E Premte, 04.26.2024, 10:04am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
Në 110 vjetorin e lindjes
DON KOLEC PRENNUSHI: "PËR KRISHTIN O KUNDËR KRISHTIT"
Nga FRITZ RADOVANI

E Martë, 07.02.2013, 12:12pm (GMT+1)


 

(Parathanje e librit nga Autori)

 

Jezu Krishti âsht mrekullija mâ e madhe e shekujve. Qandra e historisë. Problemi i madh i perhershmi i njerzimit. Pse Ky njeri qi jeton para se me lé, jeton në shpirtin e nji popullit, të cilit i kjé lajmue prej profetëve mija vjetësh perpara, qi i permbushë të gjitha profecitë në jeten e vet, qi vdes e ngjallet me dishmue se asht Zot e nieri përnjiheri, nuk ka si mos m'e pengue menden e njerzimit.

Kush rreshtohet per Krishtin e kush rreshtohet kundra Krishtit? Rreth vehtjes së Tij asht ndezë lufta ma e madhe e shpirtenve.Lufta qi racjonalizmi nisi mbi katedra, ra mandej në rruga në rreshta të popullit e u ba komunizem, bolshevizem gjithrrenues. Sulmi i tij nuk qellon vetem hyjnin e Krishtit e hyjnueshmeninë e Kishës por edhe kullat mbrojse të tyne: Doktrinen e revelacjonit o të zbulimit, të mbshehsive, të mrekullive të dokumentavet të krishtenimit. Konfutimi i këtyne msymjevet, asht permbajtja e këtij libri.

Unë e dij se, falemnderës Zotit, e shumta e popullit i beson e i mban këto të verteta. Por armët kundra versuljeve t' anmiqëve, sidomos në këte kohë kur mortaja e komunizmit ka prâ (pushtue) atmosferen e pergjithshme i duhen popullit me i pasë për doresh e kundra të zakonshmeve, e kundra atyne mâ të hollave qi kanë hijen e ditunisë, të cilat edhe në mos paçin mbërri ndër né, do të vijnë, si mbeturina rrenojash qi hjedh dallka e detit në bregoret tona.

Sikurse në pjesen e parë, nuk kjé qellimi i em me dhanë nji konfutim qi e kthellon dhe e shtrret landen krejt, por vetem nji armë të kollajtë, në perdorim të perditshem; per tjeter me diftue arsenalin e ndryshem të pamasë t' apologjetikës katolike.

Këto pak njoftime janë marrë prej librit "Schutz-und Trutzwaffen" të P.Nilkes e prej homelive të P. Lacordaire.

Zoti i së vertetes i bekoftë të gjithë ata qi rreshtohen per Krishtin, por edhe ata qi janë kunder Krishtit u denjoftë i Lumi me i bekue, pse na luftojmë gabimet e tyne, por shpirtent e pavdekshem të tyne ia porosisim mëshirës së pakufi të Shelbuesit Hyjnuer.

                                                                                    D. K. Prennushi.

Diten e Zemres së Krishtit, 24 Qershor 1938.

 

â– Don Kolec Prennushi (1902 1950)

â– Ka lé në Shkodër me 1 janar 1902. Prindët e Tij ishin Pjeter Kolë Dedë Prennushi dhe Ninja e Ndoc Daisë (Prennushi). Pjetri me origjinë ishte nga Zhupa, të ramë në Shkoder para vitit 1700. Axhat e Tij ishin Deda dhe At Mati Prennushi, Provinçiali i Françeskanëve të Shqipnisë që u pushkatue nga komunistët me 11 Mars 1948.

â– Don Koleci ishte nxanës në shkollen e Jezuitëve në Shkoder, ndersa studimet e nalta teologjike i ka vazhdue në Linc të Austrisë deri në vitin 1925, bashkë me mikun e gjithë jetës së Tij, At Pjeter Meshkalla S.J.

â– Ishte i pesti klerik i Familjes Prennushi në shekullin XX, mbas Don Matisë, At Matisë, Imz. Vinçencit, At Karlos dhe i fundit Don Koleci.

