VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - MADOFF, I BURGOSURI MË I FAMSHËM NË AMERIKË

                                                                                      

E Mërkurë, 05.15.2024, 06:48pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DOSSIER
 
MADOFF, I BURGOSURI MË I FAMSHËM NË AMERIKË
E Martë, 06.15.2010, 07:51am (GMT+1)

Qysh ditën që Bernard Lawrence Madoff, i burgosuri Nr. 61727-054, arriti në oborrin e dy ndërtesave të sigurisë mesatare të Butner në pranga dhe zinxhirë, me barkun e njeriut të pasur të rënë, ai qe njeri i famshëm, edhe pse admiruesit e tij tani qenë vrasës

Gushtin e kaluar, pak pas mbërritjes së tij në kompleksin penitenciar federal në Butner të shtetit North Carolina, Bernard L. Madoff po priste radhën e tabletës së natës për mjekimin e tensionit kur dëgjoi një tjetër të burgosur të thërriste emrin e tij. Madoff, atëherë 71-vjeçar, autor i skemës Ponzi më shkatërrimtare në histori, ishte i veshur si çdo i burgosur tjetër, me një prej tri palëve të pantallonave standard, emrin dhe numrin e shënuar mbi xhepin e këmishës. Pajdosi, koha më e mirë e ditës të një të burgosuri, po mbaronte dhe Madoff, të cilit i pëlqente të ecte në rrugën e shtruar me zhavorr, nganjëherë me Carmine Persico, ish-bosin mafioz, apo me Jonathan Pollard, spiunin, kishte nxituar drejt infermierisë, duke kaluar dhomën e izolimit nëpërmjet palestrës dhe gardhit 4 metra të lartë, duke u kthyer në drejtim të Maryland, njësia ku pedofilët izolohen pasi kanë kaluar afatet e tyre të burgimit. Si zakonisht, radha mjekësore qe e gjatë dhe lëvizte ngadalë. Ndodheshin 100 të burgosur, disa që qëndronin jashtë në të nxehtë, duke pritur për një infermiere.

Madoff ishte mësuar t'i dëgjonte të burgosurit e tjerë ta përmendnin emrin e tij. Prej 14 korrikut, ditës që kishte ardhur, ai kishte qenë një objekt tërheqës. Të burgosurit e kishin ndjekur plot dëshirë karrierën e tij kriminale në televizorin e burgut. "Hej, Bernie", do ta thërriste një i burgosur plot admirim teksa po kryente punën e tij të pastrimit me fshesë tek kafeteria. "Të kam parë në televizor". Duke ia kthyer, Madoff tundi kokën dhe ia bëri me dorë, duke i dhuruar një gjysmëqeshje si prej sfinksi. "Çfarë tha?", pyeste nganjëherë.

Por, atë mbrëmje një i burgosur e ngacmoi Madoff rreth viktimave të skemës 65 miliardëshe të tij. Sipas K.C. White, një vjedhës bankash dhe artist burgu që po shoqëronte një shok të sëmurë atë mbrëmje, Madoff e ndali të qeshurën dhe u zemërua. "Pirdhu megjithë viktimat", tha ai, me zë të lartë sa të dëgjonin edhe të tjerët. "I mbajta për 20 vjet dhe tani po vuaj 150 vjet".

Për Bernie Madoff, të jetuarit e një gënjeshtre dikur kishte qenë punë me kohë të plotë, që bartte me vete një ankth konstant e cfilitës. "Ajo punë qe një tmerr për mua", u tha ai hetuesve, duke e përdorur fjalën në mënyrë të përsëritur, sikur të ishte ai viktima reale. "Do të doja që ata të më kapnin 6 vjet më parë, 8 vjet më parë", u tha atyre në një seancë pyetjesh pak të rënë në sy.

Kështu, burgu i ofroi Madoff një masë lehtësimi. Edhe ndalimi i parë i tij, qelia e izolimit e Metropolitan Correctional Center (MCC), ku ai qëndronte për 23 orë me radhë çdo ditë, qe një lloj shtëpie pushimi. Ai nuk do t'ia kishte më frikën trokitjes në derë që do t'i sinjalizonte "se gjithçka mori fund", siç e thotë ai, dhe nuk duhet të shprehte më atë që nuk ndjente. Bernie mund të ishte vetvetja. John Bowler, ish-shoku i qelisë së Pollard, kujton një bisedë midis Pollard dhe Madoff: "Bernie po tregonte historinë e një plake. Ajo po e bezdiste për paratë e saj, kështu që ai i thotë "ja ku i ke paratë" dhe i dha një çek. Kur e pa shifrën e shkruar në të, ajo i thotë "Kjo është e pabesueshme. Merre" dhe i nxiti miqtë e saj që të investonin".

Pollard mendonte se po të përfitoje nga plakat ishte "një lloj gabimi".

"E po kjo është ajo që bëja", tha prerë Madoff.

"Do ta paguash me Zot", e paralajmëroi Pollard.

