VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - SHPIRT I BURGOSURTregim nga ISTREF HAXHILLARI

                                                                                      

E Enjte, 05.09.2024, 11:17am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
ART KULTURË
 

SHPIRT I BURGOSUR

Tregim nga ISTREF HAXHILLARI


E Martë, 04.26.2011, 10:18am (GMT+1)

Mëngjesit të purpurt ditën e fundit të shkurtit, Tirana gumëzhinte mbytur. Qelqnajës së pallateve dielli i madh, i zbardhëllyer copëzohej në mijëra bij të vegjël. Në peizazhin e stinës hiri i tokës dhe bluja e qiellit kapërtheheshin në një lojë djallëzore pambaruar kurrë. Mimozat mbushnin hapësirën me aromë ngacmuese, njerëzit deheshin.

Gratë zbulonin gjokset e angështuara prej dimrit, që tkurrej me zor.

Iliri nuk ngopej me pamjen magjike të qytetit, kridhej pareshtur në një lumë ngazëllimi, që rrekej ta fshihte. Sytë e butë kadife me qerpikët e gjatë vështronin përreth ëmbëlsisht. Ndaloi pranë fast foodit në fund të rrugës së Elbasanit.

- Sanduiç pa salcë, - i tha shitëses bullafiqe me fytyrë të kuqërremtë si petull.

Ndërsa nxirte lekët prej tufës së kartmonedhave, portofoli i shkau nga duart. Një vajzë e brishtë me vështrim të vrarë e ndihmoi të mblidhte paratë e shpërndara përqark këmbëve të tij. Pak më parë ia zunë sytë trotuarit në krah të fast foodit.

- Urdhëro, - i tërhoqi vëmendjen gruaja obeze. Pastaj i hodhi sytë me përçmim vajzës së trotuarit.

-Largohu, - u kanos e bezdisur.

Ajo nuk lëvizi. Ktheu kokën nga ana tjetër dhe foli vrazhdë, pa ndonjë shenjë zemërimi fytyrës së pashme.

-Shko pirdhu!

Krismë në qiell të hapur ra mbi Ilirin togfjalëshi banal. E pamundur të dilnin ato fjalë nga goja e vogël dhe buzët delikate të zonjushes së nurshme.

-Bën mirë të mos merresh me atë, - shigjetoi gruaja e fast foodit klientin e habitur.

Me sytë nga vajza bukuroshe ai nuk ia vuri veshin. Femër më të hijshme vështirë se gjeje. Qëndronte në pozicion disi të çuditshëm, pa vrarë mendjen për shikimet kureshtare. Bluza e hapur zbulonte gjysmën e gjinjve të mrekullueshëm, kërcyer mbi sutjena. Ndezi shpenguar cigaren me gishtat e brydhët, të kaltëryer dhe ngriti paksa këmbën bordurës së trotuarit. Nën fustanin e shkurtër vezulluan mbathjet e ngushta me bozhure të kaltra.

Teksa kafshonte sanduiçin, Iliri u rrek t'i fliste, po ngurroi. Vinte nga një qytet i vogël jugor. I druhej edhe shitëses së ngjallur noprane, që herë pas here shikonte shtrembër sikur donte t'i thoshte:

"Akoma me atë kuçkë ti".

Vajza vështronte tinëz, buzëqeshte me nënkuptim. Lëvizte pareshtur trupin sikur e shponte ndonjë karficë në shpinë. Herë pas here kafshonte buzën, hunda e vogël majëpërpjetë i dridhej. Preku pulpën e këmbës me gishtin tregues pastaj qeshi me zë të lartë. Njeriu i vëmendshëm dallonte nuanca të pazakonta melankolie në bebëzat e mëdha të zeza si qymyr, ku dallgëzonin hije të padukshme, të turbullta. Ilirit i mbetën sytë te linjat e rregullta, vija joshëse e gjireve, purpuri i lëkurës, kofshët e lëmyshkura.

-Trashaluqja ka inat, s'më sheh dot me sy - vajza tregoi me dorë gruan e shëndoshë të fast foodit.

Rrotull njëzet vjeç, zeshkane e shkurtër me flokë të zes të shkëlqyer, zënë gërsheta të dendura prapa, rrezatonte pamje këndellëse seksi. Sytë e shndritshëm gati kërcënues i vetëtinin. Rrotullohej kot, nënqeshte pa ndonjë shkak të dukshëm, nuk rrinte një çast e qetë. Luante me celularin, e përdridhte si lodër fëmijësh. Pas pak e hapi me ngut.

