E Martë, 04.30.2024, 10:56pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
AGIM HUSHI - MË PËRJASHTUAN NGA OPERA SE ISHA RIVALI I SALI BERISHËS
Intervistoi: FATMIRA NIKOLLI

E Djelë, 10.12.2014, 01:48pm (GMT+1)



TIRANE - "Ëndrra ime e dashurisë, është zhdukur përgjithnjë. Ai moment fluturoi dhe unë do vdes në dëshpërim. E kurrë më parë nuk e desha jetën kaq shumë, kaq shumë". "E lucevan le stelle", akti i tretë, "Toska". Ndërkohë që Agim Hushi ka veshur lëkurën e Mario Cavaradossit, një ushtri makinash tërbojnë me ulërimat e borive, ndërsa Metropoli zhytet në të zezën e natës. Pothuaj 10 vite më parë, tenori me karrierë ndërkombëtare, kandidoi për deputet në qytetin e tij të lindjes, në Kavajë. Atëkohë, pat vendosur të linte artin në skenat e mëdha të operave për t'u angazhuar politikisht, në ndihmë të bashkëqytetarëve. Ky pozicionim i ka kushtuar Agim Hushit shtatë vite mungesë në skenën e TKOB. Në një intervistë për "GSH", ai flet për përballjen prej xhentëlmenësh në fushatën e 2005-ës, dhe ato që i sheh si pasojat e ndikimit të politikës në TKOB. Veçse, mbetet e paqartë, nëse e njëjta skenë sot, vuan ende nga të tilla sëmundje, që i zënë frymën herë një pale e herë një tjetre, ashtu sikundër herë i japin krahë një pale e herë një tjetre. Tenori, rrëfen daljen e parë në skenën e TKOB më 1991, emërimin solist pasi talenti i tij u zbulua kur ishte mësues fshati, e mandej një homazh për kohët e lëna pas. Më 15, 17 dhe 19 tetor 2014, ora 19.00, në skenën e TKOB ngjitet "Tosca" e Giacomo Puçinit. Sinopsi, me pak fjalë, tregon një dashuri, në Romën e qershorit të 1800-ës, prej së cilës dikush vritet e dikush vetëvritet, disa shekuj më parë. Pos Hushit, në të interpretojnë: Eva Golemi, Irini Nikolla, Shpresa Beka, Ylber Gjini, Ogert Islami, Sidrit Bejleri, Gilmond Miftari dhe Ogert Islami. Me regji të Nikolin Gurakuqit, dirigjent është Edmond Doko, ndërsa dirigjent Kori është Dritan Lumshi.

Rikthehesh në Opera pas 7 vitesh. Pse kaq shumë mungesë?
Kjo është një histori më vete, që del disi jashtë bisedës sonë rreth artit. Gjithsesi, për të qenë realist, këtu në Shqipëri dhe në TKOB është e vështirë ta shkëpusësh artin nga situatat që nuk duhet të ndikojnë në të, por që për fat të keq janë të prekshme në jetën e artistëve siç janë ndryshimet politike apo streset sociale. Nuk do të doja ta pohoja, por është e vërtetë që pas një obligimi qytetar që pata dhe pas një orvatjeje të suksesshme, dhe pse unë ashtu siç hyra dola me qytetari, në Opera më panë ndryshe. Në vitin 2005 u përpoqa t'i dilja zot qytetit tim, halleve të Kavajës, dhe kandidova për deputet. Ndonëse kisha Sali Berishën përballë, unë atë vazhdoj ta konsideroj e ta respektoj, si një udhëheqës të një force të madhe politike, ishpresident e ish-kryeministër. Jam në raporte xhentëlmeni me të, siç kam qenë para se t'i hyja politikës, por për fat të keq, pas fitores së Berishës, ata që donin ta ndihmonin me servilizmin e tyre, menduan që të më eliminonin nga skena, si ish-rival i tij.

Ju, për cilën parti kandiduat në Kavajë?
Unë isha i zgjedhur i Partisë Socialiste, po pa qenë anëtar i saj. Ka qenë një përballje me hallet dhe problemet e shumta të qytetit. U futa, se kisha mbështetjen e atyre që kërkojnë një njeri më të afërt për ta sesa një politikan që ka një zyrë të madhe e që nuk e takon dot çdo ditë. Pas fushatës, kishit më raporte me Berishën? Ne vijojmë të jemi miq dhe fushata ime dhe e Berishës ka qenë model, sepse jo vetëm nuk i dolëm kundër njëri-tjetrit, por zgjodhëm të bënim një fushatë xhentëlmenësh, ashtu siç i ka hije Berishës dhe mua. Ka qenë një ndër duelet më fisnike që duhet të mësojë politika sot.

