VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - ALI BABA ME 40 HAJDUTËProzë humoristike satirike nga ARBEN KALLAMATA

                                                                                      

E Martë, 05.14.2024, 02:27am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
ART KULTURË
 

ALI BABA ME 40 HAJDUTË

Prozë humoristike satirike nga ARBEN KALLAMATA


E Djelë, 01.09.2011, 11:18am (GMT+1)

Takimi me doganierët e Kakavijës ishte ndoshta takimi i vetëm i zotit Fotaq në mjedis të mbyllur. Ai gjithmonë ka parapëlqyer sheshet e fshatrave dhe ish-kooperativave, grumbullimet spontane dhe pa të keq të njerëzve, shprehjen e sinqertë të solidaritetit dhe mbështetjes pa rezerva. Megjithatë, për arsye që kuptohen (afërsia me kufirin e shtetit fqinj), takimi nuk mund të zhvillohej jashtë.

Salla ishte e ajrisur mirë nga kondicionerë të fuqishëm. Edhe mobilimi ishte modern. Kolltukë të mëdhenj për çdo doganier të thjeshtë, podium i ngritur, mikrofona modernë dhe sistem dëgjimi nga më të përparuarit. Pas diegies së rradhës në vitin 1997, dogana e Kakavijës ishte rindërtuar plotësisht. "Do ta bëjmë doganën tonë edhe më të bukur, edhe më të madhe", kishte deklaruar në atë kohë plot krenari Ministri i Financave, i cili fill pas kësaj dha dorëheqjen në mënyrë të papritur. Por doganën e bënë.

Kolltuqet e butë, ajri i kondicionuar, salla e ndriçuar ëmbël dhe zëri i ngrohtë i zotit Fotaq e dhanë menjëherë efektin. Salla u kapllos në gjumë që në paragrafin e parë. Dëgjohej vetëm lëvizja e lehtë e kameramanëve, të cilët mbanin kufjo në vesh prej ku dëgjonin vetëm komandat e regjisorëve nga autobuzët jashtë.

Përjashta veprimtaria e doganës së Kakavijës ishte ndërprerë plotësisht. Vargu i makinave ishte shtuar, por asnjë nuk ankohej. Lajmi se brenda në doganë ndodhej vetë zoti Fotaq ishte përhapur në të dy anët e kufirit. Të gjithë prisnin me qetësi, të bindur se në ndërtesën e doganës po ndodhnin gjëra më të rëndësishme për të ardhmen e kombit se sa mërzitja që mund të shkaktohet nga dy orë më shumë apo më pak pritje në doganë.

Dhe zoti Fotaq ia nisi:

 

Politikisht

Identiteti autentik i personit të definuar nominalisht si Ali Baba kontinjuon të remanojë i pakonfirmuar shkencërisht dhe historikisht, megjithë akseptimin ekskluziv se ka ekzistuar në formën e një kambisti ordiner të merkatës valutore, pa vizibilitetin e ndonjë suksesi partikular në disiplinën respektive të involvimit profitues. Paralelisht me ekzistencën e tij modeste akseptohet edhe kontinuiteti biologjik i siblingut të tij superior Qazim, i cili proliferonte në abundancën relative substanciale, konseguencë direkte e involvimeve efektive dhe triumfale në aktivitetet politiko-ekonomike. Militimi aktiv në kampanjat elektorale Partiake i ofronte Qazimit posibilitetin e utilizimit të eksperiencës personale me një pozicion krucial në doganë, rezors ky i padisputushëm remuneracioni dhe kompensimi valutor, që reflektohej vizibilisht në rezidencën luksoze dhe stilin ekzistencial ekstravagant të familjes respektive.

Shqip

Askush nuk është në gjendje ta thotë me siguri kush ka qënë në të vërtetë Ali Baba, megjithëse pranohet se duhet të ketë qënë një tregëtar i vogël që e nxirrte bukën e gojës nëpërmjet shkëmbimit të parave. Gjithashtu pranohet nga të gjithë se ai kishte pasur edhe një vëlla të quajtur Qazim, i cili ishte i kamur, pasi e kishte përzjerë veprimtarinë ekonomike me atë politike. Si shpërblim për shërbimet në fushatën zgjedhore, partia, pas fitores në zgjedhje, i kishte dhënë Qazimit një vend pune në doganë, ku ky ishte pasuruar brenda një kohe të shkurtër, gjë që dukej qartë në mënyrën e jetesës dhe bollëkun e familjes së tij.

Ali Baba dhe partnerja e tij matrimoniale Hatixhe (Hanëmi) Baba kontinuonin ekzistencën në kondita ekstraordinarisht deprivuese, në një apartament simplicist në seksionin më të depresuar të metropolit. Profiti minimal monetar i Ali Babës transformohej frekuentalisht në objekt konfliktesh dhe argumentash me partneren e tij, konflikte që intensifikoheshin partikularisht kur Hatixhe Hanëmi i referohej Qazimit si ekzemplar i suksesit, duke elevuar ekstremisht kualitetet e tij intelektuale, tendenca që ia agravonin margjinalisht sistemin nervor central Ali Babës. Qazimi, personalisht, nuk neglizhonte oportunitet pa ironizuar dhe sarkastuar me kondicionin ekonomik të Ali Babës dhe familjes respektive.

Ali Baba dhe gruaja e tij Hatixhe (Hanëmi) Baba jetonin në kushte tepër të vështira ekonomike në një apartament të thjeshtë në lagjen më të varfër të qytetit. Gjendja e keqe ekonomike bëhej shpesh burim zënkash midis çiftit dhe Hatixhe Hanëmi nuk pushonte së përmenduri shembullin e Qazimit që ishte pasuruar dhe jetonte mes të mirave. Ajo ia cingëriste nervat të shoqit, duke e lavdëruar Qazimin si njeri të zgjuar dhe me përvojë. Nuk ngelej pas në këtë presion psikik edhe vetë Qazimi, që s'linte rast pa u tallur dhe pa e përbuzur të vëllanë dhe skamjen e tij.

Ali Baba e sensibilizonte personalitetin vetjak në status konstant desperacioni. Ai inicoi investigimin e metodave dhe teknikave novatore për ekstension dhe multiplikim rapid të profitit monetar. Simultanisht, ai evitonte maksimalisht kontaktet me partneren matrimoniale, duke i sabstituar ato me inkursione dhe ekskursione të prolonguara në periferi të metropolit, në parqe dhe zona forestrale të abandonuara, ku imagjinonte se atmosfera puritane dhe treinimi intensiv fizik do t'i siguronin kondicionin indispensabël mental për sukses biznesor.

