E Enjte, 05.02.2024, 10:09am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
INTERVISTA E MAKS VELOS - OSE NJË SONDAZH I MAPO-s
Opinion nga ARDIAN VEHBIU, Peizazhet e fjalës

E Mërkurë, 09.10.2014, 11:18am (GMT+1)



Maks Veloja kremton inkorrektesën e vet politike me një intervistë te MAPO-ja, ku mes të tjerash "shpjegon" se pse është antiverior dhe antimysliman.

Janë qëndrime jo dhe aq të panjohura; kanë brenda tyre anekdotën e pazarit, ose një frymë thelbësisht katundare për të kundruar njeriun, sikudër edhe tradhtojnë brishtësitë e njësisë sonë kombëtare.

Flet për krimin që ka pushtuar "Veriun", për Islamin me të cilin ka qenë në luftë prej 500 vitesh, për Kosovën dhe ata kosovarë që urrejnë Skënderbeun dhe Nënë Terezën (filozofja më e madhe që ka nxjerrë Ballkani), për osmanët dhe "të gjithë popujt orientalë" që nuk kanë nerv estetik; në një kohë që në Europë "edhe arinjtë kanë sens estetik."

Pa i lënë kohë lexuesit të mbushet me frymë, e vazhdon pastaj pjesën tjetër të intervistës duke u shprehur më me këmbë në tokë, si arkitekt, urbanist dhe intelektual publik.

Tani, ka ndonjë prej nesh që pret nga z. Velo t'i sqarojë esencat antropologjike të "veriorëve" dhe të Islamit si fe dhe kulturë por unë nuk hyj atje; sikurse nuk hyj në grupin tjetër, të atyre që duan të marrin vesh se ç'mendon z. Velo për "veriorët" dhe myslimanët në Shqipëri dhe në botë.

Por MAPO-ja këtë intervistë ua ofron të gjithë atyre që zotin Velo duan ta shohin të lyer me zift dhe me pupla, dhe të shëtitur në publik si të ishte kafshë ekzotike gjysmë e ngordhur.

Dhe Veloja e ka dhënë vetë shpjegimin e kësaj katrahure, kur duke treguar si u prish Piramida në Tiranë vëren se "nuk ka më të rrezikshëm se artistët, kur ngatërrojnë disiplinat."

Edhe pse unë këtë "të rrezikshëm" do ta kisha ndërruar me një mbiemër tjetër.

Natyrisht, në intervistë artikulohet një orientalizëm folklorik që ua kam dëgjuar edhe të tjerëve, veç Velos. Këta janë njerëzit që, për nga formimi dhe inteligjenca duhej të lëshonin dritë por, në fakt, veç janë duke mbledhur miza.

Edhe pse MAPO-ja i moderon komentet, impromptu-t e Velos shoqërohen nga një rrëmujë reagimesh plot zemëratë, nëpërmjet të cilave, si rregull, një numër anonimësh rreken t'i vërtetojnë të intervistuarit se, në fakt, janë jugorët ata që qëndrojnë shumë më poshtë se veriorët, etj.

Ka atje edhe sulme, siç mund të pritej, ndaj shqiptarëve ortodoksë.

Veloja quhet ndonjëherë "i çmendur", ndonjëherë tjetër "serb i shqiptarizuar" ose Maksimir Veliçkoviç, e më në fund "antishqiptar".

I bëhen Velos sulme ad hominem, për mënyrën si u arrestua, për punë familjare, dhe për prejardhjen e tij "vllaho-greke".

Një komentues është i bindur se:

    Velo qëndron këtu, me një mision të caktuar, i mirëpaguar nga armiqtë e Shqipërisë, për të mbjellë në këtë vend farën e përçarjes krahinore dhe fetare, për të prishur atë harmoni, që e gjithë bota na e ka zili.

Ka në komente invokime të shumta të racizmit shqeto, teorive pellazgjike dhe Ismail Kadaresë.

Ka edhe njerëz që e qortojnë gazetën MAPO dhe A. Lelën, si intervistues, që e lejuan këtë karagjozllëk provincial.

