Serbia nuk duhet ndërhyj në punët e brendshme të Kosovës, por duhet të zgjidhë
çështjen e të drejtave të shqitparëve në Luginën e Preshevës, thotë
eurodeputeti i Partisë Kristiansociale Bernd Posselt në bisedë për DW.
DW: Zoti Posselt, Parlamenti i Serbisë e ka miratuar këto ditë një rezolutë në
të cilën thuhet se ky vend nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës. Si e
vlerësoni Ju këtë rezolutë, si një ndihmë në rrugën drejt rregullimit të
raporteve apo si një pengesë në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes
Prishtinës dhe Beogradit?
Posselt: Natyrisht që kjo rezolutë paraqet një pengesë shumë serioze.
Megjithatë duhet të angazhohemi që bisedimet për zgjidhjen e çështjeve praktike
të vazhdojnë. Të enjten do të zhvillohet raundi i ardhshëm i bisedimeve. Unë
sot kam pasur një takim dhe bisedime me përfaqësuesit e Komisionit Evropian, i
cili e mbështet vazhdimin e dialogut. Por askush në Parlamentin Evropian nuk e
pranon këtë rezolutë të Serbisë.
DW: Mendoni se është i mundur normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë
apo kjo është vetëm një dëshirë, në veçanti pas rezolutës së Parlamentit të
Serbisë dhe faktit që Beogradi dhe Prishtina vazhdojnë të kenë pozicione krejt
të ndryshme sa i përket statusit të Kosovës?
Posselt: Mendoj se normalizimi është i mundur. Shikoni, edhe ne në Gjermani
kemi pasur një situatë kur Republika Federale dhe DDR (Gjermania Lindore) kanë
pasur mendime dhe qëndrime plotësisht të ndryshme për shumë çështje madhore.
Por kanë gjetur zgjidhje për çështjet praktike: që njerëzit të vizitojnë
njëri-tjetrin, të bëjnë tregti, të udhëtojnë të lirë... Marrëveshja për
kontrollin e përbashkët të kufirit, për shembull, është një hap konkret në
drejtimin e duhur. Ne i mbështesim këto hapa. Të gjitha ato që po bën Serbia,
një ditë mund t'i kthehen si bumerang, sepse qëndrimet e Serbisë nuk janë aspak
reale.
DW: Ju e thatë se marrëveshja për konotrollin e kufirit ishte një prej hapave
në drejtimin e duhur. Në këtë rrugë janë bërë edhe disa hapa të tjerë por
pengesat edhe më tej janë shumë të mëdha në raportet mes këtyre dy vendeve.
Cilat janë pengesat më të mëdha në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit?
Posselt: Pengesa më e madhe është natyrisht fakti që Serbia gjithnjë po
përpiqet që të rihapë çështjen e statusit të Kosovës dhe çështjet e tjera
elementare, të cilat s'kanë të bëjnë fare me këtë dialog. Në këtë dialog bëhet
fjalë për mundësinë e lehtësimit të kushteve për jetën e njerëzve të thjeshtë
siç janë njohja e diplomave, lufta kundër kriminalitetit, liria e lëvizjes dhe
e udhëtimit, kalimi i kufirit, gjendja e sigurisë, mbrojtja nga katastrofat...
këto janë temat, që duhet të trajtohen. Ndërsa kush përpiqet vazhdimisht që ta
rihapë çështjen i dëmton raprotet e fqinjësisë me vendet e tjera. Mendoj se
Serbia po e dëmton vetveten tmerrësisht. Unë u kam thënë edhe politikanëve dhe
mediave serbe, se ata po ndjekin një rrugë plot iluzione, sepse të gjithë e
dinë: Kosova nuk do të jetë kurrë më serbe. Këtë e dinë në fakt edhe vet
serbët, të cilët me qëndrimet si ato në rezolutë po bllokojnë vetveten. Ata
duhet të përqëndrohen në rrugën drejt Bashkimit Evropian, ndërsa Kosovën duhet
t'ua lenë kosovarëve.
DW: Një prej problemeve më të mëdha në raportet mes Prishtinës dhe Beogradit me
siguri që do të jetë gjendja në veri të Kosovës. Serbia kërkon që kjo pjesë të
ketë një autonomi të veçantë. Si i vlerësoni Ju këto kërkesa të Serbisë?
Posselt: Këto kërkesa i konsideroj si plotësisht absurde. Duhet theksuar se
zgjidhja e statusit të pakicave në kushtetutën e Kosovës është zgjidhja më e
mirë që ekziston në Evropë. Shumica e minoriteteve në Evropë vetëm mund t'i
ëndërrojnë të drejtat që ka minoriteti serb në Kosovë. Shumica e minoritetit
serb në Kosovë e di këtë dhe po i shfrytëzon këto të drejta. Për fat të keq
ekziston një grup i pakicës serbe në veri i cili është i instrumentalizuar nga
Beogradi dhe në këtë mënyrë po punon në dëm të vetvetes. Unë sot kam pasur një
takim me përfaqësuesit e Komisionit Evropian dhe me komisionerin Stefan Fülle,
me të cilët kam tematizuar edhe gjendjen në Luginën e Preshevës. Në shtigje
afatgjata, ëshë e papranueshme që Serbia për serbët në Mitrovicë të kërkojë të
drejta të veçanta deri në seperatizëm, ndëkrohë që minoriteteve të veta dhe në
veçanti shqiptarëve në Preshevë ua mohon të drejtat elementare. Ky lloj disproporcioni
nuk ka funksionuar kurrë në histori. Unë jam kundër ndryshimit të kufijve. Por
të drejtat që i gëzojnë serbët në Kosovë duhet t'i gëzojnë edhe shqiptarët në
Serbi. Ky rajon duhet të zhvillohet ekonomikisht, sepse Lugina e Preshevës
është një prej rajoneve më të varfëra në Evropë.
