VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - NJË SHTATORE PËR TEF PALUSHINNga LUAN LAZE

                                                                                      

E Djelë, 04.28.2024, 11:40am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 

NJË SHTATORE PËR TEF PALUSHIN

Nga LUAN LAZE


E Enjte, 07.29.2010, 10:22am (GMT+1)

Njerëzit e fortë të politikës, armës, parasë, pushtetit, i kemi shumë qejf. U shkojmë pas, i duartrokasim dhe i kemi idhuj. Ndoshta nga frika. E kur nuk jetojnë më, u ngremë buste, monumente dhe rrugëve e institucioneve u vëmë emrat e tyre. Si respekt për forcën, zhvatjen dhe mashtrimin që bënë ndaj nesh. Kjo dobësi e karakterit njerëzor do e ketë shqetësuar edhe Balzakun kur shkruante: Kam respekt për diktatorët, sepse në një farë mënyre, ata kanë neveri për racën njerëzore.Ndërsa njerëzit e dijes, punës, këngës, humorit, artit, shpesh i konsiderojmë kalimtarë e të parëndësishëm. Ose i përdorim dijet e tyre për të lavdëruar me mençuri diktatorët dhe zhvatësit e jetës tonë. A nuk citova edhe unë Balzakun? Nëse do të kishte qenë shqiptar, as do të kaloja ndonjëherë nga shtëpia e tij, e jo më ta citoja. Nuk do të më binte ndërmend nëse ka ndonjë bust në qytetin e lindjes. Por më parë se të flasin gazetarët për këtë dukuri psikologjiko-nënshtruese, duhet të analizojnë psikologët. Në pritje të zgjimit të tyre po sjell diçka më konkrete.Shkodra është qytet me tradita. Veçanërisht në fushën e artit dhe humorit. Zor se gjen një qytet tjetër ku të shkosh e të mos qeshësh nga humori i banorëve të saj. Edhe më seriozi të bën për të qeshur. Ndoshta dialekti, fantazia dhe batutat. Ky është një fenomen i rrallë.

 Mund të ketë individë e familje me humor, por një qytet i tërë është vërtet për tu habitur. Kjo zonë ka nxjerrë xhevahire, që dikur i përdornim si "gazeta opozitare". Edhe kur sajonim vetë ndonjë ia vishnim Shkodrës. Sepse vetëm atje besohej se dilnin xhevahire anti-diktaturë. Edhe vetë diktatura kishte dëshirë të besonte se të tjerët i donin, vetëm Shkodra jo.Ajo ka nxjerrë shumë individë që bënë emër me humorin e tyre. Jo humor dosido, por thellësisht politik, social dhe shoqëror. I mprehtë deri në sarkazëm, i hollë deri në mençuri dhe opozitar deri në tallje. Barcoletat shkodrane ishin ngushëllimi ynë në ato vite. Edhe tani ato nuk mungojnë. Por e kanë zgjeruar tematikën. Sërish atje qesh me të madhe, sa të zë frika nëse duhet të marrësh pjesë në ndonjë funeral. Sepse turpërohesh. Kjo i ka ndodhur gjithkujt. Sot personazhi më popullor e interesant për Shkodrën, njihet Nexho Shabani. Me bejte, pa bejte, batutat e tij për disa minuta shkojnë nga njëri cep i Shkodrës në tjetrin. Në mesazhet e celularëve edhe në skajin më të largët të Shqipërisë. Por i paharruar mbetet Shtjefën Palushi. Ky karikaturist i talentuar dhe humorist brilant, është sinonimi i humorit shkodran. Këtë qytet e vizitojnë mijëra turistë. Sillen vërdallë dhe mund tu tregosh atyre vetëm kalanë e qytetit, shtëpitë karakteristike, monumentin e Fishtës dhe Bunën.

Po më tej? Nëse qyteti do të kishte monumentin e Tef Palushit diku në një lulishte, mund të mburreshe para mikut për këtë figurë tepër interesante. Skulpturë që do të na e sillte të gjallë imazhin fizik të tij. Përfytyroni kureshtarët e huaj si do të ndaleshin aty. Cili është ky? Çfarë ka qenë? Dhe me Tefën e humorin e tij nderohesh para kujtdo. Kështu vepron bota e qytetëruar. Atë të cilin të gjithë e kanë në zemër, mendje dhe kujtesë, artisti ia përjetëson edhe në skulpturë. Në Kroaci, në një qytet të humbur në qendër të rrugës automobilistike, si ato shtyllat tona të elektrikut, është ngritur skulptura e një lypsari poet që tërë ditën thurte vargje për politikën, dashurinë, paranë dhe urinë. I dehur, ai gjithnjë zinte trafikun në mes të rrugës. Bënte për të qeshur bashkëkombasit, i mençuronte ata, dhe i frymëzonte me të bukurën. Pikërisht aty, bashkëqytetarët e tij ia ngritën monumentin me përmasa natyrale në shenjë respekti. Të gjithë tërhiqen nga ajo figurë në mes të rrugës. Të gjithë duan të bëjnë një fotografi e të mësojnë për bëmat e tij. Është e vështirë, sepse makinat nuk ndalojnë. Pikërisht edhe kjo e bën më interesante skulpturën e atij poeti lypsar.

