VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - JOLANDA GUAZZONI NË SHKRIME DHE KUJTIMENga ELSA DEMO

                                                                                      

E Mërkurë, 05.15.2024, 11:05pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
ART KULTURË
 

JOLANDA GUAZZONI NË SHKRIME DHE KUJTIME

Nga ELSA DEMO


E Mërkurë, 05.26.2010, 06:55am (GMT+1)

Përkthyesja e Migjenit dhe Mjedës në italishte, kritikja e viteve 30-40, e filloi nga e para jetën në Shqipëri. Së shpejti në një botim, shkrimet, studimet dhe letërkëmbimet e rinisë përgatitur nga e bija, Klara Kodra

Pak njerëz e kujtuan dje Jolanda Guazzoni Kodrën (1910 - 1963). Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë organizoi në Akademinë e Shkencave një takim përkujtimor me rastin e 100-vjetorit të lindjes së studiueses e përkthyesesKolegët e Institutit folën përballë njëri-tjetrit, botimi i veprës së plotë të Kodrës nuk është akoma gati, kështu që përkujtimorja, në ditën e lindjes së autores, 18 maj 1910, ishte e zbrazët.

Studiuesit Shaban Sinani, Evalda Paci, Spiro Gjoni etj., folën për çështje të përkthimit të Migjenit nga Jolanda Kodra, të mendimit të saj teorik, po edhe të krijimtarisë origjinale, poezisë së saj. Është një lëndë që u botua në shtypin dhe periodikët kulturorë të viteve '30-'40 ku botonin albanologët më në zë të kohës.

Tek "Hylli i Dritës" i Fishtës, "Përpjekja Shqiptare" e Merxhanit, "Fryma", "Njeriu", "Tomori" ajo boton studime për Naim Frashërin, Gjergj Fishtën, Migjenin, Mjedën. Me këta dy të fundit do të merrej gjatë, për përkthimin në italishte të veprës së plotë të të parit dhe poezive dhe poemave të të dytit.

Pas vitit '45, puna e Guzzonit kufizohet në përkthimet që impononte koha. Ajo ka përkthyer në italishte romane të pabotuar të Sterio Spasses, Petro Markos.

E pabotuar ka mbetur edhe një antologji me poetë shqiptarë të Rilindjes dhe Pavarësisë, por jo antologjia në gjuhën italiane me poetë bashkëkohës shqiptarë të viteve gjashtëdhjetë, "ndër të tjerë" Kadare dhe Agolli, botuar më 1967. Paradoksi është që këto përkthime u botuan dhe qarkulluan vetëm brenda vendit.

Gruaja vdiq e re, më 16 gusht 1963. E bija, Klara Kodra, që ndoqi rrugët e së ëmës, bën një portret të Jolanda Guazzoni-t në përvjetorin e njëqind të saj.

Zonja Klara, para se të bëhej Jolanda Kodra, cila ishte, Jolanda Guazzoni?

Para se të bëhej Kodra, Jolanda Guazzoni ishte një vajzë e re me dashuri për sudimin dhe librin që vazhdonte Liceun Klasik në Romë. Ishte fëmija e një inxhinieri nga Roma që ishte edhe skenarist edhe dramaturg. Quhej Alberto Guazzoni, ishte i vëllai i regjisorit të dëgjuar Enrico Guazzoni, një nga regjisorët e njohur italianë të filmit pa zë dhe që sot i kushtohet edhe një rrugë e Romës.

Nëna e saj ishte një siçiliane, Maria del Sarto.

Jolanda ndiqte liceun në kohën që u njoh me një student shqiptar, nga Gjirokastra që vazhdonte shkollën e lartë për fiskulturë, Malo Kodra. Ai kishte vazhduar shkollën e mesme në Austri, pastaj e kishin larguar prindërit prej andej meqë kishte rënë në dashuri me një vajzë vendase. Por kur u dashurua me Jolandën, u tregua ca më i zgjuar dhe e mbajti të fshehtë.

Foli vetëm me prindërit e Jolandës dhe dashuria e tyre u kurorëzua në martesë. Maloja e solli nusen e re në Shqipëri që t'ua paraqiste prindërve dhe i vuri para faktit të kryer.

Kur vjen në Shqipëri dhe si rrjedh jeta e saj këtu?

Në vitin 1931. I shoqi i saj filloi të punojë mësues fizkulture në qytete të ndryshme. Përveç Korçës ka qenë në Shkodër, në Delvinë, Bilisht dhe u kthyen përsëri në Korçë deri në vitin 1939.

Jetonin në apartamente dhe qira. Në Tiranë u vendosën më në fund më '39-ën, dhe ndenjën atje, me përjashtim të një kohe të shkurtër kur Maloja shkonte në Shkozet në vitet '50, atëhere kur ata më në fund kishin fëmijë, dy vajza, mua dhe time motër Etelin.

Me të ardhur në Shqipëri ajo kishte filluar të mësonte shqip dhe të lidhej me gazetat dhe revistat e kohës. Dhe të bashkëpunojë me to.

