VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - SE TË VAJTI JETA BRENGË E LOTLirika nga JORGO BLLACI (1938-2001)

                                                                                      

E Premte, 05.10.2024, 09:02am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 

SE TË VAJTI JETA BRENGË E LOT

Lirika nga JORGO BLLACI (1938-2001)


E Premte, 09.30.2011, 08:54am (GMT+1)


Ti më the

 

Ti më the se ndihesh mjaft e vrarë,

Se të vajti jeta brengë e lot.

Po ndriçimn' e syve aq mitarë

Dëshpërimi s'ta ka errur dot.

 

Unë shoh një foshnjez brenda tyre,

Ëndrra të kaltra tek thur...

Kot i ndrydh në gonxhe ti dëshirat!

Ku ka gonxhe, që nuk çel dikur!?

 

Deri vonë vjeshtës, trëndafili

Çel e na verbon me bukuri.

Kohë lulesh s'është vetëm prilli,

Zemra në çdo stinë ndjen rini!




 

Nën heshtjen e trishtuar

 

Nën heshtjen e trishtuar të qytezës,

Ku fle përjetësia nën selvi,

Një vajzë e vogël qante me dënesë,

Te kryet e një varri të ri.

 

Dhe çanta e shkollës, hedhur sipër barit,

Sikur po shkrihej tok me të në vaj.

Me ç'munda të kuptoja, mes të qarit,

Kjo vajzë kish aty babanë e saj.

 

Aq fort m'u dhimbs, sa krejt u turbullova

Dhe si ta qetësoj, nuk m'u dha,

Po shtangur mbeta e gati sa s'mallkova,

Te kryqi i drunjtë syri kur më pa,

 

Një emër të urryer... "Mos, -më thirri

Një zë i beftë: -Ky njeri këtu,

Të paktën, paska qenë at i mirë,

Përderisa e bija e qan kështu".

 

Ahere, prej buqetëzës ndër duar,

Një trëndafil vendosa aty... Dhe s'di

Se ç'gjyq i bëra vehtes, duke shkuar

Tek varret e të dashurve të mi.



 

Pse po dridhesh

 

Pse po dridhesh, e dashur? S'je n'ëndërr

Po në krahët e mi përsëri!

Si ke mbetur kështu, kaq e ëmbël,

Kaq e dhembshur, si dje në rini?

 

Foshnje e gjorë, përse të dha fati

Një të dashur, si unë, pa mend,

Që veç ngeci në gracka mëkati

Dhe u thinj e s'u gdhend që s'u gdhend?

 

Ah, jam unë i përhumbur si n'ëndërr

Këtë çast e po dridhem nga ti...

Si ke mbetur kështu kaq e ëmbël,

Si ke mbetur kështu kaq fëmi?

 


Na zuri bora...


 

Na zuri bora, pa na rënë fletët,

U zbardhëm para kohe, mik im!

E ç'i gëzuam, ç'i kuptuam jetës?

Na shkoi e tëra hap edhe zhgënjim.

 

Pandehëm se diçka do kthenim mbarë

Në këtë botë plot me prapësi,

Po njerëzit na quajtën të marrë,

Rropatjet tona i morën çmenduri.

 

Na tallën e na zunë pas me gurë,

Se vumë dashurinë mbi gjithçka.

Të drejtë mbase kishin, sepse kurrë

Për veten nuk menduam, po për ta!

 

Ç'mallkim i rëndë, nga s'e dimë as vetë,

Na paska ndjekur prapa si ndëshkim?

Na mbuloi bora pa na rënë fletët...

Si do ta shkojmë dimrin, miku im?



 

Ngjaj me bredhat

 

Unë ngjaj me bredhat nëpër male,

Që të blertë mbesin në çdo stinë,

Që nuk ka ç'u bën acar i egër

Me dëborë e shi e suferinë.

 

Ajri i pastër, trualli i fortë,

Vallë u jep atyre kaq rini?

Ku ta dish, natyra ka dhe ligje,

Që prej nesh i fsheh me xhelozi.

 

Unë ngjaj me bredhat, por në dimër,

Tek mbi supe borën pres i heshtur,

Mendja më rri larg te një qershizë,

Që acari i ngrirë e gjen të zhveshur.