DW: Si i shikoni ju zhvillimet e fundit në Luginën e Preshevës: mendoni se jemi
më afër ashpërsimit të situatës apo zgjidhjes politike të këtij konflikti dhe
si duhet të zgjidhet ky problem?
Posselt: Atje mund të ketë një shkallëzim shumë të rrezikshëm, në qoftë se nuk
ndërmerren masat e duhura. Komisioneri Fülle më tha sot gjatë një bisede se
Presheva është absolutisht në qendër të vëmndjes së Komisionit Evropian dhe do
të jetë pjesë e raportit të Komisionit të BE-së për gjendjen në Serbi. Serbia
duhet të ketë shumë kujdes që të mos hapet një vatër e re krize. Natyrisht kjo
vlen për të gjithë, por shqiptarët atje kanë nevojë për të drejtat e tyre dhe
për zhvillim ekonomik. Gjërat duhet të përmirësohen edhe në kalimet kufitare
dhe në bashkëpunimin e këtij rajoni me Maqedoninë dhe me Kosovën. Atje duhet të
investohet më shumë. Ndryshe rreziku është shumë i madh. Kjo vlen edhe për
Sanxhakun. Këto janë rajone të krizave të mundshme. Ndaj do të ishte më mirë që
Serbia të kujdeset për minoritetet e veta se sa të përzihet në punët e
brendshme të Kosovës.
DW: Rreziku pra është i madh ndaj shtrohet pyetja se çfarë duhet bërë për
zgjidhjen e problemeve dhe si mund të ndihmojë Bashkimi Evropian në këtë rrugë?
Posselt: BE-a duhet të jetë korrekt dhe e paanshme. Në shekullin e 19-të u
mbajt Kongresi i Berlinit, ku është njohur pavarësia e Bullgarisë, e Rumanisë,
e Serbisë ... ndërkohë që shqiptarët u lanë plotësisht pas dore. Në 1912 dhe
1913 janë bërë edhe masakra kundër shqipatrëve. Nga historia duhet të mësojmë
se nuk duhet të ketë disproporcionalitete. Të gjitha palët duhet të jenë të
kujdesshme, por në shtigje afatgjate nuk është e mundur që të shkelen të
drejtat e shqiptarëve në jug të Serbisë e në anën tjetër që të drejtat maksimale
që gëzojnë serbët në Kosovë të shpallen si të pamjaftushme. Këto gjëra janë të
papranueshme.
DW: Zoti Posselt, në Kosovë dhe në Serbi janë dëgjuar dhe mendime për mundësinë
e shkëmbimit të territoreve: që Serbia të marrë veriun e Kosovës ndërsa Kosova
tri komunat e banuara me shumicë shqiptare në jug të Serbisë. A mund të
përfytyrohet një zgjidhje e tillë?
Posselt: Një zgjidhje e tillë nuk mund të përfytyrohet fare. Nëse e hapim tani
çështjen e kufijve, nuk dihet se ku do të përfundojmë. Atëherë do të hapen edhe
çështjet e kufijve në Sanxhak, në Vojvodinë, në Bosnjë e Hercegovinë, në
Maqedoni etj. Kjo është shumë e rrezikshme. Parimi evropian është shumë i
arsyeshëm: kufijtë nuk duhet të lëvizen por duhet të relativizohet domethënia e
tyre. Për shembull, kur vij nga Gjermania në Strasburg, unë nuk e vërej fare
kur kaloj nga territori i Gjermanisë në Francë. Pra ne jemi për kufij të hapur,
që i lidhin njerëzit dhe jo që i ndajnë ato. Ne poashtu kërkojmë respektimin e
të drejtave të minoriteteve sipas standardeve të njëjta dhe jo sipas tekave.
Ndërsa ndryshimi i kufijve nuk është fare zgjidhje e mirë.
DW: Zoti Posselt, mendoni se çështja e Luginës së Preshevës do të hapet edhe në
dialogun mes kryeministrave Thaçi dhe Daçiq, apo kjo çështje do të zgjidhet në
dialog mes përfaqësuesve të shqitparëve në jug të Serbisë dhe qeverisë së
Beogradit?
Posselt: Mendoj se këtë problem duhet ta zgjidhin vet serbët. Serbia nuk mund
të afrohet me BE-në, në qoftë se nuk i respekton kriteret e Kopenhagës, ku bën
pjesë edhe respektimi i të drejtave të minoriteteve. Kjo është çësthje e
Serbisë. Unë personalisht jam për një bashkëpunim të mirë me Serbinë, por në
qoftë se Serbia nuk i respekton minoritetet e veta, kjo do të thotë se po ndjek
një rrugë joevropiane dhe në këtë mënyrë po e dëmton vetveten.