E Premte, 05.17.2024, 03:43am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
VISAR ZHITI DHE GJYQI I NJU JORKUT
Nga DALIP GRECA

E Shtunë, 03.02.2013, 10:46am (GMT+1)




Zhiti: Në gjyqin e Nju Jorkut unë erdha me shumë qejf, në të parin shkova me urdhër, me zor, në të dytin, me dëshirë-në të parin për të vdekur, në të dytin, për t'u ringjallur së bashku

Të hënën me 18 shkurt, në Royal Regency Hotel, Yonkers-NY, shoqata Albanian-American Freedom House organizoi ballafaqimin, që ajo e paralajmëroi si "Visar Zhiti-Gjyqi i New York-ut".

Pas promovimeve të mëparshme të librit "Grabiani rrëzë kodrave" i Leka Tasit si dhe organizimit të asaj që u cilësua si "Seanca e parë e Gjyqit të Washington-it", ku Bedri Blloshmi pati denoncuar krimet e komunizmit përmes librit-dosje "Fabrikimi i vdekjes", organizatorët këtë radhë kishin zgjedhur një nga shkrimtarët më të shquar, mjeshtrin e penës dhe njeriun që njohu nga afër vuajtjet e ferrit të hetuesisë dhe burgjeve, fituesin e çmimit të madh të Letërsisë Shqipe për vitin 2011, Visar Zhitin dhe dy librat e tij "Ferri çarë" dhe "Rrugët e ferrit".

Takimin e moderoi Hasan Kostreci, i cili pasi i uroi mirëseardhjen shkrimtarit Zhiti dhe pjesëmarrësve, që kishin udhëtuar nga shtete të ndryshme të Amerikës, i ftoi të pranishmit, që të përcillnin së bashku Himnet kombëtare të Amerikës dhe të Shqipërisë.

Më pas, shkrimtari Hasan Kostreci ka prezantuar shkrimtarin Visar Zhiti, jetën dhe veprën e tij letrare, si dhe çmimet ndërkombëtare dhe kombëtare me të cilat është nderuar vepra e tij.

Kostreci ftoi Zef Balën, sponsor të vizitës së tij, i cili i uroi mirëseardhjen shkrimtarit Visar Zhiti. Duke iu drejtuar shkrimtarit me fjalë mirëseardheje, Balaj tha se është mrekulli që keni dalë me mendje të kthjellët nga ferri dhe na sollët veprat e bukura letrare, veçanërisht dy librat që promovojmë sot "Ferri i çarë" dhe "˜Rrugët e ferrit".

Mërgim Korça, publicist, studiues, u shpreh se e quan veten krenar që paraqet krijimtarinë e Visar Zhitit dhe se diskuton një temë, e cila është aq e rëndësishme, dhe se do të jetë një mur ndarës mes letërsisë të ashtuquajtur të realizmit socialist dhe letërsisë së vërtetë të pas rënies së diktaturës, apo të atyre, si Visar Zhiti, që u dënuan për krijimtarinë letrare. Sot, tha Korça, bëhet gjyqi i Nju Jorkut. Natyrisht, ky s'është gjyq juridik, por një gjyq social, një gjyq që e bën shoqëria mes letërsisë të së shkuarës, që s'ishte tjetër gjë, veç ideologjizim, propagandë, së cilës për fat të mirë, i erdhi fundi.

Vepra e Visar Zhitit dallon nga veprat e letërsisë së ndrydhur me parimet e realizmit socialist katërcipërisht. Krijimtaria e Zhitit është një mrekulli, që na bën krenarë dhe ne që e kemi sot në këtë sallë. Visarin po e nderon bota për krijimtarinë e tij. Me ardhjen e shekullit të ri, në "Piazza Navona", në një nga sheshet më të njohura të Romës, 13 vite të shkuara, në festimet e mëdha në Itali, janë vënë vargjet e Visar Zhitit në një pllakatë të madhe. Rëndësi merr ky fakt se në ceremonitë e fillimshekullit, në të njëjtën kohë, po në Romë, në "Piazza Terminie", ishin vënë vargjet e Gëtes. Duke iu drejtuar sallës, Korça tha: Shikoni, pra se çfarë vlerësimi i kanë bërë poetit tonë me gjigantin Gëte! Kjo na bën krenar si shqiptarë. Unë ndjehem sinqerisht i prekur që kemi nderin ta kemi mes nesh poetin dhe shkrimtarin e shquar, Visar Zhiti, tha Korça.

