E Shtunë, 04.27.2024, 02:03am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
'KOLERA' NË FSHAT?!!!
Tregim nga PËRPARIM HYSI

E Hënë, 10.28.2013, 09:13pm (GMT+1)


Mendoj se nuk duhet të jini "lodhur" shumë me atë xha Nasin tek "Oha, Balash!". Por dhe në jini lodhur, xha Nasi di se si t'u çlodhë. Kjo është një "çlodhje" pak e veçantë në llojin e saj, por, gjithësesi çlodhje është.
* * *
... ra dhe në fshatin tënë "kolera". Kolerë xha Nasi quan komprativën (kooperativën).
Ra së pari në Krutje të Lushnjes. Epo kolera, kolerë është: bie në Lushnjë,por e sjell era dhe në Fier. Para se të vejë në Fier, ngre "mera" në fshat tonë. Viti 1947. Marr pa marr tokat nga ajo agrarja ( reforma agrare), kur erdh murdallëku nga Moskovi. Me një dorë na i dhanë tokat, me dy duar na i përrlan. Kumprativë që thuaj ti. Të hashë bashkë në një çanak. Del nuk del çanaku, punëz e madhe. U bëti dhe fshati ynë kumprativë. U bëti s'u bëti,aq më bën mua. Unë shikoj terezinë time. Shtëpinë nga fshati e kam goxha larg. Hane,bir, kur i thonë. Por e bëja llogarinë pa pyetur për hyqymetin. Hyqymeti e zë leprin me qerre. Avash-avash,sa të bëhet shelegu dash,- thoshnjam unë,- kokat le të thyejnë ata të "çanakut". Nuk u del atyre, mua më del e më tepron. Kështu, o shpyrti i Nasit, mendoja unë, por a të lë i ligu që të ngresh kasoqe (kasolle?). Punët, alla bereqaves Zotit, më shkonin birinxhi. Dorëzoja ç'i kisha shtetit dhe zot në punëzën time. E,ore, e! Kur i bën hesapet pa pyetur hanxhinë, mirë e ke terezinë. Kur ndjej një zë. O Nasi! O Nasi! Urdho përgjigjem dhe,sa dal nga dera, shoh kaçatorin. Aha,- thashë,- më kërkojnë në kshill,se për ç'tjetër erdhi qy. - Po hajde, o Loni, brenda se pimë ndonjë sapllake dhall. - Jo,- më tha,- po nesër në tetë të sabahut të jesh tek zyrat e kumprativës. Aha,- thashë, me vete kaq e paçë. Më zuri dhe mua ajo "kolera" e Moskovit. Po ku e gjetën atë yrnek,xhanëm? Po gjënë e tokut, nuk e ha as qëni. Mezi prita sa të gdhihej, Jepja e merrja tërë natën e natës me veten time. Si do t'i shpëtojë atij "kulari". I rëndë,or ti, donte qafë bualli ai kular.
* * *
U nisa heret se donja nja dy orë të sosja atje tek zyrat e kumprativës. I kishin vënë dhe emrin e atij "kumbarit" nga Moskovi: kumprativa "Lenin". Ah,që nuk i bie zjarri dhe ta shuajë me gjithë emër! Sosa. Po më prisnin. Thoshe ti, sikur u qe hapur barku për mua. Shoh kryetarin e kshillit,atë të kumprativës,sekretarin e partisë dhe një bot tjetër. Qy, siç duket,qe dhe më i madhi. Dukej që atje tej si Balashi im. Qy, Balashi im, ka atë baliskën në ballë, por dhe qy, boti, veshur kasabas-she, me kapistër (kollare) mbi këmishë dhe me kostum. Ata të fshatit, "kokësit": ja kështu si una, por në vënd të takies sime të bardhë, kishin kasketa me strehë.
-Si u gdhitë?- pyeta
Në vënd t'ma kthenin përgjigje, ky i kshillit i tha atij, qytetsit: -Ja qy është Nasi Meço. Me demek, sikur kisha vajtur tek "terziu" për të prerë rroba dhe qy të më merrte masën.
