VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Të hënën artistët tanë në Moskë për ta përfaqësuar denjësisht Shqipërinë

                                                                                      

E Shtunë, 04.27.2024, 10:48am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
Të hënën artistët tanë në Moskë për ta përfaqësuar denjësisht Shqipërinë
E Premte, 05.01.2009, 11:03am (GMT+1)

Zëri shqiptar ka filluar të trondisë Moskën...

Nga Agron SEJAMINI

Po! Po! Ka filluar të tronditet nga zëri i shqiptares, Kejsi Tola, salla e Kremlinit, ku do të organizohet Festivali Europian. Janë 145 mijë shikues që kanë parë deri më sot këngën tonë në internet. Asnjë këngë tjetër pjesëmarrëse në këtë festival, nuk është klikuar më shumë se kaq. E pse të mos të gëzojmë dhe shpresojmë ne, më shumë se sa të tjerët?! Veç atij interesimi elektronik, kemi edhe një fakt tjetër entuziast. Para dy javësh në Holandë, u organizua një mini festival, ku morën pjesë 23 shtete me këngët që do të përfaqësohen në në këtë europian. Kejsi doli e para në skenë. Pas saj, sllovenët, moldavët...Që do të thotë, se edhe kjo e parë nuk ishte rastësi apo e përcaktuar nga renditja alfabetike. Kejsi këndoi por... nuk u dëgjua. Sepse e gjithë salla, si të ishte e dirigjuar, këndoi në anglisht këngën tonë.

Të hënën, më 4 maj artistët tanë nisen për në Moskë. Ndjehen të qetë dhe të sigurtë, sespe kanë punuar pa ndërprerje dhe me shumë dëshirë. Prej muajsh Edmond Zhulali, në studion e tij dëgjon një këngë dhe punon me një këngëtare. Jo thjesht se ka qenë më larg familjes si kohë dhe së çuari të ardhura, por i vjen keq që nuk ka mundur t'u shërbejë klientëve të tij artistë. Fakti që ata janë edhe miq të tij, ka bërë që të paktën të mos humbasin mirëkuptimin... Sëbashku me Kejsin, gati çdo ditë kanë punuar me intensitet të lartë për ta mbajtur sa më në formë vokalin. Një pjesë të kohës e ka zënë përgatitja koreografike. Realizimi i kësaj performance i është besuar Julian Bulkut, artistit shqiptar që jeton në Greqi. Bashkë me stafin e tij, vitin e kaluar arritën sukses të bujshëm, në performancën e këngës greke, që zuri vendin e tretë në europian. Edhe më të motivuar dhe të frymëzuar kanë qenë për këngën tonë. Në skenë do të jenë gjashtë veta. Tre balerinët dhe dy vajzat që realizojnë zërat e dytë. Ndërkohë, Kejsi shumë e kënaqur nga kjo ide, do të jetë në lëvizje të thjeshta që nuk do ta pengojnë në të kënduar. Një zgjidhje e tillë ka qenë e preferuar nga këngëtarja jonë, duke ditur që kënga është shumë e vështirë në interpretim. Finesë dhe elegancë është treguar edhe për garderobën e Kejsit. Stilistja Anila Zajmi ka qenë e frymëzuar dhe e angazhuar për të realizuar veshjet e një këngëtareje fituese. Ndryshe do e shikojmë Kejsin në skenë, ndryshe nëpër intervista e konferenca shtypi... Gjithçka e detajuar dhe plotësuar me shije dhe estetikë. Në këtë staf të gjerë dhe shumë profesional, ndjehet interesimi dhe mbështetja e artistëve drejtues Petrit Beci, Zamira Koleci dhe Pali Kuke.

