E Shtunë, 04.27.2024, 09:27pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
SAKTËSIA DHE GJITHANSHMËRIA E GAZETARES ISABELA ÇOÇOLI (Portret dhe intervistë) -NGA FLORA NIKOLLA

E Premte, 02.07.2014, 10:37am (GMT+1)


Isabela Çoçoli ka qënë pjesë e Zërit të Amerikës, këtij institucioni mediatik me ndikim të thellë gjithëbotëror, në periudhën e rrëzimit të regjimit komunist në Shqipëri dhe thotë se ndihet krenare për rolin e saj, sado të vogël, "në përmbysjen e një prej sistemeve më obskurantiste dhe më kriminale që njeh historia". Po aq mbresëlënëse për të është edhe përvoja që ka pasur me zhvillimet në Kosovë. Ofertën për të punuar në Zërin e Amerikës e mori kur ishte në Greqi, pak pasi ishte arratisur nga Shqipëria së bashku me motrën e saj Zamirën, largim gjatë të cilit humbën vëllanë e tyre, Klementin. I përket një familje patriotësh shqiptarë që kishin luftuar dhe punuar për formimin e shtetit shqiptar, si nga nëna, ashtu edhe nga babai, por që regjimi diktatorial i pushkatoi, i burgosi dhe i internoi. Internimin e përjetoi gjyshja e saj 90 vjeçare, prindërit e saj dy herë, por edhe ajo, motra e vëllai i saj. Prej vitesh është redaktore e lajmeve në Zërin e Amerikës duke pasur përgjegjësi për të gjitha materialet e programit, të përkthyera apo përshtatura, si dhe për shërbimin origjinal për të siguruar promovimin e politikës së objektivave të SHBA në bazë të udhëzimeve të stafit. Numri i personazheve që ka intervistuar gjatë këtyre viteve është i madh, nga personalitetet më të larta amerikane deri tek ekspertë të fushave të ndryshme. Gjithashtu, ka pasur rastin të intervistoj edhe shumë personalitete shqiptare.

Ju flet Zëri i Amerikës! Në fakt kam emocione që po intervistoj ikonën e këtij zëri profesional dhe të vërtetë, i ndaluar për shqiptarët për aq shumë vite. Si do ta përcaktonit në fillim të kësaj interviste përvojën tuaj tek Zëri i Amerikës?

Ju faleminderit për mundësinë që më jepni duke më përfshirë në projektin tuaj. Së pari do të doja ta bëja të qartë se pikëpamjet e shprehura në këtë intervistë janë personale dhe nuk pasqyrojnë politikën e qeverisë amerikane apo të institucionit ku unë punoj. Përvoja ime në Zërin e Amerikës ka qënë shumë interesante, e mbushur me ngjarje historike për Evropën në përgjithësi dhe për Shqipërinë dhe gjithë trojet shqiptare në veçanti. Kam qënë pjesë e këtij institucioni, me ndikim të thellë gjithëbotëror, në periudhën e pëmbysjes së një prej sistemeve më obskurantiste dhe më kriminale që njeh historia, atij komunist, dhe ndihem krenare për rolin tim, sado të vogël, në këtë përmbysje. Po aq mbresëlënëse është përvoja që kam pasur me zhvillimet në Kosovë. Ne fakt kanë qënë të dhimbshme dhe emocionuese ngjarjet që çuan në pavarësinë e Kosovës, por vetë pavarësia e Kosovës është zhvillimi më i rëndësishëm historik për kombin shqiptar gjatë gjithë historisë së tij të pas-pavarësisë.

A mund të kujtoni vitet tuaja të para në Amerikë? Sa e vështirë ishte përshtatja, tashmë në një atdhe të dytë, siç ishte Amerika, ndërsa vinit nga një përvojë shumë e hidhur si Shqipëria e më pas si arritët të punësoheshit në Zërin e Amerikës?

Ofertën për të punuar në Zërin e Amerikës e mora kur isha në Greqi, pak pasi isha arratisur nga Shqipëria së bashku me motrën time Zamirën, largim gjatë të cilit ne humbëm vëllanë tonë shumë të dashur, Klementin. Kishim kaluar rreth 10 vite në internim, pa asnjë perspektivë për të ardhmen. Pak më tepër se gjashtë muaj pasi mbërrita në Shtetet e Bashkuara, fillova punë tek Zëri i Amerikës. Fillimi im në Amerikë, ndryshe nga emigrantët në përgjithësi, nuk ka qënë i vështirë. Mbërritëm në Shtetet e Bashkuara më 19 dhjetor 1984 dhe u pritëm me ngrohtësi nga djali i xhaxhait të nënës dhe nga njerëz të njohur të familjes së nënës në Detroit të Miçiganit, të cilët na ndihmuan me gjithçka mundën për të patur një fillim të lehtë. Para se të vendoseshim përfundimisht në Uashington, ato gjashtë muaj që jetuam në Miçigan shkonim në shkollë për t'u familjarizuar me anglishten e folur. Përshtatja në Shtetet e Bashkuara ishte e lehtë edhe për një arsye tjetër, por dua fillimisht të them se i përkas një familje patriotësh shqiptarë, që kishin luftuar dhe punuar për formimin e shtetit shqiptar, si nga nëna, ashtu edhe nga babai, por që regjimi diktatorial i pushkatoi, i burgosi dhe i internoi. Internimin e përjetoi gjyshja ime 90 vjeçare, prindërit e mi dy herë, por edhe unë, motra e vëllai im. Do të duhej një libër voluminoz për të përshkruar persekutimin e njerëzve të mi, si nga nëna ashtu edhe nga babai, por këtë herë po e lë me kaq. Për këto arsye, Shqipëria komuniste ka qënë një atdhe i keq për mua. Në të kundërtën, Shtetet e Bashkuara më ofruan çdo mundësi, të imagjinueshme dhe të paimagjinueshme për të plotësuar të gjitha dëshirat e mira rinore, krahas të gjitha lirive dhe të drejtave të njeriut që ky vend i ka të sanksionuara në Kushtetutën e tij funksionale.