Për vlerësimin e veprës së Visar Zhitit, z. Korça solli dhe artikuj e vlerësime nga shtypi i huaj. Më 21 dhjetor të vitit të shkuar në "Corriere Della Sera", gazeta më e madhe italiane, Visari është quajtur poeti gladiator, dhe në vazhdim janë vënë vlerësime të shkëlqyera. Grasso, e cilëson, muzikant të fjalës, kalorës i varrit të shenjtë, mjek i shpirtërave, zemër parandijuese dhe poet ëngjëll...Pikërisht këtë poet ëngjëll kemi nderin sonte ta kemi këtu mes nesh, tha z. Korça.

Po ashtu ai solli edhe vlerësimet e "La Vocce" në Romë, ku më 29 janar 2013 është shkruar një shkrim nga Davide Brulo, i cili thotë se Visar Zhiti nxjerr përshkëndijme drite që nga errësira e thellë, është artisti që i hedh dritë çnjerëzimit njerëzor, roje në pragun e natës së errët... Visari, shkruan ai, është i kalibrit të Shallamovit, i krahasuar me nobelistin Aleksandr Isayevich Solzhenitsyn. Duke hapur atë që u paralajmërua si gjyqi i Nju Jorkut, Korça iu drejtua sallës: Unë pyes; Sa janë shkrimtarët e realizmit aocialist, të mëdhenjtë e kam fjalën, që propaganda i bëri të mëdhenj, sa do të donin ata që t'i kishin vuajtjet e Visarit, t'i kishin provuar në kurriz, si ndjehen ata nga këto vlerësime për Visarin. Pyetja e tij shkoi më tej: A i keni dëgjuar këta shkrimtarë të mëdhenj të partisë, kur thonë se na janë dhe disidentë? Kjo, argumentoi ai, e bën të domosdoshëm gjyqin në mes letërsisë së Visar Zhitit dhe letërsisë të atyre që ishin zëdhënës të partisë. Prandaj duhet bërë ballafaqimi paralel mes veprës së Visarit dhe asaj të letërsisë së djeshme, që nuk ishte realiste.

"Ferrin e çarë" po e përkthej në gjuhën italiane, njoftoi Korça. Le të mësojë bota se çfarë niveli kanë shkrimtarët e kalibrit të Visarit. Ata të djeshmit po i mbledhin veprat dhe po i retushojnë, tha Korça.

Më pas, folësi kryesor i këtij ballafaqimi, citoi aktekspertizën e Ramazan Vozgës dhe Pandeli Koçit, të cilët ishin parapërgatitës të dosjes hetimore të Visar Zhitit, e cila nga reçensë u kthye në aktekspertizë, nënkupto aktakuzë. Ata hartuan me xhelozinë e tyre profesionale, me ambicjen e njeriut të paaftë, dosjen që e mori Hetuesia dhe e dënoi Visarin me 10 vite burg. Çfarë shkruajnë ata? Citoj: "Edhe pas Plenumit të IV të KQ, Visar Zhiti është bartës idesh të gabuara politike dhe konceptesh dekadente. Ky pseudo poet mbjell barëra helmues në kopështin e pastër letrar, si element armik që është".

Ky gjyq duhet bërë edhe për faktin, se ne e patëm shpallur tradhëtar Patër Gjergj Fishtën, ne dënuam me harresë Lasgush Poradecin, ne bëmë të mëdhenj ata që i shërbyen regjimit komunist, argumentoi Korça në "˜seancat" e gjyqit të New Yorkut. Me këtë frymë, vazhdoi ballafaqimi që i bëri veprës së Visar Zhitit, nga njëra anë dhe letërsisë së realizmit socialist, nga ana tjetër, studiuesi Mërgim Korça.

