VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Pse hesht Patraq Kolevica?Nga Naum Mara

                                                                                      

E Hënë, 05.20.2024, 04:40pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 

Pse hesht Patraq Kolevica?

Nga Naum Mara


E Djelë, 11.15.2009, 05:46pm (GMT+1)

 

Sh p r e h j a " S ave Our Cities"(Shpëtojini Qytetet Tanë) mbase është një perifrazim jo shumë i goditur i shprehjes "Shpëtojini Shpirtrat Tanë", sepse qytetet e Shqipërisë jo vetëm nuk po shkojnë nën ujë, përkundrazi po lartësohen drejt qiejve. Dhe në një shikim të parë asgjë të keqe nuk ka ngritja në lartësi.


Po ç'e keqe po ndodh realisht në qytetet tona dhe ç'ka të bëjë me këtë heshtja e arkitektit të shquar Petraq Kolevica?


Unë nuk i di arsyet e heshtjes së tij, bile nuk e di nëse ai vërtet nuk shpreh publikisht shqetësimin e tij profesional, intelektual dhe qytetar për mish-mashet e krijuara në qytetet e Shqipërisë. Në të vërtetë e kam fjalën për profesionalizmin dhe ndershmërinë intelektuale të arkitektëve shqiptarë, cilësi që i ka zotëruar në një shkallë të lartë arkitekt Kolevica. Ndonëse tingëllon patetike, pyetja i drejtohet asaj pjese të ndërgjegjes profesionale të arkitektit të sipërpërmendur, që duhet të jetë në ndërgjegjen e çdo projektuesi. Dhe këtu nuk bëhet fjalë për rezistencë intelektuale ndaj Diktaturës (për të cilën dallohej Petraqi), por për antikonformizmin aq të domosdoshëm për zhvillimin normal të qyteteve.


Kujt i është nënshtruar ndërgjegjja jonë profesionale.


Shenjat e para të saj u dhanë në Tiranën e fillimit të viteve '90, kur projektimi dhe miratimi i ndërtimeve të përkohshme (të ashtuquajturat kioska) arriti shkallë të paparë kërrkund në botë. Dhe ky ishte një nënshtrim ndaj trysnisë të elementeve të lidhur me pushtetin e asaj kohe. Por heshtja më e shëmtuar dhe nënshtrimi më total është kryer në kohën e Edi Ramës, Shpëtim Gjikës dhe kryetarëve të tjerë, që ndoqën shembullin e "kryebashkiakut model". Tirana, Vlora, Durrësi, Elbasani etj.,si dhe plot nga qytetet e kategorive të dytë e të tretë, janë shembuj të qartë nën dritën e diellit.

Modeli i kryebashkiakut të përsosur, konsiston në kontrollin e plotë me dorë të hekurt të të gjithë ndërtimeve të reja dhe sidomos banesave, të cilat kanë rezultuar më fitimprurëse. (Duke qeshur hidhur me një koleg në vitin 2003, e quaja modelin Rama, si ngritje e nivelit nga ryshfeti, në mënyrën e "ndershme" të kërkimit të pjesës sipas "metrove karre"). Kjo gjë flitej e flitet në të gjithë kafenetë e Tiranës, por për çudi projektuesit dhe ndërtuesit heshtin dhe nuk organizohen për t'i bërë ballë. Dhe kur them ta përballin nuk është fjala të ndalin korrupsionin, se ky i fundit nuk është dhe aq e lehtë të luftohet, por të ngadalësojnë turra-vrapin e tij drejt trajtimit të qytetit sikur të ishte dhoma e tij e ndenjes, të cilën mund ta lyejë si të dojë dhe të verë e të heqë mobiliet apo dekoret që pëlqen. Po 6 vjet më parë, gjatë vizitës në një studio të një pedagogut tim, tre arkitektë të "orientimit" të djathtë (shprehja arkitektë të majtë dhe të djathtë është kontributi më i shquar i shoqërisë sonë në historinë e arkitekturës) duke u ankuar për Ramën, uronin se kur do vinte ajo ditë që dikush të mund ta pengonte!!! Dhe ajo ditë vërtet erdhi, por pengimi u krye sipas të njëjtit model, këtë radhë nga KRRTRSH e Shqipërisë. Tani debati profesional rreth urbanistikës është katandisur në një demonstrim muskujsh midis KRT së Tiranës (Ramës) dhe asaj të Shqipërisë (Saliut).

