VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Medvedevi para pasqyrës, sheh në të Putinin (III)Nga Teodo LAÇO

                                                                                      

E Enjte, 05.02.2024, 01:05pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DOSSIER
 

Medvedevi para pasqyrës, sheh në të Putinin (III)

Nga Teodo LAÇO


E Premte, 11.27.2009, 08:45am (GMT+1)

 

 

Gati tre vjet para mbarimit të mandatit të fundit, në opinionin shoqëror rus, bëri krye mendimi nëse Putini duhej të merrte edhe një mandat të tretë apo jo. Kushtetuta, pjesa e 3-të, neni 81, në mënyrë taksative përcaktonte se Presidenti nuk mund të zgjidhej për më shumë se dy mandate. Në një takim me kryeministrin e Finlandës që e pyeti rreth kësaj mundësie, ai tha buzagaz: "mund që unë të dua, por nuk e lejon Kushtetuta". Zërat që kërkonin një ndryshim të Kushtetutës ose e pakta zgjatjen e mandatit të tij, gjatë vitit 2006, u bënë edhe më autoritare. Presidenti i Kazakistanit, Nazarbajev, që ia kishte dalë ta zgjaste pa afat kohor mandatin e vet, i sugjeroi Putinit të ndiqte shembullin e tij. Nuk do të ishte ndonjë përjashtim shqetësues nga morali i botës demokratike të Perëndimit. Në SHBA, vërtet Presidenti s'mund të merrte më shumë se dy mandate, por në Francë ai mund të zgjidhej pa kufizim. Kryetari i Këshillit Federativ, Sergej Mironov, që rrekej ta afronte Putinin me partinë që do të drejtonte "Rusia e Drejtë", kryetari i qeverisë së Osetisë së Veriut Mansurov, ai i Çeçenisë, Kadirov, lideri liberaldemokrat, Zhirinovski dhe figura të tjera, kërkuan ndryshimin e Kushtetutës. Putini kundërshtoi sërish "Jam një qytetar dhe jo një qytetar politik.

 

Stabiliteti i Rusisë nuk bazohet në një figurë të vetme, por në Kushtetutë", tha ai në një takim me politologë të Perëndimit. Nuk mund të mbetej pas edhe udhëheqja e partisë qeveritare "Rusia e Bashkuar". Grizllovi, kryetari i partisë dhe i Dumës shtetërore, në "Rossijskaja gazeta" të 17 tetorit të 2007, u shpreh "Putini do të mbetet lider i Rusisë. Fjala nuk është vetëm për raportet midis forcave politike. Fjala është për të ardhmen e Rusisë, për vazhdimësinë e një kursi që ruajti shtetin, siguroi zhvillimin e tij, u ktheu njerëzve besimin te vendi i tyre". Dhe duke vazhduar fushatën për partinë që tani kishte në krye të listës Putinin, tha se problemi i liderit të vendit do të zgjidhet në 2 dhjetor dhe se një lider i tillë, është, duhet të jetë dhe do të jetë Vladimir Putini. Ishte një propagandë elektorale e paligjshme dhe komunistët hapën kundër tij një proces gjyqësor, që si pritej, nuk do të sillte asgjë. Me grupin e atyre që kërkonin ndryshimin e Kushtetutës për një mandat të tretë, u bashkuan me një peticion edhe drejtuesit e shoqatave kryesore të artistëve, regjisori i nderuar me Oskar, Nikita Mihallkovi dhe skulptori më i famshëm i kohës në Rusi, autori i monumentit madhështor të Pjetrit I mbi lumin Moska, Çereteli.

 

Në disa momente, u duk sikur Putini do të pajtohej me këtë trysni, por asnjëherë nuk u shpreh hapur. Zbuluesi i vjetër mbeti i fshehtë, enigmatik deri në ditën kur, para se të jepte emrin e pasardhësit, duke e lënë pezull si gjithmonë të ardhmen e tij, tha se ndoshta mund ta pranonte propozimin për të drejtuar qeverinë e ardhshme. Ky ishte një Putin tjetër nga ai i vitit 2000 që u shfaq i druajtur, fjalëpakë. Më i ashpër, më i vendosur, i sigurt në vetvete, ai po i përshfaqte Rusisë dhe botës një stil të ri drejtimi të Kremlinit. Herë me dinakëri e herë me agresivitet, herë në mbrojtje e herë në sulm, po i shpërfillte dita-ditës akuzat e Perëndimit për demokracinë e cunguar, për mungesën e lirisë e të drejtave të njeriut, për censurën dhe manipulimin e mediave e të tjera, që ia bënin pareshtur. Stili i tij nuk mund të quhej luftarak i hapur. Nuk bërtiste, nuk kërcënonte, nuk kalonte në konflikte histerike, duke i shokuar partnerët.