Mustafa Xhepa, perifrazoi fjalët e Presidentit Bush në Riga dhe akuzoi shoqërinë shqiptare që nuk e ka kryer dënimin e krimeve të komunizmit. Ai solli statistika të detajuara për të dënuarit e komunizmit, për të vdekurit pa gjyq, për të masakruarit, të pushkatuarit, të internuarit. Më pas Xhepa, u ndal në dy veprat e Visar Zhitit "Rrugët e ferrit" dhe "Ferri i çarë", që sipas tij sjellin mesazhin: Dëno krimet e komunizmit! Ky apel bie në rezonancë edhe me Rezolutën dhe rekomandimet e Këshillit të Europës, tha Xhepa. Është kërkuar nga shoqatat e të përndjekurve dënimi i krimeve të komunizmit, hartimi i ligjit të lustracionit, dekomunistizimi i shoqërisë. Dy romanet e Visar Zhitit, janë pasqyrë reale e vuajtjeve të komunizmit, tha Xhepa.

Muhamet Omari, i quajti vepra monumentale dy romanet e Zhitit, testament i gjallë për brezat që vijnë për të parë se çfarë ka ndodhur në Shqipëri, pasqyrë e ferrit, ku familjet tona nacionaliste vuajtën për 50 vjet. Më pas, ai analizoi sistemin komunist shqiptar dhe krimet e tij.

Ilir Spata, bashkëstudent me Visarin në Institutin e Shkodrës, recitoi poezinë "Shokut të prangave".

Duke marrë fjalën Visar Zhiti, tha se ky është një takim i jashtëzakonshëm, është si një ëndërr, që nuk guxonim as ta ëndërronim; kam këtu bashkëvuajtës, që nuk mendonim as se do të dilnim të gjallë nga ferri, e jo më ta ëndërronim që të takoheshim sot këtu. Zhiti falenderoi ata që ia mundësuan këtë takim, Mustafa Xhepën si president i Shtëpisë së Lirisë, Zef Balën, që sponsorizoi udhëtimin, folësit, Mërgim Korçën, Hasan Kostrecin, Muhamet Omarin dhe Ilir Spatën, të gjithë ata që kishin ardhur në këtë aktivitet promovues.

Visari tha se: "Në gjyqin e Nju Jorkut unë erdha me shumë qejf, në të parin shkova me urdhër, me zor, në të dytin, me dëshirë, në të parin për të vdekur, në të dytin, për t'u ringjallur së bashku".

Më pas, shkrimtari Visar Zhiti përcolli esenë "Kujtesa dhe Liria-Rikthim tek Virtytet, -Duke dalë nga Burgologjia mes dy statujave amerikane".

Në këtë veprimtari mori pjesë edhe kryetari i "Vatrës", dr. Gjon Buçaj me zonjën, edhe zv.kryetari Agim Rexhaj dhe dhjetëra vatranë.

Vatra, metafora e kombit!

Shkrimtari i njohur shqiptar, fitues i Çmimit të Madh për Letërsinë për vitin 2011, i dekoruar nga Presidenti i Republikës me titullin "Mjeshtër i Madh" (2012), poeti disident, që u dënua në burgjet e diktaturës komuniste për poezi, përshkruesi mjeshtror i ferrit dantesk të burgjeve shqiptare, të shtunën me 16 shkurt 2013, vizitoi Shtëpinë e "Vatrës". Shkrimtari Zhiti u prit nga kryetari i "Vatrës", Dr. Gjon Buçaj, i cili i uroi mirësardhjen. Dr. Buçaj, duke iu drejtuar mysafirit të nderuar, tha se ishte kënaqësi, që "Vatra" priste në shtëpinë e saj, shkrimtarin më të shquar të Letërsisë shqiptare të pas diktaturës. Në zyrën e kryetarit të "Vatrës", shkrimtari Zhiti, shoqërohej nga bashkëvuajtësit e tij, Dine Dine, Lek Mirakaj, Esat Çoku, si dhe z. Zef Balaj, sponsor i udhëtimit. Kishte ardhur në këtë takim edhe këngëtarja Ermira Babliu, e cila ishte e ftuar edhe në festën e Pavarësisë, që organizoi "Vatra" dhe bashkësia shqiptare në New York. (Lexoje të plotë në Diellin e printuar).