Madoff qe i palëkundur. Ai ishte ngopur duke kërkuar falje. Në burg ai formësoi versionin e tij të ngjarjeve. Nga MCC, Madoff shpjegoi kurthin në të cilin ndodhej. "Njerëzit thjesht hidhnin para tek unë", i rrëfeu Madoff një konsulenti burgu që e këshillonte sesi të duronte jetën e burgut. "Disa njerëz donin të investonin dhe, nëqoftëse u thoja jo, ata më thonin "Çfarë? Nuk jam i mirë sa duhet?". Një ditë Shannon Hay, një trafikant droge që jetonte në të njëjtin bllok të Butner si Madoff, e pyeti rreth krimeve të tij. "Ai më tregoi anën e tij. Ai merrte para nga njerëz që qenë të pasur e tahmaqarë dhe donin akoma më shumë", thotë Hay, i cili u lirua në dhjetor. Me fjalë të tjerë, njerëz që e meritonin atë.

Siç ndodh, ekziston nderim midis hajdutëve, një fakt që funksionoi më së shumti në favor të Madoff. Në kontekstin e burgut, ai nuk është kancer për shoqërinë. Ai është sukses, i admiruar për arritjet e mëparëshme të tij. "Një hero", shkroi Robert Rosso, një i dënuar me burgim të përjetshëm, në një uebsajt të menaxhuar prej tij të quajtur convictinc.com. "Ai është padyshim mashtruesi më i madh i të gjitha kohëve".

Qysh ditën që Bernard Lawrence Madoff, i burgosuri Nr. 61727-054, arriti në oborrin e dy ndërtesave të sigurisë mesatare të Butner në pranga dhe zinxhirë, me barkun e njeriut të pasur të rënë, ai qe njeri i famshëm, edhe pse admiruesit e tij tani qenë vrasës dhe njerëz që kishim kryer krime seksuale. Kompleksi penitenciar Butner, që përfshin katër burgje dhe një qendër mjekësore, tashmë ka pjesën e tij të mbretërve të krimit. Pollard, izraeliani i famshëm që spiunonte për atdheun hebre, jetonte në bllokun e Madoff, në Clemson (fjetoret i kanë emrat sipas kolegjeve të Konferencës së Bregut Atlantik). Persico, ish-kumbari i familjes Colombo, jeton në Georgia Tech e afërt. Omar Ahmad-Rahman, sheiku i verbër që ndihmoi të realizohej bomba e vitit 1993 në World Trade Center, është në Butner. Dyshja Rigas nga Pennsylvania, babai dhe djali që falimentuan kompaninë Adelphia Communications Corporation, janë aty - ata veshin uniforma kreko të hekurosura, për të cilat të burgosurit mendojnë se paguajnë të tjerë për t'i mbajtur.

Si edhe në këtë turmë, Madoff dallohet

Megjithatë, edhe në këtë turmë, Madoff dallohet. Çdo i burgosur kujton ditën kur erdhi ai. "Ishte sikur po bënte vizitë Presidenti", më thotë një vizitor atë ditë në Butner për vizitë. Helikopterët e televizioneve zhurmonin sipër kokave dhe administrata bllokoi pjesë të burgut, duke i futur disa të burgosur në blloqet e tyre.

Me shpejtësi, fluksi shkoi tek Madoff. Nga momenti që zbriti, ai pati "fansa", sipas shumë të burgosurve. Të burgosurit e ndiqnin nga prapa teksa ushtrohej rreth pajdosit. (Persico gjithashtu kishte tërhequr një turmë kur kish ardhur, por iu shpif dhe menjëherë e ndaloi). "Ata i bënin lajka", më tha një ish i burgosur. "Secili përpiqej që t'i puthte bythën", thotë Shawn Evans, i cili kaloi 28 muaj në Butner. Bile kërkuan edhe autograf prej tij.

Madoff zakonisht qe më se i gëzuar që t'u përgjigjej. "Atij i pëlqente fakti i të qenit njeri i famshëm", thotë Nancy Fineman, një avokate të cilës Madoff i dha një intervistë pak kohë pas ardhjes në Butner. (Fineman përfaqëson viktimat që po padisin disa prej "ndihmësave dhe bashkëpunëtorëve" të Madoff, siç i quan ajo). Madoff u duk i befasuar dhe i mikluar nga trajtimi madhështor, megjithëse refuzonte me vendosmëri që të nënshkruante ndonjë gjë. Edhe në burg, ai nuk do ta zbehte famën. "Ishte i sigurtë se ata do t'ia shisnin në eBay", tha Fineman. "Ai ka akoma një ego të madhe".

Për t'u habitur, kjo ego duket se ka mbijetuar e paprekur. H. David Kotz, Inspektori i Përgjithshëm i Security and Exchange Commission (SEC), e hetoi falimentimin e agjencisë së tij për të zbuluar skemën Ponzi të Madoff dhe ky i fundit doli vullnetar që të fliste me të - "Padyshim që ai është eksperti më i shquar i botës lidhur me subjektin në fjalë. Ai menjëherë e kujtoi Kotz për staturën e tij". "Shkruaj një pjesë të mirë të rregullave kur vjen puna tek tregtia", tha Madoff. Ai këmbënguli se kishte qenë "një tregtar i mirë" me një strategji solide, duke shpjeguar se kishte hyrë në bela për shkak të suksesit të tij. Hedge fund, "thjesht shitës", thotë ai me përçmim të dukshëm, hidhnin para tek ai. Ai u angazhua deri në fyt, mbeti prapa dhe gjeneroi disa shkëmbime imagjinare, duke menduar se ia kishte hedhur - kurrë nuk ia hodhi. Cilado qofshin hapat e gabuara të tij, Madoff e ruajti përbuzjen e tij për SEC-in. Përshtypja që dha ai për agjentët e tij, ishte se ata shtriqeshin me duart prapa koke siç bënte një agjent serioz "një njeri që vjen sikur të jetë togeri Columbo, por që ishte realisht një idiot", thotë Madoff, siç regjistrohet në provën e jashtëzakonshme 104, një dokument 12 faqesh i intervistës që është pjesë e raportit të Kotz. Madoff nuk është ironik. Përbuzja e tij për SEC është profesionale, edhe pse paaftësia e agjencisë i ka shpëtuar lëkurën për vite me radhë - "Gjithçka Columbo duhej të bënte ishte një telefonatë. Është llogaria 101", i thotë Madoff Kotz, akoma i mahnitur.

