VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - I madhi Karl Gega nuk ishte aq i vogël sa të vriste veten

                                                                                      

E Shtunë, 04.27.2024, 09:35am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
I madhi Karl Gega nuk ishte aq i vogël sa të vriste veten
E Premte, 04.17.2009, 09:49am (GMT+1)

1. Arkitekti e inxhinieri i dimensioneve euro-atlantike e globale, Karl Gega, përjetësisht  i bën nder identitetit shqiptar me veprën unikale Semering  e veprimtarinë e tij universale  si shkenctar projektues e ndërtues, pamvarësisht se  kupola e sistemit komunist e ngriti në legjendë rrenën e madhe sikur ky njeri i madh ka kryer "vetëvrasje" kur mori vesh lajmin se: "dy anët e kundërta të tunelit paskan devijuar pa u takuar gjatë shpimit"(!).

Montatorët e kuq të dizinformimit të zi e lakonin e lobonin këtë thashethemnajë nisur nga një burim i vetëm e keqdashës në literaturën e huaj, të shtyrë nga disa arsye: a) Për të kryer sakrifica  edhe të tilla deri në vetëmohim në emër të dinjitetit të "Njeriut të Ri" të komunizmit enverian. b) Për të amortizuar vetëvrasjet e kupolës së tyre si të Nako Spiros, Mehmet Shehut, etj. c) Për të frenuar interesat e kërkesat për infrastrukturë rrugore të përmasa të mëdha, sic është Autostrada Durrës-Morinë me Tunelin e Kalimashit, etj. d) Për të justifikuar viktimat e shumta gjatë ndërtimit të rrugëve, hekurudhave, etj. si në aksionet e rinisë, me forcat e ushtrisë, etj. e) Për të mohuar personalitete të tilla paraardhëse e për të lartësuar disa  arkitektë e ndërtues në Byronë Politike të KQ të PPSH si Spiro Koleka, Besnik Bekteshi, etj. e në  familjet oborrtare të "Bllokut të Udhëheqjes" si vajza e djemë dhe dhëndurrë të tyre, si të Enver Hoxhës, etj. f) Këtë rrenë të sajuar e përdornin edhe si shantazh ndaj projektuesëve e ndërtuesëve.

Kjo propogandë e kamufluar arriti deri aty e atje saqë të madhin Karl Gega ta identifikonin në opinion më së shumti si "Vetëvrasës" në një banesë në Vjenë, në Rrugën "Kulla e Kuqe", Nr. 6, (për shkak të dinjitetit si shqiptar) dhe më së pakti si projektues e aspak si shkenctar e ndërtues gjenial i vlerësuar nga bota perëndimore në Austri, Itali, Gjermani, Amerikë, etj.

Dhe, ne, të palidhur e të panjohur me botën përrreth këto rrena kuqaloshe i "hanim", si spinaqin që kujtonim se ka "shumë hekur" (nga fallsifikimi në literaturën komuniste) e nga kequshqyerja kujtonim se na i forconte eshtrat pa tule e fytyrën eshtake.

 

2. Cilat janë argumentat që e faktojnë se i madhi Karl Gega nuk e ka vrarë veten dhe as nuk e kanë vrarë të tjerët, por ka pasë një vdekje natyrore nga një vuajtje e gjatë prej sëmundjes së tuberkulozit?

E para: Në 42 vjetorin e lindjes, më 31 janar 1844, e përfundoi projektin e Semeringut, ndërsa, më 27 korrik 1848, filloi ndërtimi i hekurudhës së parë malore në botë.. Treni i parë me pasagjerë hyri në tunelin e Semeringut (898 m mbi nivelin e detit)  më 17 korrik 1854.

Këto afate kohore të fillimit e përfundimit të  Tunelit të Semeringut gjenden në gjithato burime të shkruara, biles edhe në skedën e UNESCO-s, në dhjetor 1998, kur u listua në mbrojtjen e saj, sipas  Konventës  "Për mbrojtjen e Vlerave Botërore Historike dhe Vlerave të Trashëguara".

Karl Gega ndrroi jetë  më 14 mars 1860, në Lugeck, në Vjenë.

