E Mërkurë, 05.22.2024, 01:31am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
FASADA E MARTIRËVE
Nga EUGJEN MERLIKA

E Enjte, 10.09.2014, 05:20pm (GMT+1)


Për mua ka qenë një e papritur: unë nuk e dija se populli juaj ka vuajtur aq shumë. Pastaj rrugës, nga aeroporti në shesh, gjithë këto fotografi të martirëve. Si keni mundur t'i mbijetoni kaq mundimit? -Papa Françesku

Ditën e hënë, më 22 shtator 2014, të nesërmen e vizitës madhore të Papa Françeskut në Tiranë, dy gazeta të rëndësishme italiane, përkatësisht "La Repubblica" dhe "L'Osservatore romano", njëra një monument mediatik i së majtës dhe tjetra organi qendror i Selisë së Shenjtë, në faqen e parë kishin dy fotografi të përqafimit të Papës me Dom Ernest Simonin. Është një tregues i interpretimit të thelbit të vizitës historike të Kreut të Kishës Katolike botërore në Tiranë. "La Repubblica" e titullon kështu komentin e saj: "Lotët e Papës Françesku: Mos vrisni në emër të Zotit!". "L'Osservatore romano" kishte titullin e faqes me shkronja të mëdha e të theksuara me të zezë: "Sot kemi prekur martirët", ndërsa kryeartikulli titullohej "Dëshmi e vëllazërim".

Janë dëshmia dhe vëllazërimi dy kyçet që lejojnë të perceptohet kuptimi i udhëtimit të Françeskut në Shqipëri. Sa i shkurtër as 12 orë aq i rëndësishëm dhe i pashembullt. I rëndësishëm për Vendin, që nga Papa ka marrë një mbështetje të fuqishme, e i pashembullt për sinjalin që ai ka dashur t'i lëshojë Europës dhe gjithë bashkësisë ndërkombëtare.

Ideja e shkrimit është e qartë: vihen në një plan dëshmia e martirizimit të shqiptarëve nga komunizmi me harmoninë fetare që gjendet në Shqipëri e që duhet të shërbejë si mesazh ndriçues dhe inkurajues për botën e sotme, të sfilitur nga kundërshtitë dhe luftërat ndërfetare. Fotografia në mes të faqes na zbulon përparësinë që, simbas gazetës, merr motivi i parë.

Pa u zgjatur më shumë në komentimin e vizitës, mund të them se ishte një sukses i shquar i shqiptarëve dhe i shtetit të tyre, me një notë lavdërimi për organizatorët. Në këtë sukses një rol të dorës së parë pati vendosja e portreteve të 40 martirëve të besimeve fetare në shëtitoren "Dëshmorët e Kombit". Ishte e para herë që opinionit publik botëror, të pranishëm idealisht e mediatikisht në Tiranën e 21 shtatorit, i zbulohet pamja rrënqethëse e krimit komunist në realitetin e Shqipërisë së mbas Luftës së Dytë Botërore. Kryeministrit Edi Rama që, simbas fjalëve të tij, ka patur dhe ka sendërtuar këtë ide tepër të spikatur, për sa më përket, duhet t'i shkojnë përgëzimet më të sinqerta.
E quaj atë veprim si fillimin e dekomunistizimit të vërtetë të Shqipërisë. Ngritja në piedestal, në sytë e një miku të nivelit të Kreut të Katolicizmit botëror e të gjithë organeve të medias që e shoqëronin, e viktimave të terrorit të Shtetit komunist në mënyrë kaq të shkëlqyer, duhet të jetë një shenjë sigurie se Shqipëria politike paskomuniste ka vendosur prerë të shkëpusë çdo lidhje me të shkuarën e saj. Mendoj se ky duhet të jetë përfundimi logjik në të cilin çon një veprim i tillë. Për të gjithë ata që nuk e njohin në thellësi realitetin e Shqipërisë paskomuniste, ky vendim duket i pakundërshtueshëm. Por... për ne që jetojmë, duke e pësuar mbi shpinë çdo ditë atë realitet, dyshimi është më se i ligjshëm. Dyshimi merr shembëlltyrën e mosbesimit, si pasojë e zhgënjimeve të njëpasnjëshme që shoqëria shqiptare e kryesisht, pjesa e saj e përndjekur për gjysmë shekulli nga diktatura komuniste, ka provuar në këtë gati një të katërt qindvjeti të tjetërsimit të regjimit. Gjatë gjithë këtyre viteve, ajo pjesë ka qenë e pranishme në zbatimin në praktikë të idesë së njohur ramiziane "Shqipërinë do ta gëzojmë ne dhe fëmijët tanë.". Ajo ka qenë pré e demagogjisë së përbindshme që është ushtruar mbi të dhe të drejtat e saj, duke mbetur përsëri shtresa e nëpërkëmbur, e gënjyer, e tradhtuar, herë-herë edhe nga vetë përfaqësuesit e saj.

