E Shtunë, 04.27.2024, 08:56pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
 
Për 10 vjet me radhë në Filadelfia qëndron e hapur Shkolla Shqipe “Gjuha Jonë”
NJË DITË NË SHKOLLËN SHQIPE 'GJUHA JONË'
Fotoreportazh nga LLAZAR VERO

E Djelë, 03.16.2014, 10:48am (GMT+1)

 

Gjithmonë më ka emocionuar fillimi i një ditë mësimi në Shkollën Shqipe "Gjuha Jonë" në Filadelfia. Janë të njëjtat emocione si atëhere më 7 Mars të vitit 2004, në ditën e parë të jetes së shkollës tonë. Ishte një ditë me diell. Vërtetë prag pranvere.

Nuk ka gjë më të bukur, më të gëzuar se sa kur sheh nxitimin e prindërve për të arritur në kohë mësimin, apo kur vë re disa nëna të reja që kanë "luftuar" me fëmijën që ndjek klasën e parë, për ta bërë gati sa më shpejtë, dhe prindërit e përkushtuar që vinin nga një orë larg udhëtimi me makinë si Eftiqi Hashafi, apo Mexhit Kobaci, apo Lumni dhe Sahadete Shurdhiqi që sjellin çdo të dielë në shkollë të dy vajzat e tyre. Të imponojnë me të vërtetë respekt. Ata janë edhe sfida e madhe e atyre prindërve që ndonëse shkollën e kanë tek dera e shtëpisë, nuk e bejnë atë sakrificë për fëmijët e tyre, për të afërmit e tyre, për gjuhën shqipe dashurinë tonë të madhe, detyrimin tonë të shënjtë ndaj Atdheut.

Janë të bukura dhe të paharruara pritjet e fëmijëve në hyrje të Qëndrës Kulturore të Shoqatës "Bijtë e Shqipes" çdo të dielë. Atje do të shikosh sekretarin "veteran" të shoqatës, Vlashi Filin, kryetarin aktual të saj Sadik Elshanin, dhe sipas rradhës së shërbimit, anëtarët e tjerë të kryesisë si Llazar Veron, Ivzi Cipurin, Dritan Matrakun, Bujar Gjokën, Tajar Domin etj. Miqësor me prindërit dhe fëmijët ata do t'i gjesh aty tek dera e Qëndrës gjatë gjithë vitit shkollor.

Tashmë fëmijët kanë ardhur, janë grumbulluar tek salla e madhe e veprimtarive . Mbrapa tyre qëndrojnë prindërit. Vjenë një çast solemn. Do të këndohet Himni Kombtar i Shqipërisë. Dhe ato fytyra fëmijësh bëhen papritmas serioze. Këndojnë Himnin e Atdheut të prindërve, gjyshërve, të të gjithë të dashurve të tyre. Bashkë me ta këndojnë edhe prindërit. Pastaj mesueset Rajmonda Bardhi, Irini Zenelaj, Kozare Doko dhe Adelina Ramizi , marrin fëmijët në klasat e tyre. Fillon një ditë e re mësimi për gjuhën shqipe.

Në pushimin e orës së parë fëmijëve u jepen diçka për të ngrëne apo pirë ndonjë gotë lëng frutash etj. Tashmë në këtë shërbim përvec antarëve të Kryesisë së Shoqatës, ndihmojnë edhe studentët shqiptarë të shkollave të mesme, që kryejnë shërbimin në komunitet, që ua kërkon shkolla. Veç të tjerave kjo është edhe një rrugë e mirë që ata të njohin jetën e shoqatës dhe të komunitetit.

Në jetën e shkollës kjo është ditë e zakonshme, por në jetën e saj ka edhe shumë ditë të bukura si organizimi i festave tradicionale të Shqipërisë dhe Amerikës, pregatitjet për festivalin e këngës për fëmijë, mbyllja e vitit shkollor etj. Kësaj të fundit shoqata i kushton më shumë kujdes. Për këtë ditë të gjithë fëmijët sipas klasave nën drejtimin e mësueseve përgatitin koncertin e funvitit shkollor. Këndojnë e recitojnë fëmijët, që shpesh kur filluan shkollën nuk dinin të shkruanin dhe të lexonin apo edhe të flisnin rrjedhshëm shqip. Pastaj i vjen rradha ndarjes së dëftesave që është me të vërtetë emocionuese për të gjithë. Fëmijët para se të marrin dëftesën ulen në gjunjë para flamurit kombëtar shqiptar, që e mban një nxënës më i rritur, e puthin dhe e venë atë në ball duke thënë fjalët; " Të falem o flamuri ynë!". Përsëri këngë e recitime mes zërave të gëzuar të fëmijevë. Vërtetë ky është shpërblimi më i madh për drejtuesit e shoqatës. Vetë shoqata ka fituar më shumë emër dhe nder nga shkolla, jo vetëm në Filadelfia, por edhe më gjërë.
   