 

Nën këto akacie

 

Ah, nën këto akacie të thara krejt pothua,

Ka vite e s'më kujtohet si ndodhi që, papritur,

Ajo pa vetëm qiell e degë përmbi mua

Dhe unë, nën flokët e saj të shpupuritur...

 

Mbaj mend që u ngrit një thirrje e s'di ku humbi,

Pastaj dy zogj, që ranë diku nga një fole,

Edhe një erë mali, që erdh e befas shkundi,

Dëborën e petaleve mbi ne...

 


Më tha një ditë


 

Më tha një ditë një studente e huaj,

Një flokëverdhë e imtë dhe nazike:

"-E bukur është poezia juaj,

Po pak e egër, se ka shumë epikë..."


 

Dhe zgjati dorën anash të këpuste,

Një gonxhez trëndafili në lulishte,

Por "au!"-thirri dhe kafshoi buzën,

Sepse, për dreq, një gjëmb i çpoi gishtin.

 

"-Pse qesh?-m'u kthye, -"Nuk e sheh ç'më gjeti?"

"-Po ç'faj kam unë, - i thashë, - e dashur mike,

Që trëndafili, siç e pe dhe vetë,

E ka dhe ai një farë epike!"



 

Këtej armik...


 

Këndej armik, andej dhe më zi;

Edhe në gjoks, edhe në shpinë plumba.

Kurse, me klithma nëpër qiellin gri,

Përplasin flatrat tufat me pëllumba,

 

Pa ditur nga t'ia mbajnë...

Eh, o njerëz,

Ç'e paskeni këtë mllef për njëri-tjetrin!

Një çast duroni, veç një grimëz herë,

 

Përmbajeni këtë orgji të egër.

Të paktën, gjersa në të tjera vise,

Të çajnë e t'ikin, ndoshta përgjithmonë,

Këta të mjerë zogj të dashurisë,

Që i tromaksi çmenduria jonë!

 


Eja kënga ime...


 

Eja kënga ime, s'kemi ç'rrimë

Mes kësaj rrëmuje pa kuptim,

Vrasësi ku hiqet për viktimë

Dhe viktimës i kërkon shpagim.

 

Ku të përdhunuarat gjykohen,

Me të rrugës ligj, nga prostitutat,

Ku të marrë e t'urtë përgojohen

Dhe servilët, porsi minj nga skutat,

 

Dalin rrahin gjokset dhe mburren,

Se luftuan vrimash si heronjtë,

Kuajve të ngordhur tek u turren,

Për t'u hequr me tërbim patkonjtë.

 

Ku gjithkush klith e shfryn paprerë,

Me një duf që, mëshirona, o Zot!

Eja këngë e dashur! Kaq poterë,

Unë e ti nuk e durojmë dot,

 

Se jo pakëz jeta na ka vrarë...

Ndaj, le t'ikim, ku s'na sheh njeri:

Ndoshta larg, në pyjet magjistarë,

Do të gjejmë prehje, qetësi!

--

Në vendin e tij, liriku i madh u rrethua me heshtje dhe përsektim

Jorgo Bllaci, poeti që i dha shpirt lirikës shqipe

"Jorgo Bllaci, si çdo poet i vërtetë, do të vinte në letrat poetike shqipe, me një mision: të tentonte të ndryshonte ritmin e saj të çakorduar nga destinimi i pamundur, me të cilin e kishin ngarkuar apostujt e rremë, me anë të metodës atrofizuese të socrealizmit. Këtë mision nuk ia kishte ngarkuar ndonjë ent suprem apo ndonjë shenjë a vizion profetik, ardhur nga e panjohura, por vetë ndërgjegjeja e tij krijuese, talenti dhe vetëdija e tij që shkonin përtej një kohe jo poetike, siç ishte ajo kur jetoi dhe krijoi shumicën e jetës së tij ky apostull i së bukurës. "

Dukagjin Hata

Me të drejtë, ardhja e një poeti të vërtetë në letrat poetike të një kombi mund të konsiderohet si ardhja e një profeti. Pasi me fatin e tij dhe të poezisë që ai përcjell ndër breza janë të mpleksura fort rrënjët e fatit kolektiv të një kombi, dramat etnike dhe kthesat epokale, sidomos në kohëra udhëkryqesh të trishta, si ajo që kaluam ne të gjithë, në pesëdhjetë vitet e shekullit të delirit.

