E Premte, 05.10.2024, 02:17am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
KREU I XHANDARMËRISË - KORÇA, TË KRISHTERËT ME KOMUNISTËT, MYSLIMANËT ME NACIONALISTËT
Nga VELI HAKLAJ, studiues

E Shtunë, 07.26.2014, 08:32am (GMT+1)



Shtatëdhjetë vite më parë, pushtuesit gjermanë u larguan nga Shqipëria për t'i lënë vendin instalimit të pushtetit komunist. Në Arkivin Qendror të Shtetit Shqiptar gjenden fonde të pasura me dokumente që mbartin informacione të bollshme për gjendjen në Shqipëri në atë kohë. Për vetë rëndësinë që kishte si institucion, fondi më i pasur është ai i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Në praktikën e punës së këtij institucioni, kemi një komunikim periodik me strukturat vartëse, veçanërisht me prefekturat dhe nënprefekturat, ku raportohej për gjendjen në tërësi dhe sipas fushave më me interes për veprimin shtetëror. Mendojmë se pas shtatë dekadash, paraqet interes publikimi i këtyre dokumenteve, që mbartin fakte historike domethënëse dhe hedhin dritë për shumë ngjarje të ndodhura në atë kohë. Në vijim të këtij dossieri, për lexuesin e "Gazeta shqiptare" do të publikojmë dokumente arkivore të konsultuara në Fondin 152/28 (Ministria e Punëve të Brendshme), viti 1944, të cilat informojnë për gjendjen politike, ekonomike, të rendit dhe sigurisë publike, mënyrën e funksionimit të administratës, rreth abuzimeve e korrupsionit të nëpunësve e të personave të ngarkuar me shërbime zyrtare në Prefekturën e Korçës. Me interes janë për lexuesin, por jo vetëm, edhe informacionet që përcillen për raportin në mes forcave nacionaliste dhe atyre të çetave komuniste në qarkun e Korçës, disa arsye se pse shqiptarët me përkatësi ortodokse të Qarkut të Korçës përkrahën Partinë Komuniste, kurse ata me përkatësi myslimane përkrahën forcat nacionaliste etj. Këto dokumente publikohen për herë të parë.

1. Fuqitë nacionaliste të Xhevat Starovës normalizojnë gjendjen në Qarkun e Korçës


Komandanti i Përgjithshëm i Xhandarmërisë Shqiptare, kolonel Hysni Dema, pas raportimeve të bëra nga Qarkkomanda e Korçës, me anë të shkresës Rezervat Personal nr. 23/2, datë 9 shkurt 1944, do të informonte Ministrinë e Punëve të Brendshme, në Tiranë, mbi situatën e përgjithshme të sigurisë në Qarkun e Korçës. Sipas këtij raporti, gjendja rezultonte si më poshtë vijon: Situata e rajonit të Korçës në përgjithësi ka qenë mjaft e kritikshme dhe përmirësimi i saj në këto kohët e fundit i dedikohet vetëm fuqisë nacionaliste t'udhëhequra prej disa krerëve nën drejtimin e zotit Xhevat Starovës, të cilët, të shtytur vetëm prej qëllimit të mirë për shpëtimin e vendit dhe pa asnjë interes personal, morën iniciativën dhe formuen fuqinë me ndihmën e popullit që don qetësi e rregull dhe filluan spastrimin e rajonit prej elementëve keqbërës e anarshistë. Fuqitë nacionaliste vazhdojnë punën e filluar dhe operacionet kryhen vetëm e vetëm me qëllim të përmirësimit të gjendjes e situatës së përgjithëshme, gjâ të cilën e ka pohuar zoti Xhevat Starova në nji bisedim që ka pasun me qarkkomandantin e Korçës dhe ky i fundit e ka falenderuar në emën të qeverisë për iniciativën e mirë. Mbasi i ka kërkuar disa shpjegime për sa i përket rivendosjes së autoritetit ligjor, zoti Xhevat Starova âsht përgjigjur se punojnë për atë qëllim që kështu sa mâ parë të jetë e mundur të rivendoset autoriteti qeveritar dhe xhandarmëria të mëkâmbet e të forcohet për t'u bâ e zonja e situatës. Zoti Xhevat Starova, së bashku me shokët e tij, u treguan të kënaqun që