E Premte, 04.26.2024, 03:17am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
BATONI MERR NË MBROJTJE KOMPANINË QË ËSHTË PRONARE E 'KLAN KOSOVËS'
Dossier nga AIDA NAKO

E Martë, 10.14.2014, 09:25am (GMT+1)



Batoni, mielli dhe krundet

Nga Aida Nako


Përballë janë një gazetar i njohur i Kosovës dhe ministri i Bujqësisë i Republikës së Shqipërisë. I pari reagon me një shkrim të gjatë pas një deklarate të të dytit për moslejimin e miellit me cilësi të ulët që vjen nga Kosova në Shqipëri. I dyti shkon në Prishtinë, aty i tregojnë ca fletë analizash që ja shpjegon një ekspert, ministri bindet dhe tërhiqet, duke thënë se deklarata e tij ishte keqkuptuar. Gazetari është Baton Haxhiu, një version Fevziu i Kosovës, ndërsa ministri është Edmond Panariti.

Deri këtu ngjan si një fabulë fatlume ku një gazetar kurajoz ja fut këmbët në një këpucë një zyrtari shtetëror. Por vetëm deri këtu.

Fjala është për një udhëzim të ri që ministri i Tiranës shpalli në fillim të tetorit, e që kishte të bënte thjesht me fillimin respektimit të standardeve evropiane për nivelin e proteinave në miellin dhe grurin që importohet. "Standardet evropiane janë diku te 14% dhe ne kemi kërkuar që ky standard të ngrihet nga 7%, që është niveli i proteinave në miell, në nivelin 12.5%", tha ai, duke sqaruar se pavarësisht se Shqipërinë dhe Kosovën i konsideron si një treg të përbashkët, Shqipëria ka marrë statusin vendit kandidat, kërkon të hapë negociatat dhe mielli me 7% proteina, nuk është miell, por është krunde. Panariti tha se kishte biseduar "shumë miqësisht me Autoritetin Kombëtar të Veterinarisë dhe të Ushqimit të Kosovës, dhe kemi rënë dakord që Shqipëria dhe Kosova të adoptojnë një set të përbashkët standardesh ushqimore. Duke u nisur nga fakti që kontratat ishin lidhur me importues nga Kosova, natyrisht nuk bëmë ndalesa të menjëhershme, por caktuam një afat kohor. Ky afat kohor tashmë ka skaduar". Mediat me kaq sa u tha, mbushën faqet e letrës dhe online-t me titujt "Shqipëria bllokon miellin e Kosovës". Duhet thënë se disa syresh u thelluan në arsyet e deklaratës dhe në realitetin konkret, disa të tjera jo. Por ai që vrapoi shpejt e shpejt dhe qëlloi drejt e në shenjë, ishte Baton Haxhiu, drejtori i televizionit Klan Kosova. Nuk i drejtohej dhe aq ministrit shqiptar, jo. Ishte një letër e hapur për vetë miqtë e tij "Edi dhe Iliri", përkatësisht kryeministër dhe kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, ku vihej në pah rreziku i hipokrizisë patriotike përballë shkëmbimeve problematike tregtare, ku theksohej takimi mes dy qeverive në Prizren dhe marrëveshjet që u firmosën aty, ku nënvizohej se "2 milionë shqiptarët e Kosovës ndiheshin të ofenduar" që Panariti kishte thënë se kur mielli është poshtë nivelin 7% në proteina, konsiderohet krunde dhe shërben vetëm si ushqim për bagëtinë. Batoni nuk harroi të shtojë dhe ca ingredientë patetizmi për hallet e dy anëve të kufirit në histori, dhe për faktin se "tani që jemi më në fund të lirë, po i nxjerrim probleme njëri-tjetrit" etj. Pak ditë më pas, më 8 tetor Panariti shkoi në Prishtinë, u takua me kryeshefin ekzekutiv të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Valdet Gjinovci dhe deklaroi: "Unë pashë këtu sot rezultatet e analizave të miellit dhe përqindjen e proteinave të cekur. Na u shpjegua edhe metodologjia laboratorike që është përdorur. Mielli i Kosovës është sipas standardit bazuar në analizat e prezantuara". Dhe shtoi se ishte keqinterpretuar deklarata e tij e mëhershme:. "Ne tani kemi nxjerrë një rregullore të re, ku kemi ngritur nivelin e proteinave të kërkuara në miellin që përdoret për të gatuar bukë. Edhe sipas këtij niveli, prapë mielli i prodhuar këtu i përmbush standardet për import në Shqipëri, nuk ka pasur ndalesë e as nuk do të ketë në të ardhmen". Fitore e plotë për Batonin.