-Mirë, mirë, - i foli dikujt.

Si e mbylli telefonin u ngërdhesh shëmtuar.

-Pederast i mutit!

"Kaq e bukur, e shthurur", psherëtiu me keqardhje Iliri.

Nuk dukej për të ardhur keq. E lirshme, pa kurrfarë droje u vërviste shikime çapkëne meshkujve të rastit. Mboshti dyzimin, u prezantua me mirësjellje.

- Më quajnë Ilir, - i tha ngadalë sa mezi u dëgjua.

Ajo derdhi vështrimin e errët me sy gjysmë të pulitur dhe tundi plot elegancë vithet e hatashme. Shikimi i turbullt në vend ta largonte, çuditërisht e joshi më shumë.

- Xhoana ose Xhoi, si të ma duash, - u përgjigj zëngjirur.

Ai u skuq, shikoi përreth. Lumi i makinave dallgëzonte pa pushuar ndërsa këmbësorët e rrallë, shpërfillës hidhnin sytë kalimthi. Pak më tej një djalosh tullac shumë i gjatë, ulur mbi pllakat e bordurës, pinte duhan, sodiste me nge diku nga ana tjetër.

Vajza u mërzit së këqyrur burrat e panjohur. Me takat e gjata zuri të vizatojë rrathë në pluhurin e rrugës duke rrotulluar trupin bashkë me këpucën. Kur arrinte të përfundonte figurën pa shkëputur majën e hollë lëshonte piskama habie.

Iliri u mëdysh nëse duhej ta ftonte për kafe. Herë pas here si rastësisht shitësja vërente shtrembër me zemërim. Vajza rrezëllinte fare pranë, këmbët nuk i bindeshin të largohej. Dëshira përvëluese ta prekte me dorë, ta puthte bëhej gjithnjë më e parezistueshme.

-Dalim bashkë? - e shikoi i dyzuar.

-Mirë - i tha ajo pa ndonjë ngutje apo dëshirë të spikatur.

Morën rrugën përgjatë Lanës në krah të Kuvendit. Pothuaj nuk kishte njeri. Dy pleq dremisnin, nanuritur nga rrezet e ngrohta të diellit. E tërhoqi në stolin mes tufës së dendur të ligustrave, i shtrëngoi llërën e zbuluar. Ajo, pa hezituar, krejt natyrshëm i hodhi duart në qafë. Kokën e mbante nga rruga përmbi parkun e vogël. Iliri e afroi nga vetja. Dora, vendosur mbi kofshë, synoi lart drejt mbathjeve të vogla me qëndisje bozhuresh anash.

-Ej ngadalë, na shohin, - u zgërdhi Xhoi, - jo këtu, shkojmë në motel.

Djali vështroi rrotull. Vuri re një mercedez me ngjyrë të verdhë. Iu bë se diku e kishte parë drejtuesin e makinës, po atij çasti të këndellur nuk i kujtohej.

Shoferi indiferent hapi derën pa shikuar drejt. Iliri mendoi se natyra e punës e shtrëngonte të sillej në atë mënyrë të ftohtë. Sikur të kuturiste në qytetin e tij do të habiste njerëzit.

"Këtu nuk pyesin nga vete e me kë shkon", mendoi i lehtësuar me brengën e përhershme të provincës.

Moteli zinte një godinë të thjeshtë te Brryli në cep të urës. Përpara shtrihej bahçja e zakonshme tiranase me fiq e hurma. Rrotull gjallonin ende dy-tre shtëpi të vogla qerpiçi, në kontrast të thellë me pallatet shumëkatshe që zaptonin horizontin nga të gjitha anët. Pronarja, grua kockëmadhe e rrëgjuar mbi të pesëdhjetat, dremiste në hyrje. Vite të tëra me atë punë rutinë, nuk e habiste asgjë. Kërkoi parapagim dhe i vuri në pëllëmbë çelësat me mbajtëse lëkure të rjepur.

-Dhoma e dytë në të djathtë, - tha me gjysmë zëri.

Ilirit i bëri përshtypje mospërfillja cinike e gruas. Siç dukej partnerja e tij vinte shpesh në motel.

Xhoi hodhi çantën mbi krevatin dopjo, u shtri e dërrmuar, gati e përgjumur. Në sytë e bukur katran të zinj ndihej lodhja. Mollëzat pak të dala i jepnin sensualitet mahnitës të parezistueshëm.