-Shoku Nasi,- tha kapistra,- të kemi thirrur që të bëhesh kumprativë! Unë po u hodhshë përpjetë, sikur erdhi dikush nga prapa dhe më shpoi me bodec.
-Aha,- iu përgjigjësh. Për këtë punë më kini munduar deri këtu. Jo. Jo. Është samar i rëndë qy për mua dhe nuk e mbaj dot.
-Siiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiii?!- u hodh përpjetë tani "kapistra"
-Shiko, të keqen Nasi tyja, nuk jam una për kumprativë. Se unë punën e kam me "hopa".
- Si me hopa? -pyeti kapistra.
-Ja: sot punoj. Nesër rri e shplodhem. Shullëhem në diell. Kështu ma keq qefti,de. Kumprativa, or mik, do punë tërnjë (çdo ditë). E Nasi tërnjë nuk punon dot. Kam një qerre me kalamaqër una dhe nuk i ushqej dot me kumprativën.
-Po mundohu,- ndrëhyri i vrëjtur,qy, " ardhësi".
Sa më tha, mundohu, unë "bam-bam" rraha dyshemenë me këmbë dhe flakë për flakë i them: - Ja u munduash, doli gjë. Lëmëni në hallin tim dhe mos më bini në qafë.
Por "kapistra" qe dinak dhe ma ngriti çargun. Kur e pa që nuk dorëzohesha, më bëri një pyetje me spec. Spec nga ato përcëllaket që të helmojnë kur i hedh në poçen e fasuleve dhe jo kështu të gjalla siç po m'i vërviste ky laskanderi nga kasabaja.
- E do partinë ti, Nasi Meço? Nasi, Nasi,- i thashë vetes,- ruhu nga çargu se të gjeti hataja. U zushë ngusht që thuaj tija, por zbriti Zoti nga lartas dhe sikur më foli në vesh. Se Zoti, prandaj rri lart, shikon poshtë dhe të ndihmon. Qe zëri i tij që më foli dhe iu përgjigjësh:
- Më do partia mua?!!! Sa u përjgigjësh kështu, ngeci, karkaleci. U përtyp si ai akrepi kur ha bishtin e tij, dhe, ashtu nëpër gojë, sa mezit e zbrazi:- Të do!
- Më do partia,pa dhe unë e dua dhe t'më lërë kështu si jam. Nuk e donte veten, por kësaj radhe, shpëtova.
* * *
E, ore u gëzova una, por kot thonë" mos u gëzo para kohe". Si sosën me të tjerët në fshat (s'mbeti këmbë ropi pa u futur), m'u lëshuan prapë. Shikonin arat e mia dhe prodhimet sikur ua bënin me sy. Pale baçja. Piqeshin pemët me radhë dhe goja lëng,or tunjatjeta. Sekush tha:- T'ia marrim me tokë e me baçe dhe le të ngrohet në diell. Epo "kolera" hapet kollaj. Sado shtëpinë në pyll, por "sulmuan" një ditë të bukur dhe hynë si në baçe të tyre.
Dal. I shikoj. Mizëri. Si mizat e dheut mbi një lis të kalbur. E vendosëm, në asamble,- më thanë,- nga sot ç'qe e jotja,është e kumprativës. Në daç, hyr në daç ngordh aty,tek pylli. Me demek, me forcë. I sherrit po nuk kam qenë i zoti. Ama të kisha fuqi,atij të madhit të tyre do ia shpoja barkun me cfurk. Po ku përzihet "kolera" me cfurk?!!
Ndënja sa ndënja dhe merrja në gjyq veten. Ç'të bëj e nga t'ia mbaj? Dhe vendosa:
-Do t'i hip "Satës" ( autobuzi i vetëm që vinte nga Tirana dhe anasjelltas në atë kohë)
e drejt e tek kumandanti ( Enver Hoxha). Trastën me bukë, tërvaçin e duhanit, rrobat e reja që kisha në sepetet dhe në xhadetë. Sa erdhi "Sata", fiu lart. Mbrrita në Tiranë dhe pyeta ku ishte Kumanda e Përgjithshme (në atë kohë ku është Universiteti sot).