Atëherë, si është e mundur të  ketë ndodhur "vetëvrasja"(!) e tij për Tunelin e Semeringut, 6 vjet pas përfundimit të tij.

E dyta: Karl Gega ishte njeri me merita dhe vlerësime në Itali, Austri, Gjermani, Amerikë, Angli, etj., ndaj nuk kishte asnjë arsye të vetme të kalonte në vetëvrasje të tillë.

Gjenialitetin e tij e shfaqi që në Padova të Italisë, ku në moshën 17 vjecare (1819) mori gradën "Doktorr i Shkencave Matematikore" .

Në Harkun kohor 1824-1830 iu përkushtue profesionit të tij si inxhinier i talentuar duke punuar  në trasimin e rrugëve, hapjen e kanaleve, ngritjen e godinave të mëdha, si në ndërtimin e rrugës së madhe malore në provincën e Belunos,  në rrugë dhe ujësjellësin në Venedik, në provincën Treviso për ndërtimin e rrugës "Strada d'Alemagna" (Treviso-Cortina d'Ampezzo), ku, në një pjesë rruge, drejtoi punimet edhe nga ana hidraulike. Nga 1830-33 ishte inxhinier në Rovigo dhe pastaj deri në vitit 1836, u caktua në departamentin e ujërave pranë drejtorisë së bujqësisë në Venedik. Në vitin 1840 u gradua dhe u bë zëvendës në Drejtorinë e ndërtimeve për mbarë Tirolin. Aty projektoi rrugën malore që kalon nëpër Val Sugana, pastaj atë që kalon nëpër Oberinnthal, tek Qafa e Finstermünsenit dhe bëri projektin e urës së varur mbi Etsh pranë Mores. Në vitin 1848, si inspektor i Drejtorisë së Përgjithshme të Ndërtimeve, drejton ndërtimin e hekurudhave të Jugut deri në Laihah. Në këtë kohë bëri një udhëtim të gjatë studimi në Gjermani, Belgjikë, Francë e Angli dhe, me t'u kthyer, hyri përsëri në shërbimin e hekurudhave shtetërore dhe u mor me trasimin e linjës hekurudhore të Semmeringut, tunel i gjatë 1430 metra. Asokohe diskutohej lidhur me mundësinë e trasimit të një hekurudhe me aderencë të thjeshtë. Kësaj zgjidhjeje ai iu kushtua mbas një udhëtimi të ri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Angli. Më 1849 u bë drejtor i Seksionit të Ndërtimit të Hekurudhave dhe më 1850 drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme për Ndërtimin e Hekurudhave Shtetërore në Vjenë.

Karl Gega ka lënë shkrime për teknikën hekurudhore si "Pamje e përgjithshme e përparimeve në hekurudha, 1840-1850" (botim 3, Vjenë 1853), "Mbi ndërtimin e urave në Ameriken Veriore dhe kalkulimi i aftësive bartëse të urave Hoëe" (botin 2, ebd 1855). Gjithashtu ai shpiku një zhalon të përmirësuar si edhe një oktantë me nonius për trasimin e kurbave. I tij është koncepti i gjatësisë virtuale të një hekurudhe.

Një mjeshtër kaq i madh, që bëri epokë me studimet e shpikjet e tij, me gjurmët e lartësitë e veprave të tij në Austri, në Itali, etj.,i vlerësuar në perandoritë perëndimore më të mëdha të kohës, me sipërmarrje ndërtimore hekurudhore, etj. edhe pas përfundimit të Tunelit të Semmeringut, nuk mund të bëhej aq i vogël sa të vriste veten, por vec e mposhti sëmundja  dhe sakrificat e tij ndaj detyrave historike të kohës.

E treta: Në burime zyrtare të Austrisë dhe në enciklopedi të ndryshme europiane e amerikane thuhet se  vdiq nga sëmundja e tuberkulozit.

Ky burimi i dytë është e vërteta historike e pamohueshme, që dëshmohet në këta tre shekuj histori, në botime e konferenca shkencore.

