VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - HIPEREALIZMI GENETIK I AGIM SULAJT (Intervistë)

                                                                                      

E Shtunë, 05.04.2024, 12:29am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
 
HIPEREALIZMI GENETIK I AGIM SULAJT (Intervistë)

E Mërkurë, 02.19.2014, 11:04am (GMT+1)




Agim Sulaj

Artisti shqiptar me banim në Itali, Agim Sulaj, është përzgjedhur të jetë pjesë e jurisë  në Festivalin e gjashtë ndërkombëtar të Arteve Vizive që zhvillohet nga data 17-24 shkurt në Teheran. Sulaj, një artist i njohur në të katër anët e botës, fitues i disa dhjetra çmimeve prestigjoze në konkurset e karikaturës e grafikës humoristike, është anëtar i jurisë që vlerëson këtë gjini të artit, në këtë event që organizohet për të gjashtin vit me radhë në kryeqytetin Iranian.

"Iranianët janë dashamirës të kulturës. Artistë nga ky vend janë të njohur në botë  për artin në përgjithësi e  karikaturën  në veçanti", tregon për ATSH-në artisti shqiptar.

Më shumë se 150 artistë nga 55 vende të ndryshme kanë paraqitur punët e tyre në Festivalin ndërkombëtar të Arteve Vizive, që përveç kategorisë së karikaturës, përfshin edhe posterin më të mirë, fotografinë më të mirë dhe ilustrimin më të mirë, të cilat do të përzgjidhen nga juritë respektive.

Në karierrën e tij si artist, Agim Sulaj numëron mbi 60 çmime ndërkombëtare, Vitin e kaluar shënoi disa të tilla, ndër të cilat ai veçon çmimin e marrë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, në 15 dhjetor 2013, për karikaturën "Politikani dhe qytetari".

Agim Sulaj, artist i përmasave ndërkombëtare, ka mall për Shqipërinë, Tiranën, por edhe për Vlorën, qyteti i Adriatikut dhe Jonit ku u rrit. Fitues i të paktën 60 çmimeve ndërkombëtare Sulaj, i cili jeton në Rimini në Itali, rrëfen historinë e jetës së tij, lidhjen me pikturën dhe karikaturën, bashkëshoqërueset e tij të pandara. "Në historinë e jetës sime artistike, deri tani janë rreth 200 vepra, që janë vlerësuar në botë", thotë Sulaj, i cili ka nostalgji për Tiranën e rinisë së tij, rrugicat, glikotë, byrekun e gjyshes në shtëpinë e së cilës u rrit. Për karikaturën me temë të mprehtë sociale, por dhe për pikturën e tij hiperealiste, Agim Sulaj thotë se "të dyja ndihmojnë njëra- tjetrën". "Profesioni dhe puna më kanë shpëtuar nga megalomania raciste në Itali", vijon duke shtuar se "njerëzit ndryshonin opinionin për Shqipërinë duke parë punët e mia". Ai kujton ende me dhimbje se "dita që hipa ne tragetin Vlorë- Brindisi ka qënë një dramë e vetmuar, e përmalluar duke parë bregdetin e mrekullueshëm të më largohej para syve në horizont".




Agim Sulaj

E kujtoni pikturën tuaj të parë?

Piktura ime e parë ka qënë një portret i Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skëndërbeu dhe më pas vizatime nga natyra, subjekte nga fantazia, disa prej të cilave u publikuan në revistën e njohur të asaj kohe "Fatosi". Këtë aftësi, falë përkrahjes së prindërve të mi, e zhvillova më tej në kurse e mësime private të asaj kohe. Mësuesit e parë kanë qënë Sabaudin Xhaferri, Nestor Jonuzi, etj.

Sa është fondi i pikturave që keni sot...?

Me një numër të saktë nuk mund t'ju përgjigjem, por di të them se fondi i tabllove, duke përfshirë pikturën në vaj dhe shumë ilustrime e karikatura, është i madh. Në historinë e jetës sime artistike, deri tani mund të përmend rreth 200 vepra, që janë vlerësuar në botë e më kanë bërë të njohur. Teknika ime ka proçedura të gjata, deri sa të perfundoj. Prandaj edhe pse pikturoj përditë, veprat e mia janë rreth 30-40 piktura dhe karikatura në vit.

