VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - NË GJURMËT E NJË EMISIONI ME NJË KRYEKOMUNISTNga Prof. dr. ESHREF YMERI

                                                                                      

E Djelë, 05.19.2024, 10:13pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 

NË GJURMËT E NJË EMISIONI ME NJË KRYEKOMUNIST

Nga Prof. dr. ESHREF YMERI


E Hënë, 05.16.2011, 01:54pm (GMT+1)

Në kuadrin e fushatës zgjedhore për vendoret e 08 majit, në mbrëmjen e 22 prillit 2011, në studion e TV as, gazetarja e mirënjohur zonja Eni Vasili, kishte ftuar Kryetarin e Partisë Komuniste të Shqipërisë, ish-kandidatin e kësaj partie për Kryetar Bashkie të Tiranës, zotin Hysni Milloshi. Nuk e quaj me vend të futem në hollësitë e atij emisioni, i cili, fare rastësisht, përputhej edhe me 141-vjetorin e lindjes së Vladimir Iliç Leninit. Këtu dëshiroj të ndalem vetëm në përgjigjen e zotit Milloshi ndaj një ndërhyrjeje me shumë vend të zonjës Vasili. Në bisedë e sipër, zonja Vasili i tha zotit Milloshi se në kohën e komunizmit janë bërë shumë vrasje. Në përgjigjen e vet, zoti Milloshi u mundua t'i minimizonte vrasjet në fjalë, duke deklaruar se ishin vrarë ata që kishin bërë krime gjatë luftës dhe në vitet e para pas luftës. Madje zoti Milloshi iu drejtua zonjës Vasili me një kundërpyetje: "Ku janë krimet e tjera?"

Këtu nuk është vendi të ndalem në vrasjet e shumta që enverizmi kreu në radhët e popullit shqiptar gjatë 46 vjetëve të sundimit të tij të egër. Ato vrasje dhe në tërësi të gjitha krimet e tij, janë të evidentuara në dokumentacionin mjaft të pasur të shoqatave të të përndjekurve politikë, në rojtinat e Ministrisë së Brendshme dhe në stendat e Muzeut Kombëtar. Këtu dëshiroj të ndalem në ato vrasje, dëshmitar i të cilave ka qenë mbarë populli shqiptar, vrasje këto, që kanë qenë tepër të prekshme për çdo individ me vetëdije kombëtare.

Vrasja me armën e urisë

Gjatë luftës komunizmi enverian, një hibrid bastard ky i komunizmit titist, i pati premtuar popullit shqiptar, se pas çlirimit të vendit, kur komunistët të merrnin pushtetin, njerëzit do të hanin me lugë të florinjtë.

Në të vërtetë, komunizmi enverian, me të marrë pushtetin pas 28 nëntorit të vitit 1944, mbarë popullin e vuri në një dietë të paparë ndonjëherë në historinë e tij shumëshekullore. Vendosja e sistemit të triskëtimit dëshmoi në praktikë se sa mjeshtër të mashtrimit kishin qenë komunistët enverianë për atë punën e lugës së florinjtë. Gjatë kohës së sistemit të triskëtimit, i cili u hoq në vitin 1959, popullit shqiptar iu desh të përballonte prova shumë të rënda për sigurimin e mbijetesës së vet. Ato ishin vitet e shtrëngimit të rripit deri atje ku nuk mbante më.

Asokohe, qeveria amerikane, duke qenë e mirinformuar për situatën e rëndë ekonomike që po përballonte populli shqiptar, në vitin 1955, me ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të Presidentit Ajzenhauer (Eisenhower), vendosi t'i dhuronte atij ca ndima me ushqime që arrinin në masën deri në 850 mijë dollarë. Në atë periudhë, diktatori Enver Hoxha e kishte lidhur Shqipërinë pas qerres së Bashkimit Sovjetik. Prandaj ato ndihmat amerikane "refuzohen me përbuzje nga Moska, gjashtë orë para se të refuzoheshin nga qeveria e Tiranës". (Citohet sipas: Idriz Lamaj. "Komiteti Kombëtar Shqipëria e Lirë". New York - 2000, f. 35).

