VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - SELMAN RIZA HERETIKU I GJUHËSISË SHQIPTARE

                                                                                      

E Hënë, 04.29.2024, 05:43am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
ART KULTURË
 
SELMAN RIZA HERETIKU I GJUHËSISË SHQIPTARE
E Hënë, 02.16.2009, 05:37pm (GMT+1)

Ali DHRIMO


Për mendimin tim, Selman Riza si gjuhëtar na la shumë teza e mendime me vlerë, të vërtetuara a që kërkojnë hulumtime të mëtejshme. Por njëherazi dhe mbi të gjitha S. Riza na la disa vlera gati më të rëndësishme sesa arritjet konkrete në lëmin e gjuhësisë. Ndër më të shquarat midis këtyre vlerave, sipas meje, ai na la modelin e shkencëtarit. Duke vrojtuar studiuesin Selman Riza, njeriu arrin në përfundimin e pashmangshëm se shkencëtari i vërtetë është vetëmohues, është një njeri, i cili. kënaqësinë e plotë dhe të vërtetë e gjen vetëm në tryezën e punës. Aty flet e kacafytet me vetveten, aty gjen edhe prehje e çlodhje. Për atë nuk ka muhabete pa bukë, çikërrima e thashetheme, intriga e kurthe.
Ai është njeri gati i një bote tjetër. Përpikëria e tij kantiane ishte bërë proverbiale. Megjithatë, duke qenë njëri nga gdhendësit më të përpiktë dhe më të rreptë të formulimeve shkencore, Selman Riza nuk ishte gjuhëtar kabineti. Ai e shihte veten në rolin e Faik Konicës, i cili mundohej t'i edukonte shqiptarët edhe në lëmin e shkencës, dhe në rrugë e madje kur i vinin për vizitë në shtëpinë e tij, duke ua qortuar me dashamirësi, por edhe me rreptësi, veset që kishin, deri edhe pikëpamjet dhe formulimet e gabuara. Selman Riza nuk ishte si disa gjuhëtarë që merren me gjuhësi e gjuhë si me një "zanat" çfarëdo, vetëm në zyrë e në klasë, kurse në jetën e përditshme nga gjuha e tyre nuk dallojnë nga një qytetar i rëndomtë. Ai jo vetëm fliste me një gjuhë gati po aq të kujdesshme e të krehur, sa kur shkruante, por përpiqej vijimisht t'i bënte të vetëdijshëm edhe bashkëbiseduesit e vet, pa marrë parasysh shkallën e formimit dhe specialitetin e tyre, se si t'i përdornin drejt mjetet e gjuhës sonë, duke kërkuar që formulimi i tyre të ishte logjik dhe pa shtrembërime të papranueshme formash.
Në marrëdhëniet e mia me Selman Rizën nuk kam qenë në vendin e Ekermanit ndaj Gëtes për të mbledhur aq shumë mendime e për ta hetuar aq thellë personalitetin e tij, pasi e kam njohur deri diku vonë dhe sepse profesorët te ne nuk mbanin e, për fat të keq, nuk mbajnë ende as sot asistentë të vërtetë. Megjithatë dy nga mendimet e Ekermanit për Gëten do t'i thosha edhe unë për Selman Rizën. Së pari, sado që kjo shumëkujt, sidomos atyre që nuk e kanë njohur a nuk e kanë vlerësuar si duhet Selman Rizën, mund t'i duket e çuditshme dhe e papranueshme, do të thosha se edhe Selman Riza ishte si një diamant shumëfaqësh, të cilin nga çdo anë që ta kthesh, rrezaton me një ngjyrë tjetër. Së dyti, se njeriu që do të orvatej të mblidhte gjithë mendimet e Selman Rizës, do t'i ngjante një foshnje, e cila në një ditë me shi shtrin doçkat të mbajë shiun që bie.
Shekspiri na thotë me gojën e Mark Antonit për Cezarin se "e mira i varroset njeriut shpesh bashkë me kockat e e keqja mbetet". Shumëve nga ata që kanë punuar me Selman Rizën, u ka mbetur edhe kjo shije a ide prapa. Karakteri konician i papajtueshmërisë me realitetin që e rrethonte, kritika e tij e pamëshirshme dhe e pakompromis në shkencë dhe në shoqëri, i bëri Selman Rizës mjaft armiq e shumë pak miq. Ndërkaq nga të dytët asnjë personal, por vetëm vlerësues parimorë të tij. I ndërgjegjshëm edhe vetë për efektin e kritikës së tij, Selman Riza parafrazonte Çajupin, duke thënë: "Kritika qysh u është dukur? Sa e hidhur, sa e pabukur!" Po cilat janë ato tipare që e bëjnë personalitetin e Selman Rizës të dalë në pah midis atyre të paktave që patëm fatin t'i njohim? Ç'i la ai shkencës shqiptare?

