E Premte, 04.26.2024, 03:38pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
TË ZBULOJMË ZVICRËN: TIÇINO - OSE GJERDANI I PERLAVE TË ZVICRËS JUGALPINE (I)
Nga ELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ

E Martë, 09.30.2014, 09:00am (GMT+1)



Për ta mbajtur të pashlyeshme në kujtesë si pamje nga më mbresëlënëset, do të ishte e mjaftueshme që ta vështrosh nga avioni. Por që ta përjetosh këtë bukuri, ta kuptosh filizofinë e fatit të saj, edhe kur ka qenë në vetmi të plotë e në harresë të plotë, edhe kur ka qenë në qendër të plotë të vëmendjes, derisa është shndërruar në nyjën zvicerane të Evropës, kërkohet një itinerar tjetër i veçantë, një kohë e një përkushtim i veçantë.

Tiçinon e kemi kundruar me kërshëri siç është i imponuar vetiu çdokush gjatë rrugës për në Itali ose kthim. Nuk do të mjaftonte gjithsesi as ndonjë shërbim i shkurtër që ne kemi pasur këtu. Prandaj ne do t'ia kushtojmë një javë të tërë kantonit në jug të Alpeve, si gjithnjë, në kuadrin e partneritetit që ka shoqata jonë e gazetarëve, APES. Këtë mundësi na e krijoi Swiss Tourismus.

Ne jemi duke shkruar një libër me reportazhe për Zvicrën, qytetarë të së cilës edhe jemi. Konfederatën Helvetike e shohim me optikën e gazetarëve me rrënjë shqiptare, duke krahasuar burimet e tokës amtare me mospërdorimin ose keqpërdorimin e tyre. E sjellim Zvicrën si një model tokësor, produkt i kujdesit të dorës së njeriut dhe shtetit - çka është në antitezë të plotë me nga i kemi rrënjët.

Udhëpërshkrimet, si ato që anojnë më shumë drejt publicistikës, apo edhe ato që janë më afër prozës artistike rëndom kanë kompozicion drejtvizor. Ne, për hir të krijimit të një tabloje sa më të qartë tredimensionale, në rrafshin vertikal, horizontal dhe në rrafshin e përditshmërisë jetësore, do të jemi të detyruar ta ndërthurim linearitetin me retrospektiva dhe perspektiva, me kthime në të ardhmen dhe me arratisje në të shkuarën, gjithnjë me pikënisje nga përjetimet tona të drejtpërdrejta në terren.

GOTARD(GOTTHARD) - ATJE KU LINDI ZVICRA, BURON EDHE TICINO

Në udhëtime të tilla shumëditëshe aleat i pazëvendësueshëm sa dhe i paparashikueshëm është moti. Shërbimet meteorologjike, pas një dite të parë me mot të mirë, na premtonin mot të paqëndrueshëm gjatë gjithë pjesës tjetër të javës. Prandaj organizatorët e udhëtimit tonë na këshillonin të merrnim me vete pajisje që na mbronin nga shiu dhe nga të ftohtët. Kryeneçësitë e motit, fatmirësisht do të ishin me ne, ditën e parë të udhëtimit do të na shoqëronte një mot i paqëndrueshëm, ndërsa në ditët e tjera, pothuajse gjatë gjithë kohës do të na shoqëronte moti i qëndrueshëm, dmth dielli, sa që shoqërueset tona na thoshin, hej na prutë diellin. Na shoqëronin dhe pyjet.

Ngado që shkonim me ne ishin pyjet, masivet e pafundme të tyre. Ngado të hedhësh vështrimin ndeshesh me ngjyrën e gjelbër, të nuancave me laryshi të paparë. E gjelbra është ngjyra e harmonisë, ekuilibrit, rritjes dhe rinisë.Territori i Zvicrës mbulohet 30 % prej pyjeve që do të thotë se banorët thithin oksigjen pa kursim.

***
"A" SI ANDERMATT

Pasi ndalemi në stacionin e trenit në Göschenen, ne marrim trenin rajonal për në Andermatt. Ky emërvend është formuar nga 'an der Matt' dhe ka kuptimin 'Telivadhi'. Këtu, ndoshta më shumë se kudo, na shfaqet zanafilla e infrastrukturës që e karakterizon Zvicrën, infrastruktura të cilën e ndërtoi Zvicra dhe e cila e ndërtoi, në përkryerjen e saj, Zvicrën, e bëri Zvicrën atë që është.

