeni izoglozismit ndërmjet gjuhëve.Studjuesë të tjerë kaherët e kanë përdorur këtë metodologji studimi.Petro Zheji shkon në zemër të raportit, duke guxuar e provuar në një ekuacion shkencor, cila ka qenë në fillim sanskritishtja dhe më vonë shqipja, apo e kundërta, shqipja më herët.

Pa u nxituar në deklarime paraprake le të ndjekim disa krahasime që ofron bujarisht studimi në fjalë i Petro Zhejit.
Sankritisht                                    Shqip                                         Frëngjisht
1-çladh                                          çlidh                                           relâcher
                                                       çlodh                                       (zgjidh, lëshoj,çlodh)
2-dāru                                           dru                                            boi (dru)

Ja të shohim krahasimin por për efekt vendi jo sipas rradhës dhe e pamundur të gjitha fjalët. Kush është i inetresuar seriozisht duhet ta studjojë veprën, dhe mos nxitohet në të keq të vetë, duke manifestuar një injorancë shëmbullore, të thotë, -eh këto gjëra nuk janë provuar.
11-gini-(guru)                                         guri                                  pierre, montagne
                                                                                                              (guri, mali)          
20-krimi                                                 krimbi                             ver, larve (krimb, larvë)
32-Lap                                                   llap                                  causer, bavarder (me llap)
83-ghatita                                           gatitë                             produit, effectué par, fait de…  
100-as-asit                                         âsh, âsht                                  être (qenë)
                                                           Ishte, ishit                                                                                                              

Një tjetër eksplorim i stdjuesit Petro Zheji lidhet me fjalët e përbëra, ose kompozitat si edhe quhen. Nëse marrim fjalë të përbëra të gjuhës sanskrite dhe i ndajmë në pjesët përbërëse, në një logjik formale do duhej të ndodhte që pjesët të kenë kuptim dhe të spjegohen po brenda leksikut të kësaj gjuhe. Por nëse ndodh që fjala e përbërë zberthehet në pjesët dhe këto të fundit brenda vetvetes mund të motivohen në mënyrë kuptimore duke i krahasuar me fjalë të shqipes dhe jo të gjuhës sanskrite, një realitet i tillë çfarë do të thotë?! Ngjashmëria është e pranueshme porse varësia dhe derivimi është i tillë që provokon pyetjen, se cila është gjuha e parë, shqipja ose si edhe e quante J. de Rada, shqipen tonë Lingua primeva, gjuhë kyçe. Petro Zheji ashtu si studjues të tjerë seriozë në fushën e gjuhës (jashtë Shqipërisë kuptohet) në studimet e tija përdorë dhe instrumente jashtëgjuhësorë, ndaj dhe hulumtimi tij është modern dhe si i tillë ai zbërthen anatominë e gjuhës. Le të marrim një fjalë të përbërë të gjuhës Sanksrite-një kompozitë dhe të shohim se si e zbërthen Petro Zheji në përbërësit kuptimor.

Në Sanskritisht, upa-rati=frëngjisht,mort (shqip i vdekur).

Në shqip nuk gjendet një fjalë korelative e ngjashme me të.”Mirëpo, arsyeton Petro Zheji, kjo fjalë e thjeshtë sankskritishte, zbërthehet, nëpërmjet shqipes, në këto njësi elementare, kuptim-mbartëse (domethënëse) u-pa-rat , a më saktë, u ba rat.”
1.u-diateza e pësores në shqip( p.sh u çova, u dogja etj)
2.pa-folja shqip ba(baj, ban, banë, etj)
3.rat-pjesore e foljes shqipe me ra(frëngjisht, tomber, gjermanisht fallen)

Pas këtij zbërthimi, anatomik, Petro Zheji e përbledh operacionin duke nxjerr përfundimin: ”Asnjë nga këto elemente u,ba,rat nuk ekziton në gjendje të lirë në sistemin e gjuhës sanskritishte…nuk është në gjëndje të motivojë,brenda sistemit të saj gjuhësor, pa dal prej tij, fjalën e saj u pa-rati, pra nuk është në gjëndje të na thotë përse kjo fjalë shpreh nocionin e vdekjes.” (Petro Zheji, Libri Shqipja dhe Sanskritishtja faqe 18-19, enti botues Rrënjët).