Egoja e Madoff u shfaq edhe në burg. "Bernie shëtiste nëpër burg plot besim në vetvete", thotë ish i dënuari Keith Mack, duke shtuar me një grimasë zemërimi, "ai sillej sikur kishte mundur botën". Dhe për shumicën e të burgosurve ai e kishte mundur atë. Shumë - dhe unë komunikova me më shumë se dy dyzina të burgosur aktualë dhe të kaluar të Butner (megjithëse jo Madoff) - mund të tregojnë me detaje historitë e arritjeve të tij, një numër i mirë prej tyre i lidhur me vetë Madoff. "Ai më tha diçka një ditë", kujton një ish-trafikant droge, i liruar në shkurt. "Ai mund ta rrotullonte globin dhe ta ndalonte atë kudo me gishtin e tij dhe shanset janë që ai ka pasur një shtëpi atje ose kishte qenë atje. Unë isha bërë meit". Një natë Bowler, një trafikant droge ("Unë nuk jam mashtrues, unë jam biznesmen", më shkroi mua), qëndronte i ulur afër Madoff duke parë një segment të 60 Minutes kushtuar atij. Autoritetet e burgut e mbajnë zërin të ulur fare dhe të burgosurit mbajnë kufje dhe lidhen me sinjalin që transmeton zërin. Bowler hoqi një anë të kufjes nga veshi. "Bernie, u paske marrë miliona", i thashë. "Jo, miliarda", m'u përgjigj ai. Një natë tjetër, një ish i burgosur po shikonte lajmet televizive lidhur me ankandin e një koleksioni sahatesh të shumëpërfolur të Madoff - ai kishte më shumë se 40 të tilla, nga marka "Rolex" deri tek "Piaget". Sahati i nxjerrë atë mbrëmje vlerësohej 900 dollarë dhe Madoff, sahati i vetëm i të cilit tani është një "Timex Ironman", që e bleu në dyqan për 41.65 dollarë dhe me sa duket është i gdhendur me numrin e tij të burgut, ulëriu: "Ata më thanë se sahati vlente 200000 dollarë". Të burgosurit e tjerë qeshën me të. Ata nuk panë asnjë arsye për Madoff që ta kritikonte të kaluarën e tij. "Sikur të kisha jetuar mirë për 70 vjet, nuk do ta vrisja mendjen se do të përfundoja në burg", thotë Evans.

Të burgosurit mbetën të habitur nga shkalla e vërtetë e operacionit të Madoff dhe u kthyen tek ai për t'i drejtuar në sistemimin e vetë ambicieve të tyre. Madoff e ka pëlqyer gjithmonë të qenit konsulent i të pasurve dhe i të fuqishmëve. Kjo ka qenë pjesë e sharmit të skemës: Bernie, fëmija grindavec nga Queens, i besuar nga biznesmenë të pasur. "Ai dëshiron të kujtohet si një titan i Wall Street", thotë Fineman, dhe si një njeri që subvenciononte shkollat private dhe pushimet fantastike të miqve të tij të pasur, edhe pse kjo gjë bëhej me fondet e investitorëve të tjerë. Dhe për të burgosurit ai është akoma titan.

Çfarë shikojnë të dënuarit e tjerë tek ai

Të burgosurit e rrethuan Madoff duke i kërkuar këshilla për investim - duke e anashkaluar faktin që Madoff, duke qenë mashtrues, nuk kishte investuar për vite të tëra. Të burgosur të tjerë panë tek ai një sipërmarrës mik, duke injoruar faktin e natyrshëm që skema e tij nuk kishte qenë aspak biznes, por vetëm mashtrim. Por, Madoff kishte grumbulluar simbolet e suksesit dhe për kriminelët kjo ka rëndësi. Ata janë një turmë ambicioze, ndoshta jo gjithmonë perceptuese - "Nuk mund të flini gjithë ditën e gjithë natën dhe sërish të jeni baron droge". "Ata kanë të gjithë ëndrrat e kthimit në shtëpi, të fillimit të biznesit dhe blerjes së makinave dhe të shtëpive të reja", më shkroi një i burgosur. Një ditë, një njeri i njohur si Barkley vrapoi me ngadalë pas Madoff, gjë e pazakontë në vetvete sepse të burgosurve nuk u lejohet të vrapojnë. Evans, i mbiquajtur Solo ("sepse në mënyrë të tillë vepron", më tha mua), e shikoi skenën i qetë. Ai kujton se një i burgosur tjetër thirri në formë shakaje: "Hiqe atë thikë prej andej". Kur Barkley iu afrua Madoff, ky i fundit reagoi sikur po e plaçkitnin dhe nxorri qesen e dyqanit, i gatshëm që ta dorëzonte. Por, Barkley thjesht donte këshilla. "Ai merrej me imobiliare kur ishte jashtë dhe donte ta pyeste Madoff për disa çështje financiare", më tha Solo në telefon nga Mississippi dhe qeshi.