 

Nganjëherë, ai shfaqte madje një cinizëm që dukej si i bartur nga kohërat sovjetike, kur vendi i sovjetëve e reklamonte veten si kampioni i lirisë e drejtësisë në botë. Në një intervistë në qershor 2007 ai u shpreh me këto vetëvlerësime e vlerësime të të tjerëve: "A jam unë një demokrat i ujit të kulluar, kujtoi ai pyetjen që i kishin bërë në samitin e Samaras. Sigurisht, unë jam një demokrat absolut dhe i kulluar. Por a e dini ku është e keqja? Madje jo e keqja, por tragjedia e vërtetë. Në atë që unë jam i vetmi i tillë, nuk ka të tjerë të tillë në botë. Le të shohim ç'ndodh në SHBA. Një tmerr i vërtetë: tortura, të pastrehë, Guantanamo, mbajtje në burg pa gjyq dhe hetim. Shikoni se ç'ndodh në Evropë: dhunë e egër mbi demonstruesit, përdorimi i plumbave prej gome, gazit lotsjellës herë në një kryeqytet e herë në një tjetër, vrasje e demonstruesve nëpër rrugë. Unë nuk flas për periudhën postsovjetike. U ngjall njëfarë shprese për çunat e Ukrainës, por edhe ata e diskredituan veten plotësisht dhe gjendja aty po shkon drejt një tiranie... Pas vdekjes së Mahatmata Gandit, s'ke me kë të flasësh!" Por nuk rrjedh shumë ujë dhe ai do ta vërë nga ana tjetër pllakën e gramafonit. "Kur të shohin forcën tonë që e shfaqim me raketat e reja, "kopanin energjetik", unitetin nacional, retorikën e re të politikës së jashtme, bota do të na llogaritë ndryshe nga dje", ligjëron ai. Politologët e krahasuan me njërin nga presidentët amerikanë të fillimit të shekullit 20, Teodor Ruzveltin i cili thoshte: "Fol qetësisht, por mbaj me vete një kopan të fortë. Atëherë do të shkosh larg". Në retorikën e tij, pa harruar asnjëherë të nënvizonte e të përsëriste sukseset e viteve të tij, para se të vendoste përfundimisht të largohej, ai nuk ngurroi të theksonte edhe problemet e mprehta të shoqërisë ruse. E tha hapur se kishte një diferencë të madhe midis të ardhurave të të pasurve me ato të të varfërve, se duheshin siguruar më drejtësisht të moshuarit dhe invalidët. Se duhej bërë shumë më tepër në fushën e shëndetësisë e të arsimit, për forcimin e fuqisë mbrojtëse të vendit dhe për zhvillimin e fshatit. Këto fjalë u thanë në kongresin e partisë "Rusia e Bashkuar", kur ai pranoi kërkesën për të kryesuar listën e saj, duke e mbyllur përfundimisht mundësinë e ndryshimit të Kushtetutës. "Ndryshimi i Kushtetutës për një njeri të vetëm, madje edhe sikur ky njeri të isha unë, pa dyshim është jokorrekte" përsëriti ai.

 

