E Djelë, 04.28.2024, 12:27am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
BASHKËPUNIMI I SIGURIMIT TË SHTETIT ME OZNA-n KUNDËR NACIONALISTËVE SHQIPTARË
Nga VELI HAKLAJ

E Djelë, 08.24.2014, 02:36pm (GMT+1)



1. Veprimi antikomunist në Qarkun e Peshkopisë

Sipas raportit, në prefekturën e Peshkopisë puna e kundërshtarëve të regjimit bëhej prej elementëve: pari, nëpunës të vjetër, oficerë të Zogut dhe të okupatorit, si dhe pjesëtarë të Organizatës së Legalitetit.

Puna e kundërshtarëve politikë në këtë Prefekturë ishte e lidhur me atë të të arratisurve. Elementët kundërshtarë që përhapnin parulla dhe lajme ishin të lidhur me të arratisurit, të cilët i strehonin, i furnizonin dhe u jepnin çdo lehtësi.

Aktiviteti i kundërshtarëve politikë në këtë qark shkonte gjithmonë sipas forcës ushtarake që paraqitej nga pushteti. Ata e ulnin aktivitetin kur shikonin se forcat që angazhonin organet e diktaturës ishin të shumta.

Nga analiza e goditjeve të bëra nga Organet e Sigurimit të Shtetit në dy vitet e para të regjimit komunist, ndaj elementëve furnizues, strehues dhe mbi ata mbi të cilët rëndonin akuza të drejtpërdrejta për vënie në shërbim të pushtuesit edhe pse kishin luftuar me armë kundër formacioneve partizane, rezultonte se në qarkun e Peshkopisë kishte pasur disa grupe të organizuara.

1.1 Veprimi antikomunist në Nënprefekturën e Zerqanit

Në Nënprefekturën e Zerqanit kishte vepruar grupi i përbërë nga Mexhit Xhemali, Tefik Balli, Bukurie Muça, Shuaip Bekteshi, Xhevat Xhindra dhe Shefqet Balla. Ky grup ishte ngritur me iniciativën e të arratisurve Mahmut Previzi, Bajazit Previzi dhe Shemshi Hatipi, të cilët, në një takim që kishin pasur me Refik Ballën, ish-përgjegjës i arsimit në Zerqan, kishin shtruar nevojën për organizimin dhe mënyrën e punës së kundërshtarëve të regjimit komunist, sipas udhëzimeve të marra me letër nga Mefail Skikuli (anëtar i Grupit Monarkist në Tiranë).

Aktiviteti i këtij grupi kishte filluar që prej tetorit të vitit 1945, duke bërë mbledhje të vazhdueshme gati çdo javë. Në krye të rendit të ditës të këtyre mbledhjeve ishte situata politike, pastaj raportonin mbi aktivitetin që kishte kryer secili prej tyre dhe mbi ndihmat financiare që kishin mbledhur.

Nga analiza që i bënin situatës, duke marrë në konsideratë edhe udhëzimet që kishin marrë nga Tirana, ky grup kishte nxjerrë këto detyra: 1) Të zgjeronin rrethin me elementë kundërshtarë të regjimit. 2) Me anë të propagandës të krijonin opinionin në popull se situata do të ndryshonte. 3) Të nxitnin në popull frymën e hasmërive dhe në këtë mënyrë të forconin grupet e armatosura për t'i pasur si forca ushtarake. 4) Të ngrinin këshillat e Legalitetit nëpër katunde.

Pjesëtarët e këtij grupi kishin pasur lidhje të vazhdueshme me të arratisurit dhe, përveç që i kishin takuar vetë pothuajse të gjithë, kishin pasur edhe korrierë, si: Islam Aliu, Zenel Cani, Arif Bisha dhe Mehmet Alitopi. Ky grup i kishte ndihmuar të arratisurit me ndihma financiare dhe ndihma në natyrë, të cilat i kishin mbledhur nga miqtë e tyre dhe nga kuotizacionet që kishin caktuar të paguanin. Kishin gjetur vend strehimi për të arratisurit. Kishin krijuar lidhje me disa kundërshtarë të pushtetit komunist në Dibër të Madhe. Lidhjet e tyre i mbante Shuaip Bekteshi, i cili kishte vajtur disa herë në Dibër, ku takohej me Gani Begun dhe Mehmet Reçin. Për këtë, Sigurimi i Shtetit kishte vënë në dijeni prej kohësh edhe OZNA-n (shërbimi sekret jugosllav) e Dibrës.

Qëllimi i këtij grupi ishte si i të gjitha grupeve të Legalitetit: rrëzimi i pushtetit popullor dhe sjellja në fuqi e Ahmet Zogut.