Të zbulosh pse fjala shpreh në aspektin kuptimor një gjëndje, fenomen, dukuri, funksion, marrëdhënie, raport, përjetim, send, objekt, imagjinat, apo nocion, etj, kjo do të thotë që të shpjegosh se si mendimi u materializua në instrumnetin kuptimor me fonema që quhet gjuhë.Ky aspekt është filozofia e gjuhës si mendim dhe lidhet me ngjizjen e saj në kapërcimin nga të menduarit në të shpehurin. Ky kufi sa dialogues aq edhe enigmatik (psh.pse është zgjedhur kjo fjalë për këtë nocion dhe jo një tjetër, psh ditë për ditën dhe jo një tjetër e kështu me rradhë), përmes digresionit logjik, nga e formuara të shkosh tek elementët kuptimorë të saj, është rruga në kthim për të shkuar tek pikëfillimi, duke pranuar se arsyetimi për ndërtimin e komunikimit kuptimor me mendim si tiparë vetëm i njeriut, mund të vinte vetëm nga elementët e parë kuptimorë më të thjeshtët.

E nëse në mëyrë korale gjuhëtarët janë në një mëndje se Sanskritishtja qenkërka me e vjetra gjuhë, atëhere duke Ju provuar atyre se, “sistemi gjuhës shqipe e përfshinë atë të gjuhës sanskritishte, e pra rrjedhimisht, është më i lashtë nga ai.” Kush ka frikë nga ky arsyetim ose është pa kurajon që lyp shkenca, ose është për cekësina, ose do të vegjetojë në gjithçka që është thënë që në kohën e Hannit dhe Mejerit, sepse dihet se parafabrikatet e gjetura janë streha më e mirë për atë ose ata që kurrë nuk krijuan diçka vetë, le të heshtin. Profesor Çabeji mëse një herë kishte parashtruar nevojën që gjuha të hulumtohet edhe si dukuri sociale. Si e tillë ajo ka lidhje me filozofinë, me etnogjenezën, me dhënie marrjet në histori, me mitologjinë me mitikën, me gjeografinë dhe gjeopolitikën, me pushtimet, me rritualin, me jetën e hapur dhe të mbyllur, me të folmen baritore, me jetën qytetare, me oralitetin, me krijimin e standartit, me ndikimet brenda grupit të gjërë dhe me nëngrupimet, me kulturën dhe shtresat nënkulturore, me religjionin, me aktivitetin artisan primitive, industrial dhe në kohët tona me teknologjinë, me globalizmin dhe me multikulturalizmin. Vetëm në këtë këndgjykim gjuha fiton dimesionet në shumës dhe nuk mbetet vetëm instrument filologjik komunikimi.