Qeveritë e periudhës së tij, ajo e Kasjanovit e Fradkovit, vetëkuptohet edhe ai vetë, u akuzuan shpesh për mungesën e një plani të qartë perspektiv, për një drejtim spontan, sipas situatave të ditës. Kjo gjë nuk u diskutua ndonjëherë me frymë kritike, por në heshtje, duket se u pranua si një e vërtetë, qoftë edhe e paplotë. Në kundërpeshë të saj, politologët afër tij, thanë se politika ekonomike e Putinit, pavarësisht mungesës së strategjisë, ishte e efektshme. Ai nuk bëri gabime të mëdha që t'ia përkulnin shpinën vendit. Në fund të fundit, popullariteti në rritje flet në favor të tij. Rusët mbajnë shumë shpresa tek individi në krye të pushtetit, por ato luhaten lehtë nga entuziazmi te zhgënjimi i plotë. Erdhi Gorbaçovi, ky do të na shpëtojë. Pastaj doli se ai qe i tukequr, "me shenjë", fajtor për çdo gjë. Erdhi Jelcini, muzhiku i mirë që do të na shpëtojë. Doli që qe pijanec, fajtor për çdo gjë. Për Putinin, këto nuk mund të thuheshin. Për t'i vënë kapakun që pritej periudhës së tij, në telebisedën e gjashtë të drejtpërdrejtë me popullin në mbyllje të 2007, ai i dha përparësi pikërisht strategjisë ekonomike. Për ta mbështetur atë, s'mund të harroheshin sukseset, pavarësisht se për ato ishte folur deri në mërzi.

 

Rusia hyri në 7 ekonomitë më të mëdha të botës. Në 8 vjet, investimet e huaja u rritën 7 herë, shkëmbimi tregtar me botën 5 herë, të ardhurat reale të qytetarëve 2.5 herë. Dinamika e zhvillimit të ekonomisë e kalon dukshëm mesataren botërore. Në 9 vitet e fundit GDP në botë u rrit 46%, kurse në Rusi 80%. Vetëm gjë 2007 pagat u rritën 16.2%, varfëria ra nga 30% e popullit në 2000 në 14% në 2007. Demografia që ishte në rënie, një rrezik potencial i madh, u stabilizua dhe në 2007 lindjet ishin më të lartat në 25 vjet. Rritja e pagave të ulëta, e pensioneve, synoi të kompensonte inflacionin e lartë dhe rritjen e çmimeve. U arrit një kthesë e qartë në pjesëmarrjen e shtetit në zhvillimet reale ekonomike, në ruajtjen e parametrave të rritjes makroekonomike, në kontrollin e inflacionit. Mekanizmi i bashkëpunimit privat-shtet ishte ai që siguroi rritjen e buxhetit dhe të fondit të stabilizimit. Kundërshtarët e modelit rus të ekonomisë së tregut, që u përcaktua në këtë strategji, edhe më tej do ta vënë në dyshim këtë pjesëmarrje të shtetit në këtë ekonomi, por përvoja tregoi se duke kthyer kontrollin e paketës së aksioneve të shtetit te "Gazprom", duke marrë "aktivet" e Jukos dhe Sibnjeft, aksionet kryesore të Sberbank dhe Vnjeshtorgbank (Banka e Kursimeve dhe ajo e Tregtisë së Jashtme), shteti ia doli të lajë gjithë borxhin e jashtëm dhe të sigurojë qëndrueshmërinë e monedhës. Orientimi i ri ekonomik, duhej të ndryshonte mjaft, nga lëndët e para drejt faktorëve të brendshëm që siguronin punësimin e njerëzve: ndërtim, industri përpunuese, tregti. Ekonomia duhej vënë në binarë të rinj rinovimi nëpërmjet shkencës e teknologjisë, ku sërish shteti do të ketë rol kryesor.

 

Pseudoliberalët që besojnë se progresi teknik do të vijë nga konkurrenca e tregut, sigurisht do të mbeteshin të zhgënjyer nga kjo platformë. Ende edhe për disa vjet, mjetet monetare të përfituara nga kërkesa botërore për hidrokarbure, do të përdoreshin për zhvillimin e gjithë sektorëve të ekonomisë dhe të fshatit e jo për politika sociale. Fondi që ruhej për situatë të jashtëzakonshme e që quhej Fondi i stabilitetit, duhej të rritej edhe më. Por vektori kryesor i këtij kapitalizmi shtetëror, në analizë të fundit, duhej t'i shërbente rritjes së mirëqenies, luftës kundër varfërisë, krijimit të shtresës së mesme të qytetarëve, nëpërmjet zhvillimit të biznesit të mesëm e të vogël. Katër programet nacionale për bujqësinë, arsimin, shëndetësinë e strehimin, do të mbeteshin prioritare për shumë kohë. Putini shprehej pa kurrfarë modestie se nuk shihte dështime në punën e tij. "Jam i kënaqur nga rezultatet e punës sime", deklaroi ai në konferencën e lamtumirës për shtyp më 14 shkurt 2008, ku përsëriti me vendosmëri se nuk e kishte tunduar asnjëherë ndryshimi i kushtetutës për t'u bërë sërish president. Por kjo deklaratë tingëllonte tani paksa si kofini pas të vjelit, sepse pasardhësi i tij ishte emëruar.