Ju thatë se regjimi komunist ju kishte rezervuar një jetë të padrejtë, siç ishte edhe internimi...


Po. U internuam në Çermë të Lushnjes në prill 1975, pas arrestimit të vëllait tonë, Klementit, atëhere 19 vjeç. Akuza ishte klisheja më e rëndomtë e regjimit komunist, agjitacion e propagandë.

Një mbrëmje gushti të vitit 1984, ju me motrën dhe vëllanë tuaj u nisët me not nga Saranda për në Korfuz. Pse ky vendim?

Regjimi komunist na vrau rininë dhe ëndrrat që ka çdo i ri për jetën. Pasi kaluam rreth 10 vite në internim, pa asnjë perspektivë për të ardhmen, vendosëm të largoheshim. Ideja ishte e vëllait, por edhe prindërit na mbështetën.


Isabela Çoçoli në një vepër të realizuar nga piktori Avni Delvina

Prej fillimit të punës në radion Zëri i Amerikës, ju keni qënë një zë shumë i kërkuar dhe i dëgjuar në fshehtësi nga shumë shqiptarë. Cila ka qene ndjesia juaj kur komunikonit përmes mikrofonit me vendin tuaj që ju kishte shpallur të "ndaluar"?

Ka qënë privilegj dhe nder për mua të punoj për Zërin e Amerikës dhe kontribuoj në rënien e regjimit diktatorial komunist dhe demokratizimin e Shqipërisë. Dëshira ime ishte përmbysja e regjimit komunist, ndjesia ime ishte se ditët e atij regjimi ishin të numërua, veçanërisht pas vdekjes së diktatorit Enver Hoxha.

Prej vitesh jeni redaktore e lajmeve në Zërin e Amerikës duke patur përgjegjësi për të gjitha materialet e programit, të përkthyera apo  përshtatura, si dhe për shërbimin origjinal për të siguruar promovimin e politikës së objektivave të SHBA në bazë të udhëzimeve të stafit. Si e komentoni këtë përgjegjësi?

Është një përgjegjësi jo e vogël, por Zëri i Amerikës ka Kartën e tij dhe Kodin e Gazetarisë të cilit i përmbahen gazetarët. Ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë me redaksinë e lajmeve dhe natyrisht një hapësirë të gjerë për materialet origjinale që përgatisim për programet, gjithmonë duke u mbështetur në Kartën dhe Kodin e Gazetarisë.

Një karrierë brilante në gazetari, me një kohëzgjatje prej më shumë se 27 vite. Sa është numri i personazheve që keni intervistuar deri më tani dhe a mund të veçoni ndonjë intervistë për nga origjinaliteti ose edhe arsyeja që keni arritur ta realizoni?

Numri i personazheve që kam intervistuar gjatë këtyre viteve është i madh, nga personalitetet më të larta amerikane deri tek ekspertë të fushave të ndryshme. Gjithashtu, kam patur rastin të intervistoj edhe shumë personalitete shqiptare. Do të veçoja këtu intervistën me ish- Sekretarin Amerikan të Mbrojtjes, Frenk Karluçi, në lidhje me gjendjen në Kosovë rreth një vit para shpalljes së pavarësisë. Pas asaj interviste mendova se pavarësia ishte e padiskutueshme, por mbetej çështje kohe.

Cila është ngjarja që ju ka shkaktuar më shumë emocion në punën tuaj?


Është shpallja e Pavarësisë së Kosovës dhe njohja e saj nga Shtetet e Bashkuara. Rreth 30 minuta para programit të orës 18:00, Departamenti i Shtetit publikoi deklaratën e Sekretares së Shtetit, Kondolica Rajs, të cilën e përktheva menjëherë, së bashku me një kolegen time, dhe e transmetuam në atë program.

Si e shihni sot gazetarinë shqiptare? Cila është ajo këshillë që mund të përcillni për median shqiptare, e konturuar ndryshe pas viteve '90?