qeveria dërgoi prefektin dhe qarkkomandantin tue sigurue këtë të fundit se janë gati të japin krejt fuqinë e ndihmën e tyre. Qarkkomandantit, pjekja me zotin Xhevat Starova, i ka lânë përshtypjen se ai me sjelljet dhe veprat e kryeme âshtë i zhveshun nga çdo ambicje e çdo interes, âshtë i urtë, kundër gjakderdhjes, element i shëndoshë dhe i pa lodhshëm për Bashkim Kombëtar. Qarkkomanda e Korçës shton se në fuqitë nacionaliste natyrisht ka dhe persona të pa dëshiruem dhe që prej k'tyne janë vërtetue disa vepra të pa pëlqyeshme, por se âshtë e bindun që zoti Xhevat Starova, si nji patriot i mirë, ka me marrë masa t'i qërojë këta elementë nga radhët e tija, kështu që edhe dje një sasi të shumtë e shpërndau dhe i dërgoj në shtëpitë e tyre. Titullari i Qarkkomandës së Korçës ka formuar bindje të plotë se fuqitë nacionaliste të komandueme prej zotit Xhevat Starovës dhe shokëve të tij shumë shpejt do të çlironin rajonin e Korçës nga elementët e dâmshëm komunistë, po të bâhej e mundur që qeveria ta ndihmonte këtë fuqi tue i dërgue armë e municione si dhe një sasi të mjaftueshme mitralozash të rândë e të lehtë, mbasi u mungojnë, ndërsa kundërshtarët janë të pajisun shumë mirë me armë të tilla dhe kështu shpeshherë ka ndodhë që fuqitë nacionaliste nuk mund t'u afrohen pozitave të kundërshtarit prej efektit të gjatë që ka qitja me mitraloz. Xhandarmëria deri tash nuk ka marrë pjesë në operacione të jashtme dhe pjesëmarrja e saj mund të bânte që veprimet të shkonin edhe mâ mirë. Xhandarmëria e atjeshme, sot për sot, nuk ka mundësi me marrë pjesë në operacione mbasi âshtë e pakët dhe e pa organizuar mirë. Kjo do të marr pjesë kur të plotësohet kuadri, megjithëkëtë, ndër këto ditë, mbasi do të bâhen disa operacione nga ana e fuqisë nacionaliste dhe për të mos u shkaktue ankime e dâme në popull, Qarkkomanda e Korçës do të përziejë një sasi të mundshme xhandarësh me operuesit dhe n'anën tjetër të marrin pjesë aktive në ato veprime. Qarkkomanda në fjalë lutet t'intervenohet që të bâhet e mundur sa mâ parë dërgimi i materialit të naltpërmëndur në sasi të shumtë, mbasi për ndryshe veprimi i filluem prej fuqinave nacionaliste do të dobësohet për mungesë materiali luftarak dhe si konseguencë e kësaj gjendja do të bâhet përsëri kritike.

2. Gjendja në Prefekturën e Korçës, në shkurt 1944

Më 10 shkurt 1944, zëvendësprefekti i Korçës, Dhimitër Bala, me shkresën Rezervat nr. 13, me anë të një raporti shkoqitës do të informonte Zyrën Politike, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, për gjendjen në Prefekturën e Korçës nga pikëpamja e rendit publik, ajo shoqërore, ekonomike etj. Në vijim, po japim raportin duke filluar nga rendi publik. 2.1. Rendi botor Në qytet brenda, sikundër që dihet, ndodhen fuqirat e Ballit Kombëtar, nga të cilat ajo e komanduar prej Haki Blloshmit në ditët e para kishte proceduar në disa veprime të shëmtuara, të cilat përveç që e kishin tmerruar, por edhe e kishin mërzitur së tepërmi popullin e qetë të qytetit. Fuqia e këtij, mbas një takimi që pata me komandantin gjerman të këtushëm, u largua së këndejmi dhe kështu gjendja filloi të qetësohej ndopak, sado që edhe këto të tjerat fuqi të Ballit, që qëndrojnë këtu, herë mbas here nuk mungojnë të kryejnë nga ndojë vepër të tillë, megjithë interesimin e komandantave të tyre dhe të Komitetit Krahinor të Ballit Kombëtar, të cilët në asnjë mënyrë nuk i aprovojnë dhe përpiqen me mish e me shpirt që t'i evitojnë, porse nuk kanë mundësi t'i dalin plotësisht në krye këtij