* * *
Për mendimin tim, Selman Riza si gjuhëtar na la shumë teza e mendime me vlerë, të vërtetuara a që kërkojnë hulumtime të mëtejshme. Por njëherazi dhe mbi të gjitha S. Riza na la disa vlera gati më të rëndësishme sesa arritjet konkrete në lëmin e gjuhësisë. Ndër më të shquarat midis këtyre vlerave, sipas meje, ai na la modelin e shkencëtarit. Duke vrojtuar studiuesin Selman Riza, njeriu arrin në përfundimin e pashmangshëm se shkencëtari i vërtetë është vetëmohues, është një njeri, i cili. kënaqësinë e plotë dhe të vërtetë e gjen vetëm në tryezën e punës. Aty flet e kacafytet me vetveten, aty gjen edhe prehje e çlodhje. Për atë nuk ka muhabete pa bukë, çikërrima e thashetheme, intriga e kurthe. Ai është njeri gati i një bote tjetër. "Të teorizosh, do të thotë që nëpërmjet të pames të zbulosh të papamen", thoshte ai. Po për të arritur këtë, shkencëtari ka vetëm një rrugë, ai duhet të ketë për devizë të vetën fjalën e urtë gjermane: "Was ist am süßesten? - Die Arbeit" (Cila është gjëja më e ëmbël? - Puna). Dhe punëtor si Selman Rizën shkenca shqiptare nuk do të gjejë përsëri aq lehtë. Ai nuk njohu kurrë, gjatë tërë jetës së vet, privilegje e lehtësi, as moshe dhe profesure. Ai punonte vetë i pestë në një zyrë të vogël. Vinte çdo ditë qysh në orën shtatë të mëngjesit dhe dilte në orën tre nga puna. Nuk shkonte kurrë për kafe gjatë orarit të punës. Dilte vetëm disa minuta në ajër të pastër e për të shpirë këmbët dhe kthehej përsëri në tryezën e punës. Nuk bënte kurrë e nuk i lejonte as të tjerët të bënin muhabet në zyrë. Përpikëria e tij kantiane ishte bërë proverbiale.
Njëherë, në plazh një çift rus mbeti prej tij pa dalë për shëtitjen e mëngjesit, pasi, meqë nuk e pa të dilte në orën e caktuar, mendoi se ishte ende herët.
Gjithë duke qenë njëri nga gdhendësit më të përpiktë dhe më të rreptë të formulimeve shkencore, Selman Riza nuk ishte gjuhëtar kabineti. Ai e shihte veten në rolin e Faik Konicës, i cili mundohej t'i edukonte shqiptarët edhe në lëmin e shkencës, dhe në rrugë e madje kur i vinin për vizitë në shtëpinë e tij, duke ua qortuar me dashamirësi, por edhe me rreptësi, veset që kishin, deri edhe pikëpamjet dhe formulimet e gabuara. Selman Riza nuk ishte si disa gjuhëtarë që merren me gjuhësi e gjuhë si me një "zanat" çfarëdo, vetëm në zyrë e në klasë, kurse në jetën e përditshme nga gjuha e tyre nuk dallojnë nga një qytetar i rëndomtë. Ai jo vetëm fliste me një gjuhë gati po aq të kujdesshme e të krehur, sa kur shkruante, por përpiqej vijimisht t'i bënte të vetëdijshëm edhe bashkëbiseduesit e vet, pa marrë parasysh shkallën e formimit dhe specialitetin e tyre, se si t'i përdornin drejt mjetet e gjuhës sonë, duke kërkuar që formulimi i tyre të ishte logjik dhe pa shtrembërime të papranueshme formash.
Këto kërkesa i ishin bërë shprehi prej vitesh. Dikur në Haidelberg të Gjermanisë një gjerman, me të cilin po bisedonte, i pat thënë: "Mensch, du sprichst ja wie ein Buch!" (More, ti folke si libër!) Kjo është arsyeja që në ndonjë pandehmë stilistike, siç do të thoshte ai, gjuha e Selman Rizës është dhënë si model i keq i gjuhës librore. Po se sa stilist ishte Selman Riza, na e tregon shkrimi i tij brilant për Kostaq Cipon, i vetmi që iu botua pas dëbimit të tij nga Olimpi. Por për ta zbërthyer gjuhën e Selman Rizës, kritikët duhet të jenë po aq skrupulozë, kërkues, të përqendruar e të angazhuar sa ai, me qëllim që të mund të hetojnë formulimin e mendimeve të tij, të zbulojnë krijimin e ndërvarësive të brendshme logjike midis gjymtyrëve e fjalive. Selman Riza u orvat të krijonte modelin e prozës rreptësisht shkencore shqiptare, pa ujë të tepërt, pa inflacion fjalësh e shprehjesh. Ai as lexohet, as kuptohet duke vërshëllyer, por vetëm me një përqendrim të posaçëm.
Dhe si shpërblim për punën titanike që bëri, jo vetëm në këtë drejtim, kur po e përzinin nga Tirana si Eskilin nga Athina, jo vetëm që i organizuan një mbledhje për ta poshtëruar botërisht, por aty u thanë edhe dy mendime, të cilat çuditërisht u duartrokitën. I pari ishte: "Për të punuar Selman Riza punon tërë ditën e ditës, sado që njeriu mund të vrasë edhe veten duke punuar." Se ç'bëri Selman Riza duke punuar, këtë e tregojnë vëllimet e veprave të tij, botuar në Kosovë. Mendimi i dytë erdhi nga një gegë mjeran, i cili pandehu se me atë rast mund t'i hidhte një arnë autobiografisë së vet në sytë e komunistëve, duke "dekonspiruar" një mendim heretik që i paskësh thënë Selman Riza: "Unë e kam pyt ket: Po ti pse flet e shkruen tosknisht e jo gegnisht si na? E ky m'asht përgjegj: Unë nuk shkruaj e nuk flas as gegërisht, as toskërisht, po në gjuhën që do të vijë!" Dhe çuditërisht mendohej se me këtë po bënte mëkat. E pabesueshme, por e vërtetë!