Në gazetën "New York Times" të datës 16 mars 1955, është botuar një letër që Hasan Dosti i drejtonte kryeredaktorit të saj lidhur me ndihmat në fjalë. Në atë letër, ndër të tjera, ai theksonte:

"...Qeveria shqiptare, si kurdoherë e pamëshirshme për vuajtjet e popullit, e refuzoi këtë gjest të miqësisë amerikane. Shpresoj se lexuesit e gazetës The New York Times nuk do të mungojnë të shënojnë këtë provë me rëndësi të madhe të çnjerëzimit komunist..." (po aty, f. 35-36)

Ato ndihma "ishin dërguar me anije në bregdetin adriatik, afër ujërave territoriale të Shqipërisë. Pasi ato nuk i pranoi Shqipëria, iu dhuruan Jugosllavisë. Titoja mezi priste t'i merrte ndihmat, duke thënë se "nuk ka rëndësi a më lavdëron mua apo Amerikën populli kur të ketë barkun e ngopur". Kjo shprehje e Titos zuri vend në shumë gazeta të kohës..." (po aty, f. 36).

Pra, uria ishte një armë e tmerrshme që popullin e vriste dalëngadalë dhe si pa u kuptuar. Kjo ishte një vrasje masive, e cila kuotat e saj më të larta i njohu gjatë viteve '80 të shekullit të kaluar, kur rreziku i degjenerimit gjenetik të popullit shqiptar, sidomos të fëmijëve dhe të brezit të ri, ishte bërë kërcënues, për shkak të mungesës së yndyrnave dhe të proteinave në ushqimin e tij të përditshëm. Situata ekonomike skandaloze e viteve '80 i vuri vulën përfundimisht natyrës kriminale të komunizmit enverian. Ajo qe bilanci më kuptimplotë i asaj diktature të egër, e cila fundin e vet të turpshëm në dhjetor të vitit 1990, kishte filluar ta përgatiste me duart e veta që të nesërmen e 28 nëntorit të vitit 1944.

Në gjuhën shqipe ne kemi një fjalë të urtë shumë të bukur: "Notari duket në të dalë". Dhe "notari komunist enverian", në dhjetor të vitit 1990, "garën" e vet 46-vjeçare, në sytë e popullit shqiptar, e mbylli me dështim të plotë, duke lënë pas një popull të vrarë nga uria dhe një tufë kriminelësh kryekomunistë, të mbyllur brenda bllokut famëkeq, të rrethuar me ushtarë të armatosur deri në dhëmbë.

Artin e vrasjes me anë të urisë, si një mjet të pamëshirshëm të rraskapitjes së ngadaltë të një populli të tërë, Enver Hoxha e ka pas zotëruar në përsosmëri. Se një popull të uritur është shumë më lehtë për ta sunduar.

Një publicist mjaft i njohur tregon:

"Në një situatë emergjence, Lezha kishte mbetur pa bukë. Përmbytjet e mëdha e kishin bërë të pamundur furnizimin. Sekretari i parë i atëhershëm, Seit Bushati, për të shpëtuar popullin, kishte përdorur rezervat e shtetit, në kundërshtim me ligjet që thoshin se "ato mund të preken vetëm me urdhër nga lart". Kur e merr vesh "Enveri ynë", e thërret dhe i bën gjëmën, a thua se ai i gjori sekretar kishte bërë ndonjë krim që kishte shpëtuar popullin nga uria që po e kërcënonte me vdekje". (Citohet sipas: Andon Dede. "Dialogje me të tjerët dhe me vetveten. Shkrime pa censurë". Shtëpia Botuese "Globus R". Tiranë 2010, f. 152).

