E Premte, 04.26.2024, 09:05am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
BASHKËSIVE FETARE E ETNIKE IU JEPEN KOMPETENCA KUNDËRKUSHTETUESE
E Hënë, 08.08.2011, 09:46am (GMT+1)

Prizren, Prishtinë, 8 gusht Bashkësitë e mëdha fetare do të japin fjalën e tyre për secilin aktivitet ndërtimor, ekonomik, social e kulturor në qendër të Prizrenit, nëse Projektligji për Qendrën Historike të Prizrenit, që është miratuar nga Qeveria e Kosovës, merr edhe bekimin e ligjvënësve të vendit, gjatë javëve të ardhshme.

Ekzekutivi i Kosovës javën e kaluar ka aprovuar Projektligjin e sponsorizuar nga Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor, i cili u jep të drejtë komuniteteve fetare dhe atyre etnike që të kthejnë prapa çfarëdo nisme që nuk përputhet me qëndrimet e tyre, edhe pse Kosova me Kushtetutën e saj definohet si shtet laik.

Sipas këtij projektligji, kopjen e të cilit e ka siguruar "Koha Ditore", në Prizren do të themelohet Qendra Historike e Prizrenit, e cila do të menaxhohet nga mekanizmat që do të krijohen nga Komuna e Prizrenit, ku do të jenë të përfshira komunitetet fetare, etnike, shoqëria civile dhe Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve Historike.

Qëllimi i këtij akti ligjor është "mbrojtja, ruajtja dhe promovimi i trashëgimisë kulturore dhe fetare të Qendrës Historike të Prizrenit, si dhe zhvillimi i kontrolluar i saj, duke e promovuar Prizrenin si qytet me vlera kulturore dhe historike të interesit lokal, shtetëror dhe ndërkombëtar".

Sipas Projektligjit, Qendra Historike e Prizrenit përfshin objekte dhe komplekse të objekteve me vlera urbane, kulturore, fetare, artistike dhe ekonomike, rreth të cilave do të kufizohen apo ndalohen një mori aktivitetesh.

Në këtë mënyrë brenda kësaj zone do të "ndalohet bashkimi i dy apo më shumë parcelave kadastrale në një njësi të vetme; aktivitetet ndërtimore apo transformuese që rezultojnë me ngritjen e një objekti të vetëm në dy apo më shumë parcela kadastrale, ndërtimi i objekteve më shumë se dykatërshe, ndërtimi i objekteve me bazë më të madhe se 150 metra katrorë, aktivitetet që do të rezultonin në ndryshimin permanent të morfologjisë natyrore të terrenit, etj."

Ndërsa ndërtimet, aktivitetet rekreative, shërbimet komunale, hapësirat reklamuese, etj., do të rregullohen në mënyrë të veçantë, nga një organizëm i ri i krijuar nga Komuna e Prizrenit, që do të quhet Komiteti për Trashëgiminë Kulturore të Prizrenit e që do të përbëhet nga shtatë anëtarë.

Projektligji parasheh që katër muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit të krijohet ky komitet, ku gjashtë anëtarë përzgjidhen nga komunitetet fetare (Bashkësia Islame, Kisha Ortodokse Serbe dhe Kisha Katolike) dhe shoqëria civile, derisa anëtari i shtatë duhet të jetë përfaqësues i Zyrës Komunale për Komunitete dhe Kthim.

"Roli i Komitetit është të vëzhgojë dhe këshillojë rreth aktiviteteve në Qendrën Historike të Prizrenit për ruajtjen e trashëgimisë së saj kulturore", thuhet në nenin 16.2 të Projektligjit në fjalë.

Ky Komitet parashihet që të shqyrtojë të gjitha kërkesat urbanistike brenda Zonës Historike të Prizrenit, paralelisht me Institutin për Mbrojtjen e Monumenteve dhe vetëm pas pajtimit të tyre, Drejtoria për Urbanizëm në Komunën e Prizrenit mund të lëshojë leje përkatëse.