Sot, Shqipëria ka gazetari të mirëfilltë dhe gazetarë të aftë dhe thellësisht të informuar. Nuk i njoh vetes të drejtën për t'u dhënë këshilla kolegëve gazetarë. Zhvillimi i gazetarisë në demokraci është një proces i ndërthurrur me proceset e demokratizimit të të gjitha strukturave të një vendi. Do të thosha diçka tjetër, nëse do të konsiderohej këshillë, le të jetë kështu, pushteti dhe politika duhet t'i mbajë larg duart nga shtypi, pena e gazetarit nuk vret, ajo vetëm ndihmon në demokratizmin e vendit, ndihmon në perfeksionimin e institucioneve demokratike.


Uashington DC

Në fakt cili është çelësi i suksesit në gazetari dhe çfarë ju ka dhënë ajo në jetë?

Çelësi i suksesit është këmbëngulja për të vërtetën, saktësia dhe gjithëanshmëria. Gazetaria është një profesion që të lidh me shumë aspekte të zhvillimit human, nga shtetformimi, tek politika, ekonomia e gjithçka tjetër deri tek argëtimi. Është një profesion që të vë në kontakt me shumë njerëz dhe ngjarje, nga të cilët mëson shumë, të krijon një bagazh njohurish që vështirë se i fiton nëpërmjet shkollës dhe librave.

Si do ta përcaktonit Shqipërinë sot, çka ndryshuar më shumë dhe a ka pika të përbashkëta me të shkuarën që ju keni lënë pas?

Shqipëria pa diskutim ka ndryshuar shumë. Shqipëria është vend demokratik, anëtar i NATO-s dhe aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Ka "mbetje"nga e kaluara komuniste në mendësinë, kryesishit të politikës, megjithatë, edhe zhdukja e këtyre mbetjeve është proces më vete që do kohën e tij. Çfarë do të ndihmonte më shumë në këtë proçes është një udhëheqje më e përgjegjëshme, që të vinte interesat e vendit para interesave të individëve të grupit me pushtet.

Cili është komenti juaj për komunitetin shqiptar që jeton në SHBA?

Komuniteti shqiptar në Shtetet e Bashkuara është një komunitet dinamik, një komunitet aktiv në jetën e vendit, një komunitet punëtor dhe i suksesshëm.

Si e konsideroni iniciativën e Albanian Excellence? Mendoni se ajo do të ndikoj sado pak në afrimin e shqiptarëve këtej dhe andej kufirit?


Albanian Excellence është një nismë e shkëlqyer, si vetë fjala në anglisht që ju e keni emërtuar atë. Pas viteve '90, Shqipëria ka përjetuar fenomenin e "rrjedhjes së trurit", gjë që është negative për një vend. Me nismën tuaj ju sillni në vemendje të opinionit publik, dhe në veçanti të udhëheqjes së vendit, sesa shumë profesionistë të aftë shqiptarë punojnë dhe jetojnë jashtë Shqipërisë, një potencial tejet i madh njerëzor që do të jepte një kontribut të padiskutueshëm nëse do të tërhiqej të rikthehej në Shqipëri. Për këtë, përsëri përgjegjësia i takon udhëheqjes së vendit. (atsh)

www.voal-online.ch FLORA NIKOLLA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
HAPET ARKIVI I SHTETIT, ZBULOHET HARTA E RRALLË - SHQIPËRIA E VËRTETË (02.07.2014)
SHOQATAT SHQIPTARE ME VEPRIMTARI NË SHBA, ME ORIGJINË NGA SHTETI I SOTËM I MALIT TË ZIREAGIM RRETH ZGJEDHJEVE NË ULQIN (02.07.2014)
PESË NGA DEFEKTET E GAZETARIT SHQIPTARNga FATOS BAXHAKU (02.07.2014)
NUK HARROHET VAÇE ZELAPoezi nga AGIM GASHI (02.06.2014)
E PAPËRSËRITËSHMJA VAÇE ZELA(Ky shkrim është shkruar me rastin e ditëlindjes të Vaçe Zelës) Nga ELIDA BUÇPAPAJ (02.06.2014)
UKA ËSHTË I PAFAJSHËMNga AGIM GASHI (02.05.2014)
A KA LIDHJE GJIKA ME BANDËN E TRITOLIT? SHKRIMI I LUBONJËS QË NERVOZOI KRYEBASHKIAKUN (02.05.2014)
KILLERI ÇON PROKURORËT TE ZYRAT E BIZNESMENTI ILIR KARÇANIJulian Sinanaj: Mora 50 mijë euro kapar dhe foton e personit që do vrisja. Biznesmeni lihet në burg, refuzon implikimin. Shpëtim Gjika shpërthen kundër Besnik Dervishit (02.05.2014)
SPIUNËT T'I DEKOROJMË DHE PËRKËDHELIM APO TË GJYKOHEN VEPRIMET E TYRE KARSHI VIKTIMAVE!Nga ASLLAN DIBRANI, ish i burgosur politik (02.05.2014)
FËMIJËT E KOSOVËS - SI NA MASAKRONIN SERBËT (Dëshmi dhe foto) (02.04.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]