Nga një urë në një tunel, nga një tunel në një urë - pejzazhe mahnitëse që kanë autorësinë nga dora e njeriut, ngulmin, zellin, durimin, përkushtimin, shpirtin krijues gjenial të tij. Ura, tunele dhe rrugë krejt të reja; ura, tunele dhe rrugë krejt të vjetra e relativisht krejt të vjetra, të tjera me destinacione të ndryshuara, për përdorime të larmishme praktike, të tjera thjesht tashmë me funksione muzeale.

Përzierja më karakteristike e muzealitetit me realitetin e gjallë, realitetin në zhvillim deri në fantazinë më futuriste është pikërisht këtu ku do të kemi ne cakun e parë të udhëtimit, këtu ku pikëtakohen dhe pikëndahen, mbështillen në një lëmsh mahnitës të pafund dhe çmbështillen e shpalosen në një bukuri mahnitëse e befasuese të pafundme, malet vigane, diku sapo të liruar nga bora, diku ende me lara bore edhe në këtë mesgushtit, shpatet, majat dhe qafat, grykat e maleve, lumenjtë, theqafjet e lumejve, vorbullat e tyre marramendëse, rrugët e dikurshme të këmbësorëve, rrugët e mëvonshme të kuajve, rrugët e mëvonshme të qerreve, rrugët e mëpastajme automobilistike njëkalimëshe, të pashtruara, të shtruara me kalldrëme, tunelet e hershme, tunelet e mëvonshme, deri tek rrugët e gjera, tunelet e panumërta secili më rekord se tjetri në gjatësi, gjerësi dhe në përkryerje, urat që kalërojnë nga njëri mal tek tjetri, që hyjnë dhe dalin nga njëri tunel tek tjetri në një pafundësi të pashoqe.

Dhe po aq mrekullisht këtu ndërthuret, mbështillet, çmbështillet e shpaloset, nyjëtohet, çnyjëtohet dhe zhdërvillohet historia e jetës së njerëzve të parë të këtyre anëve e përzier dhe e zbukuruar me historinë e jetës së ardhësve të mëpasmë me historinë e ngjizjes dhe të lindjes së Zvicrës, konsolidimit dhe fuqizimit të Zvicrës, lartësimit dhe përparimit të pandalshëm të Zvicrës si realitet origjinal, unik, me rëndësi përherë më të madhe e më të ndjeshme evropiane dhe botërore.

Teufelbrücke - Ura e Djallit


Simboli më domethënës, ku mpleksen dhe shndërrohen mes tyre mitologjia me realitetin është Teufelbrücke - Ura e Djallit, në dukje një motërzim i motiveve me ura dhe me kështjella.

Nga fundi i mijëvjeçarit të parë, në rajonin Ursental (Lugina e Arinjve), ku ndodhet dhe Andermatti, u ngul një popullsi kelte Walser. Sipas gojëdhanës, banorët vendosën të ndërtonin një urë në Schölenen, mbi lumin e ndërkryer Reuss. Por ata nuk dinin si ta ndërtonin, prandaj thirrën në ndihmë djallin. Sapo ia kishin shqiptuar emrin, djalli iu shfaq kundruall tyre dhe u pajtua ta ndërtojë urën. Me një kusht të vetëm - njeriu i parë që do të kalonte mbi urë do t'i përkiste atij. Ata pranuan dhe ditën e tretë ura mbaroi së ndërtuari. Nga ana tjetër e ujit rrinte i ulur djalli, në pritje të njeriut të parë që do të kalonte urën. Banorët urnas filluan ta pleqërojnë vendimin. Një i zgjuar i këshillloi ta dërgojnë tek djalli një cjap. Djalli u tërbua dhe deshi të marrë një gur sa një shkëmb në Göshenen për ta hedhur mbi urë. Ai e ndali turrin, sepse pa një plakë të zgjuar, e cila po gdhendte një kryq në gur. Sapo djalli pa kryqin, u step dhe pastaj iku me të katra pa e prekur gurin. Prej atëherë ai nuk u shfaq më në rajon. Ura e Djallit shënoi rritjen e madhe të trafikut në të dyja anët e Gotardit. Brenda shekullit do të bëhej e mundur që Alpet t'i kalonin kuajt e ngarkuar me mall. Rajonit do t'i jepej pavarësia politike nga Mbreti Wenzel, me qendër në Frankfurt mbi Majn. Nga fillimi i Shekullit XV vendosej për herë të parë shërbimi i rregullt i korrierëve. Në fillim të Shekullit XVIII do të hapej tuneli i parë në vijim të urës së Djallit, çka do t'i jepte një hop tjetër qarkullimit të njerëzve dhe mallrave. Kjo do të krijonte mundësinë për të ndërtuar rrugën e parë të mirëfilltë për të kaluar mbi Gotard me kuaj dhe më vonë edhe me qerre.