Në rast se nuk respektohen këto dispozita, atëherë pasojnë masat ndëshkuese, me ç'rast "gjobat e parapara me Ligjin për planifikim hapësinor dhe Ligjin për ndërtim, dyfishohen në rast të shkeljeve brenda Qendrës Historike të Prizrenit, ndërsa zbatohen edhe masat sanksionuese të parapara me Ligjin për trashëgiminë kulturore". Në të njëjtën kohë Komuna e Prizrenit duhet të themelojë edhe Zyrën e Qendrës Historike të Prizrenit, e cila krahas promovimit të kësaj zone merret edhe me shqyrtimin e kërkesave për tubime publike në bashkëveprim me Drejtorinë për Shërbime Publike, të cilat më pas finalizohen nga Komiteti për Trashëgiminë Kulturore.

Favorizimi i Kishës Ortodokse Serbe

Reagimet e para në lidhje me dispozitat e këtij projektligji kanë ardhur nga përfaqësuesit e Institutit GAP, të cilët monitorojnë punën e Qeverisë së Kosovës. Në bazë të një përmbledhjeje të shkurtër, ky institut ka kritikuar ekzekutivin për mospërfshirjen e përfaqësuesve të shoqërisë civile nga Prizreni në hartimin e Projektligjit, si dhe mos publikimin e përmbajtjes së tij. Po kështu është kundërshtuar favorizimi i një bashkësie fetare kundruall të tjerëve.

"Nga terminologjia e përdorur shihet se objektet fetare ortodokse janë klasifikuar si objekte serbe, përderisa objektet fetare të dy religjioneve tjera nuk lidhen me ndonjë kombësi. Gjithashtu, sipas nenit 18 pika 4, Komiteti... duhet të kërkojë pajtimin e Kishës Ortodokse Serbe për çdo aktivitet, i cili prek pronat e Kishës Ortodokse Serbe në Qendrën Historike të Prizrenit në pajtim me Aneksin 5 të Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit dhe Kushtetutën. Edhe pse në dukje të parë lihet përshtypja se ky ligj konsideron të barabartë të gjitha komunitetet fetare, neni 18.4, i jep një zë shtesë Kishës Ortodokse", thuhet në përmbledhjen e Institutit GAP.

Gazeta gjatë javës ka provuar që të marrë një qëndrim zyrtar nga Qeveria e Kosovës, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur, meqë disa nga ministrat nuk janë përgjigjur në telefonata ndërkohë që ekzekutivi ende nuk ka caktuar një zëdhënës.

Drejtori për Urbanizëm në Komunën e Prizrenit, Sadik Paçarizi, pati theksuar se në grupin punues për hartimin e Projektligjit ka pasur debate të shumta në lidhje me rolin e bashkësive etnike e fetare. "Kemi insistuar që të paktën të gjitha komunitetet edhe ato fetare të jenë të barabarta në vendimmarrje dhe në pjesëmarrje rreth Qendrës Historike, pra të mos ketë bllokada vetëm nga një bashkësi fetare dhe ana tjetër të jetë e diskriminuar", ka thënë Paçarizi. Ai ka shtuar se është tentuar që të gjenden zgjidhje edhe për "disa sfida që lidhen direkt me qytetarët me interesat e tyre, pasi që kjo pjesë e qytetit ka funksionuar edhe si zonë historike por edhe tregtare, për një kohë të gjatë, dhe ky karakter duhet të ruhet".

Në anën tjetër zëdhënësi i Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO), Andy McGuffie, ka hedhur poshtë mundësinë që cilado nga komunitetet fetare të jetë e privilegjuar. Ai ka thënë se Projektligji parasheh përfshirjen e përfaqësuesve të Kishës Katolike, Bashkësisë Islame dhe Kishës Ortodokse Serbe si dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile e ekspertëve të trashëgimisë kulturore në Komitetin e Trashëgimisë Kulturore me qëllim të mbikëqyrjes së zhvillimit të Qendrës Historike.

