VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - MARIE COLVIN: SHTËPITË E HESHTURA TË TË VDEKURVE NË KOSOVËTEK SHTËPIA E JASHARAJVE NË PREKAZ

                                                                                      

E Djelë, 04.28.2024, 01:19pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
MARIE COLVIN: SHTËPITË E HESHTURA TË TË VDEKURVE NË KOSOVË
TEK SHTËPIA E JASHARAJVE NË PREKAZ

E Shtunë, 02.25.2012, 07:59pm (GMT+1)


Ky raport qe publikuar në gazetën britanike "The Sunday Times", më 15 mars të vitit 1998, nga gazetarja amerikane Marie Colvin, e cila u vra të mërkurën në Siri.

Kosovë, mars-maj 1998 'Gjëja e fundit që i kujtohet Besartës nga familja e saj është se xhaxha Ademi po këndonte këngë popullore shqiptare me zë, për ta mundur zhurmën dhe për të penguar panikun. Asaj i kujtohet çasti kur kënga u ndal. Pastaj, për 36 orë, vetëm zhurma e bombave mund të dëgjohej', shkruante Marie Colvin në "The Sunday Times" katërmbëdhjetë vjet më parë. E tëra që kuptonte 11-vjeçarja Besarta Jashari ishte se predhat artilerike nuk po e godisnin më shtëpinë e saj. Tashmë kaq orë zhurma kishte qenë e padurueshme. Derisa ajo shtrëngohej nën magje, të cilën nëna e saj e përdorte për ta përgatitur bukën, tavani kishte rënë dhe muret dukej se shperthenin. Tani ishte heshtja ajo që e tmerronte. Duke u ngulfatur nga tymi dhe pluhuri, ajo bërtiti duke e kërkuar nënën.

Duke qarë derisa po zvarritej nëpër gërmadha, ajo gjeti motrat e saj, Lirien dhjetëvjeçare, Fatimen tetëvjeçare dhe shtatëvjeçaren Blerina. Ajo u mundua t'i zgjonte dhe u mbulua me gjak deri kur e pa se ato kishin vdekur. Pastaj Besarta pa vëllezërit e saj: Selvetin 20 vjec, Afetin 17 vjec, Besimin 14 vjec dhe Blerimin 12 vjec. Ata gjithnjë i ishin dukur aq të fuqishëm. Tani, të gjithë ishin të vdekur. Në fund, atje ishte nëna e saj, Feridja, me flokët e shndritshëm të zinj dhe zërin që gjithnjë e bënte të ndihej mirë Besartën. Ajo qëndronte e shtrirë në tokë dhe kurrë më nuk do të përgjigjej në thirrjen "nënë" të së bijës.

Besarta kaloi nëpër një vrimë në mur dhe vrapoi përreth shtëpisë, duke bërtitur "Dikush... a është dikush ende gjallë?". Kur askush nuk iu përgjigj, ajo u kthye nën magje. Pushimi midis granatimeve kishte qenë tejet i shkurtër. Besarta do të kalonte tërë natën dhe ditën e vetme, me familjen e vdekur rreth saj, derisa raketat serbe binin një nga një, duke u përplasur në shtëpinë me kulmin e kuq, që dikur kishte qenë shtëpia e saj. Besarta, një nxënëse e mirë dhe e lumtur, ishte e mbijetuara e vetme e një sulmi, i cili tani mund të shpaloset si asgjë më pak sesa një masakër e kalkuluar dhe gjakftohtë.

Shtëpia në Prekaz, fshatin me peizazhin pastoral, midis arave të punuara me mjeshtri, kodrave në afërsi, i kishte strehuar 22 anëtarë të familjeve të dy vëllezërve, Hamëz Jasharit, babait të Besartës, dhe Adem Jasharit, xhaxhait të saj shqiptarë të Kosovës, provincës më jugore të asaj që ka mbetur nga Jugosllavia e drejtuar prej serbëve. Vdekjet e tyre nuk ishin aksident i luftës. Unë e kam përmbledhur tmerrin e javës së kaluar nga ajo që Besarta që tani po fshihet në qytezën e afërme të Skënderajt u kishte thënë të afërmve, që arritën të iknin nga shtëpitë e tjera në Prekaz. Unë i pashë vrimat nëpër kulmet dhe muret e tri shtëpive të Jasharëve në kompleks një shtëpi e gjyshërve të Besartës dhe shtëpitë e Hamzës dhe Ademit si dhe gropëzat e lëna nga mitralozat e përdorur në një distancë të afërme në mure. Në oborrin e përbaltur shiheshin të shpërndara gjësendet e familjarëve që dikur jetonin këtu: një çantë djemsh; kartolina nga të afërmit në Gjermani dhe një antenë satelitore, që ishte bërë shoshë nga fishekët. Koni dhe bishti i dy raketave mund të shiheshin midis gërmadhash.

