Telegraf, FRANK SHKRELI - TRAUMAT E TRANZICIONIT TË ELIDA BUÇPAPAJT - NJË DËNIM I TRANZICIONIT 20-VJEÇAR
E Mërkurë, 07.17.2013, 07:49am (GMT+1)
Në këtë përmbledhje artikujsh, të
titulluar "Traumat e Tranzicionit'', Elida Buçpapaj publicistja e njohur
në trojet shqiptare dhe në diasporë për shkrimet e saj jo konformiste, i
paraqet lexuesit shkrime të pasura dhe tematika të ndryshme mbi jetën
politike, mbi dështimet dhe mbi mundësitë e humbura, si në Shqipëri
ashtu edhe në Kosovë, në periudhën pas-komuniste.
Me përgjegjësi
dhe me bindje autorja eksploron përceptimin e saj, por edhe të tjerëve
që mendojnë si ajo, se tranzicioni në Shqipëri ka dështuar. Në këtë
libër ajo merret me një numër temash qendrore të jetës politike dhe
shoqërore shqiptare, të cilat pasqyrojnë karakteristikat, sidomos të
elitës politike shqiptare -- shpesh të dyshimta, të koklavitura e
nganjëherë të ngatërruara -- por si gjithmonë të lidhura me njëra
tjetrën, fatkeqsisht, për keq por që të bindin dhe të bëjnë të
dëshirosh se Shqipëria dhe Shqiptarët, pas më shumë se dy dekadash,
meritojnë diçka më mirë dmth., një konsolidim të vërtetë demokratik
dhe jo një pseudodemokraci.
Ekspertët e shkencave politike
argumentojnë se në një vend, tranzicioni demokratik konsiderohet të ketë
përfunduar kur palët e ndryshme arrijnë në marrëveshje mbi "rregullat e
lojës", të cilat kanë të bëjnë, ndër të tjera, me zgjedhjen e lirë të
një qeverie. Kur qeveria të krijohet nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe të
pakontestueshme dhe kur pushtetet e ndryshme nuk detyrohen të ndajnë
kompetencat me pushtetet e tjera, me fjalë të tjera, kur të arrihet
pavarësia e institucioneve të ndryshme të shtetit dhe qeverisë --
atëherë një vend mund të konsiderohet se ka kaluar tranzicionin me
sukses, dhe që njëkohësisht, sipas ekspertëve, të quhet vend demokratik.
Një element tjetër për një shoqëri demokratike është besimi tek
institucionet. Besimi ndaj organeve shtetërore duhet të zhvillohet nga
shoqëria dhe si i tillë ai besim përforcohet nga puna që bëjnë
institucionet politike dhe civile për të mirën e përbashkët dhe jo nga
veprat ose vendimet e tyre në favor të një grupi ose të një personi/ash
me influencë, dhe në dëm të mirëqenies kolektive. Besimi në
legjitimitetin e institucioneve shtetërore, siç janë prokuroria dhe
gjykatat, i jep hov demokracisë dhe zhvillimeve të saj dhe njëherazi
avancon edhe efikasitetin e vetë institucioneve.
A ka besim ndaj
institucioneve shtetërore dhe qeveritare në Shqipëri? Autorja thotë se
jo. Ajo gjithashtu aludon se mungesa e besimit dhe rënia ekonomike, kanë
përfunduar në një shtim të dukshëm të pakënaqësisë në përgjithësi ndaj
elitave të të gjitha forcave kryesore politike në Shqipëri. Megjithëse,
fajet e mëdha për mos përparimet e duhura dhe tepër të nevojshme gjatë
këtij tranzicioni i ka mbi shpinë elita politike, përgjegjësi ka edhe
qytetari i thjeshtë, i cili fatkeqësisht ende nuk është çliruar nga
mentaliteti i varësisë së individit tek shteti dhe si i tillë është më
pak kritik.
Në këtë botim, Elida Buçpapaj lë të kuptosh se
Shqipëria ka bërë shumë pak përparim drejt demokracisë së vërtetë,
ndërsa ajo paraqet shpjegime dhe shqyrtime për fusha të ndryshme, siç
janë politika, shteti i së drejtës, liria e shtypit, e tjera. Në të
gjitha këto fushë, ajo nënvizon dobësitë e sistemit post-komunist, duke
venë në dukje trashëgiminë komuniste të vendit si dhe mentalitetin e
elitës së sotme politike, kulturore, mediatike e tjera -- trashëgimi kjo
që ka bërë të mundur çimentimin dhe manipulimin e jetës politike nga
këto elita pasardhëse të një ish-sistemi autoritar, siç ishte regjimi
enverist, ku shteti dominonte mbi të gjitha aspektet e jetës së
njerëzve.