Gjuha si e tillë nuk mund ti marrë funksionet vetëm nga gramatika, me sintaksën, fonetikën, morfologjinë dhe orthografinë. E tek fundit gjuha nuk mund të kuptohet spjegohet dhe argumentohet në gjithëfuqinë e saj, as vetëm nga gjuhëtarët, dhe për më tepër as vetëm nga studimet e ngushta gjuhësore. Kuptimi i saj vjen nga mendimi që bartë. Ajo ndërtohet si mendim dhe shprehet si gjuhë. Arsyetohet dhe më pas shprehet. Ndërtohet si argument logjik dhe më tej parashtrohet me fjalë. Akti të menduarit dhe fjalët e përdorura është “magjia” e mendjes njerëzore. Është krijimi më i madh në gjithëkohësi. Ky akt kreativ vijon pambarim. Termat si nocione gjuhësore me vlerë kuptimore të veçantë, nuk janë produkte të ngurta rastësore dhe parafabrikate. Të gjitha fjalët e parahistorisë, e kohës fillestare të mugëtirave, kanë qenë pjesë e murit të leksikut që spjegonte krijimin e gjithësisë, ashtu në mënyrë naive, mitologjike dhe fetare. Merita e studjuesit të mirfilltë është që atë leksikë, ato fjalë mitike, që dikush i quan “gjuhë e perëndive”, dikush “fosile e gjallë”, pra fjalët me të vjetra, gurët e parë të gjuhës së atij populli që ka ndërtuar arsye përmes mitologjisë kozmogonike, nëse vijnë deri në ditët tona të pandryshuara ose me devijime në derivate të standartizuara brenda se njëjtës gjuhë, apo në gjuhë të tjera sit ë huazuara me mbishtresa të kohëve të reja, të merren, tu hiqet shtresëzimi i mbivendosur dhe të shkohet në taban, me qëllim që të studjohet materiali gjuhësor fillestar, bazik, pa të cilin nuk do të mund, as të ndërtohej botëkuptimi spontan dhe format e ndërgjegjes, por as edhe do të mund të hulumtohej në kohët tona, për të identifikuar gjuhët apo gjuhën themelonjëse, si dhe ato që kanë derivuar prej tyre, ose që kanë përftuar në leksik nga ato gjuho primordiale.

Petro Zheji është i këtyre ujërave studimore. Ai merr dhe analizon formën e parë të dijes kozmogonike, që flet për krijimin e botës. Pyetja është e thjeshtë. A është i pranuar krijimi botës sipas judaizmit kristian, si mëkati e Adamit dhe Evës, dhe a është e përshkruar e gjithë kjo histori? Përgjigjia është Po. Nuk u hymë këtu fakteve, se a është i besueshëm apo jo ky shpjegim, është shkencor apo jo. Na duhet të analizojmë se si është shprehur e gjithë kjo ngjarje kozmogonike, përmes fjalëve të shkruajtura apo naracionit oral, pra thjeshtë cila është kozmologjia e përdorur? Ç’vend zë shqipja në këtë histori? A ka ajo fuqi interpretative? Ose më drejtëpërdejtë. A ishte gjuha jonë e lindur në atë kohë prehistorike? Po qe se po, cili është roli saj? Kuptohet se në këto rrethana nuk mjafton të jesh vetëm linguist për të dhënë përgjigjet. Petro Zheji është, filozof, filolog, matematicien, njohës i matematikës së lartë, i fizikës dhe asaj moderne si fizika kuantike, e cila tejkaloi parimin e lidhjes shkakësore, është njohës i thellë i Krishtërimit, Orthodoksizmit, Myslimanizmit, si në aspektin e tyre Liturgjikë dhe atë Ekumenikë, Ai është njohës i simbolikës, semantikës së kaligrafisë, dhe si i tillë, studjuesi shumëplanësh Petro Zheji, është në gjëndje që shpjegimin e historisë së shqipes dhe aftësitë e saj interpretative, ti kalojë në këtë atelie shumë dimesionale, duke realizuar studimin që askush tjetër as kohë më para, as aktulaisht, por me sa duket dhe në të ardhmen nuk do të mund të realizojë. Le ta shohim më nga afër atë që është njohur nga judaizmi kristianë si lindje e botës materiale, për shkak të mos bindjes së Adamit dhe Evës ndaj Zotit.