Pse mendoni se ndikoi kandidimi juaj për deputet në daljet tuaja skenike?
Sepse prej atyre që donin të rrinin gjithë jetën nëpër poste, unë u eliminova nga lista për shumë produksione, përfshirë ato që ishin për zërin tim, apo për 100-vjetorin e Pavarësisë. Nuk u respektuan kodet profesionale. Unë jam tenor sinto, por ish-drejtori i TKOB, Zhani Ciko, për të cilin profesionalisht kam respekt, thoshte në një intervistë televizive që "˜nuk kemi tenor sinto' për të kënduar Skënderbeun. Kjo, për mua i vuri kapakun.

Si ndihesh në Opera 23 vite pas herës së parë?
Kam shumë kujtime. Në këtë teatër jam rritur, kam ardhur 20 e ca vjeç. Në këtë teatër kam rekordin që s'e ka shënuar askush, jam i vetmi, por ama i vetmi, që jam emëruar solist në Teatrin e Operës dhe Baletit pa asnjë ditë arsimimi muzikor, në sajë të vlerësimit të talentit dhe vokalit tim. Këtë talent e këtë vokal e kanë vlerësuar legjendat si Marie Kraja, Mustafa Krantja, Ramiz Kovaçi, Hamide Stringa, Nina dhe Avni Mula, Shpresa Nishani, Feim Ibrahimi, Simon Gjoni, - profesori im i solfezhit, pianistja ime Lili Tafaj, Alfred Uçi, që ishte ministër Kulture, i cili bëri të pamundurën që unë, nga një mësues fshati të vija e të bëhesha solist në qendër të Tiranës. E sigurisht, ky teatër, përveç anës ideale, si fole arti, ka problemet e veta si çdo qenie e gjallë. Një gjë është e sigurt, që ky është teatri që ka më shumë ëndrra, më shumë luftë dhe përpjekje për t'u ngritur, për t'u bërë e për të qenë pjesa më dinjitoze e kulturës shqiptare. Mbetet shtëpia ime e parë dhe s'ka njeri forcë e të drejtë të më largojë, ashtu siç nuk mund të largohet asnjë njeri i talentuar.

Keni pasur komunikim me prof. Zhani Cikon?
Unë Cikon e kam respektuar profesionalisht dhe e respektoj, edhe pse në moment zemërimi jam shprehur për padrejtësinë që më ka bërë, duke më izoluar 7 vite në kulmin tim. Qe një politikë e mbyllur, me të cilën s'jam pajtuar. Teatri është dhe duhet të përfaqësojë jo një drejtor apo një grup njerëzish, por kulturën tonë kombëtare.

Tani për Toskën, nga kush erdhi ftesa?
Ftesa erdhi nga Drejtori i TKOB, Ilir Kerni, dhe drejtoresha artistike, Abigeila Voshtina. Që në ditët e para të emërimit, Kerni më shkroi dhe shprehu dëshirën për bashkëpunim, dhe i jam mirënjohës. Pos kthimit pas 7 vitesh, ju vini me të parën opera që vutë në skenë, në rininë tuaj, atëkohë kur një Shqipëri binte e një tjetër ngrihej. Si e mbani mend "Toskën" tuaj të parë, atë të vitit 1991? Unë e kam filluar karrierën me operën "Toska". Me të, ka qenë dalja ime e parë në skenë më 1991. I rikthehem "Toskës" pas 23 vitesh, e "Toskës" me të cilën jam rritur. Atëkohë përkrah meje në skenë kisha Shqipe Zanin. Mbaj mend që ka qenë një produksion shumë i madh dhe emocional, i shenjtë për mua. Edhe sot, sa herë flitet për të, ndjej shumëçka. Mbase ka lidhje mes asaj rastësie dhe përshtatjes së vokalit tim me të, pasi me këtë pjesë shënova suksesin tim të parë. Mua, roli i Cavaradossi-t më ngjit më shumë se asnjë tjetër, e më duket se Puçini ka qenë im atë dhe e ka shkruar për të birin. Është një nga operat që më ngjit më shumë.

Si ndihet piktori Mario Cavaradoss me këtë "Toskë"?
 Përveç eksperiencës që kam, mund të them se "Toskat" me të cilat këndoj janë brilante. Eva Golemi e ka provuar veten dhe e njeh publiku për pasionin e patosin; Irini Nikollën për fuqinë e vokalit, Shpresa Bekën për pasionin e lirikën. Këtyre "Toskave", në tri mënyra të ndryshme duhet të përpiqem t'iu përgjigjem me të njëjtin nivel. Megjithatë, është kënaqësi që do jem në të tria netët. Është kënaqësi e privilegj.