Lidhet me "Hyllin e Dritës" si katolike që ishte, megjithatë ajo kishte mentalitet të hapur. Më vonë bashkëpunon me revistën "Njeriu" dhe "Kultura Islame". Lidhet edhe me "Përpjekja shqiptare", "Shkëndija", më vonë edhe me "Fryma". Pra ishin gazetat dhe revistat kryesore të kohës, të viteve '30-'40.

Cilat janë shkrimet kryesore studimore?

Shkruan dy studime të gjatë për Naim Frashërin dhe për Fishtën. Në fillim për Fishtën e boton në gazetën "Tomorri" dhe më vonë në përmbledhjen që i kushtohet poetit më '43-shin. Quhet "Art Gjergj Fishta në dritën e artit të vet" ku merr në analizë gjithë krijimtarinë e Fishtës. Studimi është në dy gjuhë, shqip-italisht. Botoi në gjuhën letrare të kohës, që është ishte gegërishtja atëhere.

Për juve, cilat janë shkrimet më përfaqësuese të Jolanda Kodrës?

Mendoj se janë studimet e gjata që përmenda. Po ka edhe një artikull shumë interesant për Mjedën për poemthin "Shkodra" që u botua te "Fryma" më '44-ën.

Ku vendosen këndvështrimet e saj?

Ajo i shikon këta poetë në mesazhet patriotike edhe filozofike. Gjithashtu ajo shikon edhe anë të veçanta të formës. Vëren epizmin te Fishta, e krahason me poetë italianë latinë, sepse Jolanda kishte një kulturë të gjerë. Përveç liceut ajo vazhdonte të studionte dhe të formohej vetë. Unë kam trashëguar bibliotekën e saj të pasur. Janë me qindra libra.

Cilët ishin miqtë me të cilët ajo u afrua intelektualisht dhe shoqërisht?

Ka patur miqësi me Lasgush Poradecin, dhe Skënder dhe Ollga Luarasin, motrën e Migjenit. Më vonë me profesor Thanas Kurtin gjatë viteve të diktaturës.

Migjeni ishte një nga autorët që i kushtoi më shumë vëmendje. Kur do të botohen shkrimet dhe përkthimet e saj nga ky autor?

E ka dashur shumë dhe e përktheu të plotë më '61-ishin. Ky përkthim është në bibliotekat tona. Ka qenë në qarkullim nga shtëpia botuese "Naim Frashëri". Tani do të ribotohet nga shtëpia botuese "Migjeni", por nuk është bërë gati akoma. Do të dalë nga vjeshta.

Si ishte jeta e Jolandës pas '45-ës?

Kishte dashur të vazhdonte veprimtarinë si mësuese, se në fillim jepte italisht në Shkollën Pedagogjike. Donte të vazhdonte si mësuese historie, po atëherë nuk e lanë. Pastaj ajo vazhdoi t'i kushtohej përkthimeve dhe ka qenë bashkëpunëtore e jashtme e Ndërmarrjes së Botimeve "Naim Frashëri". Veç kësaj përgatiste parathënie studimore për botime të ndryshme, por në përgjithësi nuk ia kanë botuar.

Çfarë ruani nga nëna juaj?

E mbaj mend të bukur dhe që komunikonte shumë mirë me ne. Kur ishim fëmijë na tregonte përralla të bukura. Na ka bërë kukulla prej stofi, shumë origjinale. Në adoleshencë bisedonim lirisht për çdo problem.

Jolanda ruajti korrespondencë me vëllain dhe me motrën, por nuk e linin të shkonte, përveç në '62, një vit para se të vdiste, në moshën 53 vjeç.

Ruaj prej saj kujtimet e jetës së saj, shkrime që i kam përmbledhur dhe do të dalin në një libër, studimet, poezitë edhe diçka nga korrespondenca e saj me babanë tim. Janë diku tek 200 faqe.

Elsa Demo


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
MCCARTNEY JEP KONCERT PËR ÇIFTIN OBAMA (05.25.2010)
ROBERTO SAVIANOS I JEPET ÇMIMI I LARTË I GAZETARISË (05.24.2010)
FESTIVALI 2010 - FILMI GJERMAN NË KANË (05.22.2010)
LETËRSIA DHE PSIKOLOGJIANga FLORI BRUQI (05.20.2010)
E QESHURA ËSHTË ARMA E PUSHTETITNga Jorida Pasku (05.19.2010)
FLAMURI I DËSHIRAVENga BAKI YMERI (05.18.2010)
MIJËRA VETË IA DHANË LAMTUMIRËN E FUNDIT ARTISTES SË FAMSHME LINA HORN (05.16.2010)
FESTIVALI I KANËS ME SHUMË FILMA TË HUAJ (05.14.2010)
"ROBIN HOOD" HAP KANËN (05.13.2010)
Kanë: Hapet Festivali i Filmit (05.12.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]