VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - SADIK KRASNIQI NË GJUHËN RUMUNENga BAKI YMERI

                                                                                      

E Shtunë, 05.04.2024, 01:10am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
ART KULTURË
 

SADIK KRASNIQI NË GJUHËN RUMUNE

Nga BAKI YMERI


E Shtunë, 05.29.2010, 11:46am (GMT+1)

Në foto Sadik Krasniqi

Loti i jetës, pesha e mërgimit dhe drita e atdhedashurisë

Në bashkëpunim me Bashkësinë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, këto ditë e pa dritën e botimit në Bukuresht një libër i ri i një autori shqiptar me banim në Gjermani, Sadik Krasniqi. Loti i jetës së tij del në gjuhën rumune, në përkthim të autorit të këtij shkrimi, duke patur për autor të parathënies kritikun Marius Chelaru, ndërsa në kuadrin a pasthënies, për poezinë e tij jepen fragmente nga shkrimet e Pal Sokolit, Ferdinand Lahollit dhe Shefqet Dibranit. Çdokush e din faktin se gjithmonë ka ekzistuar dhe vazhdon të ekzistojë mërgimi si një plagë e dhembshme e shoqërisë njerëzore. Sadik Krasniqi shkruan për Kosovën dhe ekzilin e shpirtit të mërgimtarëve tanë. Në 100 faqet e kësaj vepre me vlerë defilon zemërgjerësia e madhe e autorit ndaj atdheut dhe nënës së tij, ndjeshmëria e një shpirti të ndritur, ide okulte (të fshehta) dhe ide të mbështjella me metafora. "Ditën e mbaj në zemër/ tmerrësisht të bekuar/ në etje për takim/ duke ia ruajtur fshehtësinë vatrës".

Libri strukturohet në disa cikle, si Pikëllim i ngrirë, Vello ujore, Unazë dheu dhe Hije e grisur. Sipas Ferdinand Lahollit, vargjet e Sadik Krasniqit janë të mbrujtura me një thjeshtësi shpalosjeje e ndërkohë aq meditative sa më dukej sikur para meje kisha vargje të Eqrem Bashës apo Ali Podrimjes, të Agim Vincës apo Azem Shkrelit. Asnjë fjalë ulëritëse e megjithatë dhimbja për Kosovën e madhe sa bota. Mënyra medituese dhe befasia poetike sikur kishin funksionin bindës, se dhimbja për atdhe, sado dhimbëse, mbetet e bukur. Në kuadrin e parathënies Hija e grisur apo malli ndaj atdheut dhe nënës në mërgim, kritika rumune thekson se Sadik Krasniqi është shqiptari që mban të fshehur në shpirt e në varg peshën e përmallimit ndaj nënës dhe tokës amtare. Autori nuk bie viktimë e një poezie komplekse, as në shprehje dhe as në konstrukcion, por krijon perla poetike që kanë të bëjnë më parë me gjendjen shpirtëtore përmes së cilës "vetërrefehet" me kujtime dhe përjetime. "Rrëfen" përmes një sensibiliteti lirik që i ka hije, mallin ndaj shtëpisë, ndaj vendlindjes, ndaj të dashurës së tij, dhe sidomos ndaj Kosovës dhe nënës së tij.

Sadik Krasniqi, sipas eseistikës rumune, din t'i veshë mendimet në poezinë e tij, duke ua dhënë fuqinë magjike të cilën ai e huazon nga Kosova. Në diskursin lirik të këtij autori defilojnë Tri miniatura për Kosovën, Prishtina në korrik dhe Guri i Kështjellës, por edhe Shqipëria dhe Çamëria, nëna dhe amprenta të ndryshme të gjithë asaj që don të thotë magjia e atdheut të pajisur me këngë të trimërisë dhe kulla kreshnike ku gjëmon historia (Loti i jetës, Kroi i Çamurlisë, Shqipet morën dhenë). Syri i poetit hap horizonte të reja për kuptimin e çështjeve të mëndjes dhe shpirtit. Shpirti i tij është i përmbushur me mallin ndaj vendlindjes që defilon me Fluturim kojrrillash.

