Historia duket se do të jetë beteja e re mes Kosovës dhe Beogradit. Shkrimtari
dhe publicisti, Jusuf Buxhovi, sjell për herë të parë një libër mbi historinë e
Kosovës.
Libri ka ngjallur reagime në qarqet akademike serbe
Madje, edhe kur Serbia është pranuar si shtet në kongresin e Berlinit më 1878,
sipas burimeve osmane dhe austro-hungareze, rreth gjysma e asaj popullate nuk
ishte serbe. Shumicën e përbënin shqiptarët dhe vllahët, siç nuk kishte shumicë
greke, por arvanite, edhe Greqia kur u pranua si shtet më 1831.
"Vepra ime edhe pse quhet Kosova, paraqet historinë e Shqipërisë së natyrshme
nga antikiteti (mileniumi i pestë) e tutje", kështu shprehet shkrimtari dhe
historiani, Jusuf Buxhovi, në një intervistë për gazetën "Shqip" mbi librin e
tij "Historia e Kosovës" i cili ka hapur debate të forta mes historianëve në
Serbi e Kosovë. A janë gati Kosova dhe Serbia të kenë një histori të çliruar
nga nacionalizmat? Pse serbët mohojnë dy gjenocide që kanë bërë në Kosovë?
Libri i Buxhovit është në tri vëllime: Antikiteti, Mesjeta dhe Perandoria
Osmane. Ai del në përfundimin se Dardanët janë themelues të Trojës dhe bartës
të qytetërimit antik, i cili me pa të drejtë u është atribuuar grekëve, të
cilët erdhën shumë vonë dhe përvetësuan gjithë qytetërimin pellazg, madje dhe
shkrimin e tyre. Sipas tij, edhe "Iliada" dhe filozofia antike paraqesin
trashëgimi shpirtërore të shqiptarëve.
Libri juaj "Historia e Kosovës", nis nga antikiteti dhe Mesjeta për të vijuar
me Perandorinë Osmane. Çfarë sipas jush i identifikon shqiptarët në këto
periudha?
Fillimisht duhet sqaruar se "Kosova" është historiografi kritike. Është, pra,
një projekt individual, që mbështetet mbi konceptin kohë-hapësirë me gamën e
fokusimit që nis nga mileniumi i pestë e vjen deri në ditët tona. Në këtë kontekst
etnogjeneza e shqiptarëve, si etni, shihet e ndërlidhur me Pellazgët, një si
perandori me shumë mbretëri, ndër të cilat më të rëndësishme janë ajo dardane
me Trojën, mbretëria maqedone, ajo epirote, si dhe mbretëritë ilire. Ky
kundrim, nuk e dëmton teorinë e deritanishme ilire, pos që e plotëson në
kuadrin e perandorisë pellazge, që ishte botërore dhe themel i qytetërimit
antik. Nga trashëgimia pellazge lindën dhe u zhvilluan edhe dy perandoritë e
mëdha: ajo e Romës (nga Dardanët, Galabrët dhe Etruskët) si dhe Bizanti
(kryesisht nga dardano-ilirët).
"Kosova" ka sjellë shumë polemika, por edhe zemërim te historianët serbë, të
cilët e kanë quajtur "një fantazi" dhe të pabazuar në fakte?
