E Martë, 05.21.2024, 12:40pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
GËZUAR DITËLINDJEN, GËZIM ALPION!
Nga XHEMAIL PECI

E Premte, 10.10.2014, 07:25am (GMT+1)

         


Lasgushi për ditëlindjet e shkrimtarëve

Dhjetë tetori më kujton thënien aq të qëlluar të Lasgush Poradecit se poetët, shkrimtarët dhe krijuesit duhet të nderohen e të kujtohen më shumë për ditëlindjet e tyre. Do me thënë, le të vlerësohen edhe sa të jenë gjallë. E thënë bukur dhe me shije, me kulturë dhe me modesti, ashtu siç dinte vetëm Lasgushi.

Besnik Sykja

Kjo datë shënon ditëlindjen e njërit prej krijuesve shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar e si një rastësi fare e zakonshme, si një koincidencë e cila dëshiron të shton edhe një emër më shumë, shfaqet si parafytyrim një pamje që shpesh e transmetonte Televizioni Publik Shqiptar. Shkolla e mesme me emrin: BESNIK SYKJA. E shkruar me shkronja të mëdha, ky emër më mbërthen edhe më. Sykja ishte një një shkencëtar i rrallë, një fizicient që premtonte aq shumë, dhe që nderohej po aq edhe nga Universiteti i Upsalës. Pa pikë dyshimi një individualitet dhe një personalitet shkencor.

Qoftë edhe me një kronikë të shkurtër, përkujtohej një studiues premtues, të cilin e shquante një seriozitet tronditës në fushën e shkencës së fizikës. Sa traditë e bukur e një kombi që nderon dhe përkujton bijtë e tij të mendjes e të dijeve. Duke nderuar njerëz të tillë, një komb dëshmon dashurinë dhe respektin që kanë kombet e qytetëruara për dijen, arsmini, artin, kulturën dhe shkencën, por edhe për ardhmërinë e vet.

Në fushat fisnike të mendjes dhe të dijes

Dhjetë tetori pra më ngjallë kujtime dhe më shtynë që të hedhë në letër ndjenjat e admirimit dhe të respektit edhe për dritërrefenjësit - pararendësit tanë në fushat fisnike të mendjes dhe të dijes.

Ligjërues i Letërsisë angleze dhe amerikane në Universitetin e Birmingamit, lërues i hollë i gjuhës e krijues me dhunti letrare, profesor në fushën e ndikimit të masmediave e eseist i dëshmuar, polemist me kulturë të formuar e njohës i mirë i kulturës perëndimore sa edhe i asaj të Lindjes, dramaturg dhe njohës i mirë i historisë së popullit të tij, por edhe i popujve të tjerë, i përkushtuar për të ndriçuar dhe për ta lartësuar figurën e madhe të Nënë Terezës, i ftuar shpesh për t'u investuar nga mediat dhe për të ligjëruar nga universitetet prestigjioze, Dr. Gëzim Alpion me një diapazon që vërehet dukshëm dhe me ligjërimin në anglisht, e bën për vete auditorin: sa me një fije të hollë humori po aq edhe me një sens diplomatik.

Lasgushi: Mërgimi-një bekim hyjnor!

Lasgushi shkruante se mërgimi është një bekim hyjnor, e ndoshta edhe kishte të drejtë në një pohim të tillë kontemplativ. E megjithatë, kujtoj thënien e Faik Konicës, kur i bëri vizitë Atë Shtjefën Gjeçovit: Harruar nga njerëzit dhe nga perëndia! Sa dhembshëm e ka thënë. Shqiptari më interesant, një nga njerëzit më të lartë që ka pasur Shqipëria. Një epitet sa i bukur aq edhe i qëlluar e me domethënie kuptimplote që përfshinë kështu një gjenezë të tërë, prandaj ja që nuk kursehej Faik Konica për t'i dhënë atë që meritonte Atë Shtjefën Gjeqovit, i cili ishte nderuar si Doktor Nderi (Honoris Caussa) nga Universiteti i Lajpcigut të Gjermanisë, dhe i cili shprehej me aq bindje dhe shpresë të palëkundur për të pritmen e shqiptarëve: "Se s'u ka tretë fara n'shqyptari atyre fatosave që dinë me ndjekun gjurmët e Gjergj Kastriotit"...