Por nëqoftëse Madoff ishte një këshilltar financiar i respektuar, ai qe gjithashtu një markë. "Njerëzit nuk vijnë e shoqërohen me ty nëqoftëse nuk ka diçka për ta", më tha një ish i burgosur. Me Madoff disa e kishin një pikëpamje. "Njerëzit përpiqeshin që të lidheshin me të", thotë një ish dënuar. Në fund të fundit, çdo njeri beson se një operator aq i zgjuar sa Madoff duhet të ketë ndonjë gjë diku dhe ata, i burgosur me të burgosur, gjithashtu besojnë se mund ta rrëfejë vendndodhjen. "Ku e mbani të fshehur?", e pyeti White një ditë teksa po shëtisnin së bashku në pajdos. "Është H20", i thotë Madoff, duke bërë gjestin e rrjedhjes së ujit në pëllëmbë të dorës.

Jo të gjithë të burgosurit janë pjesë e fansave të Bernie Madoff. "Je i burgosur, jo i dënuar", e shpon Bowler, duke nënvizuar: "Keni më pak se një vit tek "7 penxheret", duke nënkuptuar se ai sapo ka ardhur në burg. Fakti që ai nuk është një mi - është përpjekur ta marrë mbi vete të gjithë fajin për skemën Ponzi të tij - dhe nuk është pedofil flasin në favorin e tij. Por, Madoff nuk është i staxhionuar apo i ashpër. "Ai nuk dinte sesi të bënte dush", thotë Bowler, tani i ndodhur në një burg në Lexington të shtetit Kentucky. (Në Butner, ju nuk zhvisheni përveçse në dush). Ai ka reputacion për rrëmujë, gjë që nuk është fort e respektueshme për një shok qelie. "Ai nuk ishte material burgu", thotë me përçmim një ish i dënuar. Madoff duket i mbaruar për disa. Ky ish i burgosur i ka bërë vetes tatuazhe me një pajisje nga një qethës mjekrre, një furçe dhëmbësh dhe një stilolaps Bic. "Një i burgosur i vërtetë duhet të dijë të sajojë gjithçka", më tha Bowler.

Fatmirësisht për Madoff, ai do të zbriste në Butner Medium I, "Camp Fluffy", siç e quajnë ata që kanë provuar burgje të tjera. Medium I, popullsia 758, është i mbushur me të burgosur "soft", të cilët mund të mos u mbijetojnë institucioneve të tjera, që përfshijnë pedofilë dhe bashkëpunëtorë (minj). Impianti është planifikuar gjatë një periudhe të shkurtër optimizmi penal dhe u projektua për të humanizuar përvojën e burgut. Hapësira fizike i ngjan një kampusi, me kopshte dhe gardhe të rregulluara nga të burgosurit si globe gjigante. "Ka lule dhe pemë, kështu që ju mund të uleni në bar dhe të bëni banjo dielli", më tha duke qeshur një ish i burgosur. "Atje nuk ka asnjë gardh, ka dritare". Atje ka një palestër, një bibliotekë, një tavolinë bilardo, një kapelë, një fushë volejbolli dhe një sauna indiane.

Por sado i butë, burgu është i vështirë dhe në rrugën e tij drejt Butner, Madoff iu hap Herb Hoelter, konsulent burgu i njohur për t'i ndihmuar të zbuten të burgosurit e famshëm në rrugët e reja të tyre - më parë kishte punuar me Martha Stewart.

Kjo është sfida ekzistenciale e burgut, veçanërisht për dikë të dënuar me vdekje dhe nuk ka përgjigje të natyrshme. "Ka pak gjë të kuptimshme për të bërë, asgjë frymëzuese", siç më tha një evadues taksash që vuajti një pjesë të dënimit në Butner. Vetëvendosja është e kufizuar. "Ti fle, ha, dhjet dhe lahesh kur të thonë që ta bësh një gjë të tillë", më tha një i liruar kohët e fundit nga Butner. Liria, ashtu siç është, është në mendje. "Është aftësia e juaj për të menduar ajo që nuk është e kufizuar", shpjegon Art Beeler, kryegardian deri vitin e kaluar. Por, Madoff nuk ka qenë kurrë intelektual - "Ai ka mentalitetin e një mekaniku makinash", më tha një menaxher hedge-fund. Ai është i thjeshtë dhe kjo funksionon. Kështu edhe në burg. "Bernie u përshtat më mirë sesa unë", thotë Hay, i cili flinte disa dyer larg Madoff. "Ai nuk dukej se kishte ndonjë frikë apo të ishte i stresuar aq shumë apo të kishte ndonjë krizë paniku siç pata unë. Të shkosh nga një shtëpi 8 milionëshe - apartamenti i tij luksoz në East 64th Street - në një qeli 2.5 metra me 3 metra, unë për vete do të ndjehesha i mbaruar. Bernie nuk e kam dëgjuar ndonjëherë të ankohet".

