VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Milan Shuflaj, si e vranë në pusi fill pas vizitës në TiranëNga Dr Musa Ahmeti, Dr Etleva Lala

                                                                                      

E Hënë, 05.20.2024, 10:44pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 

Milan Shuflaj, si e vranë në pusi fill pas vizitës në Tiranë

Nga Dr Musa Ahmeti, Dr Etleva Lala


E Hënë, 10.19.2009, 12:33pm (GMT+1)


 

Milan von Sufflay lindi më 8 nëntor 1879 në Lepoglavë të Kroacisë. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, ndërsa gjimnazin klasik në Zagreb, ku u diplomua si nxënësi më i mirë i gjeneratës së tij. Studioi shkencat shoqërore në Universitetin e Zagrebit dhe doktoroi në vitin 1901.


Menjëherë pas doktoratës, Sufflay iu vu punës për sistematizimin, mbledhjen dhe përshkrimin e dokumenteve mesjetare nga arkivat e qyteteve bregdetare dalmatinase për "Codex Diplomaticus," (Diplomatièkom zborniku Kraljevine Hrvatske, Dalmacije i Slavonije 1101-1399). Këtu lindën kontaktet e para të studiuesit të ri me lëndën e vëllimshme dhe fare të pahulumtuar që i takonte Shqipërisë.


Në vitin 1902, Sufflay mbrojti me sukses titullin "profesor" në shkencat ndihmëse të historisë në Universitetin e Zagrebit me temën: "Hrvatska i zadnja pregnuæa istoène imperije pod žezlom triju Komnena (1075-1180)." Në vitet 1902/3, u specializua në Vjenë në Österreichisches Institut für Geschichtsforschung për paleografi latine, diplomatikë, kronologji dhe notariat, tek profesorët e mirënjohur O. Redlicha dhe A. Dopscha. Në këtë vit, ai u regjistrua tek prof. K. Jireèek për "Studimet albanologjike në Kolegjin e Vjenës", studime këto që nuk arriti t`i përfundonte. Në vitin 1904, botoi studimin e habilitacionit me titull: "Die Dalmatinische Privaturkunde. Dr. Milan v. Sufflay. In Kommission bei Carl Gerold's sohn/ Buchhändler der Kaiserlichen Akademie der Ëissenschaften. Sitzungsberichte der Kaiserlichen Akademie der Ëissenschaften in Ëien. Philosophisch - Historische Klasse. Band CXLVII. (Vorgelegt am 20. Mai 1903), Ëien, 1904."


Në vitet 1904-1908, dr. Sufflay punoi si asistent në bibliotekën kombëtare Szeczeny të Budapestit. Këtu thelloi njohuritë në fushën e ballkanologjisë dhe sidomos të albanologjisë. Ai arriti të vendosë kontakte të shumta me intelektualë dhe shkencëtarë me famë botërore, kontakte këto që do t'i shfrytëzonte më vonë, gjatë gjithë punës së tij shkencore. Në Budapest, Sufflay arriti që në revista dhe gazeta të ndryshme të botonte një numër të madh punimesh shkencore me vlera të jashtëzakonshme. Në revistën Szazdok, botoi dy punime për mesjetën kroate, ku me argumente shkencore tregoi se dokumentet e Rabit të shek. XI dhe XII për mbretin kroat Zvonimir ishin falsifikat. Kjo gjë më vonë do t'i kushtonte shumë, sepse do të shpallet tradhtar i popullit kroat, dhe studentët e tij do t'i bojkotonin leksionet!