Një Ilir nga Shkodra thotë pastaj për Velon: "ky njeri duhet hequr qafe."

Në tërësinë e tyre, komentet profilojnë një grup lexuesish që mendojnë pak a shumë si Veloja, vetëm se në kah të kundërt: se veriorët janë më të mirë dhe fisnikë se jugorët, e kështu me radhë.

Mllefi që derdhet atje kundër "jugorëve" ia kalon atij të Velos kundër "veriorëve" dhe "Islamit" dhe lexuesi largohet me përshtypjen se uniteti kombëtar i shqiptarëve u themeloka vërtet mbi korrektesën politike, ose më mirë, mbi heshtjen dhe censurën.

Dhe, paradoksalisht, folklori i shpenguar që bëri Veloja në intervistë fillon të marrë trajta të reja, alarmuese. Shpërfilljes së tij provokative se nuk mund ta quaj ndryshe ndaj një kategorie shqiptarësh, i kundërvihet tani një shpërfillje difuze, por njëlloj e paragjykuar dhe provokative, të lexuesve të MAPO-s ndaj një kategorie tjetër.

Intervista e Velos shndërrohet kështu në një palestër të urrejtjes ndërkrahinore dhe ndërfetare, nën bekimin e një medie publike.

Dhe, çfarë është paradoksale në këtë mes, masa e paemër e komentuese, në tërësinë e saj, duket sikur ia përligj Velos paragjykimin e vet provincial për "veriorët."

I intervistuari, me ato që tha, ia arriti të krijojë një simulakër prej balte të armikut të vet imagjinar (veriorit mysliman); dhe gazeta MAPO, me hapësirën e vet, i fryu këtij simulakri pak jetë në orificet.

Dhe kështu pasi foli Veloja arkitekt, urbanist dhe antropolog i kohës së lirë, foli edhe anti-Veloja, si hidra me shumë gojë, për t'ia legjitimuar gjepurat.

Se kur vjen puna për të rënë pre e provokimeve, edhe nga ato prej marifetçiu të cirkut shëtitës, ne shqiptarët shquhemi të gjithë, pa dallim krahine dhe feje: e kafshojmë karremin me zell të paparë, a thua po prisnim për peshkatarin e radhës.

MAPO-ja shpoi eksperimentalisht truallin e opinionit publik dhe natyrisht, i ndeshi sonda në kakë.
ARDIAN VEHBIU


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
FOTO LAJM - JA SKENA KU PAPA DO TË MBAJË MESHËN NË TIRANË (09.10.2014)
FESTIVALI I GJINOKASTRËS DHE SHËMTUESIT E KOSTUMIT KOMBTAR SHQIPTARNga FRITZ RADOVANI (Pjesa V) (09.10.2014)
TUBIM KOMEMORATIV ME RASTIN E NDARJES NGA JETA TË MUSA LIMANIT (09.10.2014)
ALBUMI I PIKTORIT - AKUAREL 5, NGA HELIDON HALITI (09.09.2014)
Rreth intervistës së Maks VelosSHTYP I LIRË APO SHTYP I SHTHURUR...Opinion nga ILIR SECI (09.09.2014)
URREJTJA E SHPIKUR E MAKS VELOS NDAJ VERIORËVEOpinion nga REXHEP SHAHU (09.09.2014)
MAKS VELO - PSE JAM ANTIVERIOR DHE ANTIMYSLIMAN (Intervistë) (09.09.2014)
INFORMACIONIN DHE TË VËRTETËN PO E ZËVENDËSON SHUMË PROPAGANDAVështrim nga SKËNDER MULLIQI (09.08.2014)
AVANGARDA E POEZISË SË RRUGËS - SULM POETIKPërgatiti: FASLLI HALITI (09.07.2014)
ARRESTIMI I FULLANIT, MBLIDHET SHOQËRIA CIVILE - MBI 13 MIJË FIRMA PËR SHKARKIMIN E GUVERNATORIT (09.06.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]