Atëhere dhe tani, ai është problem për trafikun. Një njeri krejt i panjohur u kthye në objekt turistik për të huajt. Në Irlandë, dhjetra figura me përmasa natyrale, tërë zhele pranë portit, të duken si qytetarë që i kanë përzënë nga shtëpia. Sepse ata qëndrojnë përjetësisht aty. Janë emigrantët e parë që shkuan drejt Amerikës. Më tutje, një bukuroshe prostitutë me karro, u kujton njerëzve se ajo dikur ka shitur trëndafila dhe trupin e saj.Mund të sjellim qindra shembuj kudo. Po aq mund të sjellë edhe çdo lexues që jeton apo ka udhëtuar jashtë Shqipërisë. A do t'i bënte nder mençurisë dhe humorit shkodran e shqiptar skulptura e Tef Palushit? Kam bindjen se po. Pothuaj çdo qytet i Shqipërisë ka figura që nuk na kujtojnë dhunën, diktaturën, armët, fuqinë e pushtetit dhe parasë. Sa artistë ka nxjerrë Korça e bukur! Dy ose tre prej tyre mund të zbukurojnë lulishtet e qytetit. Vlera interesante, figura popullore dhe artistike të jashtëzakonshme ka Durrësi, Tirana, Fieri, Berati, Gjirokastra, Përmeti, Elbasani, Kruja. Nëse do të vendosej një shtatore e Laver Bariut me klarinetën e tij, e merrni me mend sa kureshtarë turistë do të tërhiqte? Jo vetëm do të shprehnim mirënjohje për të, por edhe do të na nderonte para të huajve. Sepse dimë të bëjmë skulptura realiste, njerëzore, por edhe t'i vendosim aty ku shtojnë vlerat historike, kulturore dhe artistike qyteteve.

Kështu në çdo cep të Shqipërisë. Shtatore të bukura, të natyrshme që të na e sjellin të gjallë imazhin dhe veçoritë e figurës, do të ishin mirënjohje për ato, nder për qytetin dhe vlerë për turizmin. Sepse fati i tyre ky ka qenë. Vetë të jetonin gati në mizerje, ndërsa brezat të krenohen, edukohen dhe fitojnë. Skulpturat lirike, njerëzore, në parqet e qyteteve tona do të çlodhte mendjet e lodhura të shqiptarëve. Por jo vetëm këto. Edhe dashuritë më pasionante të njohura mund të përjetësohen në mes të qytetit. A ka më bukur? Njerëzit e çuditshëm dhe të veçantë gjithnjë zgjojnë interesin e kureshtarëve. Edhe ne kemi dashuritë tona të rralla që kanë përfundim dramatik apo të gëzueshëm. E meritojnë ata dhe bukuria e qyteteve tona që t'i kenë të përjetësuara në art.Njerëzit dhe temat janë të pafund. Mungon vetëm një gjë e vogël. Dëshira për tu bindur ne, se përjetësimi i këtyre vlerave kulturore dhe shpirtërore do na e bënin jetën ndryshe nga ç'e kemi patur. Skulptorët i kemi, biznesi ka para, individët dhe temat pafund, parqe plot dhe, dëshirë për t'i parë sa të duash. Por çfarë i pengon? Vetëm vendimi i atyre që e mundësojnë këtë gjë. Sigurisht, pasi vetë të jenë çliruar nga fobia se skulptura publike nuk është vetëm ajo e një luftëtari apo e një beteje. A nuk do ishte bukur nëse në plazhet tona të kishim skulpturat e një çifti të rinjsh të dashuruar, një peshkatar, apo një personazh i ngarkuar me mallrat që tregton çdo ditë midis pushuesve, një gjyshe me nipin për dore diku buzë detit? Të isha skulptor dhe të kisha para, do të realizoja dhjetëra si këto ide.