* * *
Vlerë tjetër madhore, që mendoj se Selman Riza i la shkencës shqiptare, është bindja e tij e fortë se për të qenë shkencëtar, njeriu duhet të ketë arritur stadin e tretë të personalitetit niçean. Pra, ai duhet ta ketë kapërcyer fazën e parë të njohjes së autoriteteve dhe fazën e dytë të nënshtrimit ndaj autoriteteve dhe të ketë hyrë në fazën e tretë, në atë të luftës së plotë e të pakompromis kundër autoriteteve për vetafirmim. Shumë kolegë të rinj pandehin se, duke u emëruar në një qendër kërkimore a institucion shkencor, u bënë shkencëtarë e dijetarë dhe nuk e kuptojnë se me këtë u është dhënë vetëm shansi për t'u bërë të tillë. Së dyti, kush ripërtyp, nuk është shkencëtar. Në qoftë se Dekarti thoshte: "Cogito, ergo sum" (Mendoj, prandaj jam), unë besoj se Selman Riza do të ketë pasur si devizë të pashpallur: "Dubito, ergo sum" (Dyshoj, prandaj jam).
Selman Riza citonte pak, jo sepse lexonte pak e kurrsesi sepse përvetësonte në heshtje tezat, mendimet dhe pikëpamjet e të tjerëve, por sepse në plan të parë vinte punën e bërë në laboratorin e vet krijues, analizat, sintezat e deduksionet që nxirrte që andej. Se sa dhe si lexonte Selman Riza, flet ndër të tjera trashëgimia e tij, ku midis shumë materialeve gjejmë edhe 12 fletore të trasha me shënime e citate mbi logjikën, nxjerrë nga enciklopedi e vepra të ndryshme, 4 fletore nga logjika e Hegelit, 3 fletore nga vepra mbi Hegelin, 1 fletore nga logjika e Benedeto Kroçes, 4 fletore nga vepra e F. De Sosyrit, 4 fletore nga vepra e Godelit, 14 fletore nga vepra për gjuhësinë e përgjithshme, 21 fletore me citate e ekscerpte nga vepra të ndryshme etj. etj.
Kush ka lexuar kritika nga Holger Pederseni, Gustav Majeri, Hugo Shuhardi etj., bindet se ndër ne shkolla e kritikës shkencore fillon me Selman Rizën. Asgjë nuk i shpëtonte sitës së hollë të gjykimit të tij. Sigurisht për stadin tonë të atëhershëm, kur ne ishim mësuar që vetëm Partia kishte të drejtë të kritikonte e të shkatërronte, kritika e Selman Rizës ishte e parakohshme dhe forma e saj shpesh e papranueshme. Prandaj ajo edhe është interpretuar jo si hulumtim i mundimshëm shkencor e me një angazhim tërësor për të nxjerrë në dritë të vërtetën, por si hakmarrje individuale, si prirje për ta ndarë qimen më shtatësh (por ama së gjeri). Kështu jo vetëm që është zbehur thelbi i saj racional, përpjekja për një përsosje të gjithanshme për të mënjanuar gjithçka të papranueshme e të qortueshme si në planin e vërtetësisë ashtu edhe në atë të shprehjes, por është hedhur hije edhe mbi karakterin e autorit.