Shkrimtari Zhiti i dhuroi "Vatrës", Dekleratën e Firmëtarëve të Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912, atë të pacensuruar nga diktatura, me shënimin "Në shenjë respekti nga Fototeka Kombëtare "Marubi" Shkodër, si dhe Librin e tij studimor" Panteoni i nëndheshëm ose Letërsia e Dënuar" me autograf"- "Vatrës tonë Patriotike", nga Visar Zhiti.

Për Bibliotekën e "Vatrës", shkrimtari Visar Zhiti dhuroi edhe librin "Ndarja" me autor Viktor Marko Solomon.

Kryetari i "Vatrës", dr. Gjon Buçaj, i dhuroi shkrimtarit Zhiti, "Rubairat" e Omar Khajam, përkthimi original i Fan S.Nolit, botuar në Bruksel më 1927. Editori i Diellit, Dalip Greca, i prezantoi shkrimtarit Zhiti, ekzemplarë të dokumenteve origjinalë të Federatës "Vatra", si dhe fotografi të rralla, që nga viti 1912 si dhe gjurmët e dokumentuara të Shoqërisë Besa-Besën, që nga viti 1908.

Më pas në sallën e mbledhjeve u organizua një takim i Këshillit të "Vatrës" me shkrimtarin. Dr. Buçaj, i prezantoi shkrimtarit historinë e Federatës "Vatra", u ndal në veprimtaritë e viteve të fundit, veçanërisht në festimet e 100-vjetorit të themelimit të "Vatrës" dhe veprimtarive për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë në drejtimin e "Vatrës" dhe 5-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, si dhe prezantoi veprimtaritë organizative për të ardhmen, përfshi dhe Kuvendin e "Vatrës", si dhe u ndal në qëndrimet kritike të "Vatrës" për mosdënimin institucional të krimeve të diktaturës komuniste, integrimin e të përndjekurve politikë, Ligjin e Lustracionit etj.

Në fjalën e tij, shkrimtari Visar Zhiti, tha se ndjehej i respektuar dhe shumë i prekur nga mikpritja e "Vatrës", aq më shumë që këtu e shoqëronin edhe bashkëvujtësit e tij në Ferrin e burgjeve të diktaturës, personazhet e romaneve të tij "Ferri i çarë" dhe "Rrugët e ferrit". Nuk mund ta çonim as në ëndërr se një ditë ne të dënuarit politikë, do të dilnim nga ferri dhe aq më shumë se do të ishim këtu në Amerikë! Askush nuk e fantazonte këtë ëndërr. "Vatra" jonë patriotike, tha ai, ka meritën se na ka mësuar si ta duam Atdheun, Kombin. Burrat e mëdhenj që e themeluan, Faik Konica dhe Fan S. Noli, mbeten aktualë edhe në ditët e sotme. sepse, sa të kundërt, ata ishin po aq dhe bashkëpunëtorë.

Vatranët na mësuan se, Kombi bëhet me mendje, siç na kishin mësuar edhe Patër Gjergj Fishta, Naim Frashëri dhe korifejtë e tjerë të Kulturës Kombëtare. "Vatra", është metaforë e bukur, që na kujton Atdheun, mbetet një mbrojtëse e vlerave tona kombëtare. Kjo nuk është fjalë rasti, por fjalë zemre. Ju uroj shëndet, vazhdimësi në punët e "Vatrës", kolegut Ramiz Gjini, sukses me penë, këngëtares Ermira Babaliu me këngë dhe të gjithëve u dëshiroj mirësi".