Aftësitë prej mashtruesi që përshtati

Në Butner, Madoff filloi të punojë krijimin e një serie të re komfortesh. Ai punësoi një të burgosur për t'i larë rrobat për 8 dollarë në muaj, thotë Bowler. "Kërkoja 10 dollarë, që është tarifa normale, por Bernie është dorështrënguar". Një herë në javë, Madoff zë vendin e tij në radhën e dyqanit, duke zgjatur listën e tij të gjërave për të blerë. "Të gjitha uljet janë përfundimtare", lexohet në një afishe. Një i burgosur mund të shpenzojë vetëm 290 dollarë në muaj, por çmimet janë të arsyeshme. Një radio kushton 17.95 dollarë, kufjet 40 cent, streçet për stërvitje 18.85 dollarë dhe ushqimi është i lirë: makarona me djathë, një prej ushqimeve të preferuara të Madoff, kushton 60 cent dhe një kanoçe me pijen e preferuar të tij, Diet Coke, kushton vetëm 45 cent.

"Bernie kurrë nuk dëshironte gjë", thotë Hay. Stili i jetesës së Madoff mund të jetë kthyer në kokën e tij, por ai u përshtat, një aftësi e njeriut mashtrues. Ai, rezulton më pas, ka talent për nikoqirllëk, një atavizëm ndoshta nga ditët më pak mbretërore në Queens. "Nuk mund ta prisnit as një akullore me kaush prej tij", thotë Bowler. Një tjetër ish i burgosur e quan "kurnac". Ai bleu gjërat e nevojshme, një radio me kufje, tutat e sportit dhe orën "Timex" dhe grumbulloi rezerva dhe ushqime, duke i futur në kasafortën e qelisë së tij (mund ta bleni një çelës me kombinin në dyqan për 6.25 dollarë).

Ai merr një numër abonimesh gazetash nëpërmjet postës. Nganjëherë ai pushon mbi një stol lulishteje të ngulur në një taracë prej betoni jashtë bllokut të tij, me duart e mbledhura sipër syve ose ndryshe lexon. Madoff i pëlqen librat e verdha nga Dean Koontz dhe John Grisham, të cilat po ashtu i merr nëpërmjet postës, lexon si i babëzitur dhe pastaj ua pason të tjerëve. Për pushim, është bixhozi, me gjasat që dalin nga Vegas. Madoff është parë edhe me bileta bastesh.

Madoff e lëshoi veten në botën e punës së burgut, duke aplikuar për punë energjikisht si të ishte student i ri. Madoff i tha Fineman se për shkak të moshës, ai nuk ishte i detyruar të punonte, por si ta mbushte ndryshe kohën? Ai ka qenë gjithmonë punëtor - mbajtja gjallë e mashtrimit ishte një aktivitet i ethshëm i vazhdueshëm - dhe fillimisht kishte shpresuar për një vend në grupin e bahçevanëve të burgut. Ai propozoi që të shërbente si nëpunës i ngarkuar me buxhetin. Kualifikimet i kishte - ai ka qenë President i NASDAQ. "Në asnjë mënyrë, jo!", i thotë mbikëqyrësi duke qeshur Evans. E bëj vetë buxhetin. E di se çfarë ka bërë jashtë". Në një listë të lexuar me zë të lartë të 13 gushtit, që rendit detyrat ditore të të burgosurve, detyra e Madoff është mirëmbajtja. Ai pushoi lyerjen. Më pas, ai u caktua në kafeteri, ku sillej vërdallë me një kazan plehrash dhe fshesë, duke pastruar mbeturinat e ushqimit për 14 cent në orë, paga e siguruar nga të ardhurit e rinj.

Burgu është një shoqëri tribale dhe njerëzit ngjiten me dorën e tyre. Disa i janë besnikë shtetit të origjinës - ekziston një dorë Florida dhe një dorë New York, ose ndahen sipas racës. "Edhe këtu në burgun e sigurisë së ulët", që është më pak i egër se Medium 1 - zezakët i urrejnë të bardhët dhe të bardhët i urrejnë zezakët; thjesht kështu ndodh", më shkruan një vrasës i dënuar. Italianët si Persico kanë dorën e tyre. Shpesh Persico mund të shikohej me Rosso, themeluesin e convictinc.com, John Conza, një falsifikator nga New York, dhe, kur ishte atje, Joseph Testa, anëtarin e familjes Gambino me qendër në Brooklyn që qe një prej vrasëseve më pjellorë të mafies.