Edhe më dhembshëm do të shprehej Ismail Kadare për Lasgush Poradecin (Ikja e Shtërgut): Po i ikte Shqipërisë edhe ky flori. Sa epitet të bukur i ka dhënë Kadare Lasgush Poradecit: Krenaria e poezisë shqipe. Si për të vazhduar traditën e epiteteve të merituara, ku Apolineri e quante Konicën: Princi i gjuhës shqipe. Ndërkaq, studiuesi i veprës poetike dhe atdhetare të Vexhi Buharasë, Yzedin Hima, me të drejtë e ka quajtur Lasgushin: Princi i poezisë shqipe.

Kohët ziliqare Shqipërisë i dhanë pak dhe i morën shumë!

E më tutje, në këtë qark mendimesh, thënia e madhe e Zeusit të Vajmarit, Gëtes së madh: Zotat, kur u zgjova nuk m'i kishin marrë të gjitha. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Shqipërinë. Kohët padrejtësisht i morën shumë, dhe i dhanë pak, aq pak! O Zot sa pak!

Mërzi - Nënë Muzash, shkruante Johan Volfgan Goethe. E megjithatë, një shpresë si ajo e Gëtes, një ëndërr e madhe, një ideal i trashëguar ndër shekujt, e bëri edhe atë të thoshte gati-gati krejt heshtur: Dritë, më shumë dritë! (fjalët e fundit të Gëtes), dhe më në fund, zëshëm, me kalimin e kohëve gjithnjë e më zëshëm, më thekshëm: Zotat, kur u zgjova nuk m'i kishin marrë të gjitha.

Edhe më saktë, atë që e thoshte Ismail Qemali: Ka Perëndi edhe për Shqipëri, sepse forca ngadhënjehet nga drejtësia. Ja të vdesim, ja të rrojmë: Është e jona Shqipëria!

Koha dhe shkrimtarët me kronikat e tyre

Sërish shfaqet në kujtesë këngëtari lirik i rrembave të hollë të dashurisë, Lasgushi (Kadare shkruan se ai ishte njeriu që ka ecur më me modesti ndonjëherë nëpër rrugët e Tiranës, e kjo më shtynë të them për këngëtarin finok të dashurisë: sa shpirt i madh): "Atëherë, kur shkuam në Shkodër me Asdrenin, vajta në Kuvend te Gjergj Fishta, por nuk e gjeta. Kur atij i thanë se e kisha kërkuar, mori makinë, veturë dhe doli të më kërkonte nëpër Shkodër. U takuam dhe shkuam në Kuvend".

Krahasimet ngjallin ide, dhe ato flasin me kohët dhe njerëzit që me kronikat e tyre lanë gjurmë të pashlyeshme në ngjarjet e parreshtura të kohëve të vrullshme. Po më shumë se çdo gjë, nuk sesi të mos rrëmbejë një ndjejë krenarie dhe dashurie e veçantë për respektin dhe konsideratën që kanë pasur Fishta, Asdreni, Koliqi e Poradeci për njëri-tjetrin. Në kulturën e madhe dhe me taban kombëtar, edhe polemikat kishin në thelb respektin e ndërsjellë e të dëshmuar. Gabove, Hilë! Kështu do thoshte Fishta, por gjithmonë duke respektuar figurën atdhetare të Hilë Mosit, dhe penën e tij të zjarrtë, me të cilën ngriti lart idealet e të flijuarve për lirinë e mëmëdheut, e gati një shekull më pas, koha shpalosi zemër-klithjen e këtij poeti e luftëtari atdhetar: Ah Shqypni, mos thuej mbarova!

Figura e intelektualit si një lartësi e përulur

Një lartësi e përulur, dhe jo një madhështi mospërfillëse. Ky është epiteti për intelektualin e mirëfilltë, apo siç do të shprehej Eqrem Çabej për Fan Nolin: "Fan Noli nuk është një madhësi efmere. Fjala e tij nuk është një nga ato që i merr era. Ai nuk është poet i lartësive eterike, por është shkrimtar i Plisit të Dheut" (Eqrem Çabej: Fan Noli Ynë, artikull i shkruar më 1965).

I Plisit të Dheut. Sa gjenezë e bukur. Gjenezë e cila përkujton se në mermerin monumental të atdhetarisë shqiptare, të fisnikërisë së kombit, të diturisë dhe të mençurisë, shumëçka është shkruar me gjak, me gjakun më të dlirë, më të mirë, më të pastër e më të kulluar, si ai i Pjetër Budit, Pjetër Bogdanit, Atë Shtjefën Gjeçovit, e sa e sa martirëve të tjerë të lirisë së Shqipërisë, ndaj e thoshte Çabej: I Plisit të Dheut.