   

   
 



KUR U HODHEN HAPAT E PARA

Kur Shoqata Atdhetare-Kulturore "Bijtë e Shqipes" në Filadelfia hidhte hapat e para, kur nuk kishte një zyrë për mbledhjet mujore të kryesisë, mori nismën për hapjen e shkollës shqipe për fëmijët e emigrantëve. Duket paksa e çuditshme. Por përvoja e këtyre viteve na ka treguar se kur ka një qëllim të përbashkët, një dëshirë të bukur, bëhet e mundur realizimi i veprave të mëdha. Kështu ndodhi edhe në këtë rast. Ideja e hapjes së shkollës ishte ndër të parat objektiva që shoqata i vuri vetes. Por gjithmonë duke menduar për një të ardhme jo të afërt. Ishte guximi i të riut beratas Sotiraq Pema, antar i Kryesisë së Shoqatës, që i dha "zjarr" kësaj ideje. Ai ishte një student i mbushur me mirësi, me shumë njohje, përherë i gatshëm për të ndihmuar njërëzit, dhe një atdhetar i mirë. Në një mbledhje të kryesisë ai njofton shokët se ka gjetur mundësinë për dy lokale mësimi nëpërmjet sektorit të edukimit dhe çlodhjes të Kishës Katolike të Filadelfias. Drejtoreshë e këtij sektori ishte një zonjë me origjinë shqiptare, që u tregua e gatshme për të na ndihmuar. Na dha mundësinë për të përdorur çdo të dielë dy lokale, një në Northeast të Filadelfias dhe një tjetër në Upper Darby, ku ishin edhe përqëndrimet më të mëdha të emigrantëve shqiptar. Kaq u desh për t'u dhënë zemër të gjithëve për realizimin e dëshirës sonë të madhe hapjes së shkollës shqipe në Filadelfia. U gjetën mësueset që do të punonin vullnetarisht me fëmijët. Ishin dy zonjat korcare Mirela Qirici dhe Luliana Toshi me përvojë në mësimdhënie. Pastaj edhe një tjetër nga Fieri, zonja Mirjana Kina, për degën e shkollës në Northeast të Filadelfias. Për degën e Upper Darbit dolën vullnetarë antarja e kryesisë së shoqatës zonja Elvira Budo, mësuesi dhe poeti fierak Sotiraq Binjaku dhe mësuesja nga Korça Mimoza Priftanji. Po librat si do të gjëndeshin? Vepruam në dy drejtime, nëpërmjet ambasadës tonë në Uashington dhe njohjeve tona personale. Mësues Sotiraq Binjaku, nëpërmjet një miku të tij biznesmen në Fier, zotit Agim Qelibashi na siguroi një sasi të mirë abetaresh dhe libra leximi. Ambasada jonë nëpërmjet zëvendësambasadorit tonë në Uashington, zotit Gjergj Gaçe, ditën e përurimit të shkollës na solli edhe një sasi tjetër tekstesh mësimore. Ishin 84 fëmijë, nga të dy qendrat e shkollës shqipe që u bashkuan atë ditë për përurimin e ditës së parë të mësimit në gjuhën shqipe në godinën e Qendrës Sociale të Kishës Katolike në adresën 7340 Jakson Str. në Northeast të Filadelfias. Ishte një ditë e mbushur me emocione për të gjithë, për organizatorët, për prindërit, nxënësit dhe mesuesit, për të gjithë bashkatdhetarët e tjere dhe të ftuarit. Çdo fjalë ishte e ngarkuar me emocione dhe dashuri. U kënduan këngë dhe u recituan vargje të poetëve të Rilindjes që i dhanë dritë gjuhës shqipe, e nxorrën atë nga errësira e shekujve për të ardhur në ditët tona kaq e bukur dhe e dashur. Para fillimit të mesimit, Kryetari i Shoqatës Atdhetare-Kulturore Shqiptare- Amerikane "Bijtë e Shqipes", Prof. dr. Xhorxh Ziu, u shpërndau fëmijëve abetaret e para. Nga brezi i vjetër i mërgimtarëve e mori fjalën, atdhetari i palodhur në ndihmë të komunitetit shqiptar zoti Alban Merolli. Pastaj e morën fjalën mësues e bashkatdhetërë të tjerë. Të gjithe donin të flisnin e të thoshnin një fjalë të mirë për shkollën tonë. Një zonjë nga Skrapari, Lindita Hyska, që kishte sjellë të dy fëmijët në shkollë shprehu gatishmërinë për të qënë edhe ajo një nga mësueset vullnetare të shkollës. Të gjithë i uronin me zemër rrugë të mbarë shkollës shqipe në Filadelfia. Dhe vërtetë nisi mbarë dhe vazhdon mbarë. Brenda pak ditësh erdhën përshëndetje nga emigrantët shqiptarë nga Europa dhe nga Australia. Shkrimtari i njohur dhe tashmë miku i shoqatës Naum Prifti na dërgoi si dhuratë disa pako të librit të tij për fëmijë "Pas Abetares". Prof. Sejfi Protopapa që në vitin e dytë të shkollës dhe më pas na dërgonte nga 1000 dollarë për të ndihmuar shkollën. Në letrën e parë shoqëruese të çekut na kurajonte me fjalët e mënçura se atë që po bëni ju për fëmijët shqiptarë, në mos ua ditshin prindërit dhe fëmijët, do t'ua dijë Zoti.