Në fakt, a ishte vërtet mielli "i Kosovës" ai që do ndalohej? Në të vërtetë shifrat e doganave dhe prodhimi vendas në Kosovë, dëshmojnë se mielli vjen nga Serbia përmes kompanisë "M & Sillos". Sipas raportit të doganave të Kosovës kjo kompani ka importuar mallra nga Serbia në një vlerë doganore 3.6 milionë euro. Nga prodhimi vendas në Kosovë, "M &Sillosi" mblodhi maksimalisht 30 mijë tonë grurë nga bujqit vendorë. Nevojat e Kosovës janë 410 mijë tonë grurë. Pra asaj i është dashur që për Kosovën të marrë 400 mijë tonë grurë nga Serbia. Në korrjet shirjet 2014 u grumbulluan maksimalisht 225 mijë tonë grurë. Atëherë lind pyetja ku e gjen miellin për ta eksportuar në Shqipëri e gjetke "M&Sillosi" kur në Kosovë me shumë se gjysma e nevojave mbetet pa u plotësuar nga prodhimi vendas? Nga vjen gruri në hambarin e "M&Sillosit"? Padyshim nga importet me Serbinë e vende të tjera lindore. Por më e bukurë nuk është kjo, por fakti që pronare e këtij sillosi është njëherësh edhe pronarja e Klan Kosovës, kompania "Devolli" e vëllezërve Shkëlqim dhe Blerim Devolli nga Peja, e diversifikuar më shumë e shumë fusha, nga ndërtimtaria tek birra, nga telekomunikacioni tek import-eksportet, nga mielli tek mediat etj. Dhe që mediat e Prishtinës thonë se për nga pasuria e lënë në bisht Behgjet Pacollin, por jo vetëm për këtë: Edhe për përplasjet me ligjit dhe akuzat e shumta. Sipas të cilave, Devollët kanë financuar shumë parti politike në Kosovë, nga Thaçi tek Haradinaj etj, dhe një iniciativë e Vetëvendosjes për të kryer një hetim privatizimi nuk u mbështet.

Që Batoni i bëri hyzmetin pronarit të tij multimilioner (a më shumë) kjo u bë e qartë që sa u mor vesh që kishte shkruar për miellin dhe krundet; ajo që nuk dimë është nëse Tirana zyrtare çedoi për shkak të pushtetit të Devollëve apo për meritë të aksesit të lakmueshëm të Baton Haxhiut. Pa dyshim se në këtë histori hyjnë konkurrencat e bizneseve të fushës, dhe si nga kjo anë, edhe matanë kufirit janë bërë e bëhej njëmijë pisllëqe. Por gjithsesi, "2 milionë shqiptarët e Kosovës" nuk ka pse të ndihen të ofenduar; askush nuk ka refuzuar grurin e tyre që nuk plotëson as dy muaj nevojat e brendshme, e jo më të eksportohet në Shqipëri. Me siguri që Panaritit i kanë treguar pikërisht analiza të këtij lloj mielli, dhe jo të Serbisë, a Ukrainës a gjetiu, që mbushin sillosët e "Devollit". Por mbi të gjitha, ajo që duket se ka mësuar ministri, është se pavarësisht miell apo krunde, buka që zënë duart e arta të gazetarëve si Batoni e kolegët e tij, është aq e mbushur me proteinat e anti-gazetarisë, sa nuk ka standard të BE-së që t'i bëjë ballë.
***

 

Pas reagimit të parë të Erjon Braçes

Baton Haxhiu: Të lexosh si i palexuar

Nuk dua të flas për portalet dhe FB, se një herë kam shkruar për to. Kam thënë se zakonisht ato mirëmbahen nga vullnetarë të papunë, depresivë dhe gazetarë të lënë anash, të cilët si duket ia kanë bërë parim vetes të jenë kujdestarët e komenteve dhe fushatave online....