qëllimi për arësye se midis çetave ndodhen edhe elementa të padisiplinuar. Nga ana e komunistëve, të cilët nuk ka qënë e mundur të zbulohen krejtësisht dhe të kapen gjatë kësaj kohe, e që natyrisht nuk duhet të mungojnë, nuk është kryer në këto kohët e fundit ndonjë akt me rëndësi, përveç një plagosjes së pardjeshme, siç kemi lajmëruar me shkresën tonë nr. 156, datë 9 shkurt 1944, por, mbas hetimeve të mëpastajme, kjo plagosje më tepër anon të jetë një vepër koinçidence se sa një atentat i përgatitur. Nga sa më deklaroi sot komandanti i fuqive të Ballit, zoti Xhevat Starova, rezulton se ai me gjith fuqitë e veta është gati të largohet nga qyteti po të jetë se neve marrim përsipër mbajtjen e qetësisë e të rregullit me fuqitë tona shtetnore. Por që të mundemi neve t'i dalim plotësisht në krye këtij misioni, duke u mbështetur edhe në mendimin e shfaqur nga komandanti i Qarkut të Xhandarmërisë së këtushme, do të na duhen vetëm për në qytet, të paktën 300 xhandarë efektivë të shërbimit, të mirë e të disiplinuar. Ndofta për Komandën e Përgjithshme të Xhandarmërisë t'atyshme, fuqija aktuale e Xhandarmërisë së Korçës mund t'arrijë numrin e 400 vetave, por në realitet nuk ka më tepër se 100 veta që kryejnë shërbim të rregullt, për arsye se 200 vetë të regjistruar prej zotit major Mahmut Bujarit veprojnë n'operacione jashtë qendrës. Por, megjithkëtë, nga sa më deklaroi majori i naltëpërmëndur, ndër këta do të pranojnë t'inkuadrohen në Xhandarmërinë e rregullt dhe t'i nënshtrohen disiplinës së parashikuar nga ligji dhe rregullorja e saj një numër më i vogël. Nga ana tjetër, një pjesë ndodhet në Pogradec dhe një pjesë tjetër e vogël në Kolonjë. 2.2. Rendi botor (në Qark) Kolonja. Në rrethin e Kolonjës çeta komuniste nuk ekzistojnë, mbasi të gjitha ato që ishin janë shtrënguar të kapërcenin lumin Osum dhe të përqëndrohen në zonën që ndan Kolonjën me Skraparin, Oparin dhe Përmetin. Megjithkëtë, këto çeta shpeshherë kalojnë edhe lumin në fjalë tue sulmuar katundet për këtej tij. Fuqitë e Ballit nuk janë të mjaftueshme as në numër, as në armatim, por sidomos në armatim, që të mundin të sulmojnë njëkohësisht dhe të shpartallojnë çetat e sipërshënuara si edhe ato që ndodhen brenda në Opar, në rajonin e Mokrës e të Moglicës, të Nënprefekturës së Pogradecit që kufizon me Elbasanin. Më datën e djeshme, fuqit e këtushme t'organizatës së Ballit, mbasi u informua se çetat partizane që ndodheshin nga Gora, të bashkuara edhe me ato të shtytura nga Elbasani, kanë zbritur më poshtë në mënyrë që kërcënohet Pogradeci, u nisën kundra tyre, por që të mundin t'i zhdukin këto, duhet kombinuar një veprim i përbashkët i fuqive t'Elbasanit dhe i këtyre të kësaj ane, për të cilin veprim komandatat e këtushëm të Ballit na sigurojnë se janë tue u marrë vesh. Ky veprim shkaktoi deri diku pakësimin e fuqive mbrojtëse të Kolonjës, në mënyrë që nuk dimë nëse ajo që ka mbetur do të jetë ose jo në gjendje të mbrohet nga sulme eventuale të çetave komuniste. Nga shkaku i një gjendjeje të tillë, Zyra e Nënprefekturës si edhe ato të komunave të Rrethit të Kolonjës ndodhen në inaktivitet. Pogradeci. Kjo Nënprefekturë gjer më datën e sotme ka pasë qenë e tëra në duart e nacionalistëve, por vetëm se, siç përmendëm edhe më sipër, dje u informuam që çetat komuniste kanë zbritur dhe kanë pushtuar krahinën e Gorës. Në rrethin e Pogradecit, vetëm në qendër funksionojnë zyrat qeveritare për arësye se gjendja nuk ka lejuar rivendosjen e zyrave komunale nëpër rajonet respektivë. Rrethi direkt i Prefekturës (Korça). Katundet e këtij rrethi ishin gati të gjitha të çliruara prej çetave komuniste, porse, tash vonë, për arsye se si fuqitë gjermane ashtu edhe ato të Ballit, që kishin shkuar për operacione, në mbarim të këtyre u kthyen prapë në këtë qendër, tue u lënë shesh të lirë përsëri çetave partizane. Kështu që, simbas informatave të fundit, këto kanë mundur të zbresin rishtas deri në katundin Vithkuq që mban së këndejmi ...