-Më dhemb koka, - tha, - gjithnjë zukasin mizat, - dhe vështroi nga dritarja një flutur pikaloshe që rrekej të hynte nëpër xham.

Flokët e butë si mëndafsh luhateshin me ritmin e lëkundjes së trupit. E heshtur me sytë ulur, lëvizjet e kursyera të njëllojta dukej shpirt i ndaluar brenda formash të ngushta, bezdisëse.

- Gjithçka vjen nga ndjesia që më jep, - përpiqej t'i mbushte mendjen vetes Iliri, po tinëzisht shqetësimi nuk i ndahej.

Xhoit i pëlqente pija. Rrëkëlleu e babëzitur njërën pas tjetrës gotat me liker arrash në ngjyrë kafe të errët. E zgjodhi vetë apo ia sollën, ai s'e kuptoi mirë. Vajti disa herë në banjë. Qëllonte të kthehej përsëri në gjysmë të rrugës.

-Se ç'dreqin kam këtu, - vuri dorën në fund të barkut, - s'e mbaj dot shurrën, nganjëherë e bëj në brekë, - u ngërdhesh shëmtuar.

Sa herë kthehej nga tualeti ulej pranë tij, Iliri ndjente një farë krenarie. Nuk i besohej se kishte zënë vajzën e bukur të Tiranës. Asnjëherë s'pati rast të shkonte me një femër të tillë, për të pirë në kupë. Punë e madhe në qe e shthurur, lloji i zanatit.

I shkoi dorën rreth belit, e puthi vrulltas në buzët e tulta si qershi.

-Të dukem e mirë? - u llastua Xhoi.

-Më pëlqen, - iu përgjigj me sinqeritet.

Përkëdheli gjinjtë e vegjël, zbërtheu sytjenat, kapi me majën e dhëmbëve thithkën. Ajo u shkëput disi e bezdisur.

-Të gjithë më shajnë, - u ankua.

-Ngaqë merresh me këtë punë, - i tha për ta qetësuar.

U orvat sërish ta puthte. Ajo u ngrit shkoi në dritare. Vuri kokën mes duarve, pinte me sy trishtimin e athët të ditës dhe merrte frymë thellë. Ndryshe nga sjellja në rrugë tani e largonte me lloj lloj sajesash. Pa përvojë në kësi punësh, Iliri u mërzit. I qetë, i edukuar, dhunën e përbuzte.

Xhoi lexoi trishtimin e klientit të ri.

-Do ta bëjmë, për atë punë erdhëm, - i tha dhe qeshi në mënyrë të pakuptimtë me zërin e ngjirur - prit të freskohem pak.

Shkoi sërish në banjë. Doli pas pak e mrekullueshme, krejtësisht e zhveshur. Flokët e shpleksur, të gjatë i shkëlqenin. U fut nën çarçafë me lëvizje të ngathëta. Trupi i sedeftë, lëkura e lëmuar, format e rregullta i futën drithmat djalit të pamësuar.

-Afrohu pallë, - e urdhëroi, - pa ta shohim, ke gjë apo hiç fare.

Puthte ftohtë pa dëshirë, sikur provonte shijen e thartë të buzëve. Iliri i la duart të përshkonin qosh më qosh trupin e hajthëm të vajzës. Hyri i eksituar mes këmbëve të saj. E ngrohtë, e vogël.

"Si është e mundur, një prostitutë!".

Lëvizi ngadalë, duke dashur ta zgjaste, të shijonte hijeshinë përcëlluese të femrës. Xhoi mospërfillëse kundronte gjithë kohës nga dritarja e hapur. Futi gishtin në hundë e rrotulloi duke u shtrembuar nga kënaqësia.

-Hiqe dorën andej, - i tha me inat.

-Shko qihu, - ia ktheu vajza me lehtësi, sikur ta ledhatonte me atë fjalë.

As i shkonte ndërmend se ai mund të fyhej. Dorën e mbajti te hunda. Qurrat përzier me gjak kullonin buzës së sipërme. Sytë e mjegulluar, lëvizjet e pakontrolluara e çmeritën Ilirin. Tani që mbaroi punë i kalli krupën, e neveriti me spërdredhjet idiote. I erdhi për të vjellë.

U vesh, nxori nga portofoli tufën e kartmonedhave.

-Sa? - e pyeti.

-Të gjitha, - nxitoi të përgjigjej dhe bebëzat e skuqura, të errësuara lëshuan xixa të frikshme.

Ai e këqyri i habitur. Zhgënjimi i vonuar u përpëlit në kraharor si gjilpërë e helmatisur.

