VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Shqipëria dhe Muri i Berlinit

                                                                                      

E Hënë, 05.20.2024, 02:16pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
Shqipëria dhe Muri i Berlinit
E Hënë, 11.09.2009, 03:15pm (GMT+1)

 

Rënia e Murit është mbajtur në heshtje nga propaganda e regjimit komunist të kohës.

 

Më shumë se muri i Berlinit, në Shqipëri duket se ka bërë përshtypje vrasja e drejtuesit komunist të Rumanisë, Çaushesku.

 

Ndikimi i këtyre ngjarjeve në Shqipëri do të kulmonte rreth një vit më vonë, në dhjetor të vitit 1990, kur nën presionin popullor, regjimi u detyrua të lejonte pluralizmin politik.

Në Shqipëri pak vetë e mbajnë mend 9 nëntorin e vitit '89, ditën kur në Berlin qindra mijëra gjermanë shembën murin që prej 3 dekadash e ndante qytetin në dy pjesë.

 

Të nesërmen, gazeta e Partisë së Punës, Zëri i Popullit, në 2 prej 4 faqeve të saj njoftonte pritjet dhe darkat që jepeshin në Tiranë për nder të ministrit të jashtëm të Kubës në një vizitë zyrtare një javore në Shqipëri. Gjatë asaj jave mund të gjesh në faqet e gazetës gjithë protokollin dhe frazat klishe të propagandës për vizitorin nga Kuba, por asnjë rresht ku të përmendet rënia e murit te Berlinit.

 

Në komitetin qëndror të partise komuniste nuk u cuditen dhe as nuk e analizuan këtë ngjarje, kujton për BBC Spiro Dede, ish-zyrtar i lartë pranë byrosë politike:

 

"Kur ra muri i Berlinit nuk u quajt se ndodhi ndonjë çudi e madhe, apo ndonjë gjë e paparashikuar. U konsiderua si një ngajrje që në mos një ditë, një tjetër do të ndodhte. Kjo për dy arsye, e para se ndryshime të mëdha kishin filluar në të gjithë Lindjen dhe e dyta ekzistonte mentaliteti se Gjermania lindore ashtu si dhe vende të tjera të Lindjes ishin revizionistë, po shkonin drejt kapitalizmit. Kështu që për pjesën më konservatore të Partisë së Punës, kjo ngjarje ishte një përfundim logjik. Ndërsa elementët më të përparuar mendonin se po thyheshin barrierat e mëdha që kishin ndarë botën."

 

Opinioni publik prej vitesh ishte përgjithësisht i topitur dhe tërësisht i shtypur nga diktatura.

Ndërsa qindra të burgosur politikë filluan të ndjejnë nga brenda mureve të qelive se dicka e rëndësishme po ndodhte, kujton për BBC ish-i burgosuri politik Spartak Ngjela

 

"Përpara se të binte muri i Berlinit në burgun e Burrelit kishte lindur shpresa për shkak të lëvizjes së Gorbaçovit. Ne kishim parë edhe tronditjen e Tiranës. Reformat e Moskës dhanë shpresë në një vend ultrakomunist si Shqipëria. Në Shqipëri kishte më shumë një terrorizëm të kulluar se sa një doktrinë. Në burg te ne qarkullonte mendimi se ndarja e Gjermanisë dhe ndarja e Shqipërisë prej Kosovës kanë të njëjtin fat. Kjo mund të ngjante pak si poetike më shumë se sa historike, por kjo kishte zënë vend sepse në burgjet politike shqiptare ka pasur shumë elementë nacionalistë."

 

Propaganda kishte kohë që kishte nisur të artikulonte shprehjen se Shqiperia nuk është as Lindje as Perëndim.

Ndonëse kishin nisur disa përpjekje për të lehtësuar regjimin, frymëzues i të cilave ishte udhëhëqësi komunist Ramiz Alia, Shqipëria mbetej ende një bastion stalinist. Remzi Lani ka drejtuar në vitet '80 gazetën Zëri i Rinisë, me tendenca liberale krahasuar me organin e partisë, ZP.

 

"Propaganda zyrtare u përpoq ta kalonte rënien e murit në heshtje sepse nuk ishte e interesuar ta popullarizonte atë. Ishte një lloj taktike e regjimit në atë kohë që të hiqej sikur rënia e murit nuk kishte të bënte me Shqipërinë, sepse Ramiz Alia dhe regjimi donin ta paraqisnin Shqipërinë si një rast të veçantë. Për ata ajo ishte një ngjarje brenda sistemit kapitalist. Rënia e murit të Berlinit shënon një plasaritje të thellë në murin e Tiranës i cili do të binte një vit më pas. Pra, ai shënon fillimin e fundit të komunizmit në Shqipëri. Shqipëria ishte guri i fundit i dominosë."

