E Djelë, 05.19.2024, 04:40am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
FEHMI AGANI - THEMELUES I STUDIMEVE SOCIOLOGJIKE NË PRISHTINË
Nga Prof. Dr. AGIM HYSENI

E Martë, 05.06.2014, 05:47pm (GMT+1)


Personalitete të veçanta janë ata të cilëve sa më shumë që ua njohim veprat aq më shume ua çmojmë ligjerimet.

Vepra e akademik Fehmi Aganit shquhet në hapësirat shqipëtare për diskursin ligjërimor argumentues dhe veprimtarinë praktike si dhe për baraspeshën në mes të ligjërimit e njohurisë shkencore dhe të veprimit shoqëror e politik.

Si intelektual, krijues dhe dijetar i veçantë Profesor Agani njihet për formim në traditat e humanizmit të mendimit shoqëror me synim clirimin e njeriut; Njihet për interesimet dhe njohurite e thella të një fushe të gjerë të shkencave humane : Sociologji të përgjithshme dhe Sociologji politike, Teori shoqerore dhe politike, Teori dhe praktika të lëvizjeve shoqërore, Metodologji, Logjike etj.. Profesor Fehmi Agani njihet poashtu për themelimin e studimeve sociologjike e filozofike në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, për herë të parë si diciplinë akademike në gjuhën shqipe, e të revistave Studia humanistica, Thema ku ishte përkatësisht dekan edhe kryredaktor.

Profesor Agani njihet përgjithsisht për rolin themeltar në ngritjen e institucioneve arsimore e shkencore, hulumtuese dhe akademike deri në nivel të Univerzitetit të Prishtinës dhe të Akademise së shkencave dhe të arteve te Kosovës, të cilat do të luajnë rol vendimtar në zhvillimin e emancipimit e të barazisë, në zhvillimin e të të drejtave njerëzore individuale dhe kolektive, të zgjerimit të hapësirave të lirive njerëzore e të lirisë kombëtare. Këto liri e të drejta, siq theksonte Profesror Agani janë të ndëlidhura e gërshetohen në mes vehte por mbajne specifikat e veta dhe nuk mund te shkrihen në njera tjetrën.

Pas përfundimit të studimeve në Universitetin e Beogradit, në gjysmën e dytë të viteve të pesëdhjetë, si një nga studentët më të dalluar të gjeneratës së vet dhe njëkohësisht si njëri nga intelektualët e rrallë shqiptarë të asaj kohe, Profesor Agani kthehet ne Kosovë dhe angazhohet me nje guxim të jashtëzakonshëm intetektual për gjetjen e rrugëve për zhvillim dhe avancim institucional të këtyre të drejtave për qytetarët shqiptar që nga rritja e rrjetit arsimor të fakulteteve dhe shkollave të larta, ngritjen dhe themelim e Univerzitetit të parë publikë ne gjuhën shqipe në ish-Jugosllavi, të Institutit Albanologjik, të Institutit te Filozof-Sociologjisë për të vazhduar më vonë me kërkesën për avancimin e vet statusit kushtetetues të Kosovës në kuadër të federatës së athershme.

Nga bisedat që kam pas me Profesor Aganin më kujtohet të më ketë treguar se hapja e fakulteteve të para në gjuhën serbe në Prishtinë ka qene pjesë e programeve për kolonizimin e Kosovës, me qëllim qe disa katedra si p.sh katedra e gjuhës ruse të ngritet në në qendër të këtyre studimeve ne nivel të RSFJ-së. Ishin këto vitet 1948 deri ne fillimi të vitit 1956.
Para dhe nga kjo periudhe pra nga viti 1956-1966 "revolucionaritetit komunist" në Kosovë matej me numrin e shiptarëve të vrarë e të dëbuar nga vatrat e tyre.