Kjo gjendje ndikonte drejtpërdrjet në ndjenjat e Ali Babës, i cili kishte filluar ta shihte veten dhe familjen e tij me ngjyra gjithmonë e më të errëta. I shkreti Ali Babë vriste mendjen gjithë ditën e gjithë natën për të gjetur mundësi pasurimi dhe për të arritur gjendjen e të vëllait. Ai filloi t'i shmangej Qazimit, të shoqes dhe njerëzve, duke ndërmarrë shëtitje të gjata në kodrat përreth qytetit, në parqe dhe pyje, me mendimin se ajri i pastër dhe ushtrimet fizike do ta bënin më të aftë për të përballuar kërkesat e kohës dhe për tregëti.

* * *

Në kuadrin e një inkursioni tipik në periferi të metropolit, Ali Baba perceptoi se e kishte maksimalizuar ekzagjerimisht distancën me habitatin dhe se në distriktet aktuale nuk perceptohej shpirt human paralel. Duke eksperiencuar sensin e panikut dhe horrorit ai determinoi retornimin imediat, por perceptoi vokalisht në distancë rezonancën e një reverbacioni dubioz. Timid dhe impulsiv, Ali Baba u ripozicionua në posteritetin e vegjetacionit forestral dhe remanoi sekretivisht duke survejuar me atencion peizazhin. Imediatelisht, në viçinitet u ravijëzua materialisht një bandë prej 40 gangsterësh, nën lidershipin e një personi identiteti i të cilit e shokoi ekstremisht Ali Babën dhe perikoloi urinim jovullnetar. Ishte Ali Nana.

Ali Baba ishte duke ecur në një nga shëtitjtet e tij të zakonshme jashtë qytetit kur vuri re i trembur se ishte larguar paksa tepër nga dhe kishte hyrë në një zonë të panjohur të pyllit. Përreth nuk kishte frymë njeriu. Me zemër të dridhur Ali Baba vendosi të kthehej menjëherë, por ndërroi mendje kur dëgjoji një zhurmë të mbytur nga larg. Pa u menduar gjatë ai vendosi të fshihej dhe u hodh prapa disa shkurreve në anë të rrugës, ku u fsheh mirë dhe qëndroi pa bërë zë. Sa arriti të fshihej u dha aty pari një bandë prej 40 hajdutësh. Kur pa se kë kishin në krye hajdutët, Ali Babës sa s'i shpëtoi shurra nga frika. Ishte Ali Nana.

Ali Nana ishte majori aktual i municipalitetit metropolitan. Ali Baba kishte informacion të paverifikuar mbi aventurat e Ali Nanës dhe historitë në cirkulacion për karakterin e tij banditesk, por nuk i kishte akseptuar si fakt këtë informacion. Një maxhoritet i konsiderueshëm qytetarësh suportonin opinionin se Ali Nana ishte gangster profesionist dhe kishte akumuluar prosperitet dhe valore materjale të pakalkulueshme, por Ali Baba abstenonte në këto diskutime. Ai nuk mund ta akseptonte faktin që një oficial i elektuar nga masa të aktivizonte banda për aksione dubioze, ilegale e banditeske.

Ali Nana ishte kryetari i bashkisë. Kudo qarkullonin thashetheme për bëmat e Ali Nanës, grabitjet e tij të famshme, ndonëse asnjë nuk e vinte dot dorën mbi zjarr. Shumica e qytetarëve ishin të bindur se Ali Nana ishte hajdut dhe me vjedhjet e tij kishte vënë pasuri të papara, por Ali Baba nuk merrte pjesë kurrë në këto diskutime. Ai nuk mund ta përfytyronte se si një njeri i zgjedhur nga populli në postin e kryetarit të bashkisë të mund të ishte edhe kryetar i bandës së hajdutëve.

Vizibiliteti i Ali Nanës mbi stalionin nero dhe në lidershipin e bandës së gangsterëve nuk mund të debatohej. Ali Baba amplifikoi nivelin e kamuflimit dhe remanoi inaktiv, kurioz për avenirin e aksioneve dhe i vibruar nga paniku.

Dhe ja tani ku ishte, hipur mbi një kalë të zi dhe në krye të bandës me 40 hajdutë. Ali Baba u fsheh edhe më mirë pas kaçubeve dhe u përpoq të mos lëshonte zë, megjithëse dridhej nga frika.

Ali Nana desendoi nga stalioni dhe reduktoi minimalisht distancën me fasadën granitore frontale. Ekzemplari i tij u observua imitacionisht nga restoja banditeske. Frontalisht me fasadën granitore Ali Nana eksklamoi voluminozisht:

Ali Nana zbriti nga kali dhe iu afrua faqes së shkëmbit përballë. Pjesa tjetër e bandës së hajdutëve e ndoqi nga pas. Kur iu afrua shkëmbit, Ali Nana thirri me zë të fortë:

- Demandoj apertura portalore kavitore, Sezam!

- Hapu Sezam!

Imagjinoni nivelin surprizor të Ali Babës kur konstatoi se fasada granitore e akseptoi pa kondicion komandën e Ali Nanës dhe ekspozoi interiorin e vet obskur me anë të ripozicionimit të aperturave portalore. Pas kësaj eksperience fenomenale banda, nën lidershipin e Ali Nanës, bashkë me stalionet respektive, penetroi në interioret spaciale të konstruktit granitor. I traumatizuar nga fenomenet mistikë dhe autentikë që sapo eksperiencoi, Ali Baba kontinjuoji prezervimin e pozicionit të kamuflimit, optimist për avenirin e një destinacioni pozitiv si rezultat i komplikacioneve ekstraordinare që po demarkonin atë fraksion kalendarik.

Për çudinë e madhe të Ali Babës faqa e shkëmbit u hap si me magji dhe në të u duk hyrja e errët e një shpelle të madhe. Banda me Ali Nanën në krye lëvizi drejt shpellës dhe brenda disa çasteve humbi në brendësi të saj. Kur ishin zhdukur të gjithë, shkëmbi u mbyll përsëri si me magji. Ali Baba vendosi të mos e lëshonte kaçuben ku ishte fshehur pa marrë vesh përfundimisht ç'po luhej aty. Me gjithë frikën që e kishte pushtuar, ai e ndjente se kjo ngjarje do t'i ndryshonte krejtësisht të ardhmen.

