E Djelë, 04.28.2024, 04:48am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
Po Vaçja s’e la këngën. Edhe pas shuarjes, Kënga e saj gjallon
VAÇE ZELA GJENESHA E KËNGËS
Ese nga FASLLI HALITI 

E Shtunë, 02.08.2014, 09:08am (GMT+1)


        
           1939- 2014


Sapo kishte  kënduar në Orën Gazmore të qytetit, Vaçja erdhi  në shtëpinë tone. Ne kishim  hyrje-dalje me Zelët. Që  në moshën dymbëdhjetë vjeçe, Vaçja ishte  bërë e njohur  në gjithë  qytetin e Lushnjes. Xhaxhesha kërkoi  që ajo të  këndonte një këngë. Vaçja  që e kishte  këngën të  gatshme, si gjinkalla, filloi të këndonte, pa pritur që  t'i thoshin për së dyti. Bukur, bukur, tha  xhaxhesha, po jo si në radio (altoparlant),  jo si në skenë. Atje duket  tjetër, këtu tjetër. Eh,  dhe ti moj  Shahe, i  thonë nëna, po  kjo atje  e ka vendin dhe jo këtu  në mes të tymit, afër vatrës, ku piqen  bukët. Çdo gjë  në vendin e vet.

Ndërkaq Vaçja  e vogël  çau  dritaret e shtëpisë  së  bukës  me zërin e saj të madh  dhe kënga u përzie  me erën e bukës së djersitur që avullonte  në qoshe të hambarit dhe që  ne fëmijët  s'mund  ta hanim  pa u  ftohur  gjersa  avulli  i bukës  të arrinte  në arën  më të  largët. Zia e bukës ishte në vitin  më të zi  dhe buka duhej  kursyer  duke u ngrënë e ftohtë, sepse e ftohtë hahej më pak. Vaçja  që sapo  kishte hequr  biberonin  nga  goja, na ngopte shpirtin  me këngën  e saj të ngrohtë  avulluese  që  ne e përpinim  ashtu të  avullt.

Ora Gazmore  jepej një  herë në javë, çdo ditë  të diel  me  altoparlant. Të gjithë njerëzit grumbulloheshin  rreth shtyllës së drunjtë, në majë  të së cilës  ishte  vendosur  altoparlanti. Këndonte  treshja  e këngëtarëve  pionierë.

Vaçe Zela, Flora  Mebelli  dhe Ajete Nepravishta (Brahimi), por njerëzit  veçonin Vaçen  mes treshes  duke thënë: po këndon  Vaçja  dhe nxitonin  drejt sheshit  me  kalldrëm të qytetit  për të dëgjuar  Vaçen  dhe e  dëgjonin  gojëhapur  duke u grumbulluar  rreth  shtyllës  me altoparlant. Si ftesë  kishin zërin e Vaçes, këngën e saj. Ishte  një treshe  këngëtaresh të vogla, pioniere. Kulmi  i këtij  trekëndëshi  këngëtaresh  ishte Vaçja që shumë shpejt  do të bëhej  kulmi i këngës së lehtë  shqiptare  të të gjitha  kohërave.

