VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - REFORMA ZGJEDHORE DHE SFIDA PËR IMAZH DEMOKRATIKNga ALFRED ÇAKO

                                                                                      

E Martë, 05.14.2024, 11:59am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
POLITIKË
 

REFORMA ZGJEDHORE DHE SFIDA PËR IMAZH DEMOKRATIK

Nga ALFRED ÇAKO


E Hënë, 02.27.2012, 11:43am (GMT+1)

Dihet se me sistemet demokratike, jo vetëm në vendet e vogla, aktorët që vendosin në ardhjen e maxhorancave dhe të krerëve të lartë të institucioneve qendrore janë: partitë kryesore politike, votuesit dhe fuqia e ndikimit të Elitës ndërkombëtare në përputhje me axhendën e tyre që rreket të përzgjedhë politikanët më të mirë vendas që mund ta plotësojnë dhe kanë vullnet ta ndjekin këtë axhendë. Zakonisht ndërkombëtarët veprojnë me përfaqësuesit e tyre institucionalë permanentë, siç janë ambasadorët kryesorë, por hera-herës edhe nëpërmjet përfaqësuesve të lartë gjatë takimeve dypalëshe ose shumëpalëshe. Nga praktika rezulton se shpeshherë ndërkombëtarët veprojnë me synimin e ruajtjes së stabilitetit dhe jo të shëndetit demokratik të institucioneve shtetërore. Me këtë synim momenti kryesor kur ndërhyjnë njerëzit e Elitës është në disa faza: koha kur stiset sipas objektivave të tyre kodi zgjedhor apo siç quhet gjatë procesit të ashtuquajturit "˜proces i reformës zgjedhore'; para fushatës zgjedhore; dhe gjatë nxitjes së palës së planifikuar për të qenë maxhorancë për ankimime dhe zgjidhjes së këtyre ankimimeve zgjedhore. Mund ti shohim me radhë se si ndodh pak a shumë kjo në përgjithësi në varësi nga rrethanat në vende të vogla si Shqipëria ku ndodhen ekipe të tëra permanente "ustallarësh" të regjur të cilët studiojnë pafundësisht mjetet dhe mundësitë që produktin e dalë nga rezultati i zgjedhjeve të mos ja lënë 100% në dorë të rastësisë së zgjedhjes vetëm nga "sovrani". I kemi bërë ne ndonjëherë pyetje vetes se përse ligji më i paqëndrueshëm, në raport me të gjitha ligjet e tjera, është "Kodi zgjedhor"? Natyrisht që ky ligj mund të ketë nevojë për rregullime të herëpashershme në përputhje me nevojat, por në vendet e vogla, ndryshimi i këtij ligji ndodh për shkak se ai shihet nga njerëzit e Elitës si një bisht i gjatë tigani që s'të le të djegësh dorën kur do ta ndërrosh atë hera herës kur bëhet pak si shumë zgjyrë, pa rënë në sy të njerëzve.

Nëpërmjet ndryshimeve, sidomos atyre ndryshimeve të thekshme që ndodhin në Kod para ndryshimit të maxhorancave, synohen mekanizma të ndryshme efiçente si fryma proporcionale a maxhoritare e ligjit dhe e spektrit të ngjyrave fituese, ndarja e zonave (nga studimi i zonave nominale apo rajonale, synohet ti jepen palës së projektuar si opozitë zona elektorale ku fitorja në to të jetë absolutisht e thellë dhe maxhorancës zona që e nxjerrin atë fituese me një numër të vogël votash në çdo zonë...), mënyra e numërimit të votave (çka ka lidhje me manipulimin, por kjo ndodh kur duan të mbajnë në pushtet edhe një mandat maxhorancën paraardhëse, pasi mundësitë e manipulimit në kushte normale zakonisht që i ka qeveria ekzistuese), rikompozimi i maxhorancës vendimmarrëse të KQZ apo të organeve kompetente që japin vendimet pas "˜shqyrtimit' të ankesave (që te ne quhet Kolegj Zgjedhor). Natyrisht që për ndërkombëtarët ka rëndësi të madhe dominimi i shumicës vendimmarrëse të KQZ, e rrjedhimisht i personit më krucial - kryetarit të saj. Në këtë kuptim, zgjedhja e këtij personi shikohet prej njerëzve të Elitës si pararendësi dhe burimi i rëndësishëm ku "˜pinë ujë', direkt ose indirekt, të gjitha pushtetet e tjera dhe si një thembër akili për palët, qoftë për procesin e drejtimit të fushatës zgjedhore, qoftë për procesin e rëndësishëm të ankimimeve dhe "rinumërimit". Po kështu, edhe përzgjedhja e shtënia në dorë e Kolegjit Zgjedhor shikohet si një ngjarje e dytë e madhe për njerëzit e Elitës në vende të vogla si Shqipëria.