Ose si edhe njihet,”mëkati zanafillor” (italisht.peccato originale). Akti është një ndarje nga zoti dhe krijimi botës materiale. Aq sa filozofi Paracelsi shkruante se “Die SEPARATIO is taller Geburt  Anfang” - Ndarja është shkaku i çdo lindje”. Ky akt ishte dhe një mëkat ndaj nënvizon Petro Zheji, ndarë-ndyrë, është ndarja nga zoti. Fjala latine është derivare e cila motivohet nga shqipja “bër DAR”.  Sipas mitit judaik-kristian, ëngjëjtë rebelë me në krye Luciferin, rebelohen ndaj zotit, si një ndarje prej tij, gjë që e bëri Luciferin edhe një Demon, kja falë shqip është d a m u n, pra të ndarë. Vetëm shqipja gjen në leksikun e saj fjalët mirfilli të këtij akti, sepse ndarja është felë (kuptohet ndarja është felë, e ndava në fela) si dhe fjala fill-filloj, pra ndarja nga Zoti si një fillim. ”Fakti që gjuhët e tjera nuk janë në gjëndje të shpjegojnë vetë fjalët e tyre, dëshmon se ato, ato janë ndërtuar me anë recetash dhe materiali të marrë hua, ose madje edhe të vjedhura” - konkludon Petro Zheji. Lypset të jemi të kujdesshëm, ka një dallim esencial mes arsyetimit të më sipërm dhe punës së gjuhëtarëve të tjerë. Këta të fundit me interpretimin gjuhësor të fjalëve nga gjuhët e tjera, duke pranuar apriori kuptimin e tyre dhe ekzistencën, muk pyesin se kur dhe në ç'rrethana është krijuar ajo fjalë, dhe se si kanë shërbyer në botëkuptimin nisur nga ai më i vjetri mitologjik dhe religjioz. Ata apriori pranojnë si fjalë origjine atë që njihet më mire se vjen e plotë. Kjo lloj arkiologjie është e cekët.

Por le të vijojmë arsyetimin mbi kozmogoninë ontologjike dhe si shprehet ai me anë të gjuhës. Akti krijimit është me një fjalë bër Dar, i bërë nga ndarja. Në shqipen e vjetër, si edhe pasqyrohet në fjalorin shqip-greqisht të Kostandin Kristoforidhit, qëmton Petro Zheji, gjejmë fjalën bdaj=bëj (italisht-fare). Shqipja është më kozmogonike, bëj ndarjen. Anglisht është done=bërë që është shqipja danë = ndarje. Italisht është fato. Dhe gjithashtu, nënvizon Petro Zheji, shqipja shprehet “bërë”, sanskrinisht është bharā. Në përgjithësi të gjithë gjuhëtarët janë marrë me analizën morfologjike të fjalës, sipas strukturës formonjëse, me strukturën e formës. Në fillim të përcaktohet rrënja e fjalës, dhe duke shtuar sufiksin krijohet tema, duke i shtuar dhe mbaresën krijohet emri. Kjo është një analizë forme dhe jo përsihatje filozofike e mendimit që materializohet në çdo fjalë.

Profesor Çabej e kishte lënë shtegun të hapur kur shkruante se,” Po rrënjët vetë shumë herë mund edhe të jenë të zbërthyeshme, edhe ato vetë të analizohen më tej.” Kjo është analiza që mundi ta realizoi Petro Zheji, jo duke zbërthyer rrënjët e fjalëve primoridale në gërma se një gjë e tillë sdo kishte sens, porse duke zbërthyer përmbajtjen kuptimore, si rrënjë jo thjesht gramatikore por si pikënisje ekzistenciale e fjalës në shërbim të nivelit të ndërgjegjes dhe botëkuptimit, kur fjalët nistore shumica njërrokshe u krijuan si gurët e murit leksikor dhe si sisteme shënjësore kuptimore të mitologjisë dhe botëkuptimit fetar monoteistë më vonë. Ai është i pari që flet dhe arsyeton mbi filozofinë dhe logjikën e gjuhës që në formimin e saj. Gjuha në fillimet e saja nuk mund të vlerësohet me mentalitetin modern të sotëm dhe me sistemin gjuhësor të krijuar në kohët e modernitetit. Përse në shpjegimin e gjetjeve të arkiologjisë materiale prehistorike nuk e përdorim teknologjinë moderne për të spjeguar prodhimin e asaj kohe, por atë që përdorej realisht aso kohe; kurse tek gjuha gabimisht kërkohet nga disa gjuhëtarë që në interpretimin e gjuhës arkaike të zbatojnë rregullat e gjuhës së sotme apo asaj moderne në kuptimin e përgjithshëm të kësaj fjale. Moskordinimi i shtynë të ngecin në shtresa të cekta të materialit gjuhësor. Duhet mbjatur në vemendje se rrugëtimi i gjuhëve deri tek standartizmi i tyre është shumë shumë i gjatë, si maratona, disa ja presin shkurt, futen në mes të garës dhe thonë,- jam marathonomak,- kur është/janë gjysmak.   