 

Rënia e murit të Berlinit erdhi si ngjarja kulmore e pakënaqësisë që po shpërthente në disa vende të Europës Lindore. Sinjale të forta ishin dhënë që në fillim të muajit tetor në qytetin e Laipcigut kur mijëra njerëz, të mbledhur për javën e lutjeve tradicionale për paqe, bënë thirrje për liri dhe ndryshime rrënjësore.

Këto zhvillime e kishin hutuar udhëheqjen komuniste në Tiranë e cila nuk po jepte më as udhëzimë për diplomatët shqiptare.

 

Shpëtim Çaushi ka qenë ambasador i Shqipërisë në Bon të Gjermanisë, deri pak javë përpara se të binte muri i Berlinit.

 

"Në Tiranë pati një farë mpirje. Udhëzimet që vinin nga Ministria e Jashtme u bënë më të rralla. Tirana zyrtare në ato momente pothuaj nuk i ndie. Ne vetëm sa merrnim herë pas here informacione nga shtypi i Tiranës për idetë e të ashtuquajturave reforma që po zhvilloheshin, apo për një farë hapjeje që po përpiqej të bënte Shqipëria ndaj botës së jashtme. Në Tiranë me sa dukej nuk arrinin t'i përtypnin si duhej zhvillimet në Gjermani. Neve na sugjerohej të thonim se Shqipëria nuk bën pjesë as në Lindje dhe as në Perëndim dhe se duhej trajtuar ndryshe."

 

Por, shansi i ofruar nga Boni nuk do te kapej nga udhëheqësit e ngurtë komunistë në Tiranë. Ambasadori Shpëtim Çaushi kujton dhe reflekton kështu pas 20 vitesh

"Në Gjermaninë perëndimore i prisnin dhe i dëshironin ndryshimet në Shqipëri dhe i inkurajonin ato. Në rast se udhëheqja e asaj kohe në Tiranë do t'i kishte mirëpritur këto sinjale, nëse do të kishte ecur shpejt në reforma, Gjermania do të kishte qendruar pranë dhe besoj do të kishte përshpejtuar ndihmat ekonomike për Shqipërinë."

 

Vrasja e Çausheskut dhe ndikimi në Shqipëri

 

Nëse propaganda në Tiranë e injoroi tërësisht rënien e murit të Berlinit dhe mendjet e shumë njerëzve ishin të topitura prej izolimit dhe dekadave të diktaturës më të egër në Europë, vrasja e ciftit Caushesku në Rumani, natën e 25 dhjetorit të po atij viti, shkaktoi tronditje.

 

Ndoshta për herë të parë udhëheqësit e lartë komunistë në Tiranë kanë menduar se fati i tyre mund të ishte i ngjashëm. Zyrtari i lartë pranë byrosë politike, Spiro Dede, kujton

 

"Ngjarjet në Rumani me vrasjen e çiftit Çaushesku u ndoqën në mënyrë më dramatike. Shumëkush në radhët kuadrove të larta të Partisë hiqte paralele me jetën e vet. Shumëkush mund të shikonte të ardhmen e vet në atë ngjarje. Natyrisht, vrasja e Çausheskut nuk kishte si të mos nuk u shkaktonte morrnica. Edhe këtu kishte dy qëndrime. Disa prej kuadrove thonin "Ja ku të shpie revizionizmi!". Të tjerë mendonin se Çaushesku e kishte mbushur kupën duke ia nxirrë jetën popullit të vet."

 

Fundi tragjik i Causheskut, më pak se dy muaj nga rënia e murit në Berlin, i rriti shpresat e të burgosurve politikë në Shqipëri.

 

Në burgje kishte nisur të ndihej një lehtësim i masave shtrënguese, literatura e huaj penetronte pa ndonje pengesë, shpresat e të burgosurve se ndryshimi mund të ndodhte edhe në Shqipëri po shtoheshin, kujton

 

Spartak Ngjela

 

"Regjimin më shumë e trembi fundi i Çausheskut se sa muri i Berlinit, por regjimi i Tiranës nuk do kishte rënë në rast se udhëheqësit komunistë nuk do të kishin bërë gabime të rënda në ekonomi. Në Shqipëri, për shkak të marrëzisë së Enver Hoxhës dhe butaforisë së Ramiz Alisë, nomenklatura nuk e kuptonte se Perëndimi kishte mposhtur komunizmin."

Por, 20 vjet më parë, dhe sidomos natën e vrasjes së Causheskut, brenda vilave të anëtarëve të byrosë politike,

hutimi dhe tronditja kishin pllakosur në mënyrë të jashtëzakonshme. Remzi Lani thotë:

 

"Atë natë që është vrarë Çaushesku, dritat në Bllokun komunist nuk janë fikur deri vonë. Nomenklatura ka fjetur keq kur ra muri i Berlinit, por nuk ka fjetur fare kur u vra Çaushesku sepse atëhere e kuptuan se po u vinte radha. Në Shqipëri, vrasja e Çausheskut është përjetuar më thellë se sa rënia e murit të Berlinit. Sepse kur ra muri i Berlinit mendohej se mbeteshin ende disa bastione të komunizmit në botë si Rumania, Kuba, Korea e Veriut dhe Kina. Por Rumania ishte afër Shqipërisë."