Pas një intervali të prolonguar, që Ali Baba e eksperiencoi tangjentalisht të ekzagjëruar, fasada frontale granitore u ri-apertua dhe prej saj u materjalizua në vizibilitet banda në lidershipin e Ali Nanës. Kur komplet banda e superoi limitin frontal të kavitetit granitor, Ali Nana eksklamoi me ton komandues:

Pas një pritje të gatë që Ali Babës iu duk si shekull, faqja e shkëmbit u hap përsëri dhe prej saj doli banda e hajdutëve me Ali Nanën në krye. Kur dolën të 40 hajdutët Ali Nana iu drejtua shkëmbit:

- Demandoj bllokim të apertuarave portalore kavitore, Sezam!

- Mbyllu Sezam!

Magjia u reiterua identikisht me akseptimin jo-kondicional të komandës nga ana e aperturës granitore. Banda e 40 gangsterëve nën lidershipin e Ali Nanës akseleroi veloçitetin dhe ekspandoi distancën me kavitetin granitor dhe personalisht Ali Babën.

Gjithçka u përsërit edhen një herë - shkëmbi iu bind urdhërit të Ali Nanës. Nën udhëheqjen e Ali Nanës banda e hajdutëve u nis me shpejtësi dhe u largua.

Distancimi i bandës i emetoi kurajo dhe energji Ali Babës. Ai abandonoi imediatalisht pozicionin e tij kamuflor dhe u auto-orjentua në direksion të kavitetit granitor.

Kur zhurma e kuajve të hajdutëve nuk ndjehej më, Ali Babës i erdhi shpirti në vend. Ai doli nga vendi ku ishte fshehur dhe u drejtua për te shkëmbi.

Me t'u pozicionuar frontalisht me fasadën granitore, Ali Baba nuk e prolongoi konversacionin por adresoi eksklamacionin suksesiv në imitacion të Ali Nanës:

Me t'u ndodhur përballë tij dhe në një largësi që ia hante syri Ali Baba ia pat:

- Demandoj apertura portalore kavitore, Sezam!

- Hapu Sezam!

Ali Baba u shokua kur fasada portalore granitore u apertua realisht, duke invituar penetrimin në kavitet. Me hezitim dhe i horrifikuar nga misteri i ekstraordinaritetit që ofronte obskuriteti kavitacional, Ali Baba avancoi gradualisht duke minimizuar distancën. Kur penetroi në interiorin e kaviteti Ali Baba u traumatizua mentalisht në nivele superiore. Frontalisht me të ekspandohej një akumulim i paprecedent prosperiteti dhe affluence materiale që nuk mund të deskriptohet as verbalisht, as grafikisht. Diamante, brilante, rubi, ingota ari, bizhuteri dhe valutë e palimituar internacionale. Me sforco ekstraordinare Ali Baba tentoi të kontrollonte akselerimin dhe intensifikimin e ritmit të kolpove kardiale. Finalisht, ai e realizoi se duhej të eksodonte nga kaviteti imedialisht.

Për çudi, shkëmbi u hap dhe para Ali Babës u shtri rruga për në brendësi të shpellës. I pasigurt dhe shumë i trembur, Ali Baba eci me ngadalë dhe iu afrua shpellës. Me të hyrë brenda, ai u mahnit përsëri. Para tij shtriheshin pasuri të pafund, që s'ka penë t'i përshkruajë. Diamante, brillante, rubi, shufra ari, zbukurime dhe monedha nga të gjitha vendet. Ali Baba mezi arrinte të mbante zemrën që të mos i dilte nga krahërori. Më në fund e mblodhi mendjen dhe vendosi të largohej sa më shpejt.

Pasi akumuloi kuantitetin maksimal që mund të akomodonin kompartamentet respektive pantallonore dhe xhaketore, ai generoi një konteiner plastik, që inoportunisht ishte konteineri solitar që posedonte. Megjithë insufiçencën e konteinerëve, ai akumuloi valore adekuate për një avenir të garantuar biznesor.

Por jo përpara se të mbushte mirë e mirë të gjitha xhepat e pantallonave dhe të xhaketës, si edhe një qese plastmasi që iu ndodh me vete. Pavarësisht se i mungonin torbat dhe çantat, ai arriti të mblidhte aq gurë të çmuar dhe monedha floriri sa do t'i mjaftonin për një të ardhme të sigurt.

* * *

Diferenca në stilin ekzistencialist të Ali Babës pas incidentit precedent ishte e pa-komperizueshme. Ai komisionoi për rezidencë një vile moderne në periferi të metropolit, në distancë relativisht minimale nga parku nacional. Partnerja e tij matrimoniale, Hatixhe Hanëmi i suspendoi kritikat dhe objeksionet dhe inicoi transformime radikale të lukut personal, duke frekuentuar lokalet më ekspensive të modës dhe fashionit modern metropolitan. Ali Baba abandonoi aktivitetin në merkaton e valutës dhe inicoi firmën "Ali Baba Eksport-Import Limited", transaksionet financiare dhe praktike të të cilës remanuan enigmë.

Jeta e Ali Babës ndryshoi rrënjësiht dhe s'kishte të krahasuar me të kaluarën. Ai bleu një shtëpi të madhe pranë kodrave të liqenit, në të dalë të qyteti. Gruaja e tij i ndërpreu grindjet dhe kundërshtimet dhe filloi të ndryshonte krejtësisht edhe nga pamja e jashtme, pasi s'linte gjë pa blerë e modë pa ndjekur. Ali Baba hoqi dorë nga shkëmbimi i parave dhe hapi firmën: "Ali Baba Eksport Import, shpk", të cilën askush nuk arriti ta merrte ndonjëherë vesh se me ç'farë merrej.

Diferencat në stilin ekzistencial të Ali Babës dhe partneres së tij matrimoniale, Hatixhe Hanëmit nuk mund të pasonin pa u perceptuar nga inteligjenca obzervuese dhe atentive e Qazimit. Qazimi po terminonte ekzistencën personale nga kurioziteti për të dekonspiruar sekretin e impruvementit të paanticipuar të nivelit vital të Ali Babës. Ai kontrolloi inicialisht komplet pikat fokale të lotarive lokale dhe nacionale, por nuk i rezultoi asnjë informacion konvenient. As investigimet pasuese nuk rezultuan pozitive. Speranca solitare remanonte posibiliteti i ndonjë miskalkulimi nga ana e Ali Babës, ose e Madamë Hatixhe (Hanëmit) Babës.