Flora  Mebelli ishte  më e bukura, më e  veshura nga të tria  këngëtaret e vogla. Ajetja ishte  më e  bukur  dhe më e veshur  se Vaçja, por të  gjithë, i madh e i  vogël  sytë  dhe veshët  i kishin ngulur vetëm  te  Vaçe Zela, te zëri  i saj,  te kënga e saj si Hirushe,  si mis e vogël, si zanë e vogël mali.  Kjo treshe  këngëtarësh ishte një  zë që  vinte nga  Evropa, për  ne. Kjo  në vitet  pesëdhjetë, ishte një  pranverë  me fllad  evropian  që përcillte blerim, lulëzim  për shpirtrat tanë dhe sythi, lulja  e kësaj  pranvere ishte  Vaçja që po  shpërthente  në ngjyra  dhe fëshfërima  melodish. Ajo  mori njerëzish rreth shtyllës  së drunjtë, rreth  shtyllash  me altoparlant, ka  mbetur  kaq e gjallë, kaq e  bukur  në përfytyrimin  tim sa s'e  ka zbehur  asnjë  ekran  televiziv  gjer sot.  Dhe kur  dikush  në vitet  nëntëdhjetë  e dy tha  për Vaçen, të mos  e ngrinim në qiell  duke caktuar  dhënia e  çmimit vjetor  kombëtar  «Vaçe Zela», për muzikën  sepse ajo,  tha ai,  i ka kënduar  komandantit, diktatorit, ata që  e dëgjuan, s'e  mbajtën  dot veten; mbylle  mor buqen, i thonë, se zëri  i Vaçes  është më i madh se gjithë  komandantët  dhe diktatorët  e kësaj bote. Në ndërgjegjen  e popullit  ka mbetur  kënga vaçjane, zëri vaçjan dhe jo  vdekësirat  që i flak  tej  si bëzhdila  uragani i  zërit të  Vaçes.

Ajo shtyllë  me altoparlant mes kalldrëmit të qytetit  meritonte  të ruhej  në muze  si obelisku i Vaçes. Por  ne jemi  ende pa  kulturën e  nevojshme  të ruajtjes  së relikave. Sepse aty  pranë asaj  shtylle  mbiu  fidani  i blertë i Vaçe Zelës,  fidan  që u bë  lisi  më i lartë  në pyllin  shushuritës  e gjëmues  të këngës  shqiptare.

Pas debutimit  në orën  gazmore  që e organizonte  popullori, elitari  pasionanti  aktori,  piktori impresionant  Ilia Shyti, Vaçja  vazhdoi  të këndonte e s'e pushoi  më këngën. Kudo që ndodhej  asaj  s'i  rrihej pa kënduar  dhe këndonte  me shpirt. Njerëzit  e donin këngën e Vaçes  dhe ajo s'ua kurseu  atë,  por e jepte me shpirtin  e gjeneshës  adoleshente. Kujtdo  që do t'i binte rasti  të njihej  me Vaçen do të kërkonte  që ajo të  këndonte të paktën  një këngë ose  një pjesë të  këngës  me të cilën  ajo kishte pasur sukses. Dhe Vaçja s'kursehej  ta përshëndeste  të saponjohurin me një këngë  të re  ose  me një  këngë për të  cilën ajo  kishte dobësi.

Qëlloi  që erdhi në  shtëpinë e pionierit Sekretari i Parë  i Komitetit të partisë  Petraq Magjistari, babai i Rudina Magjistarit. Ai  na  përshëndeti të gjithëve ne fëmijëve  që ndiqnim rrethet  dhe kurset  në Shtëpinë e Pionerit.  Udhëheqësja e pionierëve e  prezantoi  sekretarin  me këngëtaren  e vogël Vaçe Zelën, me të vetmin fëmijë  të njohur  midis gjithë  nesh që s'ishim veçse korniza e gjallë  e saj.

Kjo është Vaçe Zela, shoku Sekretari i parë, i tha udhëheqësja e pionierëve, sekretarit.
Ti qenke Vaçja? tha sekretari i habitur.
Po, unë jam! Ta këndoj  këngën  O  Azerbajxhan?  e pyeti  Vaçja, e gëzuar nga që  ai e njihte.
Pa ta dëgjojmë  një herë !  i tha sekretari...
Dhe Vaçja  shpërtheu....