Zemërimi i historianëve dhe i akademikëve serbë ka qenë i arsyeshëm, ngaqë ata
për herë të parë ndeshen me një libër autorial te një autor shqiptar, dhe po
ashtu, për herë të parë, ndeshën me një historiografi, e cila rrënon
gënjeshtrat e tyre rreth shqiptarëve, me të cilat ata kanë ushqyer edhe
programet e njohura hegjemoniste kundër shqiptarëve, me të cilat politika
serbomadhe ka ushtruar katër gjenocide kundër shqiptarëve (i pari në vitet
1877/8, i dyti në vitet 1912/'13, i treti në vitin 1944/45 dhe i katërti në
vitin 1998/'99). Historianët serbë i ka zemëruar teza pellazge, pastaj pamja e
rolit shtetfromues në Bizant, si dhe mohimi i shtetit mesjetar serb në Kosovë,
që nuk ka ekzistuar kurrë (pos zhupanive dhe organizimeve të tjera
fisnore-fetare, që i kanë pas edhe të tjerët). Po ashtu, akademikët serbë i ka
hidhëruar së tepërmi, pohimi im se në Kosovë nuk ka pas kishë ortodokse serbe,
por vetëm krishterim të ritit katolik apo ortodoks, dhe se shqiptarët,
krishterimin e kanë marrë nga shekulli i tretë, ndërsa sllavët në shekullin
dhjetë. Kjo çështje demanton mitin për Kosovën djep "shpirtëror serbë" dhe të
ngjashme, me të cilat historiografia serbe është plot e për plot dhe për fat të
keq ia ka dalë të mashtrojë edhe qendrat e vendosjes, dje, por edhe sot... Janë,
pra faktet, që më mbrojnë nga akuzat serbe, fakte këto që edhe ata i dinë, por
nuk dëshirojnë të heqin dorë prej tyre, ngaqë u bie koncepti hegjemonsit
serbomadh, me të cilin edhe sot e gjithë ditën përpiqen ta destabilizojnë
Ballkanin dhe veçmas shqiptarët.
Librat historike të kësaj natyre zakonisht janë nisma të institucioneve
akademike, a e keni ndier që mund të paragjykoheshit kur shkruat këtë libër?
Është detyrë e akademive dhe institucioneve shkencore zyrtare të merren me
projekte të tilla, veçmas në rrethanat e ndryshimeve të mëdha shoqërore dhe
politike, siç janë këto nëpër të cilat po kalojmë. Disa herë kam shtruar këtë
çështje dhe kam kërkuar që në Tiranë dhe Prishtinë të veprohet në këtë drejtim,
por thuajse asgjë nuk ka ndodhur. Kjo, nuk më ka penguar që si hulumtues ta bëj
punën time, punë kjo që ngrit disa çështje që kanë të bëjë me rishqyrtime,
nëpër të cilat domosdoshmërisht do të kalojë historiogarfia jonë, i pëlqej apo
nuk i pëlqen kjo dikujt. Megjithatë, puna ime, e cila është pritur shumë mirë
nga opinionin (pesë ribotime brenda tetë muajsh me një tirazh prej më shumë se
njëzet e pesë mijë ekzemplarësh), krahas kritikave të ashpra që i erdhën nga
Beogradi, nuk u ka shpëtuar disa paragjykimeve, nga disa "historianë" dhe
akademikë të Kosovës, të cilët, nga xhelozia pse nuk kanë bërë gjë, edhe pse paguhen
mirë, u përpoqën që veprën time ta anatemojnë politikisht duke e etikuar "vepër
nacionaliste", "vepër që mohon serbët" dhe madje "vepër që zgjon urrejtje" e të
ngjashme!
Sa e vështirë ka qenë të binit në gjurmët e dokumenteve dhe ku i keni gjetur
ato?
Ka mbi tridhjetë vjet që merrem me hulumtime nëpër arkivat gjermane dhe
austriake. Pjesën më të madhe të këtyre dokumenteve i kam vjelë nga Arkivi
Politik i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë në Bon, pastaj Arkivi
Historik i Berlinit, Arkivi i Majcit, ai i Institutit të Europës Juglindore në
Munih dhe nga Arkivi Shtetëror i Vjenës. Një pjesë tjetër të dokumenteve e kam
vjelë nga arkivat jugosllave, por nuk kanë munguar edhe dokumentet nga arkivat
osmane, ato ruse, italiane dhe greke. Një rol të rëndësishëm në koncipimin e
veprës sime, kanë luajtur edhe veprat e rëndësishme nga historiografia botërore
që kanë trajtuar çështjen shqiptare nga antikiteti e deri te koha jonë.
E kujt ka qenë Kosova, dhe cili shtet ka pasur i pari vendbanimin në të?