Karl Gega qëndronte ditë e natë në krye të punës projektuese e zbatuese duke e ndjekur hap pas hapi ecurinë e punimeve në lartësitë alpine, në ditë me borë e me shi, në qafa malesh e shpatina, në baraken e tij të punës, në kushte të vështira jetese, në tension e me pasion pune, ku u sëmurë disa herë, gjersa ftohja i kaloi në tuberkuloz. Mjekët austriakë bënë të pamundëren për këtë njeri të madh, por, sapo e merrte pak veten, ngrihej e punonte në këtë kryevepër e në sipërmarrje të tjera, gjersa, më në fund, ndrroi jetë në kryeqytetin e Perandorisë Austro-Hungareze, në Vjenë.

Njeriu që mposhti malet u mposht nga tuberkulozi.

E katërta: Varrimi i tij, në marsin e vitit 1860, është bërë në mënyrë madhështore: me një ceremoni në Katedralen më kryesore të Vjenës, në Shën Stefan,(Stephansdom) dhe me homazhe në varrezat e Ëahringer-it në Vjenë.

Një nderim kaq madhështor për ta cuar drejt përjetësisë , si nga shteti perandorak, nga kisha, nga bashkëkohësit, nuk mund t'i bëhej  një njeriu që kishte cuar veten drejt vetëvrasjes.

Plot 27 vjet më vonë, kur këto varreza u shpërngulën , sarkofagu me eshtrat e Karl  Gegës, u vendos në panteonin e figurave më të shquara të Austrisë, pranë Alois Negrellit, (projektuesit të Kanalit të Suezit), pranë Mozartit, Bethovenit, Shubertit, Shtrausit, Brahmsit, etj. 

Dy vjet më vonë, më 22 qershor 1869, Shoqata e Arkitektëve e Inxhinierëve Austriakë përuroi në hyrje të Tunelit të Semeringut një përmendore për të madhin Karl Gega, që kishte hyrë në analet e historisë botërore.

E pesta:  Veçanërisht biografët e Karl Gegës theksojnë, (biles edhe më 2004, austriaku Ëolfgang Straub) se për veprimtarinë e tij si shkenctar, arkitekt, projektues e ndërtues, ka burime të shumta, kurse për jetën e tij janë shumë të pakta, pamvarëisht se janë shkruar me dhjetra libra në Austri, Gjermani, Itali, etj.

Kjo iu ka mundësuar kundërshtarëve të tij që të merren në disa raste me hipoteza  e rrena, derisa në një botim të vetëm dhe pa investiguar e paraqesin vdekjen e tij natyrale si një "vetëvrasje" duke mos pasë parasysh të vërtetat historike. Pas këtij burimi është kapur e kamufluar dhe trumbetuar edhe në Shqipëri, me dashje, rrena e "vetëvrasjes"(!) duke e niveluar në propogandë kryeveprën e Semeringut me vetëvrasjen e tij.

Ende, edhe sot, sidomos të majtët në opozitë, teksa sulmojnë Autostradën Durrës-Prishtinë, iu shkon për shtat e shtrat modeli propogandistik i "vetëvrasjes" së të madhit Karl Gega, ku, kjo kryevepër e shekullit shqiptar, merr udhë nga vendlindja e tij e shkon deri në Nishin e Shën Kostandinit të Madh, (një ndër 10 njerëzit më të shquar të njerëzimit), nga Tuneli i Kalimashit tek Tuneli i Semmeringut...

Tashmë, kjo rrenë e shpikur dhe e shpifur për "vetëvrasjen" e tij do të mbetet në kujtesën komuniste të së shkuarës dhe demokracia do t'ia shpalosë e lartësojë më tej e më lart vlerat e vërteta e madhore  ing. Karl  Gegës, një ndër njerëzit e mëdhenj të kombit shqiptar.

      

3. I madhi Karl Gega, ka hyrë në Librin e Artë të  ndërtuesve më të shquar të botës si miti i ndërtimit të Semmeringut dhe hekurudhave austriake, etj. dhe renditet ndër "100 personalitetet më të shquara të Austrisë në të gjitha kohërat".

