VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Tradhtar dhe i tradhtuarNga Fidelius Schmidt dhe Andreas Ulrich, "Der Spiegel"

                                                                                      

E Martë, 05.07.2024, 03:03pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DOSSIER
 

Tradhtar dhe i tradhtuar

Nga Fidelius Schmidt dhe Andreas Ulrich, "Der Spiegel"


E Djelë, 05.09.2010, 08:36am (GMT+1)

Gjithkush mendonte se Herman Sim e meritonte të dekorohej. Ishte e hënë, 6 shkurt 2006, dhe ai kishte veshur kostumin e tij më të mirë. Ishte ftuar në pallatin presidencial të Estonisë për të marrë titullin "Urdhri i Yllit të Bardhë" për "shërbimet ndaj kombit estonez". Ishte një zgjedhje ironike.

Nuk ishte e vetmja medalje që Sim merrte atë vit për shërbimet e tij. Nderimin tjetër mund ta shihte vetëm ai përmes ekranit të kompjuterit. Sergej Jakovlev, kontakti i tij me SVR-në, shërbimin sekret rus, iu shfaq në ekran për t'i treguar medaljen e tij. Jakovlev ishte i vetmi që po e informonte Simin se ai ishte ngritur në rangun e gjeneral-majorit, pasi kishte furnizuar Moskën me emrat e të gjithë rusëve që punonin si spiunë për NATO-n. Presidenti Putin është shumë i kënaqur, i tha Jakovlev spiunit të tij më të mirë.

Pas vitesh punë, tani Sim ishte në fund të karrierës së tij. Në të vërtetë, në zanatin e tij- spiunazhin- nuk është e pazakontë që të kalosh pleqërinë në një qeli të vogël burgu.

Sim është burgosur në një nga godinat ish-sovjetike, përshtatur në një funksion të ri, në qytetin estonez Tartu. Atje mban veshur një uniformë burgu dhe përpiqet të ngushëllohet me një Bibël. Fotot tregojnë një të moshuar të thinjur, me shikim të trishtuar në sy.

Ky është i njëjti person që NATO, në një raport të klasifikuar prej 141 faqesh, e ka cilësuar si spiunin që ka sjellë më shumë dëme në historinë e Aleancës. Raporti thotë se Sim, si ish-drejtori i Sigurisë në Ministrinë e Mbrojtjes së Estonisë, kishte akses në dokumentet më të klasifikuara të NATO-s, që kishte marrë vendi i tij pas anëtarësimit në Aleancë në vitin 2004. Deri në arrestimin e tij në shtator 2008, mendohet se ai ka dorëzuar me mijëra dokumente tek rusët. Disa prej tyre përmbanin informacione të ndjeshmërisë së lartë në lidhje me politikat sekrete të mbrojtjes së NATO-s, "përfshi instalimin, mirëmbajtjen, dhe përdorimin e sistemeve kriptografike".

28 shtete të NATO-s ndajnë sekretet

Sipas raportit të klasifikuar të NATO-s, mjeshtri i spiunazhit kishte kompromentuar një numër shumë të madh raportesh e analizash të inteligjencës së NATO-s, përfshi dhe ato që lidhen me luftën ndaj terrorizmit, planet sekrete ushtarake dhe kundër-spiunazhin. Kurrë më parë, përfundon analiza e NATO-s, një spiun nuk kishte spiunuar kaq shumë sekrete ushtarake në një kohë kaq të gjatë.

Sigurisht Sim nuk është i vetmi spiun në historinë e NATO-s. Për vite me radhë Rajner Rup, një gjermano-perëndimor, i njohur me pseudonimin "Topaz", furnizonte me informacione Stasi-n, policinë sekrete të Gjermanisë Lindore. Oficeri francez Pierr-Henri Bunel furnizonte ish-Jugosllavinë me planet e bombardimit të NATO-s gjatë luftës në Kosovë. Dhe Daniel Xhejms, që punonte si përkthyes personal i një gjenerali britanik, kishte dorëzuar informacione mjaft të ndjeshme për operacionet ushtarake në Afganistan tek Irani.

