E Martë, 05.07.2024, 07:34pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
ZHGËNJIMI I MARISË
Tregim nga PETRO MARKO

E Martë, 07.08.2014, 11:25am (GMT+1)


- Mos fol kështu, mor bir, për uratën!

- Më vjen keq për ty.

- Po të të vijë keq për mua, mos e shaj para meje, se më lëndon këtu - dhe i tregonte zemrën.

Maria, që kur ishte fëmijë, besonte këto: Urata është mëkëmbësi i Zotit mbi dhè, urata shëron gjithë sëmundjet dhe, urata që të pagëzon, që të vë kurorë, që të kungon para se të vdesësh, të ka në dorë edhe në këtë botë, edhe në atë botë. Këto Maria i kishte të ngulitura në tru, në gjak, në frymëmarrjen e saj.

Te personi i uratës shikonte njerinë e shenjtë. Njerinë me tru dhe zemër të mirë. Njerinë që qante hallet e të gjithëve. Lekët që ajo kish dhënë gjithë jetën për trisaitë, për meshët, për përshpirtjet, për shënjtorët, për ujët e bekuar, për ditën e Shën Vasilit, për bekimet e shtëpisë dhe të arës dhe të gjësë së gjallë ..... as që i qante kurrë.

Meshët, grurin e zier, verën, vajin që ajo kishte shpenzuar gjithë jetën e saj sa u bë pesëdhjetë e pesë vjeçe, as që i qante kurrë, as që i zinte fare në gojë. Përkundrazi, ajo ankohej se s 'kish qen në gjendje të jepte më shumë për shpirtin dhe mëkatet e saj - se edhe ajo njeri është dhe mëkate patjetër ka bërë, me dashje ose pa dashje - për shpirtin dhe mëkatet e prindërve dhe gjyshërve të saj, e sidomos të vjehrit dhe të vjehrës.

E krishterë fanatike, Maria. Dhe me priftin kurrë nuk ishte prishur. Edhe kur nuk kishte patur mundësi që ta paguante menjëherë, ai e kishte pritur.... Shpirt njeriu urata!

Dhe do të vdiste me këtë përshtypje për uratën, po të mos kishte ndodhur kjo:
E lajmëruan se vëllai ishte sëmurë rëndë.

Dhe kjo duhej të shkonte natën. Ndezi një fener nga ata që nuk i shuan era. Binte shi. Natë dimri.

Dhe natën sidomos në dimër, ato vende nga do kalonte Maria, janë shumë të rrezikshme. Thonë se natën atje dalin shejtanët në forma të ndryshme: kaçupe të fryra që hidhen, gjarpërinj të gjatë, skelete që kërcejnë, dhe lugetër që hedhin valle ....

Maria para se të nisej, bëri kryqin në konizmë dhe doli. U pështoll në një xhaketë të vjetër të djalit dhe u nis. Edhe gjatë rrugës, duke lëvizur buzët, ajo përsëriste disa fjalë nga ato të meshës që kish dëgjuar gjithë jetën e saj, po që kuptimin nuk ua dinte fare. Era frynte dhe shiu i hollë i përplasej në fytyrë. "Kohë e keqe, si s'më lajmëruan më parë? Meqë e kanë kunguar, ka mbaruar .... "

Kaloi monopatin e lagjes së parë dhe i afrohej vendit nga ku kalohej aq lehtë natën. Ajo nuk shihte asgjë përveç dy ose tri metrave të rrugicës që ndriçonte feneri. Po e dinte fare mirë se ku gjendej. Prandaj edhe pa fener sikur të ishte nuk do të rrëzohej në asnjë gropë, në asnjë shkallë.

"Hyra në tokën e djajve. Po ku ka sot djaj. I ka larguar urata. Urata .... Po pse im bir e urren. Ç'ka që e shan? Ai është njeri i Perëndisë, që i di të gjitha, të gjitha... "

Frika që i kish mbirë në gjak dhe që i ish rritur gjithë jetën e saj, e tmerronte dhe e mundonte, sidomos në këtë moshë. "Po prëmë u takova me uratën dhe ai më dha temjan, më bekoi". Sytë e saj nuk i lëvizte as djathtas e as majtas. E dinte që tani ishte po në atë zonë ku shejtanët dalin si kaçupe të fryra. "Urata më bekoi dhe më dha temjan. Temjani i largon shejtanët. Po ku e kam temjanin? Më mirë ta nxjerr", Fut duart në xhepat e palltos së vjetër. E kërkon atë thërrime temjan. E gjen. E afron në hundë. Era e temjanit i pëlqeu shumë. "Tani sikur të ketë shejtanë, do të largohen". Me të hedhur një çap, pa përpara saj një gjë shumë të zezë.

- O Shën Mëri, ç'është kjo?

Një gjë e zezë, shumë e zezë. Më e zezë se nata. Më e zezë se korbi. Feneri i mbeti ashtu lart. Me sy të tmerruar shikonte atë gjë të zezë pak metro larg.

- O Shën Mëri .... Më duket si kamillaf.

Mbi atë gjënë e zezë, ishte me të vërtetë një kamillaf. E fërkoi pakëz temjanin që t'i dilte era .... dhe të largohej shejtani. Po asgjë nuk lëvizi.

Maria thirri me të madhe: "Piso mu satana ... ", Këtë shprehje e dinte përmenç. E kishte dëgjuar me mijëra herë nga urata. "Piso mu satana" - thirri përsëri me të madhe Maria. Po ajo gjë e zezë me kamillaf në majë nuk lëvizi fare .... Prifti nuk ishte. Se ajo gjë e zezë ishte sa një ka, sa dy qe së bashku .... "Piso mu satana", "Piso mu satana", përsëriste këto fjalë. Ajo nuk e dinte kuptimin e këtyre dy fjalëve.

Ajo e dinte vetëm qëllimin e këtyre dy fjalëve. Kur thoshje këto dy fjalë, satanai ikte, zhdukej. Po ja që satanai aty po qëndronte. Nuk lëvizte. Dhe sa i madh që i dukej Marisë. Ai ishte sa katër qe, po Marisë i dukej më i madh se tërë madhësia e errësirës së natës.

Ç'të bënte? Të kthehej prapa? Po ai mund ta ndiqte pas. Temjani nuk e bëri punën e tij. Satanai nuk u largua. As fjalët "piso mu satana" nuk patën sukses. Maria u ul e mori një gur dhe e vërviti mu te djalli i zi. Guri lëshoi një tingull të thatë.

Maria u tremb nga ky tingull i thatë i gurit dhe .... do të ulërinte po dëgjoi ja aty, pak metro mbi atë gjën e zezë dikë që psallte. Mbajti frymën dhe të rrahurat e zemrës.

"Hoj .... hoj .... me sytë e zinj .... me sytë e zinj .... Mos ki frikë nga mjekra ime .... mjekra ime .... mjekra ime .... "

Këto fjalë të kënduara po me atë ritëm që urata këndon ungjillin në kishë dhe që psalleshin ja aty, përmbi atë gjë të zezë, e tmerruan më shumë Marinë e gjorë.
"O Shën Mëri, shpëtomë, shpëtomë!" - tha me zë Maria....

"....Mos kij frikë nga mjekra ime ... mjekra ime .... " - dëgjoi përsëri Maria.
Psallmi erotik dilte i shtruar, i ngjirur, i lodhur, po me afsh, me pasion dhe i dredhur.

"O Zot, si zëri i papa Dhimitrit! O Shën Mëri, o papa Dhimitër shpëtomëni"! - tha me zë Maria. Dhe filloi të dridhej, të dridhej. Dhe sytë nuk i hiqte nga ajo gjë e zezë. Po psallmi nuk dilte nga ajo gjë e zezë me kamillaf në majë.

"Mjekra ime .... mjekra ime .... "

Maria nuk priti po ulëriti. Dhe ulërima e saj u zgjat shumë sa u zbraz gjithë era e mushkërive të saj. Përsëri ulëriti. Dhe do të binte pa ndjenja aty në shesh, po të mos kish dëgjuar një zë burri:

- Ç'është?

- Ndihmë!

Zëri afrohej.

- Ç'është moj? Pse ulërin?

- Ndihmë! Ndihmë!

Zëra të tjerë u dëgjuan. Zëra burrash dhe zëra grash:

- Ç'ka ngjarë?

- Kush ka vdekur?

- Kush ra?

U afruan dhe .... kur panë atë gjë të zezë, u drodhën nga tmerri. Burra të tjerë dhe gra të tjerë me fenerë, me pisha të ndezura në duar, ishin bërë si barrikadë. Shikonin vetëm atë gjë të zezë të frikësuar.


Maria erdhi në vete kur pa gjithë ata fshatarë me fenerë dhe pisha të ndezura në duar. Disa burra të guximshëm u afruan më shumë te ajo gjë e zezë. E goditën me shkop, me këmbë, po asgjë, fshatarët panë njëri-tjetrin në sy.

- Shumë i fortë, si prej guri.

- Si prej hekuri. Theva këmbën.

Kjo i tmerroi më shumë. Ajo ishte rasa, hedhur mbi një gur të madh.

Më lart u dëgjua psallmi:

"Pse ma mbylle derën, moj syzezë, moj syzezë."

Burrat shikuan andej nga vinte ky psallm erotik.

Disa ngritën fenerët dhe thanë:

- Po ai atje?

Të gjithë fenerët dhe të gjitha pishat u ngritën dhe e ndriçuan atë që ishte shtrirë në përrua, brenda në ujë.

- Lugati, lugati, - tha një grua dhe bëri kryqin.

- Ç'lugat more, është papa Dhimitri - tha një burrë dhe ju afrua uratës së shtrirë në përrua, në mes të ujit. Ishte me benevrekët e gjata dhe me një xhaketë të shkurtër. Mjekrën e kishte futur në ujë. I dukej gërsheti i trashë i flokëve.

Burrat u afruan dhe ngritën fenerët. Gratë të pataksura bënin kryqin.

-Ç'bën këtu, more djall? - i tha një burrë dhe e qëlloi me shkelm.

Papa Dhimitri filloi të psallte tropare erotike të sajuara prej tij. Me këto tropare ai shprehte hidhërimin e tij, se ajo e la përjashta dhe nuk ja çeli derën.

- Është bërë thumb.

- Si gjithnjë.

Merreni dreqin ta shpiem në shtëpi. E ngritën. Ai akoma psallte tropare erotike dhe shumë të ndyra. Kallëzonte për kofshët e Dhoksisë dhe për gjinjtë e saj të mëdhenj. Gratë u turpëruan. Ulën kokën dhe mezi e mbanin të qeshurit.

Maria nuk bënte më kryqin. Shikonte burrat se si e ngritën papa Dhimitrin, se si e hiqnin zvarë, se si i hodhën rason në krahë dhe se si i ngjeshën në kokë kamillafin. Dëgjoi dhe gratë të pëshpërisnin:

- Për cilën Dhoksi këndon?

- Ehu, sa Dhoksi ka fshati!

Maria nuk donte të dëgjonte më. Ato fjalë, ajo pamje që pa, ishte më rëndë për të se vdekja e vëllait.... Vëllanë e qau ashtu siç e qan motra vëllanë, po duke qarë vëllanë, ajo qante dhe për diçka tjetër, qante për atë që humbi: për besimin dhe adhurimin ndaj uratës. Nuk deshi t'i dëgjonte më as emrin.

I dha të drejtë djalit të saj, i cili shumë herë ja kujtonte atë ngjarje të llahtarshme që zhgënjeu Marinë.

PETRO MARKO


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
LOTËT E AKILITEsé nga QERIM SKËNDERAJ (07.07.2014)
NJË HUMNERË NË SHTEGUN E DASHURISËAnalizë e novelës “Një mall i pashuar” e shkrimtares Vilhelme Vranari HaxhirajNga Prof. dr. ESHREF YMERI (07.06.2014)
DIELLA (fragment)Prozë nga MARTIN CAMAJ (07.05.2014)
I THA DHIMBJA SHPIRTITCikël poetik nga NIKOLL NDOK ULNDREAJ (07.05.2014)
BASHKË ME GJERGJIN-Fletë Ditari, NJ, 19 Prill 2014Poezi nga ZEQIR LUSHAJ (07.04.2014)
In memoriamNGA TIRANA NË TORONTONga SIRI SULEJMANI (07.04.2014)
'LENTE' PËR SYTË (SIPAS MIKES SIME M.L.)Pështjellim letrar nga PËRPARIM HYSI (07.03.2014)
PARLAMENTI PA WCProzë humoristike nga REZART PALLUQI (07.03.2014)
BIOGRAFI THOTË SE KUTELI U NJOH ME GRUAN NË PLAZH, E PËRGËNJESHTRON E BIJA E KUTELIT (07.03.2014)
PUTHJA E CUBIT dhe BUKËN TONË TË PËRDITSHME FALNA SOTDy proza nga MIGJENI (07.02.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lart]