Të kthehem te tema: Para disa viteve, saktësisht tri vite, kisha shkruar ngjashëm, për bllokadën nga ana e Maqedonisë. Për bllokadën për çimenton dhe për patatet. Dhe, qëndrimi ishte përkrahës ndaj Mimoza Kusarit. Edhe tash, kisha bërë përpjekje që mos të ndodhte diçka e tillë. Nuk dëshiroja që t'i shihja kamionët në kufirin Shqipëri Kosovë, si dikur, për dy javë një bllokadë me Maqedoninë. Do të ishte katastrofike për të dyja vendet dhe për ne si popull.

Prandaj e bëra shkrimim drejtuar Edit dhe Ilirit. Që mos të ndodhte Bllokada. Më vjen shumë rëndë kur dikush se kupton esencën e shkronjave. Ka të bëj me një letër drejtuar miqve të mi. Dhe nuk kishte të bënte me miellin fare. Kishte të bënte me një kulture bllokade pa koncept që i bëhej Kosovës. Një kulture përçmuese që ishte instaluar në logjikën e pushtetit. Por, Erioni pak kishte kuptuar nga shkronjat. Vetëm fjala miell dhe oligark i kishte mbetur në shijen e mendimit. E kuptoi Erionin, sepse kishte për vite një gjuhë që përdorte në Parlament.

Nga ana tjetër, nëse një portal shqip e riprodhon një tekst pa shije, ad hominem, përshtatshëm me mendësinë e sajuesit të portalit, nisin pastaj komentet; promovuese, asgjësuese, konfirmuese apo ad hominem ekzekutuese. Kështu ishte edhe gjuha e Erion Braçes. Me disa fjali, pa shije, drejtuar meje..

Kush ka shëtitur këto ditë nëpër deklarata, e ka vërejtur se kjo larvë infektuese dhe jo humane në shqipe është ndryshe. Më primitive. Më kallëzuese. Nuk ka më keq se kur mësohesh që mendimi të jetë i lexuar dhe i thënë në diktat. Në këtë mënyrë, duhet pranuar se Erioni ka qenë kontribuues i guximshëm për të ndaluar të këqen në Shqipëri. Dhe, ia pranoj që një pjesë e guximit të tij ka kontribuar që në Shqiperi të ndërrohet pushteti.

Është një hegjemoni e supozuar por, njëkohësisht, është edhe "ngjarje e pashembullt": ajo e shndërron mendimin e leximit në një situatë të guximit të papërgjegjshëm. Kur fjalitë s'kanë kuptim dhe mendimi dhe të lexuarit janë keqkuptim. Të dyja i kishte Erioni në postimin e tij.

Mbase askund në botën demokratike për një çështje problematike nuk ekziston një mendim i vetëm, i koncentruar brenda. Por së paku kur reagon, bëj përpjekje që të jesh i kamufluar dhe me më shumë shije. Sepse leximin në Parlament duke bërë opozite për vite, e bën të hutuar, e bën statik dhe të pavlerë.

Edhe sikur të jetë situatë aksiomatike ajo qe kisha shkruar, jam i hapur se duhet të gjehet forcë, të kërkohet kundërshti apo fakte tjera, pastaj të marrë qëndrim publik. Ky mentalitet zemërmadhësie për deklarata, duhet të ishte mbështjellë me një fije të lehtë mosbesimi dhe kulture deklarimi. Por, jo. Përcaktimi i fjalive ishte pa pikë turpi.