 

Duke dashur të lërë "amanetet" e tij për pasardhësin, Putini tha se pavarësisht se Federata arriti në 7-8 vitet e fundit të përballet me sukses me terrorizmin e separatizmin, ende ka shumë rreziqe dhe kërcënime me të cilat Rusia duhet të përballet, duke nënkuptuar këtu vendosjen e sistemit të mbrojtjes antiraketë nga amerikanët në Poloni e Çeki, përfshirjen e mundshme në NATO të Ukrainës e Gjeorgjisë etj., si dhe rrezikun permanent të korrupsionit zyrtar. "Ne kemi bërë shumë për mbrojtjen dhe spastrimin e skalioneve të pushtetit shtetëror nga ndikimet antiligjore" theksoi ai, duke marrë në mbrojtje stafet aktuale të emëruara prej tij. Pyetjes nëse i pëlqeu apo e lodhi presidenca, ai iu përgjigj se ka përballuar një ngarkesë të madhe emocionale e morale për shkak të ndjenjës së madhe të përgjegjësisë për shumë vendime që duhej t'i merrte vetë. Në një prognozë për zhvillimet e Rusisë deri në vitet 2020, ekspertët e ekonomisë e vënë theksin te synimi që ajo të mos jetë më një burim lëndësh të para, por një shoqëri "inovative" që nënkupton prodhimin e teknologjive të reja. Kjo është një ambicie për konkurrencë me shtetet më të zhvilluara që e rinovojnë ekonominë e tyre duke synuar ndaj teknologjive sa më të sofistikuara e fitimprurëse, por duke ditur resurset e saj, midis të cilave vitet e fundit po vlerësohen gjithnjë e më shumë rezervat e mëdha ujore, dëshira mbetet paksa virtuale dhe për sa kohë bota nuk do të mund të zgjidhë kërkesat energjetike me burime të tjera alternative, Rusia, vendet e OPEK-ut, Venezuela e ndonjë tjetër, do të ndikojnë në marrëdhëniet dy e shumëpalëshe, pikërisht nëpërmjet eksportit të këtyre lëndëve të para. Sidoqoftë, në Rusi e kanë të qartë se nuk ka rrugë tjetër të veçantë për modernizimin e vendit të tyre, përveç asaj të ekonomisë së tregut, pronës private, iniciativës së individit, bankave, kapitalit aksioner, hipotekave të pasurisë dhe formave të tjera të sprovuara tashmë nga perëndimi. Koha e kolektivizmit, e pronarit të vetëm që quhet shtet, ka perënduar përgjithmonë. Modernizimi nuk kërkon vetëm një imperativ ekonomik, por edhe moral, për të ngulitur një besim më të madh në vetvete.

 

Rusët, që në nënvetëdijen e tyre ende besojnë se një "car" i mirë mund të bëjë për ta çudira, janë një popull idealist, ëndërrimtar, jo dhe aq pragmatist sa popujt e tjerë të edukuar tashmë me individualizmin. Udhëhiqen më shumë nga zemra sesa nga arsyeja. Miti sllavofil është një letrarizim romantik që nuk ka më forcë ndikuese dhe gravitet kulturor. Pyetja nëse pas më shumë se gjysmë shekulli Rusia do të ekzistojë si është sot apo do të fuqizohet në një botë më globale, nuk është e lehtë për t'i dhënë përgjigje. Ka një përvojë tashmë që quhet Bashkimi Evropian i cili, pavarësisht se s'mund të thuhet që ka arritur rezultate madhështore, jashtë çdo dyshimi, në një pikë ato i ka arritur. Është bërë lojtar kryesor në politikën botërore.