Vrasja e vetëdijes kombëtare

Komunistët enverianë, sapo morëm fuqinë, në themel të kursit të tyre politik vendosën internacionalizmin proletar, i cili u shndërrua në ideologji sunduese gjatë tërë kohës së qëndrimit të tyre në pushtet. Kjo ideologji paradoksale rezultoi kobëndjellëse për fatet e mbarë kombit shqiptar në Gadishullin Ballkanik. Në vitin 1944, kur Partia Komuniste e Shqipërisë hipi në pushtet, kishin kaluar vetëm 31 vjet që nga viti 1913, kur shovinizmi evropian kishte copëtuar trojet tona etnike, për të kënaqur epshet shoviniste të sllavogrekëve. Në këto kushte, komunistët enverianë, në vend që në themel të orientimit të tyre politik, të vendosnin ideologjinë kombëtare dhe të ngrinin zërin për padrejtësinë e madhe që i ishte bërë kombit shqiptar, ata, përkundrazi, e lidhën vendin tonë pas qerres së sllavizmit, armikut shekullor të kombit tonë. Braktisja e ideologjisë kombëtare, që solli si pasojë vrasjen e vetëdijes kombëtare u konkretizua në disa drejtime:

Së pari, në heshtjen tërësore për tragjizmin që Evropa i kishte shkaktuar kombit tonë, heshtje kjo që u respektua me nje vijimësi shembullore në të gjitha forumet ndërkombëtare, aq më tepër kur Shqipëria, që prej vitit 1955, ishte anëtare me të drejta të plota e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Breza të tërë politikanësh dhe diplomatësh të huaj, gjatë 46 vjetëve, nga goja e përfaqësuesve shqiptarë, nuk dëgjuan as edhe një fjalë të vetme se në Gadishullin Ballkanik ekzistonte një çështje kombëtare shqiptare dhe që trojet tona etnike vazhdonin të kullonin gjak matanë kufijve zyrtarë të Shqipërisë Londineze.

Së dyti, në mohimin konkret brenda vendit të çështjes sonë kombëtare, e cila asnjëherë nuk e gjeti pasqyrimin e vet në tekstet e historisë dhe të gjeografisë së Shqipërisë për shkollat tona. Kësisoj në radhët e brezit të ri erdhi e u krijua bindja se Shqipëri na qenkej vetëm kjo ngastër prej 28 mijë kilometrash katrorë që i kishte shpëtuar thikës së kasapëve evropianë falë ndërhyrjes së Presidentit Uillson në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919. Prandaj edhe brenda vendit, breza të tërë të rinjsh, nga politika zyrtare e komunistëve enverianë, nuk e mësuan dot kurrë të vërtetën për sakatimin e trojeve tona etnike dhe për fatin e vëllezërve tanë që mbetën nën sundimin e shovinistëve fqinj.

Së treti, në qëndrimin ndaj popullit shqiptar të Kosovës dhe të trojeve të tjera etnike që lëngonte nën sundimin e shovinizmit serbomadh.