Dhe në arsye duhet dalluar mendimi mitik nga mentaliteti shkencor conceptual, të cilin ne përdorim. Kemi të bëjmë nënvizon Petro Zheji,”me dy kode të ndryshme, njëri esencial (mentaliteti primitive, mendimi mitik), dhe tjetri formal (mentaliteti modern, mendmimi konceptual) që ndryshojnë midis tyre mbasi:
1)    I pari vepron me anë simbolesh, i dyti me anë konceptesh
2)    I pari gjendet në një nivel më të thellë se sa i dyti
3)    I pari e ka brenda e (përmban të dytin)

Në studimet e tija fundametale studjuesi Petro Zheji, adresuar në punimin e tij të jetës, titulluar “Libri Aforizmave”, duke analizuar gjuhën e paradoksit si shprehje e mendimit më të avancuar që nga Antikiteti, përmes arsyetimit kompleks nga ai mitologjjik dhe kozmologjik, matematikor dhe enkas referuar tek përmbysja që solli fizika kuantike në shpjegimin e bashkëjetesës pa kushtëzimin shkak pasojë, si dhe duke u ndalur tek ajo që ndodh në logjikën paradoksale, ku gjërat diametralisht të kundërta takohen në një pikë; të gjitha këto dukuri pra, Zheji i zbulon të parathëna në ezoterizmin e fjalës së shqipes dhe në kombinimet e shrehjeve si aforizma. Është ajo mrekulli mendimi e shprehjeje që shqipja e ka ndërtuar dhe konservuar në shekuj me një primitivizëm që na e sjellë gjuhën tonë si pasuri universale deri në ditët tona.

Le të paraqesim disa nga këto analiza. Për të kuptuar filozofinë e gjuhës do duhet të mbajnë në konsdieratë algoritmin simbolik të gjuhës që vjenë nga kohët e hershme prehistorike dhe algoritmin logjik që lidhet me gjuhën që u formalizua me lindjen e shkencës dhe sistemet konceptuale. Ta konsiderosh shqipen si një nga gjuhët që ka ndërtuar algoritmin simbolik krahas gjuhëve të tjera, do të thotë ti njohësh një atributë të hershëm që nga krijimi.Ta neglizhosh këtë veçori thelbësore, do të thotë që të sillesh keq me elementin themelor të identitet tonë si shqiptarë.

“Libri Aforizmave” është studimi më i plotë dhe më shteronjës që mund të jetë ndërtuar deri në ditët tona për këto karakteristika të shqipes. Autori na shpjegon se si arsyetimi mbi algoritmin simbolik shëndrohet edhe në ekuacion simbolik, figurativ dhe matematikor, duke kaluar nga fjala tek shënja dhe anasjelltas. nga shënja tek fjala, porse duke kombinuar fjalët ndërtohet kombinimi paradoksal i gjuhës që në aspektin matematikor ndërton ekuacionin algjebrik. Interesante jane çiftet homonike të fjalëve(pra një fjalë me dy kuptime), psh fjala “fshij” që ka kuptimin e pastrimit në sipërfaqe por edhe fshij, heq largoj, fsheh. Por le të shkojmë më tej ti kombinojmë në një formulim paradoksal; “shka fshihet veç fshihet (fshehet)”. Gjuha primitive në një asketizëm shprehës ka ndërtuar këtë logjikë paradoksale që sot është risjellë në perdorim sa nga shkenca moderne po aq edhe nga mendimi filozofik që i është larguar logjikës së thjeshtë Aristoteliane ku x=x dhe kurrë x=-x, ndërsa mendimi modern në rrugë shkencore dhe eksperimentale mbriti atje ku gjuha e paratha, se x mund të jetë e = edhe me –x, të barabartë si të ndryshëm, ose si takim i të kundërtave krejt të largëta, ose më tej akoma, të një fjale që me dykuptimësinë e saj tregon dy skaje krejt të kundërta.

