VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Leman Mal'osmani: Jeta ime me Ismailin në vitet e mjerimitNga Fatmira Nikolli

                                                                                      

E Martë, 05.07.2024, 06:58am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DOSSIER
 

Leman Mal'osmani: Jeta ime me Ismailin në vitet e mjerimit

Nga Fatmira Nikolli


E Shtunë, 04.24.2010, 08:05pm (GMT+1)


Dje u përkujtua në një ceremoni në Bibliotekën Kombëtare 100-vjetori i lindjes së botuesit Ismail Mal'Osmani.

23 Prilli, Dita Botërore e Librit, e cila festohet për të nëntin vit radhazi në Shqipëri, kishte këtë vit në qendër të saj pikërisht botuesin e viteve '30-'40. Drejtori i BK-së, Aurel Plasari tha se "në qendër të veprimtarisë kushtuar kësaj dite, ndryshe nga zakonisht, është zgjedhur një botues". Për Plasarin, "pa botuesit, autorët do të shkruanin vetëm për veten". Më tej ai deklaroi se "librat e Mal' Osmanit janë të një cilësie të jashtëzakonshme si; 'Liza në botën e çudirave', 'Princi i kaltër' i Oskar Wild'.

Në ceremoni morën pjesë edhe zv/ministrja e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Suzana Turku, e cila tha se "brezat e rinj duhet ta njohin se kush ka qenë Ismail Mal'Osmani". Botuesi i viteve 1930-1940, u vlerësua edhe nga kryetari i Shoqatës "Tirana", Arben Tafaj, i cili e nderoi atë me titullin "Fisnikëria e Tiranës". "Ismail Mal'Osmani dha një mesazh shumë të madh për periudhën në investimin për fushën e librit, si dhe për fjalën e lirë. Të gjitha këto së bashku kanë lënë një gjurmë të madhe në ruajtjen e vlerave historike të kombit", - theksoi Tafaj.

Në këtë aktivitet, për të nderuar figurën e botuesit të viteve '30-'40 u promovua libri "Ismail Mal'Osmani- Njeriu i Librit", nga autori Spiro Mëhilli. Pasi autori foli për librin, fjalën e mori zonja Leman Mal'Osmani, e veja e botuesit. Ajo i dhuroi Bibliotekës Kombëtare librin "Gremina e dashunisë", e autorit Mustafa Grablleshi, si dhe një dosje të gazetës "Trumbeta e Krujës" e autorit Faik Konica, që daton 1913-ën. Në fund u përurua edhe ekspozita retrospektive, ku u paraqitën disa nga botimet e tij, si "Liza në botën e çudirave", "Pasqyra e thyer", "I funtmi i Kastriotëve", por edhe pamje nga qyteti i Tiranës së asaj kohe, ilustrime nga librat (reklamat, procesverbalet), sigla e botuesit, shkrime të tij në shtypin e kohës etj.


Në vitin 1954 Ismail Mal'Osmani, nje riu i librit, martohet me një vajzë nga Durrësi. Nuk ishin ditët e tij më të mira. Shtypshkronja i qe shtetëzuar. Nuk gëzonte më 'privilegjin' e të qenit botues. Ato kohë kishin perënduar e të tjera kishin lindur në të gjithë Lindjen. Megjithatë, ai ishte një njeri me horizont të gjerë, kulturë e formim tjetër. Në takimin e parë me bashkëshortin, Lemanit do t'i pëlqente tek ai intelekti, zgjuarsia, eleganca dhe bukuria. Edhe pse në moshë të re, ajo do të dinte t'i qëndronte pranë një njeriu me të cilin kishte diferencë moshe, e kjo në kushte mjerimi nën regjimin komunist. Sot, kur shënohet 100-vjetori i lindjes së tij, që u përkujtua në Ditën Botërore të Librit, Lemani e përlotur kujton 33 vitet e jetës me të.


Si u njohët me Ismailin?


Unë isha një vajzë nga Durrësi, lindur e rritur në një familje intelektuale. Më prezantuan me të dhe më pëlqeu shumë nga biseda që bëri. Dukej që ishte një njeri me shije, me dije dhe me edukatë. Natyrisht që më pëlqeu edhe fizikisht. Ismaili ishte një djalë i pashëm, serioz dhe me një buzëqeshje mjaft të bukur. Ishte një djalë që të bënte për vete, elegant që nga mënyra e të folurit deri në detaje. Ishte i veçantë që nga mënyra se si të jepte dorën.


Kur jeni martuar me të, e sa vite keni jetuar bashkë?
Unë kam jetuar me të 33 vite dhe jam martuar në vitin 1954.