 

Në vazhdim, Marius Qelaru thekson se një nga përfytyrimet që të josh gjatë lekturimit të këtij vëllimi shpie në idenë se bota shndërrohet në një vërshimë metaforash apo përfytyrimesh që e befasojnë lexuesin përmes transfigurimit të impresionit bruto. Këtu autori ka zgjedhur një rrugë të mesme për fisnikërimin e këtij tipi të diskursit lirik përmes futjes së disa elementeve narative. Te Sadik Krasniqi krijimi lirik shëmbëllen herë pas here me një ditar impresionesh artistike. Është njësoj sikur poezia të jetë projektuar mbi sipërfaqen e sertarit me kujtimet e poetit, madje edhe me ato të ndërgjegjes personale. Poeti buzëqesh, këndon dhe shkruan me brishtësi mendimi edhe për çastet vetëtimtare të dashurisë, jo për erotizëm, por për mitet e vendlindjes, një shembull duke qenë "gjarpëri i shtëpisë", për refugjatët, për ekzilin apo hipokrizinë në këto kohë kur, shkruan autori, "atdheu bëhet xhep" dhe "lulet e vjedhura/ trishtohen mbi varr"). Sadik Krasniqi din ta latojë me mjeshtri mërgimin e rrëfimeve dhe rrëfimin e asaj që don të thotë përkujtim i vendlindjes dhe atdheut, tejmatanë brigjeve të tij.

Sipas Shefqet Dibranit, Sadik Krasniqi ka nisur të shkruaj qysh në kohën e një pjekurie akademike, atëherë kur jeta e tij sado kudo ka marrë kuptimin e plotë, por që ishte përplot ideale e ambicie s'ka dyshim, por rrjedha si rrjedha, dhe Kosova me gjithë dramën e asaj kohe ndryshoi jetën e kosovarit si një proces që nuk i dihej saktësisht se ku do të përfundojë, ashtu sikurse që nuk i dihet as rrjedhës së lumit që nuk shteron kurrë, pra jeta e poetit mbetet rrjedhë aq sa poezia që ka shënuar vazhdimësi, tamam sikurse lumi që nuk ndal shtegtimin e tij. Sadik Krasniqi në poezinë e tij ka elemente elegjiake si "fluturimi gri i dallëndyshes drejt vendlindjes", ku drama e gjithëmbarshme e braktisjes së atdheut i ka caktuar edhe atij rolin e imituesit që detyrimisht jep imazhin e përjetimit poetik, si vlerë e realitet me një përjetim tragjik, ku fundi i imazhit nuk e përcakton përjetimin poetik si lëndë dhe si strukturë poetike, por e përshkruan imazhin si një përjetim emocional të cilit mundohet t'i jap nënqeshje lirike përplot nuanca jete e shprese ku e sotmja dhe e nesërmja shihen me syrin e perspektivës duke shkrirë të sotmen e duke ngjizur të djeshmen e cila te ky bllok i poezive shikohet e kujtohet me mall e nostalgji.

Sipas Pal Sokolit, poetët nuk mund të jenë vetëm vrojtues kontemplativ/pasiv të realitetit që na rrethon, të ngjarjeve apo proceseve që ndodhin rreth nesh, prandaj ata shpesh bëhen ndërmjetësues mes raporteve të tilla, dhe avansojnëj në forma të ndryshme të ligjërimit kahet e ecurive që lidhen me fatin e vet, të kombit të vet, apo me fatin e gjithë njerëzimit. Këtij koncepti nuk mund t´i ikin shumë krijues dhe as poeti ynë i frymëzuar, Sadik Krasniqi. Ripërtëritja është një proces që Sadik Krasniqi e sheh si një dritë në Liqe, dritë qe shfaqet nëpër djepat me plisa, në puthjet e diellit qe gjallojnë ofshamat dhe frymëmarrjet grunajave të Kosovës, gjenerim të cilin poeti e quan "Loti i Jetës". Ky regjenerim kryqëzohet më të papritura, me traditën, respektivisht trashëgiminë që poeti e shfaq në poezinë "S`do t´ia fal vetes", një sugjerim intelektual që na nxit të mësojmë mbi "të dy ligat e motit".

Sadik Krasniqi fshehet pas velit simbolik të lotit dhe të dhembjes, sepse ato ngrijnë pranverat, ato ndotin lumin dhe na shfaqen stinëve të jetës pa i veshur kurrë rrobat e motit. Ekspozimi i njeriut nën statusquonë, për poetin është njësoj sikur ta shtyjmë vdekjen për nesër. Për ta kaluar një rrugë të tillë, poeti komunikon me figura të ndryshme të kombit dhe tërheq një diagonale nëpër kohë, për ta shfletuar atë para lexuesit me gjakun e saj apo më dhëmbët e saj. Lirizmi emocional i poetit shpaloset në ciklin Vello Ujore dhe pikërisht me poezinë "Sytë e asaj vashe" qe i kushtohet (N-së). Në këtë cikël jep tablo të ndryshme lirike të fshehura pas diellit, pas pranverave dhe vetullave me shikime të kryqëzuara derisa perëndon dielli në sy, apo së bashku me Flokëdielloren që e merr valëbardha në përqafim.