Në vitin 1908, ai u emërua profesor i rregullt për shkencat ndihmëse të historisë në Universitetin e Zagrebit. Së bashku me Thallóczy-in dhe Jireèek-un ai botoi në vitin 1913 dhe 1918 kryeveprën "Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia", vol. I-II. Në vitin 1918, doli me kërkesën e tij në pension, e pastaj botoi "Die Kirchenzustände im vortürkischen Albanien. Die Orthodoxe Durchbruchszone im Katholischen Damme" në: Vjesnik Kr. hrvatsko-slavonsko-dalmatinskoga zemaljskog arkiva. Urfedjuje dr. Ivan Bojnièiæ pl. Kninski. Zagreb: Tisak Kralj. Zemaljske Tiskare, 1915, viti XVII, f. 1-70, që do të ishte pjesa e tretë e Historisë së Shqipërisë, të cilën kishte planifikuar që ta shkruante së bashku me Thallóczy-in dhe Jireèek-un në pesë vëllime.


Po këtë vit, botoi edhe studimin tjetër: "Politische Schicksale des Themas Dyrrhachion, në Vjesnik Kr. hrvatsko-slavonsko-dalmatinskoga zemaljskog arkiva. Urfedjuje dr. Ivan Bojnièiæ pl. Kninski. Zagreb: Tisak Kralj. Zemaljske Tiskare, 1915, viti XVII, f. 273-300." Në vitin 1920 vazhdoi botimet e tijme romanin, "Konstantin BalÅ¡iæ", me temë nga mesjeta shqiptare. E firmosi me pseudonimin Alba Limi.


Në dhjetor të vitit 1920, Sufflay u burgos. U dënua me tre vjet e gjysmë burg të cilat i kaloi në Mitrovicën e Sremit. Në vitin 1924 botoi në të përditshmen zagrebase "Obzor" romanin fantastiko-shkencor "Na Pacifiku 2255 - metagenetièki roman u èetri knjige". Po në këtë vit botoi edhe "Städte und Burgen Albaniens hauptsächlich ëährend des Mittelalters, vorgelegt in der Sitzung am 24. April 1918. Akademische der Ëisenschaften in Ëien. Philosophischen-historische Klasse. Denkschriften, 63. Band, 1. Abhandlung. Ëien Leipzig: Hölder-Pichler-Tempsky A.-G. Kommisions-Verleger der Akademie der Ëissenschaften in Ëien, 1924," dhe "Nacionalne maglice. Sredovjeèna plemena Albanije i Crne Gore, në Obzor. Zagreb, 20, 24-25 shkurt dhe 4 prill 1924, viti LXV, nr. 49, f. 4; nr. 53, f. 3; nr. 54, f. 3; nr. 62, f. 2," si dhe "Sredovjeèni dinaste Albanije i Crne Gore. Državne jezgrice, në Obzor, Zagreb, 16-19 prill 1924, viti. LXV, nr. 105, f. 4; nr. 106, f. 1; nr. 107, f. 4; nr. 108, f. 11."


Veprimtarinë botuese në fushën e albanologjisë e vazhdoi me botimet: "Povijest sjevernih Arbanasa (SocioloÅ¡ka Studija) në "Arhiv za Arbanasku starinu, jezik i etnologiju" /Urednik H. Bariæ/ [Séminar de Philologie Albanaise-Seminar za Arbanasku filologiju], Beograd, 1925, libri II (1924), f. 193-242" dhe "Srbi i Arbanasi (Njihova simbizoa u srednjem vijeku), Sa predgovorom prof. Univ. u Beogradu, Beograd, 1925, f. III-IV 1-142," kurse më 1926 botoi: "Vjerske prilike u Albaniji kroz vjekove, Katolièki Sjever i pravoslavni Jug u muslimanskoj državi në Obzor, Zagreb, 11 qershor 1926, viti. LXVII, nr. 154, f. 2-3." Në vitin 1928, botoi librin me ese: "Hrvatska u svijetlu svjetske historije i politike". Po këtë vit, u emërua profesor i rregullt në Universitetin e Budapestit, por për shkak se nuk i dhanë pasaportë, u detyrua ta refuzojë këtë emërim. Problemet me policinë ishin pjesë përbërëse e jetës së Sufflay-t.