Dje, e tëra që lëvizte në kompleks, që dikur vlonte nga fëmijët, ishin dy lopë dhe një numër pulash, që po kërkonin nëpër gërmadha. Në anën tjetër të rrugës së përbaltur, që kalon para kompleksit, ishin 51 varre të reja. Atje ishte vendi i prehjes së Jasharëve që jetonin në shtëpi, katër të afërmve që u vranë në afërsi dhe fqinjëve që ia penguan rrugën forcave serbe.

Nuk ka dyshim se vëllezërit Jashari ishin të lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, një forcë militante që u shfaq nëntorin e kaluar, e përkushtuar të luftojë për interesat e shqiptarëve, që përbëjnë 90 për qind të popullatës së Kosovës. Ata e kishin humbur durimin nga politikat e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kjo lidhje përkrah rezistencën pasive ndaj taktikave brutale të Slobodan Milosheviqit, presidentit nacionalist serb të Jugosllavisë, i cili e revokoi statusin autonom të provincës rreth dhjetë vjet më parë. Megjithatë, kjo nuk kishte të bënte me vrasjen e terroristëve të dyshimtë gjatë një përleshjeje të armatosur dhe as me pritën e kriminelëve. Ishte sulm ushtarak mbi tri shtëpi familjare pa paralajmërim: mbi burrat, gratë dhe fëmijët, që ndodheshin në gjumë.

Ofensiva serbe mbi luginën e Drenicës, një rajon i fshatrave që paraqesin bastion të rezistencës shqiptare, kishte filluar më 28 shkurt, një ditë pasi që katër policë serbë u vranë në një pritë, derisa po ndiqnin gueriljet e UÇK-së. Pastaj, ata përgatitën sulmin mbi Prekazin, ku Jasharët ishin familja kryesore. Jetish Durmishi, shofer autobusi, mësoi për rrezikun kur një mik i telefonoi nga shtëpia e tij në afërsi të Stacionit lokal policor në Mitrovicë, me paralajmërimin se një konvoj me autobusë përplot me policë serbë ishte nisur në drejtim të Prekazit. Durmishi iku në male, duke e lënë familjen pas; në të kaluarën serbët kishin marrë në cak vetëm burrat. Ai e pa se çfarë ndodhi nga malet mbi kompleksin e Jasharëve.

"Brenda disa minutash, dukej, policia erdhi dhe fshati u rrethua nga një kordon i serbëve", thotë Durmishi. "Ata po qëndronin përgjatë rrugës dhe kordoni i tyre mbërrinte deri në mal". Të shtënat artilerike filluan në orën gjashtë të mëngjesit, nga një bazë serbe mbi Prekazin. Nuk pati paralajmërim. Të parët që u vranë ishin Agat, anëtarët e një familjeje rome, që u përfshinë nga paniku dhe tentuan të iknin nga shtëpia e tyre. Nëna, një djalosh i vogël dhe një vajzë u qëlluan për vdekje në oborrin e tyre. Viktima tjetër ishte Nazmi Jashari, që kishte një kioskë në Prekaz, ku shiste cigare dhe gjëra të ndryshme dhe jetonte përballë kompleksit kryesor të familjes. Ai u mundua që ta bartte nënën e tij të moshuar, Nailen, nga dera e pasme dhe u qëllua para syve të saj. Sinjali ishte i qartë. Secili që do të shihej duke u larguar nga shtëpia do të shndërrohej në cak të snajperëve serbë.

Familja e gjerë e Jasharëve u mblodh në atë që mendonin se ishte dhoma më e sigurt, që kishte një mur të ri me tulla. Mirëpo, ata mbetën të ngujuar. Ata përballeshin me të shtënat, po të dilnin, apo me bombardime, po të qëndronin brenda.
Shumë shpejt granatat po vinin përmes kulmit, e më pas mureve. Gjëja e fundit që i kujtohet Besartës nga familja e saj është se xhaxha, Ademi, po këndonte këngë popullore shqiptare me zë, për ta mundur zhurmën dhe për të penguar panikun. Asaj i kujtohet çasti kur kënga u ndal. Pastaj, për 36 orë, vetëm zhurma e bombave mund të dëgjohej.