Lirizmi i Sadik Krasniqit është i çiltërt dhe orientuar, real dhe i gjallë, edhepse nuk arrin te dridhja e bardhë. Këtu poeti valëvitët ndërmjet akteve, hijeve të dashuruara në dritë komete që shkreptijnë kundër mediokritetit apo shkurtpamësisë. Poeti jeton në mërgim dhe nuk mund t'i ikë poezisë së përmbushur me mall: malli për vendlindjen, për dheun që nuk është vetëm në verandë që fëmijët të kenë pranverë në dritare, por edhe në dheun e Kosovës me erë molle, aty ku Albini dhe Galdimi do të gjejnë blerim dhe do të puthin diellin e vet. Dielli ngroh krejt dheun shqiptar, pa kufi të vizatur hartave të Ballkanit. Poeti përjeton pasojat e një kohe të sëmurë, prandaj me sarkazëm i kundërvihet asaj kohe ku nuk na kanë ndryshuar shumë mendimet, edhepse ka ndryshuar pamja jonë. Pasiguria në këtë kohë na shpie aty ku kostumin e vdekjes duhet ta kemi të përgatitur, sepse jeta mund të na hedhë si gjethin e këputur në trotuar, kohë që shalon kuaj troje, kuaj të zi që natën na lëshojnë mjekra në zemër.

Sadik Krasniqi i sjell vlera të mirëfillta letrare letërsisë sonë, e sidomos poezisë që krijohet në mërgim. Me një lirizëm të lehtë, duke mbajtur një distancë të ftohtë kundruall tablove qe prek në ketë vëllim, poeti e shpërthen preokupimin e vet jo në mënyrë direkte, jo me transparencë, por i "barikaduar" pas simbolikës së pasur që ka përdorur me profesionalizëm artistik. Metaforat e fuqishme gjithashtu flasin për krijuesin, ndërsa rrjedhshmëria poetike na detyron dhe na tërheq që ta lexojmë më ëndje këtë poezi të frymëzuar dhe të realizuar mirë.

Sadik Krasniqi u lind më 24 maj 1961 në Llukar të Prishtinës. Shkollimin fillestar e ka kryer në fshatin e lindjes, ndërsa shkollën e mesme kulturologjike dhe studimet (Letërsi dhe Gjuhë Shqipe) i ka kryer në kuadrin e Universitetit të Prishtinës. Pas studimeve ka punuar si arsimtar i Gjuhës Shqipe në fshatin e lindjes, derisa ka emigruar me familjen në Gjermani, ku jeton dhe vepron. Me shkrime është marrë si student dhe krijimet e tij janë botuar pothuajse në të gjitha gazetat dhe revistat e kohës. Ka botuar poezi, tregime dhe vështrime kritike. Poezitë e tij janë të përfshira edhe në antologjitë Asht e gjak Arbërie (Doruntina, 2007) dhe Suspinele sufletului/Pëshpëritjet e shpirtit (Bukuresht, 2010). Është laureat i çmimit të parë dhe të dytë në Konkursin letrar organizuar nga Universiteti Popullor Shqiptar (UPSH), në Gjenevë (2005), i nderuar edhe me çmimin letrar "Agim Ramadani" (2006). Bibliografi letrare: Ofshamë në urnë (Faik Konica, Prishtinë, 2008), "Lacrima vieÅ£ii/Loti i jetës (Bukuresht, 2010). Autori është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë të Gjermanisë (LSHAKSH).

 

Baki Ymeri


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
NJË LETËR FISNIKUT "TEATRI KOMBËTAR"Nga DR. PËRPARIM KABO (05.29.2010)
PAOLO COELHO, 'MICK JAGGER I LETËRSISË' (05.26.2010)
JOLANDA GUAZZONI NË SHKRIME DHE KUJTIMENga ELSA DEMO (05.26.2010)
MCCARTNEY JEP KONCERT PËR ÇIFTIN OBAMA (05.25.2010)
ROBERTO SAVIANOS I JEPET ÇMIMI I LARTË I GAZETARISË (05.24.2010)
FESTIVALI 2010 - FILMI GJERMAN NË KANË (05.22.2010)
LETËRSIA DHE PSIKOLOGJIANga FLORI BRUQI (05.20.2010)
E QESHURA ËSHTË ARMA E PUSHTETITNga Jorida Pasku (05.19.2010)
FLAMURI I DËSHIRAVENga BAKI YMERI (05.18.2010)
MIJËRA VETË IA DHANË LAMTUMIRËN E FUNDIT ARTISTES SË FAMSHME LINA HORN (05.16.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]