VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - NJË KOMB, NJË FLAMUR DHE NJË GJUHË, PËR TË GJITHË SHQIPTARËT KUDO QË JANË(Intervistë me profesorin FEHMI KELMENDI nga Zvicra)

                                                                                      

E Mërkurë, 05.08.2024, 07:51pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
 

NJË KOMB, NJË FLAMUR DHE NJË GJUHË, PËR TË GJITHË SHQIPTARËT KUDO QË JANË

(Intervistë me profesorin FEHMI KELMENDI nga Zvicra)


E Premte, 11.05.2010, 05:05pm (GMT+1)

Baki Ymeri: I respektuar mik! Vizita Juaj në Bukuresht, dhe sidomos përurimi i librit Tuaj "Golgota kosovare", është një impuls i konsolidimit të miqësisë rumuno-shqiptare. Afrim, njohje, mirënjohje, respekt dhe afirmim. Cilat janë përshtypjet Tuaja nga Bukureshti?

Fehmi Kelmendi: Është hera e parë që vi në këtë vend dhe jam i befasuar nga mikpritja dhe dashamirësia e qytetarëve të kryqendrës rumune. Bukureshti është një simbol i rilindësve tanë që kanë vepruar në favor të kauzës sonë kombëtare. Qyteti është shumë i bukur dhe atraktiv. Pata rast të vizotoj kishën shqiptare ku Fan Noli i pavdekshëm e mbajti e liturgjinë e parë shqipe më 1911. Më ka impresionuar pa masë pamja fantastike e ish-hotelit Continental (sot Victoria), ku më 5 nëntër 1912 Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi me pjestarë të kolonisë shqiptare të Bukureshtit mbajtën mbledhjen historike ku u morrën masat vendimtare për shpëtimin e atdheut të rrezikuar. Lulishtja Çishmixhiu me bustin e Viktor Eftimiut (poet i famshëm rumun me origjinë shqiptare), pylli Bëneasa ku dilnin korçarët e pasur në piknik, Muzeu i Fshatit, busti i Naim Frashërit, bulevardet e gjera, të bukura dhe të pastra, Pallati i Parlamentit (ndërtesa më e madhe në botë, pas Pentagonit), lumi Dëmbovica që e frymëzonte Adrenin në kohën e tij, redaksia e revistës Shqiptari me një arkiv vlerash fantastike shqiptare, mikpritja e përzemërt e Dr. Xhelku Maksutit (Nikolla Naço i ditëve tona), ishin disa nga pikat kyçe që mbetën të pashlyera në kujtesën time. Jam i mahnitur me qëndrimin korekt dhe patriotik të Dr. Luan Topçiut (ministër këshilltar i amabsadës shqiptare në Bukuresht), të Dr. Përparim Demit që digjet për Çamërinë dhe të kryeredaktorit të revistës Shqiptari që militon për afirmimin e Kosovës në këtë vend. Gjatë takimeve spontane me ca qytetarë të rëndomtë të Bukureshtit, konstatova se rumunët ishin njësoj si ne përnga fizionomia, se i donin shqiptarët dhe se ishin të indinjuar lidhur me politikën proserbe të presidentit Basescu.

 

Baki Ymeri: Ekziston një mendim sipas të cilit Historia est magistra vitae. Si e shpjegoni Ju, si historian dhe preshevar, historinë e Kosovës Lindore?

Fehmi Kelmendi: Kjo trevë shqiptare, gjatë gjithë historisë ka qenë pjesë e pandarë e territorit integral të Kosovës dhe të trungut etnik të kombit tonë. Në periudhën e sundimit osman prej 5 shekujsh, Kosova Lindore ka qenë në kuadër të Sanxhakut të Prishtinës dhe të Vilajetit të Kosovës. Këtë rajon të banuar nga shqiptarët autoktonë, nga Kosova amë e ka ndarë Beogradi arbitrarisht në vitin 1945, kur për shkëmbim territoresh iu dha Kosovës Leposaviqi dhe Zubin Potoku. Shkaqet e ndarjes dihen.

