E Hënë, 04.29.2024, 04:17am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
TERRORI KOMUNIST - EKZEKUTIMET KRYHESHIN ME MIRATIMIN E ENVER HOXHËS
Studiuesi Enver Kushi flet për pushkatimin e 9 intelektualëve në mars 1945

E Premte, 01.23.2015, 04:38pm (GMT+1)



TIRANE : 26 Janar 2012 - Një letër e shkurtër, konçize e me përmbajtje makabre njëkohësisht, me shkrimin e Enver Hoxhës dhe nënshkrimin e tij në fund të saj, dëshmon se si ka miratuar diktatori në 12 mars të 1945 pushkatimin e 9 intelektualëve. Hoxha rendit emrat e të nëntëve dhe në fund kërkon ta njoftojnë për datën e ekzekutimit të tyre. Ky është një dokument i rrallë nga të paktat dëshmi arkivore e të dokumentuara që vërtetojnë urdhrat e drejtpërdrejta të diktatorit për ekzekutime masive dhe në rrugë zyrtare.

Dokumenti që botohet për herë të parë nga "Shqiptarja.com" është marrë në Muzeun Historik kombëtar mes dhjetëra dokumentesh, fotografish e dëshmish që do të ekspozohen për herë të parë me hapjen e Pavijonit të Terrorit Komunist, vetëm pas pak ditësh. Punonjësit e muzeut I gjemë në punë e sipër, ndërsa shkëpusim për pak çaste studiuesin Enver Kushi i cili na tregon hap pas hapi gjithë dëshmitë surprizë të këtij pavijoni.

Më në fund po ngrihet në këmbë ky pavion i shumëpërfolur, me një koncept krejt të ri dhe materiale ekskluzive...apo jo?

Është e vërtetë, në këtë ambient ku ne po punojmë sot, ka qenë një pavijon i ndërtuar që në vitin 1996. Para dy vitesh, ky pavijon u mendua që të zhvendosej në katin e tretë. Me ardhjen në krye të Muzeut Historik të prof. dr. Luan Malltezit, u shpejtuan procedurat për ta rindërtuar sa më shpejt këtë pavijon. Kjo për shumë arsye: e para, ai e kuptoi që ky pavijon ishte shumë i kërkuar nga vizitori vendas dhe nga ai i huaj. Të huajt janë shumë të interesuar për periudhën mes viteve 1945-1990. Ngjarjet, fenomenet, gjendja e vendit, drama, terrori, krimet, vrasjet, etj. Ai krijoi një grup pune me muzeologë, pjesë e të cilit ishte edhe vetë Malltezi. Pjesë e grupit ishte edhe drejtori i Arkivit të Ministrisë së Brendshme Kastriot Dervishi, të cilin e falënderojmë së tepërmi, sepse ishte një burim shumë i rëndësishëm për dokumente dhe fotografi. Gjithashtu, dua të falënderoj edhe z. Agim Musta, nga ish të përndjekurit politikë, autor i disa librave shumë serioze. Krijuam dosjet përkatëse, pra u bë konceptimi i përgjithshëm dhe u mendua të fillojë me vitin 1945, kohë kur u formuan organet e diktaturës komuniste.

Një nga këto ishte ministria e brendshme, nga arkivat e së cilës kanë dalë shumë nga këto dokumente. Mund të na tregoni si janë renditur dhe cilat paraqesin më shumë interes?
Siç dihet, diktatura komuniste për rreth 50 vjet, e ka pasur Ministrinë e Brendshme armën e vet vrastare. Në një nga këto stenda që po shohim, ku duken rrënjët e asaj që më vonë u quajt Ministria e Brendshme, këtu ka dokumente që dalin për herë të parë në publik: si filloi veprimtarinë kjo ministri, me informacionet e kohës, me krimet e vrasjet dhe me gjyqet e famshme. Këtu kemi një dokument që publikohet sot për herë të parë. Ky dokument i marrë nga Ministria e Brendshme bën fjalë se si organet e diktaturës ndiqnin këmba-këmbës personalitete të mëdha të vendit si dhe të huaj. Konkretisht edhe Harri Fullzin, e ndiqnin ku shkonte, kur dilte nga zyra e tij, ku pinte kafen, me kë takohej. Këtu kemi një komunikatë të "Drejtorisë së mbrojtjes së popullit" e vitit 1946, ku jepen të dhënat mbi internimet, burgosjet gjatë viteve 1945 dhe 1946.