Jo pak mund të jenë në kundërshtim me këtë paraqitje të zymtë të realitetit, por skeptikëve të kësaj tabloje do t'u lutesha të më vërtetonin të kundërtën e saj.
E kundërta do të ishte, së pari, dhënia e dëmshpërblimeve për punën e papaguar në burgjet dhe kampet e internimit për dhjetëra mijëra njerëz, shumica e të cilëve nuk jeton më. Në 23 vjet Shteti shqiptar ka dhënë vetëm një këst, në rastin më të mirë, dy të tillë. Ky është fakti i hidhur e, për mendimin tim, i pajustifikuar. Gjatë këtyre 23 vjetëve, në politikën shqiptare janë miza të bardha eksponentë të saj me prejardhje të përndjekurish, madje duke marrë parasysh edhe shkollimin e moshave të reja në universitetet e Perëndimit. Disa emërime në nivele të mesme të administratës shtetërore aktuale janë përjashtime që forcojnë rregullin. Shumë prej ish të përndjekurve, për 20 vjet nuk kanë patur mundësi as të hyjnë në shtëpitë e tyre të shtetëzuara nga dhuna komuniste, madje ende sot, shumica dërmuese nuk është në gjendje të marrë pronat e vogla, mbasi pengesat e parafabrikuara burokratike, të ndërthurura me regjimin korruptiv të drejtësisë e administratës publike, janë të pakapërcyeshme.

Nxënësve të shkollave në Shqipëri u mësohet ende historia e shtrembëruar e regjimit komunist, madje ato tekste përdoren edhe në shkollat e Kosovës. Dezinformimi komunist vazhdon si në kohën e regjimit, madje në krye të komisionit të rishkrimit të historisë parauniversitare, emërohet një nga historianët më në zë të atij regjimi!!! Antikomunizmi vazhdon të quhet "armiqësor" për interesat e vendit dhe ajo vlerë e madhe e qëndresës dhjetëvjeçare në malet e Shqipërisë së veriut, mbetet krejtësisht e panjohur.

Kasta politike vazhdon të pasurohet në mënyrë përrallore e, çuditërisht, në këtë aradhë pasanikësh të rinj nuk ka asnjë ish të përndjekur politik. Këto ishin vetëm disa nga pamjet e jetës së sotme shqiptare, në të cilën vizita e Papës Françesku, uroj të ketë kryer funksionin e një ndarësi epokash. Nëse imazhi i dhënë më 21 shtator nuk është vetëm një fasadë e ngjyrosur, për të forcuar idenë se Shteti dhe shoqëria jonë i përkasin kryekëput, në gjithë qenien e tyre botës perëndimore, idealeve e parimeve të saj, atëherë përballimi me problemet e mësipërme bëhet i detyrueshëm e kohët e tij nuk mund të jenë ato të vërejtura në këta 23 vjet.

Portretet e martirëve të fesë në Shëtitoren "Dëshmorët e Kombit" nuk janë vetëm dëshmi e kujtesës historike, si një njësi matëse e përmasave të krimit komunist, janë dhe një thirrje që buron nga vetëdija e kombit për të dënuar haptas e pa mëdyshje këtë të fundit, jo vetëm me fjalë. Lotët e Papës Françesku, një njeri që vjen nga Argjentina, vendi i desaparesidëve e i diktaturës ushtarake gjakatare, kur mëson vetëm majën e ajsbergut të krimit shtetëror shqiptar nga rrëfimet e Dom Ernest Simonit apo murgeshës Marije Kaleta, nxjerrin në dukje krahasimin e dy dhunave e tregojnë se çfarë përmasash shkatërruese pati ajo në "vendin e shqipeve".