* * *
Një vlerë tjetër e madhe e Selman Rizës është objektiviteti dhe rreptësia shkencore që karakterizon krijimtarinë e tij. Askush nuk besoj se e vë në dyshim atdhetarizmin e Selman Rizës. Por ai kishte bindjen e thellë e të palëkundshme se tezat shkencore janë me të vërtetë të tilla, kur i qëndrojnë kohës dhe, pasi bëhen botërisht të njohura, i imponohen dhe shkencës botërore, dhe jo kur vishen me lulka atdhetarizmi efemer a naiv që i bën të bukura për ne shqiptarët, por që përveç nesh nuk i beson tjetërkush. Ç'është e vërteta, nga kjo sëmundje vuan shkenca e shumë vendeve ballkanike. (Mbaj mend që në Kuvendin e ilirëve një studiues gjerman guxoi të na e thoshte këtë fakt nga tribuna e kuvendit: "Rumunët luftojnë me dhëmbë e me thonj për ta nxjerrë gjithçka rumune. Të njëjtën gjë bëjnë edhe shqiptarët, po me mjete të tjera.") Selman Riza asnjëherë nuk ngrihej kundër një teze shkencore vetëm në emër të shqiptarizmit, po vetëm në emër të bindjeve shkencore. Ai nuk ishte nga ata që me një notë bëjnë një simfoni. Le të marrim sa për ilustrim çështjen aq të njohur të shkrimit të shqipes dhe veprën e Buzukut. Të entuziazmuar nga ndjenja atdhetare, shumë studiues kanë pohuar se në trojet shqiptare ka lulëzuar qysh përpara Buzukut një letërsi e tërë në gjuhën amtare. Ata e kanë quajtur "Formulën e pagëzimit" të Pal Engjëllit si dokumentin e parë të shkrimit të shqipes, duke harruar se ajo është thjesht transkriptim i një thënieje shqip brenda një teksti latin dhe vlen si dokument për shkrimin e shqipes, aq sa ç'do të vlente një thënie turqisht brenda një teksti shqip. Po kështu kanë quajtur si të dytë "Fjalorthin" e Arnold fon Harfit, në një kohë që ai vetë na thotë shprehimisht aty se "kjo gjuhë ende nuk shkruhet". Ka vite që është deklaruar se një studiues në Mynhen të Gjermanisë ka gjetur një vepër parabuzukiane dhe për këtë një studiues yni shkroi me bujë ndër ne një faqe në gazetën "Drita", pa e parë ende këtë "vepër", vetëm me të dëgjuar. Selman Riza, i cili gjithashtu priste me padurim daljen e ndonjë dokumenti parabuzukian dhe thoshte se, sa të dalë, do të mbyllem në studio ta studioj, i hodhi poshtë me argumente të forta këto teza që mbështeteshin më tepër në dëshira. Ai mori dhe analizoi veprën e Buzukut, vlerësoi shumë lart arritjet stilistike dhe prirjet rrafshuese e përgjithësuese të tij në lëmin e disa formave, hetoi ato vise ku Buzuku mbështetet thjesht në gjuhën e folur, duke vepruar si Luteri, i cili thoshte: "Unë vështrova fshatarët në gojë se si flisnin dhe shkrova". Por Selman Riza hetoi njëkohësisht edhe lajthitjet, disa herë të rënda të Buzukut, të cilat dëshmojnë se kemi të bëjmë me përpjekje dhe me prozë fillestare. Ai mori e i shoshiti të gjitha këto me objektivitet shkencor, pastaj shqyrtoi edhe rrethanat historike të kohës: faktin se Gjergj Kastrioti - Skënderbeu kishte sunduar në shtetin e parë shqiptar për 25 vjet rresht, por asnjë dokument shqip nga dora a kancelaria e tij nuk ka dalë ende në dritë. Veç kësaj, tërë ajo masë fisnikësh e princash të formuar që u larguan nga Shqipëria pas vdekjes së Skënderbeut, si nuk vijuan as letërkëmbim e as krijimtarinë e tyre në gjuhën shqipe, sikur osmanët t'ua kishin djegur, sikurse shprehej ai, edhe alfabetin që kishin të ngulitur në kokë.