Gjithë kjo punë, tërë ky staf në shërbim të një vajze që ende nuk i ka mbushur të shtatëmbëdhjetat, e quajtur Kejsi Tola. Deri në klasën e pestë ka jetuar në qytetin e Vlorës ku dhe ka lindur. Pasionin për të kënduar e kishte ndjerë që e vogël. Dëgjonte në radio apo televizor këngë dhe të nesërmen fillonte dhe i imitonte. Më shumë me zë se sa me fjalë. Ndjehej më mirë dhe shtonte zërin kur largoheshin prindërit për në punë. Për fat edhe fqinjët nuk i shqetësonte, pasi kishin shtëpi private. Ajo që kujton, por që ende nuk di ta shpjegojë, është fakti se shpesh herë gjatë imitimit ndroja tekstin dhe melodinë. Pra, kisha një dëshirë të madhe për të krijuar... Mbase edhe këtij mendimi i jep formë tani që e ndjen se ka hyrë në udhën e muzikës se sa pretendon apo krenohet me ndonjë krijim të asaj moshe. Por dhe pa gjë, nuk ishte kjo ndjesi dhe ky pasion fëmije. Një ditë në shkollën e saj "Lef Sallata" organizohej një program artistik me rastin e 7 marsit. Veshi i kompozitorit vlonjat Vait Kuçi, që ndiqte këtë aktivitet kapi menjëherë zërin një vogëlusheje. Në klasën e katërt ishte, por nuk u mëdysh kompozitori për t'i besuar Kejsit, këngën e vet me të cilën do të konkuronte në Festivalin e Fëmijëve të qytetit. Nuk ka si të harrojë edhe titullin e asaj kënge, "Luajnë vajzat me litar". Për herë të parë ngjitej në skenë, por dy çmime fitoi. Të dytin, si këngë dhe tjetrin, si interpretuesja më e mirë. Nga kjo ditë edhe prindërit filluan ta shikojnë ndryshe vajzën e tyre. Me një përkujdesje dhe merak më të madh për të ardhmen e saj, filluan t'i lënë telekomandën e televizorit më shumë në dorë, duke i krijuar mundësinë që të dëgjojë muzikë, duke e privuar veten nga lajmet dhe filmat. I blenë edhe kaseta dhe CD me këngë shqiptare dhe të huaja. Për një kohë të shkurtër ajo ishte në gjendje t'i improvizonte vetë, madje edhe me një farë pozimi si për të detyruar prindërit, që të mos e shkëpusnin vëmendjen nga ajo. Klasën e gjashtë nuk e vazhdoi në Vlorë, por te shkolla 8-vjeçare "Emin Duraku", pasi familja e saj erdhi për të jetuar në Tiranë. Fati bëri që të rikujtoj çmimet e Vlorës... Nga një grup specialistësh të Pallatit të Pionierëve, bashkë me 5 nxënës të tjerë të kësaj shkolle u përzgjodh për t'u testuar në festivalin e zërave të rinj. Në një nga ato kaseta që i kishte blerë i ati, më shumë i kishte pëlqyer kënga "Njëshi dhe zero". Me atë konkuroi dhe fitoi çmimin e parë. Por më shumë ndjeu emocionet e sallës së Akademisë së Arteve ku u zhvillua veprimtaria. Ja mbushi syrin më shumë kjo skenë, e shijoi më shumë këtë interpretim. Këtu e ndjeu veten si këngëtare edhe pse nuk kishte më shumë publik se në Pallatin e Sportit të Vlorës.

