E Premte, 05.10.2024, 12:24pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
LOTËT E AKILIT
Esé nga QERIM SKËNDERAJ

E Hënë, 07.07.2014, 01:21pm (GMT+1)


Akili i "erdhi" njerëzimit që në lashtësi si një mit. Si mit i i luftëtarit të pamposhtur që nuk e njeh humbjen, si luftëtar mbi luftëtarët. Herë me përmasa "qiellore" e herë "toksore", zotëronte hapsira të pamatshme, por edhe kufizime, të cilat ndonjëherë evidenconin tragjizmin e tij të frikshëm. Ai shkëlqente dhe errësohej skajshëm si protagonist dhe hero i ngjarjeve më të mëdha të kohës që prezantoi. Brenda tij, jetonte njëkohësisht njeriu dhe mbinjeriu, si nyje lidhëse midis Qiellit dhe Tokës. Ambicja për të qënë i përjetshëm iu injektua nga e ëma(perëndi), por në të vërtet e fitoi nga babai(i vdekshëm). Kjo për arsyen e vetme sepse lavdinë, përjetësinë pra, e siguroi si luftëtar në tokë duke triumfuar në çdo betejë apo dyluftim.

Si personazh homerik, Akili vjen i skalitur prej metaleve më të çmuar. I fortë si diamanti, i ndritshëm e i lëmuar si ari, elastik dhe i papërkulshëm si çeliku. Njësoj si metalet, të metaltë e kishte edhe karakterin. Trupin ia ushqente një gjak i vrullshëm, që, përveçse i jepte fuqi të mbinatyrshme, shërbente edhe si lubrifikant për ta ruajtur nga ndryshku, nga plakja. Ka ardhur deri në ditët e sotme si përsosja e forcës, bukurisë trupore dhe energjisë djaloshare. Nuk e plakën dot as shekujt, as mijvjeçarët. Zotëronte të gjitha tiparet për të qënë kryeluftëtar, por jo mbret mbi mbretër. Mund të udhëhiqte beteja pa fund dhe reparte të specializuara për çdo lloj luftimi, por jo ushtri të mëdha në front të gjerë për të pushtuar shtete e popuj. Kishte forcë e aftësi luftarake të pakrahasueshme, por nuk kishte qetësinë e mjaftueshme për të marrë vendime të pjekura.
Kushdo që e mendon Akilin, mendja i shkon te krahët e hekurt, shpejtësia e vetëtimtë dhe goditja e rrufeshme. Kur sulmonte kundërshtarin nuk vraponte, por fluturonte, nuk qëllonte me shtizë, por me vetëtimë, nuk godiste me shpatë, por me rrufe. Zëmërimi i tij ishte skajshmërisht i egër, një zëmërim bishe që mund t'i shkoj vetëm luanit të tërbuar. Ai të priste kokën, krahun, të shkulte zemrën, syrin, njësoj sikur të kishte përball një qënie pa vlerë që duhej shfarosur. Aftësitë e tij luftarake ishin mbinjerzore, prandaj edhe përpara opinionit të kohës është ngritur në përfytyrimin e një gjysmëperëndie.

* * *
Të gjitha dëshmitë homerike dhe ato përpara tij, na e paraqesin Akilin si të pamëshirshëm. Ai nuk falte askënd; as ushtarët, as komandantët, madje as mbretërit. Kur mendja e tij e zëmëruar vlerësonte dikë si fajtor, mëria i shndërrohej në një inat të papërmbajtur që do të qetësohej vetëm me vdekjen e tjetrit. Pamëshira e çonte drejt hakmarrjes vrastare, pa lënë asnjë hapsirë apo mundësi për pajtim. Vësulej mbi "prenë" me marrëzine e fitores dhe lavdisë. Por, a e justifikon lavdia pamëshirën? Kurrsesi jo! Atëhere le të futemi brenda tij dhe të depërtojmë më thellë për të zbuluar gjurmë të asaj që quhet "ndjenjë e shpirt njerzor", me anën e të cilit njeriu dashuron, preket, gëzohet, qesh, trishtohet dhe qan.