Ju  punoni hiperrealizëm, gjini e konsideruar e vështirë në pikturë?

Teknika në një mënyrë hiperrealiste ka qënë që në fillim pjesë e genit tim artistik. Që në fillime, arti im është prirur për ta bërë objektin sa më të gjallë e të vërtetë. Kjo teknikë shoqëron karikaturën time ose ta quajmë artin e satirës. Në Shqipëri kanë qënë dhe janë të rrallë artistët të cilët punonin në këtë gjini. Rruga ime është perfeksionuar në mënyrë private duke punuar në "plein air", përgjatë bregdetit të mrekullueshem të Vlorës. Mbaj mend se rrija ditë e orë duke analizuar grimcat e shkëmbinjëve apo lëvoret e ullinjve rreth kodrave të qytetit bregdetar. Kur erdha në Itali ky stil u perfeksionua dhe më shumë, duke parë dhe ekspozuar veprat e mia me artistë të mëdhenj në këtë gjini si, Odd Nerdrum, Istvan Sandorfi, Luciano Ventrone, e të tjerë si Baltus, Motraj, etj. Kjo mundësi ekspozimi mu dha falë përkrahjes së Tiziano Forni, drejtor i galerise së Artit Forni, në Bolonjë.

Punoni  shumë dhe karikaturë ... Ku bashkohet dhe ndahet karikatura me pikturën ...?

Në karikaturë jam përfshirë "rastësisht". Gjatë kohës që studioja në Akademinë e Artit në Tiranë, mësuesi im Sabaudin Xhaferri më prezantoi me karikaturistët e artistët e satirës së revistës "Hosteni" dhe me kryeredaktorin e saj, Niko Nikolla. Mbaj mend në ato vite të kem njohur Zef Bumçin, Dhimitër Ligorin, Iir Pojanin, Bardhyl Ficon e Shtjefen Palushi. Puna dhe stili i tyre ngjalli tek unë genin e fshehur të kritikës nëpërmjet artit e vizatimit. Kështu fillova të rritem e maturohem duke udhëtuar i mbështetur në dy këmbë, pikturën e karikaturën. Piktura e karikatura ime teknikisht ngjajnë me njëra-tjetrën, ndërkohë ndryshojnë në mesazhin e tyre. Karikatura tek unë është një mjet i fuqishëm për të kritikuar problemet e ndryshme të botës, ndërsa piktura trajton subjekte intime të fëmijërisë apo një lloj malli për vendlindjen dhe mbresat e viteve të para të vegjëlisë. Të dyja ndihmojnë njëra- tjetrën e pasurojnë gamën e profilit tim artistik.


Karikatura "Politikani dhe qytetari", me të cilën artisti shqiptar u vlerësua nga OKB

Si do ta përkufizonit një karikaturë?

Karikatura është kritika ndaj fenomeneve negative të shoqërisë apo personave të veçantë. Humori është arma e mprehtë nëpërmjet të cilit shprehen mesazhet më humane. Njeriu dhe fati i tij, uria dhe e ardhmja, emigrimi dhe dëshira për një botë të paqtë, këto janë disa nga mesazhet e karikaturës sime. Nuk mund të rri pa përmendur hapat e mia të parë në revistën e njohur "Hosteni". Mund t'i quaj pa frikë artistët e karikaturës në ato vite mjeshtra të cilët ndikuan në formimin tim. Përfitoj nga kjo intervistë të falenderoj Niko Nikollën, i cili me këmbënguljen e tij më nguliti dhe forcoi besimin në punën time, duke siguruar kështu sukseset e mia të ardhshme. Këto suksese filluan që me çmimet e  para të "Hostenit" e deri më sot, në  të gjitha kontinentet, duke filluar me Amerikën e Gjermaninë, Turqinë e Hollandën, Belgjikën e Kinën, Rusinë e Francën, Luksemburgun e Kubën, Italinë e Portugalinë, Spanjën e Iranin, Sirinë e Azerbajxhanin etj. Një pjesë e këtyre sukseseve i takon dhe shkollës shqiptare të karikaturës që u personalizua me bërthamën e shëndoshë të revistës "Hosteni".