Oborri  i shtëpisë së pionierit, në çast  u shndërrua në sallë koncerit.Vaçja  krijonte  kudo salla  koncerte  të befta  që në fillimin e karrierës së saj.
Në  vitin 1956, e takoj  Vaçen  para  bibliotekës  së qytetit. Në këtë  kohë Vaçja  i kishte  kaluar kufijtë  e Lushnjes. E njihte e gjithë Shqipëria. Diskutohej  shumë për të, bëheshin  shumë thashetheme  e  cirkonin me baltë.  Por cirkat  e baltës  nuk zinin  në  trupin e bukur  të pastër, të kulluar  të këngëtares, sepse Vaçja  dhe kënga  ishin një dhe s'ka baltë që e cirkos  këngën  që pastron  shpirtrat dhe vetëpastrohet  si uji  gurrës.

Të keqen motra, më thotë, Vaçja, futu pak  në sallën  e bibliotekës  mbi tavolinën, te dritarja e fundit kam  lënë revistën  italiane 'Noi  donne'  e cila  në brendësi  të saj, ka faqet e modës. Unë po vij  te dritarja, më  tha  dhe ti  ma jep  revistën. Më fal që po të mundoj!

Kur e mori  revistën  u gëzua shumë. I pëlqente  moda. Vishej  me copa të lira, por  i priste  dhe i  qepte bukur, krijonte  modele të reja. Vishej  me shijen e top modeles  më të mirë. Por kjo  ishte e parakohshme  për qytetin tonë, madje  edhe për  Shqipërinë  e atëhershme  që sapo  kishte dalë  nga zija e bukës. Vaçja  me revistën  në sqetull  unë me  një fletore  vizatimi në  dorë, bisedonim në trotuar  larg bibliotekës. Vaçja kishte veshur  një fund  të kuq  basmeje. Një gisht poshtë  fundit të kuq, dukej  një rrip i bardhë. Kalojnë pranë nesh  dy gra.  Njëra  i thotë  shoqes, qyqja  shiko, dy pëllëmbë e ka nxjerrë këmishën  dy pëllëmbë  poshtë fundit. Është  zhypon  mos të plaçin  sytë, nuk  është këmishë, iu shkreh  Vaçja  me indinjatë, gruas injorante  dhe cinike.

Mirë ia bëre, i thashë  Vaçes duke i dhënë  të drejtë.
Vaçe  Zela  s'ia  përtonte  askujt që i binte më qafë  sikur  dhe mbret të ishte.
Pas lirimit  nga ushtria  fillova  studimet  në Liceun  Artistik  për pikturë.
Në lice ishte edhe Vaçja, e cila studionte për kanto. Pashë se s'ishte e qetë, e axhituar shpirtërisht.

E di si po qarkullon një fjalë e dalë, gjoja, nga goja e pedagoges sime Marie Kraja, sikur ajo më paskësh thënë që, «Ti Vaçe çdo gjë mund të bëhesh, po vetëm këngëtare nuk bëhesh».

Po ti këngëtare je, i thashë unë që kisha një adhurim hyjnor për zërin e Vaçes. Janë në vete këto, apo flasin kuturu?!

E po ik dhe mbushu mendjen pa, më thotë Vaçja dhe kërciti gishtat e dorës me nervozizëm.

Vaçja u largua nga Liceu. Largimi i saj ishte gati një protestë memece ndaj kësaj thashethemnaje që spo shuhej. Vaçja ishte një artiste që rebelonte.
Më vonë në Lice u fol, se nuk ishte e vërtetë ajo që qarkullonte sikur gjoja se Vaçes çdo gjë mund të bëhej, por këngëtare nuk bëhesh kurrë. Kjo thënie ishte gjysmë e vërtetë. Pedagoget e kantos kishin thenë se Vaçja nuk mund të bëhej këngëtare opere, sepse këngëtare e muzikës së lehtë ajo ishte dhe këtë pedagoget s'e mohonin, por e pohonin jo vetëm me zë të lartë, por edhe me kompetencë. Ato s'mund të injoronin veten.