â– Don Koleci u shugurue meshtar në Shkodër me 25 qershor 1925. U emnue famullitar në Dajç të Bregut të Bunës, ma vonë në Barbullush, ku u pat njohtë me Don Ndre Mjedjen, që ishte atëherë famullitar në Kukël. Prej Barbullushit shkoi në Mal të Kolaj dhe prap me kërkesën e fshatarëve u këthye në Dajç të Bregut të Bunës, ku mbylli jetën e Tij në moshën 48 vjeçare, ditën e diele, me 2 korrik 1950, në pragun e 25 vjetorit të meshtarisë.

â– Përveç, gjuhëve latinisht, italisht dhe greqishtën e vjetër, ai zotnonte gjermanishtën, frengjishtën, spanjishtën, ebraishtën dhe lexonte anglisht.

Nuk kishte vështirësi me mësue gjuhët e hueja se dinte përmendësh Ungjillin.

â– Ai la gjurmë si letrar në letersinë shqipe dhe fetare. Njihet nder perkthyesit e aftë dhe vepra ma me vlerë e perkthyeme prej Tij në gjermanisht asht kenë vepra e njohun e

At Shtjefen Gjeçovit O.F.M., "Kanuni i Lekë Dukagjinit", e cila ka humbë mbas 1948.

â– Në vitin 1948, kur asht arrestue, ka humbë dhe një perkthim që kishte në dorë ato ditë, "Dishmori i Golgotës"... Ka ba edhe përkthime të tjera ma perpara si: "Vizari Shpirtnuer", pjesa e Meshës, librat"Juan Mizeria", "Si mbaroi dashunia", "Shna Rroku prej Montpellier" etj., ku spikatë mënyra me të cilën Don Koleci e ban librin aq të dashtun për lexuesin shqiptar, sa shumë vetë i kujtonin si vepra origjinale të Tij dhe jo përkthime.

â– Me 14 shtator 1931 botoi librin "Rrimë shtremtë e flasim ndrejtë". Libri, që në parathanje ka pikëpamjet filozofike të Don Kolecit, i cili shkruen: "...Me fitimin e lirisë e të pavarsisë s'onë kombtare asht mbyllë nji kaptinë e mjerueshme e njiherit e lumnueshme në histori shqiptare. Shqiptari i ka ulë armët e bartuna për sa kavaljete aq me nderë e ndjekë në qetinë e pagjës udhët e naltsimit shpirtnuer. Për ditë ma tepër vjen tue e kuptue gjejën e kohës së tashme; ai e ndien se botën në dit' t'ona e sundon fjala, idea, përparimi, armë ma të fuqishme se të çeliktat, qi kalojnë ngadhnjyeshëm mbi popuj tue mkamë e tue rroposë frone."..."E kështu shofim na në ditët t'ona kah shpërthen si duhi revolucioni.

Prej kumonarëve, kishave, universitetëve njitet tymi i zi e përhapët mbi qytetet e trondituna prej degame. Votra kulture mivjeçare rrokullisën e bijnë nën majin e liberal-radikalit qi, mbi gërmadhat e parimëve të moçme kremton triumfin e ides së lirisë.

Gjaku i pafaj i atyne qi guxojnë t'ushqejnë tjera ide shkon rrkajë nëpër rruga të qytetit.

E në ket gjak ai njynë dorën e vet trueshkyese e shkruen mbi flamur të ri: Liberté, égalité, fraternité.O kulturë fetare, o bolshevizëm."...

Parullën: "Liberté (point) Egalité (point) Fraternité (point)", Don Koleci e përkthen në gjuhën shqipe: "Liri (aspak) Barazim (aspak) Vllaznim (aspak)".

â– Ték libri "Zoti asht" lexojmë një dialog aktual me ateistet dhe, pikërisht këtu asht vlera e këtyne librave: Aktualiteti, edhe pse librat janë shkrue 70 e sa vjet ma parë.

â– Në librin "Për Krishtin o kundra Krishtit", parashikohet ajo që ngjau në 1944...

â– Don Koleci, ka edhe shumë artikuj të një rendësie të veçantë në revistat: "Leka", "Kumbona e së Diellës", "Hylli i Dritës", "Cirka","Zani i Shna Ndout", "Lajmtari i Zemrës së Krishtit", etj. ku, shpesh përdor edhe pseudonimin Mujs Polemi.