Në vjeshtën e vitit 1946, prej këtij grupi rezultonin të arrestuar: Shuaip Bekteshi, Mexhit Xhemali, Tefik Balla, Xhevat Xhindri, Bukurie Muça, Shefqet Balla, Zejnel Cani, Ahmet Alitopi, Ismail Aliu dhe Shaqir Izbiro, të cilët do t'i përcilleshin gjyqit ushtarak.

1.2 Veprimi antikomunist në Nënprefekturën e Burrelit
1.2.1 Grupi i Legalitetit

Në Nënprefekturën e Burrelit, në janar të vitit 1946, nga Organet e Sigurimit të Shtetit ishte goditur një grup i përbërë nga pjesëtarë të Komitetit të Vjetër të Legalitetit. Disa anëtarë të këtij komiteti, pas arrestimit të shokëve të tyre, kishin ndërprerë aktivitetin kundër regjimit komunist, por më pas ishin aktivizuar përsëri. Kështu, toger Pal Prendi dhe gjykatësi Mark Dindi kishin formuar një rreth të tyre, të përbërë nga: Pal Prendi, Mark Dindi, Ahmet Tufa, Zija Zajma, Fiqiri Uruçi, Ismail Qerimi, Isuf Konica, Xhafer Guni dhe Sulejman Xhetani, të gjithë persona të pakënaqur dhe të prekur nga pushteti komunist dhe me ndjenja të Legalitetit.

Ky grup i bënte mbledhjet nëpër fusha, në formë shëtitjeje, për të mos u diktuar, dhe atje diskutonin situatën politike, duke konkluduar se ajo do të ndryshonte. Ky grup ka pasur lidhje me pjesëtarët e Komitetit të Vjetër të Legalitetit të fshatit Lis, me anën e Pal Prendit, i cili lidhej me Sefedin Hasanin.

1.2.2 Grupi i Lisit

Grupi i Lisit përbëhej nga: Sef Selmani, Zenel Sadiku, Lam Limaja, Isuf Lima, Safedin Hasani, Shaqir Valteri dhe Ramazan Rizi. Sipas deponimeve të të pandehurve, rezultonte se Komiteti i parë kishte ngritur edhe disa këshilla legaliteti në këto fshatra: Kurdari, me përgjegjës këshilli Sul Bazin (toger në kohën e Zogut dhe të fashizmit) dhe Murat Allamani, në katundin Patin, Mazar Çela dhe në katundin Fulqet, Avdulla Imeri (oficer në kohën e Zogut dhe të fashizmit). Këta kishin pasur lidhje të vazhdueshme dhe kishin strehuar të arratisur. Grupi i Lisit ka pasur si përgjegjës për lidhjen me të arratisurit Shaqir Valterin dhe Pal Prendin, i cili kishte marrë një letër nga Mark Gjon Marku.

Vija që kishte ndjekur ky grup kishte qenë ajo e Komitetit. Kohët e fundit kishin propaganduar edhe frymën e gjaqeve, gjë që kishte sjellë për pasojë shtimin e vrasjeve për gjakmarrje. Ndryshimin e situatës këta e prisnin me një ndërhyrje të forcave të huaja, sepse në forcat e tyre i kishin humbur shpresat.

Nga anëtarët e grupit të Lisit, Organet e Sigurimit të Shtetit kishin arrestuar: Pal Prendin, Mark Dindin, Sulejman Xhetanin, Isuf Konicën, Ismail Qerimin, Sefedin Hasanin, Rifat Valterin dhe Isuf Limanin.

1.2.3 Grupi i Burrelit

Pak kohë para se të hartohej ky raport, Organet e Sigurimit të Shtetit në Mat kishin përgatitur goditjen e një grupi tjetër në Burrel me në krye Kol Doçin. Sipas raportit, ky grup ishte në fillimin e veprimtarisë së tij kundër regjimit komunist dhe nuk ishte shumë i gjerë. Ata mendonin ta zgjeronin rrethin me dhjetë-pesëmbëdhjetë vetë dhe, mbasi të kishin përgatitur disa barna, të hidheshin në arrati. Organet e Sigurimit të Shtetit kishin arritur që brenda në grup të fusnin një agjent të tyre. Kështu, mbasi pjesëtarët e grupit ishin në arratisje e sipër, u arrestuan Kol Doçi, Bardhok Mirdita dhe Rrustem Mane. Prej këtyre, Kol Doçi ishte arratisur nga burgu i nënseksionit të Burrelit. Procesi gjyqësor në ngarkim të tyre ishte në zhvillim e sipër.

Në mesin e vitit 1946, ishin arrestuar në Mat edhe 28 vetë të tjerë, të akuzuar si kriminelë lufte, strehues dhe furnizues të të arratisurve. Përveç këtyre, do të arrestoheshin edhe Taf Bata e Shaqir Vata, të cilët dyshohej se mund të arratiseshin. Procesi i tyre ishte në vazhdim.