Po le të presupozojmë se modeli Rama, ndonëse jo i pastër, i ka sjellë zhvillim qyteteve tona. Përgjigja është JO. Edhe në demokracitë e përparuara, të cilat kanë mekanizmat e tyre mbrojtëse, kur ndërtimet kontrollohen nga një dorë e vetme, sjellin gabime të rënda në formulimin e qyteteve. Rastet e Milanos të viteve '70-'80 apo Montrealit të viteve '70, si edhe shumë të tjera janë të njohura mirë, ndonëse nuk kanë qenë rrjedhojë të një korrupsioni klasik. Në rastin tonë, pas pastrimit të kioskave, Rama krijoi një gjendje në Tiranë që asnjë anti-Ramë nuk do jetë në gjendje ta korrigjojë. Dhe jo se ai është injorant në punët e qyteteve dhe të arkitekturës, por se grykësia e investitorëve miopë që duan të fitojnë "shpejt, shumë dhe lehtë" e shpie në ato vendime. Unë nuk dua të hyj në parashikime katastrofike në raste tërmetesh apo zjarresh, se e gjykoj që paniku nuk ndihmon kënd. Por dua që kolegët e mi dhe sidomos ata më të diturit dhe me më shumë përvojë unë, të ngrenë zërin për t'i shpëtuar qytetet dhe njerëzit që jetojnë në to.


Ka dy pika të cilat për mendimin janë të rëndësishme për të vënë pak rregull në ndërtimet e njësive të banimit (kryesisht qyteteve). Po i parashtroj për të ngjallur një diskutim profesional, ndonëse nuk e njoh me themel legjislacionin tonë rreth tyre:


Eliminimi i Këshillave të Rregullimit të Territorit.


KRT-të, ose Këshillat e Rregullimit te Territorit e kryen tashmë funksionin e tyre çrregullues. Unë nuk di se kush e kishte këtë ide ne vitin 1992 dhe se nga ç'legjislacion i huaj ishte kopjuar, por di që ato funksionuan shumë keq gati gjatë gjithë këtyre viteve. Në parim, ato kanë penguar procesin e hapur të miratimit të studimeve urbanistike dhe të lejeve të ndërtimit, që është karakteristikë në demokracitë e zhvilluara. Nga një organ kolegjial vendimor i përbërë nga specialistë dhe intelektualë (që formalisht janë) ato u kthyen në një lloj organi të fshehtë dhe misterioz, pas të cilit mbrohet pushtetari para njerëzve, që e kanë zgjedhur. Në pesë vjetët e fundit, ato në mënyrë qesharake kanë një përbërje që pasqyron rezultatin e zgjedhjeve vendore dhe të përgjithshme. Bile për shumë kryebashkiakë, është më e rëndësishme të kesh në dorë KRT-në se Këshillin Bashkiak! Kjo për arsyen e thjeshtë që ndërtimi është biznesi më fitimprurës në Shqipëri. Kështu me përfundimin e zgjedhjeve vendore bëhen hesapet se nga ç'parti do jenë arkitektët, se cilët specialistë do emërojë prefekti e marrëzira të ngjashme, me synimin final: i kemi votat e nevojshme!"