Veshur me opinga, trastën e leshit hedhur mbi supe e tujte ( tutje) nga Kumanda. Sosa ashtu thyer pa thyer dreka. Ushtar me pushkë atje. Ju afruash ta pyesja. Qy as gëk dhe as mëk. U kujtuash: nuk flet ushtari në vendroje. Kur shoh një zabit. U lëshuash nga ai. I them se si e kam hallin. Më thotë qy: - Nuk është kumandanti aty. Po mirë,- ia prita,- pret Nasi kur të vij. Ja,tek kjo lulishtja do rri edhe natën. Behar hesapi. Të nesërmen, prapë:- Nuk është kumandanti. Aha, Nasi, mos e humb durimin se do jetë grackë qo. Të pasnesërmen, prapë ai, zabiti. - Xhaxha, mos prit kot se nuk është. Epo do pres,or ti zabit,se e kam kularin në grykë una. Kur shkova të nesërmen në mëngjes, pashë me këta sy "grackën". - Xhaxha, hajde,- më tha ai zabiti,se do të presë kumandanti. Hou,- i dhashë fuqi vetes,- zbardhi dita,zbardhi shpresa. Ai para, unë pas. Më futën në një zyrë dhe aty një zabit tjetër. - Ja,- më tha qy,- ky është kumandanti! Me demek, mbathja nga ke ardhur,se nuk ta kemi ngenë. Qy brënda u ngriti në këmbë dhe më tha: - Hë, xha Nasi, pse je munduar. Harrova të thosha: m'i kishin marrë të dhënat para se të vija tek qy, kumandanti. -Kam ardhur për tek kumandant Enveri,- thashë.
-Po qy është Enveri!- më tha zabiti. Unë po frrap nga xhepi i palltos,nxjerr basuretin e kumandantit. Shiko basuretin, shiko përballë. Ahu,sa larg! Sa Fieri me Tiranën. Më hipi një inat si me ata që më morën arat dhe më t'iu lëshova që thuaj ti: - U bëre ti larash që të m'i ngjash atij burri që njëherë e ka bërë nëna!!! ( Epo thuaj që nuk ka Zot, po deshe. Se Zoti m'i tha në vesh këto fjalë që thuaj ti,dhe ngeci karkaleci njimëni këtij zabitit. Mos u bëti dhe në fytyrë. Si e mori veten, më thotë:- Prit pak këtu. Nuk kaluan as dy minuta,kur më priu përpara dhe drejt e tek kumandanti. Qy po,- thashë.Tani nuk kam nevojë për basyretë. Thënë pa thënë këto fjalë, kur më afrohet kumandanti dhe, pasi më përfshin me të dy krahët ( thoshe: e kish grirë malli për mua) më thotë:- Po ku je, more Nasi Meço dhe përse je munduar deri këtu?
-Kumandat, të pastë Nasi sa malet, ka një hall të madh,pa erdhi Nasi. Po ja, o kumandant, më morën tokën ata të kumprativës dhe si do t'i ushqejë kalamanët una. Kam dëgjuar që kumprativa është me vullnet, ata tanët me kamzhik. Të keqen Nasi tyja, kumandant, bëmë derman Nasit.
- Dëgjo,- më tha,- kumprativa është e mirë dhe, po të më dëgjosh mua, duhet të futesh me vullnetin tënd atje. Nuk je bërë i ndirgjigjshëm, kanë bërë gabim që ta kanë marrë tokën. Do t'u themi atyre shokëve në Fier që ta kthejnë përsëri.
-Të rroshë sa malet,o kumandant, por një rixha të ka Nasi tyja:- Nëm një shkresë nga dora jote,se nuk më lënë rehat ata.
-Ik, pa merak, më tha.
-Aha,- ngula këmbë si mushka mbi urë una,- në nuk e ke hazër atë shkresën sot, pres Nasi aty tek lulishtja,se behar është dhe jam mësuar una të fle jashtë.
-Po jo, mor xha Nasi,-tha kumandanti dhe fët-fët seç firmosi,pa i tha atij zabtitit të vinte vulën dhe ma zgjati:- Ta gëzosh!- më tha.