Mendoni se në suksesin tuaj në Itali ka vend edhe shkolla e piktura shqiptare?

Në përgjithësi mendoj se shkolla shqiptare e artit të pikturës ka qënë një shkollë mjaft edukative për formimin tim. Natyrisht, jo të gjitha mësohen në shkollë, apo akademi. Di që kam punuar shumë duke gërshetuar studimin akademik me punën e lirë personale. Më pas, në Itali bazat e fituara u përmirësuan dhe struktura ime artistike gjeti një shkollim tjetër, ta quajme atë të përballjes me artistë të mëdhenj dhe dëshirës për të bërë pjesë në këtë grup artistësh. Rezultati i punës sime është konkretizuar në ekspozitën e madhe "Europeo Erranti" në Bolonjë, në Galerinë Forni, ku pikturat e mia qëndronin bashkarisht me artistë të famshëm si Baltus, Igor Mitoraj, Giacometti, Odd Nerdrum, Sandorfi, etj.


Çmimi i OKB-së

Keni mbi 20 vite që i keni ikur Shqipërisë... Mendoni se keni bërë mirë që keni ikur?

Si artist mendoj se kam bërë mirë, për vetë faktin, se Italia dhe më pas shtete të tjera përmirësuan e mprehën vëzhgimin e temperamentin tim artistik. Ekspozitat, muzeumet janë një shkollë tjetër që për fat të keq na u mohua gjatë sistemit monist. Kontakti i gjallë me kulturën të mëson diçka tjetër që as shkolla dhe disa herë dhe puna nuk mund të ta japin. Megjithatë mungesa e vendit tënd është shpesh një mangësi njerëzore plot peshë e brejtje, të cilën mundohem ta heq apo lehtësoj përmes punës dhe krijimtarisë artistike.

Si e shihni sot Shqipërinë?

E shoh gjithmonë me mall dhe ardhjet aty, ndonëse të pakta, me mbushin me kujtime e mbresa të vagëlluara. Për fat të keq shumë ndërtime e betonarme është derdhur në rrugët e Tiranës e Vlorës dhe shpesh më duket se kam ardhur në një vend tjetër, larg vendit tim. Kujtimet e fëmijërisë sime, rrugica, lagjet plot diell, zhurmat e mëngjeseve janë zhdukur dhe vendin e tyre e kanë zënë ndërtimet që i kanë hequr Shqipërisë nostalgjinë e mallin. Megjithatë, Shqipëria mbetet një vend i mrekullueshëm për t'u njohur, qoftë si temperament njerëzor, qoftë si bukuri natyrore.

Kur vizitoni Tiranën çfarë shihni dhe çfarë rikujtoni?