Me këtë thënie u spekulua shumë. Por e vërteta është se Vaçja u largua nga dega e kantos në formë proteste, pa bujë. Për ikjen e saj u fol shumë pro e kundër. Kundër flisnin cmirëzinjtë, mediokrit. Pjesa e talentuar e profesorëve dhe e nxënësve ishin pro Vaçes.

Pas kësaj Vaçe Zela vari kitarën në qafë dhe vazhdoi të këndojë lirisht, pa semaphore e vija të bardha. Këndonte këngë spanjolle, italiane. Muzika jonë e lehtë ende nuk ishte e nivelit që është sot.

Në pushimet e verës e takoj Vaçen në Lushnjë. E pyes se si ndihej në shtëpinë e kulturës.

Mizerje, më thotë.

Pse mizerje?

Po ja... Patëm një koncert në sallën e kinemasë së qytetit. Merrte pjesë sekretari i Parë me suitën e tij. Këndova me gjithë shpirt. Dhashë maksimumin. Pas shfaqjes më thërret sekretari i Parë. Po prisja të më thoshte fjalë të mira. E di ç'më tha: Mirë moj Vaçe, mirë. Bukur këndove, po pse përdridheshe si çingi...

Ç't'i thosha Buzos. T'ia përmblidhja të merrja veten më qafë?


Të shkretët ne ia ktheu Vaçja thellësisht e trishtuar ...

Më vonë takohem befas në Vlorë me Vaçen. S'e mbaj mend pse gjendesha në Vlorë,kurse Vaçja kishte ardhur për koncert me ansamblin e ushtrisë. Viti s'më kujtohet.

Të keqen motra, thotë Vaçja. Shko pak në shtëpinë time. Lajmëroji ata të shtëpisë sime se këta shokët e ansamblit duan të më bëjnë një vizitë. Ti e di si jemi ne të shkretët në shtëpi. Së paku ato pak lecka të rregullohen pak.

Vaçja ishte tepër krenare. Megjithëse nuk pyeste, prapë dëshironte që miqtë ta gjenin në rregull. Ata e nderonjin dhe ajo donte t'i nderonte dyfish kolegët.

Të talentuarit janë mirënjohës dhe etikë të mëdhenj. Vaçja edhe pse e thjeshtë, prapë në thellësi të sja, flinte dhe zgjohej shpirti aristokrat. Sidoqë ishin njerëzit që njihte, ajo i takonte me shumë përzemërsi pa asnjë përpjekje për shmangie edhe kur ata ishin me qeleshe ose opinga. Një herë u sëmur një kushëri i saj. U shtrua në spitalin e Tiranës. Vaçja e vizitonte gati çdo ditë. Mjekët shtuan përkujdesjen. Ata e prisnin me padurim ardhjen e këngëtares magjike. Sapo hynte në korridorin e spitalit artistja e madhe, të sëmurët thoshin se po vinte sorkadhja.  Kishte ecje të lehtë prej sorkadheje prandaj të sëmurët e quanin ashtu.

Nuk mbaj mend nëse Vaçja këndoi me zë të ulët ndonjë këngë spanjolle apo italiane të sëmurëve. Mbase edhe u ka kënduar por unë s'e mora vesh. Po ku i rrihej Vaçes pa këngë?

Një ditë Vaçja po më tregonte për suksesin e saj në sallën e estradës së Tiranës. Më tregonte se si e ndërprisnin me ovacione në mes të këngës. Ishin duartrokitje frenetike. Thirrje të stuhishme: Bravo, bravo, braaaaavo! E irrituar pse duartrokitej Vaçja që këndonte këngë të huaja, këngëtarja popullore Fiqirete Rexha i thotë: - Epo s'jemi në Italie këtu ... Epo edhe në Turqie nuk jemi, de i thotë Vaçja koleges.

