E Djelë, 04.28.2024, 01:24pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
KËNGA E VDEKJES
Nga QERIM SKËNDERAJ

E Shtunë, 04.12.2014, 07:41am (GMT+1)


Një lehje e pandërprerë, më nxorri vrullshëm në verandë. Po lehte qeni i fqinjit. Dukej tepër i egërsuar. Hodha sytë andej dhe nuk vura re ndonje gjë të madhe, përveç disa lëvizjeve të ngutshme nën dritën e një qiriri që gërvishtëte errësirën si xixëllonjë. Freskia më ngopi me oksigjen dhe më pëlqeu të rrija ulur mbi një kolltuk të vjetër.

Kishin kaluar mbi katër orë, që kur nata veshur me mantel të zi ishte shtruar këmbëkryq mbi lagjen rrëzë kodrës. Mungesa e dritave e bënte më të fortë, më të gjithëpushtetshme. Megjithatë shtëpia e fqinjit dukej e panënështruar. Drita e zbehtë e qiririt lëvizte kryq e tërthorë si një shqetësim i verdhë që kërkonte të hidhte rrënjë bashkë me errësirën. Po ndiqja lëvizjet i tensionuar, kur zëri i një kukuvajke, më mbrriti në vesh me hijen e vdekjes.

Gjatë gjithë jetës time e kam urryer këtë zog ndjellakeq dhe në çast u rrëqetha duke bërë edhe lidhjen me lëvizjet e alarmuara në shtëpinë e fqinjit. Kisha krijuar idenë se atë e kishte pjellë errësira si aleat të saj për të mbajtur natën gjallë. Këtë mbrëmje, që nuk kishte as drita, ndihej i mbrojtur dhe vazhdonte këngën në qejf të vetë. Nuk e di pse po mendoja se ai zog ushqehej me vdekje. Është e vetmja gjallesë mbi tokë që i këndon vdekjes.

Këtë gjë ndoshta po mendonte edhe qeni, lehjet e të cilit po arrinin në kufijtë e tërbimit. Ndoshta në shtëpinë e fqinjit po ndodhte diçka e rendë, por beteja e vërtetë zhvillohej jashtë saj. Grindjen e madhe midis qenit dhe kukuvajkës po e lexoja fare qart. Lehjet dhe kukuritjet pafund ishin venë në dy fronte. Qeni në mbrojtje të jetës, kukuvajka ne mbrojtje të vdekjes. Kukuvajka kishte aleat errësirën, qeni luftonte i vetëm. Vendosa të vihem në krah të tij. Rrëmbeva një dorë dhè, dhe e vërvita andej nga vinte zëri i saj. U bë heshtje. Një heshtje e frikshme. Në shtëpinë e fqinjit asnjë pipëtimë. Në shtëpinë time gjithashtu. Ime shoqe u shtri pak shpejt në shtrat, se bashku me tim bir pesëvjeçar që këtë mbremje, ankohej për një dhimbje të lehtë koke dhe kishte pakë temperaturë. Ndërkohë edhe qeni i kishte ndalur lehjet. Unë nisa të dremis një përgjumje të turbullt mbi kolltukun e vjetër. Kjo zgjati vetëm rreth tridhjetë sekonda, sepse kënga e maces fluturuese rifilloi më kërcënuese. Tingëllonte më therëse, si një këngë e shkruar me notat e vajtimit kur përcjellë dikë në varreza. U ngrita i tromaksur, por edhe i hutuar. Gjumi më kishte turbulluar, mezi u kthjellova. Hodha sytë nga shtëpia e fqinjit. Sundonte heshtje e plotë. As flaka e qiririt nuk lëvizte më. Vetëm qeni po lehte nxituar; njësoj i zemëruar, njësoj i egërsuar.

U përqëndrova të dëgjoja më mirë. Zëri i natës këtë herë vinte nga një palinë ngulur në oborrin e shtëpisë sime. Bija e vdekjes po vajtonte jetën. Po e ndillte nëpër natë, për ta bëre pronë të errësirës, që pastaj ti këndonte fitores së arritur. Diçka si vetëtimë më krisi në kokë. Errësira mu bë më e zezë. Shkunda fortë kokën për tu kthjelluar sado pakë. Qeni në oborrin e fqinjit, po ngjirrej së lehuri. Zëri i "maces" kumbonte më përvajshëm. Për një çast ngriva në këmbë. Nuk dija ç'të bëja. Edhe qeni u lodh. Lehte rrallë dhe dukej se po dorzohej në betejën e ashpër, të cilën kukuvajka donte ta fitonte me çdo kusht. Më hipi gjaku në kokë. Shpejt e shpejt, ndërtova diçka në mendje dhe nisa të veproj. U futa me kujdes në shtëpi. Pa krijuar asnjë zhurmë që të shqetësonte të shtrenjtët e mi, tashmë në gjumë të thellë, hapa arkën e veglave dhe mora elektrikun e dorës. Një tub i nikeluar me reflektor të fortë.

Vajtimi i zogut të errësirës vazhdonte të shpërndante tinguj të frikshëm. Ishte një vajtim insistues për ta fituar me çdo kusht betejën e natës. Po i afrohesha me majat e këmbëve. Tubin e nikeluar e mbaja prapa. Nuk doja që nga refleksi i ndriçimit të nikelit, të zbulohesha. Kur u sigurova se isha afruar në distancën e duhur, drejtova elektrikun dhe e ndeza. Sytë e kukuvajkës i rrëzuan fenerët. Zëri ju shua. Kënga vajtuese u ndërpre. U ngrit në fluturim e verbër, e paorientuar. Drita e futi më thellë në errësirën e zezë. U përplas në murin e shtëpisë dhe ra si një topth i shpuar mbi trotuar. E kërkova me dritë dhe e pash tek jepte shpirt duke përplasur krahët.

Këtë herë kukuvajka kishte kënduar për vdekjen e vet...

QERIM SKËNDERAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
ENVERI KËRCËNON NEXHIN ME SHKURORËZIM!Satirë kundër përkujtimit të vdekjes së HoxhësNga REZART PALLUQI (04.11.2014)
DUKE LEXUAR AMANETIN E HEROIT AGIM RAMADANICikël poetik nga SABIT RRUSTEMI (04.10.2014)
PERLAKatër poezi të reja nga QAZIM SHEHU (04.09.2014)
JEPTE UJË CICRIMËS SË NATËS dhe NGA NJË BOTË TJETËRNga ADEM ZAPLLUZHA, dy tregime poetike nga libri “Fjetëm njëqind shekuj” (04.08.2014)
MYSAFIRJA E MBRËMJESProzë nga QERIM SKENDERAJ (04.08.2014)
NJERIU QË KA PARË BOTËN ME 124 SY!!!"... Rrëfim paradoksal" i Albert Verrisë Ese nga PËRPARIM HYSI (04.08.2014)
NËPËR ZËRA TË FLOKËVE TË SAJCikël poetik nga FATOS ARAPI (04.07.2014)
PRELUDI I PAVARËSISË KOMBËTARE - KRYENGRITJA E MALËSISËNga VILHELME VRANARI HAXHIRAJ (04.07.2014)
SHTËPI BOTUESE vs. SABOTUESE(Letër e hapur për znj. Irena Toçi, presidente e sh.b. “Toena”)Nga AGRON TUFA (04.07.2014)
PERSIATJE MIGJENIANEEsé nga MOIKOM ZEQO (04.06.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lart]