E kujtojmë me mall dhe respekt atë ditë të parë të Shkollës Shqipe "Gjuha Jonë" në Filadelfia. Ishte 7 Mars i vitit 2004. Datë e shënuar për shkollën shqipe. Ishte rastësi apo një bekim? Sido që të jetë na pëlqen kur e kujtojmë. Është shënjë nderimi dhe përkushtimi për historinë e shkollës shqipe. Kur je emigrant, kjo ndjenjë merr një forcë të veçantë deri në kufijtë e shënjtërimit. Nuk e teproj aspak me këto fjalë. Për kryesinë e Shoqatës "Bijtë e Shqipes", për të gjithë anëtarët e saj, për mësuesit, për nxënësit dhe prindërit e tyre ka fituar me të vërtetë një respekt të tillë. Është e vërtetë shoqata e ngriti shkollën, por shkolla shqipe i ka dhënë shoqatës më shumë emër dhe respekt, jo vetëm në Filadelfia por edhe më gjerë. Shumë përpjekje janë bërë edhe më parë për ngritjen e shkollës shqipe në Filadelfia dhe një ndër më të vonët ka qenë edhe veprimtari i palodhur i komunitetit shqiptar në këtë qytet, i ndjeri Hasan Risilia. I ruajmë me nderim në arkivin e shoqatës fletoret me emrat e nxenësve që ndoqën për disa kohë shkollën që hapi ai.





VAZHDIMËSI

U mbushën dhjetë vjet nga dita e parë e Shkollës Shqipe "Gjuha Jonë" në Filadelfia. Dhjetë vjetë pa e ndërprerë asnjëherë punën, përpjekjet për të krijuar kushte sa më të mira për fëmijët, mësuesit edhe përse jo edhe për prindërit. Kjo u bë e mundur pas dhuratës prej 64 mijë dollarësh që dha familja Risilia për blerjen e godinës së Qëndrës Kulturore të Shoqatës. U punua shumë nga kryesia e shoqatës, nga bashkatdhetarë të ndryshëm, për kthimin e godinës në një qëndër kulturore ku kishim hapsira të mjaftueshme edhe për klasat e shkollës tonë. Më vonë në oborrin e pasëm të ndërtesës ngritëm hap pas hapi një kafene për komunitetin dhe ku prindërit e nxënësve mund të prisnin sa të mbaronte mësimi. U mbushën dhjetë vjetë të shkollës tonë dhe gjatë këtyre viteve nëpër dyert e saj kanë kaluar shumë fëmijë. Por edhe mësueset e para pasi shërbyen disa vite me radhë janë larguar duke lenë pas respektin dhe mirënjohjen e fëmijëve dhe prindërve, të të gjithë bashkësisë shqiptare të Filadelfias. Mësuese të tjera me përvojë kanë ardhur, që punojnë me përkushtim dhe dashuri me fëmijët për tu mësuar gjuhën e bukur shqipe, gjuhën e prindërve dhe gjyshërve të tyre. Të tilla janë Rajmonda Bardhi, Liljana Gaba, Nikoleta Papa, Irini Zenelaj, Majlinda Tahiraj, Kozare Doko, Adelina Ramizi, etj. Ato kanë qenë mësuese edhe në Shqipëri, apo punojnë në këtë profesion të nderuar edhe këtu në Amerikë, dhe kjo shkollë e këta fëmijë u kujtojnë vitet e bukura të mësuesisë në atdhe. Është një pikë lidhjeje, një vazhdimësi që çdokush nga ne do ta dëshironte.