Në jetën e tij fizike, relativisht të shkurtër, Akili qau shumë rrallë. Për herë të parë kur u vra Patrokli. E thirri dhimbja e gjakut të vetë dhe derdhi lotë të nxehtë që i kanë hije edhe trimit. U trishtua shumë se humbi kushëririn, luftëtarin që po e përgatiste t'i kalonte një pjesë të lavdisë, njeriun që e deshi me gjithë zemër. Prandaj edhe lotët ishin njerzorë, ishin shpirtërorë, ishin normal. Nuk do të gjendej njeri në botë të mos qante për një rast të tillë. Por këta lotë, ndryshe nga ata të njerzve të zakonshëm, zgjuan brenda tij genin e hakmarrjes së madhe, me përmasat e guximit mbinjerzor. Thirri në duel komandantin e luftëtarin më të suksesshëm të kohës, njeriun që i mori jetën kushëririt të tij në moshën e artë të djalërisë. Kjo kishte ndodhur në fushën e betejës, pra ballëpërballë, atje ku vriten e fitojnë burrat, atje ku askush nuk e fal armikun që ka në front. Patrokli kishte shkuar në fushëbetejë pa lejen e Akilit, me veshjen dhe armët e tij, si sozia që u printe akejve. Pra në një farë mënyre kishte gabuar dhe nga gabimi e pësoi. Prijsi që mbrohej, Hektori, nuk mund të falte një prijës që po e sulmonte me egërsi, aq më tepër që e kishte identifikuar si vetë Akilin e pamposhtur. Vet Akili, i dinte të gjitha këto, por kjo anë e arsyes nuk i funksiononte. E kishte pushtuar zëmërimi i hakmarrjes. Nuk humbi asnjë minut kohë. U vesh, u armatos dhe hipi në karrocën që tërhiqej nga dy kuaj "fluturues". Donte të mbrrinte sa më shpejtë në vendin e dyluftimit. Thërriste në përballje për vdekje komandantin e një ushtrie që e kishte prirë në fitore për dhjetë vjet. E thirri pa iu dridhur qerpiku, i bindur se do ta bënte fli, që shpirti i Patroklit të prehej në paqe. Kishte një ngutje dhe një padurim prej bishe. Një bishë ulëritëse dhe e egërsuar deri në kufijtë e tërbimit. Lëvizte si stuhi, thërriste si jehonë dhe vështronte si skifter. Në tërë qënien e tij dallohej një urrejtje e pashoqe.

Tjetri, Hektori pra, ia njohu zërin dhe u përgatit ndoshta për ndeshjen e fundit të jetës së tij. Ia njihte aftësitë mbinjerzore të luftëtarit. E kishte parë me sy në "fluturime" luftarake të pathyeshme. Kishte dalluar mirë një mënyrë të luftuari jashtëtoksore. Zotëronte lëvizje e manovrime të papara ndër të tjerë. Megjithatë, Hektori edhe mund të mos shkonte në dyluftim. Duke qënë komandant i famshëm dhe bir i një mbreti të fisëm, mund të dërgonte atje luftëtarin më të shquar të dyluftimeve. Mund edhe të mos i përgjigjej, por të thërriste në përballje të dyja ushtritë kundërshtare që ishin pozicionuar gati për sulm. Por emri, pozicioni dhe nderi nuk ia lejonte. Trimat bien ose fitojnë në ndeshje. Asnjëherë nuk është turp të vritesh në sheshin e burrave. Akili i dinte të gjitha këto. Ishte i sigurt se do ta kishte përballë dhe nuk do të kthehej mbrapsht pa trofè.

* * *
Trimat u vunë përballë njëri tjetrit pa mbrojtëse të kokës. Fytyrat e të dyve shprehnin qartë atë që ndjenin për kundërshtarin. Hektori, i pari, bëri një gjest njerzor për të respektuar të vdekurin, kushdo që të ishte. Ndoshta ia ndjente zemra humbjen dhe nuk dëshironte të përdorej si trofè. Përgjigja i erdhi "kafshërore": "Luanët nuk bëjnë pakte para dyluftimit". Akili kishte nxjerrë bishën nga trupi dhe do të sillej me të si bishë.

Akili e fitoi duelin. E shtriu kundërshtarin të vdekur në tokë dhe e la të mbytej me gjakun e vetë. Kur dha shpirt, i lidhi këmbët pas karrocës dhe e tërhoqi zvarrë. Në këtë mënyrë, po shfaqte para ushtrisë që vështronte nga muret e kështjellës, skënën më të shëmtuar e më barbare që ishte parë deri atëhere. Toka e Trojës po dhunonte komandantin që e kishte mbrojtur për një dekadë. Një makabritet që nuk ishte parë ndër luftëtarë me të tillë klas, madje as ishte dëgjuar.

