VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - FUNERALI I NJË PARTIENga BLEDI KASMI

                                                                                      

E Hënë, 04.29.2024, 01:35am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 

FUNERALI I NJË PARTIE

Nga BLEDI KASMI


E Shtunë, 01.22.2011, 01:14pm (GMT+1)

Kronika e një grushti shteti të paralajmëruar nga opozita rezultoi dje me një bilanc shkatërrues për imazhin e vendit nga njëra anë, me humbjen e tre jetëve njerëzore dhe plagosjen e dhjetra të tjerëve, por nga ana tjetër me një fitore të të gjithë qytetarëve të këtij vendi, të cilët dje ishin shumica e heshtur, që pa se demokracia është më e fortë se kultura e dhunës e një grushti pinjollësh të së shkuarës, që kërkojnë t'i imponohen shoqërisë përmes revolucionit proletar.

Përtej këtij bilanci, politika shqiptare, por dhe bashkësia ndërkombëtare që na ka ulur në tryezat e saj, duke na konsideruar si kurrë më parë një partner dinjitoz dhe të barabartë, duhet të bëjnë edhe një bilanc tjetër, që mund të jetë shumë herë më i dhimbshëm se pamjet e djeshme. Është bilanci i pluralizmit. Nëse deri dje demokracia kishte si dy shtylla të saj, dy partitë kryesore të kaheve të politikës, njëra prej atyre shtyllave mund të konsiderohet e transformuar.

Ky është një lajm i keq. Ne nuk kemi më një parti politike që funksionon si një forcë e mirëfilltë politike. Ne po shohim transformimin e saj në një organizatë që gjithmonë dhe më shumë e ka harruar të shkuarën e saj liberale dhe ka dalë tërësisht jashtë kornizave të ligjit, duke i ngjarë organizatave politike terroriste, si dikur "Brigadat e kuqe" në Itali, apo "17 nëntori" në Greqi. Kemi një organizatë radikale të së majtës, e cila mendon se mund të marrë pushtetin përmes vrasjeve, djegies së institucioneve dhe uzurpimit të tyre.

Askush të mos shpresojë dhe të ushqejë iluzione se anarkisti që qëndron në krye të transformimit të kësaj partie në një organizatë me tipare të mirëfillta terroriste do të mund të ndryshojë përmes thirrjeve apo gjuhës së zbutur të politikës. Ai e ka sfiduar politikën duke kaluar të gjithë kufijtë e saj. Ai i ka shpallur luftë politikës, dialogut dhe kompromisit. Ai nuk i njeh institucionet, votën e lirë dhe sistemin.

Me një drejtues të tillë PS mund të rikthehet si forcë politike dhe të veprojë brenda sistemit po aq sa mund të funksiononin përpara 40 vitesh "Brigadat e kuqe" në Itali apo organizata "17 nëntori" sot në Greqi. Deklaratat e djeshme të Ramës vetëm sa e konfirmojnë këtë. Për asnjë çast ai nuk u distancua nga dhuna. Kanë vrarë tre të rinj në metodat Sigurimit famëkeq të Shtetit, ka plagosur dhjetra policë dhe ka dështuar në tentativën për të hedhur në erë Kryeministrinë përmes një makine të mbushur me eksploziv. Në rast se ajo do të shpërthente do të shkaktonte dhjetra viktima, duke e kthyer vendin e protestës në një kasaphanë të ngjashme me pasojat që shkaktojnë akte të ngjashme terroriste.

Kryetari i PS, e ka zhveshur veten nga të gjitha atributet dhe përgjegjësitë e një lideri politik dhe ka veshur kostumin e një njeriu të dhunës, i cili kërcënon me gjuhën e ultimatumeve dhe paralajmëron për akte të reja dhune, njëlloj si pjesëtarët e "Brigadave të kuqe" dhe ata të "17 nëntorit" në Greqi. Ai mori autorësinë e atyre akteve të ndodhura para Kryeministrisë dhe paralajmëroi dje pas protestës vazhdimin e atij skenari dhune.

Tirana është një busull qytetarie. Të gjithë e panë dje se kryeqyteti ishte zbrazur nga ora 12.30. Rrugët ishin të boshatisura, pasi të gjithë ishin të ndërgjegjësuar se "po vinin barbarët", ata që kishin paralajmëruar se do të merrnin pushtetin me dhunë, duke vrarë njerëz dhe duke uzurpuar institucionet. Ky ishte një sinjal i keq, se partia e shndërruar në një bandë terroriste po i transmeton shoqërisë, mesazhe frike. Nuk mund të ketë gjë më të rëndë për një shoqëri si e jona që ecën drejt lirisë, t'a kthesh prapa, duke i kthyer institucionin e frikës.