Në Tiranë kam kaluar një periudhë gati 15 vjeçare. Aty kam kryer shkollën e mesme artistike e më pas Institutin e Lartë të Arteve. Jetoja në ato vite të gjyshja, e cila banonte në fund të rrugicës  "Naim Frashëri". Shkollën e mesme e kreva në shkollën "Mihal Grameno" dhe më pas konkurrova në Liceun Artistik "Jordan Misja" ku nuk fitova. Prandaj u detyrova të kryej shkollën artistike të mbrëmjes. Në këto vite i kam rënë Tiranës në çdo cep e rrugicë. Punimet e mia të asaj kohe ishin kryesisht akuarele dhe vizatime. Mbaj mend, si tani, portat prej druri ku trokisja për të kërkuar një karrige, ku mund te ulesha për të pikturuar, diku brënda avllisë rroba të ndera, çarçafë të bardhë që defrenin të varur në diell. Një gliko e ëmbëlsonte punën time, e dhënë nga një dorë gjysheje apo nëne, gjatë orëve të punës në muret e portonet e Tiranës. Nuk do ta harroj kurrë Tiranën në rrugicat e së cilës jam rritur. Portrete të shumta kam bërë ato vite. Thjesht një trokitje tek shtëpia e Prof. Zihni Sakos, një tjetër portret në shtëpinë e Kadri Roshit, në rrugën e Durrësit. Më pozoi me atë vështrimin nga dritarja, pinte kafenë dhe më thoshte puno ..., puno e qeshte me të madhe. Kur kthehesha në shtëpi, gjyshja më vinte me tavën e byrekut në duar e më thoshte, "po ç'u bëre morë djalë ... u err... !!!". Ditët e Tiranës mbylleshin me vrullin e një dëshire për t'u zgjuar sa më pare, për të thithur si i etur ajrin e rinisë së parë. Diku, tek kthesa e unazës banonte Edi Rama. Kemi kaluar bashkë një periudhë të bukur arti e rinie. Kemi ndarë së bashku byrekun e gjyshes sime e glikon e gjyshes së tij. Shpesh i thërrisja nga oborri i pallatit ku banonte, gjithmonë rreth orës 2 të drekës, duke e ditur që të tijët flinin në atë orë. Pas disa minutash dilte në ballkon me atë buzëqeshjen e tij pa zhurmë dhe bisedonim tek shkallët gri të pallatit. Tirana ... më lidh më "Hostenin", më lidh më Niko Nikollën, mbledhjet e mëngjesit, fytyrën e Taqos, (Dhimitër Ligorit), Ilirin, Gaqon, Dionis Bubanin e Filip Çakulin. Kopertinat e mia të asaj kohe ilustronin një realitet ku pushteti i kravatës ishte i pranishëm në çdo qelizë të jetës. Kam satirizuar në atë kohë servilin e burokratin, karrieristin e të paaftin. Niko Nikolla, kryeredaktori historik i revistës "Hosteni", kishte krijuar një ambient perfekt për karikaturistët. Ne nuk na mungonin si baza materiale dhe ngrohja. Më ka mbajtur shumë pranë dhe shpesh gjatë punës vinte poshtë e qeshte me vizatimet e mia. Lexo bre me thoshte, hap gazeta, nxirr tema.


Agim Sulaj

Ju jeni nga Vlora ku edhe u ngrit Flamuri Kombëtar në 28 Nëntor 1012. Ç'përfaqëson Vlora e dy deteve për ju?

Unë u linda në Tiranë, më 6 shtator 1960. Kur isha 2 vjeç, im atë u transferua në Vlorë e prej atëhere mbetem aty. Familja ime më ka futur në gjak dashurinë për qytetin e historinë e tij. Vlora ka qënë burimi im i parë artistik i artit. Natyra e mrekullueshme e qytetit, në ato vite e pandotur në ajër e natyrë, u bë frymëzimi im i parë i krijimtarisë. Të gjitha arritjet ia dedikoj punës në këtë qytet. Kujtimet e mia janë të vagëlluara, por mbaj mend ekspozitën e parë në shtëpinë e kulturës, rrethin e vizatimit, mësuesit e parë, studion e Nestorit, Skënderit, Agronit. Aromën e parë të ngjyrave të vajit e kam ndier në shtëpinë e pionierit dhe nuk do ta harroj kurrë. Qyteti i Pavarësisë, në ato vite, kishte një rreth të mirë artistësh e studiot e tyre ishin përherë me tablo të reja, objekt frymëzimi për mua. Shtëpia e vogël e ngritjes së flamurit ka qënë në ato vite një pikë takimi imja me vendin e historinë e qytetit. Për shumë kohë ka qënë ekspozuar aty një tablo imja, me titull "Abetarja". Shpesh pushimet e mia i kaloj aty dhe shpesh më vjen keq që kam ikur. Mendoj se dita që hipa në tragetin e parë Vlorë- Brindisi ka qënë një dramë e vetmuar, e përmalluar duke parë bregdetin e mrekullueshëm të më largohej para syve në horizont.

Si mund ta përkufizoni ju emigracionin?