Ishin vite disi liberale. Bashkimi Sovjetik po bënte kthesa të mëdha të çuditshme. Ndeshej liberalja me konservatoren. Në një dhomë të shtëpisë së Vaçes, në vitin 1963, banonte një ish e burgosur politike që dinte shumë mirë italisht. Unë shkoja tek ajo për të mësuar italisht me të. Një ditë takon Vaçen afër derës së ish të burgosurës së bashku me gjyshen që e donte jashtëzakonisht shumë. Aq shumë e donte saqë gjyshja përkëdhelej si fëmi. Vaçja sapo ishte kthyer nga një koncert në Rumani. E pyes se si kishte shkuar koncerti e ç'kishin thënë rumunët. Isha së bashku me Luçie Milotin, më thotë. Pas mbarimit të koncertit na çuan në një bar-lulishte. E di ç'i thanë rumunët ambasadorit tonë në Rumani?

Çfarë?

Në se Luçie Miloti është bilbili i këngës shqipe, Vaçja është surpriza shqiptare.


Të mëdhenjtë janë të sinqertë dhe s'druhen se mos i marrin si mburravecë. Unë u gëzova shumë që rumunët e kishin quajtur Vaçen surpriza shqiptare. E urova. Më thotë gjithë entusiazëm:

Do të përgatis një recital që ...
Ashtu?
Po!
Ç'është ky cital moj bijë, e pyet gjyshja.

Jo cital, moj gjyshe. Recital, - i thotë Vaçja gjyshes duke qeshur e duke e përkëdhelur sikur të ishte gjyshja mbesa, dhe jo Vaçja.

Recitali moj gjyshe është ...
Hë? Si është, thuaja gjyshes...
Është ..., e di si? Që, pasi të kem kënduar, mua të më nxjerrin me tezgë nga skena ...
E pse?
Aq shumë do të këndoj, sa do të bëhem telef....
Po qe kështu, lëre lanetin ...
Po Vaçja s'e la këngën.

2014
FASLLI HALITI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
BISHZ - PËR FAMILJEN E NDERUAR ZELA, NË BAZEL TË ZVICRËS DHE NË SHQIPËRI SHPREH NGUSHËLLIME (02.08.2014)
MBAJTJA ME DHUNË E UNIVERSITETIT TË PRISHTINËS - KRIMI I ORGANIZUAR KUNDËR 'DIJES, SHKENCËS, ARTIT DHE KULTURËS'Nga ASLLAN DIBRANI (02.08.2014)
Bashkëbisedim me Kryetarin e BKDSH, Emin FazlijaME LPK-në NUK KEMI MUNDUR TË BASHKËPUNOJMË, NË KRYESINË E SAJ ISHTE SPIUNI 'SIJALICA'Nga XHAFER LECI (02.08.2014)
“KENI QENË DHE MBETENI YLLI I PASHUAR E DRITËPLOTË I KËNGËS DHE ARTIT SHQIPTAR”-Nderim për zërin himn dhe ujëvarë mali, të Vaçe Zelës-Nga MURAT GECAJ (02.07.2014)
VAÇE ZELE DHE IDENTITETI KOMBËTARNga ALFRED PAPUÇIU (02.07.2014)
ASTRIT ÇERMA:MIKE BUONGIORNO PËR VAÇE ZELËN (02.07.2014)
TETË VJET MË PARË NDAHEJ NGA JETA IBRAHIM KODRA - 'PRIMITIVI I QYTETËRIMIT TË RI' (02.07.2014)
SAKTËSIA DHE GJITHANSHMËRIA E GAZETARES ISABELA ÇOÇOLI (Portret dhe intervistë) -NGA FLORA NIKOLLA (02.07.2014)
HAPET ARKIVI I SHTETIT, ZBULOHET HARTA E RRALLË - SHQIPËRIA E VËRTETË (02.07.2014)
SHOQATAT SHQIPTARE ME VEPRIMTARI NË SHBA, ME ORIGJINË NGA SHTETI I SOTËM I MALIT TË ZIREAGIM RRETH ZGJEDHJEVE NË ULQIN (02.07.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]