Institucionet dëshmuan dje se janë garantë të lirive tona përpara një bande njerëzish të armatosur me hunj dhe bomba molotov. Shteti nuk ra, institucionet treguan superioritetin, por kjo nuk është një betejë që u mbyll dje. Kjo dihet dhe për këtë të gjithë janë të përgatitur, por bashkë me ato institucione që ndalën dje bandat dhe paramilitarët të dhunojnë liritë e shqiptarëve, kërkohet funksionimi edhe i hallkave të tjera të shtetit.

Në deklaratën e tij zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, P. J. Crowley tha se, "Përdorimi i retorikës provokuese dhe sugjerimi apo toleranca e çdo lloj dhune i shkakton një dëm të madh popullit të Shqipërisë, i cili meriton më shumë se kaq".

Kjo deklaratë e zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit duhet lexuar mirë para së gjithash nga Prokuroria. Dhuna nuk mund të tolerohet, është mesazhi i parë, dhe nëse policia u përball fizikisht me bandat, Prokurorisë i takon të përballet përmes ligjeve. Ngjarja e djeshme i ka të gjithë komponentët ligjorë të një tentative të grushtit të shtetit. Njerëzit që e kanë organizuar atë kanë marrë autorësinë publikisht, kanë kërcënuar dhe kishin paralajmëruar gjithçka. Nëse nuk u veprua ndaj këtyre thirrjeve antikushtetuese përpara aktit, nuk ka asnjë arsye që të mos veprohet tani.

Drejtësia nuk mund të bëjë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Nëse do t'i lihet dorë e lirë vetëgjyqësisë, atëherë përmasat e dhunës do të jenë shumë herë më të mëdha. Bandat, që dje i bënë funeralin politik, Partisë Socialiste duke ngritur mbi gërmadhat e saj një forcë me tipare terroriste duhen gjykuar sipas ligjeve. Prokuroria e ka të regjistruar në të gjitha mediat deklaratën e mbrëmshme të Spartak Ngjelës, që nga Spitali Ushtarak pa iu dridhur syri deklaroi se, "do të vriteshin edhe qindra të tjerë, derisa banda të marrë pushtetin". Çfarë duhet të presë më drejtësia dhe Prokuroria për të vepruar, mos vallë po pret që të ndodhë kjo kasaphanë tjetër e paralajmëruar? Çdo hezitim për të vepruar në dënimin e bandave dhe akteve terroriste ka një kosto, dhe këtë më mirë se kushdo duhet ta dijë institucioni i Akuzës.

 

BLEDI KASMI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
OSMAN KAZAZI, NJË BUST I VOGËL PËR 40 VITE BURG!Nga AGRON SEJAMINI (01.21.2011)
LIDERSHIPI SHQIPTAR NGA LUGINA E PRESHEVËS PRET FTESË NGA PRISHTINA ZYRTARE PËR TË MARRË PJESË NË DIALOGUN MES KOSOVËS E SERBISË (01.20.2011)
B.S.P.SH (BASHKIMI I SINDIKATAVE TË PAVARUNA SHQIPTARE)Në 20 vjetorin e themelimit në Shkodër - Janar 2011Nga FRITZ RADOVANI (01.18.2011)
KISHA ORTODOKSE AUTOQEFALE TË JAPI SHPJEGIMENga GILMANA BUSHATI (01.17.2011)
PROMOVOHET LIBRI "FILOZOFIA POLITIKE DHE NACIONALE E IBRAHIM RUGOVËS" (01.15.2011)
PASHK VASA - PËR DJE, PËR SOT E PËR NESËRNga DANIEL GÀZULLI (01.14.2011)
ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONI DHE FAKTORI NDËRKOMBËTARNga XHELAL ZEJNELI (01.13.2011)
NË KUJTIM TË PANDORA DEDJES (PAPUÇIU)-Arsimtare veterane dhe studiuese e apasionuar-Nga Prof. as. Dr. MURAT GECAJ (01.13.2011)
PËRKUJTOHET NË GJAKOVË 100 VJETORI I HERONJVE TË PAVARËSISË ABDULLAH HOXHA DHE SHABAN BINAKINga HARRI BAJRAKTARI (01.12.2011)
PROMOVOHET MONOGRAFIA "IMZOT MARK SOPI, NJË JETË PËR FE DHE ATDHE" (01.12.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lartë]