(?) kilometra. Tashti u informova se kundra tyre ka shkuar një fuqi gjermane dhe presim të mësojmë rezultatin e veprimit të saj, i cili, sigurisht, edhe në qoftë se do t'i detyrojë çetat komuniste të zbrapsen, nuk do të jetë i kënaqshëm, deri sa nuk do të ketë mundësi që mbas operacionit një fuqi permanente të qëndrojë atje për të ndaluar rikthimin e çetave në fjalë. Deri pak kohë më parë, një pjes e vogël e një çete komuniste qëndronte edhe në katundin Dardhë, qendër komunale, por tashti është larguar s'andejmi nga frika e një operacioni në befasi kundra saj. Bilishti. Qendra e Nënprefekturës së Bilishtit dhe një pjesë e madhe e katundeve të rrethit të saj janë në duar nacionalistësh, por njëkohësisht në këtë rreth ekziston edhe një fuqi partizanësh prej 200 - 300 vetash me qendra sidomos në katundet e anës së djathtë të lumit Devoll. Atje, padyshim, duhet të bëhet një operacion për zhdukjen e kësaj fuqie, por sikundër thamë edhe më sipër, forcat që mund të kryejnë një veprim të tillë mungojnë dhe popullsisë së katundeve nacionaliste i mungojnë armët. Sido që gjendja e kësaj Nënprefekture është kjo që u përshkrua më sipër, prapë se prapë në qendrën e Bilishtit mund të rivendoseshin autoritetet qeveritare po të kishin një numër xhandarësh me një oficer të mirë. Leskoviku. Qysh me djegien e pësuar nga operacionet ushtarake t'ushtrisë gjermane në verën e vitit të kaluar, jo vetëm qendra e kësaj Nënprefekture, por edhe shumë nga katundet e rrethit të saj, kanë mbetur të pabanueshme, mbasi banorët të mbetur pa strehë dhe mundësi të tjera jetese, pjesërisht janë grumbulluar në këtë qendër dhe pjesërish janë shpërndarë nëpër katunde të tjera të këtij qarku. Dimë vetëm se në qendrën e Leskovikut janë kthyer së këndejmi shumë pak familje. Mbasi nëpër këtë rreth përshkon rruga për Janinë që rrihet nga autokolonat gjermane, çetat partizane nuk gjejnë siguri, prandaj qëndrojnë larg këtij rrethi. Në qytetin e Leskovikut, përveç një reparti të vogël ushtarësh gjermanë, ndodhet edhe një fuqi e Ballit Kombëtar. Carev - dvori (?). Sikundër është vënë në dijeni, në kohën e duhur ajo Ministri, i tërë rrethi i kësaj Nënprefekture është pushtuar nga ushtria bullgare, qysh në ditët e para të shtatorit të vitit të kaluar. Kjo është gjendja në përgjithësi për sa i përket rendit botor dhe qetësia në kuptimin e vërtetë të saj mund të realizohet ose me një fuqi të aftë qeveritare, të pajisur me të gjitha mjetet e duhura, ose tue u armatosur sikundër duhet fuqitë e Ballit Kombëtar si edhe popullsitë e katundeve nacionaliste. Përsa i përket qytetit, do t'ishte mirë që sa më shpejt, me riformimin e Policisë, pjesa që i takon kësaj qendre të hynte në veprim. 