Për në Schölenen, gryka malore më e famshme dhe më kundërthënëse e Zvicrës, do të na prijë udhërrëfyesja jonë, zonja Marja Nieuwveld, e zyrës së turizmit të Rajonit të Shën Gotardit në Andermatt. Do të kalojmë nëpër tunelin ushtarak, i cili vetëm kohët e fundit është vënë në shërbim të vizitorëve. Matanë tunelit do të na shfaqet ura e Djallit, simbolikisht nëna e urave, ura e urave të Zvicrës dhe të kontinentit. Të gjitha versionet e urës, nga ai i pari deri tek përfundimtari janë ruajtur si objekte muzeale turistike. Aty janë edhe gjurmët e rrugëve të dikurshme në të dyja anët e lumit. Ndërtimi i urës ishte hapi i parë i zhvillimit të Andermatit. Ura do të frymëzonte ndërtimin e tunelit të parë të Zvicrës. Ai do të realizohej duke përdorur barutin e armëve. Do të ishte tuneli i mijëra e mijëra tuneleve të Zvicrës. Gjersa, më 1882, do të ndërtohej Tuneli i Gotardit, midis Göschenen në veri dhe Airolos në jug, çka do të bënte të lulëzonte tregun midis dy anëve të Alpeve, ndërtimin e urave e tuneleve të tjera gjithnjë e më moderne dhe më madhështore duke i dhënë shtytje zhvillimi Zvicrës dhe krejt Evropës.

Në atë kohë, shkrimtari zviceran Carl Spitteler (Nobel, 1919) duke e quajtur tunelin e Gotardit Porta e Alpeve, do të shprehej se kjo portë kishte qenë gjithmonë aty, por natyra e kishte fshehur çelësin e saj, gjersa atë çelës ta gjente njeriu. Ne kalojmë si sfidë nëpër Urën e Djallit dhe nëpër tunelin matanë, edhe ai objekt muzeal. Poshtë urës rrjedh lumi Reuss. Po të nis një mesazh me shishe prej Reuss-it, ju e merrni në Rhein, Bazel, na thotë Marja. Bile shishja me mesazh shkon deri në Rotterdam, Detin e Veriut, prej nga vjen ajo.

SUWOROW DENKMAL & FRANZOSEN-PLATZ MEMORIALI SUVOROV DHE SHESHI I FRANCEZËVE

Por nuk mund të arrish tek Ura e Djallit pa kaluar nga një monument i gëdhendur në zemër të malit shkëmbor, ku u djallos emri dhe fama e pashkelur dhe e pandotur gjer atëherë, e gjeneralit më të shquar rus, Aleksandër Suvorov. Këtu do të shënohej përsëri fati i Evropës. Suvorov, në kuadrin e aleancës ruso-gjermano-austriake për t'iu kundërvënë fushatës ushtarake franceze, arriti këtu nga Alpet në shtator të vitit 1799 me 21 000 trupa. Francezët do ta hidhnin në erë urën. Suvorov do të përpiqej ta rindërtonte atë me mjete rrethanore, duke përdorur deri rripat e brezit të ushtarëve, por ata do të korreshin, me mijëra e mijëra. Suvorov, me një të tretën e trupave, do të kthehej në Moskë, ku do të pritej me nderime te mëdha dhe do të vdiste disa muaj më vonë, duke mbyllur karrierën e tij 40 vjeçare, me pjesëmarrje në shtatë luftëra, në komandë të 62 betejave, të gjitha të kurorëzuara me fitore, përveç asaj që u zhvillua tek Ura e Djallit. Pikërisht këtu ndodhet Sheshi i Francezëve Franzosen-Platz pranë një tabloje lufte ku në një pllakë ngjyrë të kaltër që ne e fotografuam midis të tjerave shkruhet: ky vend i thjeshtë dhe tabloja e madhe e betejës për shkak të Teufelsbrücke nderojnë kujtimin e ushtarëve francezë të Gjeneralit Lecourbe, të cilët dhanë jetën në betejën kundër rusëve më 25 shtator 1799. Ky sheh u inagurua më 25 Shtator 1999, 200 vjet më vonë.