Gjithë këto vite janë të mbushur me kujtime dhe mbresa të bukura. Nxënësit e parë të shkollës, më të rriturit kanë mbaruar kolegjet, të tjerë jane në vitet e fundit të shkollave të mesme dhe përgatiten për të shkuar në kolegje. Shkolla Shqipe "Gjuha Jonë" tanimë ka një histori, ka se çfarë të tregojë.

Nuk ka qenë e lehtë asgjë në këto dhjetë vjetë. Një nga problemet kryesore mbetet sigurimi i teksteve mësimore. Qeveritë shqiptare nuk e vinin shumë ujin në zjarr për këtë problem. Por edhe kur kishin libra duhet që ne vet të shkonim t'i merrnim në Tiranë. E paçmuar ka qenë ndihma që na ka dhënë anëtarja e shoqatës, zonja Yllka Furxhiu që na ka ndihmuar mjaft në këto vite me fotokopjimet e librave. Rrugën e saj po e ndjek një zonjë tjetër e nderuar Brunilda Matraku. Pas këtyre shëmbujve të mirë, i bëjmë shpesh pyetjen vetes se sa shumë mund të na ndihmonin bashkatdhetarët po të kishin dëshirën për të bërë diçka të mirë për shkollën, për komunitetin.

Themi, është e bukur puna që kemi bërë dhe bëjmë me shkollën shqipe këtu në Filadelfia. Është vërtetë e bukur të punosh për gjuhën shqipe larg Atdheut që fëmijët tanë të mos e humbasin gjuhën e të parëve. Por të themi të vërtetën nuk jemi të kënaqur. Në Filadelfia jetojnë më shumë se 25000 shqiptarë, pra sa një qytet shqiptar i zakonshëm. Të gjithë e marrin me mend se sa fëmijë do të kishim në shkollën apo shkollat tona të gjuhës shqipe. Dhe ne fakt ne nuk i bëjmë dot as një qind nxënës në shkollën tonë. Na dhëmb çdo fëmijë që largohet nga shkolla. A kemi edhe ne si shoqatë përgjegjësi. Patjetër që kemi pjesën tonë. Po prindi, nëna, babai i fëmijës nuk ka përgjegjësi?!. C't'i them asaj nënës së re që sjellë fëmijën në shkollë për disa javë dhe si për t'u mburrur thotë se fëmija nuk di asnjë fjalë shqip. Po në shtëpi çfarë gjuhe flisni, e pyesim ne. Anglisht, përgjigjet ajo me seriozitet, me nje anglishte të vajtueshme. Disa prindër të tjerë justifikohen se mësimi i shqipes i pengon në mësimin e anglishtes, një teori shqiptare kjo sepse shkenca e vërtetë e ka vertetuar se truri i fëmijës mund të mësoj lirshëm më shumë se një gjuhë të huaj. Të tjerë justifikohen se janë të zenë me punë dhe nuk mund t'i sjellin në shkollë të dielave, kur ndërkohë i shikon nëpër kafene, të tjerë... T'i lemë justifikimet. Eshtë çështje mendësie. Në mbledhjet që bëjmë me prindërit u flasim shpesh për rëndësine e të mësuarit të gjuhës shqipe fëmijëve. Populli ynë, prindërit tanë, nuk kane përbuzur kurrë gjuhën e huaj dhe nuk ka lënë mbas dere gjuhën shqipe. Gjuha shqipe ka një pasuri fonetike që nuk bëhet pengesë për mësimin e gjuhëve të huaja. Morfologjia dhe sintaksa e gjuhës shqipe eshte kaq e pasur sa qëndron krenar edhe para gjuhëve më të zhvilluara. Atëhere ku i ka rrënjët kjo mendësi e gabuar e disa prindërve të rinjë emigrantë për nënvlerësimin e gjuhës shqipe? Disa e spjegojnë me mendësinë e këtyre prindërve për t'u bërë shpejtë amerikanë, gjermanë, italianë, e kështu me radhë, për t'u bërë qytetarë të Botës moderne. Por ruajtja e gjuhës amtare nuk është çështje mode, shijesh, zgjedhjesh, por është pjesë e identitetit, e karakterit dhe kulturës bashkëkohore. Kudo dhe kushdo që të jesh nuk mund të mohosh prindërit e tu, vendin ku ke lindur apo gjuhën amtare. Asnjë shqiptar(e) i(e) vërtetë nuk i pranon këto të fundit..Por e vërteta është e hidhur. Shumë fëmijë të rritur në Amerikë dhe që nuk flasin shqip nuk duan të shkojnë në Shqipëri as për pushime. Ai është i ndarë nga vendi i prindërve dhe të parëve të tij. Por le të marim edhe një pamje tjetër. Gjyshja nga Shqipëria nuk mund t'i thotë një fjalë zemre nipit dhe mbesës që janë rritur në Amerikë. Dhe kështu të gjithë me radhë, halla, tezja, daja dhe xhaxhai, fëmijët e tyre etj.