Sipas disa të dhënave më të reja të zbuluara në Arkivin Shtetëror Kroat në Zagreb, Milan von Sufflay ishte njëri ndër shkencëtarët e rrallë në botë që u përcoll hap pas hapi nga policia, e madje jo vetëm ai, por edhe personat me të cilët kontaktonte, duke përfshirë këtu edhe anëtarët e familjes së tij të ngushtë dhe të gjerë. Një mbikqyrje e tillë kishte filluar në fund të vitit 1922, gjë që mund të dëshmohet nga dokumentet arkivore. Fillimisht vëzhgohej vetëm ditën, ndërsa më vonë 24 orë pa ndërprerje. Për çdo të re nga mbikëqyrja i raportohej drejtpërdrejt kryeministrit, Petar Zhivkoviç, e më vonë pasardhësit të tij, Milorad Srshkiçi në Beograd dhe vetë mbretit, në mënyrë që të kishin parasysh veprimtarinë dhe lëvizjet e shkencëtarit të madh.


Në vitin 1929, Akademia Vjeneze e Shkencave i propozoi dr. Sufflay-t që të vazhdonte vjeljen e lëndës arkivore për vazhdimin e botimit të "Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia," vëllimet III-V. Këtë iniciativë e përkrahu edhe qeveria e Mbretërisë Shqiptare, e cila shprehu gatishmërinë e saj për të hequr shpenzimet për një ndërmarrje të tillë kaq serioze dhe të vlefshme. Milan von Sufflay, u ftua të vizitojë Shqipërinë. Pas shumë peripecish rreth marrjes së pasaportës, ai arriti në Shqipëri më 12 janar të vitit 1931.


Në mbrëmjen e 18 shkurtit të viti 1931, aty rreth orës 20.00, në rrugën "Dalmatinska" nr. 6 (në Zagreb), Milan von Sufflay goditet për vdekje nga pusia. Plagët ishin të rënda dhe ai vdiq të nesërmen, më 19 shkurt. Kishte vetëm një ditë që ishte kthyer nga Shqipëria, ku kishte qenë për vizitë disaditore. Vrasësit ishin Branko Zëerger, Lubomir Bellosheviqi dhe Stevo Veçerina. Ata deklaruan që kishin marrë urdhër nga Beogradi për të likuiduar Sufflay-n.


Paanshmëria, korrektësia dhe simpatia e madhe ndaj popullit shqiptar, lidhjet e afërta me Shqipërinë, pranimi dhe argumentimi në mënyrë shkencore i tezës së prejardhjes së drejtpërdrejtë të shqiptarëve nga ilirët, si dhe autoktonia e tyre në trojet shqiptare, ishin shkaqe që e shtynë Beogradin drejt një veprimi të tillë.
Menjëherë pas atentatit, policia konfiskoi të gjitha dorëshkrimet që ndodheshin në apartamentin e tij. Një pjesë e mirë e këtyre dorëshkrime, mesa duket janë humbur përgjithmonë, sepse edhe sot e kësaj dite nuk u është gjetur ndonjë gjurmë. Megjithatë, pavarësisht nga ky fakt, M. Sufflay na ka lënë shumë studime të papërfunduara në dorëshkrim, një pjesë e mirë e të cilave ruhet në Arkivin Shtetëror të Kroacisë në Zagreb.


Jehona e vrasjes ishte e madhe. Reaguan me shkrimet e tyre "Tribuna" Romë, "Berliner Tagblat", "Neë York Times", "Frankfurter Zeitung", "Arbënia" Tiranë, "Vullneti i Popullit" Tiranë, etj. Me një memorandum të veçantë reaguan edhe kolosët e shkencës e të letrave si Albert Einstein, Heinrich Mann, dr. Josef Bajza, dr. Max Hildebert Boehm, dr. Karl Fritzler, dr. Zenon Kuziela, dr. Martin Spahn, dr. Branimir Jeliq, Josip Milkoviq, Lumo Skendo, Faik Konica, si dhe "Ligue Internationale des Droits des L'Homme," "Federation Universitaire Internationale." Kështu, me vdekjen e Sufflay-t, albanologjia humbi njërin nga mbështetësit kryesorë që kishte në atë kohë, studimet e të cilit edhe sot e kësaj dite janë me vlera të larta dhe pothuajse të pazëvendësueshme.