Në mermerin e fjalës shqipe e në yllësinë e saj

Në mermerin e gdhendur të bukurisë monumentale rri e gjallë fjala e bukur shqipe, fuqia dhe madhështia e saj, fisnikëria dhe bujaria, shpirtbardhësia dhe shpirtgjërësia e një kombi të tërë.

Shqiptarët janë një popull shpirtbardhë !

Kështu i shkruante poeti romantik anglez Bajroni të ëmës, e poeti arbëresh do të klithte: O i shekujve shpirtbardhë, o shqiptar! Ndërsa Naim Frashëri do ta përmbledhte gjakimin e tij të veçantë prej poeti të kombit në një dyvargëshin e tij si një qëndismë vetëtimash të mëndafshta: E ku të shkruhen ndë kartë, fjalët e gjuhës së zjarrtë?!

Dhe sakaq zemër-klithja dhe zemër-thirrja tjetër: Sikur duart dhe mendjet tona, sikur kokat tona të punonin e të mendonin, të vepronin në tokat tona e në vatrat tona!

Duart e arta të mjeshtërve dibranë

Një ankth që më kujton thënien e njohur: në rast se shembet Stambolli dhe shpëtojnë duart e mjeshtërve dibranë, nuk ka ndodhur asgjë, sepse ata e ngrejnë prapë. Po të ndodhë e kundërta, atëherë mund të thuhet se nuk ka kush e ndërton Stambollin.

S'kemi sesi të mos kujtojmë pra as thënien tjetër se po ì ndodhi Francës ndonjë katastrofë e po shpëtuan veprat e Balzakut, mund të thuhet se s'ka ndodhur asgjë. E keqja është nëse ndodhë e kundërta...

Xhorxh Uashingtoni për të mençurit dhe të ndershmit

Së këndejmi mund të citojmë poetin Dritëro Agolli, i cili me një shije të stërholluar artistike e në një vizion tejet largpamës i dha përfytyrimin e merituar Shqipërisë:

Një ditë, atdheu do të marrë frymë me mushkëritë e poemave të Naimit!

Dhashtë Zoti!...

Le të ngrejmë vlerat tek të cilat të mençurit dhe të ndershmit do të kontribojnë. Ngjarja është në dorë të Zotit, do të thoshte themeluesi i shtetit federal amerikan Xhorxh Uashingtoni, më 1787.

Naimi është Shqipëria! E Ukshin Hoti i vuri krahët Shqipërisë!...

Nuk mund të lë pa cituar prapë Dritëroin. Është pra për të satën herë identifikimi i intelektualit me misionin sa moral aq edhe intelektual - i lidhur me atdheun:

Naimi është një shpirt i gjërë sa Shqipëria (Dritëro Agolli). Naimi pra është vetë Shqipëria! Apo siç i ka thënë aq bukur populli vet: Bilbil ì vendeve të mia, more Naim Shqipëria. Me vdekjen e tij Naimi mundi vdekjen (do të thoshte një poet i kohës). Prandaj është thënë me të drejtë se nga kopshti ì bagëtisë dhe bujqësisë, Naimi kishte preferuar të mirrte Lulet e Verës, pra lulet më të bukura që t'ua falte Shqipërisë dhe shqiptarëve: Perëndia më fali (nga sëmundja e rëndë trevjeçare) sepse duhej t'i kryeja edhe ca punë që u duheshin Shqipërisë dhe shqiptarëve!

Bilbilat dhe poezitë: Atje rrijnë Perënditë!

Po prej nga ky frymëzim kaq i thellë dhe kaq i bekuar? Mali ì Kokojkës në Dangëlli, Uji i Naimit e Lulja e Naimit (të cilën ai e solli nga Izmiri), dhe më tej hapësirat hyjnore të shqipes dykrenore. Atje rrijnë Perënditë. Fole hyjnish... Si hyjnitë e ujit në fshatin Velçë, një fshat aq ì bukur i Shqipërisë, me pesëdhjetë e tri kroje, ku thuhet se hyjnitë e ujit kanë qenë të vendosura aty që nga lashtësitë...

Është thënë pra aq bukur se për poezinë e Naimit mund të gjykojnë m së miri bilbilat.