Si njohës i mirë i politikave dhe praktikave sistematike diskriminuese shtetrore serbe, të cilat sikur vërtetuan edhe njëhere thënjen Volterit se ka edhe individë, por ka edhe popuj te të cilët mbizotron e keqja, Profesor Fehmiu shquhet sa i përket angazhimit për demaskimin e të keqes, të shtypjes dhe terrorit shtetror të ushtruar mbi shqiptarët e që fillon në përfundim të Luftës së Dytë Botërore deri më 1948-etapa e parë.Pastrimi etnik i komuniteteve jo-sllave: të shqiptarëve, në rradhë të parë si dhe të gjermanëve, hungarezëve dhe italianëve shihet si zgjidhje përfundimtare e cështjes. Në këtë kohë "šrevolucionaritetit komunist"˜ në Kosovë matej me numrin e shqiptarëve të vrarë. Profesori më tregonte për një funksionar komunist serb në prizren, me emrin Predrag Ajtiq, te ketë thëne publikisht se " nuk ka revolucionaritet të mjaftueshëm në Kosovë, pak shqiptarë po vrasim."

Politika sistematike e "špastrimit etnik të shqiptarëve"˜(V.Cubriloviq) vazhdon me intenzitet në vitin 1956 deri në vitin 1966. Autori i projekteve famëkeqe për pastrimin etnik të shqiptarëve dhe të komuniteteve jo-sllave ne Jugosllavi(1937;1944), ishte Vasa Qubrilloviq, akademik serb, anëtar i SANU-së, i propozuar për Shpërblimin e KACKJ-së, shpërblimit më të lartë që ndahej për merita të jashtëzakonshme.

Profesor Agani arrin të bind Krytarin e komisionit të këtij shpërblimi, me përkatesi nacionale sllovene, që shpërblimi të mos i ndahet autorit të projektit racist "Dëbimi i shqiptarëve", Beograd, 1937,- Memorandum që propozon mënyrat konkrete të zgjidhje se "cështjes shqiptare" me pastrimin total etnik të shqiparëve nga Kosova "meqe shqiptarë është e pamundur të shtypen vetëm me kolonizim gradual..".

Profesori ia del.. Profesor Agani pengon marrjen e Shpërblimit të KACKJ-së për Vasa Cubrilloviqin, politikan dhe akademik serb, anëtar i SANU-se me ndikim në Jugosllavi i cili me 1981 madje pranohet edhe anëtar i Akademisë sllovene.. Cfarë guximi intelektual, njohurish teorike dhe shkathtësi praktike janë dashur që Vasa Cubrilloviqi të pengohej të marr shpërblimin për të cilin ishte nominuar madje të dënohej nga LKJ-ja që predominohej dhe udhëhiqej nga serbët.

Fehmi Agani me Gazmend Zajmin, me të cilin kishin bashkëpunim të ngushtë,etj., janë intelektualë të angazhuar edhe në organizimin i revoltës së studentëve në demonstrata të '68 për të drejta të barabarta dhe kundër diskriminimit poashtu në artikulimin dhe mbrojtjen e kërkesave të tyre te drejta dhe legjitime.

Fehmi Agani ishte nder themeluesit e Universitetit te Prishtines, te institucionit me te larte arsimor publik, te vetmit ku organizohej mesimi ne gjuhen shqipe per te gjitha trevat shqiptare ne RSFJ.

Kërkesa më e zëshme për themelimin e univerzitetit të Prishtinës vinte pikërisht nga Profesor Fehmi Agani me disa nga kolegët e tij si Gazmend Zajmi, Ali Hadri, Mark Krasniqi, Dervish Rozhaja etj.