Baki Ymeri: Duke shfletuar shkrimet Tuaja dhe duke Ju njohur personalisht, ne krijuam përshtypjen se jeni shqiptar i kulluar që nga mosha e brishtë e adoleshencës. Para 5 muajsh i keni mbushur 80 pranvera, duke qenë i pajusur me një kujtesë briliante. Cili është kujtimi Juaj më i paharruar nga mosha 17 vjeçare?

Fehmi Kelmendi: Mbaj mend si sot, në nëntor të vitit 1944, kur nga Shkupi erdhi Nexhat Agolli në Preshevë, për të vizituar shtabin e Brigadës së Shtatë Shqiptare nga Maqedonia, me komandantin Nafi Sulejmani dhe Qemal Agollin, sekretar politik. Nexhati ishte një burrë i ulët dhe i plotë. Mbante cilindrin në kokë dhe shëmbëllente me një shkëmb graniti. Kam dëgjuar më vonë se maqedonët e kanë masakruar në mënyrë barbare në burgun e Idrizovës. Nexhat Agolli ishte njëri ndër figurat më eminente të veteranëve të luftës nacional-çlirimtare, siç ishin Xhafer Kodra, Haxhi Lleshi, Liman Kaba, Sali Lisi, Qani Pagriu, Lazim Rexhepi, kurse në Kosovë ishte Ismet Çerkezi, Emin Duraku, Hajdar Dushi etj. Në Preshevë ka qenë Shaip Mustafa, të cilin e dënuan me burg të përjetshëm, me pretekst gjoja se paska bashkëpunuar me okupatorin, edhepse ai militonte për bashkimin e trojet shqiptare me shtetin amë (Shqipërinë), gjë për të cilën ka sakrifikuar jetën. Të gjithë këta që i përmendëm, kanë qenë të likuiduar, të burgosur apo të ikur nga pushteti okupues jugosllav, sepse nuk janë pajtuar me ndarjen e atdheut shqiptar në disa pjesë, dhe pas "çlirimit", për ne shqiptarët, riokupimi ishte një mekanizëm antikombëtar që e solli plojën kundër popullatës civile shqiptare.

Baki Ymeri: Çili është mendimi Juaj për situatën aktuale të shqiptarëve të Maqedonisë dhe si mund të dilet nga "qorrsokakuku" i tyre ballkanik?

Fehmi Kelmendi: Situata aktuale e shqiptarëve në Maqedoni është tejet e mjerueshme. Marrëveshja e Ohrit (2001) ende ka ngelur në letër si një paralizë politike, megjithëse faktori ndërkombëtar ka qenë garant i saj, ndërsa liderëve të partive politike shqiptare në Maqedoni as që u han palla për kopalla lidhur me realizimin e kësaj marrëveshje, ngase çështjen kombëtare e kanë zëvendësuar me potencialin e interesave personale, karieriste dhe bajraktariste. Kohëve të fundit brengos fakti se dy partitë më të mëdha shqiptare, BDI-ja dhe PDSH-ja, sidomos liderët e tyre, janë duke u akuzuar reciprokisht për majmërinë e interesave të shovinizmit maqedon. Disa maskarenj të karierizmit dhe matrapazë frazash boshe, që ia kanë zhavatur lekët diasporës në emër të bashkimit kombëtar, apelojnë për gjakftohtësinë e sivëllezërve tanë që të mos e nxisin luftën vëllavërasëse, dhe kanë të drejtë. Zgjidhja optimale e çështjes shqiptarëve autoktonë në Maqedoni nuk mund të realizohet me përfaqësusit demagogë dhe kuazipatriotë, por me kuadro të reja progressive, patriotike, të cilët janë të gatshëm të sakrifikojnë madje edhe jetën për interest e popullit, ndërsa populli i di se kush janë këta. Si mund të lejohet që zyrtarët aktualë maqedonë në krye me shovinistin Gruevski, t'i përvetësojnë vlerat historike të popullit shqiptar? A pak iu duken se jetojnë në truallin e shqiptarëve duke krijuar shtetin artificial, duke u thirrë në emër të Maqedonisë së lashtë që s'ka kurrfarë lidhjesh me bullgarët e serbizuar të kësaj republike, duke u munduar madje ta përvetësojnë edhe shenjtoren tonë, Nëna Tereze. Gjithmonë kam thënë dhe e përsëris si historian, se Maqedonia duhet patjetër ndarë ngase nuk meriton me qenë shtet që diskriminon popullatën etnike shqiptare dhe atë arumune që krijojnë mazhorancën në këtë vend.