Në lidhje me zhvillimet e situatës, në fillimvjeshtën e vitit 1946, ishin arrestuar edhe Muharrem Hoxha, Ibrahim Ferra, Jashar Gushi, Xhafer Dauti, Faik Toçi dhe një ushtar.
Nga analiza e të dhënave që disponoheshin nga goditjet e elementëve kundërshtarë të regjimit komunist, rezultonte se në Prefekturën e Peshkopisë ishin implikuar në aktivitet kundërshtar një pjesë e mirë e nëpunësve të regjimeve të mëparshme. Kjo vinte sepse ata nuk ishin të kënaqur nga puna që u ishte dhënë, duke pretenduar më shumë, dhe sepse mbi ta në hierarki qëndronin elementë të rinj të dalë nga lufta. Prandaj në raport këshillohej se, ishte mirë që të bëhej spastrimi i aparatit të pushtetit dhe sidomos në Nënprefekturën e Burrelit, ku ishin marrë në shërbim elementë zogistë.

2. Veprimi antikomunist në Qarkun e Elbasanit

Në Prefekturën e Elbasanit, si elementë të dukshëm kundërshtarë të regjimit komunist ishin identifikuar disa intelektualë me tendenca zogiste dhe një rreth të rinjsh studentë. Në vjeshtën e vitit 1946, pjesa më e madhe e kundërshtarëve politikë në këtë qark ishin goditur dhe shpërndarë, por ndërkohë kishin mbetur aktivë Rrethi i Intelektualëve dhe Rrethi i të Rinjve.

2.1 Rrethi i Intelektualëve

Rrethi i Intelektualëve përbëhej nga: Mahmut Maçi, Baba Musta, Sul Harri, Fadil Gurmari, Mustafa Muzhaqi, Qamil Xhani, Mëhill Gusha dhe Hasan Zajmi. Ky rreth ishte mjaft i vjetër dhe identifikohej me tendenca zogiste.

Aktiviteti i Rrethit të Intelektualëve ishte vetëm me hedhje parullash dhe takimesh që bënin me njëri-tjetrin, ku komentonin lajmet e Radio Londrës. Ky rreth u duk më tepër në lëvizje prej dhjetorit 1945 deri në shkurt 1946. Me arrestimet e anëtarëve të "Bashkimit Shqipëtar", në Shkodër, arrestimet në Procesin e Tiranës dhe sidomos me arrestimin e Qamil Xhajës dhe pushimin nga puna të Hasan Zajmit, që ishin anëtarë të këtij rrethi, këta u tronditën mjaft dhe dyshonin se mos arrestoheshin, mbasi e dinin që njiheshinn si kundërshtarë.

Që prej asaj kohe filluan të pakësonin takimet që kishin me njëri-tjetrin dhe nuk qëndronin më bashkë kafeneve si më parë. Me zhvillimin e Konferencës së Paqes, anëtarët e këtij rrethi ishin dukur të hidhnin ndonjë parullë aty-këtu, por gjithmonë qëndronin të rezervuar.

2.2 Rrethi i të Rinjve

Në mesin e vitit 1946, në Elbasan ishin hedhur dy herë trakte, njëri me firmën "Organizata e Veprimit Shqipëtar" dhe tjetri "Nacionalistat". Me këto trakte shahej pushteti, udhëheqësit dhe sidomos Partia Komuniste. Në këto paraqitej regjimi në Shqipëri si diktaturë komuniste dhe e shitur tek jugosllavët dhe rusët. Parullat e shkruara në këto trakte ishin parullat që flitnin nga të gjithë reaksionarët e qarqeve të ndryshme.

Sipas ekspertëve, përpilimi i trakteve dukej se ishte bërë nga nxënës me shkollë të mesme. Dyshimi më i madh për shpërndarjen e tyre ishte në elementin e Rrethit të të Rinjve; kështu në fillim u arrestua Apostol Gega. Më pas u dokumentua veprimtaria antikomuniste e këtij rrethi. Rrethi i të Rinjve ishte mjaft i gjerë dhe aktivitetin e tij e kishte filluar qysh në fillim të vitit 1945. Nga elementët e këtij rrethi ishin arrestuar disa në vitin 1945, por për mungesë faktesh ishin liruar.

Rrethi i të Rinjve akoma nuk ishte i organizuar, por nga deponimet e të arrestuarve rezultonte se po shkonin drejt një organizimi të grupeve treshe. Puna e tyre kishte qenë me hedhje parullash, ishin munduar të sabotonin punën e BRASH-it në shkolla dhe mitingje të ndryshme. Në takimet e vazhdueshme me njëri-tjetrin, kishin komentuar dhe biseduar situatën e jashtme dhe të brendshme e sikurse dilte nga deponimet, ata kishin zhvilluar një aktivitet antikomunist, por jo në formë të organizuar dhe në bazë të një plani.