â– Don Kolec Prennushi ka hy në Antologjinë e Shkrimtarëve Shqiptarë(1941), si letrar me prozën "Të vershuemit"(fq.221), dhe si të tillë Prof. Ernest Koliqi, e cilëson rreth vitit 1960, në Radio "Vatikani": "Don K.Prennushi pat një jetë të shkurtë, por ajo që ndërpreu krijimtarinë e tij letrare në kulmin e saj, kje mortaja komuniste, që pushtoi Shqipninë..."

â– Don Koleci me guxim shkruan për Fishtën: "Poemi epik<< Lahuta e Malcis>>

asht nji vade mecum i çdo atdhetari", ndërsa për At Anton Harapin shkruan:

"...Mendje dialektike qi shkruen kryeartikuj ndër të cilët disa janë kryevepra. Dieja e thellë, arsyetimi i lidhun, analizimi i holl, stili i peshuem dallojnë gjith shkrimët e tija. Mund të jetë i thatë, i ftoftë, por ai asht i drejt e i pafajshëm." ("Hylli i Drites", 1936, fq.583)

â– Kardinal Mikel Koliqi në vitin 1992, thonte: "Don Koleci ishte nji bashkpuntor i emi, ishim edhe moshatarë. Ai kishte nji gjuhë të pastër dhe të pasun. Edhe sot njifet stili i veçantë i shkrimeve të tija. Shpresohej shumë prej tij si letrar, mbasi ka shkrue pak proza, por janë të bukra. Vdiq i ri si shumë të tjerë,...edhe ate e mori vala komuniste."

â– Ai njihej ndër pesë predikatarët ma në za të klerit përkrah Imzot Gasper Thaçit,

At Anton Harapit, Don Lazër Shantojës dhe Don Ndre Zadejës.

Forca e mendimit dhe elokuenca e të folunit, e banë të dashtun dhe të paharrueshëm.

â– Don Koleci njihej si konferencier, kryesisht për problemet filozofike dhe teologjike.

Deri në vitin 1938 ai shkonte në Vienë dhe predikonte natën e Krishtlindjeve në një Kethedrale të randësishme. "Aq mirë e fliste gjuhën gjermane, sa kam ndigjue unë tue pyet vienezët thonte At Meshkalla, në cilën kishë të Vjenës asht ky prift, se do të kishe shkue përditë me e ndigjue tue predikue?" (Dëshmi e At Meshkallës në vitin 1964).

â– Kur jezuitët e Shkodrës banin ushtrimet e shpirtit, tregonte At Meshkalla, ishte

Don Koleci i vetmi prift katolik shqiptar që ftohej për me folë për tema të veçanta në Kuvendin e Jezuitve, mbasi ata jo vetëm e respektonin, por edhe e donin shumë për vetë seriozitetin e tij. At Zef Valentini S.J., ndër ma të njohunit dhe të ditunit jezuitë që ka kalue vite të tana në Shqipni dhe ka shkrue shumë për shqiptarë, e që disa vepra të njohuna i ka botue edhe mbas 1944 në Itali, e vlerësonte Don Kolecin me këto fjalë:

"Don Nicola Prennushi, il futuro Cardinale d'Albania"

â– Tregonte z. Nush Tukja kur ishte në burgun e Burrelit, se një ditë, rreth vitit 1948,

kishte pyetë me keqardhje At Frano Kirin: "Po ju qesin faret Padër, a ka mbetë kush bre burrë gjallë, veç jush që jeni këtu në burg?" At Frano Kiri i ishte përgjegjë:

"Po, po, ka mbetë ma i riu e ma i dituni, Don Kolec Prennushi. Sa të kemi atë, kemi boll!....". At Frano Kiri kur fliste për té, thonte: "Ishte shpnesa e fundit e jona!..".

â– Fshatarët e vendeve ku ka shërbye edhe sot e kujtojnë me respekt veprën e Tij baritore.

â– At Gjergj Fishta kishte parashikue dhe i kishte shpreh nanës së Don Kolecit në vitin 1916, kur Ajo kundërshtonte vëndimin që ky kishte marrë me u ba prift, po At Fishta i tha:

"Zoti ta ruejt Kolecin, ai do të bahët nji prift i mbrekullueshëm se ia kishte shndritë Zoti deri edhe ftyrën, kur e kishte thirrë për meshtar."