GOTTHARD OSE ZEMRA E ZOTIT DHE GOETHE

Zonja Nieuwveld, shoqëruesja jonë me të cilën patëm një sintoni magjike, ndofta e ardhur nga dehja që patëm prej pastërtisë të ajrit me të cilën mbushnim mushkëritë, na thotë se, si udhërrëfyese e kushedi e sa vizitorëve të huaj, parapëlqen të shpjegojë në mënyrën e saj etimologjinë e fjalës Gotthard (nga emri i shenjtorit katolik, mbrojtës i tregtarëve). Sipas saj, ajo shpjegohet me Zemra e Zotit. Ajo ngulmon në këtë shpjegim nisur edhe nga fakti që Zvicra është në zemër të Evropës dhe vetë e ka përafërsisht në hartë pikërisht formën e Zemrës.

Një emër tjetër i lidhur me këtë zonë është ai i poetit të madh gjerman Johann Wolfgang von Goethe. Poeti ishte si i shtëpisë në Andermatt dhe në zonën e Shën Gotardit. Në qendër të qytetit mbi muret e një ndërtese është shkruar përshtypja e tij për Andermatin: "Mir ist'n unter allen Gegenen, die ich kenne, die liebste und interessanteste." Që pak a shumë do të thotë në shqip: "Unë kam parë shumë vende në jetën time, por ky vend është më i dashuri dhe më i këndshmi në botë." Në librin e tij "Mythos Gotthard - Wass der Pas bedutet" (Miti Gotard - Cili është kuptimi i Qafmalit) Helmut Stadler shkruan se Goethe erdhi këtu katër herë. Më 1775 poeti vinte këtu për të shëruar dhimbjen e ndarjes nga 16 vjeçarja Elisabeth Schönemann, bijë e një bankieri frankfurtas, e njohur me emrin Lili. Më 22 qershor poeti ishte në Qafmalin e Gotardit. Në shënimet e tij e quan një vend ku gjenden drejtpeshimet e humbura shpirtërore. "Kalimi mbi këtë Qafmal është ngjarje ekzistenciale. Është një kapërcim në kuptimin e vërtetë të fjalës, është një përjetim tranzitor. Ai shënon një shndërrim të plotë, një metamorfozë, një katarsis, një përmbushje, një fillim të ri dialektik. Ky Qafmal ndan të kështushmen nga e atjeshmja, të mëparshmen nga e pastajmja dhe këto nga njëra-tjetra." Poeti vjen këtu më 1779. Udhëtimi i tij përfundon këtu, sikurse i pari. Edhe i treti, më 1786. Vetëm në udhëtimin e katërt, më 1797 ai e realizon synimin e tij për të shkuar në Itali. Poeti do të shndërrohej në një nga sinonimet e mitit të Gotardit, kultit të Gotardit. Poeti e kalëron, sikur edhe ne dy shekuj e ca pas tij, Teufelbrücke. Nën ndikimin e Goethes, miku i tij Friedrich Schiller, pa qenë kurrë në Zvicër, do ta vendoste në këto male dramën e tij "Wilhelm Tell". Në poezinë "Kënga e malit" (Bergslied), Schiller do t'u këndonte "katër lumenjve që burojnë këtu dhe marrin katër rrugët e botës. Dhe pasi përshëndeten me nënën, të sapolindur ndahen për të mos u takuar kurrë më përjetë."