Shovinistët serbomëdhenj, në kushtet e krijuara pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste më 1939 dhe të Jugosllavisë prej trupave hitleriane në prill të vitit 1941, filluan të shqetësoheshin për faktin se forcat nacionaliste shqiptare, në kuadrin e luftës kundër fashizmit, do të kërkonin edhe zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare, përmes ribashkimit të trojeve tona etnike të përtej kufirit me atdheun amë. Prandaj ata nxituan të dërgonin në Shqipëri emisarët e vet për themelimin e Partisë Komuniste Shqiptare, e cila do t'u shërbente atyre me shumë besnikëri për ngrirjen e zgjidhjes së çështjes sonë kombëtare. Për arritjen e këtij qëllimi, atyre u duhej të gjenin dhe të vendosnin në krye të kësaj partie një njeri besnik, të cilin e pikasën në figurën e Enver Hoxhës, si një njeri ky që përfaqësonte në vetvete një bastard të kulluar, të zhveshur tërësisht nga çdolloj morali kombëtar. Për të qenë konkret se cili ishte Enver Hoxha, këtu lexuesve të respektuar dëshiroj t'u citoj fjalët e bashkëqytetarit të tij, nga fisi i nderuar i Kokalarëve, intelektualit të shquar Muntaz Kokalari, i cili shkruante se Shqipëria e gjorë "ka rënë në duart e një njeriu të përbindshëm, tinëzar, hakmarrës, inatçi, dinak, megaloman, egoist që i do njerëzit nën vete, kumarxhi, gënjeshtar, që edhe kur qe jashtë për studime nuk dha asnjë provim, mbeti pas kabareve, kazinove etj. Fëlliqi botën me borxhe. Ne intelektualët gjirokastritë ia dimë të gjitha dhe sa i vlen lëkura, prandaj kërkon të na asgjësojë..." (Citohet sipas: Ylldije Sulka. "Fytyra e vërtetë e Enver Hoxhës". Marrë nga faqja e internetit. 15 korrik 2010).

Gjatë luftës antifashiste, emisarët jugosllavë morën situatën në dorë dhe Partinë Komuniste të Shqipërisë e vunë nën këmbë Në këto kushte, nacionalistët shqiptarë kërkuan bashkërendimin e përpjekjeve me komunistët enverianë, për të vënë në rrugën e zgjidhjes çështjen e ribashkimit të Kosovës me atdheun amë. Si rezultat i përpjekjeve të tyre, u organizua Konferenca e Mukjes, e cila doli me një rezolutë të përbashkët për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Por kur rezoluta në fjalë ra në duart e Miladin Popoviçit, ky, pasi e lexoi, e bëri shuk dhe ia përplasi fort në fytyrë Enver Hoxhës. Dhe Enver "trimi" uli bishtin para "agait" të Beogradit, tamam si ndonjë qen i rrahur. Kjo skenë e turpshme për dinjitetin tonë kombëtar, zhvillohej në fshatin Panarit të Korçës.

Pas hedhjes poshtë të rezolutës së Mukjes, me nxitjen e emisarëve jugosllavë, në radhët e Partisë Komuniste të Shqipërisë fillon një fushatë e shfrenuar urrejtjeje kundër popullit shqiptar të Kosovës. Intelektuali i shquar Kosovar, Prof.dr. Rexhep Krasniqi (1906-2000) kujton:

"Menjëherë pas prishjes së marrëveshjes së Mukjes, gusht 1943, Partia Komuniste e Shqipërisë, sigurisht me shtyrjen e organizatorëve të saj jugosllavë, filloi një fushatë të ashpër propagandistike dhe vëllavrasjeje, sidomos kundër anëtarëve të Ballit Kombëtar, Njëkohësisht, komunistët organizojnë një fushatë të gjerë pëshpëritjesh dhe në shtypin e tyre kundër Kosovës dhe kosovarëve, me qëllim të kalkuluar për të diskredituar idenë e Shqipërisë Etnike, me të cilën Balli Kombëtar kishte fituar një plus në popull... U vunë në qarkullim gjithfarë shpifjesh të ndyra, si, bie fjala, kosovarët janë një masë injorante që kishin për të rrezikuar ekuilibrin e përbërjes së popullsisë shtetërore shqiptare, se ata janë katila, vrasin rininë tonë të pafajshme, çnderojnë vajzat tona, plaçkisin tregtarët dhe fshatarët e njëmijë të zeza të tjera". (Citohet sipas: Idriz Lamaj. "Xhafer Deva në dritën e letrave të veta dhe zbulesa të tjera të mërgatës". New York - 2002, f. 29-30).