Megjithatë, rasti i Simit tregon se sa shumë po rrezikon Aleanca duke u shtrirë gradualisht në Lindje pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Secili nga 28 shtetet anëtare tanimë ka akses në shumë nga informacioni i klasifikuar i Aleancës. Për ekspertët, kjo është mjaft shqetësuese. Por akoma më shqetësues është fakti se anëtarët e vjetër- besimi i të cilëve varej në një sistem krejt tjetër politik- tani punojnë me aparate sigurie të disa shteteve të reja anëtare. Me fjalë të tjera, me njerëz si Herman Sim.

Një ngjitje e shpejtë në pushtet

Sim u lind në maj të vitit 1947, në një qytet të vogël estonez të quajtur Suure- Jaani. Kur ishte vetëm dy vjeç, nëna e tij mezi i shpëtoi operacioneve të pastrimit etnik nga Stalini dhe deportimit në Siberi. Menjëherë pas kësaj, ajo u martua dhe e la të birin që të rritej me gjyshen dhe hallën. Në shkollë ai cilësohej ambicioz, punëtor dhe që përshtatej lehtë.

Në vitin 1966, kur Sim po studionte kimi në Talin, ishte dëshmitar i një përplasje mes një grupi të rinjsh dhe policies, përballë një kinemaje. Ai ndërhyri dhe, me ndihmën e tij, policia ia doli që të mposhtte grupin e të rinjve. Oficerët u habitën me qëndrimin e tij, që zgjodhi të ndihmonte policinë. Kështu që ata i ofruan një punë. "Ishte fillimi i karrierës së tij në shërbimin sekret sovjetik, KGB," thotë gazetari Mikel Karmas, që ka përgatitur dhe dokumentarin "Një spiun brenda" për jetën e Sim.

Sim e mbajti sekret punën e tij nga familja. Halla, që ishte persekutuar nga Stalini, u tmerrua kur e zbuloi këtë fakt.

Sim vijoi një karrierë të shpejtë në polici. Në vitin 1975 ai u diplomua me nderime në Akademinë e Ministrisë së Brendshme të Bashkimit Sovjetik. Natyrisht ai u bashkua me Partinë Komuniste- një hap i nevojshëm, nisur nga fakti se puna e tij përfshinte shoqërimin e delegacioneve jashtë vendit dhe këto punë rezervoheshin për njerëz të besueshëm politikisht. Bija e tij lindi në vitin 1974 si rezultat i një lidhje me një stjuardesë. Sot ajo punon si specialiste kompjuterash në Europol, autoriteti i policisë europiane.

Kohërat ndryshojnë


Kur Bashkimi Sovjetik nisi të binte, Sim ishte kolonel dhe deri në atë moment kishte marrë 44 çmime, përfshi të tre medaljet për sjellje të jashtëzakonshme. Por bota e tij e vjetër nuk ekzistonte më. Kur Estonia, një ish-republikë sovjetike, u bë e pavarur në vitin 1991, KGB kishte braktisur zyrat e saj në Talin dhe kishte shkëputur të gjitha lidhjet zyrtare me Simin.

Por, për habi, Sim u bë kampion i pavarësisë së Estonisë. Kur fanatikët komunistë sulmuan godinën e parlamentit dhe selinë e qeverisë në kodrat Tompea, në qendër të Talinit në maj 1990, Sim mori përsipër të organizonte mbrojtjen e tyre. Më pas, ai u brohorit si një hero- dhe zërat se ai kishte ndihmuar rusët në mënyrë sekrete, u fashitën.