Është folur shpesh për rezistencën antikomuniste si dhe për opozitën shqiptare. Por, pak e dinë që në Shqipëri që më 1945, me vendosjen e sistemit komunist, pati një reaksion, u kundërshtua ky vendim. Kundërshtimi më i madh mbërriti nga veriu i vendit, i cili rezulton të jetë edhe më i godituri. Këtë e them me bindje, i bazuar mbi dokumentacion. Në këtë stendë kemi të vendosur portretin e Prenk Calit. Ai ishte një nga ata patriotë që kishte një të kaluar mëmëdhetare. Ishte një nga mbrojtësit e Vermoshit dhe falë tij Vermoshi sot është në hartën e Shqipërisë. Më pas, këtu kemi të paraqitur një nga kryengritjet që mund të quhet si një nga më të mëdhatë e kohës, kryengritja e Postribës...

Po ky dokumenti këtu për çfarë flet? Është me shkrimin e Enver Hoxhës, apo jo?
Po, ky është një dokument shumë i rëndësishëm, të cilin jemi përpjekur ta zmadhojmë. Është me firmën e Enver Hoxhës. Përkon me çlirimin e Tirana më 17 nëntor 1944, kur forcat partizane hyjnë në kryeqytet. Është një telegram urgjent, ku Enver Hoxha i drejtohet Dali Ndreut: "Të organizohen burgjet dhe fushat e përqendrimit, të burgosen të gjithë ata elementë të akuzuar me faje të mëdha, me tradhti të madhe dhe bashkëpunim të rreptë me okupatorin". Ky dokument publikohet për herë të parë.

Vend të rëndësishëm se zënë edhe proceset e para gjyqësore...Këto janë foto nga gjyqet...

Po janë tre procese të mëdha gjyqësore: më 1 mars 1945 në Kinema "Kosova", i quajtur "Gjyqi special", i dyti më 1-12 shkurt 1946, gjyq i cili dënoi me vdekje ish-regjentin Patër Anton Harapin, Lef Nosin dhe Maliq Bushatin dhe gjyqi tjetër është më 17 qershor 1946 ndaj anëtarëve të grupimit "Bashkimi shqiptar".

Është material interesant dhe nuk ka qenë i trajtuar në pavijonin e parë. Në këtë atmosferë është edhe ky dokument që tregon se në vitin 1946 Kuvendi popullor i kohës ka miratuar ligjin "Mbi formimin e partive politike, shoqatave kulturore profesionale" dhe "Mbi mbledhjet politike". Pikërisht, pas daljes së këtij ligji u formuan disa organizata. Por, menjëherë ato parti politike të formuara dhe organizatat u goditën rëndë nga sistemi komunist. Po përmend grupin socialdemokrat. Në krye të këtij grupimi ishte një nga gratë më të kulturuara të kohës. Shkrimtare, eseiste, kritike arti, e cila u kap dhe u arrestua bashkë me shokët e vet u dënua me burg. Më pas u internua deri në veri të vendit. Kjo ishte Musine Kokalari, bashkë me Suat Asllanin, Musa Dizdarin, etj. Këtu ëshët paraqitur edhe vendimi për ta. Pak më tutje kemi "Procesi gjyqësor ndaj organizatës Bashkimi shqiptar" më 1946. Një organizatë tjetër ishte "Bashkimi demokrat", formuar më 6 nëntor 1946, me drejtues Sami Qeribashin, Shaban Ballën, Profi Çokon dhe Tut Manikun. Ata u dënuan në mënyrat më ekstreme. Pra, në Shqipëri ka pasur një opozitë jo të paktë, një opozitë që vazhdoi gjatë 50 viteve.

Ju thoni opozitë. A kemi këtu ndonjë dokument ku ata e shfaqin hapur mospajtimin tyre me rrugën ku e futi Shqipërinë Enver Hoxha?