Qe nga ajo kohe Profesor Agani eshte nga personalitete me te afirmuara dhe me me ndikim ne Universitetin e Prishtines. Ka qenë arsyeja që ka udhëheq me idete, iniciativat dhe realizimin praktik të tyre, me bashkëpunëtorë të shumtë dhe të zgjedhur por asnjëri nuk ka mundur që ta zëvendësoi si autoritet suprem i arsyes dhe i karakterit të tij, pavarësisht nga "šdiferencimet"˜ politike si forma të selekcionimit negativ që i janë bërë vazhdimisht. Printe në ndërrmarrjet më të rrezikshme për zhvillimin e vetëdijes kombëtare dhe clirim të vendit, autoriteti moral më me ndikim dhe më i pranuar nga studentet, intelektualët dhe përgjithesisht qytetarët shqipëtar ne trevat e tyre në ish-Jugosllavi.

Demonstratatt e 68-tës dhe Hapja e Universitetitt të Prishtinës shënojnë dy nga ngjarjet kulmore ku profesor Fehmi Agani ishte ndër protagonistët kryesorë.

Të rralla janë universitetet siq është Universiteti i Prishtinës që mbajnë fatin e mesit shoqëror ku janë krijuar dhe ku veprojnë. Kjo mund të thuhet, theksonte Profesori sepse Universiteti i Prishtinës me qenien e vet shpreh synimet, rritën, aspiratat, vecantitë e e qenies e të zhvillimit por edhe vështërsitë dhe kundërthëniet e këtij zhvillimi. Profesorët me emancipim universal e vetëdije të zhvilluar kombëtare, të ndërgjegjshëm e të përgjegjshëm si dr. Agani i paraprinë proqeseve dhe ngritjes e zhvillimit të institucioneve.

Emanicipimi i përgjithshëm shqiptar, sipas profesorit, do të sillte pashmangshëm zgjidhjen për sfidat dhe vështirsirë e tilla.

Këtë e dëshmon edhe vet përbërja e Grupit R, grupit për Republikën e Kosvës ku Profesor Fehmi Agani printe e që përbëhej edhe nga Gazmend Zajmi, Ali Hadri, Dervish Rozhaja, Rezak Shala etj. Angazhimi publik dhe i zëshëm për Republikën e Kosovës fillon me diskutimet e Profesorit Fehmi Agani që në vitin 1967, në Aktivin politik të Gjakovës.
U shqua ne angazhimet e parreshtura per mbrojten e Kushtetutes se Kosoves të vitit 1974
ne vitet 1981-1989 , për cka në diferencimet poltike të rradhës që ju bënë një kategori obskurantiste siq e quante procesin e diferencimit poltik Profesor Agani, u përjashtua së bashku me Gazmend Zajmin nga procesi mësimor si dhe nga udëheqja e studimeve të Doktoratutës së sociologjisëu. Ndërsa nga vitet 1989-90 ishte i përkushtuar në organizimin e lëvizjes politike me karakter kosovar përkatësisht me organizimin e Lëvizjes paqësore për pavaresinë e Republikës së Kosovës së okupuar nga ish-RSFJ e shpërbërë.Ishte autor apo bashkëautor i shumicës së apeleve, protestave e dokumenteve kundër shtypjes institucionale serbe në Kosovë.

Profesor Agani përsëriste publikisht vërejtjen se ksenofobia që po ndodhte në Sërbi e Jygosllavi, në fillim, ndaj shiptarëve ishte një fashizëm i ri serb, ndërsa sundimin e Millosheviqit e kishte karakterizuar si "sulltanizëm".

Me bashkepunimin dhe angazhimin per bashkimin e lëvizjes politike në mes veti, për bashkimin e lëvizjes lëvizjes ushtarake në mes veti si dhe për bashkimin e lëvizjes politike dhe asaj ushtarake gjatë luftës së fundit në Kosovë të viteve 1998-99, për bashkimin e të djathtes dhe të majtës që për te ishin si dy krahët e një trupi, Profesor Agani ishte i pari nga të njejtit.
Ky rol integrus i Profesorit ndikoi ndjeshem dhe u pasqyrua edhe ne punen e suksesshme te Delegacionit te Kosoves ne Konferencen e Rambujes. Sipas diplomatit dhe të negociatorit më të njohur aktual te SHBA-ve ,Ambasadorit Kris Hill, Profesor Agani u shqua gjate gjithe kohes për mprehtëësi të arsyes e sensin e holle të dialogut, për kulturen e bashkëpunimit dhe autoritetin moral integrues, për perkushtim të vendosur deri ne zgjidhjen më te mirë të mundshme të cështjes së Kosovës në rrethanat e luftës dhe të pastrimit etnik serb në Kosovë. Në këtë mënyre kontribuoi për zgjidhje më realiste të cështjes shqipëtare në Ballkan dhe të raporteve në Ballkan përgjithësisht.