* * *
Në këtë hulli vlen të nxirret në pah edhe përpjekja dhe guximi i paarritshëm i Selman Rizës për një shkencë të lirë e të papolitizuar shqiptare. Shumëve prej nesh na kujtohet se, kur do të hartohej plani i së parës gramatikë shkencore të shqipes, në Sektorin e gramatikës kishte ardhur edhe vetë drejtori i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë për të ruajtur gramatikën se mos shkiste prej pozitave të marksizëm-leninizmit. E mu në atë mbledhje Selman Riza, edhe pse i dinte pozitat e veta të lëkundura ndaj marksizëm-leninizmit dhe partisë-shtet, ngrihet e propozon që si kriter bazë për klasifikimin e pjesëve të ligjëratës të mos merreshin parimet e marksizëm-leninizmit, pasi ato në rastin e gjuhës nuk vlenin si universale e nuk mund të shërbenin si bazë për hartimin e gramatikës dhe bëri një propozim te vetin, propozim i cili natyrisht u hodh menjëherë poshtë nga drejtori me komentin përkatës.
Të njëjtin qëndrim guxonte të mbante ai fare hapur ndaj tezës marksiste-leniniste se gjuha dhe mendimi janë një, se pa gjuhë nuk ka mendim. Ai gjithmonë buzëqeshte me përgjigjen bishtnuese të Stalinit, kur e pyetën si qëndron puna me shurdhmemecët etj. dhe ai tha: "Unë flas për njerëz normalë". Gjithë duke e pranuar lidhjen shumë të ngushtë midis gjuhës e mendimit, Selman Riza thoshte se janë dy dukuri krejt të veçanta dhe se gjuha është mjeti kryesor, por jo i vetmi për shprehjen e mendimit dhe se ai shprehet fare mirë edhe me shumë mjete të tjera (gjeste, mimikë etj.). Përndryshe, shtonte ai, ç'bëhet me ata mijëra shurdhmemecë nëpër botë, të cilët megjithëse nuk flasin dot dhe nuk e kanë njohur kurrë gjuhën, në mënyra nga më të ndryshmet shprehin ndjenja e dëshira dhe kryejnë lloj-lloj veprimesh, të cilat janë shprehje e padiskutueshme e mendimeve të tyre dhe i dallojnë ata katërçipërisht nga kafshët, të cilat gjithashtu nuk kanë gjuhë.
Në fund dëshiroj të përmend edhe një tipar njerëzor të Selman Rizës: thjeshtësinë e tij. Karakteri i rreptë i Selman Rizës bënte që shpesh kjo veti e tij jo vetëm te mos binte aq në sy, por gati të mos besohej. Por ne që kemi punuar me të, e dimë se Selman Riza dilte gjithmonë vullnetar për të marrë për udhëheqje e ndihmë punonjës të rinj të sektorit.