Ja një shëmbull. Fjala e shqipes tonë të mrekullueshme ”përpara”. Përpara në kohën e shkuar, fjala vjenë, “shumë kohë përpara ndodhi kjo ngjarje”, (identifikim në të shkuarën). Por ne themi në një rast tjetër se, “kemi shumë kohë përpara derisa të mbrijë ajo ditë.” (identifikim në të ardhmen) Dy skaje diamteralisht të kundërt që bazuar në pafundësinë e kohës mund të shtrihen në minus infinit dhe plus infinit. Petro Zheji me një begati ta pashoqe afron pjellorinë ezoterike të leksikut të shqipes (ezoterizmi është shumëkuptimësia e një fjale) dhe pashterësinë e aforizmave të shqipes, që në aspketin gjuhësor janë fjali të shkurtëra, në aspektin logjik janë paradokse racionale në thelb dhe me mospërputhje në shfaqje, dhe në mendim janë si ekuacione filozofike të cilat mund të transkiptohen në ekuacione matematikore (është e njohur lidhja e filozofisë me matematikën si niveli më i lartë i apstragimit). Gjuhët me nivel të lartë ezoterizmi janë të afta ta ndërtojnë paradoksin logjik dhe të keni një atraksion logjiko-filozofik në shprehje. Dialekti ynë geg e ka ruajtur më shumë këtë mënyrë të shprehura, ndaj shpesh fjalitë e malësorevë të veriut të befasojnë me thjeshtësinë e formës dhe me thellësinë më shumë se njëkuptimore të thelbit.

Për të shuar kuriozitetin, le të përmendim një nga fjalët që shpjegon Petro Zheji. Fjalën “zë”-zëri. Sa kuptime ka kjo fjalë? Përveç zë-(anglisht voice) ka kuptimin zë diçka qe jam duke e ndjekur, zë rrënjë një bimë apo një pemë, zë rrënjë një traditë, zë kosin, zën-kapur diku në kurth, zënë-zënkë ndeshje mes dy palëve apo dy njerëzve, etj…Le të imagjinojmë që këtë fjalë me disa nga kuptimet e saja, ta kombinojmë në një shprehje pa krijuar as keqpërdorime apo kakofoni por duke ndërtuar një shprehje që si ekuacion vlerat e shumta të x-it nuk ti tregon, por do të duhet ti gjesh duke nënkuptuar thelbin, apo shumëkuptimësinë e shprehjes.” Edhe nga një formulë a ekuacion i vetëm simbolik ne mund të nxjerrim,…një informacion që prek si filosofinë, ashtu dhe theologjinë, ashtu dhe fizikën…duke vendosur mes tyre një një raport të qartë izomorfizmi, a e shprehur në një gjuhë më konkrete dhe të kuptueshme,një korrespondencë,një paralelizëm ose, ndryshe dhe një lidhje metaforike.”(Petro Zheji,”Libri Aforizmave” faqe 150, shtëpia botuese “mediaprint”)