--

Milan Shuflaj Pasioni i albanologut në 980 letra

 

Dr. Musa Ahmeti Dr. Etleva Lala

Letërkëmbimi i albanologut kroat, Milan von Sufflay është i shpërndarë në shumë arkiva e biblioteka të Evropës. Një pjesë e vogël ruhet në Amerikë e Australi dhe disa letra të tjera të shkruara nga ai në koleksione private të disa personaliteteve të njohura kroate në Zagreb, Osjek e Dubrovnik.


Deri me sot, me sa jemi të informuar ne, nuk është bërë një përpjekje për ta mbledhur, sistemuar e botuar këtë letërkëmbim më vlera të veçanta për albanologjinë në përgjithësi dhe në veçanti për historinë mesjetare shqiptare.


Letërkëmbimi i Milan Sufflay-t që ne njohim deri me sot, është i shkruar në gjermanisht, hungarisht, latinisht, italisht, frëngjisht, greqisht, anglisht, spanjisht, rumanisht, rusisht dhe kroatisht. Ne nuk kemi asnjë informacion që ndonjë letër të jetë shkruar në gjuhën shqipe.


Në këtë letërkëmbim mjaft të vëllimshëm (ne disponojmë më shumë se 980 letra) dominon çështja e studimit të mesjetës shqiptare, por, nuk mungojnë as tema tjera të natyrave të ndryshme, qofshin ato me karakter ekonomik, politik, social dhe deri edhe letra intime.


Duke dëshiruar të japim kontributin tonë në fushën e studimeve mesjetare, ne kemi përzgjedhur një pjesë të këtij letërkëmbimi që ka të bëj kryesisht me studimet albanologjike të Milan Sufflay-t, i cili ruhet në Arkivin Shtetëror të Zagrebit, në Bibliotekën Kombëtare Hungareze "Szechenyi" të Budapestit, në Arkivin e Aragonës në Barcelonë, në Arkivin Historik të Dubrovnikut, në Arkivin e Qytetit të Venedikut dhe Arkivin Qendror Shtetëror të Tiranës, ku na janë të njohura të gjitha letrat që ruhen aty, por, që qëllimisht nuk janë përfshirë në ekspozitën e përgatitur nga autorët në vitin 2002, që u hap në Tiranë me dokumente, dorëshkrime e gjëra të tjera të Milan v. Sufflay-t.
Së bashku me përkthimet nga origjinali, ne sjellim edhe faksimilet e letrave, ku një pjesë e mirë janë autografe, ndërsa pjesa tjetër janë të daktilografuara, por në fund mbajnë firmën e Milan Sufflay-t si dhe pothuajse rregullisht edhe shënime të shkruara me dorë po nga vetë Sufflay në margina apo në mes rreshtash.


Në përgjithësi, letërkëmbimi i Milan von Sufflay-t është ndarë në dy kategori:


a) letra që ai u ka dërguar personaliteteve, institucioneve, zyrave të ndryshme shtetërore (kryesisht shqiptare), arkivave e bibliotekave dhe ndonjë krejt private anëtarëve të familjes së tij të ngushtë, motrave, etj, pra letrat e shkruara nga ai.
b) letërkëmbimi i të tjerëve për Sufflay-n, që nuk është i pakët dhe aty ndeshim emra të nderuar të shkencëtarëve të fushave të ndryshme (jo vetëm të historisë), të cilët shkruajnë me respekt dhe nderim të veçantë, duke çmuar punën dhe veprimtarinë e tij shkencore.