Në këtë pikë, Sim nisi sërish të avancojë në karrierë. Ai u bë shef policie në kontenë Harju, që përfshin dhe Talinin, ku mbikqyri tërheqjen e Ushtrisë së Kuqe dhe siguroi çarmatimin e mbushjeve nukleare ruse. Në vitin 1994, ai u ngrit në detyrë dhe u bë drejtuesi i policisë estoneze. Por vetëm pas gjashtë muajsh ai u shkarkua pas akuzave për korrupsion, të cilat ai i mohoi me forcë. Atij iu ofrua një detyrë në një pozicion më të ulët, por e refuzoi dhe doli në pension.

Ri-rekrutimi nga pasuesit e KGB-së


Në korrik 1995, pas ndarjes me të dashurën e tij, njëzet vjet më të re, Sim bëri një udhëtim spontan në Tunizi. Ndërsa ishte atje, sipas Sim, një kontakt i vjetër nga ditët e KGB-së iu afrua dhe i tha: "Jam unë, Valentini".

Valeri Zentsov- pseudonimi "Valentini"- kishte lindur në Berlin në vitin 1946. Si Sim, edhe ai kishte ndjekur universitetin në Talin, dhe kishte nisur karrierën në KGB në moshë të re. Megjithëse zyrtarisht ai doli në pension në Rusi në vitin 1991, një raport i klasifikuar i NATO-s bën me dije se ai ishte përfshirë gjatë kësaj periudhe në ngritjen e një rrjeti agjentësh në shtetet balltike.

Sim thotë se fillimisht i kishte rezistuar përpjekjeve të Zentsovit për ta rekrutuar. Por, kishte thënë ai ato ditë, unë ndjehem i pavlerë. "Mos u shqetëso," i kishte thënë Zentsov- përpara se ta kërcënonte se do i bënte publike të kaluarën e tij. Katër birra më vonë, Sim kishte kërkuar që t'i kthehej grada e kolonelit, në mënyrë që të kthehej në shërbim. Që nga ai moment, ai ishte agjent i SVR, agjencisë ruse të inteligjencës së huaj dhe një nga agjencitë që pasoi KGB-në.

Sërish në lojën e spiunazhit

Kjo është ajo që pretendon Sim. Por hetuesit e NATO-s mendojnë se ai nuk reshti kurrë së qeni një agjent, dhe se ai qëndroi në Estoni si një "i fjetur" për tu përgatitur për karrierën pasuese.

Menjëherë pas kthimit nga Tunizia- dhe pa asnjë paralajmërim- Sim u caktua në Ministrinë e Mbrojtjes së Estonisë. Atje iu dha papritur detyra e drejtorit të sektorit të analizës. Pjesë e punës së tij ishin kontaktet me Bashkimin Europian dhe NATO-n dhe përgatitja e vendit të tij për tu bashkuar me Aleancën perëndimore të mbrojtjes.

Në të njëjtën kohë, ai në mënyrë sekrete dorëzonte gjithçka që i binte në dorë- në formë fotokopjesh apo fotografish. Zentsov i kishte dhënë atij instruksionet precize. Për momentin i ishte thënë që materialet t'i fuste në kuti boshe kartoni- të kuqe ose portokalli- dhe t'i hidhte si plehra. Ai dhe kontakti rus ishin takuar 16 herë në dhjetë vende të ndryshme.

Gjatë kësaj kohe, Sim ishte vetëofruar që të sillte informacione për shërbimin sekret gjerman (BND), dhe u bë informator i tij. Ai e mbante në korrent BND-në me aktivitetet e organizatave kriminale në shtetet balltike dhe paguhej mirë për këtë.

Një tregtar i ri

Në korrik 2001, Sim u martua me Hetën, një ish-oficere policie sovjetike, e cila po ashtu kishte pasur një karrierë mahnitëse pas Luftës së Ftohtë. Ajo tanimë drejtonte departamentin ligjor në polici. Ajo shpesh e shoqëronte atë në udhëtimet jashtë vendit. Gjatë një takimi në Helsinki në nëntor 2001, Zentsov i dha lamtumirën. Ai po dilte në pension dhe personi i kontaktit do të ishte një person i quajtur Antonio Amuret se Jesus Graf.