â– Prej thonjëve të komunistëve nuk kishte si me shpëtue as Don Koleci, këte edhe Ai e dinte mirë. Kur fshatari besnik i tij Lac Gjushi, nga Dajçi, që e mbylli jetën "kulak" dhe burgjesh vetëm se ishte mik i priftit dhe nuk pranoi me dëshmue në hetuesi kundër Tij, i pat propozue Don Kolecit tue i sigurue me e nxjerrë jashtë Shqipnie bashkë me far'e fis,

për me i shpëtue arrestimit, Don Koleci i tha: "Jo, kjo punë nuk bahet prej meje, se jam betue nji ditë mbi Elterë kur jam shugurue meshtar se, po kje nevoja edhe unë do të derdhi gjakun tem si Mesuesi em Jezu Krishti në krye të popullit tem, në tokën teme shqiptare."

â– Natën e Shën'Kollit, me 5 dhetor 1948, rreth orës 22.00, kur Don Koleci ishte në sofër me nanën dhe motrat e Tija, me kafshatë buke në gojë, forcat e Sigurimit komunist, me njëfarë vagabondi e rrugaçi, Ahmet Suji, që ishte shoferi i sigurimit, hyjnë dhe i venë prangat tue e akuzue: "Ka propaganduar në favor të Italisë fashiste për pushtimin e Shqipërisë.

Ka propaganduar kundër Pushtetit Popullor. Ka strehuar kriminelë të arratisur. Duhët dënuar për vëprimtari armiqësore." (Dosja D.K.Prennushi nr.1072, 1989,1143, 2452, 3359/1, Arkivi i Ministrisë P. Mbrendshme, Tiranë, 1998).

â– Nuk duhet harrue se ishte koha kur diktatori solli në krye të Ministrisë së Punëve të Mbrendshme kriminelin Mehmet Shehu, dhe në qytetin e Shkodrës vazhdonte kasaphanën terroristi i pashoq, furrtari Zoji Themeli, që tashti kur dëgjon se çfarë po bëjnë serbët në Kosovë, "i rrënqethën misht"...

â– Për 11 muej pra, edhe Don Koleci do të provonte torturat ma shnjerëzore, lidhjet në vargoj, shenjat e të cilëve i mori me vete në vorr, korrentet elektrike që i shkatrruen zemrën dhe një ditë, në fund të tetorit 1949, pra gati mbas një viti, kur vërejtën se jeta e tij kishte marrë fund poashtu si e kushrinit të Tij, Imzot Vinçencit në qelitë e Durrësit, këte e "liruan" me vdekë në shtëpi, për mos me shtue numurin e klerikëve të mbetun në tortura...

â– Ai doli pikërisht kur shteti po i shpallte luftë Klerit Katolik për jetë a vdekje, tue mendue se: Don Koleci, Don Dedë Malaj, At Marin Sirdani, Don Ejëll Kovaçi, At Konrrad Gjolaj, etj. të friguem nga vuejtjet dhe torturat e Sigurimit që u ishin ba mbi trupat e Tyne, do të ndikonin në miratimin e Statutit të Kishës Katolike me heshtje dhe pa kundërshtime.

Këta, jo vetëm nuk e pranuen as si projekt por e kundërshtuen me forcë, deri në vetflijim. Don Deda dhe Don Ejëlli vetëm pse nuk vune firmat e Tyne, në vitin 1958-59 u pushkatuen, të tjerët që kundërshtuen kaluen jetën në burgje e kampe të shfarosjes. Ndërsa Don Koleci vdiq kur po zhvilloheshin ato mbledhje. Don Koleci mori pjesë vetëm ne dy mbledhjët e para ku ndër tjera ka thanë: "...Këta do të na kërcnojnë se do të mbyllin kishat tona, në kjoftë se na, nuk miratojmë këte projekt- statut kështu si asht këtu. Ky projekt-statut nuk duhët miratue prej nesh se, edhe mbas miratimit të tij këta kanë me i mbyllë kishat prapseprap. Jam i sigurt se do të na thonë se, do t'ju vrasim, por asht ma mirë me ba shka kanë ndër mend sot se ma vonë. Lé të na vrasin ma mirë sot me faqe të bardhë, sësa me firmue këte dhe nesër prap kanë me na mbytë por, na do të vdesim me faqe të zezë. E, na, nuk duhët me harrue se me këta na jemi hupë se hupë. Komunistët kështu kanë ba ku e kanë marrë pushtetin, në Rusi, në Spanjë e kudo. Na nuk jemi të parët që nuk po i njofim se kush janë...Këta janë gjithkund njisoj!" (Nga At K.Gjolaj nÑ‘ librin "Çinarët", fq.125).