Kështu, ky këshill misterioz specialistësh, i shërben pushtetarit për të krijuar një lloj alibie për gafat në urbanistikë dhe arkitekturë. Këtu mbaron përgjegjësia e politikanit të korruptuar dhe fillon ajo e specialistit të korruptuar. Në shumicën e rasteve, specialistët anëtarë te KRT-së janë pjesë e skemës: Investitor-Pushtetar-Arkitekt, skemë e cila i ka të përcaktuara ndarjen e fitimeve sipas Bashkisë dhe sa lakmitar është Kreu i saj. "Arkitekti me akses" (quhen arkitektët e preferuar të Kryebashkiakut) përpunon në mënyrë profesionalo-mjegullore studimin që ju duhet të miratohet dyshes grabitqare. Kur ndërtimi apo kompleksi përfundon, të gjithë janë në gjendje të konstatojnë gafën por është tepër vonë. E gjithë kjo lojë vazhdon nën pëshpëritjen e specialistëve të tjerë jashtë KRT-së, të cilët presin ditën kur t'ju vijë radha për të qenë anëtarë të Këshillit Magjik. Shoqata e Arkitektëve me siguri që i mban iso këtij procesi dhe vetëm kundërshtarët politikë ndërhyjnë rrallë herë me ndonjë gjobë hakmarrëse si ajo ndaj Biçokut dhe Eftimit. (Të më falin dy kolegët e përmendur, se të parin e presupozoj si "arkitekt me akses" pa pasur ndonjë provë, ndërsa për të dytin kam një qëndrim paragjykues, për faktin e vetëm të asaj ç'ka bërë në mënyrë sistematike njëri nga prindërit e tij në shkatërrimin e Shkollës së Arkitekturës Shqiptare).

Po a mund të jetohet e ndërtohet pa KRT? Eshtë shumë e mundur dhe bile më e lehtë. Procesi i miratimit të lejeve të ndërtimit apo studimeve Urbanistike do jetë më i hapur dhe më i shpejtë se sa sot, kur shpesh herë nuk kryen mbledhjet e KRT-së deri sa të shiten blloqe të caktuara apartamentesh ku kryetari ka interesa të drejtpërdrejta.
Miratimet do kenë afate të caktuara me ligj apo dispozita ligjore dhe pasi aplikimet t'i afishohen hapur në ambientet e bashkisë ose ne qytet, bashkë me materialin shoqërues (pjesët thelbësore), miratimi ose mosmiratimi do bëhet nga Këshilli Bashkiak, mbi bazën e një relacioni teknik të përgatitur nga Zyra e Urbanistikës.
Dikush mund të thotë po ç'ndryshim është ky. Kryebashkiaku që kontrollon KRT-në kontrollon edhe Këshillin Bashkiak dhe do bëjë atë që i do qejfi.


Ka një ndryshim thelbësor. Anëtarët e Këshillit bashkiak janë të zgjedhur dhe japin në një farë mënyre llogari para zgjedhësve ndërsa ata të KRRT-së nuk i japin askujt. Ndryshimi i dytë është që projektuesit e pavarur janë disi më të lire dhe më të barabartë për të respektuar etikën profesionale.


I treti dhe më kryesori, është që për shkeljet flagrante përgjegjësia ligjore mund të gjendet menjëherë tek Kryetari i Bashkisë dhe vartësit e tij, pa u fshehur prapa vendimit kolegjial të KRT-së.


E para KRT që duhet të suprimohet është ajo e Shqipërisë. Nuk ka ku të vejë një Këshill më absurd i kryesuar dhe i kontrolluar nga Kryeministri. Ekzistenca e këtij Këshilli është shprehje e hapur e centralizimit të pushtetit. Nuk e kuptoj se si mund të ketë juridiksion një Këshill mbi territoret që janë nën juridiksionin e tjetërkujt (Bashki apo Komuna). Qeveria Shqiptare vërtet ka nën juridiksion të gjithë territorin shqiptar, por këtë e ka në raport me shtetet e tjera. Në asnjë mënyrë, një vendim mbi urbanistikën e një territori të caktuar, marrë nga pushteti vendor, nuk duhet të shfuqizohet ose konfirmohet nga pushteti qendror. Kjo është në ABC-në e demokracisë.