Baki Ymeri: Si e vlerësoni Ju pavarësinë e Kosovës?

Fehmi Kelmendi: Pavarësia e Kosovës është ende e brishtë. Problemet ekzistojnë dhe janë të panumërta, sidomos çështja e kufinjve, pjesa veriore me resurse të pasura natyrore të përvetësuara nga serbët, manastiret shqiptare të serbizuara nga pushtuesit dhe kolonialistët serbomëdhenj, varfëria e skajshme, papunësia e rreth 60% të popullatës, e sidomos të të rinjve, moskujdesja ndaj veteranëve të luftës, korrupcioni, ndërhyrja permanente e Beogradit me synim të isntrumentalizimit të serbëve në Kosovë. Dalja nga kjo situatë e tensionuar varet nga populli shqiptar ikësaj zone, që në zgjedhjet e ardhshme, pa imponimin e askujt dhe pa mashtrimin e elektoratit, pa vjedhje votash, t'i çelë sytë duke i zgjedhur djemtë më të dëshmuar të kombit që mbrojnë interest e popullit e jo të vetvetes.

Baki Ymeri: Çfar mendimi keni për një grup "personulitetesh" që orvaten të krijojnë kombin e ri kosovar?

Fehmi Kelmendi: Këta bastardë janë karikatura të shveshura kombëtarisht, njësoj siç janë edhe ata që luftojnë kundër gjuhës së njësuar standarde shqipe, nëpërmjet të së cilës mund të ruhet kompaktësia e kombit, sepse gjuha është tipari kryesor i identitetit të një populli. Identiteti i ri kosovar është një farsë e dëmshme. Një komb, një flamur dhe një gjuhë kjo vlen për të gjithë shqiptarët ngado që janë.

Pelegrinazhi i shqiptarëve duhet të kryhet në Lezhë

Baki Ymeri: Diaspora dhe kontributi i saj për çrobërimin e Kosovës. Pse e ka kapluar Kosovën varfëria e qytetarit të rëndomtë? Kush mund ta nxjerrë Kosovën nga terri ekonomik në dritën e mbarëvajtjes sociale?

Fehmi Kelmendi: Kontributi i jashtëzakonshëm i diasporës ka qenë mbrojtja e familjeve që të mos i nënshtrohen pushtuesit për shkaqe ekonomike, pastaj për ekzistimin e shkollave në gjuhën amtare dhe për çlirimin e vendit dhe pavarësinë e Kosovës, pavarësisht nga fakti se qeveria në ekzil edhe i ka keqpërdorur këto të holla, duke ndarë një shumë kolosale për çështjet private. Përgjegjës kryesorë janë ata që sot, për të përfituar poena, thirren në emër të ish presidentit Rugova, me të cilin gjatë gjithë kohës kanë qenë në konflikt dhe e kanë urrejtur. Këtë e dinë gadi të gjithë në Kosovë. Megjithëse i ndjeri Rugova nuk meriton elozhe të ekzagjeruara (De mortuis nihil nisi bene / Për të vdekurin vetëm mirë duhet të flitet), epitete të latrta që paraqesin kultin e një personi, gjë që është një dukuri negative pagane. Megjithatë, meritat e tij për pavarësinë e Kosovës janë të pakontestueshme. LDK-ja, pas vdekjes së Rugovës rrëshqiti si thiu në akull, duke u ndarë në disa degë. Liderët e këtyre fraksioneve kundërshtare reciproke, thirren në emër të Rugovës, por nuk kanë kurrfarë lidhjesh me filozofinë e politikës së tij.

Baki Ymeri: A është mirë që janë formuar parti të shumta politike në Kosovë, Shqipëri dhe te shqiptarët e Maqedonisë?