Në fillim ishte fjala! Sepse fjala është diçka hyjnore

Për Naimin flet Naimi vetë: E ku të shkruhen ndë kartë fjalët e gjuhës së zjarrtë?

Një grusht dhe e një grusht lotësh, një grusht pëllumbash në ndërrim motesh!

Fjala është diçka hyjnore sepse pa fjalën bota është memece. Rima, thoshte Bajroni, ka fuqinë e një Perandorie. Të flasësh bukur dhe me kulturë do të thotë të ripërtërish traditën e lashtë ilire të respektit dhe të dëgjimit, të ligjërimit qartë dhe bukur, e që në të vërtetë s'është gjë tjetër pos se trashëgim mençurie, një fisnikëri shpirti e një bardhësi zemre, që gjithmonë ka ngadhënjyer dhe ngadhënjen mbi tundimet dhe mbi mundimet që mund të kenë prirjet e të folurit të përkundërt.

Alpion dhe auditori i tij

Duke kujtuar thëniet e lartpërmendura, përpara shfaqet sfondi i ligjëratave, të cilat veçmas studentët por edhe auditori më i gjërë që ka Alpion, i dëgjon gjithë ëndje, gjithë admirim, gjithë kureshtje dhe kënaqësi.

Alpion bën pjesë në radhët e atyre intelektualëve të cilët besojnë në fuqitë dhe në aftësitë ripërtëritëse të përparimit e të lulëzimit të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar, e misioni historik i intelektualëve shqiptarë dje dhe sot, kudo që ata janë gjendur, brenda apo jashtë atdheut, ka qenë dhe mbetet vizioni për çlirimin dhe bashkimin e fuqive mendore dhe shpirtërore të kombit shqiptar.

Gjakimi i Breznive Orëmira: Shqipëria është një Emër ku mblidhen shekujt. Një Zemër ku zgjohen ardhmëritë!

Në të vërtetë, është një gjë mëse e ditur dhe një fakt i pamohuar se që në fillet e saj gjuha shipe dhe kultura shqiptare, më shumë se me ngjyrë është shkruar me gjakun më të kulluar të dritërrëfenjësve të saj.

Me gjak sepse i tillë ka qenë edhe gjakimi i këtyre martirëve për Shqipërinë dhe për lirinë e dritësinë e saj të bardhë e të mbarë. Pra, i gjithë gjithë misioni dhe vizioni i Breznive Orëmira - me peshën e viteve, të rreziqeve dhe të përgjegjësive ngarkuar mbi supe, ka qenë dhe është përkushtimi dhe sakrifica deri në fitoren e të drejtës historike, të vërtetës atdhetare dhe shkencore, për të dëshmuar një dhe të vetmen gjë, se (duke parafrzauar poetin francez Lui Aragon): Shqipëria është një emër ku mblidhen shekujt, një zemër ku zgjohen ardhmëritë.

De Rada e Faik Konica. Froni i Poezisë dhe Balli i Lavdisë së Shqipërisë: Shkëlqimi si në Kohët e Ilirisë...

Ashtu siç shkruante në gjakimin e tij krijues, edhe poeti Sylejman Mato: Balli ì trimërisë, balli ì poezisë e balli ì diturisë, tek balli ì lavdisë.

Një si tingëllimë shekujsh të cilët Trumpeta e Krujës e ngjalli kur ra prapë në Prizren, e që më përkujton për të satën herë, njërin prej shpirtave të bardhë të Shqipërisë, rilindasin e poetin, publicistin dhe atdhetarin e madh Jeronim De Radën, veçmas shkrimin e tij me titull: Froni i përhershëm i poezisë:

"Poezia arrin në një mënyrë më të përshtatshme t'ì paraqesë disa të vërteta të reja, që dikush t'i ketë hetuar më parë atje kur ato gjenden në midis të jetës, por janë vërejtur pak nga shkimi njerëzor. Poeti ì kujton të gjitha këto duke u nisur nga intuita e qartë dhe e plotë, kurse historiani nuk mund të bëjë kështu. Kjo vërehet sidomos në simbolet në të cilat inspirimi ka qenë ì madh dhe ì denjë për një poet. Kjo është ose një cilësi hyjnore e poetit, siç thotë Sokrati, ose realizohet pasi trupi është më shumë objekt i mendjes, e kur mendja sundon në trup, ajo është më e lirë dhe më e fuqishme për veprimtari të brendshme, duke e bërë trupin si të pandjeshëm e si të vdekur, si te personat magjepës.