Dënimi i krimit komunist duhet të shkojë me të njëjtin hap me rikthimin e të drejtave të viktimave të tij, së pari atyre lëndore, si dëmshpërblimet e premtuara e të zvarritura në "kalendat greke". Por ai duhet të nënkuptojë edhe rivlerësimin e së shkuarës jo komuniste, për t'i hapur rrugën jo vetëm pohimit të së vërtetës historike, por edhe paqtimit kombëtar për të cilin kemi shumë nevojë në rrugën e zhvillimit.

A do të jetë në gjendje ideatori i vendosjes së portreteve të ndërmarrë seriozisht e sinqerisht këtë rrugë të vështirë, por të domosdoshme për të sotmen e të ardhmen e Shqipërisë? Pyetja mbetet pa përgjigje. Për çastin ajo nuk mund të jetë mohuese, sepse sinjalin e 21 shtatorit, deri në provë të kundërt, duhet ta quajmë tregues të vlefshëm. Nuk mund të jetë as pohuese, mbasi argumentin nuk e gjejmë të trajtuar në asnjë nga daljet e shpeshta të Kryeministrit në qytetet e Shqipërisë apo në televizionet e saj. Premtimet për fonde publike në ndryshimin e pamjeve të qyteteve tona, në ndërtimin e rrugëve apo veprave sociale, janë të lëvdueshme e uroj që të jenë realiteti i viteve të ardhshme. Por pagimi i dëmshpërblimeve të ish të përndjekurve politikë duhet të ketë përparësi absolute, jo vetëm se është një borxh që vendi u ka viktimave të komunizmit, një borxh moral e lëndor mundi, djerse, gjaku, një borxh jetësh njerëzore, që nuk paguhet as me gjithë arin e botës.

Nëse me të vërtetë ekziston prirja për të ndryshuar rrugë, për t'i dhënë përmbajtje imazhit të 21 shtatorit, duhen braktisur kriteret qesharake e mashtruese të ndjekura deri tani e të caktohet një periudhë, jo më shumë se tre vjet, për të shlyer gjithë pagesat në dobi të ish të përndjekurve politikë. Do të ishte hapi i parë i madh në kthesën e vërtetë, që duhet të pasohet edhe nga shumë masa të tjera që shkojnë në atë drejtim. Dihen vështirësitë financiare të Shtetit, por askush nuk mund të më bindë se, në këta 23 vjet, nuk ka patur asnjë mundësi të bëhej më shumë, ka munguar vullneti politik. Një vend, në të cilin lëvizin pasuri marramendëse miliarda dollarësh, nuk ka asnjë vështirësi të gjejë pak qindra milionë që plotësojnë dëmshpërblimet.

Nëse nuk i gjen, do të thotë se nuk don t'i gjejë e, në atë rast do të thosha se vazhdon mashtrimi i madh e se 21 shtatori ka qenë vetëm një fasadë. Ia lëmë kohës të vërtetojë shpresat e dyshimet e shumta, të lindura në një ditë të madhe të historisë sonë.

EUGJEN MERLIKA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
MENTALITETI PERANDORAK I RUSISËNga ARSHIN XHEZO (10.09.2014)
CURRAJ I EPËRM - SEKRETI I FUNDIT I SHQIPËRISË (10.09.2014)
QYTETARËT E KANË HUMBUR BESIMIN NË KËTË KASTË POLITIKENga SKËNDER MULLIQI (10.08.2014)
BBC - DJALI NGA KOSOVA I CILI U RRIT PËR T'U SHNDËRRUAR NË NJË SULMUES VETËVRASËS (10.08.2014)
HARTA FETARE E BOTËS (10.08.2014)
TURQIA - KY ALEAT I VYERNga DRITAN HILA (10.08.2014)
TIRANA SOT, FIKS SI 80 VITE MË PARËKrahasimi mes Tiranës së viteve ’40 dhe Tiranës sot. Përveç ndërtesave shumëkatëshe asgjë nuk ka ndryshuarNga DORJANA BEZAT (10.08.2014)
LIBËR I RI PËR ATDHETARIN E SHQUAR ALI IBËR NEZAJ(Përgatitur: Ganimete Thaçi)Nga Prof. MURAT GECAJ (10.08.2014)
NOTOJ ME ATA QË FUNDOSENNga AUREL DASARETI, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au) (10.07.2014)
VETËVENDOSJA E BËN KALË ENVER HASANIN (10.07.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]