Paçka vlerave artistike, sa e gjen veten kjo opera, libreti i saj në këtë vend? Aty ka pikturë, ka dashuri, ka ndjenjë, ka njerëz që urrejnë, por ka edhe njerëz që duhen, ka mesazh. Por kur del nga skena apo nga opera, realiteti modern, s'e gjen veten në të. Duken si dy botë të ndryshme, pa urë lidhëse, ajo jashtë dhe brenda derës së teatrit. Ju, si e shihni?
Çdo vepër artistike, që nga Safo, Shekspiri, janë modele të një idealizmi shpirtëror që për fat të keq koha moderne i ka fshirë. Duket se edhe modernizmi e ka një çmim. Dikur njerëzit dashuronin ndryshe, sot chat-et janë kthyer në krijues e varrosës të dashurisë së vërtetë. Dikur poezitë ishin burim frymëzimi e dashurie dhe letrat sot nuk njihen më, sot shkruhen mesazhe që s'kanë asgjë të përbashkët me perlat e Eseninit, të Bërnsit etj. Ashtu edhe muzika. Ndërsa korifenjtë janë aty me librat e tyre, jeta sot i "˜nxjerr' jashtë loje. Është një simbolikë e madhe të vësh një opera në mesin e metropolit, aty ku vajzat shëtisin me minifunde e djemtë iu çojnë mesazhe dashurie në të njëjtën kohë pesë femrave e ndërkohë, një femër vret veten për të mbrojtur dinjitetin e saj, një poet e një piktor i madh vritet për hir të kësaj dashurie. Sot, nuk shkruhen më as letra. Do thosha, kjo përplasje botësh që thoni ju, është si puna e kambanave të vjetra të kishave, të cilat i përhapin tingujt në një rrugë të zhurmshme plot pallate, me mijëra makina moderne e ku njerëzit drogohen. Pra, këta tinguj janë aq të shenjtë. Rënia e kësaj kambane (ose vënia e "Toskës" në skenë), le të na bëjë të mendojmë se duhet më shumë thellësi në kuptimin e jetës njerëzore, ndjenjat njerëzore të kenë më shumë vlerë, pasi janë ato që na mbajnë gjallë.

Ç'ka ndryshe nga "Toskat" e tjera kjo e Nikolin Gurakuqit?
Nikolini është krijues i çuditshëm. Në punën e tij ka freski. Është një njeri që kërkon, zbulon e gjen ide të reja. Çdo pjesë e vënë prej tij është premierë, e jo rivënie, pasi ndjen freski. Edhe pse ngjarjet janë të vjetra në kohë, Gurakuqi e ka sjellë në kohë, përmes lëvizjes skenike. I ka reduktuar disa pompozitete skenike. I thashë se, mbase nuk do të mund t'ia plotësoja, por më shprehu besim në punën time. Do thosha se e ka bërë realiste një vepër puçiniane.
FATMIRA NIKOLLI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
ALIDA HISKU - PLAGËT E PASHËRUARA TË NJË ARTISTEJE TË MADHEIntervistoi: ALBINA GJERGJI (10.12.2014)
SHQIPËRIA, DUAJE OSE LËRE!Nga GIDEON LEVY, Haaretz, Izrael (10.12.2014)
BAZE - NJË SMS E 21 JANARIT ME RAMËN, ÇIFTI 2F DHE LUBONJAVangjeli: Një emër enigmatik tek përgjimet (10.12.2014)
LIQENI I OHRIT MË I VJETRI NË EUROPË, 1 MILION VJEÇ I ËSHTË LLOGARITUR MOSHA (10.11.2014)
KOSOVA SHËNON DITËN NDËRKOMBËTARE TË VAJZAVE NËN MOTON 'SHKOLLIMI MPOSHT DHUNËN' (10.11.2014)
BRAÇE: "BATON TI JE RASTI MË I NDYRË KU MUND TË PËRDOREN GËRMAT E SHQIPES" (10.11.2014)
SOT ËSHTË DITA NDËRKOMBËTARE E VAJZAVE (10.11.2014)
13 TETOR 1943 - ALEATËT BOMBARDOJNË TIRANËN...Në 70 vjetorin e përmbytjes komuniste...Nga FRITZ RADOVANI (10.11.2014)
REFORMA NË DREJTËSI DHE DOKRRA E HINITNga FABIAN ZHILLA (10.10.2014)
GËZUAR DITËLINDJEN, GËZIM ALPION!Nga XHEMAIL PECI (10.10.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]