Ndryshimi i menjëhershëm i mënyrës së jetesës së Ali Babës dhe gruas së tij, Hatixhe (Hanëmit) Baba, nuk mund të kalonin pa u vënë re nga syri i vëmendshëm dhe kurreshtar i Qazimit. Ai sa s'po vdiste nga kurreshtja për të marrë vesh të fshehtën e pasurimit të të vëllait. Në fillim i shkoi mendja te lojrat e fatit, dhe nuk la pikë llotarie pa kontrolluar. Por s'i doli gjë. Megjithë këmbënguljen, për një kohë të gjatë nuk arriti ta marrë të vërtetën. Shpresën e vetme për të marrë vesh të vërtetën i mbeti ndonjë gabim i Ali Babës ose, më e mundshmja, i Hatixhe Hanëmit, e cila njihej si llafazane.

Hatixhe Hanëmi, për surprizën totale të çirkulacionit social, u transformua komplet në aspektin intelektual dhe spiritual. Ajo adoptoi një personalitet impresiv pompoz e konfident dhe nuk ofronte posibilitet për revelacion informacioni. Autonomisht nga presionet dhe metodat e sofistikuara Qazimore, ajo remanoi stoike dhe nuk e tradhëtoi sekretin e partnerit të saj matrimonial. është ekstraordinarisht e komplikuar të definohet definitivisht nëse ishte koshiente apo jo për sekretin. Faktikisht ajo nuk ekspozoi sekrete dhe demonstroi nivel satisfaktor kamuflazhi.

Por për çudinë e të gjithë atyre që e njihnin, Hatixhe Hanëmi (Baba) e kishte qepur gojën dhe ishte bërë tjetër njeri. Dukej sikur me pasurinë, i kishin ardhur edhe mendtë. Mori një pamje krenare, gjithë vetëbesim, dhe nuk linte shteg nga të mund t'ia merrje vesh të vërtetën e pasurimit. Megjithë presionet dhe marifetet e ndërlikuara të Qazimit, ajo vazhdoi të qëndronte e palëkundur dhe nuk e nxorri kurrë sekretin e të shoqit. Për hir të së vërtetës duhet shënuar këtu se edhe sot e kësaj dite është vështirë të thuhet nëse ajo dinte gjë dhe e mbante të fshehtë, apo s'dinte asgjë dhe s'kishte ç'të tregonte. Sidoqoftë, nga goja e saj nuk u doli gjë.

Do të ishte personalisht Ali Baba ai që do të ekspozonte defiçenca në profiçencën personale për kontrollin dhe proteksionin e sekretit. Debolesa e tij u ekspozua nëpërmjet koneksioneve që ai inicoi me reprezentativet e seksit feminor. I intoksikuar nga efekti i abundancës monetare dhe i obsesuar nga ideja se mund të implementonte totalisht demandimet impulsive kardiore, ai u adiktua pas seksit. Abandonoi Hatixhe Hanëmin dhe inicoi cirkulacionin frekuent të mantenutave dhe prostitutave, duke realizuar një numër skandaloz relacionesh amoreske, spirituale dhe karnale në intervale temporale të kondensuara.

Të fshehtën do ta nxirrte vetë Ali Baba. Pa kaluar shumë kohë ai dëshmoi se kishte një anë të dobët nga e cila mund të sulmohej kollaj gratë. I dehur nga pasuria dhe i bindur se tani që kishte para me shumicë nuk kishte ç'i bënte njeri në botë, ai u dha pas femrave. Hatixhe Hanëmit ia vari fare qesen dhe filloi t'i ndërronte dashnoret si mbreti gratë, duke arritur të krijonte lidhje me aq shumë prej tyre sa s'i mbante mend.

Debolesa e Ali Babës nuk mund t'i eskaponte investigimit intensiv të Qazimit. Realizimi i faktit që siblingu ishte dedikuar pas seksit e hodhi Qazimin në aksion imediat. Seksi inkoporonte një sferë importante të aktivititit social për të cilën Qazimi konsiderohej ekspert me eksperiencë të pakomparizueshme. Dukeqënëse e kishte akumuluar prosperitetin financiar përpara Ali Babës, Qazimi i kishte eksploruar me kohë zonat dubioze të relacioneve interseksuale, duke profituar eksperiencë personale të prolonguar me prostitutat metropolitane si edhe kontakte afinitoze direkte me një numër relativisht të konsiderueshëm të tyre. Kur u informua për tendencat novatore të Ali Babës, Qazimi imedialisht ideoi planin e aktivizimit të Nexhit, një prostitutë famoze dhe ekstraordinarisht inteligjente. Precedentialisht me aktivizimin e saj si prostitutë, Nexhi kishte partiçipuar në kompeticionin për t'u proklamuar Miss, mirëpo fati negativ e kishte obliguar të akseptonte pozicione sekondar. Shansi i omituar dhe egoja, e kishin direksionuar këtë femër ekstraordinarisht seksi drejt prostitucionit profesional, aktivitet nga i cili gjeneronte kuantitete të konsiderueshme financiare dhe koneksione importante në sferat e biznesit dhe politikës. Me ekstremitetet inferiore të prolonguara, torson estraordinarisht të ekspanduar, posteriorin oval dhe ekspresionin façial sensual, Nexhi haste probleme minore në realizimin e objektivave të saj agresivë.

Kjo dobësi e Ali Babës nuk mund t'i shpëtonte syrit të stërvitur të Qazimit, i cili i ndiqte veprimet e të vëllait me vëmendje dhe pikërisht diçka të tillë priste. Për më tepër që Qazimi ishte vërtet specialist në punë femrash. Duke qënë se ai ishte pasuruar shumë kohë përpara Ali Babës dhe kishte pasur marrëdhënie me lloj-lloj ruspish, përfshirë këtu edhe disa nga më të njohurat për bukurinë e tyre, Qazimi mendoi ta vinte përvojën në jetë. Ai thurri plane që të përdorte për qëllimin e tij Nexhin, një kurvë me nam dhe jashtëzakonisht e zgjuar. Para se të kthehej në kurvë Nexhi kishte marrë pjesë edhe në një konkurs bukurie ku, për fat të keq, kishte zënë vetëm vendin e dytë. E tërbuar nga inati, pasi ishte e bindur se meritonte vendin e parë, ajo i ishte kthyer zanatit që i sillte të ardhura të mira dhe lidhje me njerëz të fuqishëm. Me këmbët e gjata, gjoksin e kërcyer, vithet si pjepër dhe pamjen epshore të fytyrës, Nexhi nuk e kishte aspak të vështirë të lidhej me këdo që i vinte syrin.