Pas disa muajsh, u bë pjesë e konkurimit në spektaklin kombëtar "Gjeniu i vogël". Kaloi fazën e parë, por nuk doli në dhjetëshen finaliste. Formula e këtij konkurimi ishte që caktoheshin edhe disa sfidantë që përballeshin me finalistët. Si sfidante, interpretoi me një finaliste, duke i rrëmbyer të drejtën për të hyrë në finale. Por vetëm kaq. Akoma është në klasën e gjashtë edhe pse ajo ka marrë pjesë në disa aktivitete. I shtohet kësaj liste për këtë vit edhe pjesëmarrja në Festivalin e Fëmijëve të Tiranës. Madje me sukses të merituar, duke zënë vendin e dytë me këngën "Vallëzoj" të Sokol Marsit. Ende pa ju shuar ky gëzim shkon në Festivalin Kombëtar të Fëmijëve në Shkodër me të njëjtën këngë. Por jo me të njëjtin fat. Komplimetohet, përgëzohet, por nuk vlerësohet me çmim. U plagos shumë në shpirt, ngaqë ishte mësuar të fitonte vazhdimisht. Mbase më shumë se të gjithë, e ndjeu vetë kompozitori dëshpërimin e saj. Ndaj e vazhdoi përsëri bashkëpunimin me të. Ndryshe nga titulli i këngës "Si t'ja bëjmë tani", ata iu përveshën edhe një herë punës për të kompensuar atë që u mungonte. Dhe ia arritën. Të parët në festivalin e Tiranës dhe po të parët në Shkodër, në Festivalin Kombëtar për Fëmijë. Ishte nxënëse e klasës së shtatë. Më pas, mbaroi tetëvjeçaren ku dëftesa me të gjitha notat dhjeta i detyroi prindërit që të mendoheshin gjatë. Dëshira e tyre ishte që Kejsi të vazhdonte shkollën në një degë që kishte të ardhme dhe të ardhura. Por më kot u hamëndësuan, sepse udha e saj kishte kohë që ishte shfaqur...Fillon Liceun Artistik për kanto. Vitin e parë e kaloi qetë, ndërsa të dytin me ethe... Mezi priti reklamën televizive që njoftonte se filloi spektakli i etheve. Dy orë ndejti në radhë deri sa ju hap ajo derë, që u përball me jurinë. Kishte zgjedhur më të vështirën këngë për të fituar, atë të Vaçe Zelës "Mesnatë". Dhe fitoi. Akoma edhe më emocionuese faza e dytë. Këtë radhë, në stadiumin "Qemal Stafa". Dhjetor, ftohtë, por edhe një konkurim i tejzgjatur. Filloi më shtatë pasdite dhe mbaroi në orën 5 të mëngjesit. Por për çudi, Kejsi në këtë ambjent është ndjerë shumë mirë. Një zgjidhje interesante e organizatorëve të këtij spektakli. Hera e parë që ajo interpretonte në një stadium, të ndriçuar nga prozhektorët. Jo se ishin të mbushura shkallët, por ideja që ishin në një stadium sikur ua rriti pak ndjesinë dhe hijeshinë e të qenit këngëtare. Kuptohet, nisur nga praktika e këngëtarëve të mëdhenj që dalin para fansave të tyre nëpër stadiume apo pallate sporti. Aq më tepër kur ky emocioni vizual u shoqërua me kalimin e Kejsit në fazën finale. Vazhduan edhe disa javë konkurimet dhe eliminimet deri sa në majë, mbërriti Kejsi Tola. Ishte më shumë se një fitore. Ishte sinjali që lajmëronte krijuesit profesionistë për të hedhur sytë edhe nga kjo këngëtare me vokal të jashtëzakonshëm... Është përsëri Mond Zhulali që riskon. Këngën me të cilën ai do të konkuronte në Festivali Kombëtar të radhës, ia beson përsëri një këngëtareje të re. Edhe për këtë shpirtmadhësi, edhe për këtë xhentilesë dhe jo thjesht vetëm nga zotësia, spikat nga të tjerët ky kompozitor i shquar. Dhe Perëndia di të shpërblejë njerëzit e mirë. Me këtë këngëtare, Edmond Zhulali fiton çmimin e parë dhe të drejtën për të përfaqësuar Shqipërinë në Europë. Mezi ka pritur artdashësi ynë një konkurim të tillë ambicioz dhe dinjitoz. Se pas Stambollit, në të gjitha edicionet e këtij evenimenti të madh artistik, kemi marrë pjesë, por asgjë nuk mbajmë mend... Aq sa ndonjëherë na ngjan sikur kemi munguar. Sepse, para se të kërkosh që të përfaqësosh vendin, duhet të ndjesh. Thamë, ka muaj që nuk punon për vete, por për Shqipërinë, Edmond Zhulali. E ka ndjerë se ç'peshë ka përfaqësimi i kulturës kombëtare, më 2004 në Stamboll, tek ka shpalosur flamurin kuqezi pas atij suksesi të merituar. Ndaj, i vuri drynin aktivitetit privat që të mbante sa më me shkëlqim këngën që do të këndohet në Sallën e Kremlinit. Sepse nga do që ta rrotullosh dhe ta shikosh këtë përfaqësim të shfaqet egoja dhe dinjiteti i kombit shqiptar. Dhe jo vetëm Zhulali e shpalos këtë ndjeshmëri...

