VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - 101 vjet nga mesha e parë shqipe

                                                                                      

E Djelë, 04.28.2024, 11:25am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
 
101 vjet nga mesha e parë shqipe
E Mërkurë, 03.25.2009, 08:26am (GMT+1)

Rreth 400 bashkëatdhetarë që jetojnë në SHBA, morën pjesë në këtë Meshë të së dielës.Mesha e Shën Vasilit dhe Bekimi i Luleve ishte e diela e parë e pranverës në Katedralen e "Shën Gjergjit" në Boston (South Boston). Si çdo meshë e javës që ndjek kalendarin orthodoks, në më shumë se njëqind vite këtu, lutjet dhe fjala e Zotit përcillet në shqip. 22 marsi i vitit 1908 ishte forca e fjalës shqipe, me të cilën meshoi Fan Stilian Noli, përfaqësues i shquar i letërsisë demokratike që u zhvillua në Shqipëri fill pas Rilindjes, ai që thirri më shumë se asnjëherë dëshirën për bashkim mes shqiptarëve, luftën për pavarësi dhe përpjekjet për një Shqipëri të njerëzve të qytetëruar e të ditur krah shteteve të zhvilluara të botës. Rreth 400 bashkëatdhetarë që jetojnë në SHBA, morën pjesë në këtë Meshë të së dielës. Shquhej jo vetëm interesimi që shprehin gjithnjë banorët e Bostonit, por edhe miqve të shumtë prej Usterit-Masaçusets, Kënektikati, Miçigani dhe kryesisht të Nju Jorkut. Të gjithë së bashku dukej sikur formësonin me dialektet e tyre të shqipes së folur edhe një shpërndarje të gjerë gjeografike të shqiptarëve të Ballkanit. Këtij organizimi model të pjesëmarrjes së mbarë bashkëatdhetarëve i parapriu interesimi i Imzot At Artur Liolin së bashku me një grup organizatash atdhetarë kulturorë, që veprojnë në SHBA. Patriotizmi dhe bashkëpunimi në 101-vjetorin e meshës së parë shqipe të Fan S. Nolit, përçojnë fort ndjenjën e flaktë të shqiptarizmës mes shqiptaro-amerikanëve, aq sa fjala në shqip e Zotit dhe flamuri kuq e zi i Gjergj Kastriotit bëhen pjesë e pandarë e ngjarjeve përkujtimore dhe e lidhjeve të pandashme me mëmëdheun, Shqipërinë.

Takimi i shkrimtarëve në Katedralen e Shën Gjergjit

Një takim njohës dhe bashkëbisedim mbi letërsinë shënoi pasditja e së dielës në Katedralen e "Shën Gjergjit", Boston. Rreth 100 mysafirë nga Nju Jorku, nën kryesimin e Shoqatës së Shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë (SHSHSHA), e kishin ndërtuar këtë vizitë si një afrim mes shqiptarëve emigrantë. Në auditoriumin Antoni Athanas, e para përshëndetje iu rezervua nxënësve, mësueseve dhe prindërve të shkollës së gjuhës dhe trashëgimisë shqiptare të Bostonit. Vjershat dhe kënga shqip, kushtuar Marsit të Nënës dhe Mësueses, nga grupi i vogëlushëve që përgatiten prej tre vitesh, u duk si të ishin ajo ndjenjë e thellë nderimi dhe respekti për vendlindjen e brezave të parë të emigrantëve dhe patriotëve, të cilët bashkë u përpoqën në vite për ruajtjen e traditës dhe kulturës shqiptare. "Kemi mes nesh sot shkrimtarë dhe poetë që përfaqësojnë Shkodrën, Korçën, Sarandën, Elbasanin, Vlorën dhe Preshevën", çeli me rolin e prezantuesit At Artur Liolin dhe bashkë me znj. Kozeta Zylo bënë një pasqyrim të punës dhe bashkëpunimit për mbajtjen e këtij takimi letrar që i kushtohej figurës së Fan Nolit. Përshëndetën në takim veprimtarët Stefan Koçi dhe Albana Orgocka, duke bërë të dukshme praninë e shoqatave Mass Besa, AANO, Kombi. Më tej, kjo pasdite iu kushtua disa kumtesave të përgatitura nga grupi i njohur i shkrimtarëve Petër Prifti, Kostaq Duka, Rozi Theohari, Prend Çeta, Rajmonda Moisiu. "Marshi i Kryqëzimit" dhe "Anës Lumenjve" ishin dy recitimet që sollën plot emocion, përpara të pranishëmve, artistët e penës dhe të fjalës Pierre-Pandeli Simsia dhe Shaban Lajçi.

Atmosfera në takim u rrit me të papriturën e këndshme që mysafirët nga Nju Jorku kishin rezervuar me shfaqjen e shkurtër që dha trupa artistike e folklorit të Rugovës "Gurra". Kostumet shumëngjyrëshe, ritmi i tupanit (lodrës) dhe çiftelia ishin shoqëruese të një buqete të bukur këngësh dhe vallesh nga Kosova.

Këndon "Rapsodi me çifteli", në Katedralen e "Shën Gjergjit", Boston

Teksa dukej një ditë e gjatë dhe plot gjallëri në mjediset e Katedrales së "Shën Gjergjit" në Boston, një grup burrash me qeleshe, mbi veshjen e zakonshme, u duk se shprehte një interes disi më ndryshe tek të pranishmit.