Ky ishte emri portugez në pasaportën e falsifikuar. Emri i vërtetë ishte Sergej Jakovlev, dhe ishte një oficer i SVR, i paregjistruar në asnjë ambasadë. NATO beson se Jakovlev menaxhonte një rrjet të tërë agjentësh rusë në Balltik. Sim dhe Jakovlev u takuan së pari në një stacion treni në rrethinat e Talinit. Sim mbante një çantë mbi shpatulla- një shenjë që zona ishte e pastër.

Marrëdhënia e Simit me kontaktin e ri ishte e ftohtë, por profesionale. Sim merrte rrogën standarde të një agjenti, rreth 1 mijë euro në muaj, plus 200 euro siguracion shëndetësor. Jakovlov e pajisi gjithashtu me një kamera dixhitale, një laptop, një usb. Sim fotografoi, kopjoi dhe ruajti mijëra dokumente. Ai i dorëzonte materialet në 14 takimet e tij gjithandej nëpër Europë, përveç Britanisë së Madhe (shumë kamera), Norvegji (shumë e shtrenjtë) dhe Gjermani (shumë kontakte policore).

Përpara secilit takim, Sim dërgonte një kod numerik përmes një telefon publik në biperin e Jakovlov. Kodi kishte numrin e identifikimit, 242, dhe numrin 55, që tregonte se takimi do të zhvillohej siç ishte rënë dakort. Nëse do kishte ndonjë problem, Sim supozohej të fuste numrin 77. Por nuk pati kurrë probleme.

Goditje inteligjence

Estonia u bë anëtare e NATO-s më 29 mars, 2004. Sim ngriti Autoritetin e Sigurisë Kombëtare, një department në Ministrinë e Mbrojtjes së Estonisë. Në pozicionin e ri, ai vendoste se kush do kishte akses në dokumente. Natyrisht ai ishte përgjegjës për menaxhimin dhe mbrojtjen e dokumenteve të klasifikuara, sistemin e transmetimit të sigurt të të dhënave me NATO-n dhe BE-në, dhe mbështeste sigurinë e zyrtarëve.

Kontaktet ruse të Simit ishte veçanërisht të interesuar në teknologjinë e kriptimit, dhe ai dërgoi aq shumë informacion, sa më vonë NATO do arrinte në përfundimin se aktiviteti i Simit e kishte bërë aleancën "më vulnerabël ndaj sulmeve dhe kërcënimeve sibernitike" për shkak se "pikat tona të dobëta njihen shumë mirë nga kundërshtarët". Vala tre javore e sulmeve sibernitike në Estoni në vitin 2007, që praktikisht paralizoi vendin, nxori në pah se sa e rëndë mund të bëhej situata.

Gjatë kësaj kohe, shumica e detyrave zyrtare të Simit përqendrohej në kërkimin e kandidatëve për spiunë. Atij i ishte kërkuar që të gjente përgjigje për mbi 60 pyetje për kandidatët, përfshi njërën në lidhje me hobitë e tyre apo dobësitë e mundshme për makina, gra e alkool.

Raporti i NATO-s e quan veçanërisht shqetësuese praninë e Sim në konferencat vjetore të sigurisë në zyrat ushtarake të Aleancës në Mons, Belgjikë, si dhe në dy konferenca kundërspiunazhi në vitin 2006 e 2007.

Gjatë një konference në qytetin holandez Brunsum në vitin 2006, një CD me emrat e të gjithë spiunëve - të njohura e të dyshuar- të NATO-s brenda Rusisë, iu dorëzua të pranishmëve. CD përfundoi direkt në tryezën e Putinit, dhe gati sa nuk shkaktoi trazira në Moskë, thotë Jakovlev, dukshëm ky një kompliment për spiunin. Për këtë goditje, Sim mori një bonus prej 5 mijë eurosh dhe iu tha se ishte graduar gjeneral- major.