Edhe veprimtaria shkencore dhe profesionale e Fehmi Aganit ishte e frytshme vecmas viteve tetedhjeta dhe nentedhjeta e botuar në revista dhe përmbledhje të ndryshme shkencore të Kosovës dhe jashtë vendit si dhë në vepra të vecanta.

Në këto punime trajton: aspekte që nga cështja e zhvillimit të mendimit shoqeror dhe politik që nga antika greke ku të qenit njeri e ka patur domethënjen e të qenit të lirë, ndërsa të qenit i lirë don të thotë të mirresh me politikë. Prandaj antika greke Polisin pra Qytet-Shtetin e përcaktojnë si bashkësi politike të njerëzve të menqur dhe të lirë që mirren me politikë me qëllim të promovimit dhe të realizimit të idesë të së mirës së përgjithshme, të paqës, të lumturisë, të mirëqenies dhe të interesave të njerëzve ose të shumicës së njerëzve. Jane tema këto me te cilat do të fillojë trajtimi sistematik i kategorive themelore shoqërore e politike nga antika dhe deri tek mendimtarët e parë të Kohës së Re, që nga Makiavelli e deri te Leviatani i Hobsit. Trajtimi i frikës si parim të despotizmit sipas Montesqie-së e të sovranitetit të popullit sipas Rusoit, qe nga utiliarsitët e deri te klasikët e mendimit sociologjik e politikë si Komte, Marks, Dyrkem, Weber, të përfaqësuesve të teorive elitiste si Moska, Pareto, Mihels; Të teorive bashkëkohore te Rajt Milsit, Manhaimit, e të teorivë të fashizmit e të neokonzervatizmit.

Një pjesë e këtyre punimeve u botuan në vëllimin e veqantë Në rrjedhat e mendimit sociologjik, që edhe sot është vepra më e rëndësishme e botuar në gjuhën shqipe nga fusha e mendimit shoqëror.

Vepra që trajton raportin e kategorive si Demokracia, kombi, vetëvendosja, (1994) në të cilën problematizon edhe raportin e të drejtave individuale dhe kolektive, raportin pakicë-shumicë, raportin barazi- demokraci duke ju mbyllur të gjitha shtigjet keqinterpretimeve të këtyre raporteve nga qendrat sunduese etnoraciste në Beograd.