Në Tiranë do vendosja shtatoren e aktorit më të madh të humorit që ka nxjerrë Shqipëria e Mesme, Skënder Sallaku. Cili është burri më i famshëm i Libohovës? Atë e dinë banorët e saj. Çdo fshat do i bënte nder vetes të kishte një figurë humane, njerëzore në qendër të tij.Dyshoj edhe vetë në realizimin e këtyre fantazive të bukura kur kujtoj një shokun tim të shkollës fillore, tani deputet. Kur ngjiteshim nga Kodrat e Liqenit Artificial, ai afrohej tek djali i skulpturës që kishte bërë kaluçin për shokët, dhe... Çfarë bënte do të thoni ju? I fuste gishtin...! A mundet që ky njeri të mendojë dhe bjerë dakord sot me mendimet e mia? Nuk besoj. Atëherë për humor fëminor bënte atë veprim, tani gishtin me gjithë bërryl ua fut edhe ideve të mia. Bashkë me to, edhe vetë personazheve që meritojnë të jetësohen. E di, se në një repart ushtarak shqiptar, nuk mund të kërkosh të vendosësh në mes të oborrit një femër më rroba banjo. Dikur, bashkëkombësit e mi, tablosë të Delakruasë i bënë një ndryshim të moralshëm: Mbuluan gjoksin e heroinës qendrore, meqë e kishte zbuluar nga beteja në barrikadë! Kjo mendje vazhdon akoma. Ka ndryshuar vetëm morali. Lakuriqësinë e pranojmë tek të tjerët, por jo në veprat e artit. Nxjerrin para nga prostitucioni, por një femër të ndershme nuk e pranojnë në skulpturë. Lirizmi artistik dhe njerëzor në vendet publike, do të na e zbuste sado pak egërsinë tradicionale që kemi. Nëse durojmë pa i thyer dhe vjedhur për skrap, për disa vite do kenë ndikim pozitiv në shijet tona. E më vonë edhe në temperament.

Kur sheh një grykë arme, të shkon mendja se kë duhet të vrasësh. Kur sheh një tufë më lule thua, kujt t'ia dhuroj. Kur sheh dy njerëz të dashuruar thua, pse të mos e dua edhe unë gruan time? Skulpturat publike me histori mençurie, dashurie, humanizmi dhe nostalgjie, janë faqja e parë e civilizimit tonë. Le të mësojmë edhe ne që t'i themi mikut të huaj: Po ndaloj makinën të tregoj historinë e kësaj skulpture! Në mes të rrugës Shtutgard- Fraiburg, në grykën e një mali të thepisur, është skulptura e një dhie të egër që tentonte për tu hedhur në anën tjetër. Ishte shumë e bukur dhe binte në sy që larg. Shoqëruesi im shqiptar e komentoi kështu: U hodh nga mali se nuk donte ta përdhunonte cjapi! Megjithatë, ajo ishte e mrekullueshme. Ia bënte rrugën të bukur udhëtarit dhe zbukuronte majën e malit. Në Parkun e malit të Dajtit bajgat e kuajve janë skulpturat biologjike që shijojmë. Po ashtu në Dardhë, Velipojë, Llogara, pyjet e Lurës, etj.Së fundi dua të shtoj se, këtë opinion e shkruajta duke e ditur që në fillim se kjo fantazi liriko-turistike, nuk do të zgjojë ndjenjën e aprovimit të askujt. Ose më mirë të atyre që e kanë në dorë. Vetëm të gazetës që po e boton e të ndonjë lexuesi.

Luan Laze


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
RETROSPEKTIVË: IBRAHIM RUGOVA, NJË NJERI QË DO T'I MUNGOJË KOSOVËSNga BERNARD KOUCHNER (07.28.2010)
GJERMANIA JUSTIFIKOI BESIMIN E SHQIPTARËVE - PORTRET I PIRRO TREBICKËS (07.25.2010)
ARBËN XHAFERRI: FITOI E DREJTA PËR LIRI (07.23.2010)
TËRMKOLLI: PËR RIGJYKIMIN E HARADINAJT, E INTERESUAR SERBIA (07.22.2010)
QEVERIA SHPREH BRENGOSJE PËR RIGJYKIMIN E HARADINAJT (07.21.2010)
MBI KRIMET E KOMUNIZMIT NË SHKODËR E MALËSINga FRITZ RADOVANI (07.19.2010)
POEZI E FRESKISË DHE DRITËS ROMANTIKENga Prof SADIK BEJKO (07.17.2010)
"DUA TË BËJ PAQE ME SHQIPËRINË" - ARTISTJA ELDA SORRA (07.15.2010)
BUJAR ALIKO: ËNDRRËN GJERMANE MUND TA PËRJETOSH EDHE NË SHQIPËRI (07.14.2010)
HYSENI: BALLKANI - JO PENG I SERBISË (07.09.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lartë]