E Martë, 05.07.2024, 03:19pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
CIKËL POETIK NGA SERGEI ESENIN
Përktheu: FASLLI HALITI

E Premte, 12.26.2014, 11:18am (GMT+1)


Sergei Esenin (1895-1925)

 


Sergej Alexandrovich Esenin ka lindur 3 tetor 1895 në Konstantinovo (sot Esenino), në rajonin e Ryazan (Rusi); bir i vetëm i prindërve fshatarë, është eksponenti më i rëndësishëm i së ashtuquajturës shkollë e "poetëve fshatarë". Në vargjet e tij pasqyrohet bota rurale e Rusisë  të fillimit të shekullit të njëzetë; fjalët e tij lartësonin bukuritë e fshatit, dashurinë ndaj mbretërisë së kafshëve, por edhe ekseset e jetës së tij (Esenin qe alkoolik dhe frekuentues i rregullt i bordellove).

I rritur me gjyshërit, fillon të shkruajë  poezi, pothuaj, në moshën nëntë vjeç. Në 1912, u transferua në Moskë, ku për të jetuar, punon si korrektor në një shtëpi botuese. Në Shën Petersburg u bë i njohur në qarqet e letërsisë. Kjo bëri që në saj të Alexandr Blokut, ai promovua si poet. Në 1915 publikon përmbledhjen e tij të parë me poezi "Radunika" e cila u pasua shpejt nga "Ritit për të vdekurin" (1916). Shpejt u bë një nga poetët më popullor  të atyre viteve.

Bukuria e Eseninit është krejtësisht e jashtë  zakonshme; biseksual, ai në pjesën e parë të jetës së tij kërkon mbështetjen  e burrave me ndikim, ndërsa në pjesën e dytë preferencat e tij do të shkojnë në drejtim të seksit femër. I pajisur me një personalitet romantik Esenini dashurohet shpesh dhe arrin kështu, të martohet pesë herë.

Ai u martua për herë të parë në 1913, martohet me Ana Izrjadnovan, kolege pune pranë shtëpisë botuese, me të cilën ai ka djalin e tij Juri (më vonë i arrestuar më pastaj gjatë spastrimeve të mëdha staliniste  dhe vdiq, në një gulag në vitin 1937). Në periudhën 1916-1917 Sergej Esenin u thirr nën armë, por menjëherë pas Revolucionit të Tetorit të 1917-tës, Rusia del nga Lufta e Parë Botërore. Duke besuar se revolucioni do të çonte në një jetë më të mirë, Esenin e mbështet atë, por shpejt zhgënjehet duke arritur deri sa të kritikojë edhe qeverinë bolshevike (e kësaj periudhe është poezia "Tetor i egër më mashtroi").

Në gusht të vitit 1917 Esenin martohet me aktoren Zinaida Raikh. Me të ai ka një vajzë, Tatianën, dhe një djalë, Konstantin. Në shtator të vitit 1918 ai themelon shtëpinë vet botuese të quajtur "Kompania punonjëse moskovite e artistëve të fjalës".

Njohu pastaj Isadora Dunkanin,atëherë  balerinë e famshme: Takimi do të jetë vendimtar për frymëzimin e tij poetik. Marrëdhënia e tij me të (17 vjeçe më e madhe) është shumë e mundimshme, e vështirë dhe plot shpenzime të tepruara: sensacional ishte episodi në Paris, ku të dy u dëbuan nga një hotel, sepse Isadora kërcente lakuriq, ndërsa Esenini recitonte vargje. Të lidhur në martesë më 2 maj 1922 (ajo, biseksuale me një preferencë për gratë që dinte vetëm disa fjalë rusisht: martesa ishte një marifet publiciteti për të dy), u ndanë një vit më vonë.
 
      
Kthehet në Moskë dhe martohet me aktoren Augusta Miklaevskaja. Në dy vitet e fundit të jetës së tij Sergej Esenin jeton në mes ekseseve, shpesh i dehur; por kjo periudhë e dëshpërimit personal është gjithashtu edhe periudha në të cilën ai krijon disa nga poezitë e tij më të bukura dhe shënuara.

Në pranverën e vitit 1925 martohet për herë të pestë  me Sofia Andrejevna Tolstaya, mbesën e Leon Tolstoit. Gruaja përpiqet për ta ndihmuar, por Esenini nuk arrin të shmangë një ezaurim nervor: hyn në një spital psikiatrik, ku qëndron vetëm një muaj. U dorëhoq  për Krishtlindje: dy ditësh pas pret një damar dhe shkruan me gjakun e tij, poezinë e tij të fundit me të cilën i jep lamtumirën botës së; njeri i dhunshëm dhe agresiv, në të njëjtën kohë i aftë për ndjeshmëri të madhe, Sergej Esenin vdes duke kryer vetëvrasje të nesërmen, 27 dhjetor 1925, në moshën 30 vjeç: ndërsa ndodhej në një dhomë hoteli në Shën Petersburg, ai var veten në tubacionet e sistemit ngrohjes. Ekziston ende dhe sot misteri për të cilin disa mendojnë se vetëvrasja ishte një mashtrim: Esenin u vra në të vërtetë nga agjentët e GPU.

                     

 1.
Më ka mbetur vetëm një argëtim:
Gishtat në gojë dhe fishkëllimë të gëzuar.
Është përhapur nami i keq për mua
Se jam një tip brutal e gërnjar i trazuar.

Ah, ç'humbje e pamend, e marrë!
Në jetë kaq humbje të marra ka.
Më vjen turp që besoja në Zot,
Hidhërohem që s'besoj në të më.

Distanca të largëta, të arta!
Jeta e përditshme djeg çdo gjë, sot!
Sillesha unë si derr dhe bëja skandale
Me qëllim që të digjesha më fortë.

Dhunti e poetit është të përkëdhelë e të presë.
Një markë fatale ndodhet brenda tij.
Një trëndafil të bardhë me një zhabë të zezë
Do të doja t'i martoja mbi tokë të dy.

Por nuk u jetësuan, s'u realizuan
Këto synime të ditëve të arta, flori.
Por meqë djajtë më bënë fole në shpirt
Kjo do të thotë që engjëjt jetonin aty.

Pra, për këto plogështi të gëzuara,
Nisur  drejt një vendi tjetër, dua,
Që në minutën e fundit t'u kërkoj atyre
Që do të jenë së bashku me mua

Për të gjitha mëkatet e mia të tmerrshme,
Për mungesën e besimit në mirësinë hyjnore
Të më veshin ata me një këmishë ruse
Që të vdes nën ikona e kore.
(1923)

                   
 
 2.
Nuk pendohem, nuk thërras, nuk qaj,
Do më kalojë si tymi i bardhë i mollës, e di.  
Rrethuar nga ari i venitur,
S'do të jem më, jo, i ri.

Nuk do rrihesh më si një herë e një kohë,
Zemra, e prekur nga freskia
Dhe vendi i mështeknave  pëlhurë
S'do më josh më të bredh zbathur si dikur.

Shpirt endacak! Përherë rrallë e më rrallë
Trazon zjarrin e buzëve shpuzë
Oh, freskia ime e humbur,
Plotësi e shqisave dhe e vështrimeve dhunë.

Tani jam bërë më koprrac në dëshira,
Jeta ime, mbase vetëm të kam ëndërruar?
Si në një mëngjes kumbues pranveror
Gallopoja mbi një kalë të kuq të harbuar.

Të gjithë, të gjithë jemi kalimtarë në këtë botë.
Kullon pikë, pikë prej panjës bakri i gjetheve ...
Dhe qoftë i bekuar përjetë,
Kush erdhi të lulëzojë e të vdesë.
(1921)


 3.
Pushoi së foluri  koria e artë
Me gjuhë të gëzuar mështeknash perri
Dhe krillat duke fluturuar  trishtueshëm,
Për askënd ato s'kanë më dhembshuri.

Dhembshuri për kë?  Kushdo në botë është një pelegrin
Do të ikë, do të braktisë shtëpinë, do shkojë diku.
Ëndërron të gjithë ata që ikën kërpnaje,
Me hënën e plotë mbi pellgun blu.

Rri  vetëm mes livadhit të zhveshur
Ikin përsëri larg krillat me erën shpejt
Jam i mbushur me hare rinore
Për asgjë të kaluar s'më vjen më keq.

S'më vjen keq për vitet e humbura kot,
S'trishtohem për lulëzimin e shpirtit ngjyrë lila,
në pyll digjet një vadhëz e kuqe
por s'mund të ngrohë askënd ajo më.

Nuk do të digjen vilet e vadhëzës,
Bari s'do të zhduket pse është zverdhur,
Siç lë pema gjethet e saj të bien pa zhurmë,
Kështu i lë të bien fjalët e trishta dhe unë

Dhe nëse koha duke i  shpërndarë me erën,
I grumbullon në nj ligatinë të kotë ..
Thoni kështu ... që pylli i artë
Pushoi së foluri me gjuhë të zgjedhur sot.
(1924)

              
 4.
 Më është e njohur kjo rrugë
Dhe kjo  shtëpizë e ulët fare,
Kashta e kaltër e kabllove
U përmbys përmbi dritare.

Ishin vite fatkeqësish të rënda,
Ishin vite forcash të trazuara, të çmendura.
Kujtoja fëmijërinë  time në fshat,
Kujtoja kaltërsinë e fushave të ndërkaq.

Nuk kërkoja as gëzimin, as paqen,
E njoh këtë lavdi të kotë e njoh.
Por tani, sapo mbyll pak sytë,
Vetëm shtëpizën atërore shoh.

Shoh kopshtin në pikat e kaltra,
Me zë të ulët vjeshta mbështet mbi gardh.
Në krahët e gjelbër qëndrojnë blirët
Britmat dhe cicërimat e zogjve ndajnatë.

E kam dashur këtë shtëpi prej druri,
Në trarët vakej një krismë kërcënuese,
Stufa jonë në mënyrë të çuditshme,
Në natën me shi, uturinte, bubulluese

Zëri i fuqishëm dhe dënesa e potershme,
Si mbi dikë të humbur, të gjallë.
Çfarë shihte, gamilja prej tullash,
Në rënkimin me shira, vallë?

Sigurisht shihte vende të largëta,
Ëndrrën e një kohë tjetër, më pas,
Rërat e florinjta të Afganistanit,
Mjegullën e kristaltë të Buharasë.

Ah, edhe unë i njoh këto vende,
Me hap të vogël, kam rendur atje
Vetëm më afër vendlindjes sime
Do doja të kthehesha gjithnjë.

Por u shua ajo topitje e ëmbël,
Çdo gjë u tret në tymin blu.
Paqe ty, kashtë fshatare,
Paqe ty, shtëpi, ndërtuar me dru.
(1923)


 
 5.
 
Panja ime lakuriqe, panja ime e mardhë,
Pse rri e përkulur nën stuhinë e bardhë?

Mbase ke parë diçka? Mbase diçka ke dëgjuar?    
Sikur për një shëtitje jashtë vendit kishe shkuar.

Dhe, si një gardian i dehur, duke dalë në rrugë,
U zhyte në dëborë, t'u bënë këmbët akull, qull.

Ah, unë vetë u bëra i paqëndrueshëm tani.
Nga zbavitja me miq, si zor të vete në shtëpi.

Atje jashtë njoha  pishën, shelgun takova,
Këngë mbi verën për ta nën stuhi, këndova.  

Vetë u ndjeva i barabartë me panjën e egër,
Por jo lakuriq si ajo, por plotësisht i gjelbër.

Dhe duke shmangur ndrojtjen , i dehur thumb,
Si të ishte gruaja e tjetrit, panjën përqafova unë.

(1925)


 

 

Komente nga:

 

Sandro Angelucci

 

Gjeta të botuar me kënaqësi - në "Blogun "L'ombra delle" parole postimin për Eseninin: një poet i një thellësie kurrë të mjaftueshme nëse mendohet për shenjën e lënë nga poezia e tij, jo vetëm në letërsinë ruse. Një poet, shumë i dashur për mua, që vë në qendër urtësinë e fshatarëve në një periudhë në të cilën ata ishin në pikëpyetje (siç ndodh gjithmonë në lëvizjet ciklike të mendimit) lirizëm dhe spontanitet. Përmbledhja e tij e parë, "Radunica", i habiti të gjithë dhe pastaj ofron një primitivizëm të nxehtë që i kundërvihet ngrirjes dhe zhurmës e jetës së përditshme. Është e vërtetë se ai do të transformojë vuajtjet e tij lirike të përzëna  nga vendi i tij Eden në shenjë proteste ekstremiste të një të dehuri dhe blasfemuesi, por  asgjë nuk do të fshijë kurrë, donjëherë, bukurinë e habitshme që rrjedh nga vargjet e tij: Izba gati për të ripërtypë "thërrimet aromatike të heshtjes";  era që zhvesh fustanin e berjozës .... kapërcejnë të dhënat poetike dhe bëhen mit: origjinal, pa perëndim.

 

U dashurova menjëherë me poezinë, me jetën dhe vdekjen e Eseninit, kur në moshën njëzetvjeçare, unë lexova një numër poezish të tij. Që prej 68 vitesh nuk e kam harruar atë pikërisht se nuk e imitova. E pra, diçka, romantike, dashuria e tij për botën e kafshëve, dashuri jo vetëm fizike, është vetëm për gruan. Poezia e tij,  mua, injorantin e gjuhës ruse, më joshte me thjeshtësinë diskursive gjithmonë e rëndësishme. Tani që kam lexuar këto versione të reja në një gjuhë të freskët mrekullisht në një italishte të sotme, kujtoj se vdekja e tij ndodhi pikërisht një vit e 14 ditë para lindjes sime. Urimet më të mira, përkthyeses, zonjës Donata  Di Bartolomeo dhe një falënderim të madh asaj që na bëri të të rilexojmë  Eseninin.

 

George Linguaglossa

 

Poeti lirik nuk mund të mbijetojë në një botë përmbysjesh të shpejta dhe febrile, shoqërore dhe politike. Esenin ishte një poet lirik, me vokacion intim, por nuk kishte asnjë shans për të mbijetuar pas Revolucionit të Tetorit.

Pastaj kemi një lloj tjetër poeti lirik: Leopardi dhe Hölderlin, të shtrënguar të jetojnë,  pavarësisht vetes së tyre, në një epokë restaurimi dhe ngritjeje në fuqi politike. Në të dy rastet, bëhet fjalë për situata tragjike, por poeti lirik mund të lindë vetëm në situata tragjike, është ky paradoksi historik social dhe psikologjik emocional, në  të cilin ai është i shtrënguar të mbijetojë. Flitet për një ekuilibër   shumë të hollë dhe të paqëndrueshëm midis ndërgjegjes reflektuese dhe poetit lirik si dhe ndërgjegjësimit reflektues e poetit jo më shumë lirik, në këtë linjë të hollë demarkacioni, gjatë këtij kufiri poeti lirik mund të prodhojë poezi.

Në rastin e Eseninit revolucioni ishte një fenomen shumë i madh dhe invaziv, që  poeti lirik mund të mbijetojë; Esenini e urrente modernitetin, urrente metropolet perëndimore të pasura në mallra dhe shërbime; urrente Nju Jorkun me rrokaqiejtë e tij që i krijonin ankth. Ai nuk kishte më rrugëdalje: e ardhmja ishte kundër tij. Në poezinë e tij dritëzojnë aty këtu, ngjarjet e tmerrshme të revolucionit:

Qenë vite fatkeqësish të rënda,

Qenë vite forcash të turbullta, të marra.

 

Por pastaj çdo gjë bie, Esenini kërkon paqen e shtëpisë së tij në "pyllin artë ", mund të jetojë vetëm si një" vakabond" " sherret" në një botë që largohet gjithnjë e më shumë ...

Përktheu: FASLLI HALITI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
PASTAJ LOTI IA MBYLLI SYTËCikël hajku nga LULZIM LOGUNga libri i ri “ Dashni pa zë” (12.25.2014)
BANKETI(nga cikli i tregimeve eksperimentale)Nga LUMO KOLLESHI (12.24.2014)
SOKRATI MIGJENIAN DHE DERRI I KËNAQUREsé kushtuar Moikom ZeqosNga PETRO LUARASI (12.22.2014)
JEHONA DHE DILEMAT E NJË POEMEEsé për poemën 'Dielli dhe rrëkerat' të Faslli HalititNga QERIM SKËNDERAJ (12.22.2014)
MËNGJESET E BARDHA NË KAFE 'ROSTAND'Esse nga PERPARIM HYSI (12.21.2014)
PËRMIRËSOHET NDJESHËM SHËNDETI I SHKRIMTARIT TË SHQUAR NAUM PRIFTI (12.21.2014)
RRËZË SHELGUT TË PIKËLLUAR QANTE DITACikël poezish nga ADEM ZAPLLUZHA (12.20.2014)
ROMANI SI NJË DEZHAVY E NJË JETE(Mbi romanin “Ankthi i së vërtetës” të Mjeshtres Madhe të Penës Vilhelme Vranar (Haxhiraj)Nga VLADIMIR MUÇA (12.20.2014)
ATDHEU NIS TEK ZEMRA- poemë për shpërnguljenNga RRUSTEM GECI (12.20.2014)
KUR PEMA BIE NËN PEMËRomani " Pavijoni i "filozofëve" të Ilinden SpassesEsse nga PËRPARIM  HYSI (12.19.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lart]