Gjithë këtë arsenal shpifjesh kundër popullit shqiptar të Kosovës, Partia Komuniste e Shqipërisë dhe personalisht krimineli Enver Hoxha, e kishin huazuar nga rojtinat shekullore të shovinizmit serbomadh. Kjo fushatë shpifjesh kundër vëllezërve tanë kosovarë, që pati nisur në vitet e luftës, vazhdoi në heshtje po me të njëjtin intensitet edhe gjatë sundimit gati gjysmëshekullor të komunizmit enverian. Prandaj edhe të gjithë vëllezërit tanë kosovarë që kalonin kufirin, për t'i shpëtuar egërsisë së shtypjes serbe, me shpresë se do të gjenin ngrohtësinë e vëllezërve të tyre të gjakut në atdheun amë, komunistët enverianë i kthenin mbrapsht, duke ia dorëzuar në dorë shërbimit sekret serb për t'i torturuar, burgosur apo pushkatuar.

Një vrasje e tillë e vetëdijes kombëtare i kishte lënë pasojat e veta edhe në radhët e klasës politike të Tiranës që erdhi në pushtet pas shembjes së sistemit komunist. Një dukuri e tillë tragjike u bë tëpër e prekshme në qëndrimin e saj ndaj krimeve të shovinizmit serbomadh kundër Kosovës në fundin e viteve '90. Në vend që të organizonte mbarë popullin shqiptar të Shqipërisë Londineze në demonstrata të fuqishme dhe të pandërprera kundër shovinizmit serbomadh, klasa në fjalë zgjodhi rrugën e heshtjes së pahijshme, çka vërtetoi fare shkoqur se ajo kishte mbetur trashëgimtare e mendësisë enveriste në qëndrimin ndaj vëllezërve tanë kosovarë.

Komunizmi enverian e kishte vrarë aq rëndë vetëdijen kombëtare të popullit shqiptar, saqë ky e kishte humbur ndjenjën e vetorganizimit për t'u ngritur në demonstrata të fuqishme në mbrojtje të Kosovës nga krimet barbare të shovinizmit serbomadh dhe për t'i bërë sfidë të hapur klasës politike të Tiranës.

Vrasja e vetëdijes kombëtare të popullit shqiptar është manifestuar në mungesën e vetorganizimit edhe kundër lëshimeve që klasa politike e Tiranës i ka bërë dhe vazhdon t'i bëjë shovinizmit të leckosur grekomadh, në dëm të interesave tona kombëtare.

Së katërti, në mohimin e çështjes çame. Ashtu si çështjes së Kosovës, edhe çështjes çame, komunizmi enverian i vuri përsipër gurin e rëndë të heshtjes së madhe. Për ta quajtur të mbyllur çështjen çame, shteti komunist i Enver Hoxhës, çamët e shpërngulur me dhunë drejt Shqipërisë Londineze, i detyroi të merrnin shtetësi shqiptare. Qëndrimi i pakuptimtë i komunizmit enverian ndaj kësaj çështjeje madhore të kombit shqiptar, erdhi e mori nota edhe më paradoksale pas pranimit të Shqipërisë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Greqinë në vitin 1971, pa kërkuar si një nga parakushtet kryesore njohjen e çështjes çame. Ky ishte një lëshim shumë i rëndë që Enver Hoxha i bëri shovinizmit grekomadh, në dëm të interesave tona kombëtare. Ky qëndrim i Enver Hoxhës nuk mund të vlerësohet ndryshe, veçse si vrasje e pastër e çështjes çame që ishte pjesë e vrasjes së vetëdijes kombëtare.