Oferta e Qazimit ishte e drejtpërdrejtë, e simplifikuar dhe atraktive. Kuantitetet valutore monetare që ofroheshin ishin sinjifikative. Misioni i pakomplikuar. Duhej të realizonte koneksionin me Ali Babën, t'i ofronte atij favore seksuale dhe të detektonte resorsin e multiplikimit të aseteve të tij financiare.

Qazimi ia bëri të qartë dhe të thjeshtë planin: duhej të lidhej me Ali Babën dhe të merrte vesh të fshehtën e pasurimit të tij. Si shpërblim, Qazimi do t'i jepte një shumë që ajo s'e nxirrte dot as me një vit veprimtari.

Nexhi operoi imedialisht dhe me efektivitet. Brenda një intervali temporal akut ajo suksesoi në institucionalizimin e relatave intime, duke sfiduar kompeticionin e prostitutave egzistuese në listën aktive të Ali Babës. Ali Baba u involvua ekskluzivisht në afarën reçente seksualo-spirituale. Ai abandonoi komplet relacionet precedente, dhe akspandoi maksimalisht distancimin nga Hatixhe Hanëmi, duke prokuruar për të një rezidencë të izoluar.

Nexhi u hodh në sulm pa e zgjatur dhe arriti shpejt aty ku deshte. Brenda një kohe të shkurtër ajo u lidh mirë me Ali Babën dhe i la në hije gjithë kurvat e tjera që i vardiseshin atij. Ali Baba sa s'u çmend nga dashuria e re. Hoqi dorë nga gjithë kurvat e tjera dhe pothuajse i ndërpreu marrëdhëniet me Hatixhe Hanëmin, të cilës i bleu shtëpi më vete.

Prostituta Nexhi demonstroi nivel ekstraordinar profesionalizmi dhe eksperience në sferën e manipulimit human maskulin, kopetencë që u verifikua me detektimin rapid të resorceve financiare të Ali Babës. I intoksikuar nga intensiteti i papreçedent i satisfaksionit seksual që ofronte Nexhi, si dhe nën influencën permanente të alkoolit dhe drogës, i deboluar nga ekstra-autokonfidenca, rezultat agravues i fondamenteve financiare të elaburuara, Ali Baba ekspozoi intestinat stomakore pa konsideratë për konseguencat.

Nexhi kurva e vërtetoi shpejt se e njihte mirë zanatin dhe dinte si t'i vërtiste burrat. Ajo i hyri në brendësi të të fshehtës së Ali Babës. I dehur nga kënaqësitë epshore që i sillnin marrëdhëniet me Nexhi kurvën, si dhe nën ndikimin e alkoolit dhe drogës, i shkatërruar nga veprimi zvetënues i parave dhe vetëbesimi i tepruar që i jepnin ato, Ali Baba filloi të hapte zorrët e barkut, pa marë parasysh pasojat.

Nexhi Prostituta, nuk e prolongoi historinë, por u adresua imediatalisht te Qazimi, të cilit i deskriptoi me detaje akute cirkumstancat e resorceve financiare të Ali Babës, detaje të cilat afektuan imediatalisht senset fiziologjike dhe nervore më perceptuese dhe më intime të Qazimit. Duke vibruar totalisht nga detestimi dhe abhorrenca ekstreme për Ali Babën, i deprivuar vizualisht nga deziderjoja ekstreme për vengancë dhe retribucion, Qazimi akseleroi avancimin në direksion të Municipalitetit të metropolit.

Nexhi kurva nuk e bëri të gjatë dhe ia përcolli të gjitha pronarit të saj të vërtetë, Qazimit, të cilit i përshkroi deri në detajet më të vogla rrethanat e dyshimta të pasurimit të menjëhershëm të Ali Babës. Tregimi ia ngriti qimet e kokës përpjetë Qazimit. Duke u dridhur nga inati dhe përbuzja për Ali Babën, i verbuar nga dëshira për t'u hakmarrë, Qazimi ia dha vrapit drejt Bashkisë.

Aty ai demandoi apointment urgjent me Majorin e Municipalitetit, Ali Nanën.

Me të mbërritur ai kërkoi takim të menjëhershëm me kryetarin, Ali Nanën.

Natyrisht, apointmenti me Majorin nuk ishte aktivitet që mund të realizohej në maniera superfiçale dhe pa probleme. Qazimi u stopua te apertura portale e Municipalitetit nga badigardi i Ali Nanës, i cili demandoi detaje për motivet e ritmit të akseleruar dhe insistimit për apointment që po demonstronte Qazimi. Ky hezitoi për një moment dhe pastaj e konsideroi të logjikshme të ofronte një minimum eksplanativ.

Takimet me kryetarin nuk ishin edhe aq të kollajshme. Qazimin e mbajti të gozhduar te dera roja e Ali Nanës, i cili filloi ta pyeste ç'ishte gjithë ai nxitim dhe përse e donte kryetarin menjëherë. Qazimi u shtang për një çast, por pastaj e pa të arsyeshme të jepte shpjegime:

- Demandimi urgjent i apointmentit relaton me situatën financiare të Majorit dhe sigurinë e aseteve të tij, - eksklamoi Qazimi.

- Dua ta takoj menjëherë për një çështje që ka lidhje me pasurine e kryetarit, - tha ai.

Badigardi fiksoi atencionin personal duke e ekzaminuar me ironi dhe sarkazëm për një konseguencë relative sekondash, pastaj eksklamoi me tone sardonikë dhe cinikë:

Roja u gajas së qeshuri dhe ia ktheu me ironi:

- Asetet financiare të Majorit janë absolutisht të sigurta dhe nuk ekspektojnë salvaxhim nga ty.

- Ikë ore budallë, se s'ka mbetur pasuria e kryetarit në dorën tënde.

Pas këtij eksklamimi, badigardi tentoi t'ia nokte portalen në fasadë Qazimit, dhe do të kishte suksesuar në aksionin e tij sikur ky të mos e kishte suspenduar duke ekspanduar ekstremitetin inferior sinistral.

Pas këtyre fjalëve roja u bë gati t'ia përplaste Qazimit derën e bashkisë në surrat. Dhe do ta kishte bërë, nëqoftëse Qazimi nuk do të ishte treguar më i shpejtë dhe nuk do të kishte zgjatur paksa këmbën e majtë për të penguar mbylljen e derës.

- Prolongo edhe një minutë komunikimin, - demandoi Qazimi.

- Prit pak, - i tha ai me ton lutës.

Badiguardi obzervoi nervoz.

Roja e pa gjithë inat.

- OK, - eksklamoi me desperacion Qazimi duke rezignuar nga persistenca për të mos relevuar sekretin, - Transmetoi Ali Nanës këtë mesazh lakonik: Demandoj aperturë portalore, Sezam!