Letra e parë...


Letra që botojmë kësaj radhe është njëra nga ato që shkruan vetë Sufflay dhe ka për destinacion Tiranën, përkatësisht mikun e tij të çmuar, Lumo Skendon.
Qëllimisht kemi bërë këtë zgjedhje, pra, do botojmë letërkëmbimin e Milan von Sufflay-t duke ndjekur kriterin tematik, për të saktësuar disa nga momentet kyçe, mjaft të diskutuara dhe ende të pandriçuara që kanë të bëjnë me botimin e kolanës burimologjike, edhe sot e kësaj dite e pazëvendësueshme për albanologjinë dhe historinë tonë kombëtare, Acta et diplomata res Albaniae Mediae Aetatis Illustrantia, e cila u botua në "vetëm dy vëllime" në vitet 1913-1918 (u ribotuan nën përkujdesin tonë më 2002), e cila ishte planifikuar të botohet në 6 vëllime, e jo në 4 siç shkruhet nga studiuesit e historianët shqiptarë. Në këtë letër, Sufflay, me pedanterinë e tij të njohur, shkruar hapur dhe pa asnjë kompleks për të gjithë problematikën me të cilën duhet të përballet për vazhdimin e botimit të kolanës burimologjike Acta et diplomata res Albaniae Mediae Aetatis Illustrantia, dhe njëkohësisht shpreh kënaqësinë që "Qeveria Shqiptare vendosi të vazhdojë botimin Acta et diplomata res Albaniae Mediae Aetatis Illustrantia duke siguruar mjete financiare" dhe njëherazi ndihet shumë i vlerësuar për besimin që tregon Qeveria Shqiptare, me rastin e emërimit të tij si autor i botimit të kësaj vepre burimologjike, si dhe të "Historisë së Shqipërisë" e cila do të ndeshet në letrat vijuese.


Përfundimisht saktësohet, se Sufflay nuk e kishte përgatitur fare vëllimin e tretë të Acta et diplomata res Albaniae Mediae Aetatis Illustrantia, siç pohohet me këmbëngulje edhe sot (është fjala për vitin 1929) e kësaj dite. Nga letra që botojmë, thuhet se "nga viti 1918 e deri më sot nuk kishte punuar asgjë rreth vazhdimit të botimit të veprës AA" dhe se një pjesë të dokumentacionit që ai dispononte nga Arkivi i Aragonës në Barcelonë, ia kishte huazuar akademikut serb Jovan Radoniq, i cili pas vdekjes së Sufflay-t, në vitin 1942, e boton në Beograd.

Musa Ahmet Etleva Lala


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Jo federatë me SerbinëNga Salih Mehmeti, Burgu i Dubravës, pavijoni 2, (10.17.2009)
ETNOGJENEZA E SHQIPTARËVE NGA ILIRËTNga akademik Aleksandër Stipçeviq, ilirolog arbëresh (10.16.2009)
Topi: Është momenti që shqiptarët të lëvizin përfundimisht të lirëNga Leandro Slovinski Faustini (10.16.2009)
Fjala e ministrit Hyseni në Këshillin e Sigurimit (10.16.2009)
Ali Ohri: Shqiptarët i detyrohen shumë figurës së Ahmet Zogut (10.14.2009)
Teksti shkollor Gjeografia e Maqedonisë, skanadalozNga Azbi Ademi, Mësues në gjimnazin e Tetovës (10.14.2009)
Pasaporta "biologjike" dhe "Shengen" e shqiptarëveNga Ramiz LUSHAJ (10.13.2009)
VEPRIMTARIA E SHTJEFËN GJEÇOVIT NË DRITËN E LETËRKËMBIMIT (10.12.2009)
Anton Nikë Berisha: Ja pse Martin Camaj është ende i papranuar (10.11.2009)
Apatia politike në Luginën e PreshevësNga Fehmi Ramadani (10.10.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lartë]