Shpesh emigracionin e kam prezantuar mirë në veprat e mia e në shumë vizatime si "I huaji", "Shtëpia e emigrantit", etj. Dhe ato kanë qëlluar në shënjë këtë plagë sociale që e ndan njeriun me vendin e tij dhe e tjetërson, duke e kthyer në një numër pa histori e të kaluar. Jam i lumtur, vërtet, që shumë vepra të mia mbi emigrimin kanë fituar e janë vlerësuar me çmime ndërkombëtare.

Po Italinë si vend ...?

U vendosa në qytetin e Riminit pasi çela një ekspozitë në Meting di Rimini, një aktivitet i rëndësishëm që i kushtohet çdo vit miqësisë e kulturave të popujve. Profesioni dhe puna më kanë shpëtuar nga komplekset megalomane raciste që në vitet e para ka qënë i theksuar në këtë vend. Njerëzit ndryshonin opinionin për Shqipërinë duke parë punët e mia. Shpesh u dukej se ne ishim njerëz të pa shkolluar e pa kulturë. Italia është bërë tashme si atdheu im i dytë. Për shumë vite mendoja në shqip e përgjigjesha në italisht. Tani po ndodh e kundërta. Kam një pjesë të mirë të jetës në këtë vend të artit, i cili, dua ta theksoj, ka qenë bujar e dashamirës me mua e artin tim.

Sa çmime keni marrë gjithsej?

Çmimet e mia fillojnë kur isha 25 vjeç e kur bashkëpunoja me revistën humoristike "Hosteni". Më pas në Itali, Cuneo, Tolentino, Marche, Fano, Rimini... Pastaj nëpër botë. Numëroj mni 60 çmime, pa përmendur titujt e vlerësimet që i dedikohen veprave të mia në aktivitete e promocione të artit të pikturës apo humorit. Kam qënë prezent në marrjen e tyre dhe kam ndier krenari dhe sadisfaksion në ceremonitë e organizuara. Mund të përmend Portugalinë, Turqinë, Spanjën apo Gjermaninë, Belgjikën e Francën.


Ku ndodhen sot pikturat tuaja, në sa galeri apo muzeume, dhe a mund të tregoni ndonjë histori të veçantë që lidhet me to...?

Pikurat e mia ndodhen kryesisht në koleksione private dhe në disa muzeume apo institucione publike, si muzeu "Ali Pashai" në Janinë, Muzeu Norman Rockëel në SHBA, ne selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Kam dhe ruaj edhe vlerësimin e diplomat e dhëna personalisht nga Sekretari i Përgjithshëm i kësaj organizate, zoti Baan Ki Moon. Mund t'ju përmend historinë e tablosë së pare, kushtuar Ali Pashë Tepelenës, që sot ndodhet në muzeun dedikuar kësaj figure në Janinë të Greqisë. Ishte viti 1989. Isha në Vlorë në atë periudhë kur vendosa të bëj këtë tablo që prezanton dërgimin e kokës së prerë të Aliut para sulltanit. Tabloja kishte përmasa të mëdha, rreth 280cmx180cm. Këtë tablo e dërgova në Tiranë, në Galerinë Kombëtare, dhe komisioni i atëhershëm nuk e ekspozoi pasi gjeti të meta ideore. Në ato vite nuk kishte mjete për të transportuar veprën e për shumë kohë kjo tablo ka qënë e hedhur në magazinat e uzinës "Enver". Kur shkova për ta marrë nuk e njoha më veprën time. Ishte komplet e bardhë nga pluhuri i allçisë, korniza e deformuar, telajo e shqepur në një anë. Shpenzova më shumë kohë për ta pastruar e sistemuar se sa koha që më ishte dashur për ta bërë atë vepër. Për fat, një burrë i moshuar, gjiton me mua, kishte qënë në Janinë tek të afërmit e më thotë: "Po të duash i dërgojmë një letër muzeut të Ali Pashait në Janinë. Ndoshta e marrin ata". I bëra tablos një foto me ngjyra. Një miku im italian e lau në Brindisi e ma nisi me postë. Letra u nis. Pas pak kohësh më vjen postieri, një djalë i lagjes, dhe më sjell me një frymë letrën e Janinës, ku ndër të tjera më kishin lënë një ditë takimi në Kakavijë për të parë pikturën, pasi në foto ju kishte pëlqyer. Gjeta një makinë, një zis që po lëngonte në hekurishtet e parkut të makinave të Vlorës, e një shofer që nuk më premtonte se do arrinim në Kakavijë me atë makinë rrangallë. Udhëtuam natën. Unë sipër makinës ku mbaja me dorë tablonë, ose me mirë kokën e Pashait, e ai brënda që luftonte me marshet e makinës. Kujtoj rrugët e Qafës së Poçemit, rrugë të paasfaltuara e mjerane, me një dritëz agimi në fund dhe me një vesë mëngjesi që po më plevitoste. Për fat arritëm në Kakavijë në orën 10:00 të mëngjesit. Në ato vite, Kakavija kishte dy pika doganore, mjaft kontroll e rregull. Përfaqësuesit e bashkisë së Janinës erdhën në orar e kur panë tablonë lëshuan një gjest pëlqimi e habie. Bukur... sa kushton? ishte pyetja e tyre e parë. Ramë dakord për çmimin e më pas të nesërmen erdhën me një makinë të re, jo si zuk-u ynë. Dy punëtorë të ngarkuar nga pala greke e vendosë pikturën me kujdes në makinë. Duke parë tablonë që më largohej nga sytë e vetmja fjalë që thashë ishte "shpëtove o Ali, rrugë të mbarë". Që atëherë kjo vepër qëndron në sallën e muzeut ku është vizituar nga qindra e mijëra turistë e artëdashës.