Kur e çoi pranë çadrës së pushimit, i hodhi një sy pëbuzës. Balta e përzier me gjak kishin fshirë gjithçka nga bukuria e heroit të Trojës. E la aty si një trofè të braktisur dhe mendja i shkoi te Patrokli. Tani shpirti i tij do të prehej i qetë.

* * *
Shfaqja e papritur e Priamit në çadrën e Akilit, jo vetëm a habiti këtë, por e bëri edhe shumë të vëmendshëm ndaj çdo fjale që nxirrte nga goja. Mbreti i Trojës, personaliteti i rangut më të lart përfaqsues, që zotëronte mençurinë dhe urtësinë e fronit, shpalosi sjellje jashtzakonisht fisnike ndaj vrasësit të djalit të vetë. Gjesti i puthjes së dorës, shprehja e respektit për fitimtarin, lutja për t'i kthyer kufomën e të birit, nxorën nga thellësia e shpirtit të Akilit diçka esenciale. Vunë në lëvizje atë ndjenjë që rrinte përballë egërsisë së të fortit, vrasësit, të pamëshrshmit, nxorrën së brendshmi ndjesën njerzore. I kujtuan se përpara luftëtarit, prijsit të betejave të përgjakshme, fitimtarit të dyluftimeve legjendare, qëndronte njeriu me të gjitha "dobësitë" njerzore. Nuk kishte ndodhur më parë që fytyra e Akilit të merrte pamjen e dëgjuesit të vëmendshëm, të ndryshonte sipas përmbajtjes së bisedës, të fiksonte përmbajtjen e frazave, të mallëngjehej nga dhimbja e një babai që kishte humbur birin e ladishëm.

Një lëmsh i ngjeshur ia shtrëngoi gjoksin dhe po ia merrte frymën. Kërkoi leje të pushonte pak. E la mbretin në çadër dhe shkoi me një frymë te kufoma që e mbante si trofè. E soditi ashtu të gjakosur e baltosur si një pasuri që kishte filluar të vjetërohej. Sytë i mbetën mbi plagën e madhe që i kishte hapur në gjoks. Edhe pse pak e përtharë, dukej si një shpellë e thellë që mbante brenda thesaret e njeriut që kishte shkruar e vulosur një histori të artë. Ndjeu dy lotë që mundoheshin t'i shpërthenin digën e liqenit, të cilën e mbante brenda prej shumë kohësh. Diga ishte e fortë dhe lotët shumë të mëdhenj. Dolën së andejmi me mundim të madh si dy toptha të gjakosur dhe ranë në qendër të plagës. Nga përplasja u shpërndanë stërkala ngjyrë rozë duke i dhënë një pamje të re. Gjaku i përtharë i Hektorit u përzie me të tijën që doli i freskët bashkë me dy lotët që shpërthyen digën. Pastaj rrjedha u kthjellua dhe nuk ndalej. Lotë të pastër si kristali e pastruan plagën duke fshirë kështu çdo shenjë të gjaksorit të pashpirt.
Ishte hera e dytë që Akili qante me ngashërim pas vdekjes së Patroklit. Po qante njeriun që e urreu për vdekje. Po qante kundërshtarin që e vrau dy herë; të gjallë e të vdekur. Atë që e goditi pa mëshirë me shigjetë dhe e shpoi tejetej me shpat. Po qante rivalin më të fortë që kishte pasur përballë krahu i tij i hekurt. Po qante armikun e betuar për dhjetë vjet. A ishte kjo një dobësi, një mbrapshti, një pendim, apo diçka e paspjegueshme deri në atë kohë?! Fitimtarët e çdo dyluftimi vetëm kishin gëzuar e festuar, ashtu siç duhej të bënte edhe Akili pas asaj ndeshje që natyrisht kishte qënë më e vështira e jetës së tij. Atëhete pse qante? Pse nuk i ndalte dot lotët në atë rrjedhë që po i "turpëronin" forcën dhe zemrën e tij prej "kocke"?...