Jorgo Bllaci, si çdo poet i vërtetë, do të vinte në letrat poetike shqipe, me një mision: të tentonte të ndryshonte ritmin e saj të çakorduar nga destinimi i pamundur, me të cilin e kishin ngarkuar apostujt e rremë, me anë të metodës atrofizuese të socrealizmit. Këtë mision nuk ia kishte ngarkuar ndonjë ent suprem apo ndonjë shenjë a vizion profetik, ardhur nga e panjohura, por vetë ndërgjegjeja e tij krijuese, talenti dhe vetëdija e tij që shkonin përtej një kohe jo poetike, siç ishte ajo kur jetoi dhe krijoi shumicën e jetës së tij ky apostull i së bukurës.

Kur Jorgo Bllaci trokiti në portat e poezisë shqipe, kjo e fundit kishte devijuar skajshëm nga arketipi i saj fillestar: ritmet e brendshme, plot drita dhe ngjyra të shpirtit njerëzor qenë zëvëndësuar me ritmet e çangave dhe alarmeve të rreme, me zhurmënajën e betonarmesë dhe simterinë gërricëse të parfrabikateve. Delikatesa e trupit dhe gjestit fisnik, joshja dhe fafuritja ndjellëse e femrës së bukur, romanca e perëndimit të diellit mbi male apo mbi bregdet, trishtimi për kohën që ikën dhe nuk mund të fiksohet në një çast të lumtur, etj, etj tanimë konsideroheshin tabu për një poezi që e kishin veshur me uniformë ushtarake dhe e kishin çuar të bënte zbor në transhetë e revoluicionit komunist.

Ishte një kohë e pakohë, kur ishte e vështirë të ishe poet. Bllaci, teksa trokiste në portën e poezisë, ishte i vetëdijshëm për gjithë këtë shmangie të saj nga objekti dhe subjekti poetik; gjithashtu. nuk mund të mos e dinte se sa e vështirë qe në atë stinë të keqe për lirikën-nëse perfirazojmë një poet të etnisë sonë matanë kufijve administrativë- të ishe vetvetja në një vend ku duhej të përjetoje, mendoje dhe gjykoje, sipas emruesit të përbashkët të shijeve kolektive të ngritura në parime strikte, të bindeshe se kishte jetë dhe poezi aty ku djalli kishte pikturuar me dorën e vet ngjyrat më të përizshme të ferrit. Në fakt, shumica e shkrimtarëve dhe poetëve të këtij vendi patën bërë një pakt të shpalur ose të heshtur me djallin, duke u bërë pjesë e ingranzaheve të tij, thjeshtë për të vegjetuar në një lloj limontie të stisur, duke shijuar më së paku muajt e lejes krijuese, kur të tjerëve iu binte bretku në ara e kantiere.

Në kohën kur vjen Jogo Bllaci, me përjashtim të tre katër autorëve, që me kohë do të bëheshin etalion i mundësive që i shpalosen poetit të vërtetë edhe në kohët e ngrirjeve të mëdha, si Kadareja, Agolli, Arapi e ndonjë tjetër, pjesa tjetër vegjetonte nën ritmin e retorikës poetike të hoveve revolucionare dhe nuk i kapërcente dot caqet e manifesteve gjysëmpoetike-gjysëmpolitike, të denja për orët e leximit të shtypit në brigadat e prodhimit socialist.

Në këtë kor të përzishëm hovesh të sforcuara entuziazmi fiktiv, ardhja e një talenti të ri, një talenti të vërtetë poetik, që do ta shkundte nga rrënjët pemën e përgjumur të ritit poetik, si Jorgo Bllaci, i cili kishte parametrat e një poeti të lindur, shikohej jo vetëm me dyshim, por dhe me një lloj frike. Frikë se mos një autoritet i tillë poetik prishte atë shije të shpëlarë retorike agjustive, me të cilën mbijetonte kjo shpurë lakejsh të ushqyer mirë dhe të pajisur me të gjitha llojet e parzmoreve të kohës, përveç parzmoreve estetike, që në fakt ju mungonin. Kësaj psikoz-fobie i shtohej dhe një xhelozi sindromike që vinte nga bodrumet e vegjetuesve të rinj e të vjetër, talente të dyshimta që kishin bërë një farë emri vetëm falë shërbimeve jashtëletrare dhe ishin syçelë deri në ankth sindromik ndaj çdo emri e vepre që nuk stivosej në sënduqet e mykura të egove të tyre primitive.