Poetit i uroi mirëseardhjen edhe shkrimtari Ramiz Gjini, i cili vlerësoi penën e shkrimtarit Zhiti, qëndresën e tij përballë diktaturës si dhe kontributin që po jep në letërsi. Po ashtu edhe anëtari i Këshillit të Vatrës, z. Zef Balaj, sponsor i udhëtimit të Zhitit, i uroi atij mirëseardhjen dhe suksese në krijimtari. Vasil Marku, duke e përgëzuar për krijimtarinë, i kërkoi shkrimtarit që të japë kontributin e vet, sidomos në "ç'burgosjen e gegërishtes" dhe rikthimin e strukturave foljore, morfologjike e sintaksore të përjashtuara me Kongres Partie (Drejtshkrimi). Më pas, një gotë raki dhe shumë urime për shkrimtarin.

Një vizitë në shtëpinë e Walt Whitman

Krahas programit që kishin ndërtuar ftuesit e Visar Zhitit, (Albanian Freedoom House) dhe mikpritësit e tij në New York, Zef Balaj (sponsor) dhe Esat Çoku, bashkëvuajtës në Burgun e Spaçit, tek i cili Visari bujti për katër ditë, ai e kishte kumtuar një dëshirë që nga Tirana: Dua të shkoj të vizitoj Shtëpinë muze të Whitmanit. Dine Dine së bashku me të birin Ervisin, i kishin marrë masat. Pas vizitës në "Vatër", të shtunën më 16 shkurt, me dy makina, u nisëm drejt Shtëpisë muze, që ndodhej në 330 Mickle Bulevard (e njohur edhe si Martin Luter King Jr. Bulevard, Camden NJ. Plot 170 kilometra rrugë. Visari udhëtoi me Dinen dhe të birin e Dines, Elvisin, ndërsa ne, me Esat Çokun, udhëtuam në makinën e Zef Balës.
Një aksident trafiku në mesrrugë e zgjati kohën e udhëtimin. Ervisi e shmangu autostradën, duke përfituar nga njohuritë për zonën, udhëtoi nëpër rrugë lokale, ndërsa Zefi udhëtoi në autostradë. Gjithsesi, Visari kishte përfituar në ato pak minuta të vonesës tonë duke soditur shtëpinë dhe duke mbledhur "Fije bari", titulli i librit të famshëm të Walt Whitman, odiseja e të cilit zgjati më shumë se tri dekada, që nga botimi i parë e deri tek i fundit, që u botua 33 vjet pas të parit, më 1891. Përmes njoftimit të publikuar dy muaj para vdekjes, në janar 1892 në Herald New York, poeti i madh Walt Whitman njoftoi se ky botim, siç quhet ndryshe dhe edicioni në shtratin e vdekjes, i shfuqizon të mëparshmit. Kishte nisë botimi në vitin e largët 1859, një libër i vogël me vetëm 12 poezi, dhe rrugës orteku, ishte rrokullisur e rritur me shpirtin e poetit dhe botim pas botimi, 1855, "˜56, "˜60, "˜67, "˜71-"˜72, 1881, "˜88-"˜89, deri tek 1891-"˜92, libri peshonte në vlerë dhe në volum, kishte plot 400 poezi botimi i edicionit në shtratin e vdekjes.

Whitman është poeti që la gjurmë jo vetëm në fushën e poezisë, ai quhet dhe "bardi i demokracisë. Ishte poet, eseist dhe gazetar, provoi të punonte mësues, punë zyre, ndërsa fillimet i pati edhe si ndihmës në shtypje gazetash. Kishte lindur në 31 maj 1819 në West Hills, Huntington, Long Island, New York.

Krijimtaria e Whitman i thyen kufijtë e formës poetike tradicionale. Ai përdori imazhe të pazakonta dhe simbolet në poezinë e tij. Whitman shkroi hapur për vdekjen dhe seksualitetit, duke përfshirë dhe prostitucionin. Ai është etiketuar shpesh si babai i vargut të lirë, edhe pse ai nuk e shpiku atë.