Fehmi Kelmendi: Mjerisht, ne shqiptarët nuk kemi aftësi politike dhe diplomatike, dhe ende nuk e kemi kuptuar si duhet demokracinë. Në vend të dy-tri partive politike, janë formuar rreth 40 subjekte politike në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, kurse në Kosovën Lindore, shtatë parti. Sa më shumë parti, aq më e thellë përçarja mes popullit. Populli duhet unjisuar e jo përçarë.

Baki Ymeri: Shqiptarët e Zvicrës Ju respektojnë për angazhimin Tuaj në favor të zgjidhjes së çështjes së shqiptarëve nën okupim. Cili ka qenë aktiviteti Juaj në këtë drejtim?

Fehmi Kelmendi: Unë si jashtëpartiak kam vepruar njësoj, si për çlirimin e Kosovës, poashtu edhe të shqiptarëve të Maqedonisë, të Malit të Zi, të Çamërisë dhe të Kosovës Lindore. Këtë ide nuk e ndryshoj dot as pas vdekjes sime. Shqiptarët kurrsesi nuk bënë të mbeten të ndarë në disa shtete, me fajin e faktorit të brendshëm dhe atij të jashtëm.

Baki Ymeri: Cili është mendimi Juaj lidhur me subjektin fetar te kombi shqiptar?

Fehmi Kelmendi: Fati i madh që shqiptarët, me tri konfesione (katolike, ortodokse dhe myslimane), gjatë gjithë historisë kanë qenë tolerantë ndaj njëri-tjetrit. Kjo traditë duhet vazhduar. Sa i përket fesë myslimane të cilës i përkas edhe unë formalisht, besimi islam duhet të distancohet nga shkenca dhe nga shteti secular. Feja islame i ka shkollat e veta fetare, kurse nëpër shkolla laike nuk ka nevojë që të implikohet mësimi fetar. Përpos kësaj, është duke u propaganduar me të madhe që femrat myslimane të bartin shaminë, madje edhe në shkollë, sepse feja nuk fshihet nën shami por në kokë. Kjo nuk ka të bëjë aspak me burimin e fesë respektive. Çka është më e rëndësishme, kleri mysliman shqiptar as që është interesuar dhe as që ka ndikuar tek shtetet arabe që ta njohin pavarësinë e Kosovës. Në anën tjetër, Beogradi propagandon me të madhe gjoja se shqiptarët e Kosovës qenkan myslimanë fundamentalistë, me qëllim djallëzor për ta penguar njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shtetet e botës, kurse në anën tjetër mundohet t'i bindë arabët se po këta shqiptarë nuk kanë lidhje me fenë silame. Kontrast! Kjo politikë dhe diplomaci perfide e zyrtarëve aktualë të Beogradit është duke luajtur rol të jashtëzakonshëm për satanizimin e kombit shqiptar në suaza ndërkombëtare.

Baki Ymeri: Kemi dëgjuar se keni qenë i persekutuar politik me tërë vëllezërit, dhe se keni dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për organizimin e manifestimeve në favor të çështjes shqiptare. Kemi dëgjuar se keni vepruar për unitetin kombëtar nëpër ndeja, biseda, mbledhje, klube, tubime, fjalime, protesta, demonstrata, mitingje, se keni qenë orator i flaktë dhe pjesëmarrës aktiv i tubimeve shqiptare në diasporë, që nga Zvicra, Gjermania, Franca, Skandinavia, Austria, Italia, Turqia, Shqipëria e deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga buron kjo energji e pashtershme dhe vullnet i madh për të mbrojtur kauzën shqiptare në botë?

Fehmi Kelmendi: Pjesën më të madhe të përgjigjes e dhatë Ju në kuadrin e pyetjes. I edukuar në familje dhe i inspiruar prej veprave të rilindësve tanë, duke parë se pushtuesi serb e torturonte popullin tim me metoda të ndryshme, duke filluar me pushtime trojesh, përndjekje, arrestime, maltretime fizike dhe mendore, burgosje, dëbime, ekspoloatime ekonomike, të gjitha këto kanë ndikuar që t'u rezistoj me qëndresë dhe ta mbaj të pashuar flakën e shqiptarizmit në jetë.