Që në përmbledhjen e parë poetike "Prag prilli (1957-1963)", Bllaci duket se ngutet t'iu ikë zhurmave çjerrëse të rrugëve të përbaltura ku ziente vrulli i klasës, torrnove, shtyllave elektrike, kominosheve me të cilat visheshin e ngjisheshin gratë e bukura, delirit të servisur si simfoni e një epoke groteske, që jetonte jo për atë se çfarë ajo ishte në të vërtetë, por për atë se çfarë lypsej ta pandehnin të tjerët se ajo ishte. Ai I këndon kukuvajkës, manushaqes, petaleve të luleve që bien, bulkthit, shokëvbe të tij ushtarë, kujtimit të vëllait, lotët për të cilin e "dogjën kaq vjet" etj dhe në këngën e tij ka tone elegjiake, mall dhe trishtim, një muzikë e trishtë mungese, një përjetim të fortë lirik, ndërtuar mbi metaforën e të pa plotës, gjysmës së mërguar.

Tek përmbledhja "Pas mureve të lagësht" (1964-1967), duket se rrethi tematik zgjerohet, tonet lirike shkojnë dhe ngjishen rreth imazheve trandenshente, herë pas here nënteksti sundon mbi tekstin, ndërkohë që figuracioni fiton një plasticitet të ri.

Tek "Buzëmbrëmje (1968-1989)", fokusimi poetik i Bllacit përvijon dukshëm drejt një tematike më sociale, idili dashuror dhe njerëzor në përgjithësi, si në të gjithë gjeografinë poetike të tij, edhe në këtë përmbledhje me poezi kanë një peshë të konsiderueshme. Ka një tendencë për përqafimin dhe thyerjen e traditës së folkut, nga I cili marrin spunto një sërë poezish si bie fjala "Dielli dhe vlaga", "Kënga e Osman Takës", "Plaku i urës" etj. Sharmi, ngjyrimi dashuror, erotizmi, kanë në epiqendër të këndvështrimit të Bllacit femrën, idilin dhe ritin dashuror. Kjo botë e trazuar pasioni dhe ndjeshmërie, jepet e qashtër në poezinë e Bllacit, nuk përzihet me anekse të tjera sociale, me tam-tame aksionesh dhe prelude zhdanoviste, siç bëjnë në këtë kohë shumë kolegë të tij poetë.

Kulmi i vokalit poetik të Bllacit arrin tek vëllimi poetik "Mure" (1990-200) ku poeti bën një autopsi të paradokseve të një shoqërie, të ndërtuar mbi skemën makabre të prodhimnit konflikteve të stisura dhe armiqve imagjinarë. Poeti këndon e vajton fatin e tij dhe të kohës së pa kohë, dramën e të qënit i përjashtuar nga shoqëria, kur i ke dhënë asaj mushtin dhe ëndrrën, dashurinë dhe madje vetë lirinë. Ky përjetim që përcillet në poezi si: "Këtej armik", "Te varri i tim vëllai" etj, nuk ka si qëllim etiketimin e akuzës dhe të akuzuarit për këtë devijim të detyruar vetjak e kolektiv, por thjeshtë të na kumtojë një brengë të poetit për gjërat që rrodhën përkundër natyrës njerëzore dhe aq më tepër në të kundërt të kumteve hyjnore. Aluzioni i makëtit fillestar dhe mëkatarëve të kësaj kohe, jepet nëntkestualisht në poezinë me temën e njohur biblike "Balada e lotit", ku autori merr si pikë referimi historinë e Marie Magdalenës të dhjatës së re.

Si përkthyes Jorgo Bllaci është një kulmim në historinë e shqipërimit, të cilin e ngriti në një stad të ri, duke i dhënë frymën dhe pasionin e tij prej mjeshtëri. Nuk janë rastësi titujt dhe medaliet e akorduara si poet dhe shqipërues, veçmas titulli i dhënë nga Presidenti rus Boris Jelcin, për shqipërimin me një kualitet të lartë artistik të poezisë ruse, sidomos të Esenenit, të cilit, për hir të së vërtetës, Bllaci i ka dhënë një shpirt të dlirë dhe afektiv shqiptar.