Që në fillim të viteve të "˜90 Profesor Agani i kishte kushtuar nje studim përmbajtësor cështjes së vetvendosjes. Në mbështetje të tendencave zhvillimore shoqërore Profesor Agani përcaktimin e vet për Pavarësi të Kosovës e proklamonte publikisht si të vetmen zgjidhje të cështjes. Ndërsa Kosova e pavarur shihej si një zgjidhje më realiste e cështjes shqiptare ne Ballkan, dhe e rapoteve në Ballkan përgjithësisht."Vetëvendosja, si e drejtë e përgjithshme e të gjithë popujve, theksonte Profesor Agani, është thelbësisht demokratike, shprehje esenciale e demokratizimit...ajo është e lidhur, gërshetohet me të drejtat individuale, njerëzore... si e drejtë kolektive, e drejtë e komuniteteve, nuk mund të reduktohet në të drejtat individuale njerëzore dhe as të shterret në to"- theksonte Agani duke e ngritur cështjen e të drejtës së vetvendosjes së shqiptarëve ne Kosovë në nivel shkencor. Profesor Agani në vazhdim theksonte në mënyrë ekplicite; "që të mund të realizohet, e drejta e vetëvendosjes presupozon shprehjen e lirë e të sigurt të vullnetit të popullit përkatës. Prandaj, referendumet, votimet ose procese të tjera me pjesëmarrje të tërë popullit, janë parakushte për realizimin e saj." Trajtimi i parimit të vetëvendosjes si e drejtë dhe obligim, bëhet në një kohë të rrrethanave, të marredhënieve dhe qëndrimeve të ndërlikuara politike ndërkombëtare rreth cështjes së Kosovës e cila siq nënvizonte Profesor Fehmiu nuk mund të zgjidhet pa respektimin e te drejtës themelore për vetëvendosje dhe pavarësi. Në të njejtën kohë kur kjo e drejtë legjitime nuk i njihej Kosovës, e artikuluar në lëvizjen paqësore të qytetarëve shqiptar të saj, pranohet Republika Srpska që është rezultantë e gjenocidit serb ndaj civilëve boshnjak musliman e që shënon gjenocidin më të madh pas Luftës së Dytë Botërore.

Në pjesën e fundit të jetës së vet profesor agani merrej gjithnjë e më shumë me çështjen e Shoqërisë civile. Në punimin e tij Mbi Shoqërinë Civile Agani vjen në përfundim se dështimi i Serbisë dëshmon të jetë jo dështim në përpjekjet për të "ruajtur" Jugosllavinë por pikërisht dështim në krijimin e një Shoqërie Civile.

Kategoria e lirisë dhe e tolerancës përfundimisht do të bëhet njëra nga dy konceptet kryesore të meditimit sociologjik e politik të Profesor Aganit.

Në vazhdën e mësimeve të Kantit se njeriun nuk e zhvillon natyra por liria; se pa liri nuk ka demokraci, pa demokraci nuk ka përparim; Se raporti ndaj lirisë drejtpërsëdrejti e përcakton cështjen e autonomisë morale të cdo politike. Fehmi Agani, Profesori i lirisë, lirinë jo vetëm që e donte; ai lirinë edhe e dinte dhe donte që edhe të tjerët ta dinin; Që ta dinin si t'ia bëjmë me lirinë, si të ngrihemi në lartësitëtë e idesë për lirinë, të dijmë "tash çfarë do të ndodh me ne pa Barbarët?"(Kavafis)

Trajtimi nga profesor Agani i kontributit dhe rolit të enciklopedistëve frances që i paraprijnë Revolucionit të clirimit dhe të barazisë në mes të njerëzve në Evropë nuk ka se si të mos kujton edhe ndikimin e ngjashem, me përmasa kombëtare, të rolit të enciklopedistëve shqipëtar në Perandorinë turke të prirë nga Hasan Tasini, Rektori i parë i Universitetit të parë turk dhe Sami Frashëri enciklopedistit më të madh të Turqisë,etj., që i paraprijne clirimit dhe pavarësimit të Shqipërisë.

Një gjeneratë e tërë e enciklopedistëvë të Kosovës, si Profesorët Fehmi Agani, Gazmend Zajmi, Ali Hadri, Hasan Mekuli, Dervish Rozhaja etj., me kontributin e tyre teorik dhe praktik i paraprinë zhvillimit sistematik të barazisë së Kosovës dhe afirmimit të drejtës për vetvendosje, deri në clirim, deri në pavarësi.Pavrësimin e Kosovës nuk e gëzuan asnjëri nga këta intelektual krijues të shquar, sikurse edhe shumë kolege e bashkëpunëtor meritor të tjerë.
Me Profesor Fehmi Agani fillon dhe përfundon një epokë e sociologjisë, filozofisë politike dhe të politikës në këto hapësira epoka e themelimit dhe zhvillimit mbi baza humaniste.
Është epoka kur mendimi shoqëror e politik në Kosovë dhe rreth cështjes së Kosovës është një dialog i madh me Fehmi Aganin si kontribut origjinal, si polemikë apo si referencë e paevitueshme.