Mekanizmat për ta shtënë në dorë këtë të fundit burojnë nga instrumentet ligjore që kanë lidhje me njeriun e rëndësishëm të përzgjedhjes së tyre, Presidentin e vendit. Këto dy institucione që kanë lidhje me zgjedhjet janë kruciale për të gjithë panoramën e ardhshme institucionale të një vendi me sistem demokratik. Teorema kryesore e çdo procesi zgjedhor mund të përmblidhet pak a shumë kështu nga një njeri si unë që nuk është matematikan: Zgjedhje të ndershme quhen votimet me rezultat të dukshëm gati të barabartë midis 2 blloqeve kryesore, me kusht që 7-10% të mandateve të përgjithshme të jenë me rezultat të diskutueshëm midis dy kandidatëve të parë "Është pikërisht "˜gjykimi' i këtyre vendeve ai që sjell zgjedhjen e maxhorancës nga njerëzit e Elitës dhe këtë gjykim natyrisht që e jep KQZ dhe Kolegji Zgjedhor, ç'ka përcakton maxhorancën dhe pushtetet që do të varen prej saj. Duke kaluar në pikën e dytë - ndërhyrjet para fushatës zgjedhore - e rëndësishme do të ishte të vinim në pah frerët që përdorin ambasadorët ndaj liderëve kryesorë të cilët janë projektuar të dalin në opozitë. Mënyrat e përmbajtjes së fuqisë së tyre reale elektorale me mekanizmat e kodit të ri të sapo hartuar, ose të prirjes së liderëve politikë për manipulim - kur mendohet se ata nuk e gëzojnë mbështetjen në masën e duhur për fitore, janë disa: bashkëpunimi vullnetar mbi një logjikë të caktuar politike, joshjet për kompromis, kërcënimi me dosjet e të shkuarës, kërcënimi financiar me sfond korruptiv, familjar, etj.

Një mekanizëm tjetër paraelektoral janë edhe prononcimet publike të ambasadorëve ose të përfaqësuesve të lartë shtetërorë të vendeve me peshë ndërkombëtare, simbolikat dhe mesazhet që përcjellin nga takimet e tyre në vende publike e në prani të mediave, me përfaqësues të ndryshëm politikë vendas, të simpatizuar prej tyre, etj. Në këtë kuptim, mesazhet e dhëna deri tani, pa filluar fushata elektorale, duket se janë në favor të idesë së largimit të z.Berisha si lider i maxhorancës së ardhme, edhe pse ky i fundit si lojtar i vjetër e me eksperiencë në shumë ekipe, nuk para i dorëzon armët me "fair play". Përsa i përket pjesës së tretë finale të ndikimit deciziv për "˜fitoren' e maxhorancës dhe liderit të saj të projektuar në krye të qeverisë, që është procesi i ankimimit, kjo kryhet pasi paraprakisht është realizuar hapi i parë kryesor që theksuam më lart. Në këtë moment, gurët luhen kryesisht mbrapa kuintave, duke mbajtur kontakte mbrapa kuintave dhe duke dhënë "˜opinione' a sugjerime ndaj titullarit të KQZ dhe ndaj titullarit të Kolegjit Zgjedhor. Nëse marrim një shembull të thjeshtë dhe shohim se njëra palë e projektuar për të qenë maxhorancë në procesin fillestar paszgjedhor ka një rezultat të pakontestueshëm të siguruar prej 62 vendesh dhe pala tjetër e projektuar që të ngelët në opozitë ka të themi 64 vende të pakontestuara, atëherë 14 vendet e fundit që janë me "probleme" ankimohen dhe në këtë rast gjithçka do të varet nga "gjykimi" i KQZ dhe Kolegjit. Nëse këto 14 vende, psh, do të ndahen respektivisht 9 me 5, atëherë rezultati përfundimtar do të jetë 71 me 69 vende dhe kështu realizohet rrotacioni. Më demokratike nuk bëhet, apo jo? Shqipëria ndodhet pikërisht në fazën e parë të procesit të Reformës Zgjedhore.