Edhe Kejsi më shumë se sa çmimit, i detyrohet përfaqësimit. As që e kishte menduar, se kaq shpejt do i rriste madhështitë e skenave. Mezi priste fundin e dhjetorit që të ndiqte në televizor, atë festival aq të mirëpritur nga artdashësit shqiptarë. Gjithçka, nga skena, këngëtarët dhe salla e Pallatit të Kongreseve, i ngjante magjike. Ëndrra më e madhe që mund t'i ketë shkuar ndonjëherë ndër mendje, mund të ketë qenë që atë spektakël mund ta shikonte e ulur, në atë sallë. Por ja që koha i bëri realitet edhe ato dëshira, që ajo nuk kishte guxuar t'i mendonte. Ndaj dhe ishte aq e qetë dhe e sigurtë në natën e parë të konkurimit. Ndjehej si në një përrallë... Kujton se një ditë më parë kishte pësuar një ftohje të lehtë. Kishte frikë se mos i gërvishtej zëri kur të interpretonte në natën e parë. Nuk i tregoi njeriu për sikletin që kishte. Ajo këndoi shumë bukur. Më shumë se sa e ftohta e gërvishti emocioni... Natën e dytë dhe të tretë, shkëlqeu. E uruan kolegët për atë interpretim brilant gjatë festimit sëbashku deri në orën 2 të natës. Më pas, kaloi në një lokal tjetër, më pak luksoz, por shumë herë më magjik në ndjesi. Ishin 20-30 pjesëtarë të afërt të fisit, me të cilët gëzoi deri sa feksi dielli...

Kishte fituar Festivalin e Këngës së Lehtë në Shqipëri. Hajde po deshe dhe përfytyro axhendën e gëzimit, nëse ajo realizon ëndrrën e madhe. Të ndodhi mrekullia, se edhe hallin e Gimit do ta zgjidhë Qeveria...

TJETËR HALL KA POETI AGIM DOÇI...

E dinim që do të ishte shumë herë më entuziast, Agim Doçi... Suksesin e Stambollit nuk lë vend pa e kujtuar dhe përmenduar. Dhe bën mirë që krenohet e mburret, pasi edhe aty, ka pjesën e vet. Fakti që edhe në këtë këngë është po autor i tekstit duhej dëgjuar edhe mendimi i tij, ndërsa për të besuar është në dëshirën e lexuesit...

- Nuk e diskutoj që do të shpallet fituese Kejsi Tola, por kam tjetër hall. A do të planifikojë buxhetin e duhur qeveria, për të ndërtuar sallën e madhe që të bëjmë festivalin e ardhshëm evropian, në Tiranë...

A thua se sot data është 28 maj?! Gjithsesi, çdo fjalë e mirë vetëm se e lezeton dhe e bën edhe më të këndshëm, këtë prag festivali.

Gimi, të thotë se "në Stamboll, me Anjezën e ndjeva veten më mirë, ndërsa në Moskë me Kejsin, është më bukur". Sigurinë, ia adreson bashkëpunimit dhe mbështetjes së jashtëzakonshme të Radiotelevizionit Publik Shqiptar. Notë maksimale i jep edhe përkthyeses së këngës në anglisht, zonjës June Tailour (Myftari). Gjithë dëshirë dhe emocion të reciton në anglisht poezinë e vet, sikur ta ketë shkruar dikush tjetër. Thotë se, ajo zonjë e ka "shkruar" më bukur në anglisht se sa unë në shqip. Gimi nuk rresht për të të gëzuar dhe besuar... Kujton se vitet e fundit për shqiptarët, kanë qenë shumë të mbara. Përmend pavarësinë e Kosovës dhe hyrjen e Shqipërisë në NATO. Shpreson që fati të jetë përsëri me ne edhe në Moskë, duke na dhënë shansin e madh që vitin e ardhshëm, Evropa të këndojë në mes të Tiranës.