Anëtarët e Rrethit të të Rinjve ishin: Apostol Gega, Hasan Graçeni, Ferit Voci, Misir Voci, Viktor Zylfi, Nazmi Fagu, Muharrem Qafzezi, Tahsim Çiftja, Ahmet Kurti, Hyqmet Bumçi, Qemal Zajmi, Ferit Baholli, Maksim Bungo, Naim Çeraga, Halit Delimeti, Ismail Shyti, Mustafa Elezi, Didid Biçaku, Sul Elezi, Mustafa Gani etj.

Pjesa më e madhe e tyre ishin studentë dhe vinin nga shtresat e goditura nga reformat e regjimit komunist. Prej këtyre ishin arrestuar anëtarët më aktivë: Apostol Gega, Zija Dylgjeri, Hasan Graçeni, Nazmi Fagu, Ahmet Kurti, Tahsim Çiftja, Hyqmet Bumçi dhe Muharrem Qafëzezi. Bashkë me këtë grup ishte arrestuar edhe Selim Çeka, ish-nëpunës i UNRA-s dhe që kishte lidhje e shoqërohej me të sipërpërmendurit. Selim Çeka kishte pasur lidhje dhe me Rrethin e Intelektualëve, që u trajtua më lart. Nga të arrestuarit, Apostol Gega rezultonte që të kishte lidhje me Grupin e të Rinjve në Tiranë, me Avdulla Berberin.

2.3 Veprimi antikomunist në Nënprefekturën e Peqinit

Në Nënprefekturën e Peqinit, gjatë muajit janar 1946, ishte dokumentuar se Kaliroi Noçka, Hatixhe Kadiu, Hartemi Hoxha Hoxhogoli, Kadrie Elezi dhe disa gra të tjera kishin bërë disa mbledhje, por në vijim nuk kishte informacione të mëtejshme për implikimin e tyre. Në informacionet që disponoheshin evidentohej fakti që Kaliroi Noçka bashkëpunonte me Apostol Gegën.

Puna e kundërshtarëve të regjimit komunist në Nënprefekturën e Peqinit ishte kryesisht hedhja e parullave në mënyrë të vazhdueshme. Këto parulla shpërndaheshin nga persona të pakënaqur pari dhe sidomos nga ata që ishin prekur nga reforma agrare.
Me gjithë masat e arrestimit që kishin marrë Organet e Sigurimit të Shtetit në qarkun e Elbasanit, personat që kishin shpërndarë trakte kishin mbetur pa u zbuluar. Nga kjo konkludohej se duhej të kishte aktivitet edhe një rreth tjetër, i cili duhej të ishte shumë i ngushtë, megjithëse dyshimi kryesor ishte për Apostol Gegën me shokët e tij. Dyshohej se traktet kishin dalë nga një burim, megjithëse ishin me firma të ndryshme.
VELI HAKLAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
JA SI U DËMSHPËRBLYEN BYROISTËT NGA QEVERITË SOCIALISTENga MIRA KAURI, anëtare e kryesisë së Gruaja Demokratike, Durrës, PDSH (08.24.2014)
PELLAZGO-SPARTANËT, SHQIPTARËT E SOTËMStudim nga RASIM BEBO (08.24.2014)
SARANDË - DEPUTETJA BOSHNJAKE BËN 'SHQIPONJËN' (08.24.2014)
ERINA RRAHMANI - FËMIJËT NË KOSOVË NUK LEXOJNË MJAFTUESHËM (Intervistë) (08.24.2014)
XHEVAT KORÇA, I BURGOSUR POLITIK, I DHA FUND JETËS ME GREVË URIE NË BURGUN E BURRELIT (08.23.2014)
ETËR DHE BIJ NË DITËN EVROPIANE TË VIKTIMAVE TË KOMUNIZMIT...Nga ILIR SECI (08.23.2014)
ARKIVAT E SIGURIMIT TË SHTETIT - VEPRIMI ANTIKOMUNIST NË QARKUN E TIRANËSNga VELI HAKLAJ (08.23.2014)
SULMI ANASTASIST NDAJ SHËN KOZMAIT TË KOLKONDASITNga ARDIT BIDO (08.23.2014)
SHABAN CAKOLLI IKE NË ATË BOTË, POR VEPRA JOTE NA MBETI, NE TË KUJTOJMË PËRJETË!Nga ASLLAN DIBRANI (08.22.2014)
MOIKOM ZEQO - SHËN KOZMAI DHE ËNDRRA HALUÇINANTE PËR VORIO EPIRIN (Intervistë) (08.22.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]