Do ju tregoj një dokument shumë të rëndësishëm, i cili publikohet për herë të parë. Është një zë nga më të fuqishmit, një letër drejtuar Enver Hoxhës nga Edip Tërshana. Letra mban datën 22 nëntor 1947 dhe publikohet për herë të parë. Po ta lexosh me kujdes, konkludon se është ndoshta nga letrat më të forta, më kurajoze që një personalitet kundërshton regjimin komunist. Ai shkruan: "Enver, ideali kombëtar më ka ba që jam kundra lëvizjes nacional-çlirimtare. Unë isha në Dibër krijuesi i saj. Lëvizja nacional-çlirimtare është një tradhti ndaj atdheut, jo vetëm që hoqi dorë nga Kosova e Dibra, por sot nga Pushteti Popullor, Shqipëria është nën robërinë e Belgradit, politikisht dhe ekonomikisht. Sot, organizatorët sllavë janë ata që drejtojnë punët shtetnore dhe para shtetnore. Kjo është tradhti. Sot politika e jashtme e juej sllave ka shkaktuar që të gjithë të jenë kundër nesh. Humbëm shumë miq. Kjo është tradhti." Në një stendë tjetër, kemi vendosur një moment nga të shkrimet e Tërshanës, ku ai thotë që: "Jam kundër thënieve që jemi bijtë e Stalinit, sepse e ulin shumë poshtë rininë, aq poshtë sa që ku e përmend Stalinin të gjithë ngrihen në këmbë".

Folëm për gjyqet dhe të dënuarit? Po persekutorët, ku janë?

A ka rast më të pastër se Nevzat Haznedari? Ja tek është prokurori Haznedari, një nga ekzekutorët më të përgjakshëm, që ka vrarë dhjetëra e qindra vetë. I shkrirë mbi foton e tij është edhe akti për pushkatimin e një pjese të anëtarëve të organizatës "Bashkimi demokrat", me nënshkrimin e Haznedarit. Dokumenti tregon se cilat kanë qenë fjalët e fundit të të pushkatuarve. Për shembull, Sami Qeribashi ka thënë: "Më në fund, t'u plotësua dëshira, o prokuror! Edhe ti një ditë do ta paguash si unë!"...

Një pjesë e mirë e këtyre të dënuarve u kalbën burgjeve të komunizmit... Si është ilustruar jeta e qelive? Kemi dokumente?

Ka mjaft dokumente dhe dëshmi, por do të më pëlqente të veçoja këtë grafikë e cila po ashtu publikohet për herë të parë. Është marrë nga Arkivi i Ministrisë së Brendshme. Autori i saj është Aristidh Qendro, i burgosur. Vini re elementet. Jep një pamje, i torturuar, gjysmë i vdekur. Më tutje është profili i tij, autoportret. Duket edhe një dritare. Prej saj shihet një dallëndyshe, një metaforë e goditur, pasi dallëndyshja sjell lajme, gëzimin e jetës, më pas duket një zog, i cili fluturon i lirë, ndryshe nga vendi ku gjendet i burgosuri. Ka elementë nga gjelbërimi: është një pemë dhe ca lule. Nga dritarja e qelisë vjen shumë dritë, e cila të mbush me shpresë për jetën, të tregon se jeta ekziston dhe duhen forca për të përballuar atë gjendje të mjerueshme. Jeta vazhdon. Kjo grafikë është bërë në burg. Ka shënimin "Tiranë burg 24.4.1945".

Pse u dënuan dhe u vranë kaq shumë intelektualë?
Sepse ata ishin të parët që nuk u pajtuan me rrugën ku po hynte Shqipëria. Këtu kemi një trakt, i lëshuar nga "Organizata e veprimit Shqipnija". Përmbajtja e tij është shumë interesante, sepse i drejtohet djalërisë shqiptare, e cila është mashtruar dhe gënjyer. Trakti paralajmëron për katastrofën që do i vijë Shqipërisë dhe djalërisë shqiptare.
Ajo që ka ndodhur në Shqipëri, mbase nuk ka ngjarë në asnjë vend tjetër të botës. Janë vrarë qindra intelektualë, kapacitete të kulturës shqiptare, njerëz të shkolluar në kryeqytetet më të mëdha të Evropës, Paris, Vjenë, Berlin, Romë, Athinë. Ishin njerëzit më të kulturuar të kohës. Në këtë stendë paraqiten ish-ministra, ish-oficerë të lartë, juristë, krijues, të gjithë këta të pushkatuar. Në këto stenda kemi paraqitur intelektualë të burgosur, ku mes të tjerëve shoh mikun tim, ish-profesorin Ramadan Sokoli, i cili bëri jo pak vite burg. Po kështu edhe dy vëllezër të tij, edhe motra e tij. Flas për prof. Sokolin, sepse kur ishte gjallë më ka treguar një fakt shumë të hidhur e të dhimbshëm për një nga miqtë e tij, të quajtur Qemal Draçini, i cili mbaroi studimet në Itali, një nga eseistët më të mëdhej do të thosha unë, poet, kritik, pedagog. Si duket, prof. Sokoli ka qenë ngjitur me qelinë e tij, në kohën kur ka vdekur Qemal Draçini në moshën 28 vjeçare. Prof. Ramadan Sokoli më ka treguar që dëgjonte britmat e tij të dëshpëruara nga dhimbjet e rrahjeve dhe torturave të vazhdueshme që i bënin. Këtu kemi të paraqitur dom Ndoc Nikajn, i burgosur, një nga romancierët e parë shqiptarë, Et'hem Haxhiademin, një nga tragjedianët shqiptarë, nga të vetmit që lëvroi këtë gjini në letrat shqipe, ish kryetar i bashkisë së Elbasanit, etj.