Nuk e ka të vështirë dhe as që lodhet, për të treguar edhe shenjat pse kjo, do të ndodhë vërtetë... Në Stamboll, ai pallat i madh me 35 mijë vende mbante emrin "Ibrahim Pasha", një gjeneral turk, me origjinë nga Presheva. Në Moskë, Salla e Kremlinit, është rikonstrukturuar dhe hijeshuar nga biznesmeni kosovar Bexhet Pacolli. Ja pse beson se do të ndodhë mrekullia. Për më tepër, ndryshe nga herët e tjera, në kryeqytetin rus, nuk do të konkurohet me ego artisti, por me ambicjen dhe krenarinë shqiptare.

Të shpresojmë, se do të ledhatohemi edhe nga fati.

Entuziasmi i Zhulalit nis dhe mbaron te logoja e festivalit të kaluar...

"Nuk mjaftojnë pikët e fqinjëve për të fituar festivalin!"- ishte logoja e Festivalit Europian, të vitit të kaluar. Ju fiksua në mendje ky postulat mjeshtrit Zhulali ato ditë, për t'iu rikujtuar po aq ngacmueshëm, pak çaste pasi kishte fituar Çmimin e Parë në Festivalin Kombëtar të Këngës në RTSH. E lehtë në të kuptuar ajo logo, por jo dhe aq në të zbatuar. Për më tepër, në një kompozitor siç është Edmond Zhulali, që e gjithë krijimtaria e tij artistike, motivohet dhe përshkohet nga elementë të folklorit kombëtar. Pikërisht, këtu qëndron edhe mjeshtëria e kompozitorit tonë të shquar që denjësisht na ka përfaqësuar në europian. Natyrshëm, ka ditur të gërshetojë edhe në këtë këngë, modernen me motivin shqiptar. Kjo ndjeshmëri artistike, u dëshmua veçanërisht gjatë ditëve që kreu regjistrimin audio dhe vidioklipin e këngës në Gjermani. Jo më pak se ajo studio dhe disiplinë artistike gjermane, për të realizuar atë mesatare të artë të shijes europiane, ndihmuan mimikat e specialistëve që përdornin atë teknologji moderne. Gjatë regjistrimit, Mondi më shumë punoi me sy se sa me veshë... Sa herë që ndjeheshin elementë të instrumentave folklorikë shqiptare dhe reagimi në fytyrat e tyre ishte i theksuar, Mondi diçka zbuste. Kështu, me orë dhe ditë të tëra, deri sa kënga shqiptare arriti parametrat e saktë, të harmonizimit të modernes me kombëtaren... Ja ka ndjerë lezetin kësaj pune, në dhjetra komente dhe urime që i janë adresuar këngës sonë në internet nga adhuruesit belg, holandezë, norvegjezë, gjermanë, polakë... Dhe kur vlerësimi dhe pikët të vinë edhe nga shtetet jo fqinjë, doemos që e ndjen veten më pranë asaj që ëndërron.



Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Sa do të rrinë forcat te Kroi i Vitakut? (04.30.2009)
Mbi 30 milionë shqiptarë në 83 shtete të botës (04.28.2009)
SHBA: Promovohet libri i Balliut "Zonja e zezë Nexhmije Hoxha" (04.27.2009)
Rufi Osmani kërkon marrëveshje të re ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve (04.26.2009)
Hashim Thaçi: Batalioni Atlantiku imazhi perëndimor i UÇKsë (04.24.2009)
Berisha: Turistët kosovarë këtë verë vijnë në Shqipëri nëpërmjet rrugës Durrës-Kukës (04.23.2009)
Osman Mula: Pse e dua më shumë Shkodrën se Tiranën (04.23.2009)
I madhi Karl Gega nuk ishte aq i vogël sa të vriste veten (04.17.2009)
Ardian Fullani: Shqipëria duhet medoemos të përfitojë nga fondi që 20 vendet më të fuqishme akorduan për FMN (04.16.2009)
Pavarësia dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (04.16.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lartë]