â– Në shënimet autobiografike që At Pjetër Meshkalla S.J., ka lanë në vitët e fundit të jetës së Tij aty nga 1987, shënon: "...Dhimbja ma e madhe që kam ndie në zemër kur ishe në burgun e Burrelit, asht kenë ajo e vitit 1950, kur mora vesht vdekjën e shokut dhe mikut tem të vetëm të të gjithë jetës, Don Kolec Prennushit."

â– Ditën e dielë, me 2 korrik 1950, aty nga ora 11.00 para dreke Don Koleci ishte në agoni të plotë...Don Ernesto ka tregue se, kur ka hy në dhomë Don Koleci ka folë këto fjalë:

"Don Ernesto, më jep të zgjidhun se janë tue më pritë një tubë engjuj, mbasi më asht hapë qielli e më dukët se po shkoj tek Jezu Krishti,.."

â– Funerali asht kenë familjar. Kanë marrë pjesë me qindra vetë nga fshatrat e famullisë së Tij e përreth deri në Velipojë. Përveç kumbonëve që fshatarët u kanë ra në njëanë në shenjë zije, nuk asht ba vëprim tjetër nga frika. Në Kishën Katedrale të Shkodrës, kur i asht ba bekimi i trupit të vdekun, asht vendosë në fund të Kishës, tek Elteri i Zojës me shtatë hanxharë dhe ka kenë prezent edhe Imzot Bernardin Shllaku, kur Don Ernesto Çoba ka ba bekimin. Mjaft klerikë nuk kanë marrë pjesë nga frika. Nga Katedralja asht nxjerrë nën drejtimin e Don Ernestos dhe asht bajtë në dorë prej fshatarëve të fshatrave të famullisë së Tij deri nÑ‘ vorreza. Asht varrosë në Rrëmaji, ku pret ringjalljen.

â– Sot na vetëm mund të themi, se Don Kolec PRENNUSHI, ishte një prej perlave të Asaj Kolane, që Krishti la pasues në Klerin Katolik Shqiptar...

                                                                                       

Melbourne, 2013.

 

FRITZ RADOVANI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
FOTO E JAVËS - PRESIDENTI OBAMA DHE ZONJA E PARË FLASIN NË TELEFON ME GRUAN E ISH PRESIDENTIT MANDELA (07.02.2013)
VALBONË - FLUKS I MADH TURISTËSH TË HUAJ DHE VENDAS (07.02.2013)
2 KORRIK 1990 – 2 KORRIK 2013, 23 VJET NGA HYRJA NË AMBASADANga ILIR HYSA (07.02.2013)
PRESIDENTI OBAMA ARRITI NË TANZANI (07.01.2013)
PROJEKTI EVROPIAN I REVISTËS 'EUROPA' (07.01.2013)
FJALORËT E DAJËS, DHE KY I TANISHMI SHQIP-SUEDISHT DO JENË GURËT E SHENJTË TË GJUHËS SHQIPENga SOKOL DEMAKU (06.30.2013)
TË GJITHË JANË TË GUXIMSHËM, KUR ARMIKU IKËNNga AUREL DASARETI, ekspert i shkencave psikologjike-ushtarake (06.30.2013)
HOLZNER - TAP, MË SHUMË SIGURI FURNIZIMI ME GAZ PËR EVROPËN (06.30.2013)
LAMTUMIRË KRYEMINISTER SALI BERISHAPoemë nga AGIM GASHI (06.30.2013)
DHOMA SHQIPTARE E TREGTISË NË MASAÇUSETS, DEGA E USTERITFotoreportazh nga ARDIAN MURRAJ (06.29.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]