Jorgo Bllaci ishte një teknolog i lartë, që iu bindej ndjesive dhe impresioneve të tij të brendshme. Ai thjeshtë derdhte frymëzizmet e tij brilante në vargje e strofa, duke përkryer me kohë, gjithnjë e më shumë, artin e shkrimit poetik, të cilin e ktheu në një teknologji të shpirtit të tij të ndjeshëm e plot hove jetësore.

Suksesi i aktit të tij poetik duhet kërkuar në shumësinë e elementëve që e përbëjnë, qofshin të formës, qofshin të përmbjatjes, të filozofisë që e motivon, të botës së tij të brendshme dhe të raporteve që ai kishte me kohën e tij dhe bashkëkohësit. Rebel nga natyra, njëherësh i butë e fin, si poezia që shkruan, Bllaci ishte detyrimisht një i shenjuar nga mekanzimat e djallit, në rrugën e tyre të pengimit e dhunimit të gjithçkaje që nuk çonte ujë në mullirin e dogmave të tyre.

Në thelbin e tij, Bllaci është një poet metafizik, që e shtrin botëvështrimin e tij përtej asaj që duket, si figurë të diçkaje tjetër, përtej asaj që komunikon me anë të fjalës si kuptim i parë apo nëntekstual. Çuditërisht, kritikët dhe studiuesit ë tij të shumtë nuk e vënë re këtë element, i cili përbën një nga tiparet më thelbësore të artit poetik të këtij liriku të papërsëritshëm.

Si një teknolog i pashembullt i formës e i gjuhës poetike në shqip, Bllaci në thelbin kriues, në shtrirjen dhe konfigurimin e imazhit, në temporitmin dhe dendësinë e [përcjelljes së emocionit mbetet një mjeshtër i tingëllimit në shqip deri më sot. Ai e ktheu fjalën shqipe në një kod për të deshifruar nëntekstet e një "gjuhe të harruar", siç mund të thoshte Erik Fromi, të asaj gjuhe që ai e njihte me rrënjë dhe që e ktheu nga gjendja e reminacionit akut leksikor dhe sintaksor në një urë të komunikimit të zgjedhur poetik

Muzika është elementi më i fortë i tiopologjisë së tij poetike. Bllaci, si të paktë poetë të letërsisë sonë, ka shfrytëzuar mjetet tingëllore për të shprehur dhe realizuar domethëniet kuptimore. Struktura fonologjike, që është pjesë e shprehjes në gjuhën natyrale, kalon në strukturën e përmbajtjes në poezi, duke formuar pozicione semantike të pandashme nga teksti i dhënë. Barazvlera e tingullit që arrihet në varg (si parim krijues i tij) përfshin në mënyrë të pashmangshme barazvlerën semantike. Ndryshimet tek poezia e Bllacit ndodhin tek pjesëzat përjashtuese dhe mohuese. Studimi në hollësi i këtyre elementëve gjuhësorë, mund të shërbej për të rrokur kuptimet nëntekstuale të poezisë së Bllacit, për të kuptuar prirjet dhe tendencat poetike, thyerjet që ai i bën herë herë tradicionalitetit lirik, duke vënë në përdorim më shumë se elementët përmbajtësorë, elemnetët e formës poetike, që në thelb evidentojnë dhe konturojnë edhe anën përmbajtësore të poetikës së tij. Te Bllaci eleganca dhe harmonia tingëllore vjen si rezultat i kërkesës për të rritur fuqinë domethënëse të tekstit, nëpërmjet mënyrës së orkestrimit të tingujve. Në këtë kuptim, poezitë e tij janë modeli i një ndërtimi me saktësi matematikore (logaritmike), që, gati-gati, do të na krijonte analogji me mjeshtra të shquar të harminisë muzikore, si, bie fjala, J. S. Bach.