 

* * *

Diskutimi, parashikimet e thashethemet për pasardhësin e Putinit, filluan gati tre vjet para se të përfundonte mandati i tij. Kjo nuk dukej e panatyrshme për realitetin rus, që e kishte përjetuar këtë situatë edhe në periudhën e Jelcinit. Por nëse hamendjet luhateshin gjithandej, nëpër emra që shpesh ishin spekulime të mediave për të sjellë në vëmendje edhe individë që rrekeshin t'i kujtonin opinionit se "jam edhe unë!", një gjë ishte i sigurt për të gjithë. Pasardhësi do të ishte i zgjedhuri i Putinit. Autoritarizmi i tij, në vrap e sipër për më larg e më lart, nuk mund të pranonte një mënyrë tjetër përzgjedhjeje, aq më shumë kur dihej se gara e mëtuesve do të ishte e fituar nga beniamini i tij. Për shumë kohë, pavarësisht heshtjes së carit, pasardhësi i tij konsiderohej Dmitri Medvedjevi. 40-vjeçari nga Shën Peterburgu, i përmbushte më së miri kërkesat për të qenë trashëgimtar i fronit. Kishte bashkëpunuar me Putinin prej vitesh, qëkurse të dy ishin në Bashkinë e kryeqytetit të veriut, ishte sjellë prej tij në Administratën e Presidencës, kabineti me kompetenca të gjera në paradhomën e presidentit, kishte drejtuar për llogari të shtetit si aksioner kryesor gjigantin Gazprom dhe ishte tashmë zv/kryeministër i vendit, nën Fradkovin që megjithëse hynte nëpër listat mediatike si kandidat, kishte pak gjasa të zgjidhej si i tillë. Por në vitin 2006 Putini bëri një lëvizje taktike që e vuri gjithçka në pikëpyetje. Emëroi një zv/kryeministër të dytë, të të njëjtit rang me Medvedjevin. Ky ishte ish-ministri i Mbrojtjes, Sergej Ivanov. Më me përvojë në pushtet sesa djaloshi Medvedjev dhe sidomos i mbështetur nga rrethet e "të fortëve", Ivanovi u duk se do ta eklipsonte rivalin e tij, aq më tepër kur qëndrimet e politikës së jashtme ruse po anonin dita-ditës pikërisht nga përshfaqja e forcës dhe jo e kompromisit që i vishej si vlerë Medvedjevit. Ndërkohë, Putini luante kukafshehtas. Nuk shfaqte asnjë preferencë. Ndoshta donte të zbulonte përtej asaj që dinte, duke i lënë mëtuesit pezull, me atë dinakërinë se pritja do t'i nervozonte e do t'i detyronte të luanin me karta të hapura? Kjo duhet marrë thjesht si pandehmë. Në vjeshtë të 2007, kur Fradkovi, i lodhur apo i detyruar, dha dorëheqjen dhe në vend të tij u soll nga pensioni Zubkovi, njëri që dinte të fshehtat e kontrollit shtetëror, por që njihte edhe veprimtarinë e FSB-së, kartat u ngatërruan edhe më shumë sepse ai ishte vjehrri i Ivanovit.

 