Libri i Zonjës Buçpapaj është një përmbledhje
kritikash ndaj dështimeve sistemore dhe sistematike të qeverisjes nga
një autore që e do atdheun e vet dhe kombin -- qëndrime këto që lexuesin
e bëjnë të mendojë dhe të pyesë se përse Shqipëria, si pothuaj asnjë
vend tjetër në Evropë, nuk e ka plotësuar atë tranzicion transformimi që
tanimë e kanë përfunduar shumica e vendeve ish- komuniste? Duke lexuar
librin e E. Buçpapaj të mbetet përshtypja se Shqipëria, por edhe Kosova
kanë ngecur në një periudhë ''transformimi ose tranzicioni të ngrirë'',
të kontrolluara nga grupe të fuqishme oligarkike dhe me influencë, të
cilat po keqpërdorin pasurinë e vendit dhe po shpërdorojnë ose po lënë
pas dore madje edhe pasurinë kulturore dhe kombëtare të shqiptarëve. As
Shqipëria fatkeqsisht nuk ka mundur t"˜i ikë situatës, ku elitat e
ish-regjimit komunist, gjatë këtij tranzicioni, janë pasuruar nga
burimet shtetërore duke krijuar në këtë mënyrë, korrpusion, ku individë
dhe grupe interesash, përfshirë edhe mafian, kanë lëshuar rrënjë dhe
kanë zënë vende me rëndësi në jetën ekonomike, politike dhe shoqërore të
vendit, përfshirë edhe median. Ndoshta ky tranzicion po zgjatë me
qëllim, sepse sa më i gjatë të jetë tranzicioni, aq më i madh kaosi,
hutimet dhe pështjellimet, dhe si përfundim aq më të mëdha mundësitë për
pasurimin e individëve, grupeve dhe elitave që e mbajnë vendin në këtë
gjëndje të ngrirë tranzicioni.
Ky koleksion artikujsh nga Elida
Buçpapaj tregon se autorja ka aftësi analitike dhe mendje të mprehtë si
vërejtëse e gjendjes aktuale në Shqipëri, ndërkohë që nganjëherë edhe me
hidherim e zhgënjim shpreh pikëpamjet e saj ndaj një prej
transformimeve ose tranzicioneve më të rëndësishme të historisë së
kombit shqiptar, periudhës së rënies së komunizmit në Shqipëri dhe
shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Zonja Buçpapaj shpreh zhgënjimin e
saj të thellë, dhe kritikat nganjëherë të ashpëra por me vend, ndaj një
situate që pas 20 e sa vjetësh pas rëniës së komunizmit, pritej dhe
duhej të ishte ndryshe. Lexuesi mëson se gjëndja e sotme politike,
ekonomike por edhe në fusha të tjera të jetës së shqiptarëve -- sipas
saj tepër e pakënaqshme -- është rezultat i drejtpërdrejtë i politikave
të ndërmarra ose jo nga klasa e politikanëve të sotëm, dhe jo nga
kushtet e vendit. Ajo argumenton se Shqipëria është ashtu siç është sot,
për arsye të trashëgimisë komuniste të elitës së sotme politike, e
mbërthyer në inate me njëra tjetrën, dhe jo se i mungojnë reformatorët e
aftë dhe të vendosur për të çuar vendin përpara, siç ka ndodhur në
shumicën e vendeve ish-komuniste të Evropës Lindore.
Këjo nuk
është e pamundur për Shqipërinë, sipas saj. Megjithëse e vogël, shoqëria
shqiptare është tepër e koklavitur, por vetëm kur individët të jenë të
aftë të përdorin të gjitha aftësitë dhe njohuritë e tyre, nepërmjet një
tregu të lirë mallrash dhe ideshë, atëherë edhe Shqipëria dhe Shqiptarët
do të shkojnë drejtë përfundimit të suksesshëm të këtij tranzicioni
tepër të gjatë.
Në fund të fundit, është individi dhe shoqëria
shqiptare ajo që do vendosë vet preferencat politike si dhe mundësitë
për të zhvilluar marrëveshje shoqërore, shoqata dhe organizata që do t"˜i
shërbejnë më së miri realizimit të qëllimeve dhe nevojave të individit
dhe të vendit. Në këtë kuptim, demokracia, megjithëse jo e përfeksionuar
si sistem, është dhe mbetet një model universal për të gjithë njerëzit
dhe për të gjitha kohërat, i zbatueshëm për të gjithë, në bazë të
ligjit, pronës private dhe lirisë njerzore -- duke bërë të mundur që
individët dhe populli si tërësi shoqërore, të rregullojnë lirisht punët e
veta pa ndërhyrje, në një mënyrë që u shërben interesave më të mira të
tij dhe rrethanave në të cilat jetojnë. Shpresojmë se kjo do të ndodhë
në Shqipëri.
Libri "˜"˜Traumat e Tranzicionit"˜"˜, që është një
përshkrim i disa fenomeneve të tranzicionit të 20 vjetëve të fundit të
kombit shqiptar, e që autorja i ka quajtur me të drejtë "Trauma'',
meriton të lexohet madje edhe nga ata që mund të mos jenë dakort me
përfundimet dhe analizat e Zonjës Buçpapaj.
Është një kontribut i
rëndësishëm në debatin e vazhdueshëm mbi dështimet ose siç i quan ajo
"š"˜"˜Traumat e Tranzicionit"˜"˜ shqiptar, i freskët për nga sinqeriteti dhe
dashuria e autores për mirëqenien dhe mbarvajtjen e kombit, për të
gjithë ata lexuesë që janë të interesuar në analiza politike dhe
historike.
www.voal-online.ch
|