- Epo mirë, - tha Qazimi i dëshpëruar, pasi e kuptoi se duhej të lëshonte pe dhe hoqi dorë nga vendimi për ta ruajtur sekretin vetëm për veshët e kryetarit. Çoji Ali Nanës vetëm dy fjalë nga unë: Hapu Sezam!

Eksklamimi i mesazhit pati efekt similar me detonimin e një bombe. Badigardi u shokua për një moment, pastaj imediatalisht e atraktoi Qazimin drejt interiorit të ambjenteve ofiçiale të Majorit.

Fjalët e Qazimit ranë si bombë. Pa e mbyllur ende mirë gojën, tjetri e përfshiu për zverku dhe e rrasi në brendësi të zyrave.

Qazimit i mungoi intervali necesar temporal për të komprehenduar dhe evaluuar si duhet situatën. S'arriti ta realizonte intelektualisht cirkumstancën paraprake të pozicionimit të tij horizontal në nivelin inferior to ambjenteve ofiçiale të Majorit, me personalisht Majorin dhe badigardin e tij që eksperimentonin simultanisht posibilitetet atakuese, duke e mantenuar nën observimin agresiv dhe intimidues të tytave të pistoletave.

Qazimi s'pati kohë të merrte vesh ç'bëhej. U gjend i shtrirë sa gjatë e gjerë në dyshemenë e zyrës së kryetarit, teksa ky i fundit dhe roja e tij stërviteshin në goditje shkelmash e grushtash dhe e kërcënonin pa ndërprerje me grykat e kobureve.

Qazimi kishte prediktuar se do t'ia narratonte Ali Nanës informacionin e poseduar. Por imediatalisht e realizoi se ky minimum nuk akseptohej. Demandohej akompanjimi i narracionit me muzikë, interpretimi vokal. I surprizuar, ai inicoi admirimin e profiçencës personale interpretative, vokalore dhe improvizuese. Ndërkohë, Ali Nana dhe badigardi konkuronin në demonstrimin e teknikave më të avancuara në sferën e torturës dhe maltretimit, badigardi duke dominuar në nivelin fizik, ndërsa Ali Nana në atë intelektual dhe kreativ.

Qazimi kishte vajtur në bashki për t'ia treguar të gjitha Ali Nanës, por shumë shpejt e kuptoi se të treguarit nuk mjaftonte. Ata i kërkonin që t'ua këndonte, duke i shoqëruar fjalët me muzikë. Edhe vetë u habit se ku e gjeti gjithë atë talent për të kënduar, atë zë aq të bukur dhe ato aftësi për ta thurrur historinë në vargje. Ndërkohë Ali Nana dhe roja e tij ishin vënë në garë kush e kush t'i shkaktonte më shumë dhimbje, roja me forcën e tij prej kafshe, Ali Nana me shpirtin krijues dhe njohjen e mirë të anatomisë.

* * *

Rezumimi i senseve e autokonstatoi Qazimin të pozicionuar në një celulë obskure detenimi me defiçenca emfatike iluminare. Ai necesitoi një interval temporal të prolonguar për të adaptuar vizualitetin personal me obskurantizmin e celulës detenore. Simultanisht filloi të sensibilizojë edhe distresin e agoninë që i instigonin sektorë diferentë korporalë, si rezultat i aktivitetit intensiv të Ali Nanës dhe Badigardit të tij. Remandimi i Ali Nanës dhe Badigardit i donoi Qazimit vizione ekspresive të situacionit aktual. Ai u auto-koshientizua për statusin e të detonuarit, ndënëse nuk komprehendonte motivin e situaciont aktual.

Kur erdhi në vete Qazimi vuri re se ndodhej në një qeli të errët, të ndriçuar keq dhe të ftohtë. Mezi iu mësuan sytë me errësirën, ndërkohë që filloi të ndjejë dhimbje në të katër anët e trupit. U kujtua shpejt se ishin plagët që i kishin shkaktuar Ali Nana me rojen. Ardhja në mend e Ali Nanës e beri edhe më të vetëdijshëm për gjendjen. Ai e kuptoi se e kishin rrasur brenda, megjithëse nuk arrinte ta bënte lidhjen se për ç'farë.

Adoptimi me vizualitetin e limituar në celulë u akompanjua edhe me detektimin surprizal të prezences së një tufe gazetash. Si biznesmen me eksperiencë, Qazimi nuk iu dedikonte asnjë fraksion minimal temporal gazetave. Mirëpo cirkumstancat celulore e obliguan të injoronte rutinën tradicionale dhe, për të pasuar tempon dhe disregarduar agoninë e tormentin me resorse korporale, tentoi deshifrimin e disa prej titujve kapitalë.

Pasi iu mësuan disi sytë me ndriçimin e pakët të qelisë, Qazimi vuri re se aty pranë i kishin lënë një tufë gazetash. Si tregëtar që ishte Qazimi nuk i lexonte kurrë gazetat. Mirëpo në rrethanat që ndodhej, kur s'kishte ç'të bënte tjetër për të shtyrë kohën, ai hoqi dorë nga zakonet e përtej birucës dhe filloi të përpiqej të lexonte disa nga titujt.

Imagjinoni surprizën dhe shokimin e tij të palimituar kur në titujt primo-paxhinorë të gazetave vizhualizoi të printuar nominacionin personal. Por surpriza dhe shokimi ekujvalentoheshin me zero komparizuar me alarmin dhe traumatizimin e aprehendimit të substances së artikujve të gazetave. E summuar, kjo substancë prezantohej në këtë formë:

Merreni me mend sa u çudit kur pa se titujt e faqeve të para të të gjitha gazetave fillonin e mbaronin me emrin e tij. Por kjo s'ishte gjë fare në krahasim me tmerrin dhe frikën që e kapi kur pa ç'shkruhej për të. Me pak fjalë gjendja ishte si më poshtë:

Qazimi akuzohej si autor flagrant i eliminimit fizik të Ali Babës, partneres së tij matrimonale, Hatixhe Hanëmit dhe prostitutës Nexhi. Motivi i eliminimit: xhelozia për prostitutën Nexhi, dikur mantenutë e vetë Qazimit. Sipas gazetave, prostituta Nexhi kishte krijuar relata dubioze me Ali Babën. Qazimi e kishte interroguar relatën e tyre dhe kishte suksesuar në aprehensionin në flagrancë të të tre viktimave gjatë një menazhatruaje perverte. Fotoja e tre viktimave, të masakruara nga automatiku i Qazimit, komplet nudo dhe në pozicione komprometuese publikohej ekskluzivisht nga gazetat. Analistët debatonin se Qazimi i kishte violentuar seksualisht të tre viktimat. Gazetat sinistrale suportonin tezën se violentimi ishte kryer pas eliminimit fizik, ndërsa të djathtët dhe centristët insistonin se violentimi seksual ishte realizuar përpara eliminimit.