Kur menduan se të gjithë brenda kishin vdekur, policia hyri në shtëpi, duke hedhur granata në disa dhoma që ndodheshin para tyre. Një polic bënte rojë, derisa tjetri po shkrepte në drejtim të trupave të pajetë. Mbase ata ishin ngopur duke vrarë, kur e panë Besartën të fshehur.
Mbase menduan se ajo ishte shumë e re për t'i akuzuar. Apo mbase nuk mund ta shikonin në sy një nxënëse të tmerruar dhe ta qëllonin. Megjithatë, ajo është arsyeja që e vërteta mund të tregohet.

"U mundova të shtiresha se kisha vdekur", i kishte treguar ajo xhaxhait të saj, Hilmiut. "Mirëpo, njëri nga ushtarët ma vuri dorën në kraharor dhe e pa se isha gjallë". Ende e veshur me këmishë të kuqe dhe pantallona të zeza, tashmë të mbuluara me gjak, asaj iu desh të kalonte mbi trupat e pajetë të familjes së saj, për të dalë nga dhoma, e rrethuar prej serbëve. Ajo u dërgua në bazën ushtarake në afërsi dhe u mor në pyetje për tri orë. Besarta besonte se shansi i saj i vetëm për të shpëtuar ishte të gënjente. Ajo mohoi të ishte e Jasharëve, duke pohuar se babai i saj jetonte jashtë dhe se ajo kishte qenë vetëm mysafire në kompleks.

"Ata pyetën për babanë tim dhe për mixhën Adem", tregoi ajo. "Unë nuk iu tregova asgjë, asgjë".

Serbët e lanë në një rrugë në Skënderaj, ku ajo iku me vrap në shtëpinë e një shoqeje të shkollës. Dhe, e tmerruar dhe duke e pasur të vështirë të fliste, atë po e mbronin duke e dërguar nga shtëpia në shtëpi. Atë që Besarta nuk e di është se, trupat e pajetë të babait të saj, nënës, xhaxhait, gruas së xhaxhait dhe të të gjithë kushërinjve ishin vendosur në rresht nga policia, në një depo autobusësh në Mitrovicë gjatë javës së kaluar. Kur askush nga familja nuk erdhi për t'i identifikuar, serbët i hodhën në një varr që e kishin hapur, përballë asaj që kishte mbetur nga shtëpia e tyre, duke mos i mbuluar mirë arkivolet. Fshatarët e mbijetuar u kthyen natën për ta kryer punën me respekt. E tëra që mbeti nga familja e Besartës ishte një rresht i qeseve të zeza me numra në stacionin e autobusëve, secila e mbushur me rrobat e përgjakura, që ata i kishin pasur të veshura ditën kur vdiqën.


www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
ME 100 MIJË EURO BËHESH SHQIPTAR? (02.25.2012)
POLITIZIMI I SHOQËRISË NXIT INCIDENTET (02.25.2012)
BOKSIERI SHQIPTAR ORIAL KOLAJ KAMPION I RI ITALIAN I PESHAVE GJYSMË TË RËNDA (02.25.2012)
VEPRIMTARI NË SHENJË TË 100 VJETORIT TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISËNga ABAS FEJZULLAHI (02.24.2012)
CHRISTOPHER DELL: "SHTETIN NUK E BËJNË SIMBOLET POR USHTRIMI I SHTETËSISË" (02.24.2012)
HDPK NDAN MIRËNJOHJE PËR POLICINË E KOSOVËS (02.23.2012)
MJEKËT SHQIPTARË SHPËTOJNË MBI 200 PACIENTË NGA BORA (02.22.2012)
20-21 SHKURT 1272: 740 VJETORI I SHPALLJES SË TË PARËS MBRETËRI TË SHQIPËRISËNga THOMAS FRASHËRI (02.21.2012)
NË ROMË PRITET TË FILLOJË NDESHJA D'AGATA-KOLAJ (02.20.2012)
ANILA LIMANI ËSHTË GAZETARJA MË E MIRË HETUESE NË MAQEDONI (02.18.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lartë]