Ju ka folur për punën e tij si botues?
Kur u martova me të, ai ishte i papunë. Shtëpinë botuese e kishin shtetëzuar. Po kalonte vitet e mjerimit. Unë erdha nga Durrësi në Tiranë dhe isha e papunë. I thashë që do të punoja, por ai më tha se kur ta merrnin vesh gruaja e kujt isha, nuk do të më punësonin. Kemi pasur shumë vështirësi ekonomike. Ne blemë dy lopë, të cilat i kullosnim nëpër rrugët e Tiranës. Me lekët që fitonim nga shitja e qumështit, u munduam të jetonim. Shumë vonë e thirrën në punë dhe ai e pranoi menjëherë. Në atë kohë fillova edhe unë punë dhe i shitëm lopët. Ka qenë njeri me dimensione të qarta. Me gjithë diferencën e moshës që kishim ne të dy, ai diti të përshtatej me mua. Sigurisht, edhe unë bëra timen. Kam bërë një jetë të bukur, pavarësisht nga vështirësitë ekonomike.


Ai nuk kishte probleme drejtpërdrejt më regjimin e kohës. Përse u "persekutua" prej tij?
Ai nuk u mor me politikë, por kjo i erdhi sepse ishte njeri i përveçëm, duke qenë se kishte tjetër botëkuptim. Ai nuk dukej si shqiptar. Pati sjellje europiane, qe njeri i librit, i rregullit e disiplinës. Ai binte në sy për shkak të kulturës.


Ju ka thënë ndonjëherë se ndihej keq për këtë që kishte ndodhur?
Asnjëherë. Njëherë më pati pyetur nëse më vinte keq se ishte i papunë dhe i thashë që jo. E dija se ai ishte punëtor dhe se papunësia e tij s'varej nga ai, por nga një gjë më madhore, të cilën Ismaili s'e kishte në dorë.


Cili ishte raporti i tij me librin nën komunizëm?
Ai e donte shumë librin dhe i vinte keq që më shtetëzimin e shtëpisë botuese ia morën edhe librat. Megjithatë, edhe pse në një gjendje të vështirë ekonomike, ai çdo muaj blinte libra. I vinte keq kur në to shihte gabime.


Ka njohur nga afër shumë shkrimtarë shqiptarë mjaft të njohur. Ju ka folur për ta?
Po, më fliste. I donte shumë që të gjithë dhe ishte shumë korrekt me ta.


Çfarë ju ka thënë për Migjenin?
Kishte një debulesë të madhe për të. Ka qenë shkrimtar i mirë edhe pse jetoi shumë pak, edhe pse jetoi në kushte të vështira. Shkrimet e tij zënë vendin e parë. "Njeri për t'u marrë shembull është Migjeni. Sepse ai jeton në një skaj të vendit, në një fshat të thellë të Pukës dhe megjithatë, krijon mirë e shkruan bukur. Asnjëherë nuk vishet në mënyrë të papërshtatshme për rastin ku merr pjesë. Mënyra e paraqitjes së tij tregonte kulturë", këto më ka thënë, që i mbaj mend tani. Biseda e tyre bashkë ka qenë rreth librave, ishin të kujdesshëm që të dy për të. Për botimin e "Vargjeve të lira", pas vdekjes së Migjenit, Ismaili ka kontaktuar motrën e tij, Ollgën.


A ka shkruar vetë ai?
Vetë? Jo nuk shkruante.


I ka mbetur ndonjë gjë peng?
Nuk mendoj. Edhe pas vështirësive, ai kishte një familje, dy fëmijë, Dashamirin dhe Eldën dhe ishte i kënaqur.


Ai vdiq në vitin 1983. Sa e keni përjetuar humbjen e tij?
E kam vuajtur shumë sepse e kisha shok, bashkëshort dhe mik. Ka qenë familjar i mirë dhe njeri i mençur. Meqenëse ishte vetë shumë i rregullt, këtë kërkonte edhe në familje, herë me elegancë e herë të tjera edhe më strikt, e kështu i edukoi fëmijët.

(http://www.balkanweb.com)

Fatmira Nikolli


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Olimpiada e gjermanishtes - traditë e gjallë në Shqipëri (04.22.2010)
QINDRA MIJËRA PELEGRINË SHKOJNË NË TORINO TË SHOHIN PËLHURËN E QEFINIT TË JEZUIT (04.20.2010)
Vendlindja e Mark Tuenit kujton shkrimtarin e madh amerikan (04.18.2010)
Edukata fetare në Kosovë (04.17.2010)
Një bilanc mesatar - Papa në dialog me myslimanizmin dhe hebraizmin (04.15.2010)
"Për një shtet të fortë me vlera kombëtare" - Portret i presidentit të vdekur polak Lech Kaczynski (04.11.2010)
Në Kosovë shënohet sot dyvjetori i miratimit të Kushtetutës së Kosovës (04.09.2010)
Craig Venter dhe zbërthimi i gjenomit njerëzor 10 vjet më parë (04.08.2010)
Topat e Çeçenisë, rrënjët e një lufte "asimetrike"/Kaukazi po ndizet flakë (04.05.2010)
IU SHËRBEU TETË PRESIDENTËVE, NGA TRUMANI TEK REGANI (04.03.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]