Ne shkojmë edhe në hotel restorantin ku shkonte poeti, pimë kafe edhe në lokalin ku ai e pinte kafen. Pastaj vizituam muzeun, kishat, bëmë shëtitje në qytet. "Bora këtu vjen në tetor dhe shkrin vetëm në qershor, nga thotë Marja. Dhe fryn vazhdimisht, për shkak të grykave të shumta të maleve mes të cilave është qyteti. Sipas meje, na thotë Marja, nuk është e drejtë kur thonë 'mot i mirë' apo 'mot i keq'. Moti është i ndryshueshëm, i ndyshëm, por gjithmonë është i mirë."


Restoranti ku ka qendruar Gëte dhe ne.

DREJT QAFËS SË GOTARDIT-GOTTHARD-PASS

Udhërrëfyesja jonë do të na përcjellë tek stacioni dhe ne me autobuzin e Postës do të marrim udhën për në Qafën e Gotardit, Gotthard-Pass. Rruga gjarpëron mes gjelbërimit të Alpeve. Autobusi i bie borisë në çdo kthesë të vështirë. Ashtu si bëjnë edhe në Alpet e Shqipërisë. Bimësia që shikojmë matanë dritareve vjen e bëhet gjithnjë e më e ulët, shfaqen shpate malesh të veshura me shkurre, kryesisht të familjes së atyre që ne i quajmë dëllinja të bjeshkëve, derisa vendin e tyre e zënë kullotat e mirëfillta alpine. Kjo është rruga më e gjatë që e lidh Zvicrën e mbialpeve me Zvicrën e nënalpeve, pra me kantonin e Tiçinos. Anës rrugëve ndërtesa gjithnjë e më të rralla, të vogla për t'iu ardhur në ndihmë automjeteve dhe udhëtarëve. Ka edhe nga ato më të vjetrat, që nuk i shërbejnë më askujt, përveçse kujtesës së një kohe kur vendin e autobuzit të Postës e zinin pajtonët e postës.

Arrijmë në Qafën e Gotardit. Këtu lartësia mbi nivelin e detit shënon 2100 metra. Si riliev, kush e njeh, të kujton Bjeshkët e Nëlta të Tropojës. Ne zëmë vend shpejt e shpejt në hotelin "Shën Gotthard"dhe nxitojmë për në Muze. Është ora kur vizitorëve iu shfaqet dokumentari për mitin e Gotardit. Në qendër është ndeshja e Shën Gotthardit me djallin, ku fitimtar del gjithmonë i pari, por ku i dyti asnjëherë nuk zhduket, madje i rri gati ndaj çdo mungese të vëmendjes. Dokumentari mbyllet pikërisht me porosinë: Ejani, kënaquni me bukuritë e kësaj zone, ju mbron Shën Gotardi, por mos harroni se asnjëherë nuk iu dihet prapësive të djallit.

Pasi ndjekim dokumentarin, me një grup vizitorësh të tjerë, shohim muzeun kushtuar kësaj zone. Dalim pastaj për të bërë një shëtitje rreth e rrotull, tek përmendorja e pilotit të rënë për Atdheun, tek shtatorja e shenjtores së panjohur, përgjatë brigjeve të liqenit të Qafës së Gotardit, ku janë vendosur një numër kamperash. Ndërkohë grumbullohen gjithnjë e më dendur mjegullat dhe fillon shiu i cili bëhet gjithnjë e më i furishëm.

Automjetet që vijnë dhe shkojnë i mbajnë dritat e ndezura. Mjegullnajë tipike. Vendosim të shkojmë në restorant për të ngrënë darkën tonë, edhe kjo një meny tipike shoqëruar me verë Tiçineze. Nga dritaret shikojmë se pamja ka zënë të kthjellet dhe mjergulla nuk dihet se ku ka ikur. Turistët lëvizin pa çadra. Dalim të bëjmë shëtitjen e pragmbrëmjes. Por një mjegullnajë gjigante nga gryka e veriu po zbret teposhtë për në lugina, ndërsa nga jugu po ngjitet një tjetër mjegullnaje. Në shpatinat e majëmaleve alpine në trajtë shpezësh të vogla, të qumështa po fluturojnë mjegulla të tjera, duke paralajmëruar se ndërkoha pa reshje po mbaronte dhe ishte gati një tjetër furi shiu dhe breshëri për të filluar. Pamja rreth e rrotull ngushtohet gjithnjë e më shumë, ndërkohë që nata hyn gjithnjë e më tepër në natë, ndërkohë që dita ia lë gjithnjë e më shumë terrenin natës.