Dhe në fund flasim pak edhe për vrasjet në kufi, një nga kapitujt më të dhimbshëm të kësaj kohe...
Po, në pavijonin që po ndërtojmë tani, kjo çështje zë një vend më të plotë dhe trajtohet më mirë. Në fillim të viteve `90 doli një ligj i Kuvendit Popullor, ku kalimi i atdheut nuk quhej më tradhti ndaj atdheut. Ata që tentonin mund të dënoheshin vetëm me burgim, por jo me vrasje. Pas vendosjes së këtij ligji, dhjetëra të rinj vërshuan drejt kufirit. Edhe nëse i kapnin, të paktën menduan se nuk do të vriteshin, gjithnjë sipas ligjit të miratuar. Por, përkundrazi. U vranë dhjetëra të rinj nga 18, 20, 25 dhe 30-vjeçarë. Këtu kemi të paraqitura dokumente të kohës, të cilat publikohen për herë të parë. Ato janë në formë kronikash, si p.sh. "Datë 14. 6. 1990 Në postën kufitare të hanit të Hotit, nga kontrolli i kryer në pengesën e klonit, u konstatua një grup me një granatë dore luftarake. U njoftua posta kufitare. Qëlloi në ajër për të ndaluar, por nuk ndaluan. Atëherë qëlloi dhe vrau Pëllumb Pëllumbin nga Shkodra....", etj. Këtu kemi të ekspozuara foto tepër të rënda, makabre. Kemi një fotografi të një djaloshi nga Korça, Sokol Lika, i vrarë në moshën 18 vjeçare. Nga fotot duket që plumbin e ka marrë prapa kokës dhe është i mbuluar me gjak, i vrarë në maj 1990.

Janë dëshmi që besoj do të plotësojnë më së mirë hartën e makabriteteve që kane ndodhur në 50 vite diktaturë dhe vizitorët e këtij pavijoni do të gjejnë tashmë një panoramë të pasur të kësaj të vërtete të dhimbshme.

ADMIRINA PECI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
HORRORI I AUSHVICIT - PARË ME SYTË E NJË SHQIPTARIReportazh nga Aushvic, Birkenau (Poloni) KRISTI PINDERI (01.23.2015)
VOGËLUSHJA NGA KOSOVA PO MAHNIT FRANCËN (01.23.2015)
ISH PRESIDENTI TOPI FLET PËR 21 JANARIN - NUK BËHET DREJTËSIA, SEPSE RAMA ËSHTË SHUMË I DOBËT NDAJ BERISHËS (01.23.2015)
NË TIRANË DO TË LARTOHET SHTATORJA E PRESIDENTIT IBRAHIM RUGOVAShtatorja është vepër e skulptorit Idriz Balani, autor i gjashtë shtatoreve në Kosovë (01.23.2015)
FOTOTEKA 'MARUBI' - ARKIVI UNIKAL I HISTORISË SHQIPTARE (01.23.2015)
KOSOVA E OREKSEVE SERBE!Nga FLORIM ZEQA (01.23.2015)
A PO E NDIEN VETEN TË REHATUAR ISA MUSTAFA - APO KA FILLUAR TA PËRVËLOJË KARRIKJA PËRFUNDI?...Nga SKËNDER MULLIQI (01.23.2015)
JO ZHDUKJES SË SHQIPËRISËNga AUREL DASARETI, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au) (01.22.2015)
JANARËT HISTORIKISHT ISHIN MUAJ TË KOBSHËM PËR SHQIPTARËTNga Dr. NASER RUGOVA (01.22.2015)
TREPÇA ËSHTË E KOSOVËSNga HARRY BAJRAKTARI (01.22.2015)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]