Si e konsideroni nismën e AE?

Nisma e juaj është e veçantë, e bukur dhe për ne që jetojmë larg ka një vlerë simbolike të madhe, sepse Shqipëria kujton dhe nderon punën e aftësinë e bijëve të saj në emigrim. Kjo nismë do të bëhet më e plotë jo vetëm me bashkëpunimin tonë, që besoj se nuk do të mungojë, por në radhë të parë edhe me ndihmën e institucioneve përkatëse në Shqipëri. Besoj se do të jetë një aktivitet i mrekullueshëm. Ju faleminderit dhe ju uroj mbarësi.
www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
I AFËRMI I HASAN PRISHTINËS ME BASHKËSHORTEN AMERIKANE VIZITUAN VATRËN (02.18.2014)
DETINA ZALLI - SHQIPTARJA QË UA MËSON AMERIKANËVE SHKENCËNVajza 27-vjeçare me origjinë nga Fieri, u përzgjodh nga Harvard-i si kërkuese shkencore dhe pedagoge e Biologjisë Molukelare  (02.16.2014)
POEMA E VIOLINËS SË FLORIAN GASHIT (02.12.2014)
PASAPORTA E ORIANA KURTESHIT ËSHTË CURRICULUM VITAE E SAJ- Në një intervistë eskluzive, sopranoja e njohur shqiptare tregon projektet për vitin 2014- (02.10.2014)
AKTIVI I LDK NË STARNBERG - SHEMBULL UNIK AKTIVI I IBRAHIM RUGOVËSNga IDRIZ ZEQIRAJ (02.08.2014)
SUEDI - GRUPI I NJË SHQIPTAREJE SYNON EUROVIZIONIN (02.03.2014)
TË QENIT NË MËRGIM TË OFRON NJË ARMË TË FORTË, SEPSE ATËHERE VENDIN KU U LINDE E VAJTON DHE GJYKON MË OBJEKTIVISHT-thotë poeti dhe mërgimtari elbasanas me qëndrim në Holandë Rezart PalluqiIntervistoi: SOKOL DEMAKU (02.02.2014)
REPUBLIKANËT NË KONGRES DISKUTOJNË MBI REFORMËN E EMIGRACIONIT (01.31.2014)
ANITA LATIFI - KONKURENTE E FOTË NË 'DEUTSCHLAND SUCHT DEN SUPERSTAR' (01.28.2014)
PËRUROHET NUMRI I RI I REVISTËS 'PEGASI'Revista përgatitet nga një redaksi e emigrantëve shqiptarë, në AthinëReportazh nga MURAT GECAJ (01.26.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]