Është hera e njëqind që përmbajtja e reagimeve s'ka argumente te ciniket e kafeve në Prishtinë që marrin zarfe pagesash për të hutuar gjithçka dhe për te ikur nga e vërteta, dhe te Erioni që është deputet dhe duhet të jetë në nivelin e njeriut të politikës. Kështu, duke argumentuar dhe mbrojtur, pa dinjitet, një situatë nga veprimi i humbësit, bënë veprim me shkronja për të mbrojtur diçka dhe asgjë njëkohësisht. Nuk bëhet fjalë vetëm për poshtërimin reagues që bëjnë dy në Prishtinë dhe një në Tiranë anëtarët e bashkuar të kotësisë, por bëhet fjalë edhe për poshtërimin që ata i bëjnë situatës, shkrimit dhe shkronjave.

Të vegjël dhe të pa artikuluar m'u dukën edhe ata që kishin shkruar një reagim-deklaratë, krejtësisht të paqartë. Kjo barazi e prezantuar në një deklaratë për, kinse, mbrojtjen e asgjësë, i bën nënshkruesit e saj të shndërrohen në qullë. Dhe këta nënshkrues, si qullë, duket se gjejnë ngrohtësi dhe siguri brenda vetes. Frika e tyre prej shpërbërjes së mundshme nëse shkruajnë si individë me argumente, i bën ata që të nënshkruajnë dhe të ndjekin një synim çfarëdo. Pa krye.

Prandaj, këta individë nënshkruesish mund të qëndrojnë dhe ekzistojnë si e tillë për aq kohë sa ka një synim ende të paarritur. Këta nënshkrues shtiren me një barazi të përkohshme dhe kënaqen në lëkurën e përkohshme të shtirjes. Kur s'kanë fuqi individuale të polemikës dhe debatit, grumbullohen pas deklaratave që nuk dallojnë nga komunikatat e pijanecëve.

Pa argumentuar detajisht në analizë, mendoj Erioni dhe kolegët e tij në Kosovë, pavarësisht nga ndikimi momental që mund ta kenë, nuk po gjejnë veten, dhe as dëshirën e kosovarëve për analiza të ekuilibruara në një shoqëri demokratike.

 

***

Erion Braçe i përgjigjet Batonit: Je pjesë e medias gjobvënëse

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe ka reaguar pas një teksti të Haxhiut të botuar në media të ndryshme ku ky i fundit i fyen rëndë jo vetëm Braçen por edhe gazetarë nga Kosova

 

Baton!

Të korruptosh është e ndyrë, shumë e ndyrë; rrënon një komunitet, një qytet, një shoqëri, një vend, një komb! Për këtë do më vinte turp t'i përdorja gërmat e gjuhës shqipe! Eshtë rasti më i ndyrë ku mund të perdorësh gërmat e shqipes që mund të të ndodhë.

Ti nuk e ke rast, ti e ke zanat këtë.

Je pjesë e një grupi të tërë që ka kthyer median në makinën më të madhe që korrupton në Kosovë e në Shqipëri. I vë gjoba politikës e arkëton paratë nga biznesi që përfiton nga politika që i nënshtrohet gjobvënies. Vetëm këtë dini të bëni!! Gazetari jo!

Nëse e juaja quhet gazetari, atëherë të tjerë njerëz që kanë sakrifikuar çdo gjë për të thënë të vërtetën, veçanërisht kundër trafikut të influencës, konfliktit të interesit, korrupsionit në nivelin më të lartë vendimmarrës, në Kosovë apo në Shqipëri, janë pasqyra ku ju dukeni rraca më e poshtër që egziston diku. Sa për thellësi mendimi e dije, njohuri edhe për çështjen ku ti ishe angazhuar në formën moderne të lobimit klientelist, mos u mundo më; ka njerëz në këto anë që e dinë shumë mirë se ç'di ti e ç'di unë! Lëre se i bën të qeshin.