Thuhej se Qazimi ishte autori i kapur për vrasjen e trefishtë të Ali Babës, gruas së tij Hatixhe (Hanëmit) Babës dhe Nexhi Kurvës. Këtë e kishte bërë i verbuar nga xhelozia për Nexhi Kurvën, të cilën e kishte pasur dashnore për një kohë të gjatë. Sipas gazetave Nexhi Kurva e kishte braktisur për t'u lidhur me Ali Babën. Qazimi e kishte marrë vesh dhe kishte munduar t'i kapte në flagrance. Më në fund kishte arritur t'i zinte abanksëz viktimat duke bërë dashuri të përzjerë, domethënë treshe. Në të gjitha gazetat botohej fotografia e tre të vrarëve të xhveshur lakuriq, ngjitur me njëri-tjetrin dhe të grirë nga plumbat e kallashit të Qazimit. Gazetat ziheshin me njëra tjetrën për kohën kur Qazimi, i tërbuar nga inati, i kishte përdhunuar të tre viktimat. Gazetat e majta shkruanin se Qazimi i kishte përdhunuar të tre pasi i kishte vrarë, ndërsa gazetat e djathta shkruanin se përdhunimi ishte kryer përpara se t'i vriste.

Publikoheshin foto të Qazimit me automatik kallashnikov. Gazetat informonin se Qazimi ishte arrestuar në kufi, teksa tentonte të dezertonte me kuantitete kolosale diamantesh, brilantesh, rubish, ingotash ari, bizhuterish dhe valute të palimituar internacionale, drogë dhe armë. Valuta ishte akaparuar nga vilat e Ali Babës, ndërsa droga kishte resorce të paidentifikuara. Gazetat informonin se pritej arbitrimi juridik i Qazimit, që akuzohej për eliminim të trefishtë fizik me premeditacion, violencë seksuale të trefishtë, akaparim pasurie, trafik droge, tentativë për kalim kufiri pa dokumenta, falsifikim dokumentash dhe posedim ilegal armësh.

Gazetat jepnin edhe fotografi të Qazimit me kallash. Ato shkruanin se Qazimi ishte kapur duke u përpjekur të kalonte kufirin, me një makinë të mbushur me diamante, brilante, rubi, shufra ari, zbukurime e monedha nga të gjitha vendet, drogë dhe armë. Thuhej se pasuria ishte vjedhur nga vila e Ali Babës, ndërsa droga s'dihej nga vinte. Në pritje të gjyqit të Qazimit, gazetat shkruanin se ai akuzohej për vrasje të trefishtë me paramendim, marrëdhënie seksuale të trefishta me dhunë, përvetësim pasurie, qarkullim droge, kalim kufiri pa dokumenta, fallsifikim dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas gazetave, provat e akuzës ishin aq evidente, saqë asnjë avokat nuk kishte akseptuar rolin e defencës në këtë aferë skandaloze. Po sipas gazetave, opinioni publik nacional dhe internacional ishte ekspresuar në polle totalisht për ekzekutimin e Qazimit dhe po bëheshin tentative për t'i demanduar Konsullatës së Europës autorizim për abrogimin e legjislaturës që preventonte dënimin kapital.

Sipas gazetave, provat ishin aq të qarta dhe të pakundërshtueshme, saqë asnjë avokat nuk kishte pranuar të merrte rolin e mbrojtësit në këtë gjyq të tmerrshëm. Gjithashtu gazetat shkruanin se nga anketimet e mendimit popullor kombëtar dhe ndërkombëtar shumica përkrahnin dënimin me vdekje të Qazimit, ndërkohë që qeveria kishte hyrë në bisedime me Këshillin e Europës për ta anashkaluar ligjin e ndalimit të dënimit me vdekje.

Qazimi e realizoji se situacioni i tij ishte pa-speranca dhe ekstremisht pesimist. Por ai determinoi të kontinuonte tentativat për të klarifikuar dhe iluminuar opinionin publik mbi inoçencën e tij. Vetëm kjo sperancë ia prezervoi energjitë në konditat e inkarcerimit ekstrem.

Qazimi e pa qartë se s'kishte nga ia mbante dhe se gjendja ishte fare pa shpresë. Por, ai vendosi të vazhdonte përpjekjet për të sqaruar njerëzit për pafajësinë e tij. Vetëm kjo e mbante gjallë në kushtet e vështira të burgut.

* * *

Por tentativat e tij ishin të destinuar të falimentonin. Sipas gazetave, në një fragment xhornal, kur kishte dalë për ventilim në ambjentet e ekspozuara të institucionit të izolimit, Qazimi u atentatua nga një snajper, në distancë e pa-determinuar. Snajperi u largua në direksion të paidentifikuar.

Përpjekjet e tij ishin nuk sollën asgjë të mirë. Sipas gazetave, një ditë, kur kishte dalë për ajrim në mjediset e hapura të burgut, Qazimi u qëllua nga një largësi e panjohur me armë zjarri. Shënjuesi i panjohur, u largua në drejtim të panjohur.

* * *

Këtu konkludon edhe përralla e Ali Babës.

Këtu merr fund edhe përralla e Ali Babës.

* * *

Morali: Evitoni maksimalisht friksionet me mafien që posedon potencial politik.

Morali: Mos e kruaj me horrat në pushtet.

Kur u zgjuan, doganierët e Kakavijës i shtruan zotit Fotaq një koktejl të vogël ku u servirën sandviçe të ngrohtë, çokollata, vafer dhe pije si Uiski, Uzo, Grappa, Shampanjë, Cinzano, Irish Cream, Sambuka etj. Sa për Shokun Fotaq, ai porositi një dopjo Bloody Mary, me dozë ekstra piperi.

Tutje në qendër, kryeqyteti zjente nga thashethemet ose, siç quheshin kohët e fundit nga gazetat dhe radio-televizionet private, nga rumoret e salloneve.

Sapo ishte mësuar identiteti i shoqes së re të Shokut Fotaq. Quhej Lili dhe kishte mbaruar një kurs dy vjeçar pas-universitar në Iowa të Shteteve të Bashkuara me fokus rritjen e rendimentit të patates. Thuhej se ishte larguar nga Shtetet e Bashkuara dhe kishte hequr dorë nga mundësia për të qëndruar atje për gjithmonë vetëm e vetëm për hir të dashurisë për Shokun Fotaq.