I kapur

Sipas dokumentit të klasifikuar të NATO-s, ky akt tradhtie e dëmtoi shumë rëndë Aleancën. Në një kohë të shkurtër, kundërspiunazhi perëndimor ngriti dyshime për Simin. Si ndodhi kjo, është ende e paqartë. Hetimet, ku u përfshinë BND dhe FBI, filluan më 26 maj 2008 me emrin e koduar "Kalorësi i Bardhë". Sim, që në atë kohë ishte këshilltar i ministrit të Mbrojtjes në Estoni, u vendos nën vëzhgim.

Më 16 shtator 2008, duke thyer hapur rregullat e sigurisë, kontakti i Simit e telefonoi në celular. Kurrë më parë nuk kishte pasur kontakte kaq të hapura. Gjatë telefonatës, ai anuloi një takim të planifikuar. "Jam sëmurë," tha ai gjatë bisedës, që u regjistrua nga policia e sigurisë së Estonisë.

Tre ditë më vonë, litari në qafën e Sim u ngushtua më shumë. Për ditë më radhë ai kishte qenë nën vëzhgim konstant. Pasdite, ai dhe gruaja e tij kishin shkuar në një qendër tregtare në Keila, një qytet i vogël pranë vilës së tyre në Saue. Aty do blinte ëmbëlsira për vjehrrën. Ai u arrestua ndërsa hipte në makinë. Një ambulancë ishte parkuar në një qoshe në rast se ai do bënte rezistencë. Por nuk bëri.

Në shtëpinë e tij në fshat policia gjeti mjetet e spiunazhit: dokumente të klasifikuara, dy pistoleta, dy pushkë dhe disa letra me instruksione nga Jakovlev. Jakovlev nga ana e tij ishte zhdukur pa gjurmë, më vonë u përfol se mund të ishte arratisur në Shtetet e Bashkuara.

Vendimi

Më 25 shkurt 2009, Sim u dënua me 12 vite burg. Gjithashtu u dënua me një gjobë prej 1.3 milion euro si dhe me detyrimin për t'i kthyer pagat në një vlerë prej 85 mijë euro.

Disa shtëpi dhe prona iu sekuestruan si kolateral, përfshi gjysmën e shtëpisë në fshat dhe pjesën e tij në vilën në Saue.

Një vit përpara arrestimit, ai i dhuroi një shandan kishës së vendlindjes së tij. Dhurata nuk i solli fat. Edhe shpresa për të kaluar vite të arta si një gjeneral në pension në Rusi, doli një iluzion. Në takimin e fundit, Jakovlov e kishte informuar se gradat dhe medaljet nuk kishin ekzistuar kurrë- dhe ai nuk kishte qenë veçse një tradhtar i paguar.

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Njëqindvjetori i lindjes së Presidentit Ronald Regan dhe miqësia e tij me Nënë TerezënNga Frank SHKRELI (05.01.2010)
Ministrja e parë me origjinë turke - Politikanët gjermanë me origjinë të huaj janë raste të rralla (04.30.2010)
EVA BRAUN - GJYSMA TJETËR E QIELLIT TË ZI (04.28.2010)
Timoshenko: Ukraina nuk është në shitje (II) (04.27.2010)
PËRLESHJE NË PARLAMENTIN UKRAINAS (04.27.2010)
Leman Mal'osmani: Jeta ime me Ismailin në vitet e mjerimitNga Fatmira Nikolli (04.24.2010)
Olimpiada e gjermanishtes - traditë e gjallë në Shqipëri (04.22.2010)
QINDRA MIJËRA PELEGRINË SHKOJNË NË TORINO TË SHOHIN PËLHURËN E QEFINIT TË JEZUIT (04.20.2010)
Vendlindja e Mark Tuenit kujton shkrimtarin e madh amerikan (04.18.2010)
Edukata fetare në Kosovë (04.17.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]