Ndërkohë, lëmshi po mblidhej dhe pasi e bëri të qartë që nuk do të pranonte as shtytje të mandatit as ndryshim të Kushtetutës, Putini vendosi të shpallte emrin e pasardhësit. Ky do të ishte Dmitri Medvedjevi. Zgjedhja e tij u prit me interes brenda e jashtë Rusisë. Ishte një lloj pohimi i tërthortë se Putini po përzgjidhte kursin më liberal në raport me botën. Veçanërisht me nota pozitive u shpreh Kondoleza Rais, e cila e kishte njohur politikanin e ri që dukej i prerë sipas stofit Perëndimor. Për të qenë "në rregull" me parlamentarizmin, emri i tij doli nga një tryezë ku morën pjesë dy partitë parlamentare "Rusia e Bashkuar" me Grizllovin dhe "Rusia e Drejtë" me Mironovin dhe dy parti joparlamentare, ajo agrare e ajo demokratike. Medvedjevi, pa humbur kohë, bëri propozimin që pritej. Në rast fitoreje, nëse pranonte, Putini mund të kryesonte qeverinë. Ky tha gjithashtu atë që pritej: Medvedjevi ishte një njeri që ai e njihte mirë, me të cilin mund të bashkëpunohej. Në Rusi vërtet Presidenti ka fuqi e kompetenca të mëdha që ia jep Kushtetuta, por edhe qeveria ka në dorë zbatimin e programeve të zhvillimit, hartimin e ligjeve e të tjera. Ajo që nuk përmendej, ishte se një nga kompetencat e presidentit është se ai mund ta shkarkojë e emërojë kryeministrin kur t'ia dojë kokrra e qejfit. Në garën presidenciale ku veç Medvedjevit, morën pjesë të përhershmit Zjuganov e Zhirinovski, më tepër për të testuar elektoratin e tyre sesa për të fituar si dhe djaloshi Bogdanov që kryesonte një parti demokratike, fituesi dihej me kohë. Aq më tepër kur një rival tjetër potencial, ish-kryeministrit Kasjanov, dikur gati po aq popullor sa edhe Putini, iu mohua kandidimi me pretekstin se në listën e mbështetësve të tij, u gjetën firma të falsifikuara. Mbetej e panjohur nëse përqindja e mbështetësve të Medvedjevit, do të kalonte 2/3 e elektoratit, gjë që doli se ishte punë e kryer. Më 7 maj Putini do t'i dorëzonte atij çelësat e Kremlinit, duke pranuar ato të Shtëpisë së Bardhë ku është selia e qeverisë. Në prill të 2008, ai do të merrte një "çelës" tjetër që do ta fuqizonte edhe më tej pushtetin e ndikimin e tij në Rusi: pranoi të marrë kryesimin e partisë "Rusia e Bashkuar" që, duke kontrolluar 70% të Parlamentit dhe në situatën e mungesës së një opozite të përfillshme nga e majta dhe aq më shumë nga e djathta, duke e përcaktuar veten si "parti centriste", ka gjasa që për një kohë relativisht të gjatë të krijojë në Rusi pushtetin njëpartiak, me një surrogat opozitë. Në ndërkohën midis marrjes së detyrës, Medvedjevi bëri deklarata që nuk kishin asnjë nuancë dallimi nga ato të paraardhësit. Po ato qëndrime të papajtueshme me vendosjen e sistemit antiraketë, të njëjtat deklarata për zhvillimin e ngjarjeve në Kosovë, në sinkron me Serbinë kundër pavarësisë, po ato teza për rrezikun e nxitjes së separatizmit në territorin postsovjetik. Deri tani, ai është shfaqur si një klonim i Putinit. Në një karikaturë të shtypit rus, Medvedjevi para pasqyrës, sheh në të Putinin. Nëse do ta gjejë ose jo një vetvete të denjë për të qenë një drejtues ndryshe apo do të mbetet një klonim, kjo është një pikëpyetje që vetëm ai dhe e ardhmja mund t'i japin përgjigje. (http://www.rilindjademokratike.com)

--

 

Medvedev Gorbaçovi i radhës për Rusinë?

 

 

E vërteta është se askush nuk e di me siguri se si janë dhe në ç'drejtim po shkojnë marrëdhëniet Medvedev-Putin, shkruan Christian Science Monitor.


Sërish duket se Rusisë më së miri i përshtatet thënia e Çërçillit se është "një enigmë e mbështjellë me mister brenda një enigme të madhe".

Vladimir Putin duket se e shpërfilli këtë lloj përshkrimi në maj të vitit 2008. Me t'i mbaruar të dyja mandatet e presidentit, qartësisht dhe qëllimisht, ai e ktheu Rusinë në një "demokraci të menaxhuar", duke penguar të drejtat politike dhe ato të njeriut, duke ndjekur një politikë të jashtme agresive dhe duke rikthyer kontrollin shtetëror mbi korporatat gjigante, veçanërisht ato të naftës dhe gazit.

Megjithatë, misteret ende i mbajnë të mbështjella muret e larta të Kremlinit. Njerëzit brenda dhe jashtë Rusisë pyesin se çfarë drejtimi po merr vendi.

Kjo paqartësi paraqet problem në veçanti për Shtëpinë e Bardhë, e cila është e gatshme të shtypë butonin e rifillimit në raport me Moskën. Shtëpia e Bardhë ka nevojë për Moskën në disa çështje themelore, siç janë: Irani dhe lufta në Afganistan.

Deri para pak muajsh është menduar se Putini, tani kryeministër, është ai që drejton punët e Rusisë. Kurse, presidenti Medvedev, i zgjedhuri dhe i mbrojturi i kryeministrit, është vetëm kone e Putinit. Megjithatë, duket se gjërat nuk janë plotësisht kështu.