Fehmi Agani si askush tjetër krijoi figurën e dinjitetshme të profesorit që mbetet shembull.
Ai është një ndër krijuesit më të shquar të sociologjisë dhe të politikës shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit të XX. Me shkrimet analitike, studimet dhe veprat e veta sociologjike e politike, për afro gjysme shekulli Akademik Agani ka qenë sinonim i origjinalitetit shkencor, i mendimit të pavarur kritik për zhvillimet e gjithmbarshme shoqërore tek ne dhe rreth nesh, një zë i vecantë dhe i shkelqyr i të drejtës, të interesave dhe të aspiratave të vendit tonë, si dhe i intelektualit krijues të angazhuar, të përkushtuar e heroik që sfidoi pushtete e sundimtarë e që e demaskoi publikisht krimin kolektiv në Kosovë, në formën e pushtimit, të pastrimit etnik dhe të gjenocidit.

Identiteti i pavarur profesional, njohuritë universale e observimet e thella, invencioni karakteristik në shtruarjen e cështjeve, sintezat e zgjidhjet kreative, lehtësia e shkrimit dhe qartësia e mendimit të pavarur për pavarësi kur rrallë kush ka guxuar t'a dëgjojë, janë karakteristika që përshkojnë veprën e begatshme shkencore dhe politike të Fehmi Aganit.
Kontributi i Akademik Fehmi Aganit përmes ideve të tij, përmes angazhimit të vendosur në nivel shkencor për njohjen e pakushtëzuar të së drejtës për vetvendosje dhe të pavarësisë së Kosovës, përmes veprës dhe veprimtarisë teorike e praktike si dhe përmes qëndresës së tij të pamposhtur deri në martirizim e bëjnë një nga figurat qendrore në jetën shqiptare.

-
Fjala hyrësë e mbajtur në Konferencën e organizuar me rastin e 40 vjetorit të themelimit të Katedrës së Sociologjisë dhe të Filozofisë në Prishtinë, 18 Nëntor 2012

Prof. Dr. AGIM HYSENI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Radio Evropa e Lirë, VALDET AVDIU - TEATRI KOMBËTAR I KOSOVËS, SI STACION TRENI I BRAKTISUR (Intervistë) (05.06.2014)
Ç’PO PRODHOJNË SHKOLLAT TONANga ERION KRISTO (05.05.2014)
E shkruar para 36 vjeteshME SINQERITETPoezi nga ZEQIR LUSHAJ (05.04.2014)
DJALI DHE TIGRINga GENTIANA ZAGORIDHA (05.03.2014)
BRUKSELI NDERON ISH KOMANDANTIN MUHARREM BAJRAKTARICeremoni zyrtare në komunën Skarbek të Brukselit për ish-funksionarin e lartë të Mbretërisë, në 25-vjetorin e vdekjes. Kreu i PLL Sulejman Gjana dhe kryekomunari belg zbulojnë pllakën (05.01.2014)
“ITAKA” E ALI AHMETITNga RAMIZ LUSHAJ (05.01.2014)
NJOFTIM - KËRKESËPër pasurimin e Bibliotekës “San Nilo”, Grottaferrata-Romë (04.30.2014)
INFORMACION PËRKITAZI ME WEB-FAQEN E SHSHASHS-së (04.30.2014)
NJË SHTET QË SYNON T’I MBYLLIN UNIVERSITETET KA MARRË RRUGËN E DJALLITNga RAMIZ LUSHAJ (04.28.2014)
MËSONI HISTORINË E SHQIPËRISË, ZOTËRI BLUSHINga SKËNDER DUSHA (04.27.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lart]