Vrasja e vetëdijes kombëtare ishte po aq e rëndë, sa edhe vrasja fizike e kundërshtarëve të regjimit komunist. Por, me sa duket, vrasja e vetëdijes kombëtare, të cilën Enver Hoxha e realizoi shkallë-shkallë përmes ideologjisë së internacionalizmit proletar, ndodhej jashtë këndvështrimit të zotit Hysni Milloshi. Prandaj zgjerimin e këndvështrimit të zotit Milloshi në këtë pikë, duhej ta kishte bërë oponenti që zonja Vasili kishte ftuar përballë tij. Ky oponent ishte zoti Mustafa Nano. Ky zoti Nano është pothuajse i ftuar i përhershëm i zonjës Vasili në studion e saj, përballë përfaqësuesve të shumicës qeverisëse. E kam ndjekur zotin Nano në një emision kur kishte përballë zotin Ylli Manjani. Në një rast, në debat e sipër, ai iu drejtuar zotit Manjani, duke përdorur një leksik tepër vulgar në adresë të zotit Rama dhe të zotit Meta. Më 25 shkurt 2011, kur kishte përballë zotin Artan Hoxha, ai iu turr këtij të fundit po me të njëjtin leksik të pahijshëm, duke fyer rëndë zëvendëssekretarin e shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zotin Xhejms Steinberg (James Steinberg), i cili asokohe bëri një vizitë në vendin tonë. Po në atë emision, arsenalin e vulgaritetit të vet, zoti Nano e pasuroi edhe më shumë me një fyerje shumë të rëndë që lëshoi në adresë të ish-Presidentit Bush (i riu). Mirë do të kishte qenë që zonja Vasili të ndërhynte dhe t'i tregonte vendin zotit Nano për atë fyerje të rëndë që i bëhej jo vetëm elektoratit amerikan, por edhe banorëve të thjeshtë të qytetit të Fushë-Krujës, të cilët më 10 qershor 2007, Presidentin Bush e pritën me një përzemërsi të jashtëzakonshme. Aq më tepër kur Presidenti Bush ishte edhe arkitekti i vërtetë i shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Për sa më sipër, nuk ishte aspak e udhës që përballë kryekomunistit Milloshi, që është historian, të ulej një njeri që nuk rrezaton kulturë, që fyen me një leksik vulgar jo vetëm figura të huaja, të nderuara për kombin shqiptar, por edhe masën e gjerë të teleshikuesve të këtij kanali të informimit masiv. Përballë zotit Milloshi duhej të ulej një historian, specialist i periudhës së sundimit të egër 46-vjeçar të komunizmit enverian.

Santa Barbara, Kaliforni

14 maj 2011

 

Prof. dr. ESHREF YMERI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
HAPET NË TIRANË NJË UNIVERSITET TEOLOGJIK ISLAM (05.16.2011)
REAGIM NDAJ TEZËS KONFEDERALE SHQIPËRI - KOSOVËNga CENË PUSHKOLLI (05.13.2011)
SI E KAM NJOHUR GAZETARIN E ROJTERIT KURT SHORKNga REXHEP SHAHU (05.13.2011)
KOSOVA PO MBLEDH FAKTET PËR KRIMET E KRYERA NGA SERBIA (05.12.2011)
NJË REVISTË RUMUNE DEDIKUAR SHQIPËRISËNga BAKI YMERI (Bukuresht) (05.12.2011)
13 VJET PUNE TË SUKSESSHME TË RTV21 (05.11.2011)
NË BORÃ…S TË SUEDISË DOLI NGA SHTYPI NË SUEDISHT LIBRI PËR FËMIJË DHE TË RINJ "BUBULINO" I VIRON KONËSNga SOKOL DEMAKU (05.11.2011)
RIZA HALIMI KUNDËR HAPJES SË ÇËSHTJES SË KUFIJVE (05.10.2011)
GJUHA GJERMANE NË SHKOLLAT E ULQINIT QË NGA KLASA E PARËNga VERA KATANA (05.09.2011)
ARTI DHE KULTURA NË FUNKSION TË IDENTITETIT KOMBËTAR(Remzi Limani, ESE KRITIKE, Prishtinë, 2011) Nga BAKI YMERI (Bukuresht) (05.09.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lartë]