Z.Berisha është mjeshtër i të gjitha prapaskenave që sjell ky proces dhe ai i njeh nga përvoja këto mekanizma. Ndoshta ai e humbi një shans për zgjedhje të parakohshme me Kodin ekzistues, ku mund ta shtynte edhe të paktën dy vjet qenien e tij si Kryeministër deri në fund të vitit 2014, kur vitin e kaluar zv.Kryeministri dhe aleati i tij nga partia e "˜majtë' e LSI, z.Meta, u akuzua me një regjistrim medial në një aferë të supozuar korruptimi, çka e tensionoi së tepërmi klimën politike në vend, gjë që kulmoi me protestat e 21 janarit dhe disa të vrarë në mënyrë të ekzagjeruar e jo profesionale nga rezistenca e gardës në fund të kësaj proteste të dhunshme, të orkestruar diletantisht nga opozita. Ndërsa sot, kur sapo ka nisur një bashkëpunim parlamentar midis maxhorancës dhe opozitës për Kodin Zgjedhor, ka analistë të lidhur me opozitën të cilët ngrenë zërin se z.Berisha po e vonon këtë proces pasi i druhet një komploti midis opozitës dhe ndërkombëtarëve për ta detyruar atë të bëjë qysh këtë verë zgjedhje të parakohshme, ky plan nuk ka aspak gjasa që të ndodhë.

Shanset janë që ky Kryeministër që kontrollon "˜de jure' rreth 60% të qeverisë "Berisha" (de fakto kontrollon vetëm nyjet kryesore të korrupsionit nepotik e krahinarist), zvarrë-zvarrë do çapitet deri në verën e vitit tjetër në pushtet. Por nëse do të kërkoheshin zgjedhje të parakohshme me këmbëngulje nga "˜aleanca' e supozuar e mësipërme, kjo mund të shkonte në favor të z.Berisha, pasi ai e di mirë se në një "˜duel' individual me z.Rama, ai ka më shumë gjasa të jetë fitues, pasi këtë verë dy partitë e reja të AK dhe një parti me frymëzim të heshtur nga Presidenti aktual në detyrë, që mund ta ndryshonin spektrin absolut midis blusë dhe të kuqes në Kuvend, nuk do të kishin kohë të mjaftueshme të organizoheshin. Madje z.Berisha po sillet njëlloj, ashtu si para zgjedhjeve të 2009, kur z.Rama insiston drejt ndryshimeve kushtetuese, ku të dy, si dy kumarxhinj dostojevskianë i bënë sfidë njëri- tjetrit me opsionin që fitimtari ti marrë të gjitha.

Z.Berisha duke e ditur oreksin e pacak të z.Rama për pushtet, kërkon ta bëjë aleat që të dy të jenë si kudhra me çekiçin ndaj partive më të vogla. Është e vërtetë që z.Berisha mban shumë shpresë te rritja e blusë në panoramën e dominuar nga e kuqja në Shqipërinë e jugut për shkak të përfundimit në pranverë të 2013 të disa veprave të rëndësishme infrastrukturore me interes publik si rruga Tiranë-Elbasan (çka do të rriste peshën e PD në aksin Elbasan-Korçë) dhe rruga Levan-Tepelenë e Fier-Vlorë (çka mund të rriste lehtë peshën e PD në trekëndëshin Fier-Vlorë-Gjirokastër); por ai e kupton se i njëjti fenomen do të ndodhë në drejtim të kundërt, në pjesën veriore ku do të dobësohet ngjyra blu në hartën elektorale. Por aksi vendimtar që do të vendosë për maxhorancën dhe fatin politik të z.Berisha, si më 2012, ashtu edhe më 2013, do të jetë aksi Tiranë-Durrës.

Pra, në fund të fundit, po të llogaritet në mënyrë racionale, logjika të çon te zgjidhja e thjeshtë: PD mund të lëshojë të njëjtat vota në veri, sa çdo fitojë në jug më 2013. Por në 2013 do të futen në lojë më të organizuara dy partitë e reja të cilat mund të sigurojnë një numër vendimtar votash, sa për të qenë ata kingmaker të politikës së ardhshme, duke qenë se këtë rol do ta ketë të vështirë ta luajë LSI, e cila për shkak të sjelljes sipas "dilemës së Akilit", qëlloi ndoshta si fishekzjarr në rolin e saj të rëndësishëm që pati para disa vitesh në politikën shqiptare. Gjithsesi, paragrafi i mësipërm është hipotetik dhe llogarit vetëm forcat e brendshme. Por siç thamë, nuk llogarit forcën marxhinale vendimtare në kandar - ndërkombëtarët.

Politika shqiptare, duke ardhur nga një mungesë tradite dhe kulture të përgjithshme historike e politike mbi shkaqet e vjetra të historisë dhe ato në vazhdim, nuk luan dot me protagonizëm përballë burokratëve të Elitës në Tiranë. Shtete të tjera të vogla, si p.sh Izraeli që u krijua më 1948, edhe pse të vogla, arritën brenda fare pak vjetësh që të sfidonin vendimmarrjet e aleatëve të tyre mbi ta, si Anglia dhe SHBA. Madje David Ben Gurioni dha dorëheqjen rreth 15 vjet pas krijimit të këtij shteti, pikërisht për faktin se Presidenti Kenedi nuk po e lejonte Izraelin të plotësonte ambiciet e saj bërthamore, duke lënë para të gjithë çifutëve edhe një amanet politik kundër këtij Presidenti "˜antiizraelit', disa muaj para vrasjes së tij në Dallas. Por populli ynë edhe pas 20 vjetësh demokraci, ashtu si edhe klasa e tij politike, nuk e ka fituar ende pjekurinë e nevojshme sa për të luajtur me protagonizëm rajonal me miqtë tanë të fuqishëm ndërkombëtarë, as për të vendosur mbi fatet tona të brendshme. Dhe kjo ndodh pikërisht nga papjekuria e lidershipit tonë politik të pangopur për pushtet, prej veseve të tilla si korrupsioni, makutëria dhe diletantizmi.

Ja shikoni, edhe pas 22 vjetësh, z.Berisha nuk largohet nga PD dhe i shton sa vjen edhe më shumë ambiciet e tij tejet të ekzagjeruara. Ai si Putini në Rusi, apo si disa politikanë të pangopur në disa vende pa kapacitete demokratike në disa ish republika aziatike të BRSS-së, kërcen sa nga Presidenca te Qeveria; po kështu po synon edhe z.Nano, i cili si një kometë gjysmë e ndriçuar po i sillet politikës prej 6-7 vjetësh. Këta liderë të rrezikshëm për demokracinë i kanë mbërthyer për gryke partitë e tyre ose politikën dhe s'lenë opsione të tjera zgjedhjeje përballë elektoratit - i cili për këtë shkak vjen duke u rrudhur deri te numri i militantëve që përfitojnë nga ndërrimi i administratave qendrore për të zënë një punë të rëndësishme a të rëndomtë qoftë; më shqetësuesja është se së fundmi po shikojmë që edhe ambasadorë të rëndësishëm, si z.Arvizu, po zgjedhin midis demokracisë dhe stabilitetit pa kosto të momentit, nxitjen e orekseve të tyre, duke shkatërruar imazhin e nevojshëm të demokracisë amerikane; në një kohë që duke zgjedhur të korrigjonin defektet e demokracisë shqiptare do ti kishin zgjedhur të dyja. Në fakt, shumica e shqiptarëve me dy pare mend në kokë nuk po e kuptojnë së fundmi se përse z.Arvizu, me këshillat dhe gjestet e tij nxitëse, të hapura e të fshehta, po preferon të rrezikojë nga kalimi i urave të vjetra mbi lumë, kur mund të shkohet më shpejt në destinacion nga autostrada.

ALFRED ÇAKO


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
SIKUR STEVE TË ISH SHTJEFENNga DRITAN HILA (02.27.2012)
"NDARJA NUK MUND TË JETË ZGJIDHJE PËR VERIUN E KOSOVËS" (02.24.2012)
GJENDJA EKONOMIKE NË MAQEDONI NDODHET NË FAZË KRITIKE (02.23.2012)
KOHA E HUMBUR E SHKUPITNga SHABAN MURATI (02.22.2012)
"SHPËRBLIMI" I BEsë PËR FUSNOTËN (02.21.2012)
REZOLUTA 12 44 SI FAKT JURIDIK (02.21.2012)
"KOSOVA KUNDËR KANDIDATURËS SË SERBISË" (02.21.2012)
DEMAÇI: QOSJA T'IA FALË SERBISË TOKAT E VETA, VERIU ËSHTË I KOSOVËS (02.21.2012)
EDI RAMA: NANO, AMBICIE PËR PRESIDENT MBI PALËTNga DESTAN JONUZI (02.21.2012)
A PO I FLET BERISHA KINEZÇE PERËNDIMIT?Nga ALFRED ÇAKO (02.19.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
KONFERENCË PËR SHTYP E KRYEMINISTRIT BERISHA DHE KRYEMINISTRIT BERLUSKONI
Berisha: Jemi Kina e vogël e Evropës, investoni (ANSA)
Dekorohen protagonistë të 20 shkurtit

 
VOAL
[Shko lartë]