Ironikisht "vendin e saj" në Shtetet e Bashkuara e zuri ish-bashkëshortja e zotit Fotaq. Ajo fluturoi për në Detroit bashkë me dy vajzat pasi kishin fituar llotarinë e Green Card-it. Njerëzit mbetën gojëhapur nga këto zhvillime të shpejta dhe të papritura. Nuk dinin ç'të ndiqnin e ç'të diskutonin më parë: dashnoren e re te Fotaqit (s'kishte më kohë për fjalë të zgjedhura dhe për tituj), ikjen e gruas së tij, nga dhe kur i doli grinkardi, sa dhe si kishte gisht konsullata amerikane në të, domethënien e përrallës me doganierët, akuzat e ish-ministrit të financave, komentet e gazetave, operimin e kryeministrit nga hemoroidet, kongreset e jashtëzakonshëm të forumeve rinore të katër partive, vizitën inkonjito të Pitkinit, organizimin e katër spektakleve Miss Albania, Miss Shqipëria, Zonjusha Albaneze dhe Bukuroshja Shqiptare, apo kërcënimet që po i vinin shoqatës së geive nga organizata a naziskinëve te rinj.

Bota mondane e kryeqytetit zjente si kurrë ndonjëherë. Parlamenti punonte me seanca të zgjatura, që zakonisht perfundonin mbas ores 1:30 pas mesnate. Gazetarëve filluan t'u skuqeshin edhe me keq sytë, duke i shtuar pagjumësinë efekteve negative të alkoolit. Qeveritarët shpeshtuan dhe intensifikuan si kurrë ndonjëherë vizitat jashtë shtetit. Madje edhe kur nuk kishin ndonjë punë të caktuar, shfrytëzonin programet e grumbullimit të miljeve ajrore për t'u larguar privatisht. Prokuroria e përgjithshme i kërkoi kryeministrisë shtesë kati, pasi nuk kishin më vend ku t'i mbanin dosjet. Teatri Kombëtar, duke parë se të ardhurat nga bingoja po vinin në rënie, i kërkoi Qendrës Nacionale të Llotarive dhe Lojrave të Fatit lejen për organizimin e lojës "Më gërvisht që të fitosh" në copëza kartoni shpërndaheshin fotot e aktorëve më të njohur të cilët joshnin bixhozçinjtë e thekur t'u gërvishnin cipën për të provuar shansin e pasurimit të shpejtë. (U hap fjala se një artdashës i ishte vërsulur një aktoreje të re në mes të rrugës dhe i kishte gërricur fustanin, por kjo nuk u vërtetua kurrë nga shtypi).

Gjithçka zjente dhe gurgullonte si kurrë ndonjëherë. Të gjithë ishin kurreshtarë për të gjithë të tjerët. Filluan përsëri të përhapeshin thashethemet për kontrollin e pasurive të politikanëve: si e ndërtoi pallatin filani; sa maune kalon pa doganë fisteku; pse aksh person ka ekskluzivitetin e kafes nga Vjetnami; pse ai tjetri i ndërron Mercedesat dhe BMW-të sa herë i do qefi etj., etj. Por të gjithë, shkonin ku shkonin, i riktheheshin zotit Fotaq. Kulmi arriti me një shkrim redaksional të gazetës së pavarur opozitare Shkoqur e cila shkruante:

"ç'fshihet pas zotit Fotaq?

Kush ia siguroi gruas së zotit Fotaq vizën për në Shtetet e Bashkuara? Cili është roli i ambasadorit të OSBEsë në këtë aferë? Përse invitohet zoti Fotaq në Ambasadën Greke? Çfarë i deklaroi zoti Fotaq ambasadorit francez gjatë takimit konfidencial në selinë partiake?

A është divorcuar ai nga gruaja e parë? Ku është kryer martesa sekrete Shokut Fotaq me "gërlfrenden" Lili? Sa Dhrahmi shpenzoi Lili në supermarketet e Milanos? Cilat janë rezorset financiare të zotit Fotaq dhe si e përballon ai prokurimin e një apartamenti të ri? Ç'fraksion i pasurisë së zotit Fotaq do t'i transkondohet gruas së divorcuar dhe dy vajzave? A është e vërtetë se vajza e madhe e zotit Fotaq është kapur me drogë?

Ç'përfaqson Fotaqizmi në politikën shqiptare? A i shërben emancipimi Fotaqor afrimit me Europën dhe strukturat Euroatlantike? A përbën ndërrimi i grave hapin e parë të zotit Fotaq drejt postit të Presidentit? Cilat segmente të partisë në pushtet e atakojnë kandidaturën e zotit Fotaq?

A është vërtet zoti Fotaq inventori i Politikishtes? Si mund të eksploitohet Politikishtja për objektiva personale? A mbrohet dot e pambrojtshmja?"

Ky ishte shkrimi redaksional i cili u shpjegua nga disa analistë politikës së brendëshme me prishjen e tastjerës së pikës në kompjuterin personal të redaksional-shkruesit. Ai ngrinte disa pikëpyetje serioze dhe tepër shqetësuese të cilat i dhanë përmasa të reja dhe gjallëri të veçantë bisedave popullore.

Pritej përgjigja e zotit Fotaq.

ARBEN KALLAMATA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
PATËR GJERGJ FISHTA NË 70 VJETORIN E VDEKJES SË TIJNga MËRGIM KORÇA (01.06.2011)
HELENA KADARE: KOHË E PAMJAFTUESHME, JETA ME ISMAILINNga ADMIRINA PEÇI (01.05.2011)
VARIACIONE LIRIKENga DANIEL GÀZULLI (01.04.2011)
KAM URI PËR GOJËN TËNDENGA PABLO NERUDA (01.04.2011)
KALENDARI I VEPRIMTARIVE KULTURORE TË JANARIT (12.31.2010)
BALADË PËR VAJZËN E VOGËL ME EMRIN LULE QË MBETI 5 VJEÇ (12.29.2010)
PEMA BESNIKEPoezi nga KËZE KOZETA ZYLO (12.28.2010)
NË KRISHTLINDJE Tregim nga ROLAND GJOZA (12.28.2010)
DITËLINDJANga novela "Një vjehërr amerikane" e ALBANA M. LIFSCHIN (12.25.2010)
ATË GJERGJ FISHTA: "JAM LAJMI I T'BUKRIT T'QIELLVE" (12.25.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]