"Kjo do të sigurojë llogaridhënie të shtuar të autoriteteve kundruall shoqërisë civile, duke përfshirë edhe komunitetet fetare. Sidoqoftë, është me rëndësi të ceket se nuk i jep autoritet të veçantë cilitdo grup të interesit. Qendra Historike e Prizrenit do të menaxhohet nga Komuna e Prizrenit. Kosova do të jetë në krye dhe përgjegjëse për mbrojtjen dhe ruajtjen e objekteve të trashëgimisë fetare e kulturore brenda territorit të saj, duke i respektuar ligjet e veta që burojnë nga Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit", ka deklaruar McGuffie.

Ai ka sqaruar se projektligji është hartuar nga Grupi Punues Ndërministror i udhëhequr nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministria e Kulturës, të cilat janë këshilluar nga ICO-ja, Përfaqësuesi Special i BE-së, UN-Habitati dhe Trashëgimia Kulturore pa Kufij, ndërkohë që të pranishëm kanë qenë edhe zyrtarët e komunës së Prizrenit dhe ata të IMMH-së. "ICO-ja në kapacitetin e saj si trup këshillëdhënës, ka inkurajuar dhe do të vazhdoj që të inkurajoj autoritetet e Prizrenit dhe të Prishtinës për të informuar dhe përfshirë shoqërinë civile, që kanë interes legjitim dhe të rëndësishëm në këtë ligj në lidhje me atë se çfarë ndikimi do të ketë ai në jetën publike në Prizren", ka thënë McGuffie.

Themelimi i Zonës së Veçantë të Mbrojtur për Qendrën Historike të Prizrenit rrjedh si obligim nga Pakoja e Ahtisaarit respektivisht Ligji për Zonat e Veçanta të Mbrojtura, ngjashëm si ai që i dedikohet fshatit Hoçë e Madhe. Në bazë të këtij ligji Qendra Historike do të përfshijë objektet e Kishës Ortodokse, objektet otomane, katolike, laike dhe objektet e tjera të rëndësisë së veçantë historike dhe kulturore. Projektligji për Qendrën Historike të Prizrenit përfshin 1,377 zona kadastrale në qendrën e Prizrenit dhe 141 zona kadastrale në zonën e Kalasë. Në total brenda kësaj zone ndodhen 104 objekte dhe katër komplekse arkitekturale.

Demi: Teksti i Projektligjit, i papranueshëm

Instituti GAP ka vlerësuar se projektligjet për Zonën Historike të Prizrenit dhe atë të Hoçës së Madhe që burojnë nga Pakoja e Ahtisaarit nuk janë miratuar ende dhe janë shtyrë nga viti në vit për shkak të ndjeshmërisë së lartë.

Drejtori ekzekutiv i këtij instituti, Agron Demi, ka shprehur bindjen se hartimi i ligjeve larg syve të publikut është praktikë jo demokratike, sidomos kur një akt i tillë prek më së shumti qytetarët e një lokaliteti. "Metoda e ndjekur deri më tani, hartimi dhe miratimi i ligjeve në procedurë të fshehur të përshpejtuar, është treguar metodë jo e mirë për faktin se problemet më të mëdha janë vërejtur pas aprovimit të ligjit dhe në fazën e zbatimit të tij. Pothuajse të gjitha ligjet e Ahtisaarit, mbi 50 sosh, të hartuara në mënyrë të fshehtë dhe pa debat dhe të miratuara në të njëjtën mënyrë, janë dëshmuar si ligje jo mirë të hartuara dhe të pa zbatueshme. Andaj pjesa më e madhe e tyre është ndryshuar sërish apo është në proces të plotësim-ndryshimeve", ka pohuar Demi.

Sipas tij ekziston rreziku që edhe Ligji për Qendrën Historike të Prizrenit të miratohet në procedurë të përshpejtuar dhe pa debat në Kuvend.

"Dhe kjo do të ishte një veprim i gabuar. Kuvendi duhet të hapë procesin dhe të organizojë dëgjime publike në qytetin e Prizrenit, me shoqërinë civile, pronarët e shtëpive, bizneset, etj."