2.3. Gjendja në pikëpamje shoqërore Sikundër që dihet, Prefektura e Korçës në tërësin e qarkut të saj banohet prej dy elementave myslimanë e të krishterë (orthodoks), por që të gjithë shqiptarë nga gjaku, nga gjuha, nga zakonet dhe nga sentimenti. Fakti që pjesa e krishterë, për arsye se kurdoherë nuk ka qënë aq e guximshme sa pjesa myslimane, e ka bërë atë që t'infektohet pak më tepër nga epidemija e komunizmit, në qoftë se nuk ka kontribuar në këtë edhe gjendja ekonomike e fshatrave, e cila ka pasë qenë gjithmonë në gradë inferiore nga ajo e vëllezërve muhamedanë. Është folur se në këto fshatra mund të ketë patur efekt edhe inflluenca e propagandës greke, por neve, mbas një studimi që kemi bërë rreth kësaj pike dhe tue marrë parasysh që një propagandë eventuale greke do të zinte më tepër vend nëpër katunde grekofone se sa n'ato shqiptarofone, dhe që në këtë rast ka ngjarë e kundërta, tue marrë parasysh se kjo që ngjet në vendin tonë, simbas informatave të sigurta që kemi mundur të mbledhim, po ngjet edhe brenda në Greqi, ku divergjenca të tilla fetare nuk ekzistojnë, eskludojmë efektin e një propagande të tillë si rrjedhin t'infektimit që katundet e krishtera kanë pësuar, në pjesën më të madhe, prej sëmundjes së komunizmit. Sidoqoftë, me qenë se në popullin e paditur dhe që nuk është i zoti të thellohet mirë në shkaqet e këtij ndryshimi kishte filluar të rihapej plaga e dasis fetare, jemi munduar e po mundohemi së bashku me shokë të tjerë të këtushëm që kjo plagë të mbyllet sa më tepër që të jetë e mundur në dobi të Bashkimit Kombëtar, i cili është aq i nevojshëm dhe i domosdoshëm për neve. 2.4. Gjendja ekonomike Nuk dyshojmë që ajo Ministri e mendon edhe vetë se gjendja ekonomike e këtij qarku është me të vërtetë në mjerim të madh. Faktorët që kanë kontribuar në krijimin e kësaj gjendjeje janë të shumtë, por ne do të shënojmë këtu ata që kanë një rëndësi të dorës së parë: a) Shkretimi i pjesës më të madhe të katundeve të këtij qarku me djegje, plaçkitje e të tjera vepra shkatërruese, si nga operacionet ushtarake gjatë një viti, ashtu edhe nga ana e çetave partizane. b) Braktisja e tokës prej bujqëve fshatarë, nga të cilët një pjesë e madhe la parmendën dhe mori armët e u hodh në aventurën e çetave komuniste maleve, kurse pjesa tjetër, mbasi mbeti pa strehë dhe mundësi jetese ndër katundet, u grumbulluan pjesërisht në këtë qendër e pjesërisht u shpërndanë andej - këndej, por në një mënyrë që s'ka mundësi t'i kushtohet punimit të tokës, veçse përpiqet të sigurojë bukën ku duke lypur e ku duke pritur ndihmën e qeverisë. c) Eksportimi kontrabandist për në Greqi i një sasie të madhe prodhimesh të vendit, si patate, fasule, etj., mbas shkatërimit të Rojes së Financës dhe gjatë periudhës që, në mungesë të një fuqie të rregullt e të fortë t'armatosur, kufiri mbeti i hapur dhe trafiku pa asnjë kontroll, si edhe eksportimi nga një anë e njerëzve të tjerë për furnizime t'ushtrive gjermane në Greqi. Sidoqoftë, populli jonë nuk është aq pretencioz për sa iu përket mënyrave të jetesës dhe mjaftohet të ketë vetëm bukën e përditëshme për të mos e ndjerë mungesën e artikujve të tjerë të nevojshëm të jetesës, por të paktën bukën e vetme që kërkon është e domosdoshme që t'i sigurohet. Prandaj kam rastin të përsëris edhe një herë këtu kërkesën t'ime të bërë verbalisht para se të nisesha për në këtë qendër dhe të përsëritur me shkresa të tjera të deritashme, duke ju lutur nxehtësisht asaj Ministrie që çështjes së dërgimit të një sasie të konsiderueshme bereqeti kësaj Prefekture t'i japë rëndësinë e duhur dhe të bëjë ç'të jetë e mundur për këtë qëllim, mbasi ju sigurojmë se nuk është aspak ekzagjerim po të themi se janë me qindra ata banorë që ngrysen e gdhi- "º hen pa bukë. Prandaj ajo Ministri e mendon edhe vetë se është e pa mundur që një gjendje e tillë dëshpërimi të vazhdojë edhe më gjatë, sepse, veçanërisht në periudhën që po kalojmë, është sa e dëmshme aq edhe e rrezikshme për konsolidimin e gjendjes që është qëllimi i parë i programit të qeverisë, mbasi, siç dihet, uria është kurdoherë një këshillues i keq për njeriun. 