Kështu ti prind i ri u ke mohuar prindërve të tu, të afërmëve, por edhe fëmijëve të tu, diçka të madhe, njerëzit më të afërt dhe më të dashur. Ndaj me të drejtë ajo nënë nga Shqipëria që nuk mund të fliste me nipin dhe mbesën, i tha djalit në mërgim: "Mua edhe mund të më harrosh, por gjuhën shqipe kurrë!" Është porosi NËNE.

Po të lëmë mënjanë, për pak kohë, kulturën gjuhësore, atdhetarizmin, lidhjet shpirtërore dhe të gjakut. Le ta marrim mësimin e gjuhës shqipe si mësimin e një gjuhe të huaj në shkollë, si spanjisht, frëngjisht etj., prej ç'ka t'i mund të marrësh 4 kredite të çmuara. Bëje këtë me gjuhën shqipe dhe merr përsëri 4 kredite. Në shkollën tonë kanë dhënë provimin e gjuhës mjaft studentë të shkollave të mesme dhe të kolegjeve. Me katër kredi më shumë mund të sigurosh bursën për në kolegj, (disa mijëra dollarë), ose të mbrosh bursën kur je në kolegj. Kjo është Amerika dhe demokracia e saj. Por edhe kjo nuk i tund këta prindër nga istikamet e tyre mediokre.

Hej, e kalova kufirin. Por kam kaq dhimbje sa nuk tregohet, kur shoh se si po humbet gjuha shqipe në një kohë kaq të shkurtër, tek fëmijët e emigrantëve shqiptar në Amerikë. Dhe ky vend i madh i demokracisë na i jep mundësit për ta ruajtur e zhvilluar gjuhën amtare, si asnjë vend tjetër në botë. Na duhet vetëm pak dëshirë, një syhapje për të parë domosdoshmërinë dhe bukurinë e ruajtjes së gjuhës shqipe tek fëmijët.