Presidenti i Republikës së Austrisë, Franz Jonas (1969-1978) ka deklaruar se "Hekurudha e Semmeringut është një kryevepër e mendjes njerëzore, që për të gjitha kohët do të mbetet e lidhur me jetën e Gegës".

Në Austri, si në Vjenë e Grac, në Itali si në Trieste e në vende të tjera, ka permendore, buste e rrugë me emrin e Karl Gegës.

Portreti i tij gjendet në pulla postare në Austri, Shqipëri, etj. dhe në  sheling-un, ish-monedhën austriake, etj.

UNESCO, për Semmeringun e Karl Gegës, ka dhënë këtë vlerësim në vitin 1998: "Kjo hekurudhë është ndërtuar në një terren të vështirë dhe në mënyrë konstruksioni në vlerat mbinjerëzore".

Në Republikën e Shqipërisë mbetet ende për të bërë për lartësimin e figurës së Karl Gegës duke e parë këtë si vlerësim të vet vlerave të kombit shqiptar. Karl Gega ishte dhe mbetet me origjinë shqiptare, biles mendohet se është nga Kallmeti i Lezhës prejardhja e tij e hershme, por, sidoqoftë, nuk mund të mohohet se nuk është nga rrethinat e Shkodrës. Gjatë pushtimit otoman, me rënien e Shkodres më 1479, të parët e tij u shpërngulën në Perast të Kotorrit (Mali i Zi) dhe prej andej shtegtuan për në Republikën e Venedikut, ku bënë emër të nderuar. Në një dokument të 3 tetorit 1739 pasqyrohet linja në breza e tij dhe këtë na e dëshmon më 1835 edhe kushëriri i tij, Giovvani Battista Gega, prif në Kishën e San Markos, sipas dokumentave të zbuluara në bibliotekën e Muzeut Correr të Venecias. Deri më tani, i saktësuar, mbetet i pari paraardhës Gega, cka do të thotë se mbiemrin nuk e mbajti vetëm se vinte nga Gegëria, por se e kishte trashëguar edhe në pemën e familjes së tij. Pas Gegës vjen Giorgo (Gjergji), që la pasardhës, në këtë linjë, Kristoforin, ( Cristoforo), oficer marine në Venedik, ku në luftën veneciane të Thesalisë e humbi njërin krah. Kristofori la pasardhës, në këtë linjë, Gasprin, (Gasparo), kolonel marine. Ky pati tre famijë: Antonion, (Antonin), babai i Karlit, Giovannianton dhe Angelan.

Edhe vet Presidenti i Republikës, në këtë kohë të ritmeve të larta të zhvillimit të infrastrukturës shqiptare, si me Korridorin e Shqiptarëve Autostradën Durrës-Prishtinë, Korridorin VIII, Korridorin Veri-Jug, Boshtin e Jugut,  Rrugën e Arbërit, Rrugën e Bregut të Drinit nga Gjakova në Portin e Shëngjinit, etj. mund të akordojnë  një dekoratë me emrin e Karl Gegës,  këtij shqiptari të madh që la emrin e vepren e vet në historinë e Europës, në lartësitë e kombit tonë.

                                                                          

                                                                                                RAMIZ  LUSHAJ
Ramiz Lushaj


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Ardian Fullani: Shqipëria duhet medoemos të përfitojë nga fondi që 20 vendet më të fuqishme akorduan për FMN (04.16.2009)
Pavarësia dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (04.16.2009)
Kosovë: Vazhdojnë reagimet ndaj akuzave për krime lufte të UÇKsë (04.15.2009)
Ja 6 letrat e Mjedës dërguar albanologut danez (04.13.2009)
Mbreti Leka Zogu i Parë nis vizitën katërditore në Kosovë (04.11.2009)
BalkanWeb: Shqiptarët iu druhen tërmeteve (04.11.2009)
Gjashtë të vdekur dhe rreth 50 të plagosur shqiptarë nga tërmeti në Itali (04.10.2009)
Në vetën e parë Mikele Placido: reportazh për një histori shqiptare në Akuila (04.09.2009)
Toka dridhet në Itali (04.09.2009)
E majta dhe të pushkatuarit pa gjyq (04.08.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lartë]