Whitman vdiq më 26 mars 1892. Autopsia zbuloi se, mushkëritë e tij ishin bërë copë, funksiononin vetëm me një të tetën e kapacitetit. Shkaku i vdekjes është shënuar zyrtarisht si "pleurit në anën e majtë, konsum i mushkërisë së djathtë, tuberkuloz, dhe nefrit parenchymatous. "Whitman kishte abuzuar me alkoolin që në rini. Madje, në gjendje gjysëm të dehur, ai pat shkruar dhe një roman, të cilin e pat përfunduar për pak ditë, por më vonë nuk ndjehej mirë që ishte autor i tij.

Vdekja e Whitmanit tërhoqi shumë njerëz. Arkivoli u vendos në Camden shtëpinë e tij. Mbi një mijë njerëz e kanë vizituar për tre orë, ndërsa kurorat me lule ishin të panumërta nga adhuruesit. Katër ditë pas vdekjes, ai u varros në varrin e tij, mauzole, në varrezat Harleigh në Camden, ndërtimin e të cilit e pat ndjekur vetë dhe pat shpenzuar për të 4 mijë dollarë.

Ndërsa çoja ndërmend se ç'kisha lexuar rreth Whitmanit, në shtëpi ruaj përkthimin e Skënder Luarasit, botim i vitit 1959, zëri i Visarit sikur më shkund:- A e di se e kemi pasur edhe në burg "Fije Bari" të Whitmanit?

Po që, në biblioteka e librari e vendosnin tek stenda e librit bujqësor, e dini? Mos u çudit.

Po, po, i shpëtoi diktaturës nga injoranca Whitmani. E kishin klasifikuar në stendat e librit bujqësor. Ishte lejuar botimi me "urdhër" nga Moska në të gjitha vendet ish-komuniste, përfshi dhe Shqipërinë, kohë kur qe liruar për pak kohë çensura, por kur u shtrëngua sërish dhe autorë të tjerë që ishin botuar në të njëjtën kohë u ndaluan po me urdhër, në Shqipëri Whitmani pati fat, se e klasifikuan libër bujqësor!

Disa fotografi në hyrje të shtëpisë muze të Whitmanit, fiksojnë vizitën e Visarit dhe ne shoqëruesëve të tij.

Duke u ndarë me shokun e prangave, Dine Dinen, duke buzëqeshur, ndërsa në dorë shtrëngon barin e mbledhur rrotull shtëpisë muze, Visari i thotë: -Ia vlente të udhëtonim 170 kilometra për të ardhur deri këtu, qoftë edhe për këto fije bari, për këtë shtëpi, ku pushoi së rrahuri zemra e poetit të madh.

-Natyrisht ia vlente...


DALIP GRECA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Flet gazetari profesionist Avdulla Kenaçi që u ka mbijetuar dy sistemeve politike:RTSH - PËRJETIME, MBRESA, KUJTIME DHE BRENGANga ALBERT ZHOLI (03.01.2013)
“NANA KATRINË…”, NANA E PROF. KOLË PRELËS…Nga FRITZ RADOVANI (02.28.2013)
NË 'BOTËN GLOBALE', NË BE, NË 'TOKËN E ASKUJT' APO AS NË TOKË DHE AS NË QIELL... ?!Nga AGRON SHABANI (02.25.2013)
DATËLINDJA E PAVARËSISËNga SELIM M. NËNGURRA (02.24.2013)
MEHMET ALIU, SHQIPTARI I EGJIPTIT (02.24.2013)
ÇKA THA AMBASADORI TURK PER SHQIPTARËT?...100 vjetori i rrethimit të Shkodres…Nga FRITZ RADOVANI (02.23.2013)
FRATI, SHQIPNIA E … "KUSH THONI JU ?”Nga Fritz RADOVANI (02.21.2013)
KAJA NANËN, THONË NË KOSOVËNga REXHEP SHAHU (02.20.2013)
AI ISHTE SALI BERISHANga RAMIZ LUSHAJ (02.19.2013)
PERGJEGJET KOLË MIRAKAJ: DERI KUR NË SHERBIM T’ ANMIKUT?LETER E HAPËT Z. ABAZ ERMENIT NEW – YORK, QERSHOR 1967Përgatiti për botim: FRITZ RADOVANI (02.18.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lart]