Natyrisht, i riu duhet ta mendonte mirë përpara se të pranonte të udhëhiqej prej tij, sepse atij do t'i duhej t'i nënshtrohej një pune sistematike të pandërprerë, do të bënte një punë të vërtetë vetëformuese e shkencore. Por kjo është mënyra e udhëheqjes dhe e formimit të studiuesve të rinj në tërë botën. (Albanologu rumun Grigore Brënkush tregonte se udhëheqësi i tij, gjuhëtari i shquar Aleksandër Roseti, e merrte pothuajse gjithmonë në telefon aty nga ora 12 e natës dhe e pyeste: Brënkush, çfarë je duke lexuar?) Selman Riza shpjegonte me durim e seriozitetin më të madh çdo pyetje që i bëhej, sado e thjeshtë që të ishte ajo. Kur e pyesnin se sa gjuhë dinte dhe dinte dymbëdhjetë, ai përgjigjej: "Shqip dhe frëngjisht". Ndërsa kur e pyesnin për një fjalë në njërën nga këto gjuhë, ai menjëherë merrte dhe hapte fjalorin.
Megjithë moshën e shtyrë, ai merrte pjesë rregullisht në gjimnastikën e mëngjesit dhe në të gjitha punët "vullnetare" e aksionet që organizoheshin atëherë në Institut e në lagje "për ndërtimin e socializmit", madje edhe kur ishte pensionist. Deri muajt e fundit të jetës së vet ai shkonte duke zvarritur këmbët me orë të tëra në çdo fatkeqësi, që u ndodhte të njohurve e kolegëve të tij. Selman Riza vinte në punë me një kostum kombinati jo nga varfëria, por nga edukata. Ky personalitet kompleks, me tipare njerëzore e mendore të pazakonta, me një kurajë dhe forcë intelektuale gati të paarritshme edhe për në banesën e fundit, me porosi të pushtetarëve, u përcoll gati në heshtje poshtëruese. Edhe shumë nga kolegët e tij të punës, më fort për mungesë kuraje intelektuale, i bënë bisht pjesëmarrjes në ceremoninë e varrimit.
Kohët e reja na bëjnë thirrje për mendësi të reja, për një vlerësim e rivlerësim të panteonit shqiptar, të atyre që kanë zënë vend përjetësisht në altarin e kombit tonë, por edhe të qëndrimeve tona, pikërisht për të sotmen dhe të ardhmen e këtij kombi.


16 Shkurt 2009


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Historia e pabesueshme tragjike e Anë Nikolë Smith tani muzikal në Royal Opera House (02.12.2009)
Sindi Krauford ndër mbretëreshat e pashfronëzueshme të bukurisë (02.12.2009)
Topi dekoron artistin popullor Ali Mula me Urdhrin e Mjeshtrit të Madh (02.12.2009)
Studentët braktisin sallën ku referon Gynter Gras për librin e tij më të ri "Nga Gjermania për në Gjermani" (02.09.2009)
Në Los Anxhelos edicioni i 51-të i Oskarëve të Muzikës - Çmimeve Grammy Awards - Triumf për Plant dhe Krauss (02.09.2009)
Xhon Apdajk kishte persiatur për vdekjen në një poezi të re (02.02.2009)
Oprah Winfrey në 55 vjetorin e saj (01.29.2009)
Lamtumirë shkrimtarit amerikan Xhon Apdajk (01.28.2009)
Xhon Belushi gjeniu shqiptar i skenës dhe ekranit botëror (01.24.2009)
ZJARR DHE AKULL ROBERT FROST POETI I PARË QË LEXONTE POEZI NË NJË INAUGURIM PRESIDENCIAL (01.20.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]