Përgjigjen e jepte vetë i vdekuri. Plaga e mbushur me lotët e kthjellët të Akilit e kthjelloi edhe atë të lexonte qartë përmbajtjen e kryeveprës që kishte vrarë. Nëpër kripën e lotëve të nxehtë që binin dhe avullonin mbi gjoksit e Hektorit, iu shfaq me gjithë madhështinë e tij princi hireplotë i një oborri mbretëror të pakrahasueshëm me të tjerë. Shëtiste e buzëqeshte nën vështrime admirimi që i vinin nga çdo cep i oborrit. Po aty iu shfaq biri shembullorë që do të bënte krenar e xheloz çdo baba në botë. Aty, brenda avullit të lotëve të tij, u konturua dhe mori formë të plotë bashkshorti model, prindi i dhimbshur, vëllai i përzemërt, miku besnik, ushtari i disiplinuar, strategu ushtarak dhe mbi të gjitha njeriu i virtytshëm, i matur e i mençur që di të bëjë dallimin e të mirës nga e keqja, të asaj që duhet dashuruar dhe të asaj që duhet urryer.

Akili vetë, nuk e kishte zotëruar gjithë këtë pasuri njerzore edhe pse vlerësohej si gjysmëperëndi. Por nga momenti që e vrau dhe e vendosi në oborrin e çadrës së tij, ajo ishte e gjitha aty, si një stoli që e kishte fituar me shumë mundim në arenën e trimave. Vjen Priami dhe ia kërkon t'i bëjë të gjitha nderet që i takojnë mbi dhè. Fjalës së tij të mençur dhe argumentuese, nuk i rezistoi dot. Nuk i "piu ujë" as forca, as trimëria, as pamëshira. U kujtua se këtë gjë ia kishte kërkuar vetë Hektori para dyluftimit. Në atë çast e kishte përbuzur dhe në heshtje e kishte quajtur burracak. Ishte i pushtuar nga zëmërimi dhe hakmarrja për Patroklin. Kur e vrau, bashkë me trofeun kishte fituar edhe lavdinë. Por tani historia ishte ndërprerë. Të dytë si Hektori nuk kishte. Nuk do të kishte më përballë një komandant të denjë që kishte udhëhequr një ushtri fitimtarësh. Nuk do të përballej më me një luftëtar si ai, i cili kishte qënë i vetmi ku kishte përdorur të gjithë arsenalin që zotëronte për artin e luftimit. Nuk do ta kishte më as si trofè, as si relike. Pra nuk do të kishte më as lavdi! Kjo ishte një humbje e madhe, sidomos tani që në shpirt i ishte zgjuar ajo ndjenjë njerzore që di të çmoj vlerat e tjetrit, qoftë ky edhe armiku yt i betuar. Ja, për këtë, Akili po qante me lotë perëndish. Brenda tij kishte gjetur strehë edhe kjo stoli e pazbuluar deri në atë kohë...

QERIM SKËNDERAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
NJË HUMNERË NË SHTEGUN E DASHURISËAnalizë e novelës “Një mall i pashuar” e shkrimtares Vilhelme Vranari HaxhirajNga Prof. dr. ESHREF YMERI (07.06.2014)
DIELLA (fragment)Prozë nga MARTIN CAMAJ (07.05.2014)
I THA DHIMBJA SHPIRTITCikël poetik nga NIKOLL NDOK ULNDREAJ (07.05.2014)
BASHKË ME GJERGJIN-Fletë Ditari, NJ, 19 Prill 2014Poezi nga ZEQIR LUSHAJ (07.04.2014)
In memoriamNGA TIRANA NË TORONTONga SIRI SULEJMANI (07.04.2014)
'LENTE' PËR SYTË (SIPAS MIKES SIME M.L.)Pështjellim letrar nga PËRPARIM HYSI (07.03.2014)
PARLAMENTI PA WCProzë humoristike nga REZART PALLUQI (07.03.2014)
BIOGRAFI THOTË SE KUTELI U NJOH ME GRUAN NË PLAZH, E PËRGËNJESHTRON E BIJA E KUTELIT (07.03.2014)
PUTHJA E CUBIT dhe BUKËN TONË TË PËRDITSHME FALNA SOTDy proza nga MIGJENI (07.02.2014)
VAGËLLIMË E KTHJELLËTProzë nga QERIM SKËNDERAJ (07.01.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lart]