Baki Ymeri: Gjithashtu kemi dëgjuar se keni krijuar admirim të pashoq te pala kroate kur keni marrë pjesë në një tubim madhështor në Bern të Zvicrës, të organizuar nga Marko Veselica dhe Ante Kovaçeviq, të cilët pas fjalimit të tyre të kanë ftuar në tribunë për t'iu drejtuar masës. Si u pritën fjalët Tuaja në këtë tubim?

Fehmi Kelmendi: Në atë kohë kur 80% e kuadrove të larta ushtarake dhe policore të ish Jugosllavisë ishin në duart e serbëve. Në burg ata kishin njohur edhe shumë shqiptarë, ndër të cilët edhe Adem Demaçin, prej të cilëve i kish mësuar edhe disa fjalë shqipe. Fillimisht mua m'u drejtuan në gjuhën shqipe dhe më përqafuan sipas traditës shqiptare. Pasi e mora fjalën, e elektrozova masën e përëbërë nga kroatë, sllovenë dhe boshnjakë, ndërsa unë isha i vetmi shqiptar, duke apeluar se të gjithë ne e kemi të përbashkët politikën dominuse, hegjemoniste, serbomadhe, prandaj duhet të bëjmë çmos për t'u çliruar nga ky sundim i padurueshëm. Masa çdo fjali time e ndërpriste me duartrokitje. Në fund thash se fjalë më të përshtatshme për ta përfunduar këtë fjalim janë fjalët e poetit kroat Ivan Gunduliç, i cili i ka dhënë rëndësi të madhe lirisë dhe pavarësisë...

Baki Ymeri: Sipas mendimit Tuaj, cila është Meka shqiptare?

Fehmi Kelmendi: Kisha e Shën Kolit në Lezhë ku gjendet varri i Gjergj Kastrioti-Skënderbeut. Pelegrinazhi i shqiptarëve duhet të kryhet në këtë vend të shenjtë e jo në shkretërirat e Arabisë. Dhe jo vetëm kaq! Kosova mund të dalë nga kolapsi ekonomik dhe shoqëror përmes një presidenti me konfesion katolik. E njëjta gjë vlen edhe për Shqipërinë. Kurse Qeveria dhe Parlamenti duhet të veprojnë sipas modelit demokratik të Perëndimit. Kush është duke udhëhequr me Kosovën? Kosovën dhe Shqipërinë e drejton pjesa më e madhe e kuadrove ish komuniste të konvertuar në pseudodemokratë.

Baki Ymeri: Si e parashihni Ju zgjidhjen e drejtë të çështjes kombëtare shqiptare?

Fehmi Kelmendi: E vetmja zgjidhje e drejtë dhe e plotë e çështjes së shqiptarëve në Ballkan është bashkimi i të gjitha trojeve me popullatën e saj autoktone, në një shtet të vetëm kombëtar: Shqipëria etnike.

(Intervistën e realizoi në Bukuresht: Baki Ymeri) 

BAKI YMERI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
BIZNESET E SHQIPTARËVE NË GJERMANI (11.04.2010)
ÇFARË KA NDODHUR NGA VITI 2006 DERI TANI ME INTEGRIMIN E TË HUAJVE? (11.04.2010)
SAMITI I INTEGRIMIT NË GJERMANI - PLAN KOMBËTAR AKSIONI (11.04.2010)
GAZMEND TURDIU VIZITOI ZYRËN E REDAKTORIT TË GAZETËS KOMBËTARE "BOTA SOT" NË GJENEVË (11.03.2010)
NJË MANIFESTIM DINJITOZ KUSHTUAR KOSOVËS NË BUKURESHT:KOSOVA LETRARE DHE GOLGOTA KOSOVARENga BAKI YMERI (11.02.2010)
XHEJMS BERISHA KËRKON NJOHJE TË REJA NË AFRIKË (11.02.2010)
KATËR FRASHËRLLINJTËNga KËZE KOZETA ZYLO (10.31.2010)
GJERMANIA NUK KA NEVOJË TË LEHTËSOJË RREGULLAT E EMIGRACIONIT - KONGRESI I KRISTIANSOCIALËVE (10.31.2010)
NISJA - PËRMES AMBASADËS DREJT PERËNDIMIT (10.30.2010)
TRE MILIARDË EURO NË PESË VJET (10.30.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]