E përsa në portretet e tyre serioze lexoje një qetësi malësori, një grup vajzash me kostume popullore vërshuan në korridore, si për të treguar se gjithshka rreth shfaqjes artistike po afronte. Sadri Murriqi thotë se "jemi Grupi Folklorik Rugova, një ansambël autokton i Kosovës dhe jemi formuar në vitin 1992. Trupa jonë ka marrë pjesë në shumë veprimtari artistike në diasporë dhe trashëgon përvojën e grupit me të njëjtin emër në Kosovë, që ka një moshë mbi 50-vjeçare".

Është një gëzim i madh, shton ai, të përshëndesësh dhe nderosh Nolin dhe gjithë këtë grumbullim mes shqiptarëve. Trupa jonë, veçanërisht gjatë një viti, që me shpalljen e deri në njëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ka udhëtuar shumë për të dhënë shfaqje artistike. Kjo, vijon rapsodi, tregon se ne shqiptarët po i gëzohemi shumë lirisë, njohjes me njëri-tjetrin dhe bashkëpunimit. Pak më tutje, një duet çiftelish prezantohen si axha dhe nipi. Syla dhe Bekë Nikqi janë rapsodët e trupës "Gurra" e Rugovës, që për të parën herë nxjerrin këngën më të re përpara publikut.

Sot, "Rapsodi me çifteli", shprehet Syla, është një këngë që i kushtohet burrave të shquar si Fan Noli, Luigj Gurakuqit, Bajram Currit e Ker Sadrisë. Ndërsa rapsodi më i ri Bekë, thotë se nëpërmjet këngës kemi përcjellë gjithmonë histori. Është mirë që edhe rinia këtu që e pëlqen muzikën e veriut, le ta shijojë atë me stilin e rapsodit që i këndon historisë. E përsa trupa është pritur me duartrokitje në sallë, rapsodët kanë zënë vend duke iu drejtuar të pranishmëve herë me rrëfimin e zërit dhe herë me forcën e tingujve të dy telave, një krijim i ri popullor, një tregim siç e ndjen zemra.

Forest Hills Cemetery, Jamaica Plain-Boston (Masaçusets). Rreth 100 bashkëatdhetarë shqiptaro-amerikanë nderuan me vendosjen e kurorave me lule në varrin e Fan Nolit. Ishte një pelegrinazh që thuajse përmbylli veprimtarinë përkujtimore të 101-vjetorit të meshimit të parë në shqip. Një vit i shënuar i historisë së kombit tonë, që do të shënonte kthesën për fitoren e pavarësisë dhe formimin e shtetit shqiptar. Nderimi në heshtje përpara varrit të Nolit u shoqërua dhe nga një fjalim i shkurtër nga n/kryetari i SHSHSHA-së Hilë Velaj. "Noli shënon për ne si shqiptarë ecjen nëpër shekuj, përpjekjet e patriotit që la si shembull për pasardhësit e tij njeriun e punës së palodhur dhe veprën madhore që çdo ditë na frymëzon", tha ai. Këtu në Boston, ku prehet Fan S.Noli, janë përcjellë e nderuar edhe bashkëkohësit e kolosit patriot shqiptar si Faik Konica (eshtrat në Tiranë), Kosta Çekrezi, Qerim Panariti, Andrea dhe Dhimitra Ilia, Nikolas Prifti, Nikolla Trebicka, Gjergj Geço, Harri Quamo si dhe shumë patriotë, klerikë dhe njerëz të nderuar.

Ky pelegrinazh i bashkëatdhetarëve veç shumë fotografive, mori me vete edhe atë që sot mes shqiptarëve kur vizitojnë Bostonin pyesin "A e vizituat Kishën e Nolit?; Po një buqetë me lule a e çuat tek varri?!...". Me shpirtin artistik, ndoshta shumë shpejt shkrimtarët mërgimtarë do të hedhin në letër e do ta përcjellin me frymëzim mbresën e 101-vjetorit të meshës së parë shqipe. Rd/voal-online.


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
NJË VËSHTRIM MBI TË FOLMEN SHQIPE NË ZVICËR (03.15.2009)
Ëmbëlsia e trishtimit berlinez (03.13.2009)
Shuhet "Dielli" (1909-2009) (03.10.2009)
La Repubblica: Shqiptarët në Itali të mrekullueshëm (03.08.2009)
Në projektin "Kamishibai" është përfshirë edhe letërsia shqipe për fëmije - Nga Nexhmije MEHMETAJ, Mësuese në Jura-Zvicër (02.28.2009)
ASHA në Uashington feston njëvjetorin e pavarësisë së Kosovës (02.22.2009)
Sonte manifestim në Shtutgard për pavarësinë e Kosovës të pritur me shekuj (02.21.2009)
Arbëreshi Pino Kakoca nderohet me Çmimin Mesdhetar për Artin dhe Krijimtarinë 2009 (02.20.2009)
25 vjetori i vdekjes së fotografit të madh shqiptaroamerikan Gjon Mili Nga Besim Fusha (02.15.2009)
Në Gjermani një matematikan i talentuar nga Kosova (02.07.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]