Megjithatë, kemi kohë të flasim për këtë dhe po ta them, kam që në dhjetor të 2013 që dëgjoj, lexoj, mësoj, provoj lidhur me të. Dhe duhet ta dish, unë nuk e përdor miellin dhe as blihem e shitem me miell e për miell. E tregon qartë të menduarit e vepruarit këtë. Pikërisht për këtë, nuk jam bërë hiç pishman për ç'kam shkruar, jo në profilin tim (të kërkoj ndjesë që s'e kam bërë në Frangaj all inclusiv-Klan, Abc, Shkumësi, Lapsi, Penda, Kallamarja, Ushtria, Reklama, banka etj), por në statusin e një djali të cilin e respektoj shumë për çka shkruan herë pas here. Ja që zakonisht je dhe tërësisht i painformuar.

Kaq për sot!!

Për miellin që shitet e konsumohet, flasim nga Kuvendi së shpejti, pa mbajtur anën e kujt në këtë biznes, por duke mbrojtur interesin publik, interesin e ushqimit të shëndetshëm të fëmijëve në këtë vend.

 

 

***

Fijet e "Devollinjve"

Kompania "Devolli" u themelua në vitin 1989 nga i ndjeri Ibrahim Devolli si "Devolli Commerce", dhe sot i biri Shkëlqim Devolli drejton "Devolli Corporation" me një spektër të gjerë aktivitetesh. Në faqen zyrtare thuhet se gjithsej ka rreth 500 punonjës, ndërsa bizneset shtrihen nga prodhimi i birrës në Pejë, në prodhimin e qumështit, dyshekëve, kafes, në telekomunikacionet (me Z Mobile) e deri tek marrja me koncesion i shërbimit të kolaudimit të të automjeteve për shumë vite. Është protagoniste në një sërë privatizimesh e blerjesh të fuqishme të kryera në Kosovë, nga fabrika e amortizatorëve dhe Klan Kosova, tek sipërfaqe të mëdha toke. Sipas mediave kosovare, thuhet se tashmë korporata mund të blejë edhe kompaninë e shpërndarjes së energjisë, ndryshe "ish CEZ-in" e Kosovës me inicialet KEDS.

AIDA NAKO


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
HELIDON HALITIKONSTANDI DHE DORUTINAMuzeu 'Mezuraj' (10.13.2014)
TIFOZËT SHQIPTARË ME QELESHE NË BEOGRAD 48 VJET MË PARË NË NDESHJEN JUGOSLLAVI-SHQIPËRI (10.13.2014)
MOSKA I TUND BULLGARISË TAPITË E SKADUARA SOVJETIKENga PETRIT HALITI (10.13.2014)
DEMIRE XHYDOLLARI-DUROLLARI, NËNËMADHJA QË JETOI KOMBËTARISHT PËR TË GJITHË SHQIPTARËTNga DUKAGJIN HATA (10.13.2014)
POPULLI SLLOVEN FESTON 2000 VJETORIN E QYTETIT EMONA TË THEMELUAR NGA ILIRËT NË LUBJANËN E SOTME!Nga ASLLAN DIBRANI (10.13.2014)
AGIM HUSHI - MË PËRJASHTUAN NGA OPERA SE ISHA RIVALI I SALI BERISHËSIntervistoi: FATMIRA NIKOLLI (10.12.2014)
ALIDA HISKU - PLAGËT E PASHËRUARA TË NJË ARTISTEJE TË MADHEIntervistoi: ALBINA GJERGJI (10.12.2014)
SHQIPËRIA, DUAJE OSE LËRE!Nga GIDEON LEVY, Haaretz, Izrael (10.12.2014)
BAZE - NJË SMS E 21 JANARIT ME RAMËN, ÇIFTI 2F DHE LUBONJAVangjeli: Një emër enigmatik tek përgjimet (10.12.2014)
LIQENI I OHRIT MË I VJETRI NË EUROPË, 1 MILION VJEÇ I ËSHTË LLOGARITUR MOSHA (10.11.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]