Sot, kur gjithë e më tepër po pasurohet mendja njerëzore me zbulime të reja dhe kur kjo ka dëshirë të njohë të ardhmen dhe jetën më të mirë, kjo simbolikë dhe alegori e paraqitjes së vërtetës, bashkë me paraqitjen e të bukurës ideale, do t'ìa kthejë poezisë përsëri fronin e përparshëm".

Pena e atyre që do të dijnë ta përdorin ate si duhet do t'ì durojë të gjithë shekujt, do të shkruante De Rada, e kohët, sado të vështira dhe sado tinzare, përjetësuan penën e tij, në të cilën froni ì Shqipërisë dhe froni i poezisë lartësohen në horizontin mendor dhe dituror të rilindasit të madh, lartësohen dhe qartësohen aq shumë dhe aq bukur, aq qartë dhe aq madhërishëm në të vërtetën e madhe, të cilën letrat shqipe e si factor i mendësisë e shpalosën duke pri si Republika e Lirisë së Shqipërisë

Jeronim De Rada nuk e ka pa Shqipërinë kurrë me sy, por e pa me sytë e zemrës së tij, me dritën e mendjes së tij, me majën e penës së tij. Shqipëria ishte frymëzimi i tij i madh, kurse liria e Shqipërisë dhe përparimi i saj me shkëlqimin si në kohën e Gjergj Kastriotit-Skëndërbeut, ishte ideali i tij i shenjtë.

Duke parafrazuar Jeronim De Radën, elita e mendjes do t'ìa kthejë Shqipërisë përsëri fronin e përparshëm, apo siç thoshte edhe vetë Princi i gjuhës shqipe - Faik Konica: t'ia kthejmë shkëlqimin që kishte në kohët e Ilirisë.

Rroftë pra, elita e mendjes!...

Sërish Lasgushi: Dollia dhe Dëshira e Tij e Madhe

Lasgush Poradeci, poeti i cili mesin e gjeografisë së Shqipërisë e kërkonte tek Drini i përmallshëm, shpesh e ngriste një dolli nga thelpinjtë e zemrës së tij, dhe me një shqipe të kulluar për të cilën thoshte se ndrinte si pika lot, e drejt së cilës kishte "përcëlluar zjarrin drithërues të ilirishtes", lutej përjetësisht: Mos e pifshim këtë gotë, mos e ngrefshim këtë dolli, po s'u bashkua Kosova me Shqipëri!

I pifshim gjithmonë dollinë Lasgush Poradecit! Kësaj radhe edhe për një ditëlindje më shumë. Gjithmonë duke respektuar dhe nderuar mendimin e tij dhe vargun e tij, me të cilin ai ka "përcëlluar drejt shqipes zjarrin drithërues të ilirishtes."

Kësaj here edhe me një buqetë mendimesh. Pra, duke kujtuar thënien e Lasgushit me modesti, le të ngrejmë dolli:

Njëqind e Një! Gëzuar Ditëlindjen: Gëzim Alpion!...

XHEMAIL PECI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
FASADA E MARTIRËVENga EUGJEN MERLIKA (10.09.2014)
MENTALITETI PERANDORAK I RUSISËNga ARSHIN XHEZO (10.09.2014)
CURRAJ I EPËRM - SEKRETI I FUNDIT I SHQIPËRISË (10.09.2014)
QYTETARËT E KANË HUMBUR BESIMIN NË KËTË KASTË POLITIKENga SKËNDER MULLIQI (10.08.2014)
BBC - DJALI NGA KOSOVA I CILI U RRIT PËR T'U SHNDËRRUAR NË NJË SULMUES VETËVRASËS (10.08.2014)
HARTA FETARE E BOTËS (10.08.2014)
TURQIA - KY ALEAT I VYERNga DRITAN HILA (10.08.2014)
TIRANA SOT, FIKS SI 80 VITE MË PARËKrahasimi mes Tiranës së viteve ’40 dhe Tiranës sot. Përveç ndërtesave shumëkatëshe asgjë nuk ka ndryshuarNga DORJANA BEZAT (10.08.2014)
LIBËR I RI PËR ATDHETARIN E SHQUAR ALI IBËR NEZAJ(Përgatitur: Ganimete Thaçi)Nga Prof. MURAT GECAJ (10.08.2014)
NOTOJ ME ATA QË FUNDOSENNga AUREL DASARETI, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au) (10.07.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]