Disa të burgosur e organizojnë veten sipas vendimit që kanë marrë dhe Madoff shoqërohej me një grup që gjysëm duke u tallur i referohej vetes si "banda e të dënuarve me burgim të përjetshëm". Pollard spiuni është drejtuesi, megjithëse ai e ka një datë lirimi, ka qenë i burgosur për pjesën më të madhe të jetës së tij adulte dhe kështu që është shumë i kualifikuar. "Ai mbante gjithçka në kontroll", thotë Hay, i cili ulej me grupin pavarësisht dënimit më të ulët. Pollard, tani 55-vjeçar, më i shëndoshë dhe më tullac sesa ka qenë kur është dënuar më 1987, mban kipah kudo, të shitur në dyqan për 2.60 dollarë. Pollard është një hero për të djathtën izraeliane, që ka ushtruar presion ndaj Bill Clinton dhe George U. Bush që ta falin. Por në tavolinë, Pollard është tregimtari i grupit, një folklorist i jetës së burgut që argëton me rrëfenja monstruoze të burgosurish të kaluar, duke impresionuar edhe ata që kanë qenë të burgosur për një kohë të gjatë. "Ai kujtoi një djalë që ishte i sëmurë mendor dhe mori peng një infermiere të Butner", thotë Hay. "Jashtë, ai morri peng një autobus plot me fëmijë". Fëmijët u gjetën të vdekur. Si një lloj shakaje, Pollard shtoi "fëmijë me të meta mendorë". Gary Kerr, 62-vjeçar dhe me një dënim të përjetshëm, është një tjetër pjesëmarrës në grupin e të dënuarve me burgim të përjetshëm dhe qe shok qelie me Pollard në një moment të caktuar. Ai besohej se kishte qenë përfshirë në një bërje copa të disa njerëzve në Texas, megjithëse të burgosurit zakonisht nuk e përdorin krimin e një njeriu kundër tij. "Gary qe absolutisht zemërmirë. Nuk dëgjova kurrë që kishte probleme me ndonjë", thotë Hay. Lee Summers, dënimi i të cilit shkon deri më 2020, shoqërohet gjithashtu me ta, ashtu siç bën dhe Stephan Bullis, një tjetër i dënuar me burgim të përjetshëm, i cili dërgoi një bombë në zyrën e së shoqes, duke i flakur tej pjesën më të madhe të dorës së majtë.

Me cilët ka krijuar shoqëri

Në kafeteri, Madoff nganjëherë hante me një tip të mbiquajtur Muskuli, një tip neurotik që harxhonte gjysëm ore për të rregulluar krevatin e tij. Madoff duhet ta kishte simpatizuar, përderisa është vetë i tillë. Pollard, një mburravec, tallej me Madoff rreth faktit se sa shumë kohë kalonin së bashku. Pollard ishte i qetë, hokatar - "Gjithmonë në qejf", më tregon një i dënuar - dhe pëlqente të bënte humor të zi. "Ata sollën një djalë të ri për vlerësim. Ishte i vogël dhe i them 'Hej, çuno, duhet të jesh 18 vjeç që të pish kafe'. Pollard shtoi 'Po, por je aq i madh sa të thithësh të gjithë ka.. që do'. Pollard është njeri zemërmirë".

Të burgosurit gei formojnë një tribu tjetër. Ka ndoshta disa dhjetëra të burgosur gei të deklaruar në Clemson - të burgosurit e drejtë vazhdimisht e bëjnë një census - dhe ata të fshehur që merren nëpër gojë tek inmate.com. Edhe të burgosurit gei rrinë me njëri-tjetrin; grupi i të dënuarve me burgim të përjetshëm i ndjekin sjellet e tyre me përçmim sipërfaqësor dhe vëmendje të madhe. Sa kushton një e marrë në gojë? Tri libra me pulla, iu tha, gjë që shkaktoi një ulërimë. (Të burgosurve nuk u lejohen të prekin para, kështu që pullat janë monedha e burgut; një libër që vlen 8.80 dollarë në dyqan shkon për 6 dollarë brenda). Pjesa më e madhe dramës seksuale të burgut vërtitet rreth popullsisë gei. Të burgosurit tregojnë e ritregojnë historinë e Yolonda Burt, një transeksual përpara operacionit, që ishte goditur me thikë në atë çka përshkruhej si një grindje dashnorësh në Medium I. Yolonda më shkroi versionin e saj: "Më 7 nëntor 2009, rreth orës 8 të mëngjesit, një i burgosur u orvat të më përdhunojë dhe, kur i refuzova, ai me preu me biçak. Më 28 dhjetor 2009 vrau veten". Duke varur veten, siç e tregon Hay ndodhinë.

Madoff i pëlqen telenovelat po aq sa çdo njeri tjetër, por duket se noton mbi hierarkitë e burgut, siç i shkon për shtat një të famshmi. Në fillimet e burgimit të tij, Madoff qëndronte në fushën e lojës së boçeve me Persico - ata nuk janë po aq të ngushtë tani. Ai ndjehet mirë më të burgosurit zezakë, duke biseduar, duke u përzier, në disa raste edhe duke bërë shaka me disa prej tyre: "Pse gërriceni gjithmonë me të bardhët?". Në një moment të caktuar shoku i tij i qelisë qe një shpërndarës droge zezak dhe shkuan mirë. Madoff pozoi edhe për White, artistin e burgut, i cili është zezak. Bile ai i nënshkroi edhe portretin, duke thyer rregullin e vet, thotë White, i cili fshehurazi shkroi në qaforen e Madoff: Fuck My Victims.

Të burgosurit gei nuk e fyejnë Madoff, i cili në fund të fundit është një njujorkez i sofistikuar. Një mbrëmje, teksa po kalonte nëpër sallën e ndenjies, Madoff hasi me grupin e të burgosurve të përjetshëm. "Gjithçka që flisni është 'By... ky, by... kjo'. Nuk keni gjë tjetër për çfarë të flisni?". Madoff ka qenë goxha i sjellshëm kur e ka këshilluar Yolonda sesi të grumbullonte para për operacionin e ndryshimit të seksit. Ai qe bile miqësor ndaj një pedofili të urryer - një cho-mo, siç i quajnë ata. Marvin Hersh, i dënuar me 105 vjet burg, ishte i njohur nga disa në burg si "Përbindëshi i Florida". Ai është një ish-profesor që mori një adoleshente nga Amerika Qendrore në shtëpinë e tij, u kujdes për të si baba dhe e përdhunonte seksualisht disa herë në javë. Madoff luante scrabble me të në dhomën e televizorit. Përzierja sociale e Madoff, kaq e ndryshme nga një mashtrues veteran, i ngatërroi dhe i irritoi disa. "Hapa thashethemin se Bernie ishte një biseksual", thotë Bowler, që e mendonte një shaka të bukur.