 

Ngjarjet e vitit '89 janë historike për gjithë ish-lindjen komuniste dhe shënojne fillimin e fundit të luftës së ftohtë që mbajti të mbërthyer mbarë globin.

 

Por, nëse në vendet e bllokut të lindjes pati disidencë apo lëvizje disidente në përmasa të ndryshme, në Shqipëri është ende sot në pikëpyetje nëse kishte apo nuk kishte disidentë gjatë diktaturës. Spiro Dede mendon se ka patur.

 

"Në Shqipëri nuk ka patur disidencë si në Çeki dhe në Poloni sepse mekanizmi i represionit dhe i përndjekjes këtu

ka qenë shumë më i ashpër. Por, disidenca, pakënaqësia, papajtueshmëria me mënyrën si ishte organizuar shteti dhe si shkoi ekonomia e Shqipërisë, këto ekzistonin. Një ndër shembujt më domethënës ka qenë Ismail Kadareja dhe një radhe intelektualësh që flisnin jo thjesht për mllefe personale por për gjithë mënyrën sesi drejtohej Shqipëria. Ata flisnin fare hapur dhe në mënyrë që nganjëherë mund të dukej skandaloze për kohën. Unë mbaj mend shumë raste të tilla me Kadarenë, i cili që nga fillimi i viteve '80, fliste hapur se Shqipëria duhej të ndryshonte totalisht."

 

Sa më shumë kalon koha, sa më shumë Shqipëria afrohet me Evropën, aq më shumë njerëzit në Shqipëri binden dhe gjejnë arsye të kuptojnë se regjimi komunist i Tiranës ka qenë më represivi dhe më i egri në të gjithë ish-bllokun komunist.

 

Me këtë mund të shpjegohet edhe mungesa e disidencës së vërtetë, apo edhe heshtja e plotë dhe injorimi total i ngjarjeve të mëdha si rënia e murit të Berlinit në shtypin e vitit 1989. Remzi Lani thotë:

 

"Shtypi në Shqipëri ishte mjaft i kontrolluar. Disa gazeta si Zëri i Rinisë, Bashkimi, Drita, kanë bërë disa përpjekje liberalizuese, por këto më shumë lidheshin me artet. Por, çështjet që lidheshin me thelbin e regjimit ishin tabu që nuk mund të prekeshin aq lehtë. Mos të harrojmë që Shqipëria ka qenë një regjim stalinist deri në dhjetor të vitit 1990. Krahasuar me Enver Hoxhën, unë mendoj se Çaushesku ka qenë një demokrat i madh. Ndaj nuk mund të pritej në atë kohë që shtypi i kohës të ishte ndryshe."

Do të kalonte edhe një vit nga rënia e murit të Berlinit që të binte muri i Tiranës. Goditjet e fundit ndaj tij do të ishin hyrja e mijëra njerëzve nëpër ambasadat perëndimore në Tiranë në korrik të vitit '90 dhe largimi i bujshëm i Ismail Kadaresë për strehim politik në Francë në muajin tetor.

Muri i Tiranës pas kësaj do të shkërmoqej në dhjetor nga një lëvizje e fuqishme antikomuniste e studentëve në kryeqytet. Sot në Shqipëri janë studentë ata që lindën pikërisht në vitin 1990.

 

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Çasti i demokracisëNga ALBIN KURTI& (11.07.2009)
PRESIDENTI SEJDIU: LËVIZJE POZITIVE NË VERI TË KOSOVËS (11.07.2009)
Incidenti i Korfuzit, i rishikuarNga Auron Tare, Mapo (11.04.2009)
SFIDA OSMANENga ARBËR XHAFERRI (11.02.2009)
Kadare: I kam dërguar letër Presidentit Bush, ku i shkruaja se kombi shqiptar vuan nën dy diktatura komuniste, një shqiptare dhe një serbe në Kosovë (10.31.2009)
Kadare: I kam dërguar letër Presidentit Bush, ku i shkruaja se kombi shqiptar vuan nën dy diktatura komuniste, një shqiptare dhe një serbe në Kosovë (10.30.2009)
Shehu: Nuk ka ndarje kufijsh pa hartë (10.29.2009)
A do të mbyllet fati i zvarritur i ish pjesëtarëve të luftës (10.27.2009)
Rrëfimi i madh i një populli të vogël (10.26.2009)
Të vdesësh për të ikurNga Ruben Avxhiu (10.25.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lartë]