E PAPRITURA E BUKUR E KËTIJ VITI SHKOLLOR

Në shtator të këtij viti shkollor, shkollës sonë iu shtua edhe një klasë "speciale". Tri vajza të reja amerikane të fejuara apo të martuara me djemë shqiptarë kërkuan të regjistroheshin në shkollën tonë për mësimin e gjuhës shqipe. Ato ishin Joyce Zeka, Megan Pajollari dhe Lisa Blasz. Ky hap i tyre ishte në shënjë respekti për bashkëshortët, për djemtë shqiptarë dhe të afërmit e tyre. Ishte me të vërtetë një gjë e bukur. Këtyre vajzave iu shtua edhe një çift amerikan John dhe Teresa Graeff. John është pastor në një kishë ku shkojnë mjaft shqiptarë, ndaj ai dhe e shoqja e ndjenin të nevojshme komunikimin në shqip me ta. Kryesia e shoqatës caktoi si mësues të tyre anëtarin e kryesisë së saj, zotin Ivzi Cipuri, veprimtar i palodhur i shoqatës, që ka mbaruar për anglisht në Tiranë dhe mbrojti masterin në këtë gjuhë edhe këtu në Amerikë. Kjo ishte zgjidhja më e mirë e problemit. Ata janë të vëmëndshëm dhe mjaft të interesuar për mësimin e gjuhës shqipe sa më mirë dhe shpejt. Dallohen sidomos Joyce dhe Teresa për zellin dhe punën këmbëngulëse që bëjnë, por edhe Megan edhe John nuk qëndrojnë pas. Nuk është e lehtë kjo punë edhe për mësues Ivziun, pasi intensiteti i punës është i madh. Amerikanët duan të mësojnë shpejt shqip.

Tani shkolla jonë është më e pasur, më e madhe dhe më e bukur. Ndjehemi krenar për ç'ka është arritur por kërkojmë më shumë. Ky dhjetëvjetor i Shkollës Shqipe "Gjuha Jonë" na nxit për të bërë edhe më shumë në të ardhmen. Ai përkon me ditën e madhe të Shkollës Kombëtare Shqipe 7 Marsin, dhe Ditën Ndërkombëtare të Grave. Në festën e madhe që organizohet çdo vit nga shoqata me rastin e këtyre festave, mësueset e shkollës tonë kanë vendin e nderit. Këtë vit janë ftuar të gjitha mësueset që kanë shërbyer që në ditën e parë të jetës së shkollës. Ato janë Luliana Toshi, Elvira Budo, Mirela Qirici, Mirjana Kina, Mimoza Priftanji, Lindita Hysko, Rajmonda Bardhi, Liljana Gaba, Nikoleta Papa, Majlinda Tahiraj, Kozare Doko, Irini Zenelaj, Adelina Ramizi, Kësmete Begollari. Nga të gjithë prindërit dhe fëmijët që mësuan të lexojnë, shkruajnë dhe flasin shqip në këtë shkollë, nga kryesia e shoqatës, bashkë me tufat e luleve ato marrin edhe një falenderim të madh për punën e bukur dhe të shënjtë të mësueseve të gjuhës shqipe larg Atdheut.

Filadelfia, Mars 2014

LLAZAR VERO


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
TENORI NGA ISTOGU RAMË LAHAJ KORR SUKSES NË LONDËR (03.15.2014)
FTESË - SHKOLLA SHQIPE E MËSIMIT PLOTËSUES NË KANTONIN VUAD ORGANIZON NJË MANIFESTIM TË PËRBASHKËT SHKOLLOR (03.12.2014)
NJË FSHAT I VLORËS SHPËRNGULUR NË TORINO (03.10.2014)
LETËR FALËNDERIMI - NGA SHOQATA 'KOMBI' WORCESTER, MASSACHUSETTSMinistrit të Diasporës të Kosovës z. Ibrahim Makolli si dhe Konsullit të Përgjithshëm të Kosovës në New York (03.09.2014)
KUJTIMI PËR NËNËN(Skicë kurbeti)Nga RAMADAN RESHITAJ (03.07.2014)
SELANIK - NJË NISMË E RE PËR MËSIMIN E GJUHËS SHQIPE (03.05.2014)
KY ËSHTË KLEIDON NDREU, PRESIDENTI I RINISËI riu shqiptar i zgjedhur President i Rinisë në shkollën 9-vjeçare nr. 6, në Cliffside Park të New Jersey-t, USAIntervistoi: ZEQIR LUSHAJ (03.02.2014)
FTESË - SHKOLLA SHQIPE NË KANTONIN VAUD PËR NDER TË 17 SHKURTIT DHE 7 MARSIT, ORGANIZON NJË MANIFESTIM TË PËRBASHKËT SHKOLLOR (02.24.2014)
HIPEREALIZMI GENETIK I AGIM SULAJT (Intervistë) (02.19.2014)
I AFËRMI I HASAN PRISHTINËS ME BASHKËSHORTEN AMERIKANE VIZITUAN VATRËN (02.18.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lart]