-Qënke budallaqe? - i shpëtoi padashur.

-Gomar, - ia ktheu ajo dhe u zgërdhi pafajësisht.

Iliri kujtoi këshillën e shitëses së fast-foodit. U ndje i brengosur, dëshmitar i së ndaluarës apo më keq, i mpleksur me të.

-Ngrehu të ikim, - i tha me të mirë, - ja paga jote.

-Rrimë pak, - u lut Xhoi e ndryshuar përnjëherë.

Dorën e fshiu me cepin e çarçafit, ku mbeti njolla e lagësht bezhë. Iu afrua ta përkëdhelte, ai e largoi me neveri.

Dashuri me një të mangët! Nuk e pati shkuar kurrë nëpër mend. E pushtoi trishtimi për vajzën e çekuilibruar, veten dhe gjithçka ndodhi atë ditë të përçartur, kur divorcohej dimri me pranverën.

-Mjaft, dalim tani, - tha i tronditur.

Ajo mbushi sytë me lot. E përkequr u mblodh grusht në krye të shtratit. E frikësuar hodhi vështrimin nga dritarja. Qante dhe qeshte në mënyrë të papërcaktuar. Kur e zuri për krahu ta ngrinte, Xhoi u mbajt me thonj pas hekurave të krevatit.

-Të lutem mos më përzë, - lotët rridhnin qetësisht fytyrës tejet të bukur.

Ilirit i erdhi keq. Për një çast kujtoj engjëllin e lotuar në gravurën ballore të kishës së qytetit. Shpirti i Xhoit e ndjente kur njerëzit lëndoheshin, i dhimbte zemra për ta. Ligësia arratisej lehtësisht prej qenies së thyeshme, fshehur thellë fatkeqes me bukuri të rrallë.

Iliri përkëdheli leshrat e dendur dhe faqet e kuqërremta si pjeshkë. Përmes dritares së hapur drithmonte ajri i kulluar, depërtonin cicërimat e vagullta të mëllenjave që popullonin pemët e vjetra të kopështit.

-Nuk mund të rri, - i tha butësisht.

-Këtu do të më lesh?

-Te fast foodi, - e ledhatoi me ndjenjë të përzier ligështie dhe keqardhjeje, - të çoj unë.

E bukur sa t'i këpusje kokën, qante në heshtje, rrëkeza ujëvarash takoheshin nën mjekër. Jetonte ekstremet e arsyes pa gjendje të ndërmjetme. Si çdo qenie e gjallë reagonte në mënyrën e vet ndaj ngacmuesve të jashtëm, po kundërveprimi i saj ndryshonte nga ai i njerëzve të tjerë.

- Nuk janë të githë kaq të mirë, - pëshpëriti mes ngashërimit, - ai do të më gjejë tjetër.

-Kush?

-Nakua.

-Ç'Nako?

-I dashuri im, - tregoi me dorë kopështin.

Iliri u afrua në dritare. Makina e verdhë qëndronte te hyrja e motelit ndërsa shoferi tullac, ulur në tavolinën rrëzë fikut, pinte birrë qetësisht.

Pogradec, e shtunë 20 nëntor 2010

ISTREF HAXHILLARI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
NJË PROGRAM I MUZIKËS RROK I BËN PËR VETE ADOLESHENTËT (04.25.2011)
FILM I RI PËR VRASJEN E PRESIDENTIT AMERIKAN ABRAHAM LINKOLN (04.25.2011)
ROBOTI Pi4, NJË KOLEG I RI NË VENDET E PUNËS (04.24.2011)
PIRATERIA LULËZON - SI MUND TË MBROHET NË SHQIPËRI E DREJTA E AUTORIT (04.24.2011)
MREKULLIA E AGJËRIMIT - KOHË PREHJEJE PËR TRUPIN E SHPIRTIN (04.23.2011)
JAVA E MADHE E PASHKËVE DHE KUPTIMI I SAJ! (04.22.2011)
COTILLARD E GORDON-LEVIT NË "BATMAN" (04.21.2011)
PËRSËRIPoezi nga ILIR DEMALIA (04.20.2011)
SKËNDER BUÇPAPAJ, POET JO VETËM I ATDHEUT"Frika nga Atdheu", një lartësim i poezisë shqipe Nga ÇERÇIZ LOLOÇI (04.18.2011)
ORA SHQIPTARE NË TËRGAJË TË MALËSISË SË TUZITNga VIOLA SHKËMBI (KOKA) (04.17.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]