Koha e ngrënies është një pushim shumë i mirëpritur, një prej pauzave të pakta në një program të zbatuar me rigorozitet. "Ushqimi është gjë shumë e madhe në burg", thotë Conza. "Mund të uleni me miqtë tuaj". Në kohën e ngrënies, tributë kërkojnë veten. Në mensë, Carmine Persico ulej pothuajse gjithmonë në të njëjtën tavolinë me Conza (tani jashtë), Rosso dhe një të katërt, duke dërguar përpara një njeri për t'u zënë vendin. "Askush nuk u ul kurrë në tavolinën e Carmine", thotë një ish i dënuar. "Nga respekti".

Gjithashtu, Persico pëlqente të përdorte një furrë me mikrovalë për të gatuar për veten dhe miqtë e tij. "Carmine bënte makaronat dhe salcën me midhje më të mirë që kisha provuar ndonjëherë", thotë Conza, i cili shok qelie i Persico për rreth 1 vit. "Ai ishte një kuzhinier mikrovale i mrekullueshëm". Të burgosurit i blinin gjërat nga dyqani, më pas i shtonin perime të vjedhura nga kuzhina - një qepë kushton 5 pulla.

Grupi i të dënuarve me burgim të përjetshëm kanë mensën e tyre dhe Madoff nganjëherë shkon atje. Për festën e lirimit të Hay, Pollard gatoi një picë në mikrovalë - një picë gjysëm e gatshme kushton 3.20 dollarë në dyqan. Madoff ishte i pranishëm dhe Pollard bëri shaka me të pse kishte vënë dhjamë.

Jeta në Butner ishte e këndshme, të paktën sipas standardeve të burgut dhe megjithatë në të rreziku është si elektriciteti statik, gjithmonë në ajër. Të burgosurit nuk njihen për aftësitë e menaxhimit të zemërimit, një arsye që shpesh janë të sjellshëm në mënyrë të ekzagjeruar. "Duhet të bëni shumë kujdes që të mos fyeni askënd", thotë një ish i burgosur i Butner, i cili ka një diplomë jurisprudence, "dhe çdonjëri pret që të fyhet". Siç m'u shpreh në telefon një tjetër ish i burgosur në Butner, "Çdonjeri përpiqet që të ngecë me ndonjë".

Rrëzimi që pësoi dhjetorin e kaluar

Sipas "Wall Street Journal", Madoff është raportuar se ka pësuar një rrëzim në dhjetor dhe se është dërguar në spitalin e burgut me brinjë të thyera dhe me hundë të thyer. Ndodhitë e Madoff janë lajme të mëdha tek inmate.com dhe çdo i burgosur duket se ka versionin e tij për ngjarjen. Njëri thotë se sulmi ndaj Madoff qe një "mësim". "Ai u tregua arrogant", raporton një i burgosur. Por, Madoff këmbënguli tek miqtë e tij se thjesht kishte marrë ilaçin e gabuar. Atij i ra të fikët dhe u rrëzua. Ata më të afërt me Madoff i besojnë. "Nëqoftëse Bernie do të ishte zënë me ndonjë, unë do të kisha bërë ndonjë gjë për të", thotë një batakçi muskulor njujorkez, që e konsideronte Madoff dorën e vet. (Administrata e burgut e mohon që Madoff të jetë sulmuar, ashtu si dhe avokati i tij). Sigurisht, të burgosurit kanë arsye që të mbajnë të fshehtë rrahjen. Madoff e dinte se kushdo i përfshirë në një rrahje, qoftë edhe viktimë, mund të përfundojë në "shu", siç e quajnë dhomën e izolimit, të mbyllur për 23 orë në ditë, gjë që e bën jetën e burgut të zakonshëm të duket me ajër dhe qejf.

Çfarëdo që të ketë ndodhur, Madoff vazhdon në rutinën e tij, duke kërkuar çdo kënaqësi të vogël që mundet dhe nuk zbulon shumë. Me kalimin e kohës, teksa fama e tij filloi të zbehet, edhe të burgosurit që jetonin afër tij e vërejtën se Madoff mund të ishte opak dhe i vështirë për t'u lexuar. Ai flet kur i flitet dhe nganjëherë vështron i fiksuar në largësi. Natën, ai mat korridoret. Ndoshta kjo është ndrojtje. Madoff prej kohësh ka qenë socialisht i rezervuar, edhe në Palm Beach Country Club, ku takonte shumë prej viktimave të tij. "Ndoshta ai është tip që qan poshtë çarçafit", më thotë një burgosur që jetonte afër Madoff. Por, ekziston të paktën një gjë që e trazon Madoff dhe të burgosurit u sintonizuan në këtë. Të burgosurit janë të ndarë nga njerëzit e dashur - një ish-mashtrues i thekur m'u ankua se nuk kishte marrë pjesë në funeralin e të nipit dhe në diplomimin e të birit. Madoff ka qenë patriarku i familjes së tij. Dy djemtë, i vëllai dhe vajza e vëllait të tij dikur kishin siguruar një jetesë shumë të mirë nga Bernard L. Madoff Investment Securities, biznesi shumë i ligjshëm dhe shumë i suksesshëm i tij. Edhe në burg, Madoff vazhdon ta mendojë veten si shtyllën e shtëpisë. Një ditë Hay i tha Madoff se sikur pozicionet të kishin qenë ndryshe, ai do të ishte arratisur: "Sikur të kisha pasur paratë e tua, do të kisha qenë jashtë vendit me një fytyrë të ndryshuar dhe gjithçka tjetër".