Hoteli ku qëndrojmë i ka të gjitha modernitetet, si të ishte në qendër të çdo monopoli. Në çdo dhomë vizitorëve iu ofrohet një album 'ekskluziv për bujtësit'. Albumi ka një mori fotosh, të cilat mund t'i kundrosh për orë e orë të tëra pa u lodhur, secila më mrekulli se tjetra. Pothuaj një vit e gjysmë të tërë, nga 17 shkurti 1985 deri më 3 qershor 1986, autori, në periudha të ndryshme të vitit, në zonat më piktoreske, i ka fiksuar këto pamje mahnitëse. Në fund Jean Odermatt albumin e ka pajisur me shënime, ku tregon rrethanat e realizimit të këtyre fotove.

PËRTEJ 'TOKËS SË QIELLIT'

"Himmelsland" (Toka e Qiellit) e ka titulluar albumin e tij Jean Odermatt. Edhe ai e thërret në ndihmë këtu adhuruesin më të madh paraardhës të kësaj zone, poetin Goethe: "Për Perandorët Romakë Gotardi ishte mali më i lartë në botë. E vërteta është se në Evropë ka plot male shumë më të larta se Gotardi. Mont Blanc është gati sa dyfishi i tij. Por Gotardi është mbreti i maleve, sepse këtu pikëtakohen një mori malesh të larta." Mali nga buron, sipas dijes së atëhershme, lumi më i gjatë i Evropës, nuk mund të mos ishte edhe më i larti i Evropës. Mali që ka emrin e Zotit, sipas së njëjtës mendësi, nuk mund të mos ishte mali më i lartë. Në fakt, Gotardi, në të gjithë librat gjeografikë do të përmendej si mali më i lartë deri në fund të Shekullit XVIII, kur Horace Bénédict, gjeograf dhe alpinist do ta rrëzonte nga froni. Ai do të maste në mënyrë barometrike malet dhe do të gjente se Mont Blanc Mali i Bardhë është më i larti në Evropës. Por miti i Gotardit nuk do të prekej fare nga ky fakt. Edhe pa Urën e Djallit, edhe pa Tunelin e Gotardit, do të ishte mrekulli ky rajon, mes Altdorfit, Kurit, Belinconës dhe Brigut, me tetë qafëmale, me 4000 kilometra rrugë këmbësore, me 300 kilometra rrugë motoçiklizmi, me 1100 metra pista të çiklizmit malor, me 550 kilometra pista skjimi, 200 kilometra pistë skjimi sportiv, 300 kilometra rrugë këmbësore dimërore, 52 infrastruktura me fusha tenisi, 5 fusha golfi, 38 muzeume, 300 hotele, 24 kampe fushimi, 330 apartamente pushimi, 20 shtëpi pushimi për të rinjtë, disa qindra kampe me çadra për turistët e moshave të reja dhe qindra të tjera për alpinistët.



NË GOTARD ZË FILL RRUGA E KATËR BURIMEVE VIER-QUELLEN-WEG

Në Gotard është jo vetëm pikëtakimi i maleve më të larta të Alpeve të Evropës, por është edhe pikëtakimi i katër kantoneve të Zvicrës, është edhe zona ku burojnë katër lumenj të rëndësishëm të Zvicrës dhe të Evropës: Rini (Rhein), Rhone (Ron), Rojs (Reuss) dhe Tiçino (Tiçino). Këta lumenj shënojnë kryqin e kaltër në hartën e vendit. Gotardi është miti, zona ku lindi Zvicra. Pikërisht nën hijen e këtij mali themeluesit e këtij vendi bënë besëlidhjen e parë, vendësit e quajtën vetën të përbetuarit, një nga sinonimet që e gëzojnë edhe sot e përgjithmonë të gjithë qytetarët Zviceranë.

Tri kantonet themeluese të Zvicrës, Uri, Shvyci dhe Untervaldeni, do të kujtoheshin edhe për ata që banonin matanë Gotardit dhe që sundoheshin prej dukëve të Milanos. Dhe do të vendosnin që frymën e lirisë ta përcillnin edhe matanë. Kështu zona së cilës ia jepn emrin njëri nga lumenjtë e rëndësishëm që buron këtu në Gotard, Tiçino, do ta bashkonte fatin e saj me tri kantonet themeluese dhe me Zvicrës.