Në fjalimet e tij, Medvedevi duket sikur dëshiron ta largojë Rusinë nga modeli i Putinit. Gjatë fjalimeve të tij, përfshirë fjalimin para kombit, paraqitjen para partisë së tij Rusia e Bashkuar, si dhe në manifestin e publikuar në faqen e internetit, Medvedevi ka kritikuar ashpër ato që ka ngritur mësuesi i tij. Padyshim, ai nuk përmendi emra.

Medvedevi kundërshtoi korporatat shtetërore dhe varësinë e sëmurë të Rusisë nga të ardhurat prej burimeve natyrore. Po kështu, shefi i Kremlinit ngriti pikëpyetje dhe mbi stilin e politikës së jashtme ruse.

Jurist me profesion, Medvedevi duket se po përpiqet të shtyjë përpara shtetin ligjor, si dhe i kërkoi partisë së tij Rusia e Bashkuar, që të mësojë të fitojë zgjedhjet në mënyrë të ndershme. Komentet erdhën pas akuzave se zgjedhjet rajonale të tetorit ishin të manipuluara.

Lufta kundër korrupsionit, që veçse thellohet, është lart në listën e përparësive të presidentit rus. Llogaritet se një e treta e prodhimit të brendshëm të Rusisë shkon për të paguar ryshfete.

Të gjitha këto kërkesa bëhen në emër të modernizimit të Rusisë dhe të gjitha mirëpriten nga perëndimi nëse vihen në jetë.

Por, presidenti rus ka marrë pak hapa për të mbështetur në realitet retorikën, që e ka zanafillën që nga fillimi i presidencës së tij. Megjithatë, këtu ia vlen të theksohet urdhri i Medvedevit për hetimin e vdekjes në burg të një avokati, i cili kishte folur gjithmonë për më shumë transparencë në Rusi. Medvedevi ka larguar nga puna këshilltarin e tij për media, njëherësh një aleat i Putinit, për abuzim me detyrën.

Mosveprimi i Medvedevit ka shkaktuar shumë spekulime. A është ai realisht i interesuar për një drejtim ndryshe nga ai i Putinit, apo është thjesht një valvolë e përdorur prej kryeministrit për të kontrolluar frustrimet e publikut?

Ndoshta të dyja ekzistojnë së bashku me qëllim që të kënaqin audienca të ndryshme.

Nga ana tjetër, Putini e mbështeti fjalimin e Medvedevit para kombit, që kërkonte modernizimin e ekonomisë.

E vërteta është se askush nuk e di me siguri se si janë dhe në ç'drejtim po shkojnë marrëdhëniet Medvedev-Putin. Ndoshta dhe ata vetë nuk e kanë shumë të qartë. Gjërat do të jenë më të qarta me afrimin e zgjedhjeve të vitit 2012, zgjedhje në të cilat Putini ka të drejtë të kandidojë sërish për postin e presidentit.

Kjo pasiguri e bën shumë të rrezikshme marrjen e anëve, thjesht duke hamendësuar. Shtetet e Bashkuara nuk kanë zgjedhje veçse t'i qasen kësaj situate të paqartë në mënyrën më të mirë të mundshme; të përpiqen të përfitojnë kur munden, të mbrojnë interesat e të dyja vendeve kur ka vend për një gjë të tillë dhe të kenë mosmarrëveshje kur një gjë e tillë duhet.

Medvedevi mund të jetë Gorbaçovi tjetër i Rusisë e kjo do të ishte pozitive. Megjithatë, mos llogarisni shumë tek ai!

(http://www.evropaelire.org)

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Si i përballoi Putini prapaskenat e oligarkëve të padëshirueshëm (II)Nga Teodor LAÇO (11.26.2009)
Si erdhi Putini në krye të RusisëNga Teodor Laço (11.24.2009)
Ismail Kadare: Letërsia dhe jeta, dy botë në luftë (11.23.2009)
POPULLI I ËNDËRRAVE (11.20.2009)
Revolucioni i mëndafshtë në Çekosllovaki - Figura kyçe Vaslav Havel (11.18.2009)
Numra & simbole (Triptik) (11.14.2009)
Miti Shiler - Si u nderua, tabuizua dhe instrumentalizua (11.12.2009)
9 Nëntori - Dita e Fatit të Gjermanëve (11.09.2009)
Grupet opozitare gjermane që paraprinë rënien e Murit të Berlinit (11.07.2009)
"Normaliteti" i një përbindëshi (11.04.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]