Demi ka theksuar se legjislacioni në fuqi ofron mekanizma të mjaftueshme për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Prizren, dhe se nuk ka pas nevojë për ligje shtesë.

"Qendra Historike e Prizrenit duhet të ruhet nga ndërtimet e egra dhe aktivitetet që e prishin imazhin e kësaj zone. Mirëpo, ekzistojnë ligje tjera të mjaftueshme, të cilat po të zbatoheshin si duhet, nuk do të kishte fare nevojë për një ligj shtesë për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe historike", ka shtuar ai.

Sipas Demit, teksti i formuluar i Projektligjit është i papranueshëm, meqë krijon padrejtësi në shumë aspekte.

"Në rast se ligji aprovohet në këtë formë, ai bën një padrejtësi politike, duke iu shmangur debatit demokratik dhe procedurës transparente vendimmarrëse, padrejtësi fetare,duke avancuar komunitetin fetar ortodoks kundrejt komuniteteve tjera, padrejtësi historike,duke klasifikuar kishën ortodokse si vetëm serbe, padrejtësi qytetare, duke ndëshkuar bizneset dhe qytetarët në atë zonë dhe duke mos ju ofruar asnjë kompensim për pronën e tyre private", ka thënë Demi.

Ai ka përsëritur qëndrimin se Qeveria e Kosovës për shkak të frikës ka shtyrë për tri vite miratimin e këtij ligji, dhe se ai është miratuar në kohën kur vëmendja e publikut ka qenë e përqendruar në ngjarjet në veri të vendit.

Por zëdhënësi i ICO-s, Andy McGuffie, ka përsëritur qëndrimin se miratimi i Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit është një obligim që rrjedh nga Pakoja e Ahtisaarit, që ka për qëllim ruajtjen e bukurisë së qendrës së qytetit, duke siguruar se zhvillimi i kësaj zone bëhet në mënyrë të kontrolluar e të rregullt, dhe jo vetëm si obligim i karakterit nacional por edhe ndërkombëtar.

"Prandaj ICO-ja inkurajon autoritetet e Kosovës që të mbesin të përkushtuara në mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore e fetare, në të cilin drejtim ky ligj luan rol të rëndësishëm", është shprehur McGuffie.

Ndërkaq Agron Demi i GAP-it ka përkujtuar se Kuvendi i Kosovës dhe Zyra e ICO-s, në një konferencë të mbajtur në janar të këtij viti, ishin shprehur se koha e miratimit të ligjeve me procedurë të përshpejtuar ka kaluar dhe se të gjitha ligjet tani e tutje do të kalojnë me procedurë të rregullt.

"Mbetet të shihet nëse do të respektohet kjo procedurë edhe me rastin e Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit", ka përfunduar Demi.

(http://www.koha.net)

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
"NËSE JE SHQIPTARE MOS SHKO NË RUDARE!" (08.08.2011)
NJË RRUGË NË PRISHTINË ME EMRIN E ENVER ZYMBERIT (08.07.2011)
KOMUNAT VERIORE TË KOSOVËS, DREJT STATUSIT SPECIAL (08.07.2011)
ELIZA DUSHKU NË TIRANË, PROMOVON VLERAT TURISTIKE TË SHQIPËRISË (08.06.2011)
WASHINGTON: JOE DIOGUARDI MORI PJESË NË KONVENTËN KOMBËTARE REPUBLIKANE TË KOLEGJEVENga BEQIR SINA, New York (08.06.2011)
MUAJI I SHENJTË I RAMAZANIT NË SHBA (08.05.2011)
HAPET DRITA JESHILE PËR SHEMBJEN E PIRAMIDËS (08.05.2011)
REZERVOHET SALLA PËR KONFIRMIMIN E AKTAKUZËS KUNDËR LIMAJT (08.05.2011)
FYTYRAT E MUP NË VERI TË KOSOVËS (08.05.2011)
KOMENT: AGRESIONI PARAMILITAR SERB DHE PLUMBAT PËR KFOR-in (08.04.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]