Madoff ia hodhi poshtë. "Kam familje", iu përgjigj ai. Ai nuk e thelloi këtë ide me Hay, por me avokatët ka qenë i hapur. Në fund të fundit, në njëfarë kuptimi, askush nuk e njihte më mirë Madoff apo nuk kujdesej më shumë për të sesa ata që e paditën, ata qenë dora e tij. Madoff u tregonte atyre për dhimbjet që ndjente. Fineman kujton se ndërsa ajo përqendrohej në skemën "Ponzi" (piramidale) të tij, Madoff fliste gjerë e gjatë rreth gruas së tij, Ruth. Qe hera e vetme në 4 orë e gjysmë të kaluara së bashku që Fineman ndjeu pak simpati për të. Ruth dhe Bernie njiheshin qysh fëmijë dhe Madoff i tregoi Fineman historinë e takimit të tyre në shkollë të mesme, një kohë naive kur ai ishte me ekipin e notit dhe ajo ishte një lozonjare popullore, e shoqërueshme dhe që vishej mirë. "Ai më foli rreth faktit sesi kishte lënë kolegjin. Ai e ndjente mungesën e saj, kështu që u kthye në New York. Zëri i tij tashmë kishte një ton të ndryshëm kur fliste për të. Qe hera e parë kur bëhej emocional", thotë Fineman. Djemtë e Madoff nuk janë më një prani në jetën e tij, ata janë akoma nën rrezik ligjor dhe janë këshilluar që ta ndërpresin komunikimin me të atin.

Megjithatë, Ruth i qëndron besnike. "Ajo ishte e hutuar dhe e nervozuar", iu tha Hoelter, dhe pavarësisht se nuk po ndiqet më penalisht ajo është e falimentuar, deri në atë pikë sa që i duhet t'i raportojë një likuidatori çdo shpenzim mbi 100 dollarë.

Ruth e vizitoi Madoff në Butner. Duke u kthyer për në qelinë e tij pas një vizite, ai u shpreh në mënyrë lakonike: "Ajo po shkon të luajë golf", diçka që ata e adhuronin ta bënin së bashku. Të burgosurit e ndjenë lidhjen dhe e "ngacmuan" për këtë, siç më tha njëri prej tyre. Ata e kishin parë fotografinë e Ruth në media. Ajo është akoma një bionde e gëzuar dinamike, e cila ata mendojnë se është shumë më e re në moshë nga Madoff - "një prej trofeve të tij". (Madoff nuk i zhgënjeu ata për përshtypjen, megjithëse ajo është vetëm 3 vjet më e re se ai). "Do të dal nga burgu dhe do t'i bëj shoqëri asaj", do ta ngacmonin ata Madoff. Pollard, miku i Madoff, i hodhi rromuze atij; Madoff më mirë të hajë siç duhet dhe të qëndrojë në formë. "Ke marrë dhe atë grua të re", shtoi Hay. Madoff qesh me ta, por është realist. Pavarësisht botës joreale që krijoi, ai gjithmonë ka qenë i tillë. "Jam dënuar me 150 vjet dhe jam 71 vjeç. Nuk jam i frikësuar se mos bie nga forma".

 

Përgatiti ARMIN TIRANA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
GRIMCA BOTËRORËSH, REKORDI I HIDHUR I BELGJIKËS (06.13.2010)
KOSOVA DHE FUTBOLLI SIPAS FADIL VOKRRIT (06.12.2010)
MIGRACIONI NUK ËSHTË SHKAK PËR POPULIZMIN E DJATHTË (06.09.2010)
FAJDEXHINJTË DHE BORXHLINJTË (06.08.2010)
BIZNESI QË LULËZON! TREGTIA ME NJERËZIT DHE VIKTIMAT E HARRUARA (06.07.2010)
FRANCESCO COSSIGA: POLITIKANËT JANË TASHMË MARIONETA NË DUART E BANKIERËVE DHE NË LUMIN E PARASË KORRUPSION LUNDROJNË KARRIERAT DHE PASURITË PERSONALE (06.06.2010)
MASAKRA E TIVARIT, SI U VRANË 8 MIJË SHQIPTARË (06.02.2010)
KRIZA MORALE MË E RËNDË SE KRIZA EKONOMIKE - SKANDALI I MITMARRJES NË GREQI (06.01.2010)
TË KRIJOSH JETËN, A NUK ËSHTË PUNA E ZOTIT? (05.29.2010)
TA NJOHËSH SHQIPËRINË NGA VALËT E RADIOS - PËRSHTYPJE TË NJË VIZITE (05.26.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]