NGA QAFA E GOTARDIT TË GJITHA RRUGËT TË ÇOJNË NË TIÇINO


Stacioni i parë Lugano

U zgjuam me shi dhe mjergull në Qafë Gotard. Pasi hëngrëm mëngjezin, sipas programit, duhej të merrnim autobuzin e postës në orën 10:00 deri në Airolo. Por mjergulla po e vononte autobuzin. Kjo do të na shkaktonte ndryshime në program. Por busi erdhi në minutën e fundit. Pasagjerë ishim vetëm ne. Shoferi ndihej si në faj për mjergullën që e pengoi të vinte në kohë. Tani me autobus zbresim shpateve, ku lartësitë e vetmuara dhe të zhveshura, ua lënë vendin bimësive gjithnjë e më të dendura, ku pishnajat ua lënë vendin ahishtave, ku qendrat e vogla të banuara ua lënë vendin qytezave dhe qyteteve. Mënjanohen tej retë, mjegullat, ndërsa ujëvarat e panumërta na shfaqen gjithandej si shenja mirëpritjeje. Në Airolo, pikërisht ku ndodhet porta jugore e Tunelit Gotard, shoferi i autobuzit na ndihmoi me bagazhet deri sa i hipëm trenit në minutën e fundit.

Treni tani vraponte mes pyjeve. Shiu kishte ndalur, mjergullat kishin mbetur laramane ndofta në Qafën e Gotardit. Pas një ndalese në Belincona (Bellinzona) vijoi për në Lugano, ku na priste liqeni e ne zbritëm. Ishte ashtu si e kishte përshkruar Herman Hesse, i cili prehet diku afër Luganos. « Është mrekullisht i pasur dhe i bukur, ka nga të gjitha, nga peisazhet alpine deri tek ato mesdhetare ». Palma dhe akullnaja, liqej dhe male, kisha antike dhe arkitetonikë moderne, lugina të heshtura dhe qytete dinamike që së bashku krijojnë harmoninë. (vijon)

( Nesër do të lexoni: Në Markote, Lugano ku prehet Aleksandër MOISIU)

Një nga fotot që ua nisëm djemve me whatsapp






ELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
LETER E HAPUR PRESIDENTES SE REPUBLIKES SE KOSOVES - VEPRONI VETËM NË INTERES TË POPULLIT, ME NDERSHMËRI, GUXIM DHE VENDOSMËRINga MEJREME AZEMI (09.30.2014)
AS. DR. LABINOT SHAHINI, SHEMBULL I ARDHMËRISË SHQIPTARENga AGIM GASHI (09.29.2014)
FANSAT E PUTINIT NË BE DHE NË NATONga PETRIT HALITI (09.29.2014)
FOTO E DITËS - BILL DHE HILLARY CLINTON, GJYSHËR PËR HERË TË PARË, I GËZOHEN MBESËS SË TYRE CHARLOTTE (09.29.2014)
PAPA FRANÇESKU NË SHQIPËRI - POROSI DHE TRASHËGIMI PËR NE (21 SHTATOR 2014)Nga Don LUSH GJERGJI (09.29.2014)
DEMOKRACIA E VETË PARTIVE - PASQYRË E SKAMJES SONË DEMOKRATIKENga BEN ANDONI (09.29.2014)
ÇFARË PAGUAN SERBËT PËR TË ZHDUKUR SHQIPËRINËGruaja e oratorit serb “tradhton” bashkëshortin e saj në Konferencën e Paqes, Paris 1919, duke u kthyer në anën e shqiptarëve (09.28.2014)
SHPALIME PËR EVROPËN E BASHKUAR DHE SHQIPTARËT, PREJ GJENEZËS E DERI SOT (X)Nga BRAHIM IBISH AVDYLI (09.28.2014)
LUFTA KUNDËR KORRUPSIONIT ËSHTË LUFTË KUNDËR APARATIT BUROKRATIKNga SKËNDER MULLIQI (09.28.2014)
FJALA E PLOTË E LULZIM BASHËS SOT NË KUVENDIN KOMBËTAR TË PD (09.27.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]