Miratimi i Masterplaneve ndërqytetëse, infrastrukturës kombëtare dhe çështje të tjera të ngjashme, mund dhe duhet të miratohen nga Ministria e Ndërtimit dhe më tej nga Këshilli i Ministrave.


Hartimi i Rregulloreve Urbanistike dhe Zonimi Funksional për çdo Bashki dhe Komunë.


Ne ato njësi vendore ku kjo nuk është bërë, duhet domosdoshmërisht të hartohen sa më parë për t'ju mbyllur rrugën abuzimeve dhe keqinterpretimeve. Sigurisht kjo mund të behet ne koordinim me pushtetin qendror dhe sidomos Ministritë e Ndërtimit dhe atë të Brendshme, të cilat duhet të mbikëqyrin, por jo të miratojnë ose ndryshojnë ato që ka propozuar, ai që ka nën juridiksion territorin. Shoqata e Urbanistëve dhe arkitektëve mund të luajë gjithashtu një rol këshillimor.
Rregulloret e hartuara dhe të miratuara nga ata që jetojnë në atë territor do i presin rrugën abuzimeve që vijnë më lehtë nga lart dhe janë disi më të sofistikuara dhe më autoritare. Dikush mund të thotë se si mund të bëhen rregulloret pa u hartuar më parë dhe pa u miratuar Plani Rregullues. Një gjë e tillë është tërësisht e mundur edhe për ato njësi që nuk kanë sot një Plan Rregullues të miratuar. Bile edhe vetë Planet rregullues, nuk ka përse të miratohen ne KRRTSH, sa do i madh dhe i rëndësishëm të jetë territori.


Në Korçë ose në Vlorë (mora dy shembuj krejt të rastësishëm) ka specialistë, intelektualë dhe një qytetari të aftë për të diskutuar dhe miratuar një Plan të mirë rregullues, ose për të hedhur poshtë një Plan të keq.


Duke u zgjatur në këto dy propozime, humbi disi mes rreshtash arsyeja e përmendjes së arkitektit të madh (dhe të lënë pas dore) shqiptar, Petraq Kolevica. Si shumë arkitektë të brezit tim, kam admiruar profesionalizmin e tij por mbi të gjitha frymën e lartë të përgjegjësisë intelektuale dhe të moskonformizmit. Ju rikujtoj kolegëve më të vjetër, por dhe atyre më të rinj, se tek ne, ashtu si ka pasur arkitektë shërbëtorë të Diktaturës, ka pasur edhe arkitektë të zotë dhe trima. Eshtë koha që shembullin e Kolevicës ta ndjekin edhe të tjerë, për të korrigjuar çka ndodhur në qytetet tona dhe për të parandaluar tmerret hapësinore, ekologjike, shëndetësore dhe sizmike.

(http://www.balkanweb.com)

Naum Mara


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Pakti Detar, pavlershmëria e një dhurimi të porositurNga Saimir Lolja (11.14.2009)
Evis Mula përfundimisht në La Scala (11.12.2009)
KU PËRFUNDOI SINAN VITIJA?Nga Mehmet Latifi, INA (11.10.2009)
Muri i Berlinit dhe Kosova (11.09.2009)
Shqipëria dhe Muri i Berlinit (11.09.2009)
Çasti i demokracisëNga ALBIN KURTI& (11.07.2009)
PRESIDENTI SEJDIU: LËVIZJE POZITIVE NË VERI TË KOSOVËS (11.07.2009)
Incidenti i Korfuzit, i rishikuarNga Auron Tare, Mapo (11.04.2009)
SFIDA OSMANENga ARBËR XHAFERRI (11.02.2009)
Kadare: I kam dërguar letër Presidentit Bush, ku i shkruaja se kombi shqiptar vuan nën dy diktatura komuniste, një shqiptare dhe një serbe në Kosovë (10.31.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lartë]