2.5. Komunikacionet Po bëhen plot gjashtë muaj që kjo Prefekturë ka mbetur pa komunikacion telegrafonik dhe pa një udhëtim postar të rregullt. Kjo gjendje na paraqet vështirësi të mëdha në plotësimin e shumë shërbimeve me rëndësi dhe shumë herë me karakter të shpejt, qoftë për noftime që i duhen bërë asaj Ministrie, qoftë për direktiva që ndjejmë nevojën të marim prej saj. Për plotësimin e kësaj mungese, titullari i kësaj Prefekture tregoi një përkujdesje të veçantë qysh në ditët e para të mbërritjes së tij në detyrë dhe nga sa ka deklaruar Drejtori i Zyrës të këtushme, rezulton se për instalimin e vijës telegrafonike prej kësaj qendre deri në Qafë Thanë është e nevojshme që Drejtoria e Përgjithshme e atyshme të dërgoj materialin e nevojshëm që i është kërkuar nga Zyra e këtushme. Njëkohësisht duhet që komanda gjermane të heqë dorë nga një pjesë e shtyllave të kësaj vije, të cilat po i përdor për shërbimet e saja, ose të paktën të lejojë që po ato shtylla të përdoren edhe për vijën civile. Prandaj lutemi që për këtë qëllim të bëhen hapat e duhura nga ana e asaj Ministrie pranë komandës gjermane t'atyshme si dhe pranë Drejtorisë së Përgjithshme të P.T.T. për dërgimin e materialit që nevojitet. Ndërkaq, parashtrojmë edhe se është e nevojshme t'urdhërohet edhe Prefektura e Elbasanit me qëllim që t'interesohet për t'iu bërë riparimet e nevojshme vijës në fjalë për sa i përket pjesës së kufirit të saj deri në Qafë Thanë. Për sa i përket shërbimit postar e udhëtues, shpresojmë që ajo Ministri nuk do të mungojë të bëjë ndërhyrjet e saj për t'u urdhëruar Shoqërija S.A.T.A. në mënyrë që të rifillojë me maqinat e veta udhëtime Tiranë - Korçë e anasjelltas, mbasi këto janë të vetmet mjete udhëtimi me të cilat do të ketë mundësi të përfitojë populli i raskapitur e i pocaqisur nga shumë problema të tjera të jetës, sidomos klasa e nëpunsave që, ndërsa nuk është n'asnjë mënyrë në gjendje të përballojë nevojat më të domosdoshme të jetesës, shpeshherë gjendet e detyruar të udhëtojë për arsye shërbimi e të tjera familjare. Shpresojmë që ajo Ministri do të ketë mirësinë ta studiojë me vëmëndjen e duhur këtë raport, tue mos munguar t'iu kushtojë kujdesin e saj të nevojshëm për sa i përket plotësimit të nevojave të parashtruara me të.

VELI HAKLAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
U KORITE, LUTË! Nga IDRIZ ZEQIRAJ (07.25.2014)
SHKOLLA SHQIPE E VITEVE 1631-1638, NDODHEJ NË NDËRLUMNE, PRANË VENDIT KU BASHKOHET DRINI ME VALBONËNStudim nga RAMIZ LUSHAJ (07.25.2014)
ARVIZU TAKOHET ME DEPUTETËT E PD - IU KËRKON TË MARRIN PJESË NË REFORMËN E GJYQËSORIT (07.25.2014)
ENVER MALOKU NDEROHET POST MORTEM ME ÇMIMIN “ORA E PRESIDENTIT” (07.24.2014)
VENDIMI I GJYQIT USHTARAK PËR 6 KLERIKËT KATOLIKË - 45 VJET BURGNga VELI HAKLAJ, studiues (07.24.2014)
PSE U HARRUA 10 KORRIKUNga NDRIÇIM MEHMETI (07.24.2014)
SPARTAK NGJELA - JORGAQI SULMON KADARENË, SEPSE HARRON QË SHENJTORËT NUK PREKEN (07.24.2014)
DENOJME URREJTJEN E KRYEMINISTRIT RAMA NDAJ FAMILJEVE TE PERNDJEKURVE POLITIKE SHQIPTARE (07.24.2014)
“MURAT GECAJ, NGA TROPOJA, BURIM PENA E MJALTË GOJA!”Nga SEJDO HARKA    (07.24.2014)
FACSIMILE E DORËSHKRIMIT TË ROMANIT 'DASHURIA E DYTË' - MJEGULLAT  TIRANËS (07.23.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]