Kosova, për mua paraqet epiqendrën e Shqipërisë së natyrshme nga antikiteti e
deri në ditët tona. Natyrisht se ajo ka të bëjë me Dardaninë dhe Dardanët, por
edhe Ilirët, Maqedonët, Epirotët dhe të tjerët, të degëzuar nga Pellazgët. Në
këtë vazhdimësi historike prej pesë mijë vjetësh, pra nga parahistoria dhe koha
historike, mbretëria dardane ka qenë njëri ndër faktorët më të rëndësishëm të
antikitetit. Pas rënies së mbretërisë dardane, kjo hapësirë sërish do të luajë
rol tepër të rëndësishëm gjatë perandorisë së Romës dhe asaj të Bizantit.
Dardania, si pjesë e Ilirikut, do të kthehet në faktor kryesor të Bizantit, ku
edhe kanë rrënjën tri identitetet me të cilat duhet të lidhet qenia shtetërore
shqiptare: identiteti administrativ (i shpallur nga Diokleciani), identiteti
kishtar (i shpallur nga Konstandini i Madh) dhe identiteti politik dhe juridik
(i shpallur nga Justiniani). Termi Kosovë, është i vonshëm. Shfaqet në
shekullin XIX, me vilajetin e Kosovës, që edhe si i tillë, paraqet epiqendrën e
rilindjes kombëtare (Lidhja Shqiptare e Prizrenit), që do të çojë edhe deri te
pavarësia e Shqipërisë. Pra, Kosova (Dardania) përherë ka pas identitet
shpirtëror dhe shtetëror dardano-iliro-arbëror-shqiptar.
Kur shfaqen shenjat e para të Serbisë në Kosovë?
Nuk duhet ngatërruar praninë sllave me atë serbe, ngaqë sllavët paraqesin një
konglomerat popujsh barbar, që sulmuan Ilirikun dhe Dardaninë nga shekulli VI e
tutje, për t'u shfaqur si formacione fisnore nga shekulli IX e tutje, ndërsa
serbët, si pakicë shfaqen në shekullin XIX. Pra në Kosovë, sllavët shfaqen në
shekullin XIII, si pushtues, por pa atributet e mbretërisë, ose të perandorisë,
siç i shohim edhe sot e gjithë ditën në historiografinë zyrtare në Shqipëri dhe
Kosovë, por erdhën si fise të prirë nga zhupanë dhe despotë. Madje, edhe vetë
Rashka, që serbët e quajnë "mbretëri mesjetare serbe", sipas shumë
indikacionesh, nuk ka qenë serbe, por tribale (një fis pellazg i lidhur me
Dardanët). Ato që historiografia serbe i thotë rreth "Car" Dushanit, apo "Kral"
Millutinit, janë falsifikime, ngaqë edhe i pari e edhe i dyti kanë qenë feudalë
ortodoksë, si shumë feudalë të tjerë ortodoksë arbërorë, që ishin në përbërje
të Bizantit dhe asgjë më shumë. Madje, edhe kur Serbia është pranuar si shtet
në kongresin e Berlinit më 1878, sipas burimeve osmane dhe austro-hungareze,
rreth gjysma e asaj popullate nuk ishte serbe. Shumicën e përbënin shqiptarët
dhe vllahët, siç nuk kishte shumicë greke, por arvanite, edhe Greqia kur u
pranua si shtet më 1831.
Ç'vend zë sipas jush historia e shqiptarëve në Ballkan?
Shqiptarët dhe Shqipëria, në raport me Ballkanin, por edhe të tjerët, paraqiten
në qendër të antikitetit, si djep i saj. Ata janë protagonistët kryesorë të
historisë nga lashtësia deri te koha jonë. Kjo është një e vërtetë që historiografia
jonë duhet ta thotë pa ngurrim.
Sa e vështirë ka qenë për ju kjo nismë, dhe a është i përgatitur opinioni në
Kosovë apo rajon për të pasur një histori të shtetit më të ri të Kosovës?
Secili shtet duhet të ketë historinë, së paku atë politike. Vepra ime pretendon
që të paraqesë Kosovën si epiqendër të natyrshme të botës shqiptare nga
antikiteti e deri më sot, siç ka qenë në të vërtetë. Pse historia politike e
shqiptarëve, me pavarësinë e Shqipërisë, është vendosur në "periferi" në vend
të qendrës, kjo nuk do të thotë që historia jonë të ndjekë kornizat e dhunshme
politike, që ia kanë përcaktuar të tjerët.