Bllaci vinte nga dy realitete të forta nxitëse, që ia shumëfishonin zërat poetikë brenda shpirtit të mbushur dëng me muzikë: nga realiteti i librave të zgjedhur, ku falë gjuhëve të huaja mund të komunikonte me poetët më në zë të të gjitha kohërave dhe nga realiteti i gjallë i asaj njohje të drejtpërdrejtë të botës njerëzore, ku e çonte ndjeshmëria dhe sensibiliteti i fortë poetik. Këto dy shtysa të njëhesuara në një talent të rrallë, që kishte lindur në një shpirt rebel, ishin fati dhe fataliteti i tij poetik dhe njerëzor. Themi "fati", sepse ata e ngritën atë në lartësitë kulmore të poezisë, në atë lartësi ku mund të vështrosh magjinë e qiellit të pastër të ëndrrës, ëndrrës së kulluar që ai e mbarti gjatë gjithë jetës si iluzion dhe magji ecjeje përpara. Por, themi "fatalitet" sepse ky iluzion, kjo ëndërr, i kushtoi atij privime, vetmi, anashkalim, mosvëmendje, bile dhe ndalim e përndjekje. Shkurt, e shpuri rrugëve të Golgotës me kryqin e poezisë në shpinë, si një bekim dhe mallkim në të njëjtën kohë.

Poezia e Bllacit vjen si jehonë e traditës më të mirë të lirikës shqiptare, si vijim i gjendjeve mrekullore, iluizioneve dhe utopive lasgushiane.

Fakti që ai është kaq i veçantë, lidhet me talentin e tij të rrallë, me atë formim poetik me të cilin është kultivuar nga leximet e poezisë elitare bashkëkohore,, falë kulturës së gjërë dhe gjuhëve që zotëronte. Rebelizmi i tij, që e shkëput nga uniformiteti i një romantizmi kallp, nga një entuziazëm idiot, e shtyn atë drejt baticës dhe ka të bëjë, kryesisht, me mospranimin nga e tij të tabuve estetike, pasi një dimension i tillë shpirtëror, i mbushur me tinguj të magjishëm, e ka të pamundur të ec në vija të ngushta, definitive.

Është mbresëlënës entuziazmi i Nolit, teksa shkruan kur lexon poezitë e Jorgo Bllacit: "Jam i lumtur që pyjet e mëmëdheut paskan bilbila të rinj, që aqë bukur ligjerojnë për të".

Në vendin e tij, në këtë vend të paradokseve, liriku i madh është rrethuar me heshtje. Ekskatedra vazhdon të ngulmojë në kryeneçësinë e saj se poezia e re shqipe nuk i kalon dot sinoret e tre-katër poetëve, që vazhdojnë të ushqejnë me iluzionin e iluminizmit brezat që vijnë. Bllaci nuk bën pjesë tek këto tre a katër burra. Por kjo nuk e bën më pak sharmant dhe befasues, nuk ia zbeh vlerat poetike, nuk ia ul kualitetin artistik.

Për Bllacin është shkruar jo pak nga kolegët e tij të vërtetë, nga kritikë e studiues të çliruar, që kanë parë dhe shohin tek ky lirik unikal një shpirt flakërues poetik, një organ të lindur për të kënduar.

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
VARGJE PËR PËRBINDSHAT E TRAZICIONITPoezi nga ELIDA BUÇPAPAJ (09.29.2011)
DUKE PRITUR KRYQËZIMIN TIMCikël poetik nga FERIDE PAPLEKA (09.22.2011)
ORANZHPoezi nga ELIDA BUÇPAPAJ (09.17.2011)
ÇDO FJALË DI DIÇKA TË RRETHIT VICIOZ Fjala e mbajtur me rastin e marrjes së çmimit Nobel nga HERTA MÃœLLER (09.13.2011)
SY TË FTOHTË KRENARË KUGUARËSH OSE UJQËRISH ME SHIKOJNË TEK ULEM DHE NGJITEMPoezi nga GARY SNYDER (09.12.2011)
KASËM TREBESHINA: DUHET HEQUR DORË NGA RRUGA E LUIGJIT TË KATËRMBËDHJETËPromemorie për Enver Hoxhën, Komitetit Qendror të PPSH, Tiranë (09.05.2011)
NJË FAMILJEProzë nga GUY DE MAUPASSANT (Gi dë Mopasan, 1850-1893) (08.29.2011)
FUSHA E SHTRIRË E GJOKSIT TËND ZGJATET SI LËKURË DAULLEJEPoezi nga ALICIA SUSKIN OSTRIKER (08.28.2011)
DO VIJË, DO VIJË NJË DITË ORA E SHQIPTARITPoezi nga ARSHI PIPA (1920-1997) (08.25.2011)
ARDHJA E DYTË E JEZU KRISHTITCikël poetik nga GABOR MANDY (Hungari) (08.20.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]