Ai tha: -Ta gëzosh! Unë vrap dhe i kap dorën, me demek që t'ia puth. -Aha, xha Nasi, iku ajo kohë e "puthjes së dorës", partia për popullin është dhe të mirën e tij do.
Një të marrë shkresën, një të futur në xhep. E mbërtheva xhepin me gjëlpërë me kokë dhe me një frymë tek "Sata". Sa do nisej. Hipa, që thuaj ti, dhe qeshë bërë me krahë. Më këndohej gëzimi në sy. Kur mbrrita në shtëpi, dielli sa po thyhej, po ata, të "kumprativës" po mbillnin vreshtë mu tek ara ime. Zbrita dhe,tek po ngjitesha atje mbi xhade, pashë që kthyen kokën.
Unë as punë e mbarë dhe as si jini, por isha mbi kalë, or tynjatjeta, dhe e zbraza pushkën:- Eh, Nasi Meço! Eh, Nasi Meço! Të erdhi e mira në derë! Po e punon tokën me ysmeqarë!!!!
Ata një të lënë punën dhe u mblodhën. Dërguan dhe haber më tej. Erdhën"kokësit". Po dhe ai "kapistra" me ta. Dukej aty e kish limerin. Unë po sikur nuk i shihja. Mbledhur a çmbledhur, punë për ta.
-Jo,jo,- tha kapistra,- ke sharë kumprativën dhe unë propzoj që ta shpallim kulak.
Kooooooooooooooooooooolak,- brëtisnin kush më shumë e kush më pak.
Una, pa e prishur terezinë, i them:- Më morët tokën dhe nuk më pyetët se me se do ushqejë kalamanët.
-Ti nuk do kumprativën dhe nuk ka tokë për ty. Kolak dhe e ke pak.
Dhashë e dhashë dhe, kur ky,kapistra, po lëshonte jargë nga goja, një të nxjerrë atë shkresën nga xhepi dhe ja njaca ( zgjata). Shikoje pak këtë, - i thashë. E mori ai dhe tani mbi të ra "kolera". Erdh e t'u bë si ato dardhat e mia që piqen aty fundkorriku. Nuk e donte veten.
-Shokë,- iu drejtua turmës,- unë si kamunist bëj autokritik para shokut Nasi dhe i lutem të ma fal. Që sot e tutje, askush nuk ka të drejtë të shkelë mbi tokat e tij. Është urdhëri i kumandantit. Pa erdh e t'u bën si ata qetë kur i ha zegali: kush e kush të ikte më parë. "Kapistra" m'u afruati dhe më tha:- Më fal, o xha Nasi! Të të falë Zoti,- thashë. Dhe nuk ua pashë bojën më.
--
* e kam ripunuar. Kam ruajtur të folmen e tij.
Tiranë, 26 tetor 2013

PËRPARIM HYSI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
ARSYEJA ËSHTË PASQYRË E NDËRGJEGJES (NEVETES) SË KUJTDOEsé nga VILHELME VRANARI HAXHIRAJ (10.28.2013)
TE KROI UJËMJALTË20 poezi nga RRUSTEM GECI, nga libri 'Dridhjet e barit' (10.27.2013)
NATYRSHËM, SI NDJENJA- Mbi librin me tregime : Dashuria çel në Prill- të Drita Lushit-Nga DEMIR GJERGJI (10.27.2013)
MIRËMËNGJESI PARIS!Poezi nga ELIDA BUÇPAPAJ (10.25.2013)
TI I KËNDON DIELLIT DHE QIELLITPoezi nga PABLO NERUDA, shqipëroi ELIDA BUÇPAPAJ (10.25.2013)
ËMBLAPoemë nga RRUSTEM GECI (10.25.2013)
KOHA E TRIMËRISË SË LEPUJVEProzë poetike nga SKËNDER BUÇPAPAJ (10.24.2013)
MOTIVE VJESHTENga PËRPARIM HYSI (10.24.2013)
IKU NGA VETVETJA dhe STOLI ME NGJYRA TË YLBERITDy proza poetike nga ADEM ZAPLLUZHA, nga libri “Fjetëm njëqind shekuj” (10.24.2013)
SAFOCikël poetik nga QAZIM SHEHU (10.24.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lart]