 Ja një shëmbull në morinë e atyre që sjell studjuesi Zheji. “Gjithçka matet është materie”. Në aspektin shkencor fizika provon se e matshme është materialia, çka nuk ndodh me jomaterialen(ose si themi idealen).  Një fjalë dykuptimore është bisemike. Të shohim fjalën mat, matet, materie. Në sanskritisht fjala është “matra” dhe ka dy kuptime dhe mat dhe materie. Në shqip e kemi matje dhe materie. Ja pra se si një aforizëm është dhe gjuhë e paradoksit, dhe ekuacion simbolik, dhe një formulim që mbante të fshehur atë që shkenca do të provonte në të ardhmen. “Libri i Aforizmave” i studjuesit Petro Zheji, ka argumentuar se sa më afër të qasemi me studimin e gjuhës më kohën e krijimit të botës, aq më të qarta bëhen gjërat, kuptimi mbi gjithësinë dhe komunikimi. Mjeti është gjuha pa çka se është mistike e mitologjike, si e tillë ajo formuloi në kushtet e mungesës së shkencës simbole dhe kombinime të tyre në ekuacione simbolike të arsyetimit të thjeshtë në pamje, por të thella në kumtet që tranzmetonin. Ishte gjuha që shërbeu për kalimin nga logjika naive transhedentale tek ajo paradoksale aforistike të njeriut që krijoi kozmoninë si botëkuptim dhe kozmlogjinë si fjalor logjikë të saj, me fjalë dhe me shprehje. Aforzimi ky tipar i shqipes është dhe simbolik plurale, ose spektër simbolik disemi (një fjalë më dy kuptime) trisemia(me trek uptime) e kështu me rradhë. Kuptimi i dyfishtë apo shumëfishtë i fjalëve të shqipes janë argumentim i vjetërësisë së saj. Këto tipare na ndihmojmë të hymë tek filozofia e gjuhës si mendim, dhe prej këtej të kuptojmë se gjuhën si mendim e gjejmë, si filozofi, si mitologji, si teologji, si shkenca humane, si shkenca ekzakte, si art, si simbolik, ndaj edhe si mjeti më universal i dijes interdisiplinare. Petro Zheji provon edhe me shqipen se gjuha para se të jetë bërë koncept shkencor, ka qenë simbolik gjuhësore dhe ka parashijuar dhe parathenë se bota është një infinit, është e pambarimtë.
*               *               *
Faleminderit Petro Zheji, ulur në gjunjë për ty të them: Të adhuroj Petro Zheji! Erdha tek ty dekada më parë të mësoja një gjuhë të huaj, por mësova dhe mësoi nga ty edhe sot për të mos qenë i huaj me gjuhën shqipe, me veten, me identitetin historic si shqiptar, me botën dhe me ekzistencën. Fola për Ju dhe shpëtova shpirtin tim mësuesi im Petro Zheji! Historia vazhdon…Amin!

PËRPARIM KABO


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
NE MEGJITHATË DO TË FITOJMË PËRSËRINga UK LUSHI (02.22.2015)
MAFIA JONË - MË E LUMTURA E BOTËSNga SKËNDER BUÇPAPAJ (02.21.2015)
MOS HARRONI PËRBINDËSHIN KOMUNIZËM!Nga RESHAT KRIPA (02.20.2015)
DOSJET! PËR CILIN BIEN KUMBONËT?Nga SAMI REPISHTI (02.19.2015)
Letër publike ministrit të drejtësisë z Hajredin KuçiPROKURORIA E SHTETIT ËSHTË PROKURORI E SHPIFJEVE DHE KURDISJEVENga GANI MEHMETAJ (02.17.2015)
KOHA TË REFLEKTOJMË KOMBËTARISHT PËR ÇËSHTJEN SHQIPTARE NË BALLKANNga ARTUR VREKAJ (02.16.2015)
KOSOVA KA NEVOJË PËR NDIHMËNga ROBERT SCHWARTZ, Deutsche Welle (02.14.2015)
Duke kërkuar “Albanica” në botimet amerikane:TREGUESI TIRANANga ANDON DEDE, Nju Jork (02.13.2015)
KRYQËZATË E DJATHTË KUNDËR OBAMËSNga RUTH MARCUS, Washington Post (02.13.2015)
VISAR ZHITI, NJERIU I ZOTIT - PËRBALLË ANTINOMIT BUJAR NISHANINga ELIDA BUÇPAPAJ (02.12.2015)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Nëntor 2019  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart]