VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Ben Blushi: S'mund të fitosh duke humbur

                                                                                      

E Djelë, 05.19.2024, 02:18pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
POLITIKË
 
Ben Blushi: S'mund të fitosh duke humbur
E Djelë, 08.23.2009, 09:16am (GMT+1)

Zoti Blushi, pas humbjes së 28 qershorit, PS ka hyrë në një proces debati të brendshëm. Si po shkon ai, sipas jush?

 

Do ishte ngushëlluese të thosha që debati po shkon keq, sepse mendoj se ai po shkon në një drejtim të paarsyeshëm dhe të padobishëm. Ditët e para pas 28 qershorit shpresoja se PS do kishte mundësi dhe kurajë të hapte një kapitull të ri për mënyrën se si duhen parë dhe gjetur shkaqet e humbjes. Por, kjo nuk po ndodh. Për shkak të interesave personale të Edi Ramës për t'u rizgjedhur në krye të PS, po dominon një frymë, sipas të cilës nuk duhet folur për humbjen, nuk duhet folur për defektet e PS para zgjedhjeve, nuk duhet folur për vendimet e gabuara të kryetarit të PS dhe forumeve, pra në përgjithësi nuk duhet folur fare. Jam kurioz të di çfarë do kishte bërë Edi Rama dhe ata që janë të detyruar të mendojnë si ai, nëse disa prej nesh nuk do kishim thënë se zgjedhjet janë humbur. Ndoshta do kishin ikur të gjithë me pushime dhe do t'u thoshin shqiptarëve: "Shihemi, kur të kthehemi". Në këtë logjikë jam më i bindur se kurrë, se kam bërë mirë që e kam hapur këtë debat, të cilin, nëse dikush nuk e përballon dot, Partia Socialiste e meriton dhe Shqipëria e ka të domosdoshëm. Në radhë të parë, ky është një debat emancipues, sepse i jep çdo shqiptari një mikroskop për të parë në mënyrë të imët shkallën e pjekurisë të partive dhe njerëzve që voton. Nuk e di sot se çfarë drejtimi do marrë ky debat, por di se në çdo rast Partia Socialiste do fitojë nga ky proces, ndërsa vetëm një njeri ka për të humbur. Ky është Edi Rama, njeriu që ka turp të pohojë se ka humbur dhe nuk po gjen kurajë të pranojë se kemi humbur kryesisht për shkak të tij. Kjo është e vërteta që po tentohet të fshihet duke e devijuar debatin, duke akuzuar jo atë që humb, por atë që flet, duke i detyruar strukturat e PS nëpër rrethe të lavdërojnë Edi Ramën si humbës dhe të ngrihen kundër atyre që thonë se ai është një humbës dhe që për këtë arsye nuk ka të drejtë të kërkojë një mandat shtesë. Kjo është e gjitha një histori personale e një njeriu që pasi ka humbur mundësinë për të qeverisur për shkak të dobësive dhe mungesës së fantazisë së vet, kërkon të ngushëllohet duke testuar dashurinë e socialistëve mbi lëkurën e vet. Dhe në këtë pikë abuzon, sepse socialistët mbështesin kryetarin e tyre dhe jo Edi Ramën dhe kjo nuk është e njëjta gjë.

Asnjë parti nuk e heq kryetarin e vet dhe prandaj ka rregulla, sipas të cilave ai që humb, ikën pa i detyruar të tjerët të ndahen për shkakun e tij. E përsëris, në këtë rast PS nuk mund të fajësohet dhe unë i mirëkuptoj të gjithë, megjithëse jo të gjithë nisen nga i njëjti sentiment. Janë shumë ata që mbështesin kryetarin dhe shumë pak ata që mbështesin Edi Ramën. Nëse të parët janë shpirti, të dytët janë materia. Edi Rama merr nga të parët dhe jep te të dytët. Ai ushqehet nga të parët dhe punon për të dytët. Ai kishte një mundësi të ikte si martir, por bashkë me zgjedhjet e humbi edhe këtë shans. Të gjithë atyre që e presin këtë ditë si një mundësi për të ringritur PS dhe të majtën, unë u them se ikja e Edi Ramës është vetëm një çështje kohe. Shqiptarët e refuzuan si një projekt të dobët individual dhe këtë do bëjë shumë shpejt edhe Partia Socialiste, e cila sot nuk duhet fajësuar se po inkurajon një humbës, por duhet të bindet se kjo që po ndodh është vetëm fillimi i një rruge të domosdoshme dhe të pakthyeshme ri-ngritjeje.

 

 

Jeni afishuar si njëri ndër kritikët e hapur të kreut të PS, Rama. Cilat janë, sipas jush, gabimet kryesore që Edi Rama bëri në fushatën e fundit elektorale?

 

Unë nuk jam kritiku i Edi Ramës, por pjesë e një kulture politike që ngrihet mbi realizmin dhe arsyen dhe, kur flas, kam parasysh të nesërmen dhe jo të djeshmen. Edi Rama është e djeshmja; PS dhe e majta është e nesërmja. Dhe të nesërme do të ketë, pavarësisht se sa e gjatë është nata. Nëse më pyet për gabimet e ish-kryetarit të PS, mund të rendit disa, pa dyshim pa përjashtuar edhe ne të tjerët nga përgjegjësia. Së pari, dua të them se Edi Rama para 28 qershorit ishte një mundësi, ndërsa pas 28 qershorit është një problem. Përpara 28 qershorit një numër i madh gabimesh janë pa dyshim edhe të përbashkëta, ndërsa tani janë vetëm personale. Prandaj, meqë më fton të flas për para 28 qershorit, do flas kryesisht në shumës. Ne nuk arritëm të kishim një koalicion fitues, që nuk ndërtohet mbi poste qeveritare, por mbi programe. Ne nuk arritëm t'iu jepnim shqiptarëve një program të vërtetë bindës dhe të kuptueshëm. Ne nuk arritëm të bindnim shqiptarët se jemi të ndryshëm në pikëpamje, në stil, në vizion dhe në cilësi qeverisjeje nga Sali Berisha. Ne nuk arritëm të motivonim siç duhet të varfrit, ata që kanë nevojë për të majtën, ata që presin më shumë nga shteti, ata që kanë nevojë për arbitrimin dhe mbrojtjen e shtetit të së drejtës. Ne nuk arritëm të kishim një taktikë inteligjente elektorale, e cila e dominonte territorin me kandidatë të fortë dhe të pranueshëm. Nëse doni, ne nuk arritëm t'i mbronim votat nga presioni apo qoftë edhe abuzimi i qeverisë, nëse kjo ka ndikuar sadopak në rezultatin tonë, megjithëse këtë e premtuam. Ne nuk arritëm të bindnim fshatin se mund ta shpëtojmë nga robëria e bukës së përditshme. Ne nuk arritëm ta shkëpusim veriun e vendit nga vota krahinaliste dhe tradicionale për Sali Berishën. Ne nuk arritëm të bindnim të rinjtë se kemi një projekt të ndryshëm liberal për arsimin dhe punësimin. Ne nuk arritëm t'i bindnim shqiptarët se me ne në qeverisje Shqipëria integrohet më shpejt në Evropë. Ne nuk arritëm t'i bindnim votuesit se jemi për një shtet të së drejtës, i cili nuk punon vetëm për të pasurit, por punon për të gjithë njëlloj duke mbrojtur dhe mbështetur ata që kanë më shumë nevojë. Ne nuk arritëm të bindim njeri se me ardhjen tonë në pushtet varfëria do zbutet me reforma dhe pasuria do shpërndahet me drejtësi. Ne besuam se vota kundër Sali Berishës mjafton, por, me sa duket, shqiptarët nuk donin të dëgjonin kaq pak. E nëse ka sot shumë njerëz që më thonë, pse nuk i the këto para zgjedhjeve, kjo nuk më vë fare në siklet. Edhe nëse dje kam besuar se i kemi të gjitha këto, sot po lexoj votën e shqiptarëve, të cilët i vunë gjërat në kandar dhe folën më 28 qershor duke na klasifikuar si të papërgatitur për të ardhur në pushtet. Askush nuk mund të më vërë dot në pozicion të vështirë duke më thënë pse nuk fole dje. Dje besoja se vota ime kundër Sali Berishës do t'i ngjante asaj të shumicës së shqiptarëve, por, meqë kjo nuk ka ndodhur, nuk mund të mos them atë që pashë dhe atë që shumica e thanë duke votuar ndryshe nga unë. Kush është ai që ka sot guxim të më thotë - shqiptarët le të votojnë kundër nesh, por ne nuk duhet ta themi. Ose, shqiptarët nuk na votuan, por këtë duhet ta themi me kujdes, vetëm pas Festave të Nëntorit, se na mërziten edhe veteranët, edhe pionierët. Të parët kanë të drejtë të mërziten, sepse kjo ndoshta ishte mundësia e fundit e jetës për ta hequr Sali Berishën me vota, ndërsa të dytët duhet të çmenden, se vota e tyre e parë shkoi kot, megjithëse kërcyen sa u lodhën me ritmin e këngës "Unë do ta fitoj këtë garë". Tani që e kujtoj këtë këngë më vjen keq. Sa e bukur dukej para zgjedhjeve, sa e trishtueshme tingëllon sot. Të isha si Edi Rama do ta fshija nga çdo zile celulari, nga çdo CD, nga çdo radio, mp3, kasetë, internet, video apo playstation. Kam parë socialistë të mirë që iu ka mbetur kënga në celular dhe, kur i marrin në telefon, e fshehin aparatin nga sikleti, se ata që janë rrotull fillojnë qeshin. Nuk di a ka sot ndonjë këngëtar në botë, që i vjen turp nga kënga e vet. Por le të kthehemi tek e vërteta. E vërteta është një, edhe për veteranët, edhe për pionierët, edhe për gratë, edhe për burrat, edhe për veriun, edhe për jugun, edhe për qytetin, edhe për fshatin. E djathta ka marrë më shumë vota se e majta në Shqipëri dhe për këtë nuk e kanë fajin shqiptarët, por vetëm e majta dhe kryesisht PS. Shqiptarët nuk panë një projekt të majtë dhe prandaj votuan kryesisht djathtas. Përtej të majtës dhe të djathtës nuk ishte një orë, por një lavjerrës dhe shqiptarët donin orën, sepse nuk kishin as kohë dhe as mundësi të masnin xhirot e lavjerrësit tonë ideologjik që tundej pa ndaluar.

 

 

A ka emra të tjerë lista e përgjegjësive në forumet drejtuese të partisë apo i përmbaheni idesë se përgjegjësia e Ramës është individuale dhe ekskluzive, pasi i tillë qe roli i tij në fushatë?

 

Përgjegjësi kemi të gjithë pa dyshim. Por njerëzit nuk po presin t'i dëgjojnë përgjegjësitë për humbjen vetëm nga unë apo nga disa të tjerë, por fillimisht nga Edi Rama. Ky po thotë se nuk ka asnjë përgjegjësi për humbjen duke u rrekur të ankohet se zgjedhjet janë vjedhur, por pa e provuar dot këtë gjë. Edhe në këtë pikë është i pabesueshëm dhe unë habitem se si nuk kupton se pasqyra që ka vënë përpara e nxjerr shumë më të deformuar nga ç'mund ta imagjinojë. Në këtë pasqyrë ai që qan del keq dhe në vend që të shkaktojë keqardhje, shkakton të qeshura. Zgjedhjet nuk janë vjedhur, atyre po u vidhet e vërteta e humbjes. E nëse përgjegjësitë tona ndahen në raport me kriterin e vjedhjes së votave, mund të them se në këtë pikë nuk kam asnjë përgjegjësi. Jo vetëm unë, por shumica prej nesh. Mua dhe shokëve dhe kolegëve të mi në zonën ku kandiduam nuk na është vjedhur asnjë votë, sepse nuk e lejuam këtë gjë. Për gjithçka tjetër jam gati të mbaj përgjegjësi, por do isha i dobët dhe i pandershëm po të thoja se më kanë vjedhur. Unë nuk jam kaq i dobët dhe nuk jetoj dot duke mashtruar veten. Përgjegjësitë e tjera jam gati t'i them ditën që ish-kryetari i partisë do bëjë të njëjtën gjë, sepse edhe në këtë pikë ka një hierarki. Nuk isha as unë dhe askush tjetër që premtuam bashkimin e të majtës; nuk isha as unë dhe askush tjetër që i premtuam vendit një program; nuk isha as unë dhe askush tjetër që u zotuam të mbronim votat; nuk isha as unë dhe askush tjetër që folëm në emër të së majtës dhe të së djathtës; nuk isha as unë dhe askush tjetër që përzgjodhëm kandidatët për deputetë; nuk isha as unë dhe askush tjetër përgjegjës për koalicionet me partitë e tjera dhe me radhë. Kështu që sinqeritetin duhet ta kërkoni diku tjetër. Dhe më e çuditshmja është se në PS përgjegjësitë nuk po kërkohen për ato që u bënë apo që nuk u bënë para zgjedhjeve, por për ato që po bëhen pas zgjedhjeve. E përsëris se çuditërisht po bëhen fajtorë ata që po kërkojnë fajin dhe jo ata që kanë faj. E pres me qetësi këtë gjyq prej akriliku dhe përveç vetes nuk kërkoj asnjë avokat sikur të jem i detyruar t'i përgjigjem tre milionë prokurorëve, gjë që natyrisht nuk ka për të ndodhur, sepse shqiptarët janë të qetë dhe nuk kanë kohë të merren gjatë me komedinë tonë që sapo ka nisur dhe të cilën e kanë parë shpesh në teatrin veror të Partisë Demokratike.

 

 

A është e saktë të thuhet sot se PS humbi, por edhe Berisha nuk fitoi? A ka një vlerë më shumë sesa simbolike kjo rrethanë për jetën tonë politike në tërësi?

 

Kjo është një lojë fjalësh që nuk thotë shumë. Sali Berisha fitoi më shumë se ne dhe kjo e bën edhe më të rëndë fajin tonë kolektiv. Sali Berisha fitoi aq sa i mjafton për të qeverisur dhe kjo sërish për shkakun tonë. Sali Berisha mbeti kryeministër dhe detajet janë në cep të historisë. Pas 10 apo 20 vjetësh këto që ne po themi sot, nuk do mbahen mend. Historia merret me detajet, vetëm kur ato kanë mundësi ta ndryshojnë historinë. Në këtë rast, humbja jonë do kujtohet si një detaj, që nuk e ndryshoi dot historinë e vendit, ndërsa fitorja e tij do mbahet mend. Nëse ky votim ka një simbolikë që ia vlen të theksohet, ky është fakti se Shqipëria humbi dhe Sali Berisha fitoi. Këtë sigurisht e pranoj si një njeri që ka njëzet vjet që është ndarë me modelin politik që përfaqëson Sali Berisha dhe fatkeqësisht konstaton se përpjekja e tij nuk ka pasur asnjë rezultat, ende, për sa kohë që modeli primitiv i këtij njeriu po mbin edhe aty ku u rreshtova për shkak dhe kundër atij modeli. Atëherë kë të fajësoj? Jam i prirur t'i gjej problemet në rreshtin tim, te vetja ime, te miqtë e mi, te shokët e mi të armëve, të cilët sot nuk kuptojnë se Shqipëria meriton një model tjetër, të ndryshëm. Sot duhet të kuptojmë se duke imituar modelin nuk e mundim dot modelin, sepse asnjë xhind nuk e ka mundur dot djallin për sa kohë që sillet dhe mendon si ai.

 

 

A bashkoheni me idenë se më 28 qershor përjetuam një rikthim të së shkuarës në krye të punëve në Shqipëri?

 

Pa dyshim që po. Ne mbetëm në të shkuarën. E ardhmja u shty edhe për të paktën disa vjet. Por çështja është si vijmë atje. Jam gati t'i hedh në kosh të gjitha kritikat e mia për këdo, jam gati të mbështes çdo njeri, pa asnjë përjashtim, që sot na tregon si kthehemi tek e ardhmja. Kjo nuk po ndodh. Askush nuk po thotë se si t'i japim Shqipërisë një projekt fitues që mbledh aq vota sa duhen për të hapur një ere të re. Sot dimë vetëm një gjë, që PS ka detyrimin kombëtar si e vetmja opozitë e votuar për të menduar dhe hartuar një projekt të ndryshëm nga ai i Sali Berishës, i cili, me sa duket, do konkurrojë edhe në zgjedhjet e tjera me bilancin e tij folklorik dhe negativ. Për sa kohë që dikush në PS nuk po mendon për nesër, por vetëm për sot, për sa kohë që disa në PS nuk po mendojnë për të gjithë, por vetëm për një njeri, për sa kohë që një njeri në PS ka vendosur të mendojë vetëm për një njeri, unë kam vendosur të zgjedh një rrugë tjetër. Do flas për nesër dhe jo për dje, do flas për të gjithë dhe jo vetëm për një. Sali Berisha dhe ata që i ngjajnë atij janë e djeshmja. Ata fituan ato që donin dhe ato që kishin në zgjedhjet e vitit 2009. Njëri donte qeverinë, tjetri partinë. Secili mori atë që kishte. Asgjë nuk ka ndryshuar. Në këtë histori kanë humbur vetëm socialistët dhe në përgjithësi të gjithë ata që kanë votuar. Remarku thotë - Asgjë e re nga fronti i Perëndimit. Sigurisht, sepse jetojmë në Lindje.

 

 

Nëse Rama do të kandidojë, siç duket se do të bëjë, cili do të jetë vendimi juaj personal në lidhje me garën e kreut?

 

Këtë do ta them në Kongres. Ajo për të cilën po bindem çdo ditë është se, me sa duket, në zgjedhjet brenda PS do konkurrojë një projekt i ri me asnjë projekt dhe kjo do ta bëjë garën të çuditshme. Siç duket, në këtë garë Edi Rama do t'u thotë socialistëve vetëm një gjë - ju jeni fajtorë që lejuat të vidheshin votat e mia, sepse këtë po bën prej një muaji duke mos sjellë asnjë fakt, por vetëm një ankim. Duke u ankuar për vjedhjen e votës, Edi Rama në fakt po i demotivon socialistët duke i zhveshur nga pasioni për të shkuar prapë në zgjedhje, ndërkohë që është koha për t'i motivuar me ide të reja, të cilat ai, jo vetëm nuk i ka, por nuk mund t'i gjejë më, sepse e ka ndërtuar argumentin e vet mbi pohimin e së shkuarës dhe jo mbi korrektimin e saj. Të gjithë ne do jemi përpara kësaj pyetjeje - A duhet t'i besojmë më një njeriu që nuk ka bërë asgjë nga ato që ka thënë, përfshirë bashkimin e partisë, kohezionin e së majtës, politikën e re, mbrojtjen e votës, zbatimin e statutit, dorëheqjen në rast humbjeje etj? Duket sikur në PS, sot ka më shumë pyetje se përgjigje dhe kjo është normale, sepse socialistët dhe shqiptarët nuk ishin përgatitur për këtë humbje që do ende kohë për t'u gëlltitur. Fatkeqësisht PS sot i ngjan asaj lopës së urtë që bashkë me barin gëlltit edhe gozhdën dhe pastaj gozhda, pasi i çan barkun i thotë lopës - vetë e kishe fajin, unë gozhdë jam dhe nuk di të bëj gjë tjetër.

 

 

Po nëse ai rikonfirmohet kryetar i partisë, cili do të jetë roli dhe pozita juaj brenda forumeve të ardhshme dhe grupit parlamentar?

 

Unë do pranoj çdo vendim të anëtarësisë së PS, sepse ky është një detyrim, të cilit nuk mund t'i shmangem. Por natyrisht që do them gjithçka që mendoj dhe jam i bindur se nuk do jem i vetmi dhe as i fundit. Por nga leximet e mia kam mësuar një gjë të thjeshtë - nuk mund të fitosh duke humbur, por mund të humbësh duke fituar.

 

 

Paketa juaj që pritet t'i propozohet Kongresit parasheh kryesisht kufizimin e pushtetit të kryetarit të partisë. A është kjo e vetmja e keqe që ka kapur Partinë e sotme Socialiste?

 

Paketa që kemi propozuar synon një parti më të hapur, më funksionale, më demokratike dhe më të balancuar në mendimet e veta të ndryshme dhe të kundërta. Kjo paketë është një detyrim i një trupi, i cili del nga një garë e humbur dhe ndryshon raportin dhe lëvizjen e gjymtyrëve të veta, të cilat janë lodhur dhe duhen rifreskuar për garën tjetër. Është pra një gjimnastikë e detyrueshme në mes të dy garave. Ne kërkojmë t'u japim më shumë pushtet forumeve në bazë, më shumë inkurajim dhe fuqi të zgjedhurve, më shumë harmonizim mes strukturave të rretheve dhe qyteteve e komunave duke forcuar partinë në fshat, gjë që na krijoi dobësi kohët e fundit. Ka një prirje për t'i diskriminuar njerëzit, të cilët po e mbështesin këtë paketë, jo për arsyet e mia, as kundër Edi Ramës, por vetëm për arsyet e tyre. Edhe pse është një kryetar në detyrë, Edi Rama po e bën keq detyrën e tij. Ai kërcënon ata që firmosin dhe sponsorizojnë këto ndryshime dhe pyetja që kam është, pse e bën. Besoj se mund ta them. Së pari- e konsideron një iniciativë kundër tij, gjë që nuk është e vërtetë. Së dyti, kërkon një parti të centralizuar që i mohon kompetencat bazës dhe të zgjedhurve. Së treti dhe kjo është më e vërtetë se të gjitha: Ai është kundër çdo neni, që e detyron kryetarin e PS të mos rikandidojë në rast humbjeje, debat ky që ka qenë i paqartë këto ditë dhe prandaj na detyroi ta saktësojmë në statut. Kjo do thotë se, në rast se rizgjidhet, ka ndërmend të rikandidojë prapë më 2013, nëse humb. Marrëzi, nëse e mendon këtë, por kam arsye të besoj se e mendon, derisa e kundërshton, megjithëse ai e di se paketa nuk ka dhe nuk mund të ketë fuqi prapavepruese. Dhe një arsye e katërt lidhet sërish me precedentin unik për kohën kur jetojmë, kur Edi Rama nuk kandidoi në listën e PS për në Kuvendin e ri. Ne gjykojmë që mos-kandidimi i tij ka ndikuar në fushatë duke rritur pasigurinë e votuesve dhe për ta shmangur këtë çudi shqiptare kemi propozuar që kryetari i PS, kushdo qoftë ai, duhet të detyrohet me statut të kandidojë për deputet. Kemi vendosur pra ta nisim komandantin në luftë me çdo kusht dhe këtë nen mund ta kundërshtojë vetëm një njeri që nuk ndjehet dhe nuk bëhet dot komandant, kur lufta fillon. Me sa duket, Edi Rama e kundërshton këtë nen, sepse sërish, nëse zgjidhet në krye të PS, siç premton, nuk ka ndërmend të kandidojë kurdo qofshin zgjedhjet e tjera. Edhe kjo do ishte një arsye për të dyshuar shumë te ky njeri, i cili nuk kupton akoma se nuk mund të fitosh pa luftuar. Thashë pra, se si ish-kryetari i PS në detyrë po e bën detyrën e tij duke penguar të tjerët të bëjnë detyrën e tyre. Me siguri do vijë një ditë që kur njerëzit ta pyesin Edi Ramën çfarë po bën dhe ai do përgjigjet: Po pengoj partinë time të vijë në pushtet. Jam i bindur se në Kongres do ketë njerëz që do luftojnë për këtë paketë, të cilën nuk e shohin vetëm si një instrument demokratik, por edhe si një mundësi për të garantuar një qetësi brenda partisë. Me votim normal kjo paketë fiton pa asnjë dyshim dhe për këtë shkak do të pengohet siç po duken bathët. Ka njerëz që naivisht ndoshta mendojnë se ky do të jete një votim kundër Edi Ramës. E kanë gabim. Delegatët do të votojnë atë ditë për vete, sepse kohën për të votuar kundër e kanë përpara dhe nuk nguten. Ata kanë vendosur të marrin partinë dhe pastaj kryetarin. Dhe kanë të drejtë.

 

 

Jeni akuzuar nga media pranë Edi Ramës se keni pas vetes interesa të caktuara mediatike dhe politike. Si i përgjigjeni këtyre akuzave?

 

Më vjen për të qeshur. Unë nuk kam asnjë pushtet, me të cilin mund të negocioj apo të blej ekrane dhe gazeta. Jam shumë i varfër për të blerë një gazetë, por jam shumë i pasur për ta bërë një gazete të blihet dhe të shitet dhe këtë e kam provuar dhe mund ta provoj çdo ditë. Unë kam vetëm fjalën time dhe përveç saj nuk i ofroj dot asgjë tregut të ngatërruar të shtypit shqiptar. Dhe fjala bën lajm. Kjo është një mbrojtje e dobët e atyre që duan të mbrohen duke sulmuar pa fakte, sidomos për sa kohë që asnjë gazetar apo botues nuk ka dalë në publik të thotë se e mbështes Ben Blushin për arsye vëllazërore. Unë kam vetëm një vëlla, i cili as nuk ndërton, as nuk boton, as nuk pozon dhe i cili nuk mendon se unë jam aq i dobët, i mjerë dhe i vetmuar, saqë ai duhet të ma shprehë mbështetjen në televizor për të më dhënë kurajë. Nëse kjo strofë pa muzikë kthehet në refren, sigurisht do detyrohem të them disa gjëra më shumë, të cilat të gjithë i dimë, por nuk i themi. Unë nuk jam kat pa leje i asnjë pallati mediatik në Tiranë, ndërsa, sa për mbështetje politike, më vjen mirë që më mbështesin të gjithë ata që besojnë se politika funksionon mbi rregulla, mbi norma dhe rotacione. Nëse ka sot një grup politik të rëndësishëm, të cilit i intereson Edi Rama, ky grup është jashtë Partisë Socialiste. Pa dyshim që qeveria do uronte një PS të pandryshuar, të drejtuar nga një kryetar i pandryshuar, sepse në këtë mënyrë edhe shanset e një fitoreje tjetër mbeten të pandryshuara. Dihet që atë, të cilin e ke mundur një herë, mund ta mundësh edhe dy herë. Madje herën e dytë më kollaj se të parën. Kjo fabul është e vjetër sa bota - mes një armiku të ri dhe një armiku të vjetër zgjidhet gjithmonë i vjetri, sepse atij ia njeh edhe huqet, edhe kapriçot, edhe oreksin, edhe vesin, edhe muskujt, edhe gjatësinë, edhe pagjumësinë, edhe dobësitë, edhe mundësitë, edhe aftësitë. Unë dhe Edi Rama e kemi bërë dhjetëra herë këtë bisedë. Sa herë që nga PD dilnin sinjale se Sali Berisha mund të zëvendësohej nga një tjetër, më i ri, ne lusnim Zotin - që kjo të mos ndodhte, sepse besonim, me të drejtë, se Sali Berishën mund ta mundnim më lehtë se këdo tjetër. Në këtë mënyrë na sheh sot Sali Berisha ne dhe kjo është afërmendsh. Kush mund t'i përgjigjet pozitivisht pyetjes: A dëshiron Sali Berisha që opozita të ndryshojë? Sigurisht që jo. Thonë që djalli ndryshon nga qeniet e tjera, sepse çdo pyetjeje i përgjigjet me jo. Edhe kur e pyet: A je djall? - Ai thotë jo, sepse po të thotë po, ti nuk e ke më frikë.

 

 

Sa shpresa ka për një ringritje të shpejtë të opozitës shqiptare, pas asaj që ndodhi më 28 qershor?

 

Realisht kam shumë shpresë, megjithëse akoma nuk kam arsye për besim. Opozita është futur në një cikël të gjatë dhe të panjohur, i cili mund ta fragmentojë edhe më keq nga sa ka ndodhur deri tani. Ne shqiptarët kemi ende një zakon të keq: Kur vjen puna për të prishur, i imitojmë me fanatizëm të tjerët; kur vjen puna për të rregulluar, i ngjajmë vetëm vetes. Po të shohim të majtën në Itali apo Francë, ajo është futur në këtë cikël dhe prandaj nuk votohet prej disa zgjedhjesh. Fragmentimi sigurisht i mbyt kauzat, sepse zërat e fortë humbin në një kor të madh. Kjo mund të na ndodhë edhe ne, nëse nuk arrijmë të gjejmë një konsensus për rrugën, në të cilën duhet të fillojë të ecë opozita. Detyrimin për të mos e copëtuar më shumë të majtën sigurisht e ka Partia Socialiste. Nëse na duket së ka katër vjet kohë, besoj se e matim kohën keq. Ka vetëm gjashtë muaj kohë. Më pas fillojnë përgatitjet për zgjedhjet lokale, para të cilave nuk mund të ketë zgjedhje të parakohshme. Nëse opozita dështon në zgjedhjet lokale, për shkak të dobësisë së vet, kjo humbje e re do t'i hiqte çdo motiv asaj për zgjedhjet e përgjithshme. Në politikë ka edhe ekonomi dhe sot që flasim koalicioni qeverisës PD-LSI ka më shumë se 100. 000 vota mbi koalicionin tonë. Pyetja është si ta rikuperojmë të paktën gjysmën e këtyre votave kaq shpejt. Ka dy mënyra: E para duke ruajtur kohezionin dhe duke ndërtuar një kauzë që do t'i detyronte shqiptarët të gjenin një ekuilibër mes pushtetit lokal dhe atij qendror, gjë që ata e bënë në vitin 2007; dhe e dyta, duke zgjeruar koalicionin tonë me të gjithë spektrin jashtë qeverisë pa asnjë paragjykim apo emocion. Zgjedhjet lokale pranojnë çdo aleancë pragmatiste, sepse nuk ndërtohen mbi programe kombëtare dhe ideologjike, por vetëm mbi projekte lokale dhe krahinore. Duke e marrë të mirëqenë faktin që PD-LSI nuk kanë asnjë arsye të ndahen deri në zgjedhjet lokale dhe ato të presidentit, ne duhet të rrisim cilësinë e opozitës duke shmangur çdo dobësim relativ të PS, qoftë kjo edhe për interesa të vogla. Në të kundërt, nuk do arrinim dot pragun e një fitoreje të domosdoshme duke thërrmuar themelin e zgjedhjeve të ardhshme kombëtare. Por kjo shpresë ngrihet vetëm mbi një kusht - mbi një Parti Socialiste të bashkuar që sakrifikon interesat e secilit për të gjithën. Nëse ne besuam se Shqipëria më 28 qershor kishte vetëm një rrugë -Partinë Socialiste, tani duhet të besojmë se Partia Socialiste ka vetëm një rrugë - të majtën. Shqipëria po e pret të majtën dhe, megjithëse rruga sot duket e mbyllur, shumë shpejt do hapet, sepse rruga gjendet vetëm duke ecur. Mapo
www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Negociatat Meta-Berisha nisin më 2 shtator (08.22.2009)
Grosryk: Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri më të mirat që ndonjëherë ka zhvilluar ky vend (08.22.2009)
Objektivi i PS janë zgjedhjet e parakohëshme (08.21.2009)
Idrizi përgënjeshtron PDI: Çështjen Çame e mbroj në PS (08.20.2009)
Veton Surroi viziton Vitorian (kryeqyteti i rajonit bask të Spanjës) (08.20.2009)
PDI, Muhedini: Do të kërkojmë rezolutën Çame në Parlament (08.20.2009)
Haradinaj: Marrëveshja e EULEX me Serbinë pasojë e mungesës së planit strategjik të qeverisë (08.19.2009)
Edi Rama intervistë: Pse do të jem kryetar i Partisë Socialiste (08.17.2009)
Edi Rama: Ja pse duhet të qëndroj në krye të PS (08.17.2009)
Malaj: Do kandidoj për kreun e PS (08.17.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
KONFERENCË PËR SHTYP E KRYEMINISTRIT BERISHA DHE KRYEMINISTRIT BERLUSKONI
Berisha: Jemi Kina e vogël e Evropës, investoni (ANSA)
Dekorohen protagonistë të 20 shkurtit

 
VOAL
[Shko lartë]